Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, janar 08, 2006

Albumi i UÇK-së - ZJARR NË VËRRI, ZJARR NË JESHKOVË (Gjeq)

Albumi i UÇK-së

Në prag të shtatëvjetorin e rënies së dëshmorit të kombit Bashkim Suka (2 shkurt 1979 - 11 mars 1999)

ZJARR NË VRRI, ZJARR NË JESHKOVË

Vendosja e Bashkim Sukës në Jashkovë kishte rëndësi të shumëfishtë strategjike, operative e logjistike sepse në këtë fshat kishte përkrahje të madhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës; në Jeshkovë vepronin "Djemtë e Vrrinit" të cilët përherë e kishin përkrahjen dhe mbështetjen e vrrinasve. Bashkim Suka, këtu shkëlqeu me heroizëm e trimëri në Betejën e Korrikut, ndërsa në luftimet e shtatorit të vitit 1998 mbeti një emër i paharrueshëm për vrrinasit dhe për Njësitin Special

Prof. dr. Sabahajdin Cena

Beteja e Vrrinit
Beteja e Vrrinit mbetet beteja më e përgjakshme që do të shënohet në faqet më të arta të historisë së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku me turp u thyen paramilitarët, policët dhe ushtarët e "Divizionit të Turpit" i cili marshonte përherë prej Prizrenit dhe pas disfatave që pësonte, hakmerrej mbi popullatën e pafajshme civile në Vrri, në Anadrin e në tërë Kosovën martire. Njëri prej dëshmorëve të rënë në këtë betejë të kënduar edhe në rapsoditë tona, është dëshmori Bashkim Ismajl Suka. Bashkim Suka, i biri i Ismajlit të Sukajve të Bllacës heroike dhe i Halimes, bijë e Cakajve të Budakovës legjendare, i vëllai i Florisë, i Muhametit, i Avniut dhe i Abdylit, është i lindur më 2 shkurt të vitit 1979 në Prizren, në "Lagjen e Trimave", në lagjen ku mbinë filizat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dëshmori i kombit Bashkim Suka, shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, në Prizrenin e Abdyl Frashërit e të Tahir Sinanit. Po këtu vazhdoi shkollën e mesme duke i vijuar mësimet në departamentin teknik, dega për automekanik pranë Shkollës së Mesme Teknike "Gani Qafdërbasha" të Prizrenit. Gjatë shkollimit dhe ushtrimeve për këtë degë të zejtarisë, lidhet me Lëvizjen Popullore, Frontin e Rezistencës Kombëtare, Grupi Ilegal i Tususit, njëra prej lagjeve ku me kohë zuri të farkohej krijimi i instrumentit të forcës. Kështu, më 1990, nëpërmjet dajës Islam Caka, veprimtar i shquar, takohet me Nasimi Elshanin e Nagacit të Anadrinit e më vonë lidhet me Xhevat Berishën, Salajdin Brahën, Ismajl Kryeziun, Elbasan Shoshajn e Mursel Osmanajn, dëshmorë të kombit, përkatësisht luftëtarë të lirisë dhe kështu, dëshmori Bashkim Suka kyçet në veprimtarinë ilegale që kishte lëshuar flatra nëpër Prizren e veçanërisht pas rënies së dëshmorit Xhemali Berisha, profesor, poet dhe intelektual i shquar. Në janarin e vitit 1990, Bashkim Suka kishte marrë pjesë edhe në demonstratat e Krushës së Madhe dhe në shënimet e përvjetorëve të parë nëpër fshatrat e Anadrinit për dëshmorët: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti e Hilmi Krasniqi, ndërsa në fshatin Shirokë të Therandës për dëshmorin Besim Ndreca. I tërë gjiri familjar i Ismajl Sukës ndiqej në çdo hap e veçanërisht në fokus të pushtetit serb u bë veprimtaria e të birit Bashkim; i ndjekur, i rrahur dhe i maltretuar, por i shpëtoi burgosjes dhe kështu me të afërmit e tij në Bllacën legjendare vazhdoi veprimtarinë e vet deri më 1997. Pas këtij viti zë ta vizitojë Drenasin dhe të qëndrojë nëpër fshatrat: Krojmir, Shalë e Kezharekë dhe kështu lidhet me ilegalen e Drenicës së Adem Jasharit.
Heroizmi i "Djemve të Jeshkovës"
Në maj të vitit 1998, me rastin e rënies heroike të dëshmorëve Përparim Thaçi, Fehim Gashi e Sakip Bellaqa, merr detyra shumë të rëndësishme për shtrirjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjendet në formacionin e Shtabit Operativ Lokal për Vrrinin e Prizrenit në Jeshkovë. Menjëherë edhe i fillon stërvitjet ushtarake dhe ndihmon në forcimin e sektorit të logjistikës. Pas kryerjes së stërvitjeve inkuadrohet për veprimtari në Skuadrën e Policisë Ushtarake e më vonë emërohet komandant skuadre në Njësitin Special të Vrrinit duke bashkëvepruar me shtyllat e rezistencës së armatosur në rajonin e Prizrenit si: Remzi Ademajn, Xhevat Berishën, Hysen Rexhepin, Fatmir Berishën, Ekrem Rexhën, Agim Shalën, të gjithë dëshmorë të kombit dhe me luftëtarët e lirisë si: Zafir Berisha, Islam Caka, Mursel Osmani, Naser Berisha, Xhemshit Krasniqi e Xhevit Berisha, Elbasan Shoshaj e Ismajl Kryeziu. Veprimtaria e këtillë e Bashkim Sukës ndikoi mbi pushtuesin serb dhe kolaboracionistët që të fokusohet edhe më shumë familja e Smajl Sukës në Lagjen e Trimave, prandaj edhe ia djegin shtëpinë. Vendosja e Bashkim Sukës në Jashkovë kishte rëndësi të shumëfishtë strategjike, operative e logjistike sepse në këtë fshat kishte përkrahje të madhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës; në Jeshkovë vepronin "Djemtë e Vrrinit" të cilët përherë e kishin përkrahjen dhe mbështetjen e vrrinasve. Bashkim Suka, këtu shkëlqeu me heroizëm e trimëri në Betejën e Korrikut, ndërsa në luftimet e shtatorit të vitit 1998 mbeti një emër i paharrueshëm për vrrinasit dhe për Njësitin Special. Gjatë qëndrimit në fshatin Reti të Anadrinit shquhet si instruktor dhe luftëtar i betejave nëpër Lugjet e Qëndresës dhe gjendet në ballë të Brigadës 125 të Prizrenit e cila kultivonte traditën dhe amanetin e Remzi Ademajt - komandant Petrit Kodrës. Në luftimet e përgjakshme të zhvilluara në Jeshkovë më 1 dhe 2 shtator të vitit 1998 plagosen rëndë Bashkim Suka dhe Fatmir Berisha. Në saje të përkujdesjes së madhe të dr. Bakiut, të motrave Shala dhe të motrës medicinave Melihate Hallaçi, plagët e kësaj beteje i mbijetoi Bashkim Suka ndërsa Përjetësinë e mori dëshmori i kombit Fatmir Berisha. Në orët mëngjesore të 11 marsit të vitit 1999, Jeshkovën legjendare e rrethojnë hordhitë e egra e barbare ushtarake, paramilitare e policore serbe. Me një arsenal të madh armatimi të të gjitha llojeve e kalibrave sulmohen dhe rrethohen pozicionet e Marsit në Jeshkovë e në Vrri me destinacion permanent Jeshkovën dhe shkatërrimin e Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Zonës Operative të Pashtrikut, të Brigadës 125 të Prizrenit. Kjo ishte ndër betejat më të ashpra sepse rreth 3 000 forca serbe, të shfrenuara e të çmendura - të përgatitur për masakra mbi popullatën civile, vërsulen mbi rreth 30 luftëtarë të lirisë. Beteja zhvillohet në afërsi "bombë dore" dhe "fyt për fyti". Por luftëtarët e lirisë, të komanduar prej Hysen Rexhepit, dëshmor i Jeshkovës dhe luftëtarit Samedin Xhezairi, të njohur si komandant Hoxha, bëjnë rezistencë të pashoqe duke u përballur sulmeve të hordhive të egërsuara e të dehura serboçetnike. Në këto luftime, më 11 mars të vitit 1999 së bashku me shokët e njësitit, merr Përjetësinë dhe dëshmori i kombit Bashkim Ismajl Suka, komandant skuadre në Njësitin Special të Brigadës 125 të Prizrenit.
Përjetësia
Më 17 mars, luftëtarët e lirisë - dëshmorët e kombit që ranë më 11 mars në Jeshkovë varrosen në "Varrezat e Dëshmorëve" të Zonës Operative të Pashtrikut në fshatin Pagarushë. Kështu, në të mërkurën e 17 marsit, të mbuluar me dëborën e bardhë të pragut të pranverës si pranverat e Hysen Rexhepit, Hajdar Shalës, Ferid Susurit, Ymridin Çengajt, Hamit Thaçit, Tahir Gashit, Skënder Latifit, Alajdin Xhezairit, Besnik Kastratit e të Bashkim Sukës me shokët të cilëve ende nuk u dihen nishanët, nga Prizreni i Remzi Ademajt, kishin arritur nënat, motrat, etërit, vëllezërit dhe farefisi i madh prej viseve të ndryshme të Trojeve Etnike, për t'i përcjellur "Djemtë e Vrrinit" ashtu siç i renditi rapsodia popullore. Atë ditë, në muzgun e mbrëmjes, në fshatin Pagarushë u hapën varret për Dëshmorët e Vrrinit por edhe frymuan zemrat e krenarisë kombëtare e të qëndrimit burrëror të nënave, të motrave e të bashkëshorteve të cilat i forconin bonjakët e dëshmorëve që rrinin pranë arkivoleve të etërve të rënë Lugjeve të Jeshkovës e të sjellur në zemrën e Zonës së Lirë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës - në Pagarushën e Malishevës. Bashkim Suka, djalosh kallushan, me flokë ngjyrë gështenje, i lindur dhe i rritur në një familje me tradita patriotike, humane e mikpritëse, edhe vetë ishte shumë human e tejet i vendosur. Përherë rrinte i buzëqeshur, i afërm si me shokët e lagjes ndërsa ishte çapkën-çuni e i këtillë mbeti edhe me bashkëluftëtarët. Kishte talent për art, veçanërisht për muzikë e shquhej edhe me shkathtësi për mekanikë precize. Vetë e pati punuar një pistoletë për qitje me një fyshek dhe një pushkë gjuetie e sot prindët i ruajnë në koleksionin e kujtimeve për dëshmorin. Po këtu, në dhomën e pritjes gjendet edhe një fletoreditar me fragmente nga jeta e luftëtarit Bashkim Suka, sot dëshmor i kombit, ndërsa nëna Halime ia ruan çiftelinë dhe një qafore me medaljon luftëtari. Të gjitha këto sajojnë një muzeum në miniaturë e në krye të tyre qëndron një pano me portretet e "Djemve të Jeshkovës" që ranë më 11 mars të vitit 1999. Rënia e Njësitit Special të Brigadës 125 në Lugjet e Jeshkovës më 11 mars të vitit 1999 ishte një humbje e madhe për brigadën, për Zonën Operative të Pashtrikut dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por pas marrjes së Përjetësisë të "Djemve të Vrrinit", kjo ushtri u bë edhe më e fortë sepse me turp u thye i tërë "Batalioni i Qyqeve" dhe "Divizioni i Turpit" të ushtrisë serbe të kazermuar në Prizrenin - Zemër të Shqiptarisë. Dëshmorit të kombit Bashkim Sukaj dhe "Djemëve të Jeshkovës", mu në fshatin Jeshkovë, u është ngritur Lapidari i Përbashkët i cili do ta kujtojë Betejën e Jeshkovës, heroizmin e luftëtarëve të Vrrinit dhe legjendën për këtë epope të madhe.