Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, dhjetor 25, 2005

Si u eliminuan dhe burgosën 21 pjesëtarët e gjoja grupit armiqësor të ish-kryeministrit
Dënime të tjera pas vdekjes së Mehmetit



Sonila Yzeri



Nga 21 të arrestuarit pas vdekjes së Mehmet Shehut, ata që kishin edhe pozitën më të lartë partiake dhe shtetërore nuk i shpëtuan ndëshkimit të Hoxhës. Kështu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti, Llambi Peçini u pushkatuan. Me gjithë Fiqret Shehun, bashkëshorten e ish-kryeministrit, që vdiq në burg gjithsej janë 5 të vdekur nga procesi famëkeq i vitit 1982. Këta janë emrat e disa prej funksionarëve të lartë të ish-Byrosë Politike të akuzuar si bashkëpunëtorë të klanit të Mehmet Shehut, duke u dhënë dënimet nga më të ndryshme. Më pas vijnë edhe të tjerë, ku në krye të dënimeve me burg qëndrojnë ish-ushtarakët e lartë, Ramohito, Fejzo, Hasko, Prodani që u dënuan me 23 vjet heqje lirie. Pas tyre vijnë Kristofor Martiro, ish-shefi i degës së veçantë të Sigurimit të Shtetit. Gjykata e Lartë nuk kurseu edhe vitet e burgut për ish-të afërm të Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut. Vëllezërit dhe kushërinjtë e tyre u mbajtën të izoluar në burg për vite të tëra.
Dënimi, fare i pabazë
Sot, duke analizuar të gjitha gjërat siç janë; zhvillimi i hetuesisë, mënyrat dhe metodat e përdorura gjatë saj, akuzat e bëra për secilin që nuk kishin asnjë bazë, por gjëra të fantazuara, presioni dhe torturat për të pranuar këto me çdo kusht, si dhe nxjerrja e të gjithë dëshmitarëve të përgatitur nga hetuesia se çfarë do të thoshin në gjyq për të akuzuar njërin apo tjetrin pa pasur asnjë fakt konkret, vetëm se gënjeshtra, arrij në disa konkluzione që do të mundem t’i shtjelloj më poshtë sipas mendimit tim. Sipas porosisë dhe urdhrave të Enver Hoxhës, kryesorja ishte që me çdo kusht, gjatë zhvillimit të hetuesisë duhej të dilte se ka ekzistuar një organizatë kundërrevolucionare krijuar dhe e drejtuar nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, e cila sipas udhëzimeve kishte për qëllim eliminimin e udhëheqjes së lartë të partisë, rrëzimin e pushtetit popullor dhe vendosjen e kapitalizmit në Shqipëri: Mehmet Shehu ka qenë agjent i vjetër i shumë zbulimeve të huaja dhe ka punuar kryesisht sipas udhëzimeve të zbulimit amerikan, me të cilin mbante lidhje të ngushta me të gjitha mjetet si me radio transmetuese, me anën e djalit të tij, Skënder Shehut, që e kishte për studime në Suedi dhe Danimarkë për të marrë udhëzime nga zbulimi amerikan për veprimet e ardhshme të Mehmetit. Se Kadri Hazbiu, duke qenë agjent i jugosllavëve dhe i sovjetikëve, ka qenë krahu i djathë i Mehmetit. Pas goditjes së Mehmetit, me porosi të zbulimeve të huaja duhej të merrte drejtimin e organizatës, të ruante anëtarët e saj dhe të takonte në mënyrë sekrete Mehmetin, t’i jepte atij porosinë që i kishin dhënë zbulimet e huaja, që ai për hir të organizatës dhe për ta ruajtur atë duhej të gjente rrugën e eliminimit të vetvetes. Se në proceset e zhvilluara si ai Beqir Ballukut etj., i ka mbyllur para kohe, nga frika se mos nxirrnin emrin e Mehmetit që ishte drejtuesi i të gjitha grupeve armiqësore, në ushtri, ekonomi, kulturë etj. Se kjo organizatë kishte zhvilluar një aktivitet të madh armiqësor si në lëmin politik dhe në atë ekonomik. Ishte kjo organizatë që kishte organizuar Konferencën e Partisë së Tiranës, e cila kritikoi rëndë udhëheqjen e rëndë të partisë dhe kërkohej të analizohej kulti i individit në parti.
Vlerësime të gabuara
Në janar të vitit 1982, një muaj pas “vetëvrasjes” së Mehmet Shehut arrestohet në fshatin Belsh të Elbasanit, Fiqret Shehu, së bashku me djalin që kishte qenë në Suedi, Skënder Shehu, me akuzën si armiq të partisë. Qëllimi i arrestimit të tyre ishte që ata të vërtetonin se Mehmeti ishte agjent i vjetër i zbulimeve të huaja, kryesisht atij amerikan. Të vërtetoheshin sesi Skënderi ka mbajtur lidhje me shërbimet amerikane, ku merrte udhëzime për babanë e tij, Mehmetin. Fiqreti duhej të vërtetonte e kishte sikur me porosi të Mehmetit gjoja për të parë djalin, por në fakt, do të takonte zbulimin amerikan në Suedi e Danimarkë.
Duket se në fillim, as Fiqreti, as Skënderi nuk pranuan asgjë. Por më vonë, me arrestimin e djalit të tretë, Bashkimit, që ishte akoma i lirë dhe me vdekjen e djalit të madh, Vladimirit, që ishte i internuar në Gramsh, Fiqreti për të ruajtur fëmijët pranoi të thotë çfarë i sugjeroi Hekuran Isaj me hetuesit. Kështu, E. Hoxha realizoi një nga versionet që kishte thënë ai.
Në shkurt të vitit 1982 arrestohet Feçor Shehu, ish-ministër i Brendshëm, por në atë kohë e kishin shkarkuar. Qëllimi i arrestimit të tij ishte që ai të pranonte se kishte qenë agjent i amerikanëve dhe për bashkëpunimin e tij me Mehmet Shehun. Feçori deri në fund, me gjithë torturat çnjerëzore të përditshme, nuk pranoi asnjë gjë për vete dhe nuk tha asgjë për asnjë tjetër. Të gjitha i quajti shpifje të sajuara.
Kush ishin këta njerëz që Enver Hoxha i dënoi si armiq të popullit dhe që ishin vënë në shërbim të zbulimeve të huaja, me qëllim që eliminonin udhëheqësin kryesor të partisë, të rrëzonin pushtetin popullor dhe të vendosnin kapitalizmin në Shqipëri?
Të marrim si shembull Kadri Hazbiun, duke shtruar edhe pyetjen: A mund të ishte ky njeri armik i popullit dhe agjent i zbulimeve të huaja? Kjo kurrën e kurrës, për faktin se Kadri Hazbiu për dekada të tëra, si gjatë luftës dhe gjatë ndërtimit të vendit e kishte treguar veten si njeri i ndershëm dhe besnik i partisë, duke punuar me përkushtim në të gjithë sektorët për të mirën e popullit dhe të atdheut. Akuza dhe dënimi që iu dha Kadri Hazbiut, tregon frikën që kishte Enver Hoxha nga ky njeri që e donte dhe kishte simpatinë një popull i tërë. Enver Hoxha, pasi i eliminoi këta njerëz, kishte për qëllim që të sillte në krye të partisë dhe të shtetit, njerëz të paaftë në mënyrë që t’i hapte rrugën idhullit të tij, Ramiz Alisë, që pas vdekjes së tij ta drejtonte ky i fundit partinë.

Banda e Xhevdet Mustafes

Banda e Xhevdet Mustafës ishte fundi i kombinacionit për arrestimin e Kadri Hazbiut. Atëherë, funksionarë të lartë të Ministrisë së Brendshme kanë pasur dijeni për ardhjen e kësaj bande që në kohën kur ministër i Brendshëm ishte Feçor Shehu. Madje, atëherë janë marrë edhe masa, por Mustafa dhe pjesëtarët e grupit të tij nuk erdhën kur priteshin, gjë që lë vend për dyshime. Banda erdhi në kohën kur ministër i Punëve të Brendshme ishte Hekuran Isaj. Madje, vlen të theksohet fakti, se në këtë kohë ishin hequr forcat e gatshme nga bregdeti shqiptar. Dihej saktë edhe vendi i zbarkimit. Xhevdet Mustafa, Sabaudin Haznedari dhe Halit Bajrami, u nisën me skaf nga Pulja e Italisë dhe zbarkuan në Divjakë të Lushnjës. Xhevdet Mustafa e kuptoi se ardhja e tij ishte një kurth i pastër, ndaj edhe e vrau policin që i doli para, e kërkoi të largohej, por u godit nga forcat rezerviste dhe u detyrua të strehohet në një shtëpi në afërsi të Rrogozhinës. Enver Hoxha dërgoi Kadri Hazbiun për të ndihmuar Hekuran Isajn në eliminimin e bandës. U krijua legjenda sikur Xhevdet Mustafa, ndërsa ishte i rrethuar, kërkoi të takonte Kadri Hazbiun. Një tjetër anëtar i këtij grupi, Halit Bajrami, u dorëzua në postën e policisë, ku ishin prezent Kadri Hazbiu dhe Hekuran Isaj. Dy pjesëtarët e tjerë të grupit u vranë.
Kështu, ardhja e bandës së Xhevdet Mustafës ishte një kurth për ta përdorur si material në gjyq kundër Kadri Hazbiut. Eliminimi i Haznedarit dhe i Xhevdetit ishte i qëllimshëm, për faktin se të dy këta mund të tregonin se ishin përgatitur për të ardhur në Shqipëri. Ekspertë të Sigurimit të Shtetit kanë deklaruar se ardhja e bandës së Xhevdet Mustafës ishte përgatitur nga zbulimi shqiptar dhe për përgatitjen e saj janë dërguar në Itali dy kuadro kryesorë, drejtues të zbulimit. Duke i bërë analizë ardhjes së kësaj bande, krijohet bindja e një plani shumë djallëzor, i studiuar mirë deri në hollësi. Ja si dëshmon në gjyq pjesëtari i bandës i mbetur gjallë.

Denimet per te arrestuarit

1. Kadri Hazbiu, ish-ministër i Mbrojtjes i pushkatuar
2. Fiqret Shehu, gruaja e Mehmet Shehut, vdiq në burg
3. Skënder Shehu, djali i Mehmet Shehut, dënuar me 24 vjet burg
4. Feçor Shehu, ish-ministri i Brendshëm, i pushkatuar
5. Kristofor Martiro, ish-kryetari i degës së veçantë të Sigurimit të Shtetit, i dënuar me 15 vjet heqje lirie
6. Elham Gjika, ish-drejtori i hetuesisë po në ministri
7. Lirim Pëllumbi, ish-kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Durrës
8. LLambi Ziçishti, ish-ministër i Shëndetësisë, i pushkatuar
9. Xhavit Ismailaga, ish-berber i Mehmet Shehut, dënuar me 10 vjet heqje lirie
10. Llambi Peçini, ish–drejtor i Drejtorisë së Dytë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i pushkatuar
11. Gani Kodra, ish-efektiv i Drejtorisë së Dytë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i dënuar me 25 vjet heqje lirie
12. Ali Çeno, ish-badigard i Mehmet Shehut, i dënuar me 9 vjet heqje lirie
13. Abaz Fejzo, gjeneral, ish-drejtor i Tankeve në Ministrinë e Mbrojtjes, 23 vjet heqje lirie
14. Arif Hasko, gjeneral i dënuar me 23 vjet heqje lirie
15. Sadik Bekteshi, gjeneral, Hero i Popullit 12 vjet heqje lirie
17. Muhamet Prodani, ish-komandant i Brigadës së Parë pas Mehmet Shehut i dënuar me 23 vjet heqje lirie
18. Halim Rahomito, gjeneral, ish-zëvendësdrejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë, 23 vjet heqje lirie
19. Hasan Hazbiu, vëllai i Kadri Hasbiut, dënuar me 9 vjet heqje lirie
20. Duro Shehu, Vëllai i Mehmet Shehut, dënuar 8 vjet heqje lirie
21. Idriz Seiti, kushëriri i Mehmet Shehut ish-kryetar Dege në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i dënuar me 26 vjet heqje lirie

Pergatitur per art-cafe;http://flori-press.blogspot.com,http://floart.blogspot.com nga Flori Bruqi





______________________________________________________________
www.artcafe-albania.com