Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, dhjetor 25, 2005

Intervista/Flet Kristofor Martiro, ish-kryetari i degës së veçantë të Sigurimit të Shtetit

Kombinacionet mbi familjen Shehu
Çfarë thanë gjatë seancave të pyetjeve Fiqret Shehu dhe djemtë e saj, Skënderi dhe Bashkimi

Luan Kondi



Ish-oficeri madhor i Sigurimit të Shtetit, Kristofor Martiro, rrëfen histori të jetuara deri në detaje. Kujtesa fantastike i jep të drejtën për të thënë shumë gjëra, por mendon se ka ardhur koha që gjerë e gjatë t’i hedhë kujtimet e tij në një libër, që do të jetë ndoshta më interesanti. Megjithatë, në tri intervistat ekskluzive për gazetën “Tirana Observer”, ai tha disa nga sekretet e hetimit të ashtuquajturit grup “armiqësor i ushtarakëve”. Duke qenë objektiv, ai shpjegoi se kush i drejtonte hetimin e tyre dhe cili ishte regjimi i zhvillimit të hetuesisë për ta. Kujt i raportohej për gjithçka dilte nga hetimet e Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos dhe Rrahman Parllakut. Me tej, ai ndalet pak në ngjarjet e mëpasshme, hetimin e të ashtuquajturit grup “armiqësor në ekonomi”. Duke dashur të sqarojnë situatën e krijuar pas vdekjes së Mehmet Shehut, ish-kryetari i degës së veçantë të Sigurimit të Shtetit tregon për jetën e vështirë që nisi familja e ish-kryeministrit. Internimi i tyre në Belsh dhe përpjekjet e Sigurimit për të nxjerrë fakte mbi veprimtarinë gjoja armiqësore të Mehmet Shehut. Në numrin e sotëm, në vijim të intervistës së tij, Martiro, dëshmon për gjithçka ndodhi me këtë familje në janar të vitit 1982, pas arrestimit të Fiqret Shehut dhe djalit të saj, Skënderit. Si u veprua me Marjeta Shehun, nusen e djalit të Mehmetit dhe ku synonte Sigurimi i Shtetit të dilte me kombinacionet e tij.
Kush e kishte radhën pas tij për t’iu përgjigjur pyetjeve?
Pas Skënderit thirra në zyrë për ta pyetur Marjetën, të shoqen e Bashkim Shehut. Marjeta ishte bijë e një shoferi që banonte në Durrës, të cilin e quanin Lefter me origjinë nga zonat e Bregut. Marjeta ishte një grua e re, simpatike, mjaft e zgjuar, vazhdonte studimet për Gjuhë të Huaja në Universitetin e Tiranës. Njihej në Tiranë si një grua e modës, frekuentonte tavernat e natës në hotel “Dajti” dhe 15-katëshin me të shoqin, Bashkimin, vishej në mënyrë që i bënte sfidë kohës, grua e qejfeve etj.
Duke e pyetur për ngjarjen e Mehmetit, ajo më tha se atë natë që ndodhi ngjarja: “Unë isha në studion e Bashkimit në katin e tretë të shtëpisë, qëndrova aty vetëm deri vonë. Kur zbrita në katin e dytë rreth orës 24.00, gjeta në korridor para dhomës së Mehmetit, kunatin, Vladimirin, me të shoqen Bardhën. Ata ishin shumë të shqetësuar. I pyeta përse qëndronin aty. Mësova se e shoqja e Vladimirit, e cila ishte shtatzënë ishte pak pa qejf. M’u duk se dera e dhomës së Mehmetit ishte pak e hapur dhe brenda kishte dritë. Më pas shkova në dhomën time që ishte në anën tjetër të dhomave të Mehmetit dhe Fiqretit. Nuk dëgjova asgjë natën dhe në mëngjes shkova në shkollë. Rreth orës 08.30 erdhën dhe më morën, më thanë se djali ishte pak pa qejf. Kur shkova në shtëpi gjeta kujën, po qanin, mësova se Mehmeti kishte vrarë veten.
Çfarë tjetër e pyetët Marjeta Shehun?
Ashtu sikurse edhe në pyetjet e mësipërme, një tjetër pyetje ishte edhe ajo për fejesën e Skënder Shehut, djalit të Mehmetit me Silva Turdiun. Ajo tha: “Unë dhe Bashkimi e morën vesh vetëm pak ditë para se të shpallej fejesa. Unë dhe im shoq nuk para përfilleshin shumë në atë shtëpi me që ishim të rinj dhe na quanin të papjekur. Mbaj mend se ditën e fejesës erdhën krushqit me tortë të madhe. Nuk mund ta harroj edhe gjendjen e zymtë që u krijua në shtëpi pas prishjes së fejesës”. Marjeta shpjegoi lirshëm se në shtëpinë e Mehmetit pas prishjes së fejesës kishte rënë zia, gjendja kishte qenë shumë e zymtë, sikur pritej shpërthimi i katastrofës. “Pas kësaj ngjarjeje Mehmeti ra shumë moralisht, pothuajse u tjetërsua, ai u sëmur para Kongresit të 8-të, pësoi një ashemi në zemër, nuk bënte stërvitje me biçikletë. Ai fliste pak e bënte muhabet me të shoqen Fiqretin dhe me djalin e madh Vladimirin. Me mua dhe Bashkimin nuk bisedonte na konsideronte të rinj e të papjekur. Ai na foli një herë shumë keq, se i kishin thënë se unë frekuentoja natën tavernat, por më doli në mbrojtje Fiqreti. Nga Mehmeti kisha frikë, më tepër shkoja nëpër taverna dhe vishesha ekstravagante, apo më vinin shoqëria në shtëpi dhe rrinin deri natën vonë kur nuk ishte Mehmeti në shtëpi”, vijoi ajo.
Thuhet se Marjeta Shehu ishte takuar me një punonjës të një ambasade të huaj. A e pyetët për këtë?
Po. Ky ishte edhe qëllimi i gjithë i marrjes së saj në pyetje. Kur i kërkova të më thoshte nëse kishte takuar të huajt tregoi se në shkollë ishte një profesor francez dhe se me të ishte takuar, pasi mësonte frëngjisht. Kur i thashë për të tjera takime me të huajt, ajo u prish në fytyrë, por nuk e pranoi një gjë të tillë. Më tha se në hotel “Dajti” kishte parë të huaj edhe nga ata të legatave. Dredhoi duke më thënë se kishte shkëmbyer përshëndetje me ta, por nuk ishte takuar. E kuptova se nuk më thoshte të vërtetën, por nuk insistova shumë. Më pas, nusja e djalit të Mehmet Shehut foli lirisht rreth ngjarjeve të zhvilluara. Krahas kësaj vazhdonin pyetjet edhe për të shoqin, që sipas “legjendës” u mbajt i izoluar dhe në gjendje arresti për aq kohë, sa të përfundonte puna me bashkëshorten e tij. Ky dukej tip naiv dhe i parrahur me jetën. Kishte bërë një jetë pa kokëçarje e liberale. Pra, ishte njeri i padjallëzuar. Ai foli për jetën e tij disi “të shthurur” se ashtu i pëlqente. Mbas përfundimit të veprimeve kombinative e liruam nusen e djalit të Mehmet Shehut. Pas kësaj e strehuam në Belsh, në shtëpinë ku ishte vendosur, që nga fundi i dhjetorit të vitit 1981, familja e ish-kryeministrit. Më vonë u lirua edhe bashkëshorti i saj. Gjatë kontrollit të bisedave me anë të aparaturave të vendosura në shtëpinë e tyre, nuk dekonspirohej për veprimet në drejtim të saj. Sipas planit, ata do të vendoseshin diku afër rrugës automobilistike Durrës - Rrogozhinë, për të parë nëse do të interesoheshin zbulimet e huaja e në veçanti zbulimi francez. Konkretisht i vendosën në fshatin Kryevidh, në një apartament. Francezi, i cili u largua shumë shpejt, pasi mori letrën e nuses së djalit të Mehmetit, për gjendjen në shtëpinë e këtij të fundit, erdhi përsëri në Tiranë. Ai qëndroi vetëm disa ditë dhe u largua për të mos ardhur më.
Në përfundim të veprimeve, që i ndiqte R. Kolli, mua dhe kolegu tim E.Z na thirrën në Ministrinë e Brendshme. Më parë, shkuam në Ministrinë e Mbrojtjes në zyrën e Kadriut, aty erdhi Hekuran Isaj dhe R. Kolli. Mbasi raportuam për përfundimin e veprimeve me bashkëshortët Shehu, ata na përgëzuan për punën e mirë që kishim bërë.
Mehmet Shehu ishte shpallur armik. Çfarë u bë për ta mbështetur këtë me fakte nga Sigurimi i Shtetit?
Mehmet Shehu ishte shpallur armik e poliagjent. U bë një propagandë e madhe për t’u mbushur mendjen njerëzve për këtë. Të jem i sinqertë çfarë nuk u tha e çfarë nuk u shpif në drejtim të Mehmet Shehut. Karrieristët, servilët, të paaftët, njerëzit pa ideale u gjallëruan e u aktivizuan për të qëmtuar ndonjë fakt nga jeta e Mehmetit dhe familjes së tij, duke i interpretuar ato sipas oreksit të ustait, apo duke shpifur gjëra të paqena, për të treguar besnikërinë e tyre ndaj udhëheqësit, për të përfituar ndonjë ofiq apo gradë, apo për të mbajtur postet e tyre, megjithëse të paaftë.
Enver Hoxha e cilësoi Mehmetin armik e agjent, në shërbim të zbulimeve të huaja. Filloi puna për të grumbulluar materiale në drejtim të tij, të paqena e të sajuara. K.Q i Partisë, sektori përkatës që kontrollonte organet e Punëve të Brendshme ishin në lëvizje dhe aktivitet të madh në këtë drejtim. Nga dega e pestë, sektori i survejimit u nxorën nga arkivi disa të dhëna që bënin fjalë për takimin e Marjetës, gruas së Bashkim Shehut, me një punonjës të ambasadës franceze në Tiranë, që quhej Zherark. Ishte fiksuar nga survejimi se ajo ishte takuar me këtë person pranë Universitetit të Tiranës, në plazhin e Durrësit e gjetkë. Ky takim ishte bërë para vrasjes së Mehmet Shehut. Këto të dhëna nuk i ishin thënë Mehmetit dhe familjes së tij. Kësaj iu vu etiketa e agjentes. Me etje të madhe, nga arkivi i Ministrisë së Brendshme u nxorën disa materiale që bënin fjalë për takimet e Mehmetit pas çlirimit, me disa misionarë të Anglisë dhe Amerikës që ishin në atë kohë si përfaqësues të atyre vendeve në vendin tonë. Takime këto që ishin ilegale dhe diplomatike. Por qëllimi ishte të përdoreshin këto për qëllime të djallëzuara, për të akuzuar Mehmetin se ai ishte njeriu i tyre. Duke studiuar materialet e survejimit për takimin e Marjetës me nëpunësin e ambasadës franceze, u kërkua që të zbulohej e vërteta. Sigurimi kërkonte ta tërhiqte Marjetën në shërbim të tij, me qëllim dhe argumentimin për ta futur atë në kombinacione e për të parë reagimin e shërbimeve të huaja, sidomos, ato franceze me punonjësin e të cilës ajo kishte marrëdhënie. Kjo gjë iu tha edhe Feçor Shehut e Kadri Hazbiut. Këta ishin dakord në parim, por nuk mund ta urdhëronin një kombinacion të tillë, pasi duhej të bisedohej dhe me aparatin e K.Q të Partisë. U diskutua sesi duhej të veprohej. Plani u miratua nga zëvendësministri M. Ç, që ishte dhe ai prezent kur u diskutua, si dhe nga ministri Feçor Shehu. Sipas planit për të realizuar këtë në prezencë të një punëtori operativ, që merrej me sigurimin e tyre, do të thirreshin një nga një pjesëtarët e familjes së Mehmet Shehut, e do të pyeteshin për ngjarjen e vrasjes së Mehmetit dhe për fejesën e djalit të tij, Skënderit. Në këtë mënyrë, do të takohej Marjeta, të cilës përveç pyetjeve të mësipërme do t’i bëheshin dhe aluzione për takimet e saj me francezin, do të shikoja reagimin e saj dhe mbi këtë bazë do të veprohej më vonë.
Si u bë arrestimi i Fiqret Shehut?
Tri ditë para Vitit të Ri 1982, isha në Belsh së bashku me Gëzim Hilën interesoheshim për përfundimin e ndërtesës ku do të vendosej familja e Mehmetit. Në atë kohë erdhi nga dega e 8-të në Ministrinë e Brendshme, Nazmi Domi që merrej me internim dëbimet në këtë degë. Ai na tha, se familja e Mehmetit me vendim nga lart do të internohet në Belsh. Deri në atë kohë nuk ishte marrë ndonjë masë e tillë. Nazmiu thirri Fiqretin dhe fëmijët e saj dhe në prezencë të kryetarit të Këshillit të Belshit dhe u komunikoi vendimin për internimin e tyre në Belsh. U caktoi zonën se ku mund të lëviznin, zonë mjaft e kufizuar. Internimi i tyre ishte një parathënie për arrestimin e tyre. Nga të afërmit e tyre nuk erdhi asnjeri në Belsh për t’i parë, me përjashtim të babait të Marjetës, që erdhi dy-tri herë me motoçikletë dhe qëndronte shumë pak. Më 5 janar të vitit 1982, u arrestua në Belsh Fiqret Shehu dhe i biri Skënderi. Më ka mbetur në kujtesë ajo ditë. Isha në Belsh së bashku me Gëzim Hilën dhe punëtorin operativ që ishte ngarkuar me ruajtjen e tyre, nuk dinim gjë për arrestimin e tyre, por një gjë të tillë e prisnim.
Për të siguruar pak të ardhura, Marjetën nëpërmjet pushtetit lokal e futëm në punë si shërbyese në spitalin e Belshit. Nga kushtet jo të mira të banimit, pa ngrohje dhe ushqim të pakët, iu sëmur vajza e tyre. Kishte marrë bronkopneumoni. Shkova në ministri dhe ia bëra të ditur këtë gjendje Feçorit, që vazhdonte të ishte ministër, aty ishte dhe Kadri Hazbiu. Propozova që fëmijët e Bashkimit dhe Marjetës t’i merrnin prindërit e kësaj të fundit që jetonin në Durrës. Kjo u bë për t’i ndihmuar ata dhe për vazhdimin e kombinacionit në drejtim të Marjetës.
Pas arrestimit të Fiqretit dhe të Skënderit na thërret në zyrën e tij, Feçor Shehu, që ishte ende ministër, në prezencë edhe të Kadri Hazbiut. Përveç meje ishin në atë zyrë edhe Elham Gjika, Pirro Dautaj, Skënder Myftari. Këtu na u komunikua se ishim ngarkuar me detyrën për hetimin e këtyre dy të arrestuarve. Elham Gjikën dhe Pirro Dautajn i caktuan të merreshin me hetimin e Fiqret Shehut, ndërsa mua dhe Skënder Myftarin, për hetimin e Skënder Shehut. Hetimet filluan me pyetjen rreth fejesës së tij me Silva Turdiun. Skënderi ishte i qetë fliste avash, duke i menduar fjalët që thoshte, fliste qartë duke të krijuar përshtypjen se ai jepte shpjegime të qarta e të drejta, nuk mundohej të dredhonte e të gënjente. Kjo kishte të bënte me karakterin e tij, me edukatën e tij. Me të u sollëm njerëzisht, pa asnjë presion fizik apo psikik. Që në takimin e parë në Belsh, me të krijova përshtypjen se ishte njeri me edukatë, i drejtë dhe thoshte realitetin. Se ai ishte një viktimë e diktatorit të pashpirt si të tjerët. Në përgjigje të pyetjes sonë për fejesën e tij, dha gati ato shpjegime që kishte dhënë dhe në Belsh të Elbasanit. Nga të dhënat e grumbulluara në rrugë operative, nga shpjegimet që dhanë punonjësit që shërbenin në shtëpinë e Mehmetit, si dhe të shokëve të tij me të cilët kishte punuar, rezultonte se Skënderi ishte një djalë serioz, studiues dhe me moral të lartë. Kur ishte student në universitet ishte një nga studentët më të mirë, jo vetëm në mësime, por edhe në sjellje. Mehmeti kishte shumë debulesë për këtë djalë, ndoshta se i ngjante shumë në fizionomi e karakter.
A bëri Mehmeti vetëvrasje apo e vranë?
Duke u nisur nga disa fakte, më ka lindur gjithmonë dyshimi në vetëvrasjen e tij. Shpesh mendoj se përse nuk kishte gjak mbi kufomën e tij dhe vendin e vrasjes, krevat apo dysheme? Kam shkuar në vend në dy vetëvrasje, njëra prej tyre në vetëvrasjen e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Korçës, Zenun Shahollari, por aty vendi ishte mbytur në gjak. Në një bisedë me A.Ç, kur ishim në burg së bashku, ish-shoqëruesi i Mehmetit që shkoi i pari në dhomën ku u gjet Mehmeti i vdekur më ka thënë se: “kur hyra në dhomën e Mehmetit dhe pashë kufomën e tij, ai nuk kishte gjak në gjoks, por kishte vetëm një njollë të zezë”. Shpesh kërkoj përgjigjen e pyetjes; përse nuk u bë autopsia e kufomës, kur për ngjarje të tilla ligji përcaktonte se në rast vetëvrasjeje, vrasjeje, apo mbytjeje e të tjera ishte e domosdoshme të bëhej autopsia? Përse ish-ministri i Shëndetësisë që bënte pjesë në grupin e ekspertëve tha se nuk është vetëvrasje dhe megjithëse e tërhoqi më vonë këtë shprehje, nga presioni, nuk i shpëtoi vdekjes. Nuk mund ta linte gjallë E. Hoxha një dëshmitar të tillë.



______________________________________________________________
www.artcafe-albania.com