Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, dhjetor 25, 2005

Intervista/Flet Kristofor Martiro, ish-oficeri madhor i Sigurimit të Shtetit

“Feçori, përgjegjës i grupit hetimor”
Si hetoheshin të ashtuquajturat grupe armiqësore dhe cilat ishin kushtet e ruajtjes së tyre

Luan Kondi

Kristofor Martiro, ish-kryetari i degës së veçantë të Sigurimit të Shtetit, hetuesi i Beqir Ballukut i akuzuar si kreu i të ashtuquajturit “grup ushtarak puçist”, Kiço Ngjelës dhe Vasil Katit, që akuzoheshin si pjesëtarët e të ashtuquajturit “grup armiqësor në ekonomi dhe organizimin shtetëror”, në vijim të intervistës së tij për “Tirana Observer”, tregon disa hollësi të procesit hetimor. 78-vjeçari zbardh disa nga momentet më të diskutueshme të hetimit dhe po ashtu tregon sesi i mbanin lidhjet hetuesit me përgjegjësin e hetimit, Feçor Shehun, dhe raportet e tyre për ministrin Kadri Hazbiu. Më tej, ai ndalet në situatën e krijuar pas vdekjes së Mehmet Shehut, më 17 dhjetor të vitit 1981. Cilat ishin disa nga kombinacionet e Sigurimit të Shtetit në drejtim të familjes Shehu.
A mundej një hetues të merrte pjesë edhe në procesin e hetimit të të pandehurve të tjerë të “grupit të ushtarakëve”?
E theksoj dhe e ritheksoj, se në hetimin e Beqir Ballukut, ku unë isha hetues i tij, nuk ka ardhur asnjëherë, asnjë hetues i të pandehurve të tjerë, të Petrit Dumes, Hito Çakos apo Rrahman Parllakut. Nuk ka ardhur asnjëherë gjatë hetimit përgjegjësi i grupit Feçor Shehu. Ka ndodhur që në këtë proces hetimor të vinte Kadri Hazbiu, ministër i Brendshëm. E theksoj edhe një herë se përgjegjës i grupit të hetimit për të ashtuquajturit grup i ushtarakëve dhe atë të ekonomisë, gjatë gjithë kohës së hetimit të tyre ka qenë Feçor Shehu dhe askush tjetër. Ata që pretendojnë se kanë qenë përgjegjës të grupit hetimor, se kanë shkuar në të gjithë të pandehurit gjatë procesit hetimor, se dëgjonin të gjitha hetimet e bëra gjatë ditës apo seancat e hetimit, se bënin konkluzionet e hetimit dhe jepnin udhëzime për hetimin e mëtejshëm, se kishin të drejtë të asistonin gjatë hetimit që bënte hetuesi përkatës, të ndërhynin e të bënin pyetje apo të kërkonin sqarime nga të pandehurit, them sinqerisht, se këto janë tërësisht gënjeshtra. Në ndonjë deklarim të papërgjegjshëm se “në hetimin e Beqir Ballukut para se të fillonin seancat e pyetjeve apo gjatë seancës, unë mundohesha të çtensionoja situatën e rëndë që krijohej.... në radhë të parë përdorja humorin. I pyesja të pandehurit sesi u trajtojnë? Si e keni shëndetin?.....” e të tjera përralla si këto, deklaroj se nuk janë aspak të vërteta, se të gjitha këto janë trillime, nuk kanë asgjë të përbashkët me realitetin, janë vetëm gënjeshtra. E theksoj se as unë nuk kam shkuar në asnjë rast në hetimin e të pandehurve të tjerë, qoftë të atyre ushtarakë, ashtu edhe për të ashtuquajturin grup armiqësor në ekonomi, megjithëse kisha në hetim Beqir Ballukun që akuzohej si drejtues i të ashtuquajtur grup armiqësor i ushtarakëve. Dhomat ku ishin vendosur të pandehurit, ishin të mëdha dhe kishin nga një dritare të vogël, dritare burgu nga e cila nuk mund të shikonte asgjë i pandehuri, jo vetëm se ishin shumë të vogla, por ishin në një lartësi mbi 2,5 metra, e duheshin shkallë që të arrije tek ato. Dritaret e këtyre dhomave nuk binin mbi oborrin e hyrjes në Burgun 313, por në të kundërt, binin në anën e pajtosit, vendin ku dilnin për ajrim të burgosurit, që ishin dënuar dhe qëndronin në kaushin e burgut, apo të pandehur që ishin në procesin hetimor.
Ndërtesa dykatëshe, që ishte përballë oborrit në hyrje të burgut, përdorej për hetime të tjera. Aty ishte dhe një dhomë që përdorej për pushimi nga hetuesit. Dritaret e kësaj ndërtese ishin më të mëdha dhe binin mbi oborrin e burgut. E theksoj se ne hetuesit e “grupit të ushtarakëve” dhe atij të “ekonomisë” merrnim takim vetëm me kryetarin e grupit, Feçor Shehun, dhe ministrin Kadri Hazbiu që drejtonte hetimet. Këta kontaktonin edhe me udhëheqësit e lartë të partisë. Askush tjetër nga ne nuk mund ta bënte një gjë të tillë, vetëm me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë, e përsëri, kjo me porosi të Kadri Hazbiut. Kushdo që pretendon se ka qenë përgjegjës i grupit të hetimit të “ushtarakëve” dhe atyre në “ekonomi” apo se dhe ai merrte kontakte me Hysni Kapon a Ramiz Alinë mashtron ditën me diell. Dua të them se nga ne hetuesit, vetëm Kapllan Sako ka takuar së bashku me Feçorin, Mehmetin në Durrës, të cilit i kanë raportuar për ecurinë e procesit hetimor. Është shumë e çuditshme, kur ndonjëri që pretendon se ka qenë përgjegjës i grupit të hetimit të ushtarakëve: Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos, e Rrahman Parllakut shkruan se: “Të pandehurit më pyesnin mua për familjet e tyre. Në shumë raste më pyesnin për Enver Hoxhën” apo dhe të tjera se a është mirë komandanti? Ku komandanti vë këmbën në vëmë kokën. Ata ishin shumë të politizuar dhe të përkushtuar. Mendonin për partinë dhe Enver Hoxhën”. “Këtë të vërtetë e di mirë, thotë i ashtuquajtur përgjegjës i grupit, se këto pyetje m’i drejtonin mua në dhomën e hetimit, ku kisha një rrjet të sofistikuar përgjuesish”. Sqaroj se të gjitha këto janë trillime të një fantazie të sëmurë nga dëliri i madhështisë.
A është incizuar procesi i të ashtuquajturit “grupi i ushtarakëve”?
Përveç incizimit të hetimeve me Beqir Ballukun, incizim që bëhej pa e ditur Beqiri, asnjë incizim nuk është bërë për të pandehurit e tjerë. Në dhomat ku qëndronin këta të pandehur, nuk ishte asnjë aparat incizimi. Të gjitha çfarë janë thënë, janë vetëm trillime. Në qoftë se këto janë bërë me hetimet e Fiqret Shehut dhe Kadri Hazbiut, dhe i referohen grupeve të ushtarakëve është tjetër punë.
Ka pasur ndonjë takim të Petrit Dumes me familjarët e tij?
Po. Në dhomën e takimeve Petrit Dume është shoqëruar nga hetuesit Kapllan Sako dhe Rustem Hodo. Ai takoi vajzën e tij, pasi ishte shumë i tronditur dhe gjykonte se i kishin pushkatuar fëmijët. Ky veprim u bë me porosinë direkte të Kadri Hazbiut. Petriti e pa vajzën dhe u qetësua.
Përfunduan hetimet me ushtarakët e akuzuar për puç. Çfarë detyre kryet më pas?
Pas përfundimit të hetimeve me grupin e ushtarakëve, filluam hetimet me të ashtuquajturin grup armiqësor në “ekonomi dhe organizimin shtetëror”. Në këtë grup, hetues i Abdyl Këllezit ishte Pirro Dautaj, i Koço Theodhosit, Elham Gjika dhe për Kiço Ngjelën e Vasil Katin, unë. Rustem Hodo ishte i sëmurë. Edhe për këtë grup përgjegjës ishte Feçor Shehu. Pas përfundimit të hetimit edhe të këtij grupi, në prill të 1977-ës, grupi hetimor dhe ai operativ u shpërndanë. Elham Gjika u emërua drejtor i Drejtorisë së Hetimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, unë u emërova kryetar i degës së veçantë dhe Pirro Dautaj shkoi në Prokurorinë e Përgjithshme. Të gjitha materialet e këtyre grupeve u ezauruan nga ne punonjësit e ministrisë.
Si e kujtoni hetuesinë e Beqir Ballukut?
Hetuesia me të ishte krejt normale e pasforcuar dhe asnjëherë nuk kam kryer hetuesi natën me të pandehurin Beqir Balluku. Zakonisht, hetuesia bëhej paradite dhe mund të vazhdonte jo më shumë se 5-6 orë. Veç hetuesisë me të pandehurit, bëhej edhe bisedë e lirë, madje edhe ndonjë shaka. Beqir Balluku asnjëherë nuk ka qenë njeri i shpërfytyruar, i rënë moralisht, i tronditur. Ai ishte një babaxhan, i çiltër dhe me të kam bërë edhe shaka. Por, këtë e kam bërë vetëm unë me të dhe askush nga hetuesit e tjerë. Më kujtohet se shumë kemi folur për periudhën e luftës, kohë kur ai kishte qenë përgjegjës i njësitit gueril të Tiranës. Më tregonte për organizimin e aksionit të daljes nga burgu të burgosurve nëpërmjet kanalit të nëndheshëm, për vrasjen e Vojo Kushit e aksione të tjera. Kurrë Beqiri nuk u mundua të fajësonte njeri, të shprehte mllef apo dhe të hakmerrej.
Ju keni qenë në detyrën e kreut të degës së veçantë të Sigurimit të Shtetit edhe kur ndodhi ngjarja e shumëdiskutuar e vitit 1981, vdekja e kryeministrit Mehmet Shehu. Çfarë do të thoshit rreth kësaj?
Më 17 dhjetor të 1971-it, kohë në të cilën ndodhi ngjarja me Mehmet Shehun, ndodhesha në Vlorë, aty e mora vesh se ç’kishte ndodhur. U nisa të nesërmen për Tiranë dhe u paraqita në ministri. Drejtori i sigurimit, Kadri Gojashi, më tha se të kërkon ministri, që në atë kohë ishte Feçor Shehu. Hyra në zyrën e ministrit, aty ishte ministri Feçor Shehu dhe Kadri Hazbiu që në atë kohë ishte ministër i Mbrojtjes, dukeshin të lodhur e të prerë në fytyrë. Pasi më vunë në dijeni për ngjarjen, më thanë se me porosi të aparatit të KQ-së të partisë, familja e Mehmet Shehut do të largohej atë ditë nga banesa në Bllok dhe do të vendosej në vilën e partisë nr. 3 në Rrugën e Elbasanit. Merrni masa së bashku me Drejtorinë e Tiranës për sigurimin e tyre. Morëm të gjitha masat për sigurimin e tyre. Pasdite aty erdhi dhe u vendos Fiqret Shehu, djemtë Ladi dhe Bashkimi së bashku me gratë e fëmijët, pritej të vinte dhe Skënderi nga Suedia, ishte njoftuar se kishte prindërit sëmurë, e shoqëronte Gani Kodra. Kur isha në zyrën e ministrit, Feçor Shehu ishte i shqetësuar për mbërritjen e Skënderit, disa herë mori në telefon ambasadën në Suedi dhe Greqi, si dhe postbllokun në Kapshticë për të mësuar se ku ishte Skënderi, nëse kishte mbërritur në Kapshticë. Në darkë erdhi dhe Skënderi i shoqëruar nga Gani Kodra dhe u vendos në këtë vilë. Gruaja e Vladimir Shehut, Fatbardha ishte shtatzënë dhe në këtë darkë u shtrua në maternitet ku lindi dhe vajzë. Në të njëjtën shtëpi, një lindje dhe një vdekje, por kjo lindje nuk solli ndonjë gëzim, se hidhërimi dhe gjëma në këtë shtëpi, në këtë familje ishte mbuluar me petkun e zisë, me një tragjedi të madhe. Të nesërmen, më datë 19.12.1981 më thërret Feçori në zyrën e tij, ku ishte prezent dhe Kadri Hazbiu, i cili ishte ngarkuar nga udhëheqja e partisë për të ndihmuar organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në këtë situatë. Por, koha tregoi se dërgimi i Kadriut këtu ishte me qëllime të tjera nga udhëheqësi i partisë. Në zyrën e Feçorit ishte dhe kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Të Elbasanit, Gëzim Hila dhe askush tjetër.
Si u veprua me familjen e Mehmet Shehut?
Pas ngjarjes së Mehmet Shehut, më 17 dhjetor të vitit 1981, me urdhër të Feçor Shehut që në atë kohë ishte ministër i Punëve të Brendshme, ku prezent ishte dhe Kadri Hazbiu caktohem të merresha me familjen e Mehmet Shehut. Askush në këtë periudhë nga grupi hetimor i ushtarakëve apo atij në ekonomi nuk u angazhua. Gjatë dhjetorit 1981, u mora me këtë familje në Tiranë dhe në Belsh të Elbasanit ku u vendos kjo familje. Gjatë kësaj periudhe, unë mbaja lidhje dhe raportoja për masat e marra sipas planit dhe detyrave të dhëna vetëm Feçor Shehut dhe Kadri Hazbiut që në çdo rast ishte prezent në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Asnjë kuadër tjetër, anëtar i Byrosë Politike nuk qenë në këtë periudhë në ministri, në zyrën e ministrit. Asnjë nga ish-hetuesit nuk u aktivizua. Në janar të vitit 1982, u arrestua Fiqret Shehu dhe djali i saj, Skënder Shehu. Për hetimin e këtyre në këtë kohë u ngarkuan Elham Gjika dhe Pirro Dautaj për Fiqret Shehun, dhe unë e Skënder Myftari për Skënder Shehun, djalin e ish-kryeministrit. Në këtë periudhë, përderisa ishte ministër Feçor Shehu i raportohej atij gjithçka për hetimin e tyre.
Sipas vendimit të aparatit të KQ të PPSH-së, direkt të Ramiz Alisë, familja e Mehmet Shehut duhet të largohej nga Tirana brenda ditës. Na thanë se me përjashtim të djalit të madh të Mehmetit, Vladimirit, i cili me porosi të Enver Hoxhës, duhej të diferencohej dhe të qëndronte në Tiranë, pjesëtarët e tjerë të familjes do të vendoseshin në Belsh të Elbasanit. Nga aparati i KQ të PPSH-së ishte njoftuar Komiteti Ekzekutiv dhe ai i partisë së Rrethit në Elbasan dhe shtëpia ishte gjetur prej këtyre të fundit në qendër të Belshit. Më dhanë udhëzime për shoqërimin e tyre, për itinerarin e lëvizjes dhe për masat e sigurimit që duheshin marrë. Sipas porosisë duhej të krijohej një postë policie, të vendosej skuadra e survejimit të Elbasanit dhe do të emërohej një punëtor operativ vetëm për sigurinë e tyre. Familja e Mehmet Shehut, Fiqreti, dy djemtë Skënderi e Bashkimi dhe bashkëshortja e këtij të fundit bashkë me fëmijët u vendosën në një apartament të një pallati në Belsh. Hapësira e banimit ishte një dhomë dhe një kuzhinë. Ndërtesa ishte bosh, pa asnjë orendi brenda. Familjarët nuk kishin asnjë shtresë apo mbulesë dhe madje mungonin edhe krevatet, të cilët i morëm nga spitali i Belshit. Morëm prej andej edhe batanije dhe dyshekë. Familja Shehu kishte vetëm disa sende personale, një televizor të vogël dhje një magnetofon po të tillë. Ata nuk kishin asnjë enë për të gatuar apo dhe për të mbushur ujë. Familjarët hanin bukë në restorantin e Belshit nën vëzhgimin e syve kureshtarë të banorëve apo dhe vëzhgimin e vëzhguesve. Fiqreti kishte me vete vetëm 70 mijë lekë, të cilat i mbante në një çantë që e merrte me vete ngado shkonte. Rreth 30 mijë lekë të vjetra i kishte paguar për disa mungesa në shtëpinë e pritjes.

Jetëshkrimi

Kristofor Ilia Martiro u lind në Lashovë, të Leskovikut, në vitin 1927. Në vitin 1940, familja e tij vendoset në Tiranë dhe Kristoforit i duhet të punojë për t´u ushqyer. Në moshën 16-vjeçare, Martiro mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Një vit më vonë, ai do të ishte dhe anëtar i Partisë Komuniste shqiptare. Pas çlirimit ka marrë pjesë në luftën kundër bandave në Veri të Shqipërisë. Mbaroi shkollën dyvjeçare të partisë, e pas kësaj u emërua pedagog në Shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku shërbeu deri në vitin 1967. Ka mbaruar Fakultetin Juridik në Universitetin me rezultate të shkëlqyera. Nga viti 1967 deri në vitin 1982 punoi në organet e Sigurimit të Shtetit në detyra të ndryshme si: nënkryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Korçë, kryetar dege në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Gjatë viteve 1975-1978, u komandua në përbërje të grupit hetimor të “puçistëve në ushtri”, ku do të hetonte Beqir Ballukun dhe “sabotatorët në ekonomi e organizimin shtetëror”, ku hetoi Kiço Ngjelën dhe Vasil Katin. Në vitin 1982, pikërisht më 13 prill, arrestohet e dënohet me 15 vjet heqje lirie, dhe deri në vitin 1989 e vuajti dënimin në Burgun e Sarandës.



______________________________________________________________
www.artcafe-albania.com