Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, dhjetor 25, 2005

Intervista/Flet Kristofor Martiro, ish-kryetari i degës së veçantë të Sigurimit të Shtetit

“Jeta e Familjes Shehu, në Belsh”
Ç’porosiste Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë për Fiqret Shehun dhe djemtë e saj

Luan Kondi



Kristofor Martiro, 78 vjeçari nga Tirana ka punuar më shumë se katër vjet në drejtimin e njërit prej sektorëve më të rëndësishëm të Ministrisë së Brendshme, degës së veçantë të Sigurimit të Shtetit. Në dy intervistat e para ekskluzive për gazetën “Tirana Observer”, ai sqaroi me detaje disa nga gjërat më të rëndësishme të procesit të hetimit të të ashtuquajturit “grup armiqësor në ushtri”, ku akuzoheshin si pjesëtarë ish-ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako dhe Rrahman Parllaku. Edhe njëherë, ai konfirmoi se nuk ka pasur grup armiqësor në ushtri dhe për më tepër saktësoi se përgjegjës i grupit të hetimit ka qenë Feçor Shehu dhe askush tjetër. Po ashtu hodhi poshtë pretendimet se hetuesit shkonin në hetimet e të pandehurve të tjerë apo dhe bënin shaka me ta. Më pas, ai tregoi edhe situatën që u krijua pas vdekjes së Mehmet Shehut, dramën e familjes Shehu dhe largimin gjithçka që kishte të bënte me largimin e tyre nga Tirana dhe vendosjen në Belsh të Elbasanit. Sot në vijim të intervistës Martiro shpjegon se duke mos dashur të lërë vend për ndonjë keqinterpretim, hedh një vështrim retrospektiv mbi disa veprime të Sigurimit të Shtetit mbi familjen e ish-kryeministrit apo dhe pyetjen e tyre, të cilën e ka bërë vetë. Ja se si shprehet Kristofor Martiro për ngjarjet e funddhjetorit të vitit 1981.
A ishte menduar për kushtet e jetesës së familjes Shehu?
Për të përballuar disi jetesën, me interesimin tonë Skënderi dhe Bashkimi u sistemuan me punë në SMT, që ishte afër qendrës së Belshit. Të gjithë këtë skenë, si unë ashtu dhe Gëzimi e përjetuam me brengë në zemër. Gjatë muajit dhjetor 1981 deri në vitin e ri, shumicën e kohës e kalova në Belsh dhe Elbasan, së bashku edhe me Gëzim Hilën. Shkoja në ministri herë pas here dhe raportoja për masat e marra për sigurimin e tyre, merrja udhëzime dhe kthehesha prapë aty në Belsh. Sa herë shkoja në ministri për të raportuar gjeja vetëm Feçor Shehun e Kadri Hazbiun.
Mehmet Shehu ishte cilësuar armik. Si po veprohej pas kësaj?
Enver Hoxha e cilësoi Mehmetin armik e agjent në shërbim të zbulimeve të huaja. Filloi puna për të grumbulluar materiale në drejtim të tij e të familjes, materiale të qena e të paqena, pra të sajuara. KQ i PPSh-së, sektori përkatës që kontrollonte organet e Punëve të Brendshme, me në krye Ramiz Alinë, që atëherë ishte sekretar i KQ të PPSH-së, dhe në këtë kohë mbulonte dhe organet e Punëve të Brendshme, ishte në lëvizje dhe aktivitet të madh në këtë drejtim.
Më konkretisht, cili ishte plani që do të zbatohej për ndonjë kombinacion?
Nga dega e pestë e Ministrisë së Brendshme, sektori i survejimit, u nxorën disa të dhëna që bënin fjalë për takimin e Marjetës, gruas së Bashkimit (djalit të Mehmetit), me një punonjës të ambasadës franceze në Tiranë. Ishte fiksuar nga survejimi, se ajo ishte takuar me këtë person në territorin pranë Universitetit të Tiranës, në plazhin e Durrësit e gjetkë, takime këto që ishin bërë përpara ngjarjes së Mehmetit. Për këto të dhëna nuk i ishte thënë asgjë Mehmetit dhe familjes së tij. Kësaj, Marjetës, iu vu etiketa e agjentes. Duke studiuar materialet e survejimit për takimet e Marjetës me punonjësin e ambasadës franceze më lindi ideja që për të zbuluar të vërtetën, por edhe për të shpëtuar nga arrestimi Marjetën dhe të shoqin Bashkimin. Pra, duhet të punonim me Marjetën, të na sqaronte për lidhjet e saj me francezin, qëllimet e kësaj lidhjeje dhe mundësinë për ta futur atë në kombinacione, për të parë reagimin e zbulimeve të huaja, sidomos atij francez. Këtë mendim ia thashë ministrit Feçor Shehu kur ishte prezent edhe Kadri Hazbiu. Diskutuam për këtë propozim, ata në parim ishin dakord, por duhej të bisedohej edhe me KQ të partisë. Më vonë më thanë se dhe ata të KQ-së ishin dakord. Diskutuam se si duhet të veprohej, u bë plani i veprimit, plan që u miratua nga zëvendësministri Mehmet Çaka, i cili ndodhej edhe kur u diskutua ky problem. Sipas planit, për të legjenduar takimin me Marjetën, unë në prezencë të punëtorit operativ që merrej me sigurimin e tyre, do të thërrisja një e nga një pjesëtarët e familjes së Mehmetit dhe do t’i pyesja për ngjarjen e vetëvrasjes së Mehmetit dhe për fejesën e djalit të tij, Skënderit.
Në këtë mënyrë, do të takoja dhe Marjetën, të cilës përveç pyetjes së më sipërme, do t’i bëja dhe aluzione për takimet e saj me francezin, do të shikoja reagimin e saj dhe mbi këtë bazë do të veprohej më vonë.
Kur dhe si u bë veprimi?
Veprimi në fjalë u bë nga fundi i muajit dhjetor. Në një nga zyrat e këshillit, thirra Fiqretin në prezencë të punëtorit operativ, i cili nuk e dinte qëllimin e këtij veprimi. E pyeta Fiqretin për rrethanat e vetëvrasjes së Mehmetit. Fiqreti tha: “Mbrëmjen e datës 17 dhjetor, Mehmeti erdhi në shtëpi. Dukej i mërzitur. Më foli shkurt për mbledhjen e Byrosë. Nuk hëngri darkë dhe tha se do të shkonte lart në studio e do të përgatitej për mbledhjen e Byrosë që do të mblidhej prapë të nesërmen. I thashë që të flinte se të nesërmen kishte kohë për t’u përgatitur, por ai nuk deshi. Shkoi lart në studio, që ishte ngjitur me dhomën e fjetjes. Kur shkova për të fjetur në dhomën time, që ishte ngjitur me dhomën e Mehmetit rreth orës 23:30, pashë që në dhomën e tij kishte dritë. U ngrita në mëngjes rreth orës 07.00, por Mehmeti nuk ishte ngritur ende. Kur vajti ora 08:30 dhe pashë se Mehmeti nuk po ngrihej, hyra në dhomën e tij për ta zgjuar dhe aty pashë se ai kishte vrarë veten, ishte me mua dhe djali i madh, Vladimiri. Thirra doktorin dhe Ali Çenon. Mehmeti, kishte lënë dhe një letër për Enverin, të cilën e mori Kadriu kur erdhi për këtë ngjarje në mëngjes. Kadriu me nervozizëm tha “çfarë bëri ky kështu, Byroja kishte vendosur t’i jepte vetëm një vërejtje”.
Për çfarë tjetër e pyetët Fiqret Shehun?
E pyeta për fejesën e djalit, Skënderit. Në përgjigjen e saj ajo tha: “Punën e fejesës së djalit, Skënderit, e morëm vesh në muajin korrik të atij viti, kur ishim me Mehmetin në plazhin e Durrësit. Djali, Skënderi, i tha të atit se njihte një vajzën e do të fejohej me të. Mehmeti e pyeti se kush ishte ajo vajzë, e bija e kujt. Skënderi i tha se e kujt ishte dhe se i kishte dhe dajallarë të arratisur. Mehmeti i tha se duhet të pyesnin. Skënderi më tha dhe mua, dhe unë i thashë se vajza kishte një dajë të arratisur, Arshi Pipën, dhe duhej pyetur për të. Mehmeti thirri Feçor Shehun. Menjëherë i tha sesi ishte puna dhe i kërkoi që të pyeste për këtë çështje. Fiçori e miratoi. Më vonë Fiçori i solli të dhëna për familjen e Turdive. Feçori i tha se Silva, si vajzë ishte shumë e mirë. Ajo ishte studente në Universitetin e Tiranës. Njëkohësisht ishte edhe volejbolliste në klubin “Dinamo”. I ati i saj ishte njeri i njohur, pedagog në universitet dhe i nderuar me Çmimin e Republikës. Kishte dajallarë të arratisur dhe dy vëllezërit e babait të larguar me kohë jashtë vendit, por pa aktivitet kundër vendit tonë. Kur Mehmeti i tha sesi të bënte, ta jepte pëlqimin apo jo për fejesën, Feçori i tha: Pyet partinë më mirë.
Mehmeti u nxitua dhe dha pëlqimin e fejesës. Ceremonia u bë në fillim të shtatorit në shtëpinë e re. Erdhën për vizitë dhe urim Enveri, Nexhmija dhe fëmijët e tyre. Ka qenë prezent edhe im bir Skënderi dhe Silva. Kemi dalë së bashku në fotografi. Pas 3-4 ditësh e thirri Enveri Mehmetin dhe i tha se ishte bërë gabim kjo fejesë. Ai i kishte thënë se ishte zbutur lufta e klasave, ishte shkelur vija e partisë prandaj duhej të prishej fejesa. Skënderi dhe Silva ishin në Greqi. Silva kishte shkuar me skuadrën e Dinamos për një ndeshje volejbolli, kurse Skënderi nga Greqia do të shkonte në Suedi. U thirrën të dy të ktheheshin në Shqipëri. Mehmeti i shqetësuar i tha Skënderit se kemi bërë gabim për fejesën, prandaj ajo duhej të prishej dhe ajo u prish. Mehmeti, tha ajo, kishte shumë debulesë për Skënderin, ai ishte shumë i shqetësuar, kishte frikë se mos pësonte ndonjë gjë Skënderi, se ishte i sëmurë dhe prishja e fejesës e kishte tronditur shumë. Ai nuk deshi të kthehej në Suedi për studime. Atë e thirri edhe Enveri, e këshilloi dhe i tha fjalë të ngrohta që të mos shqetësohej. Kështu u veprua, u bë një gabim nga ne.
A e kuptoi Fiqreti se ç’po ndodhte me familjen e saj?
Jo. Madje ajo, gjatë këtij takimi, më tha se në shtëpinë që kishin banuar në Bllok në Tiranë kishte disa plaçka, orendi dhe sende, veshmbathje, të cilat nuk kishin pasur mundësi t’i merrnin se kishin ikur shpejt nga banesa. Mu lut që t’ia sillja këto sende se ishin personale të saj. Në të vërtetë këto sende ishin, i kishte futur në sënduk. Atje ishin kryesisht veshmbathje, dhe copa të reja stofi të paprera. I kisha parë, por Hekuran Isaj nuk deshi që t’u jepeshin. Fiqreti më tha se aty ku ishin sistemuar ishin shumë ngushtë dhe kërkoi të vendoseshin në një banesë tjetër me dy dhoma e kuzhinë. Në fakt, ishte planifikuar që me të mbaruar një apartament në qendër të Belshit, të sistemoheshin aty dhe kjo banesë të pajisej edhe me mjetet e përgjimit, dhe unë i thashë se kur të mbarojë ky apartament do të sistemoheni aty. Në fakt, ishte caktuar nga pushteti lokal një hyrje dy dhoma e një kuzhinë për ta, por që nuk hynë, pasi u arrestua Fiqreti dhe Skënderi.
A i pyetët pjesëtarët e tjerë të familjes Shehu?
Pas Fiqretit thirra Skënderin, por nuk ia dhashë mundësinë që të takohej me të ëmën, me qëllim që të mos koordinonin thëniet e tyre. Skënderi nuk dinte asgjë për vrasjen e Mehmetit, tha ato që kishte mësuar nga e ëma, po ato gjëra që tha dhe Fiqreti. Për fejesën me Silvën, ai tha se duke shkuar me shokë në ndeshjet e skuadrës së Dinamos, i kishte pëlqyer Silva. “Dhe fëmijët e Hysniut dhe fëmijët e Enverit e lavdëruan atë. Një ditë e kapa vetë dhe bisedova me të më qëllim për t’u fejuar, por ajo nuk deshi fillimisht, më tha se kishte njerëz të afërt të arratisur dhe se unë isha djalë i kryeministrit. Unë iu vardisa insistova, i thashë edhe Kreshnik Tartarit që ishte trajner i skuadrës së Dinamos, dhe ai më tha se si vajzë është shumë e mirë, por ka të afërt të arratisur. Por, unë ngula këmbë, e kam takuar Silvën disa herë në rrugë, ajo më ka refuzuar për ca kohë, por pas këmbënguljes sime ajo pranoi. Në muajin korrik apo gusht të vitit 1981, kur ishim në plazhin e Durrësit, i thashë Fiqretit për këtë vajzë dhe ajo e njihte të ëmën e saj, pasi kishin qenë në një shkollë, por më tha të pyesja babanë për këtë punë. I thashë babait (Mehmetit) për këtë vajzë se kisha për qëllim të fejohesha me të, por i thashë se ka dhe njerëz të arratisur nga të afërmit e familjes së saj. Mehmeti u gëzua shumë që unë vendosa të fejohesha, por më tha që të pyeste Feçorin për familjen e saj dhe pyeti atë. Feçori i tha, se si familje janë njerëz të mirë dhe vajza është e mirë, por kanë njerëz të arratisur. -Si të bëj? - i tha babai Feçorit, ky i tha që të pyeste partinë. Mehmeti më thirri pas tri-katër ditëve dhe me dha aprovimin për t’u fejuar me të. U la që shpallja e fejesës të bëhej kur të hynim në shtëpinë e re që po bëhej apo të zgjerohej shtëpia e vjetër, dhe kështu u bë. Shpjegoi për ceremoninë e fejesës, tha se për urime erdhi Enver Hoxha, Nexhmija me gjithë fëmijët, dolëm në fotografi të gjithë së bashku ku ishte dhe Silva”. Skënderi fliste ngadalë e saktë. Ishte djalë shumë korrekt.
Po Skënderi e kuptoi kombinacionin që po bëhej?
Jo. Në fakt, gjithçka po shkonte sipas planit. E pyeta Skënderin edhe për prishjen e fejesës. Ai më tha: “Tri-katër ditë pas fejesës, skuadra e Dinamos (femra)ku ishte dhe Silva do të shkonte për në Greqi për një ndeshje. Ata u nisën, u nisa dhe unë me Gani Kodrën për në Suedi, duke kaluar nga Greqia. Kur ishim në Greqi, ku qëndruam një apo dy ditë, më erdhi lajmi që të kthehesha në Tiranë me gjithë Silvën. Ndjeva diçka jo të mirë. Kur erdhëm, Silva shkoi në shtëpinë e saj dhe unë në shtëpinë time. Më priti mamaja, ajo ishte shumë e mërzitur, i thashë çfarë ka ndodhur, më tha bisedo me babanë. I mërzitur dhe me keqardhje më tha se kishim bërë gabim me fejesën, se ajo duhet të prishet, se e kishte thirrur Enver Hoxha dhe i kishte thënë se është bërë një fejesë e deklasuar, se ishte zbutje e luftës së klasës, se prekej vija e partisë etj. Unë i thashë se unë ju pyeta ju dhe ju më dhatë pëlqimin, - po, më tha, por u nxituam. Unë u mërzita shumë, i thashë se nuk kthehem në Suedi. Babai më mbante afër, më këshilloi dhe kishte frikë mos më ndodhte ndonjë gjë, ai kishte shumë debulesë për mua, duke e ditur se isha i sëmurë dhe isha kuruar për impotencë”.
Kishte ndonjë gjë interesante në dëshminë e tij?
Po. Skënderi tregoi edhe për bisedën që kishte bërë më Enver Hoxhën, pasi ky i fundit e kishte thirrur për ta takuar. “Enver Hoxha, më priti mirë, më këshilloi duke më thënë se u bë një gabim, por ai u korrigjua, ti duhet ta kalosh atë dhe të kthehesh në Suedi për studime. Më tha fjalë të mira e të ngrohta.
Si e tregoi prishjen e fejesës?
Në një mënyrë tepër të dhimbshme. Ai tha se: “për prishjen e fejesës biseduam me babanë që Silva të shkojë në shtëpinë e Ali Cenos dhe atje t’ia thosha dhe kështu u veprua. Silva u mërzit shumë dhe qau. Më tha se nuk ma kishte mbajtur asgjë të fshehtë, por m’i kishte thënë të gjitha. Madje, u shpreh se më kishte paralajmëruar, por unë i kisha thënë se edhe babai ishte dakord. Pas kësaj, unë u nisa për në Suedi mjaft i mërzitur me Gani Kodrën. Babai u bë shumë merak për mua dhe përditë më merrte në telefon. Më dërgoi dhe letra, në një letër më shkruante se për fejesën ishte bërë gabim nga ai, se ishte shpejtuar dhe me jepte këshilla për ta kaluar këtë shqetësim e hidhërim. Babai nuk më la të kuptoja në bisedat e tij telefonike ose në letrat se mund të kryente një akt të tillë. Unë nuk dija gjë për vdekjen e babait, më thanë se ke një të sëmurë në shtëpi dhe se duhej të nisesha për në Tiranë. U nisëm urgjentisht me Ganiun për në Shqipëri, kur erdha këtu, dhe u vendosa në vilën nr. 3 mësova se çfarë kishte ndodhur.
Kush e kishte radhën pas tij për t’iu përgjigjur pyetjeve?
Pas Skënderit thirra në zyrë për ta pyetur Marjetën, të shoqen e Bashkim Shehut. Marjeta ishte bijë e një shoferi që banonte në Durrës, të cilin e quanin Lefter me origjinë nga zonat e Bregut. Marjeta ishte një grua e re, simpatike, mjaft e zgjuar, vazhdonte studimet për Gjuhë të Huaja në Universitetin e Tiranës. Njihej në Tiranë si një grua e modës, frekuentonte tavernat e natës në hotel “Dajti” dhe 15-katëshin me të shoqin, Bashkimin, vishej në mënyrë që i bënte sfidë kohës, grua e qejfeve etj.
Duke e pyetur për ngjarjen e Mehmetit, ajo më tha se atë natë që ndodhi ngjarja: “Unë isha në studion e Bashkimit në katin e tretë të shtëpisë, qëndrova aty vetëm deri vonë...



______________________________________________________________
www.artcafe-albania.com