Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, dhjetor 25, 2005

From : Flori Bruqi
Reply-To : "Art-Cafe: Albanian Arts & Entertainment List "
Sent : Saturday, December 24, 2005 5:22 PM
To : art-cafe@alb-net.com, floribruqi@hotmail.com
Subject : [Art-Cafe] Post.Flori Bruqi:Vrasja e Mehmet Shehut(12)

| | | Inbox


--- Art-Cafe: Albanian Arts & Entertainment List ---





Intervista/Flet Kristofor Martiro, ish-kryetari i degës së veçantë të Sigurimit të Shtetit

“Alia dhe hetimi i grupit të ushtarakëve”
Martiro: E vërteta e hetimit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku

Luan Kondi

Kristofor Martiro, ish-oficeri madhor i Sigurimit të Shtetit është dëshmitar i rëndësishëm i ngjarjeve të viteve ‘70-‘80 në vendin tonë. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Tirana Observer”, ai shpjegon saktësisht sesi u hetuan të ashtuquajturat grupe armiqësore në ushtri dhe ekonomi. Martiro është 78 vjeç, por ka një kujtesë të jashtëzakonshme aq sa nga tregimi i tij të duket se ngjarjet nuk kanë ndodhur 30 vjet më parë. Kristofor Martiro ka qenë hetues i Beqir Ballukut, që akuzohej se ishte drejtues i të ashtuquajturit “grup armiqësor në ushtri”, Kiço Ngjelës dhe Vasil Katit të akuzuar si pjesëtarë të një tjetër grupi të stisur armiqësor, atij sabotator në ekonomi. Martiro e ka shpjeguar gjerë e gjatë procesin e hetimor të ushtarakëve të lartë akuzuar nga udhëheqja e lartë e PPSH-së për “puç” e “komplot”. Sipas tij, bazuar në faktet, provat apo dhe thëniet e të pandehurve nuk ka ekzistuar asnjëherë “puçi”. “Kjo është një e vërtetë që se luan as topi”, thotë Martiro. Megjithatë, për këtë grup kanë folur edhe të tjerë dëshmitarë okularë të atyre ngjarjeve, e madje, njerëz të cilët kanë bërë pjesë në grupin e hetimit. Lidhur me shumë pasaktësi të thëna nga këta persona, ish-kryetari i degës së veçantë të Sigurimit të Shtetit i shpjegon në intervistën e tij. Kristofor Martiro, i hedh poshtë shumë deklarime të pavërteta të bëra nga dëshmitarë të atyre ngjarjeve. E konkretisht, ai ndalet në një fakt tepër interesant në atë se përse në dëshmitë e tyre ndonjë hetues e përfshin Ramiz Alinë si pjesëmarrës në mbledhjen që bëheshin me hetuesit e të ashtuquajturve grupe armiqësore.
Në lidhje me hetimin e të ashtuquajturit grupi i ushtarakëve “puçistë” në ushtri ka pasur edhe dëshmi të tjera. Ju që keni qenë në grupin hetimor dhe hetues madje, i Beqir Ballukut, çfarë mendoni rreth këtyre deklarimeve?
I kam ndjekur më vëmendje ato që janë shkruar në shtypin e përditshëm, nga persona të ndryshëm lidhur me procesin e Beqir Ballukut. Mendoj se në këto shkrime ka shumë pasaktësi që e shtrembërojnë shumë të vërtetën, kjo jo për mosdije, por për motive të tjera. Prandaj e ndiej për detyrë të deklaroj përpara opinionit publik t’i them gjërat ashtu siç kanë ndodhur. Do ta nis nga një e pavërtetë e madhe, e thënë në lidhje me pjesëmarrjen e Ramiz Alisë në mbledhjet e grupit hetimor që hetonte të ashtuquajturin grup armiqësor i ushtarakëve. E them me bindje se nuk është aspak e vërtetë që Ramiz Alia të ketë marrë pjesë në ndonjë mbledhje të grupit hetimor të ushtarakëve, Beqir Ballukut dhe të tjerëve, as edhe në grupin hetimor të “ekonomisë” Abdyl Këllezi e të pandehurve të tjerë. Ramiz Alia në atë kohë ishte sekretar i KQ të PPSH-së për problemet e propagandës dhe nuk kishte asnjë lidhje me problemet e punës sonë hetimore, as nuk i është raportuar atij ndonjëherë për çështjet që dilnin nga hetimi. Dihet që në rrugë partie organet e diktaturës, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme, gjykatat dhe prokuroritë vareshin nga sekretari i KQ të PPSH-së, Hysni Kapo. Nuk di dhe nuk mund të them asgjë nëse Ramiz Alia ka marrë pjesë dhe ka drejtuar hetimet e grupeve të Fiqret Shehut dhe Kadri Hazbiut, ashtu siç thuhet në disa shkrime.
U caktuat hetues i Beqir Ballukut. Ç’ detyrë keni kryer para se të merreshit me hetimin e ish-ministrit të Mbrojtjes?
Para se të caktohesha hetues i Beqir Ballukut, isha zëvendëskryetar i degës së Punëve të Brendshme në Korçë. Në dhjetëditëshin e dytë të muajit dhjetor të vitit 1974, u njoftova nga zëvendësministri Feçor Shehu të nisesha urgjent për në Tiranë dhe detyrën t’ia dorëzoja një kolegut të degës. Nuk dija asgjë përse më kërkonin, nuk më shkonte ndër mend se mund të caktohesha në grupin hetimor të ushtarakëve. Për përjashtimin e Beqir Ballukut nga Byroja Politike dhe PPSH-ja, mësova në Korçë, nga kuadrot ushtarakë vendorë. Kur mbërrita në Tiranë dhe u paraqita te Feçor Shehu, ai më kritikoi për vonesën dhe më komunikoi pjesëmarrjen time në grupin hetimor të ushtarakëve të arrestuar në këtë kohë: Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako dhe Rrahman Parllaku. Të nesërmen, të gjithë pjesëtarët që ishin caktuar për hetimin e këtyre të fundit u mblodhën në paradhomën e zyrës së ministrit Kadri Hazbiu.
Kush asistoi nga udhëheqja e PPSH-së në këtë mbledhje?
I deleguar nga KQ i PPSH-së ishte Hysni Kapo. Kadri Hazbiu ishte ulur në tavolinën e tij. Hysniu ishte ulur në të majtë të Kadriut dhe në krye të tavolinës ishte ulur zëvendësministri Feçor Shehu. Ne të tjerët që ishim caktuar në grupin hetimor ishim ulur në të dyja anët e tavolinës. Mbasi Feçor Shehu njoftoi se të gjithë shokët ishin prezent, Kadri Hazbiu u ngrit nga tavolina dhe na u drejtua duke thënë se të gjithë ishim të ngarkuar të hetonim grupin “armiqësor të komplotistëve”, detyrë kjo me shumë përgjegjësi, e sipas tij, partia kishte besim se do të zbulonim veprimtarinë e tyre armiqësore. Ai shtoi se hetimi duhet të ishte objektiv dhe konkret. Nuk duhet të përdornim asnjë mjet dhune fizike apo psikike. Pas tij e mori fjalën Hysni Kapo, i cili theksoi midis të tjerave se partia na kishte besuar një detyrë shumë të rëndësishme, ku sipas tij, do të zbulonim veprimtarinë e një grupi armiqësor kundër partisë dhe popullit. Gjithashtu, ai shtoi se ata armiq kishin qenë në funksione të larta të partisë dhe të shtetit dhe mund të implikonin kuadrot e ndershme të partisë. Na u dha porosi ta hartonim planin hetimor sipas linjave, të studionim të gjitha materialet në ngarkim të tyre, baza e të cilave ishin materialet e Plenumit të 5-të dhe të 6-të, si dhe fjalimet e Enver Hoxhës. Nuk kam dëgjuar as në këtë mbledhje, e as ndonjëherë tjetër se për caktimin tonë në hetimin e ushtarakëve, vendimi ishte marrë nga Byroja Politike dhe ky vendim ishte firmosur nga Enver Hoxha. Mund të shtoj se përveç kësaj mbledhjeje, Hysni Kapo nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje tjetër me zëvendësministrin Feçor Shehu dhe ministrin Kadri Hazbiu. Gjithashtu, theksoj se asnjë anëtar tjetër i Byrosë Politike, qoftë edhe Ramiz Alia, nuk ka marrë pjesë në mbledhjet tona të punës me kuadrot e ministrisë.
A mund të na e përshkruani mbledhjen e parë të grupit hetimor të ushtarakëve me Kadri Hazbiun?
Në mbledhjen e parë që bëmë në zyrën e ministrit Kadri Hazbiu, u bë edhe komunikimi i hetuesve, të cilët do të hetonin të pandehurit. Nevzat Haznedari dhe unë u caktuam për hetimin e Beqir Ballukut, Kapllan Sako dhe Rustem Hodo, për hetimin e Petrit Dumes, Elham Gjika dhe Pelivan Luçi për hetimin e Hito Çakos dhe Pirro Dautaj dhe Skënder Myftari për hetimin e Rrahman Parllakut. Pas disa muajsh hetimi, Nevzat Haznedari largohet nga hetimi i Beqir Ballukut dhe mbetem në hetimin e tij vetëm unë. Më pas u largua dhe Kapllan Sako, për shkak sëmundjeje dhe hetimin e Petrit Dumes e vazhdoi Rustem Hodo. U largua dhe Pelivan Luçi, që u ngarkua me detyra të tjera dhe me hetimin e Hito Çakos e vazhdoi Elham Gjika, kurse për hetimin e Rrahman Parllakut ishin po Pirri Dautaj dhe Skënder Myftari.
Si u trajtuan të pandehurit e grupit të ushtarakëve dhe ata të ekonomisë?
Si për hetimin e të ashtuquajturit grup i ushtarakëve apo atë të ekonomisë, të pandehurve u bëhej një trajtim i veçantë në krahasim me të arrestuarit e tjerë. Hetimi për të dy grupet u bë në një aneks të veçantë, në katin e dytë të Burgut 313. Secili nga të pandehurit ishte vendosur në një dhomë të veçantë. Qelitë ishin të mëdha edhe të shtruara me dërrasa. Për këta të pandehur kishte një regjim të veçantë, të pavarur nga ajo e repartit 313, që merrej me ruajtjen, ushqimin dhe problemet shëndetësore etj. Një mjek ishte në dispozicion për t’u ardhur në ndihmë të pandehurve nëse do të ishte nevoja. Për ta gatuhej nga një kuzhinier i veçantë dhe ushqimi ishte më i mirë se ai i të burgosurve të tjerë. Në dhomat e tyre qëndronte gjithnjë një roje. Ishte e ndaluar kategorikisht që roja të komunikonte, të fliste me të pandehurit dhe në qoftë se këta të fundit i kërkonin diçka, roja njoftonte përgjegjësit e tij. Në dhomën që qëndronte i pandehuri nuk kishte të drejtë të futej askush me përjashtim të atyre që ishin të autorizuar, nuk mund të futeshin hetuesit e të pandehurve të tjerë me përjashtim të hetuesit përkatës për ndonjë problem dhe jo të bënte hetime dhe ndonjë bisedë apo shaka me të. Shoqërimi i të pandehurit nga dhoma e qëndrimit në atë të hetimit, bëhej nga dy roje. Të pandehurit mbanin skafandër në kokë. Ishte e ndaluar kategorikisht që dikush nga hetuesit e grupit, qoftë edhe hetuesi përkatës, të fliste me të pandehurin, pale të bënte shaka siç thuhet e shkruhet në ndonjë gazetë nga ish-hetues të këtij grupi. Ishte e ndaluar që hetuesit e ndonjë të pandehuri të shkonin në hetimin e një të pandehuri tjetër të të njëjtit grup. Kjo bëhej për objektivitet në hetime, për të evituar sugjestionimin te të pandehurit e tjerë, por edhe për efekt të sekretit të hetimeve. Gjatë procesit hetimor të ashtuquajtur grup i ushtarakëve apo atyre në ekonomi, ky parim është zbatuar me rigorozitet.

Jetëshkrimi

Kristofor Ilia Martiro u lind në Lashovë, të Leskovikut, në vitin 1927. Në vitin 1940, familja e tij vendoset në Tiranë dhe Kristoforit i duhet të punojë për t´u ushqyer. Në moshën 16-vjeçare, Martiro mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Një vit më vonë, ai do të ishte dhe anëtar i Partisë Komuniste shqiptare. Pas çlirimit ka marrë pjesë në luftën kundër bandave në Veri të Shqipërisë. Mbaroi shkollën dyvjeçare të partisë, e pas kësaj u emërua pedagog në Shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku shërbeu deri në vitin 1967. Ka mbaruar Fakultetin Juridik në Universitetin me rezultate të shkëlqyera. Nga viti 1967 deri në vitin 1982 punoi në organet e Sigurimit të Shtetit në detyra të ndryshme si: nënkryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Korçë, kryetar dege në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Gjatë viteve 1975-1978, u komandua në përbërje të grupit hetimor të “puçistëve në ushtri”, ku do të hetonte Beqir Ballukun dhe “sabotatorët në ekonomi e organizimin shtetëror”, ku hetoi Kiço Ngjelën dhe Vasil Katin. Në vitin 1982, pikërisht më 13 prill, arrestohet e dënohet me 15 vjet heqje lirie, dhe deri në vitin 1989 e vuajti dënimin në Burgun e Sarandës.



______________________________________________________________
www.artcafe-albania.com