Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e martë, dhjetor 13, 2005

Flori - Press:Lindita Komoni:Dossier për Kosovën

Dossier për Kosovën
>
>
> Lajmet e ditëve të fundit të shkëputura nga gazeta Der Standard sjellin qëndrime të Erhard Busek, koordinatorit të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, të të ngarkuarit me punë të BE-së, Javier Solana, të presidentit serb Tadic, të deleguarit shqiptar në grupin e Kosovës për bisedimet, Enver Hoxhaj, të kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi dhe mendime të analistëve të gazetës Standard.
> Diferencat që përcillen përmes këtyre qëndrimeve të krijojnë përshtypjen, se edhe njëherë më shumë me Kosovën tani do të luhet loja me durimin e popullit. Busek shprehet se deri në fund të 2006 nuk duhet pritur më shumë se përgatitja e një “plani udhetimi”; sipas planit të BE-së sovraniteti i Kosovës do të njihet vetëm kur kjo të jetë duke realizuar hyrjen në BE, Kosumi shprehet optimist se deri në mes të 2006-ës do të ketë përfundime në bisedat për statusin, ndërkohë që analistët e gazetes Standard duan të vënë re një lodhje tek Kosumi dhe tek skuadra e këshilltarëve të tij.
> Por le t’i ndjekim më nga afër deklaratat dhe qëndrimet e ditëve të fundit.
Lindita Komoni
>
>
>
>
>
>
> 6 dhjetor
>
> Erhard Busek, koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, ka paralajmëruar, se nuk bën të priten përfundime të shpejta në bisedimet për statusin. Sipas tij do të ishte një sukses, sikur deri në fund të 2006-ës të ish përgatitur një "plan udhëtimi“ me masat përkatëse për implementim.
>
> Nga qëndrimet e deritanishme të shprehura nga politikanët e Kosovës dhe Serbisë, duket sikur kompromisi është i pamundur. Sipas Busek këtu bëhet fjalë për luftë politike për votat e popullit si dhe për forcim imazhi në vendet në fjalë.
>
> Ai shikon një lidhje mes bisedimeve për statusin të nisura muajin e kaluar dhe sulmeve mbi serbët dhe jo-shqiptarët e tjerë. “Shqiptarët e Kosovës kanë mësuar, se nëse përdorin armët, ata kanë sukses” dhe shtoi: “Ky është një leksion i gabuar”. Ai shikon këtu dhe “gabime të bashkësisë ndërkombëtare”. Sido që të jetë sipas tij, duke shfrytëzuar mjetet paqësore shqiptarët nuk i kanë arritur qëllimet e tyre.
>
>
>
> 7/8 dhjetor
>
> Javier Solana, në një bisedë me presidentin serb Tadic tha, se për unionin Serbi/Mal i Zi porta për perspektivën evropiane është e hapur.
> Në bisedë me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugosa ai u shpreh, se në Evropë ka “vend për shtete të reja”, nese ata janë të gatshëm të respektojnë vlerat evropiane. Ai gjithashtu paralajmëroi, se ushtrimi i dhunës gjatë bisedimeve nuk do të tolerohet. "Ju e keni nisur udhëtimin", tha Solana dhe nëse gjithçka ecën siç duhet, ai do t'ju çojë në Bruksel.
>
> 7 dhjetor
>
>
> Pas një takimi në Beograd mes presidentit serb, ministrit të jashtëm grek dhe sekretarëve të shtetit në ministritë e jashtme të Rumanisë dhe Kroacisë, Tadic u shpreh dhe njëherë se është kundër pavarësisë së Kosovës. Beogradi sipas tij nuk do të sundojë mbi shqiptarët e Kosovës, por dëshiron për serbët e atyshëm paqe, siguri dhe zhvillim ekonomik. Për këtë arsye në provincë duhen krijuar dy entitete të barabarta, një shqiptare dhe një serbe.
> Ministri i jashtëm grek Molyviatis tha pas këtij takimi, se të gjithë shtetet e rajonit janë të interesuar për zhvillimin e gjendjes në Kosove. Sipas tij, grupi i diplomatëve nuk kish sjellë propozime të vetat për zgjidhjen e çështjes së statusit, por mbështet plotësisht përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për një zgjidhje me bisedime.
>
>
>
> 10/11 dhjetor
>
> „Pse duhet pyetur Beogradi për statusin, për çfarë arsye?”, tha i deleguari i grupit të Kosovës në bisedimet për statusin, historiani Enver Hoxhaj. Të ardhmen e Kosovës duhet ta vendosin Prishtina, Uashingtoni dhe Brukseli, askush tjetër. Hoxhaj nuk bën pjesë tek esktremistët në Prishtinë. Po ashtu dhe presidentit serb Tadic, i cili më së shumti shprehet se mund të imagjinojë krijimin e dy entiteteve, një entiteti shqiptar dhe një serb, por padyshim jo të një shteti sovran.
>
> Perëndimi preferon një „pavarësi të kufizuar”, në të cilën BE merr përsipër ndërtimin e policisë, drejtësisë dhe ekonomisë, ndërkohë që NATO vazhdon të kujdeset për sigurinë dhe Kosova sipas këtij plani siguron sovranitetin vetëm në kuadër të hyrjes në BE. Një model ky që e refuzojnë si serbët ashtu edhe shqiptarët. „Ne e kemi pasur tashmë një pavaresi të kufizuar“, i thotë Hoxhaj gazetes Standard.
> Ai mbështet pavaresinë në kuadër të modelit maqedonas, përfaqësuesit e minoriteteve dhe qeverisja lokale duhen forcuar. Edhe politologu vjenez Predrag Jurekovic gjen diçka të përshtatshme tek statusi i autonomisë për serbët dhe tek një lloj pushtet mbrojtës i Beogradit, por është kundër modelit “Babuschka” të Beogradit, sipas të cilit Kosova duhet të mbetet brenda Serbise dhe serbët e Kosovës të sigurojnë autonomi brenda Kosovës. Një ndarje e provincës që në pjesen veriore të saj më së shumti banohet nga serbë, të cilët përbëjnë rreth 10% të kosovarëve, e refuzon dhe OKB-ja.
> Sipas të drejtës ndërkombëtare Kosova ishte një provincë e Jugosllavisë, pasardhësi juridik i së cilës është Serbi/Mal i Zi. Por ajo nuk kishte statusin e republikës, i cili do të mundësonte një referendum për pavarësinë. Por, shqiptarët e Kosovës argumentojnë, se Beogradi përmes represionit të viteve '80 dhe vrasjes dhe përzënies së shqiptarëve ia ka hequr vetes të drejtën për ndikim.
> Nuk ka gjë që e lidh Kosovën me Serbinë. Ky kapitull duhet mbyllur, shprehet Hoxhaj. Beogradi po mundohet ta mbajë sa më të lartë çmimin për pavarësinë. Jashtë zyrtarizmave aty njerëzit janë shumë më tepër realiste. Javier Solana të paktën e bëri të qartë, se në Evropë ka vend për një shtet të ri.
>
>
>
> 10/11 dhjetor
>
> Në një artikull reportazh nga Kosova, në te cilin vihet në pah roli i Caritas të Austrisë, si një nga organizatat e pakta ndihmuese që nuk janë larguar pas pak kohe vendosjeje në Kosovë, zgjerohet vështrimi mbi gjendjen e Kosovës sot.
> Sipas Dom Lush Gjergjit, themeluesi të shoqatës Nënë Tereza, e cila që prej 15 vjetësh bashkëpunon me Caritas-in e Austrisë, 15% e popullisise të Kosovës janë shumë të rrezikuar.
> Gazeta Der Standard shprehet në vazhdim se kryeministri Kosumi nuk të jep përshtypjen e një njeriu, që mund të nxjerrë vendin e vet nga dëshpërimi. Ai duket i lodhur dhe i dorëzuar, ai merr copëza të vogla letre, të cilat këshilltarët e vet ia shtyjnë mbi tryezë. Aty ndodhen përgjigje për pyetje të pazgjidhura.
> Rreth 70% e popullsisë së vendit të tij është e papunë. Paga mesatare mujore shkon nga 150 deri në 250 euro, pensioni për të gjithë është i caktuar me 35 euro. 10% e popullsisë jeton në sajë të ndihmës sociale, që lëviz nga 40 deri në 65 euro, megjithatë kjo ndihmë parashikohet për një familje të tërë, që në Kosovë mesatarisht ka gjashtë anëtarë në përbërje.
> Ndërkohë kryeministri shprehet, se gjithçka varet nga bisedimet për statusin, për të cilat ai shprehet optimist, duke shpresuar për një përfundim të tyre në mesin e 2006-es. Qëllimi: Një Kosovë e pavarur. Edhe këshilltarët e kryeministrit në këtë moment shfaqen të lodhur.
>
>
>
>
> Shënimi im:
>
> Në lodhjen që gazetarët e Standard duan të vënë re në fytyrat e kryeministrit dhe këshilltarëve të tij, nëse ajo qëndron vërtet, duhet parë një nevojë për të sjellë më shumë vitalitet në përpjekjet diplomatike të Kosovës dhe më shumë aftësi për të mbuluar këto dobësi që gazetarët i bëjnë me dije në mediat e huaja që ndikojnë në krijim opinionesh, por që po ashtu mund të vihen re dhe nga diplomatët e huaj.
>
> Masha e zgjatjes së zgjidhjes së statusit është shqetësuese dhe për brezin e ri, të cilit duke mos i dhënë konture të qarta për perspektivën, i shtyn dhe drejt mosangazhimit në zgjidhje, duke krijuar një gjendje apatie shumë të rrezikshme, nga e cila mund të përfitojnë serbët gjatë bisedimeve.
>
> Zgjidhja me shumë gjasa do të vendoset nga të huajt dhe ashtu siç është bërë me dije dhe nga zyrtarët e BE-së do t’i detyrohet palëve, por në marrëveshjet për pak më shumë a pak më pak do të kenë direkt dorë palët dhe është mëkat i madh që tani të ketë shfaqje të tilla lodhjeje. Ekipi shqiptar duhet të jetë në gjendje që t’i lodhë serbët dhe të tjerët që drejtojnë bisedimet me durimin dhe vitalitetin e vet dhe aftësinë e vet për ta fshehur lodhjen. Sfida psikologjike, tani e mbajtur në këmbë nga vetë shqiptarët, duhet ndoshta t’i shtohet si dimension përpjekjeve të deritanishme. Mendimi im është që duhet punuar me gjithsecilin që merr pjesë me këshilla në këto bisedime, duhen punuar me gjithsecilin metoda, sesi duhet të paraqiten më të qetë dhe më të padeshifrueshëm e më të pakuptueshëm nga bashkëbiseduesit.
> Në vazhdim duhet të përfshihen në diskutime publike të rinjtë e shkolluar në perëndim, duhen aktivizuar që në vendet ku jetojnë, të paraqiten dhe ata me qëndrime të tyre dhe analiza në mediat e huaja dhe mos të qëndrojnë në plogështi, në këtë kohë që fjala e tyre është shumë e nevojshme, sepse ata kanë një armë të madhe në dorë, dijen e fituar me mund dhe me të mund të paraqiten si të barazvlefshëm me ata që krijojnë opinione në arenë ndërkombëtare për gjendjen në Kosovë. Këtë unë do ta shihja si diçka që ka nevojë për koordinim, e cila nuk duhet t'i lihet në dorë rastësisë, egos apo idealizmit të një a pak më shumë se një personi.
>
>
>