Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e premte, dhjetor 23, 2005

Flori - Press




Arrestimet pas eliminimit të ish-kryeministrit nisën me gruan e djalin e tij

Vdekja e Mehmetit, 21 të arrestuar

Sonila YZEIRI

Plot 17 është numri i të arrestuarve, kuadro të lartë të Ministrisë së Brendshme, nga Enver Hoxha pas vdekjes së Mehmet Shehut. Drejtuesi i PPSH-së mendonte se kishte një grup armiqësor, e që sipas tij, kishte lidhje me ata që kishte ekzekutuar më parë si “armiq të popullit”. Seria e arrestimeve nis me Fiqret dhe Skënder Shehun, gruan e djalin e ish-kryeministrit dhe vijoi me të tjera deri në arrestimin më të bujshëm të kohës, atë të Kadri Hazbiut.
Nisja e ndëshkimeve
Tri ditë para Vitit të Ri 1982, në Belsh hetuesit interesoheshim për përfundimin e ndërtesës ku do të vendosej familja e Mehmetit. Në atë kohë shkoi nga dega e 8-të në Ministrinë e Brendshme, Nazmi Domi, që merrej me internim, dëbimet në këtë degë. Ai komunikoi se familja e Mehmetit me vendim nga lart do të internohej në Belsh. Deri atëherë nuk ishte marrë ndonjë masë e tillë. Ai i thirri Fiqretin dhe fëmijët e saj dhe në prezencë të kryetarit të Këshillit të Belshit e u komunikoi vendimin për internimin e tyre në Belsh. U caktoi zonën se ku mund të lëviznin, zonë mjaft e kufizuar. Internimi i tyre ishte një parathënie për arrestimin e tyre. Nga të afërmit nuk erdhi asnjeri në Belsh për t’i parë, me përjashtim të babait të Marjetës, që erdhi dy-tri herë me motoçikletë e qëndronte shumë pak.
Spastrime në Ministrinë e Brendshme
Në muajin janar të vitit 1982 ndodhën ndryshime në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Feçor Shehu ishte shkarkuar si ministër dhe u caktua në detyrën e zëvendësministrit, me pretekstin se nuk kishte njoftuar partinë për fejesën e djalit të Mehmetit me Silva Turdiun. Ai tashmë në këtë detyrë kishte në varësi kufirin dhe prapavijën e ministrisë. Ministër i Punëve të Brendshme u emërua Hekuran Isaj, anëtar i Byrosë Politike, një ish-fugist në Uzinën e Naftës në Cërrik, që u ngrit me katapultë në përgjegjësi. Zëvendësministër për punët e sigurimit u caktua Rexhep Kolli. Filloi goditja e kuadrove të aftë. Isaj dhe Kolli filluan punën për të vënë në jetë planin ogurzi të E. Hoxhës, për likuidimin e kuadrove më të devotshëm dhe për të realizuar skenarin e tij, për gjoja ekzistencën e një organizate “kundërrevolucionare me në krye “poliagjentin” Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiun. Për të arritur këtë, u krijuan dy grupe të mëdha, grupi hetimor dhe grupi operativ. Grupi hetimor, të cilin e drejtonte vetë Hekuran Isaj, kishte si qëllim të vërtetonte duke përdorur çdo mjet alibinë e Hoxhës për ekzistencën e gjoja grupit armiqësor të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. Grupi i dytë, pra, ai operativ që drejtohej nga Rexhep Kolli kishte për detyrë të grumbullonte të dhëna materiale dhe dëshmi me çdo mënyrë për personat që ishin planifikuar të arrestoheshin, e për t’i kaluar këto hetuesisë. Ky grup ishte ngarkuar të bënte propozime për arrestimin e të tjerëve, me qëllim që të vinte në jetë direktivat e dhëna nga lart për pastrimin e plotë të njerëzve që mendoheshin armiq. Këtu filloi fshesa e hekurt, gjuetia e shtrigave në Ministrinë e Punëve të Brendshme e të kuadrove të tjerë dhe të aftë. U shkarkua nga detyra drejtori i Drejtorisë së Hetuesisë, Elham Gjika, me akuzën që ishin bërë gabime të rënda. Po ashtu, u shkarkua nga detyra, drejtori i Drejtorisë së Sigurimit, Kadri Gojashi, dhe u dërgua fillimisht kryetar dege në Gramsh dhe më vonë u çmobilizua. U nxor në lirim kryetari i degës V, Dhimitër Bonati, u nxorën në lirim edhe njerëz të tjerë. Në këtë situatë të favorshme për ta, filluan të lëviznin njerëzit më negativë, të paaftë dhe karrieristë, të cilët shpifën dhe intriguan gjithçka ndaj kuadrove të ndershëm e të aftë.
Arrestimet
Më 5 janar të vitit 1982 u arrestuan Fiqret Shehu dhe i biri, Skënderi. Në muajin shkurt 1982 arrestohet ish-ministri i Brendshëm, Feçor Shehu, në zyrën e tij. Mbi bazën e intrigave, shpifjeve, shtrembërimit të fakteve, falsifikimin e materialeve, nxjerrjen e dëshmive nga të arrestuarit apo dhe nga persona të tjerë, duke përdorur dhunë fizike e psikike, që në atë kohë u ligjërua nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, filloi arrestimi i kuadrove.
Në muajin prill 1982 u arrestua Kristofor Martiro, ish-kryetari i degës së veçantë të Sigurimit të Shtetit, Elham Gjika, ish-drejtori i hetuesisë po në ministri dhe ish-kryetari i degës së Punëve të Brendshme në Durrës, Lirim Pëllumbi.
Në muajt prill, maj dhe qershor 1982, sipas radhës u arrestuan Llambi Ziçishti, ish-ministër i Shëndetësisë, Xhavit Ismailaga, berber në hotel “Dajti”, i cili për vite me radhë kishte qenë berber i Mehmet Shehut. Më pas arrestohet Llambi Peçini, i cili kishte kryer detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Dytë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që kishte për detyrë sigurimin fizik të udhëheqjes së partisë dhe që në vitin 1976 emërohet kryetar i degës së Punëve të Brendshme në Vlorë.
Në qershor arrestohet Gani Kodra, efektiv i Drejtorisë së Dytë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me detyrën e kryetarit të degës për sigurimin e anëtarëve të Byrosë Politike dhe anëtarët e KQ të PPSH-së. Arrestohet Mihallaq Ziçishti, ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme e më vonë sekretar i partisë në Korçë e në Durrës. Në tetor 1982, arrestohet Ali Çeno, ish-shoqëruesi i Mehmet Shehut. Gjatë këtyre muajve arrestohen edhe mjaft kuadro të tjera të rëndësishme të ushtrisë, siç ishin gjeneralët: Abaz Fejzo, Arif Hasko, Sadik Bekteshi, Muhamet Prodani, Halim Rahomito, si dhe vëllai i Kadri Hazbiut, Hasan Hazbiu, i vëllai i Mehmet Shehut, Duro Shehu, në detyrën e sekretarit të Komitetit të Partisë së Aviacionit, kushëririn e Mehmetit, Idris Seitin, ish-kryetar dege në Ministrinë e Punëve të Brendshme etj. Arrestimi më i bujshëm ishte ai i Kadri Hazbiut, i cili ishte dhe qëllimi kryesor i Enver Hoxhës. Për të vërtetuar skenarin e tij të përgatitur me kohë gjoja për ekzistencën e “organizatës kundërrevolucionare” me në krye “poliagjentët” Mehmet Shehu e Kadri Hazbiun.

Te arrestuar pas vdekjes se Mehmet Shehut

1- Kadri Hazbiu, ish-ministër i Mbrojtjes
2- Fiqret Shehu, gruaja e Mehmet Shehut
3- Skënder Shehu, djali i Mehmet Shehut
4- Feçor Shehu, ish-ministri i Brendshëm
5- Kristofor Martiro, ish-kryetari i degës së veçantë të Sigurimit të Shtetit
6- Elham Gjika, ish-drejtori i hetuesisë po në ministri
7- Lirim Pëllumbi, ish-kryetari i degës së Punëve të Brendshme në Durrës
8- Llambi Ziçishti, ish-ministër i Shëndetësisë
9- Xhavit Ismailaga, ish-berber i Mehmet Shehut
10- Llambi Peçini, ish-drejtor i Drejtorisë së Dytë në Ministrinë e Punëve të Brendshme
11- Gani Kodra, ish-efektiv i Drejtorisë së Dytë në Ministrinë e Brendshme
12- Ali Çeno, ish-badigard i Mehmet Shehut
13- Abaz Fejzo, gjeneral, ish-drejtor i tankeve në Ministrinë e Mbrojtjes
15- Arif Hasko, gjeneral
16- Sadik Bekteshi, gjeneral, Hero i Popullit
17- Muhamet Prodani, ish-komandant i Brigadës së Parë pas Mehmet Shehut
18- Halim Rahomito, gjeneral, ish-zëvendësdrejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë
19- Hasan Hazbiu, vëllai i Kadri Hazbiut
20- Duro Shehu, vëllai i Mehmet Shehut
21- Idris Seiti, kushëri i Mehmet Shehut ish-kryetar dege në Ministrinë e Punëve të Brendshme