Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e premte, dhjetor 16, 2005

Flori - Press

Flet Kristofor Martiro, oficeri madhor i sigurimit
“13 provat, të cilat vërtetojnë se Mehmetin e vranë”

Shkruan Luan Kondi



Vdekja e Mehmet Shehut më 17 dhjetor të vitit 1981 i ka ndarë në dy grupe bashkëkohësit e tij që jetojnë ende. E vranë apo u vetëvra kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë, kjo dilemë vazhdon të jetë ngërçi i ngjarjes më të madhe të sistemit të kaluar. Ish-kryetari i degës së veçantë të Sigurimit të Shtetit, Kristofor Martiro, mbetet një nga ata ish-kuadro të lartë të sistemit të kaluar që mbetet besnik i variantit se Mehmet Shehun e kanë vrarë. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Tirana Observer”, Martiro shpjegon 13 faktet që e bëjnë të mendojë se ish-kryeministri është ekzekutuar. Ai e nis rrëfimin e tij me atë që ndodhi pas vdekjes së Shehut. Ndërsa duke hyrë në analizë profesionale të shqyrtimit të fakteve, ish-sigurimsi shprehet se këqyrja e vendngjarjes, moskryerja e autopsisë, mosanalizimi i përmbajtjes së lëngut në gotën që ndodhej mbi komodinën në krah të krevatit, zhvarrosja e kufomës në rrethana misterioze dhe zhdukja e infermieres së familjes, apo dhe fakte të tjera, i krijojnë bindjen oficerit madhor të Sigurimit të Shtetit se Mehmet Shehun e vranë dhe më pas e trumbetuan me të madhe si vetëvrasje. Ja se si shprehet Martiro në intervistën e tij.

Jeni marrë me hetimin e familjes së ish-kryeministrit pas vdekjes së tij. Çfarë ndodhi me ta pas 17 dhjetorit të vitit 1981?
Mbas ngjarjes së Mehmet Shehut, unë u ngarkova nga udhëheqja e ministrisë të merresha me familjen e Mehmet Shehut. Detyrën e mora nga ministri i Brendshëm, Feçor Shehu, dhe prezent gjatë komunikimit të saj ishte edhe Kadri Hazbiu. Ata më thanë që të merrja masat. Më thanë të merrja masat për ruajtjen e tyre, pasi do të largoheshin nga vila dhe do të sistemoheshin në vilën numër tre në Rrugën e Elbasanit. Pritej të vinte i biri nga Suedia, Skënderi i shoqëruar nga Gani Kodra. Në këtë kohë, në zyrën e ministrit disa herë ata morën në telefon ambasadën tonë në Suedi, në Greqi dhe në pikën e kalimit kufitar në Kapshticë. Drejtuesit interesoheshin nëse kishin mbërritur Skënderi dhe Gani Kodra. Në darkë erdhi Skënderi dhe iu bashkua familjes në vilën e partisë. Pas kësaj familja u transferua në Belsh të Elbasanit. Tri ditë pas ngjarjes kam shkuar bashkë me punonjës të tjerë të Sigurimit në shtëpinë e Mehmet Shehut. Nuk kisha qenë në grupin e ekspertëve që bënë ekspertizën e vendit të ngjarjes dhe të kufomës së të ndjerit, por pashë fotografitë që ishin në dosjen e ekspertëve. Ishin disa fotografi të kufomës së kryeministrit, që e kishin fiksuar atë në pozicione të ndryshme. Nga ky moment unë isha i dyzuar në mendimin tim, nëse Mehmeti ishte vrarë apo vetëvrarë.
Cilat janë arsyet që ju bëjnë të mendoni se Mehmet Shehun e kanë vrarë?
Nisur nga fotografitë vura re: 1-Pozicioni i kufomës shtrirë me gjyslykë, me këmishë, duart e mbledhura mbi bark dhe i mbuluar me batanije deri në grykë. 2-Pistoleta ishte mbi batanije, në krahë të djathtë të kufomës. Këtu dua të sqaroj se si ishte e mundur që Mehmeti të ishte vetëvrarë, duke pasur sytë e mbyllur, me këmbë të shtrira dhe me duart mbi bark nën batanije. 3-Në aktekspertimin nuk përcaktohej në u gjet i mbuluar apo e mbuluan kufomën e Mehmet Shehut me batanije. 4- Mbi këmishë, në anë të zemrës kishte vetëm një njollë të zezë. Këtu vetëm sa nisën dyshimet, pasi më pas, kur bëmë këqyrjen e dhomës së Mehmetit, konstatova edhe gjëra të tjera të dyshimta. Shkova në krevatin ku ishte gjetur kufoma e Mehmet Shehut. Ngrita mbulesat për të parë gjakun dhe pashë: 5-Atje kishte shumë pak gjak. Kjo më bëri përshtypje se pasi më ishte dhënë rasti, ndërsa kryeja detyrën e zëvendëskryetarit të degës së Punëve të Brendshme të Korçës, të ndodhesha në zyrën e ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit, Zenun Shahollari, që kishte vrarë veten. Atje pashë se zyra ishte e mbushur me gjak. 6-Ende sot nuk e kam kuptuar arsyen e moskryerjes së autopsisë së kufomës. Ishte rregull se, në raste vdekjesh, qoftë edhe natyrale, kryhej ekspertiza mediko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Si ka mundësi që vdiq një kryeministër në këto rrethana dhe atij as që i behët autopsia. 7-Në një akt ekspertize thuhet se plumbi i pistoletës e kishte marrë o në zemër ose në arterien kryesore. Si punonjës i Sigurimit të Shtetit di që në ekspertizë nuk thuhet ose, ose, por përcaktohet qartë ku e kishte përshkruar plumbi dhe se a ishte ky shkaku kryesor i vdekjes së personit. Po sjell në kujtesën e bashkëkohësve të mi rastin e vetëvrasjes së Nako Spirut, i cili është publikuar në shtyp. Nga raporti i ekspertëve mediko-ligjorë thuhej se plumbi i kishte përshkuar zemrën dhe shtyllën kurrizore. 8-Po të analizohen aktet e ekspertimit të kufomës gjen gjëra që të lënë dyshime. Ka probleme të të dhënave kriminalistike që të bën të dyshosh. 9- Përse u zhvarros kufoma e Mehmet Shehut. Kush ishte ai që trembej edhe nga ish-kryeministri i vdekur. 10- Një tjetër arsye që më bën të jem për variantin se Mehmet Shehun e vranë, është edhe ajo që kam dëgjuar që në atë kohë, nga persona me influencë që ministri i Shëndetësisë së asaj kohe, Llambi Ziçishti, kishte thënë në vendngjarje se rasti në fjalë nuk ishte vetëvrasje. Për këtë, edhe pse më vonë e kthehu dëshminë e tij, Ziçishti nuk mundi t’i shpëtonte dënimit me vdekje. 11-Në materiale e aktekspertizë ishte shënuar në procesverbal edhe ekzistenca e një gote të mbushur me lëng mbi komodinën në krah të krevatit të kryeministrit. Asnjëherë nuk iu bë analiza përmbajtjes së gotës. Kjo nuk është e rregullt. 12-Menjëherë pas kësaj ngjarjeje nuk u interesua kush për infermieren e familjes Shehu, shoqen e Marjetës, gruas së Bashkimit. 13-Fakt është që nga pyetjet e personelit që shërbente në vilën e Mehmet Shehut dhe pjesëtarëve të tij të familjes, mësova se pas mbledhjes së Byrosë, kryeministri kishte shkuar në shtëpi dhe ishte i qetë. Ai kishte shkuar në studion e tij për të punuar. Madje, sipas dëshmisë së Gani Kodrës, Mehmeti i kishte telefonuar atë ditë të birit në Suedi fare normalisht.

Ali Çeno, shoqëruesi i kryeministrit për ngjarjen
“Njoftova menjëherë Ramiz Alinë në telefon. Ai më pyeti se çfarë kishte ndodhur që e merrja kaq herët në telefon. I thashë se Mehmeti kishte vrarë veten. “Ashtu”, më tha pa e prishur gjakun dhe e mbylli telefonin….. Kur hyra në dhomën e Mehmetit pashë në fund të krevatit një gotë çaji që ishte bosh. Nuk pashë gjak në gjoksin e tij, por vetëm një njollë të zezë. Mbas kësaj erdhi grupi i ekspertëve, nuk e di se çfarë ndodhi aty. Në grup ishte dhe Xh. Çiraku dhe ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti. Di që Xh. Çiraku nuk e firmosi aktin e ekspertizës. Kufomës nuk iu bë ekspertiza, u varros po atë ditë në mëngjes në varrezat e Sharrës. Pas disa ditëve, kufoma e Mehmetit u zhduk”.

Faktet, Mehmetin e vranë

1- Pozicioni i kufomës shtrirë me gjyslyke, me këmishë, duart e mbledhura mbi bark dhe i mbuluar me batanije deri në grykë.
2- Pistoleta ishte mbi batanije në krahë të djathtë të kufomës. Këtu dua të sqaroj se si ishte e mundur që Mehmeti të ishte vetëvrarë, duke pasur sytë e mbyllur, me këmbë të shtrira dhe me duart mbi bark nën batanije.
3- Në akt-ekspertimin nuk përcaktohej a u gjet i mbuluar apo e mbuluan kufomën e Mehmet Shehut me batanije.
4- Mbi këmishë në anë të zemrës kishte vetëm një njollë të zezë.
5- Në dyshek u pa shumë pak gjak.
6- Moskryerja e autopsisë së kufomës.
7- Në akt-ekspertizë thuhej se plumbi i pistoletës e kishte marrë ose në zemër ose në arterien kryesore.
8- Nga analiza e akteve të ekspertimit të kufomës gjen gjëra që të lënë dyshime, sidomos në ballafaqimin e të dhënave kriminalistike.
9- Disa ditë pas varrimit, u bë në rrethana misterioze zhvarrosja e kufomës së Mehmetit.
10- Në atë kohë nga persona me influencë si ministri i Shëndetësisë së asaj kohe, Llambi Ziçishti kishte thënë në vendngjarje se rasti në fjalë nuk ishte vetëvrasje.
11- Në materiale e akt-ekspertizës ishte shënuar në procesverbal edhe ekzistenca e një gote të mbushur me lëng mbi komodinën në krah të krevatit të kryeministrit, të cilës asnjëherë nuk iu bë analiza e përmbajtjes.
12- Menjëherë pas ngjarjes nuk u interesua kush për infermieren e familjes Shehu, shoqen e Marjetës, gruas së Bashkimit.
13- Personeli që shërbente në shtëpinë e Mehmet Shehut dhe pjesëtarët e familjes së tij u tha se pas mbledhjes së Byrosë, kryeministri kishte mbërritur në shtëpi i qetë dhe kishte shkuar në studion e tij për të punuar. Madje sipas dëshmisë së Gani Kodrës, Mehmeti i kishte telefonuar atë ditë të birit në Suedi fare normalisht.

CIA, plan për eliminimin e Mehmet Shehut
Agjencia sekrete amerikane ka tentuar ta vrasë Mehmet Shehun,kryeministrin shqiptar që qëndroi në krye të shtetit për 27 vjet me radhë. Publikimi i këtij fakti është bërë pas botimit të kujtimeve të njërit prej agjentëve që ishte ngarkuar të organizonte vrasjen e Shehut, e nëpërmjet kësaj synohej rrëzimi i regjimit të Enver Hoxhës. Majkëll Burk, ishte emri i agjentit të CIA-s që publikon këtë fakt në ditarin e tij. Burk është futur në CIA ën vitin 1951 dhe ai është i pari nga ish-agjentët sekretë që dha fakte rreth këtij plani, ku thuhet se zyrtarë amerikanë të sigurimit kishin bërë plane për të eliminuar ministrin e brendshëm të asaj kohe Mehmet Shehun. Në fletët e ditarit shkruhet se këtë plan Burk e shihte diskutuar edhe me një emigrant shqiptar emigrant zogist me pseudonimin Xhorxh. Nga shënimet e agjentit mësohet se amerikanët ia kishin frikën ashpërsisë së Mehmet Shehut si ministër që kishte në varësi policinë sekrete shqiptare.

Akuzat e Enver Hoxhes per Mehmet Shehun
Mehmet Shehu, më 1972, shkoi në Paris për një operacion, i shoqëruar po nga ai ekip që e shoqëroi në OKB, dhe me të shoqen, Fiqret Shehun. Atje mori kontakt me një personalitet të CIA-s amerikane, i cili tha: “Ç’po bën, u plake, duhet të veprosh!” Mehmet Shehu i raportoi atij për gjendjen dhe për komplotet që po përgatiteshin (nga Beqir balluku e Abdyl Këllezi me shokë). CIA e rekomandoi të veprojë, po pa u komprometuar ai vet. I dha tri variante për eliminimin e Enver Hoxhës: 1)me aksident automobilistik; 2)atentat me pushkë nga larg; 3) me helmim me veprim të vonuar. Iu la në dorë Mehmet Shehut të vinte në veprim atë variant që do të gjente më të mundshëm. Nëpërmjet Feçor Shehut, të njëjtat udhëzime i erdhën Mehmet Shehut dhe nga UBD-ja Jugosllave, e cila ishte plotësisht në ujdi me CIA-n. Në Paris Mehmet Shehu iu dha edhe një radio e sofistikuar për komunikim , marrje dhe dhënie, që e instaloi në shtëpi dhe e vuri në funksionim djali i tij i madh, i cili ishte inxhinier ekonomik. Në fakt Mehmet Shehu e kishte kthyer e do ta kthente të gjithë familjen në një çerdhe agjentësh, në një familje gjarpërinjsh. Siç thamë, Fiqret Shehu ishte rekrutuar që gjatë luftës nga Dushan Mugosha dhe mbante pseudonimin agjenturor FISARI pa bërë supozime të tjera se çfarë mund të kishte bërë ajo më parë kur kishte shkuar për një kurs një e dyvjeçar në Itali gjatë okupacionit; se mund të kishin bërë me të Liri Gega (e Smithi), kur ajo punonte me të në korpusin I. Me kohë, djalin e dytë, Mehmet Shehu e kishte bërë bashkëpunëtor dhe, kur shkonte jashtë (sidomos kur shkoi për studime në Suedi), e vuri në lidhje me CIA-n dhe e përdori si ndërlidhës. Kurse djalin e vogël dhe të shoqen e tij e aktivizoi në drejtim të një ambasade të huaj në Tiranë. Mehmet Shehu u urdhërua, pra, nga CIA amerikane të thurte planet konkrete për përmbysjen e gjendjes në Shqipëri në favor të perëndimit, të hidhte në veprim e të nxiste në këtë drejtin agjentët e njohur ose të panjohur prej tij, pavarësisht se të kujt ishin, jugosllav, grek, anglez, italian e të tjerë, por duke mos u kompromentur ai vetë. Shërbimet e huaja i kërkuan agjentit të tyre, Mehmet Shehu, të vepronte. UDB-ja ishte në bashkëpunim me CIA-n dhe e dinte direktivat e kësaj për likuidimin e Enver Hoxhës. Prandaj kërkuan nga Mehmet Shehu të dërgonte urgjent në Paris të shoqen. Demonstratat ndodhën në mars kurse ajo në prill 1981 shkoi në Paris. Iu paraqit atje një i dërguar nga Çalamani (pseudonimi i Dushan Mugoshës, i cili kishte vdekur por “jetonte” misioni i tij agjenturor) dhe i dha helmin që duhet të përdornin imediatisht për Enver Hoxhën.

(Vijon nesër)


Kristofor Ilia Martiro u lind në Lashovë të Leskovikut në vitin 1927. Në vitin 1940 familja e tij u vendos në Tiranë dhe Kristoforit i duhej të punonte për t´u ushqyer. Në moshën 16-vjeçare, Martiro mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Një vit më vonë ai u bë anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare. Pas çlirimit ka marrë pjesë në luftën kundër bandave në Veri të Shqipërisë. Mbaroi shkollën dyvjeçare të Partisë e pas kësaj u emërua pedagog në shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku shërbeu deri në vitin 1967. Ka mbaruar Fakultetin Juridik në Universitetin e Tiranës me rezultate të shkëlqyera. Nga viti 1967 deri në vitin 1982 punoi në organet e Sigurimit të Shtetit në detyra të ndryshme si: nënkryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Korçë, hetues në grupin hetimor të ushtarakëve, grupi armiqësor i sabotimit në organizimin shtetëror dhe ekonomi e më pas, kryetar i degës së veçantë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Gjatë viteve 1975 - 1978, i komanduar në përbërje të grupit hetimor të “puçistëve në ushtri”, ai do të hetonte Beqir Ballukun dhe më pas, te “sabotatorët në ekonomi e organizimin shtetëror” do të hetonte Kiço Ngjelën dhe Vasil Katin. Në vitin 1982, pikërisht më 13 prill, arrestohet e dënohet me 15 vjet heqje lirie dhe deri në vitin 1989 vuajti dënimin në Lezhë, Burrel e Shën Vasi në Sarandë.