Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, dhjetor 10, 2005

Flori - Press

Letër e hapur presidentit Tadiç dhe Qeverisë Serbosllave

Është gjallë apo i vrarë Ukshin Hoti?

Zoti president Tadiç,

Ju shkruaj dhe ju drejtojë këtë letër time të hapur juve,që të dij diç për fatin e intelektualit- martirit tonë shqiptar Mr.sc.prof.Ukshin Hoti,për të cilin nuk dihet fare që nga 16 maj 1999, kur kishte mbaruar afatin e vuajtjes së dënimit politik prej 5 vjetësh.

Të burgosurit shqiptarë dëshmojnë se në përcjellje të tre zyrtarëve të sigurimit serb atë ditë ai është nxjerrë nga burgu i Dubravës (Istog, Kosovë), ku ishin sjellë më parë të burgosurit shqiptarë nga burgu i Nishit (Serbi).

Pas bombardimeve të NATO-së më 19 maj 1999, në burgun e Dubravës ka ndodhur masakra më e përgjakshme: janë ekzekutuar e masakruar 173 të burgosur shqiptarë nga forcat serbe.

Ku është Ukshin Hoti ,biri, babai dhe vëllai ynë?- presin në ankth fëmijët dhe familja e tij. (Babanë dhe vëllanë e Ukshin Hotit i vrarë paramilitarët serbë, bashkë me 30 familjarë tjerë të tij si dhe 174 bashkëfshatarë të Krushës së Madhe të Rahovecit.)…
Ju pys juve zoti president Tadiç…

Është gjallë apo i vrarë Ukshin Hoti? - dyshojnë me plot drojë ne shqiptarë e Kosovës sot.
Shumë pyetje, shumë drojë e shumë dhembje pa përgjigje deri më sot nga e Qeverisë Tuaj,president I Serbosllavisë!

Ndërkohë z.Tadiç ,shumë të zhdukur janë gjetur të vrarë. Disa janë indentifikuar nëpër burgjet serbe, ndërsa disa janë liruar. Flitet edhe për pengje të luftës në Serbi. Marrëveshja e Kumanovës nuk përfshin çështjen e të burgosurve dhe të pengjeve të luftës.

Zoti Tadiç ,a mund të na thoni dië na thoni diç para takimeve zyrtare për Pavarësinë e Kosovës,se ç’farë u bë më trupin e prof. Ukshin Hotin ,që humbi pa nishan nga Burgu I Dubravës !!

Hesht Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Hesht Tribunali i Hagës. Heshtin UNMIK-u e KFOR-i. Heshtin asociacionet humanitare ndërkombëtare edhe pas 6 vjetë çlirimi të Kosovës!Heshtni edhe ju zoti president Tadiç! Pse?...

Zoti president Tadiç ,a dini se kush është Ukshin Hoti?

Profesor Ukshin Hoti ka lindur më 1943 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Ka mbaruar studimet pasuniversitare të shkencave politike dhe ka specializuar marrëdhëniet ndërkombëtare në universitetet amerikane të Çikagos, Harvardit në Kembrixh-Boston dhe në Uashington D.C. , më 1978-1979.

Ukshin Hoti ishte profesor i Universitetit të Prishtinës dhe publicist e politikolog i shquar shqiptar. Ai ishte autor i veprave "Lufta e ftohtë dhe detanti" ,1975 dhe "Filozofia politike e çështjes shqiptare", 1995.

Ukshin Hoti ishte veprimtar politik dhe kryetar i Partisë UNIKOMB-i të Kosovës.

Profesor Ukshin Hoti ishte ndër intelektualët më të guximshëm, më të vendosur dhe më parimorë shqiptarë.

Ai ishte ndër intelektualët më të përndjekur shqiptarë nga regjimi serb. Më 1981 është burgosur, ndërsa më 1982 është dënuar me 9 vjet burg ( ka vuajtur 3,5 vjet), për shkak se ka përkrahur publikisht kërkesat studentore për Republikën e Kosovës.

Në muajt mars e prill 1993 ka vuajtur burgim, për shkak të organizimit të homazhit për martirët e rënë.

Në maj 1993 është përgjakur publikisht nga policia serbe. Më 15 maj 1994 është arrestuar, ndërsa më 28 shtator 1994 është dënuar me 5 vjet burg, për shkak të mendimit e veprimit të lirë publik.

Intelektualët shqiptarë e kanë vlerësuar lart figurën dhe personalitetin e Ukshin Hotit.

Besoj z.president Tadiç se keni dëgjuar për Akademikun tone të madh Rexhep Qosja, i cili për z.Ukshin Hoti patë thënë : "Ukshin Hoti- ky sot është smbol i vetëdijes historike, i ndërgjegjes dhe i qëndresës së pamposhtur shqiptare.

Nuk është e çuditshme pse ky është emri më i kuptimshëm, më domethënës, më frymëzues në jetën tonë politike sot. Dhe, kjo tregon se populli ynë e çmon, ashtu siç duhet, njeriun e gatshëm për sakrifica.

Dua të besoj se Ukshin Hoti do të dijë ta mbajë si duhet domethënien gjithëkombëtare, që rrezaton sot emri i tij."

Ndërsa shkrimtari i madh Ismail Kadare ,tha: "Kam frikë se pikërisht ky nivel i lartë ka qenë edhe burim i fatkeqësisë, që e ka ndjekur hap pas hapi këtë martir...Është e papranueshme që një personalitet i një populli, pavarësisht se ç'partie i përket, ose nuk i përket, të mbahet në zinxhirë.

Është fyerje për krejt atë popull. Më fort se kurrë, kombi shqiptar ka nevojë për njerëz të aftë e me nivel të lartë. Njerëzit e zotë janë princat e vërtetë të një kombi. Për fat të keq, princat goditen shpesh në mënyrë të vdekshme."

Zoti president Tadiç, a dini ju se fati i Ukshin Hotit sot është një çështje morale e popullit serb?....dhe e gjithë njerëzimit…

Organizatat ndërkombëtare duhet ta kërkojnë profesor Ukshin Hotin te Qeveria e Serbisë, sepse në momentin e fundit ai ishte në duar të ushtarakëve serbosllavë. …

Unë si një qytetarë I Kosovës, kërkojë publikisht përgjigje nga ju, Qeveria e Juaj,sepse ai ishte i burgosur politik në Dubravë të Kosovës….
Dua të dijë nga ju zoti president,që, më në fund, nga goja e juajë të na tregosh : është gjallë apo i vrarë UKSHIN HOTI?!

Nëse mbahet peng i Kosovës- zoti president trego. Nëse e keni vrarë- sërish t trego se ku janë eshtrat e tij!

Ka shumë konventa ndërkombëtare që obligojnë për këtë,zoti president Tadiç!....

Mr.sc.Flori Bruqi nga Prishtina


Prishtinë,10 dhjetor 2005.