Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, dhjetor 17, 2005

Flori - Press: Flori - Press:

Nga Abaz Ulliri tek Edmond Malollari. 20 viktimat e krimit në Shqipëri

Ja cilët janë biznesmenët e vrarë shqiptarë për 15 vjet

Aulona KADILLARI

Tani Edmond Malollari nuk ka thjesht një të kaluar si biznesmen, ai është i njëzeti bos në listën e sipërmarrësve shqiptarë që në 15 vjet, përveç se provuan të mbushnin duart me para, patën një fund tragjik. Është një shifër shumë e frikshme, që tregon se në Shqipëri është e lehtë dhe e vështirë njëkohësisht të bëhesh biznesmen. Por vrasja e 20 biznesmenëve në 15 vitet e fundit tregon se sa të pasigurt janë ata që ju futën botës së sipërmarrjes. Nga ana tjetër, është një apel për shtetin, që më shumë se miratimi i ligjeve apo fjalimeve pa fund se janë krah biznesit, duhet që të bëjnë në fillim sigurinë e biznesmenëve. Por gjithashtu është një thirrje edhe për vetë biznesmenët, që veç qëllimit për të shumuar të ardhurat e tyre, duhet të shohin në fillim sigurinë e tyre. Madje, është për të ardhur keq që në ndonjë rast këto të ardhura nuk kanë rrjedhje nga burime të kthjellëta.
Biznesmenët
Kanë emrin e përbashkët, quhen biznesmenë, madje edhe fundin e kanë të njëjtë, ekzekutohen apo vriten për qëllime konkurrence, apo hakmarrje. Gazeta “Tiranë Observer” boton listën e të gjithë biznesmenëve të vrarë nga viti 1990, që starton me vrasjen e biznesmenit Abaz Ulliri dhe deri në vrasjen e fundit, atë të presidentit të “Tomorit”, Edmond Malollari.

Biznesmenët e vrarë pas vitit 1990 në Shqipëri

Abaz Ulliri
Biznesi: prodhim mobiliesh
Vendi i aktivitetit: Nikël, Krujë
Mosha: 45 vjeç
Gjendja familjare: i martuar, me tre fëmijë
Vrarë: maj 1995
Pistat e hetimit: aksident, vrarë për arsye të aktivitetit
Autorë: s’ka

Remzi Hoxha
Biznesi: Duralumin
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 42 vjeç
Gjendja familjare: i martuar, me pesë fëmijë
I humbur: 21 tetor 1995
Pistat e hetimit: vdekje nga rrahja
Autorë: s’ka

Shaban Fisheku
Biznesi: tregtimi karburanti
Vendi i aktivitetit: Fier
Mosha: 36 vjeç
Gjendja familjare: i martuar me dy fëmijë
Vrarë: vitin 1997
Pista hetimi: larje hesapesh
Autorë: s’ka

Stefano Rosi
Biznesi: prodhim këpucësh
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 24 vjeç
Gjendja familjare: i fejuar
Vrarë: 27 janar 1998
Pistat e hetimit: grabitje
Autorë: vëllezërit Avdillari

Koço Dado
Biznesi: tregti mallrash ushqimorë
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 47 vjeç
Gjendja familjare: i martuar, me dy fëmijë
Zhdukur: 8 qershor 1998
Pistat e hetimit: vrarë pas marrjes peng për 1 milion dollarë
Autorë: s’ka

Agim Xhixha
Biznesi: tregti karburantesh
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 45 vjeç
Gjendja familjare: i martuar, me fëmijë
Vrarë: 18 mars 2000
Pistat e hetimit: vrasje për shkak të aktivitetit
Autorë: s’ka

Ardian Çobo
Biznesi: lokale dhe president i “Tomorit”
Vendi i aktivitetit: Berat
Mosha: 26 vjeç
Gjendja familjare: beqar
Vrarë: 13 maj 2000
Pistat e hetimit: hakmarrje
Autor: Aglin Goxhi

Riza Çeço
Biznesi: tregti këpucësh
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 43 vjeç
Gjendja familjare: i martuar, me fëmijë
Vrarë: 19 dhjetor 2001
Pistat e hetimit: vrasje për shkak të aktivitetit
Autorë: s’ka

Gjergji Halo
Biznesi: ndërtim
Vendi i aktivitetit: Fier
Mosha: 49 vjeç
Gjendja familjare: i martuar me tre fëmijë
Vrarë: 12 korrik 2002
Pista e hetimit: konkurrenca
Autorë: s’ka

Sandër Gjeka
Biznesi: tregtar i materialeve të ndërtimit
Vendi i aktivitetit: Shkodër
Mosha:30 vjeç
Gjendja familjare: i martuar me dy fëmijë
Vrarë: 12 maj 2002
Pista e hetimit: për motive të dobëta
Autori:

Florian Vila
Biznesi: tregti hekuri
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 38 vjeç
Gjendja familjare: i martuar, me dy fëmijë
Vrarë: 9 prill 2003
Pistat e hetimit: konkurrencë dhe probleme personale
Autorë: s’ka

Fatmir Rama
Biznesi: kompleks, lokal, pishina dhe kartodrom
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 35 vjeç
Gjendja familjare: i martuar, me fëmijë
Vrarë: 29 mars 2003
Pistat e hetimit: Hakmarrje, borxh etj…
Autor: Lavdërim Tufa, i arrestuar

Myftar Çela
Biznesi: kompleks pularie dhe president i Vllaznisë
Vendi i aktivitetit: Shkodër
Mosha: 45 vjeç
Gjendja familjare: i martuar, me tre fëmijë
Vrarë: 14 qershor 2003
Pistat e hetimit: borxhi
Autor: Bajram Mulaj, i arrestuar

Arben Fodulli (Pojani)
Biznesi: tregtar i njohur i mishit, pronar butiqesh dhe floktoresh
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 34 vjeç
Gjendja familjare: beqar
Vrarë: 22 gusht 2003
Pista e hetimit: hakmarrje
Autorë: s’ka

Jahe Bahja
Biznesi: pronar i biznesit të peshkimit "Viv-Ar"
Vendi i aktivitetit: Sarandë
Mosha:40 vjeç
Gjendja familjare: i martuar
Vrarë: 30 tetor 2003
Pista e hetimit:
Autori: Ndreko Gjini

Vladimir Arizaj
Biznesi: duralumini
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 55 vjeç
Gjendja familjare i martuar me fëmijë
Vrarë: 3 mars 2005
Pista e hetimit: grabitje
Autori: Nik Dedndreaj, Artur Guxhaj, të arrestuar

Vajdin Lame
Biznesi:
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 35 vjeç
Gjendja familjare: i martuar
Vrarë: 28 shkurt 2005
Pista e hetimit: konflikte për shkak të detyrës që kishte kryer si drejtor policie, konkurrencë në biznes
Autorë: s’ka

Florian Kulla
Biznesi: tregtar i motorëve "Aquascooter"
Vendi i aktivitetit: Durrës
Mosha: 28 vjeç
Gjendja familjare: beqar
Vrarë:15 korrik 2005
Pista e hetimit: larje hesapesh
Autorë: s’ka

Baki Taullahu
Biznesi: tregtar
Vendi i aktivitetit: Lushnjë
Mosha: 36 vjeç
Gjendja familjare: i martuar
Vrarë: 3 korrik
Pista e hetimit:larje hesapesh
Autor: Leonard Prifti, i vrarë

Edmond Malollari
Biznesi: tregtar lubrifikantësh
Vendi i aktivitetit: Tiranë
Mosha: 34 vjeç
Gjendja familjare: i martuar me tre fëmijë
Vrarë: 14 dhjetor 2005
Pista e hetimit: hakmarrje për borxhe
Autorë: Saimir Tahullalu, Kristiano Boci, të arrestuar

Krye

Ceremonia mortore e 34-vjeçarit, e zhvilluar dje, në fshatin e tij të lindjes, Roshnik

Klubi “Tomori”, 110 milionë lekë borxh

Jonida PLAKU

BERAT - Përcillet për në banesën e fundit trupi i pajetë i Edmond Malollarit, presidentit të klubit të “Tomorit”, i cili u vra më 14 dhjetor në Tiranë. E ndërsa 34-vjeçari është ndarë nga kjo jetë, klubi i futbollit që ai drejtonte ka trashëguar të paktën 110 milionë lekë borxh. Një fakt i tillë është bërë i ditur dy ditë para se të vritej. Dje, rreth orës 10 paradite është zhvilluar edhe ceremonia mortore në prani të qindra personave të ardhur nga Tirana, Elbasani, Laçi dhe Berati. Përveç titullarëve të Beratit si prefekti Roland Bejko dhe kryetari i Bashkisë, Fadil Nasufi, në ceremoninë mortore kanë qenë të pranishëm përfaqësues të Federatës së Futbollit dhe persona të tjerë, të cilët kishin lidhje me Malollarin. Shumë nga të pranishmit ishin persona të cilët i kishin dhënë atij para për të zhvilluar veprimtarinë ekonomike e sidomos, nga fshati i tij i lindjes Roshnik apo edhe të tjerë fshatra si Bogdan, Dardhë etj., pasi kishte filluar që të merrej me tregtinë pas vitit 1990. Në ceremoninë e varrimit fjalën në emër të pushtetit vendor në Berat e ka mbajtur Xhorxhi Xhaxho, një punonjës i Bashkisë së Beratit, e cila tashmë është aksionere së bashku me Malollarin në sport klub “Tomorin” ligjërisht. Ai ka shpalosur për të pranishmit rolin e madh që ka luajtur Edmond Malollari për të aktivizuar dhe për të ndihmuar klubin “Tomori”, ndërsa kryebashkiaku i Beratit, Fadil Nasufi, i cili është edhe nga fshati i ish-presidentit “Tomori” nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me ngjarjen dhe mbarëvajtjen e klubit.
Borxhi i klubit
Klubi sportiv “Tomori” rezulton të ketë rreth 110 milionë lekë borxh nga veprimtaria e tij gjatë këtyre katër muajve të fundit, me presidencë të Edmond Malollarit. Këtë e ka bërë të ditur vetë Malollari dy ditë para se të vritej, ndërsa e ka konsideruar një gjendje normale te ekipit në kushtet kur ai ishte në rritje dhe pritej që të ndërhynte bashkia për të zbutur borxhet që kishte.
Ndërkohë, mësohet se ekipi i futbollit “Tomori” ka fatura të pashlyera në hotel “Palma” në Berat në shumën 6 milionë lekë dhe në Përmet ku pasi ka qëndruar për gati një javë është dëbuar nga pronarët e hotelit ku ishte akomoduar për mospagesë të shpenzimeve. Shumat e borxheve shtohen edhe nga kërkesat e hotelerisë në Ohër të Maqedonisë, kur një vit më parë ekipi “Tomori” ka shkuar në stërvitje njëmujore dhe nuk ka shlyer detyrimet e shpenzimeve që kapin shuma të mëdha e që janë firmosur nga ish-infermieri i ekipit, Ilir Sinani.

I ati, Hajdar Malollari: Nuk di që im bir të kishte borxhe
“Nuk kam asnjë dijeni për borxhet e tim biri. Gjithçka ia ka lënë drejtësisë dhe ajo le ta thotë fjalën e saj”. Këtë ka pohuar i ati i Edmond Malollarit në momentet e përcjelljes për në banesën e fundit të të birit të vetëm 34-vjeçar. Hajdar Malollari, i ati i viktimës, Edmondit, ka pohuar se nuk i ka ditur fare bizneset dhe marrëdhëniet e të birit me të tjerët.
Ç’mund të na thoni tani pas ceremonisë?
Nuk mund të dalloj ata që erdhën për respekt, ata që erdhën se duhej ardhur apo ata që erdhën për të shikuar. E dija dhe e prisnim një gjë të tillë e jo për fajin tonë. Por unë që jam prind më digjet shpirti e këtë vetëm prindërit e dinë dhe e vlerësojnë.
A kishit dijeni me se merrej djali juaj?
Jo, ç’ është ajo fjalë. Ku ta dija unë se çfarë bënte ai. Unë në Roshnik e ai në Tiranë e gjetkë. Nuk kam pasur ndonjë dijeni nëse im bir merrej me ndonjë tregti apo që i kishte marrë dikujt borxh. Nejse, po dua të them se shteti duhet të bëjë detyrën, duhet të marrë masa, duhet të gjejë vrasësit, duhet të gjejë shkaqet e kësaj që ndodhi. Pra, ia kam lënë drejtësisë që t’u shkojë gjërave deri në fund.
Po me veprimtaritë tregtare të djalit si do të bëni?
As kam pasur lidhje e dijeni dhe as që kam. Kështu që nuk të them se çfarë do të bëj me ato punë që nuk i di e nuk kam bërë deri më sot. Kam shpirtin te nipërit dhe më dhimbset nusja e djalit.

Malollari u ekzekutua për borxhin 100 milionë lekë
Teksa presidenti i “Tomorit” po përcillej për në banesën e fundit, policia u ka vënë pranga dy lushnjarëve të dyshuar si ekzekutorët e tij. Sajmir Tahullahu dhe Kristiano Boçi janë rikthyer brenda 24 orëve përsëri në qelitë e paraburgimit të Komisariatit Nr. 2. Burime nga policia e kryeqytetit bënë të ditur dje se për të dy të arrestuarit tashmë janë grumbulluar provat e mjaftueshme që vërtetojnë autorësinë e tyre. Të njëjtat burime shpjeguan se Boçi që është 28 vjeç dhe Tahullahu që është 34 vjeç e kanë ekzekutuar Malollarin për shkak të borxhit që u kishte që në vitin 1998.
Identifikimi
Ekzekutimi në orët e mbrëmjes teksa biznesmeni po shkonte në shtëpi, i ka bërë të mendojë oficerët gjyqësorë se ekzekutorët ia dinin mirë lëvizjet viktimës. Menjëherë, pista e parë e hetimit kanë qenë borxhet që ai mund t’u kishte të tjerëve. Sipas hetimeve, ka rezultuar se konfliktin më të madh e kishte me familjen Tahullahu, së cilës i detyrohej 100 milionë lekë. Malollari në vitin 1998 ia kishte marrë këtë shumë borxh Baki Tahullahut që u ekzekutua ditën e zgjedhjeve nga Leonard Prifti. Vëllai i Bakiut, Sajmiri, ia kishte kërkuar borxhin, por Malollari mesa duket nuk ka pasur për t’ia kthyer. Pas kësaj, Sajmiri, sipas policisë ka parë si të vetmen zgjidhje ekzekutimin e Malollarit. Të njëjtat burime shpjegojnë se dy të arrestuarit pranojnë të kenë pasur konflikt, por që janë ekzekutorë. Por policia ka informacione se ditën e vrasjes ata kanë qenë në Tiranë dhe alibia e tyre kësaj radhe nuk i shpëton dot.

Franci, top ne varrin e te atit
Ka qenë i biri i Edmond Malollarit, Franci 10-vjeçar, i cili megjithëse kalonte momente hidhërimi gjatë varrimit të të atit ka mbajtur në dorë një top futbolli dhe e ka hedhur mbi arkivolin e të atit para se mbi të hidhej dheu. Djali i tij, së bashku me vëllain e vogël 8-vjeçar, Klajdin, dhe të ëmën, Aurela, kanë marrë pjesë në përcjelljen e fundit të Malollarit(Tirana Observer)