Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e premte, dhjetor 16, 2005

Floart,Flori-Pres,Art-cafe

Intervista/ Flet zëvendësministrja e Punëve të Jashtme

Edith Harxhi: Ja çfarë nuk njohin njerëzit tek unë

Najada Selmani

Zëri i saj krijon një disharmoni me ambiciet që tregon, duke folur për gazetën "Tirana Observer". Edith Harxhi rrëfen me një zë të brishtë se cila ka qenë jeta e saj gjatë këtyre viteve që ka jetuar larg atdheut, ndërsa veçon se Kosova ka qenë një eksperiencë e madhe pune dhe profesionalizmi. Me krenari thotë se është vajzë tiranase dhe gjithashtu petroninse. Por kur flet për studentët e dhjetorit, ajo thotë se ka qenë një ndër të parat në radhë, e që ka vijuar më tej me grevën e urisë, protestën kundër diktaturës komuniste në vend. Jo më larg se dy ditë më parë, Harxhi u emërua zëvendësministre e Jashtme, duke mbyllur kështu një herë e mirë "gojët e liga", që ndoshta indirekt ndikuan në mos dekretimin e saj si ambasadore e Shqipërisë në Uashington. E ndërkohë, vetë pohon se ka investuar për këtë ditë dhe se diplomacia është profesion i saj, e se do t'ia dalë mbanë të realizojë programin e qeverisë.
Cila është jeta e Edith Harxhit?
Ajo çka e ka përgatitur atë të jetë kjo që është sot? Unë kam lindur në Tiranë. Më takon të them që jam vajzë Tiranase, jam bijë e dy prindërve intelektualë. Kam mbaruar shkollën e mesme po në Tiranë. Përfundimi i shkollës së mesme ka përkuar me një moment të rëndësishëm historik për Shqipërinë, që ishte dhe fillimi i thyerjes së "perdes së hekurt", rënies së komunizmit, pra në fillim të viteve '90. Siç thonë shumë bashkëmoshatarë të mi të asaj kohe, edhe unë po them se jam petroninse. Kam marrë pjesë në lëvizjen studentore, më vjen keq që këtu në Shqipëri nuk është vlerësuar asnjëherë ashtu si duhet gjatë kësaj periudhe. E them me krenari shumë të madhe se kam qenë pjesëmarrëse e asaj lëvizjeje, sepse ka qenë një moment historik për Shqipërinë. Dhe kam marrë pjesë që në ditën "a" të saj, që në ditën e parë kur është bërë mbledhja e famshme me studentët e arteve. Më pas kam vazhduar me grevën e urisë dhe kam vazhduar të angazhohem deri ditën kur kam ikur nga Shqipëria në vitin '92 për në Britani të Madhe. Nga aktivizimi im në lëvizjen studentore dhe në grevën e urisë, nuk kam pasur aktivitet tjetër politik në Shqipëri. Në fund të vitit 1996 kthehem nga Britania e Madhe, pasi kisha mbaruar për Shkenca Politike. Aty është një diplomë e përbashkët dhe kam mbrojtur në të njëjtën kohë dhe temën e masterit, që erdhi menjëherë pas mbarimit të shkollës që është "Master of Harts" në Shkenca Politike. E kam mbrojtur me një temë shkencore, e cila ka qenë tema e nacionalizmit, me një profesor i cili është një nga emrat mjaft të shquar të botës sot për sot, në teorinë nacionaliste Tom Nern. Jam kthyer në Shqipëri në vitin 1996, pasi më ishte ofruar doktoratura në Universitetin e Edinburgut. E kam ngrirë doktoraturën për një kohë pa afat, thjesht me idenë e mirë për t'u kthyer në Shqipëri dhe ato dije që kisha marrë t'i jepja këtu. Isha në moshën 26-vjeçare, në kohën më pasionante të idealizmit që mund të ketë një njeri kur kthehet me ideale shumë të mëdha dhe që në momente të caktuara ndodh zhgënjimi i vërtetë.
Kur u kthyet nga jashtë shtetit, me çfarë pune u morët këtu në Shqipëri?
Jam kthyer në vitin 1996 dhe kam punuar këtu në Ministri të Jashtme në sektorin Turqi - Greqi. Si duket, puna ime akademike në çështjen e Ballkanit bëri që të isha shumë e afërt me çështjet rajonale të politikës së jashtme, e për këtë arsye u vendosa dhe në këtë sektor. Më tej, si pak njerëz të cilët kishin dalë nga Shqipëria më 1992-shin, unë përjetova 1997-ën në Shqipëri. Për mua kjo ka qenë një eksperiencë e pakrahasueshme, sepse e kam përjetuar pikërisht në këtë ministri, kam qenë pjesë e këtij stafi. Në prill të vitit 1997 jam larguar për në Ankara, ku më kanë caktuar si këshilltare politike pranë ambasadës sonë atje dhe e kam mbajtur këtë funksion deri në maj të viti 1998. Gjatë kësaj periudhe atje merresha me pjesën politike dhe krijova për herë të parë Shoqatën e Parë Studentore të Shqiptarëve në Turqi. Gjatë gjithë këtyre viteve kam diskutuar shumë për çështjen e diasporës. Në vitin 1998 jam kthyer në Tiranë, sepse më kanë kërkuar që të kthehem në Ministrinë e Jashtme. Kam bërë dorëzimet dhe më është thënë që duhet të shkoj për një pushim të gjatë. Ç'ndodhi me jetën e Edith Harxhit pas këtij momenti? Jam larguar nga Shqipëria, sepse kur u ktheva ndenja vetëm dy javë dhe më pas kam transferuar doktoraturën nga Universiteti i Giliburgut në Universitetin e Vilkentit. Aty kam dhënë sistemin e doktoraturës në Universitetin e Vilkentit në Ankara, sepse studenti që mbron doktoratën është me titull shkencor e është me orar të plotë. Unë jam marrë me kërkim shkencor dhe jam fokusuar në çështje të politikës së jashtme të rajonit. Kjo ka përkuar me periudhën kur gjendja në Kosovë ka qenë mjaft e acaruar dhe më ka dhënë një dorë të mirë për të shkruar, për t'u marrë me studime akademike, të cilat janë A, B dhe Z e kërkimit shkencor. Dhe kam shkruar mjaft studime në lidhje me politikën e jashtme të rajonit. Kam shkruar edhe në shtypin turk në atë kohë, në gazetën "Turkish Dejli Njuz", në revista ndërkombëtare dhe kam marrë pjesë në konferenca po ndërkombëtare. Më pas, në vitin 1999 jam ulur për të përfunduar një libër timin të dytë, i cili është i shkruar në anglisht dhe është i pabotuar ende. Në atë kohë kam fituar të drejtën e botimit nga shtëpia botuese angleze "Makvelen", e cila ka botuar edhe libra të tjerë të njohur. Pikërisht kur kam nënshkruar kontratën me këtë shtëpi botuese fillova punë në Kosovë dhe për shkak të detyrimeve që punonjësit ndërkombëtarë kanë ndaj Kombeve të Bashkuara nuk munda ta bëja botimin e librit tim, sepse nuk lejoheshin të bëheshin botime gjatë periudhës që shërbeje si diplomat ose si përfaqësues i Kombeve të Bashkuara.
Çfarë bëtë më pas me librin tuaj? A e botuat atë?
Jo. Për momentin ende nuk e kam botuar, për arsye sepse tani nuk jam më studiuese, jam zyrtare e shtetit shqiptar, kështu që një ditë ndoshta, në të ardhmen, pasi të ketë dhe disa alternime të tjera, do të tentoj ta botoj librin përsëri, pasi edhe ofertën nga shtëpia botuese e kam të hapur. Ky ishte një libër dhe studim akademik, në të njëjtën kohë gjysma e tij ishte për Kosovën. E kështu, në qershor të vitit 2000, u nisa për një vizitë private njëjavore në Kosovë dhe më ndodhi që aty pata një ofertë nga misioni i Kombeve të Bashkuara që të punoja si zyrtare ndërkombëtare e këtij misioni në Kosovë. Këtë ofertë e diskutova dhe e mendova gjatë dhe në fund mbeta në Kosovë. Kam punuar për pak kohë në Departamentin e Drejtësisë dhe më pas lëviza në një moment tjetër pranë zëvendësshefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara, i cili ishte një njeri mjaft i njohur në Kosovë dhe në të njëjtën kohë ka qenë dhe përkthyes i Gabriel Garsia Markezit, në Gjermani. Pra shërbeva pranë tij si këshilltare politike për rreth tre vjet. Mbulova sektorin më të rëndësishëm, që ishte sektori social dhe ai minoritar. Më tej, m'u ngarkua një detyrë e re, e cila ishte barazia gjinore në të cilën punova rreth një vit e gjysmë, por që ishte sërish brenda këtij rrethi. Ndërkohë, pata mjaft bashkëpunime, si hartimi i ligjit të statutit të Kosovës që është firmosur nga Petersen dhe që është miratuar nga Parlamenti i Kosovës. Kjo është një nga arritjet e mëdha që kam pasur, përveç asaj që kam qenë eksperte në grupin ndërkombëtar për krijimin e Kushtetutës së Kosovës. Jam shkëputur në tetor të vitit 2003, për arsye personale dhe mora në këtë moment një drejtim akademik. Fillova që të ligjëroj ose si i thonë, të jap leksione në Universitetin e Prishtinës për Shkenca Politike e Politikë të Jashtme. Ndërkohë, në shtator të vitit 2004 jam pranuar nga UNDP si konsulente ndërkombëtare, ku jam atashuar pranë kryeministrit të Kosovës si këshilltare për politikat e sigurisë. Kam shërbyer me të tre kryeministrat e Kosovës dhe kam filluar pikërisht me ngritjen e platformës së sigurimit në Kosovë, me transferimin e kompetencave në fushën e sigurisë, që është një nga momentet më kyçe në Kosovë. Natyrisht, kjo e gjitha është bërë në bashkëpunim me UNMIK-un.
Si ndodhi që ju u rikthyet në Shqipëri?
Më 30 shtator 2005 kam kërkuar dorëheqjen nga UNDP-ja për t'iu përgjigjur thirrjes së liderit të Partisë Demokratike në atë kohë dhe sot kryeministrit, për kthimin e trurit në Shqipëri. Plus që edhe në vetvete e ndieja detyrim moral ndaj Shqipërisë, që kisha shumë vite që punoja në Kosovë dhe më dukej se e kisha lënë pas dore vendin tim. Doja të bëja një kthim në atdhe dhe tani jam këtu, kur më është komunikuar dje (pardje) posti i zëvendësministres së Jashtme. Drejtim ky për të cilin unë kam investuar shumë gjatë këtyre 15 viteve. Në Shqipëri, në janar të vitit 2005, filloi lëvizja e kthimit të disa të rinjve që kanë qenë larg për vite me radhë, kjo që me krijimin e KOP-it. Natyrisht që në ato momente nuk kisha mundësi të ndërprisja kontratën, pasi isha në kulmin e përgatitjeve të platformës së sigurisë në Kosovë. Oferta për t'u kthyer në Shqipëri ka qenë thirrja e kryeministrit, për këtë unë jam ofruar, dhe kam kërkuar detyra ose poste. Por më janë ofruar dhe detyra si këto të fundit. Kështu që për mua ka qenë një gjë e natyrshme kthimi, sepse ka qenë një kthim i pritshëm, dhe kur pashë që disa miq të mi, shokë të mi, bënë dhe ata një kthim të mundshëm në Shqipëri, kuptova që duhej një kthim në vend. Kuptova që gjërat po shkonin në vendin e duhur dhe mendova se ishte momenti më i mirë për t'u kthyer e për të shërbyer për një kohë të caktuar në Shqipëri. Unë nuk kthehem në Shqipëri si politikane, por kthehem në vend vetëm si profesioniste, kthehem vetëm për t'i dhënë Shqipërisë diçka nga ajo çka unë kam përfituar këto vite. Dhe gjithçka ka qenë shumë e natyrshme.
A mund të na thoni diçka nga jeta juaj jashtë punës?
Jam një natyrë shumë sociale dhe përherë përpiqem të ruaj një komunikim të mirë me të gjithë. Jam nga ata njerëz që kërkoj përherë të bëjë ambient me miqtë kudo që shkoj. Bëj jashtëzakonisht mbledhje miqsh në shtëpinë time, jam altruiste në këtë aspekt, duke kaluar dhe caqet. Në vitin 2001 kam bërë disa pritje në shtëpinë time për parlamentarë të Kosovës. Një herë kam ftuar në shtëpinë time të gjitha anëtaret gra të Parlamentit të Kosovës, që kanë qenë gjithsej 30 deputete femra. Kam bërë herë pas herë koktej të tillë. Jam organizuese e tri festave kombëtare të Prishtinës. Përveç kësaj, në moshën 16 - 17 vjeç kam dhënë tri koncerte private në Pallatin e Operës dhe Baletit me kitarë. Nëse do të pyesni njerëz të brezit tim, ata do të më mbajnë mend në kohën kur kam dalë për herë të parë. Kam dalë me këngë angleze të Frenk Sinatrës dhe të Riç Hajllsit. Dhe të mendosh se ka qenë gjithçka tabu në atë kohë. Dhe sot e kësaj dite vazhdoj e luaj me kitarë, ashtu si kam dhe një hobi tjetër që e ndaj me tim shoq, udhëtimet. Në të njëjtën kohë jam shumë e përqendruar në letërsinë me sfond historik, por pa lënë pas dore letërsinë e mirëfilltë. Natyrisht që studimet albanologjike dhe letërsia historike janë shumë të rëndësishme për mua.
Mbani mend kush ua ka dhënë mësimet e para në kitarë?
Kam marrë mësime private që në moshën 6 vjeçare në solfezh, nga pianistja e shkëlqyer Vali Kaleci, më pas në moshën 12-13 vjeç nga një kitarist shumë i mirë, që tani është larguar nga Shqipëria dhe quhet Laert Stefanidhi. Mbaj mend që një nga koncertet që kam dhënë unë ka qenë dhe dalja e parë në skenën artistike në Shqipëri për Mira Konçin. Në formimin tim të përgjithshëm kanë ndikuar disa faktorë e faktori determinant ka qenë edukata familjare që kam marrë. Kam dy prindër intelektualë, im atë është mjek, ndërsa nëna ime është një mësuese e njohur e gjuhës angleze në Tiranë, në shkollën "Naim Frashëri". Jam mbesë e dy gjyshërve, të cilët për brezin e tyre kanë qenë mjaft të njohur, profesor Qazim Bajrami, një njeri i shquar i letërsisë në Shqipëri dhe autor i mjaft teksteve të letërsisë së huaj, përkthyes dhe Xhevat Harxhit, i cili ka punuar rreth 17 vjet në SHBA pranë organizatës "Vatra" në Boston. Ai ka punuar me Fan Nolin dhe ka qenë një mik i Faik Konicës. Kjo është prejardhja ime e unë nuk mund të jem ndryshe nga prindërit e mi. Në anën tjetër është dhe mënyra se si jam rritur: jam rritur me sportin e volejbollit, edhe pse tani nuk duket shumë, jam rritur me kitarën, me letërsinë e me gjuhët e huaja. Natyrisht që gjuhën angleze e kam nisur që herët, ndoshta kur kam lindur, nëna ime më ka folur anglisht. Pastaj italishten, të cilën e kam kujtim nga gjyshi im, i cili ka përkthyer disa autorë të shkëlqyer të letërsisë italiane. Frëngjishtja dhe natyrisht turqishtja, të cilën e kam mësuar se kam një bashkëshort turk, por me nënshtetësi shqiptare, dhe këtë gjuhë e kam mësuar edhe sepse kam jetuar në Ankara.
Je përballur me shumë sulme qe të janë bërë. Në të njëjtën krballunjë grua e re në këtë post, a mendon se do t'ia dalësh mbanë?
Absolutisht që po. Mendoj se nuk duhet të më bëhet mua kjo pyetje, sepse unë jam hartuese e ligjeve të barazisë gjinore dhe e vë pikën mbi "i" për sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me ngritjen e rolit të gruas në Shqipëri të çfarëdolloj shoqërie. Është e padiskutueshëm që me lëvizjet sociale dhe demokratike sot nuk më duket aspak sfiduese kjo. Dhe mendoj se është një detyrë që si ia dalin mbanë meshkujt do t'ia dal edhe unë pa diskutim.
Çfarë do të thoni sot për ata që kanë kundërshtuar kandidaturën tuaj?
Diplomacia është një profesion delikat. Por, në të njëjtën kohë nuk është e specializuar si mjekësia, diplomacia është një dhe je diplomat si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. Je diplomat si në funksionin e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme ashtu edhe si ambasador në të njëjtën kohë. Ky është ai kredibiliteti që ofron diplomacia në përgjithësi, kështu që për mua nuk ka asnjë lloj ndryshimi. Dhe e dyta jam në profesionin tim, unë kam investuar gjithë këto vite. Po të kisha pasur ndërmend të hyja në politikën e përditshme, do të isha kthyer më përpara. Ajo çfarë ka ndodhur gjatë dy muajve të fundit, për mua është një histori e kaluar, sepse unë jam një tip që shikoj gjithmonë, përpara nuk lexoj pas. Prioriteti im si zëvendësministre e Punëve të Jashtme do të jetë zbatimi i programit të qeverisë.

Huazuar nga "Tirana Observer"