Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, nëntor 14, 2005

A UDHËHIQET KOSOVA NGA DILETANTË POLITIKË?

Shkruan: Ph.D. Skënder PRISHTINA

Të gjithë jemi të vdekur - thotë Rifat Kukaj - prandaj i mençur është ai që e kupton këtë më herët dhe jeton me nder.

Të ngjallë krupë politika kosovare shqiptare. Së paku mua. Në të vërtetë, pështirosja që shfaqet kur shoh "politikanët" tanë të bëjnë politikë është e papërshkrueshme. Sot, në çastet më kritike për Kosovën zgjedhjet politike bëhen nga njerëz që nuk marrin fare erë nga shkencat politike ose nga filozofia e politikës dhe që kurrë nuk kanë shfletuar ndonjë libër nga Rawls-i, Nozick-u ose nga Kung Fu Ce-ja. Madje shumë prej tyre s'do të kenë dëgjuar as për Republikën e Platonit ose për Politikën e Aristotelit. Si mund të kërkohet një Kosovë evropiane, e pavarur dhe demokratike e bazuar në shtetin e së drejtës kur emrat si Locke, Hume, Berkley, Hobbes, Rouseau, Tocqueville janë pothuajse të panjohur nga pjesa dërrmuese e politikanëve tanë. Madje edhe vetë kuptimi i fjalës politikë është i panjohur për ta. Ata, posaçërisht ministrat tanë, më shumë parapëlqejnë të bëjnë politikë odash sesa të merren seriozisht me teoritë moderne të politikës që kanë trajtësuar shtetin modern të së drejtës. Si mund të synohet integrimi në BE a në çfarëdo strukture veriatlantike kur nuk njihen as hollësitë elementare për bazat mbi të cilat është e ndërtuar Evropa ose Amerika? Si mund të kemi një diplomaci të mirëfilltë, kur "diplomatët" tanë nuk marrin fare erë nga ky art i vjetër i menaxhimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kështu p.sh. si përfaqësues i Kosovës në paktin e stabilitetit caktohet personi që ndoshta nuk e di se kur është themeluar ky pakt dhe për të cilin nuk dihet se interesat e kujt i përfaqëson, të Kosovës apo UNMIK-ut. Pastaj, çfarë kriteri është përdorur në zgjedhjen e ministrave: kultura e tyre politike, profesionale apo ndoshta ata i ka zgjedhur Adelina Ismajli?

Sa merr vesh, ta zëmë, ministri Brajshori nga pop-arti a nga muzika e pianistes japoneze Takashi? Ose ministri Krasniqi. Ndoshta shërbimet publike janë trashëgimi nga përvoja e tij në UÇK! Ose ndoshta ministri Baliq mendon t'i shndërrojë mjekët tanë në muxhahedinë? Edhe ministri Sadriu më mirë do të bënte të merrej me ekonominë dhe tregun e fyejve sesa të një shteti. Ose si mendon ministri Osmani të zhvillojë një sistem modern arsimor kur ai vetë është i paaftë të kuptojë se Kosova është në një gjendje paslufte dhe mbase një milenium mbrapa standardeve të arsimit perëndimor? Pastaj edhe kryeministrit Rexhepi më shumë do t'i kishte hije roli i foto-modelit sesa ai që kryen sot. Potezat e tij politikë janë më shumë të një diletanti sesa të një politikani serioz. Edhe kryetari Rugova do të bënte më mirë të tërhiqej në një nga ato katedralet e Vatikanit dhe të luste Zotin për pavarësi nga rakia.

Shumëkush do të kundërargumentonte me shembuj nga politika botërore, siç janë Regani, Joshka Fisheri, etj, që nuk kryen ndonjë shkollë politike për t'u bërë politikanë. Ngase politika më shumë është një shkathtësi e lindur sesa e fituar. Mirëpo që një popull të prodhojë politikanë të lindur, me aftësi të trashëguara, duhet të ekzistojë një traditë e thellë politike dhe filozofike brenda atij populli. Zakonisht, figura të mëdha lindin nga gjiri i popujve me traditë të gjatë filozofike. Edhe pse gjithmonë gjenden përjashtime. Por, si të bëhet me ne që nuk kemi fare traditë filozofike? Ç'të bëhet me ne që ngecim qindra vjet nga bota e zhvilluar në çdo aspekt të filozofisë dhe kulturës? A është e justifikueshme të prodhojmë një politikë narcisoide? Si mund të jemi të kënaqur me një gjendje të tillë kur politikisht qëndrojmë larg synimeve tona për mëvetësi, kur kultura jonë është e stërmbytur me antivlera, kur tradita filozofike është nonekzistente, kur sociologjia, psikologjia janë pothujase të vdekura, kur shkenca është vetëm nëpër libra të dalë mode, kur ekonomia jonë është në fazën e industrializimit të shekujve 18 dhe 19?

Një kritikë e tillë nuk është për t'u dëshpëruar, por për t'u ndërgjegjësuar. Ngase është bindje imja e thellë se Kosova është në gjendje të mjerë jo pse Serbia a Rusia, a Kina bëjnë çmos për të penguar procesin e pavarësimit, por sepse ajo udhëhiqet nga njerëz pseudointelektualë që nuk marrin fare erë nga politika dhe që më shumë preferojnë të masturbojnë me fotografitë e tyre sesa të kuptojnë se janë përgjegjës për fatin e tërë një populli dhe se një ditë do të japin llogari për shpërfilljen e tyre. A nuk është shpërfillje flagrante e interesave kombëtare ajo që ndodhi së voni me Mitrovicën me bekimin e udhëheqësve tanë politikë. A nuk është shpërfillje ajo që ndodhi me Debëlldenë? A nuk është shpërfillje politike që një prej popullsive më homogjene në Evropë të "shndërrohet" në shoqëri multietnike? A nuk është shpërfillje që shumë nga diletantët tanë politikë e mendojnë pavarësinë si diçka të kryer, madje flasin për fazën pas pavarësisë? A nuk është groteske si heshtet në mënyrë perfide fakti se askush nuk përkrah shtetësinë e Kosovës, madje as miqtë tanë amerikanë? Pse politikanët tanë u hedhin pluhur syve të popullit duke fshehur të vërtetën se të gjithë janë kundër pavarësisë së Kosovës. Përveç atyre që marrin rroga të majme nga lobi shqiptar.
Prandaj është koha kur Kosovës i duhen politikanë të mirëfilltë dhe një politikë e sinqertë e bazuar në parimet e vetëkritikës dhe, para së gjithash, një politikë profesionale e zbatuar nga ekspertë a jo nga njerëz të zgjedhur me turli kritere të provincializmit politik. Deri më tani, diletantizmi i rëndë politik i pasluftës i ndihmuar nga UNMIK-u ka krijuar iluzionin se pavarësia është çështje formaliteti dhe se politikanët tanë të mençur të gurrës popullore do të fusin Kosovën në Evropë sa çel e mshel sytë.

Mos është ky një vështrim tejet pesimit? Ndoshta! Gjërat duken më mirë se që kanë qenë, mirëpo ardhmënia nuk duket edhe aq e favorshme. Mirëpo një gjë është e vërtetë: vuajmë nga diletantizmi, në politikë dhe më gjerë. Prandaj, dediletantizimi i politikës sonë dhe kulturës sonë në përgjithësi është mëse i nevojshëm. Dhe hapi i parë: Objektiviteti dhe vetëkritika.

Është gjithmonë më së lehti të kërkohet fajtori për të metat tona diku tek tjetri, të projektohet faji jashtë nesh, por më së vështiri është të ndalesh dhe të vështrosh brenda. Vetëkritika kërkon ndërgjegjësim që then kufijtë e interesit personal. Çasti kritik në të cilin ndodhemi si popull e bën të menjëhershme dhe të domosdoshme vetëkritikën radikale të qenies sonë kombëtare, të ndërgjegjes sonë të fjetur njerëzore dhe të politikës sonë që vuan nga diletantizmi i rëndë. Prandaj është koha të jemi të sinqertë me veten tonë, të kuptojmë realitetin ashtu siç është, të kuptojmë se reforma duhet të nisë brenda nesh e jo duke ngjyrosur fasadat e ndërtesave të vjetëruara. Na duhen politikanë të sinqertë që do të na e tregojnë të vërtetën në tërë lakuriqësinë e vet, pa e mbuluar dhe pa e zbukuruar. Dhe, para së gjithash, politikanë që janë të gatshëm të flijojnë interesat e tyre partiakë dhe pozitën e tyre kur është në pyetje interesi kombëtar. Në të kundërtën, do të paguajmë rëndë.