Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e martë, nëntor 29, 2005

Studiuesit shqiptarë në takimin e shoqatës nderkombëtare të neuroshkencës
Astrit Lulushi,Washington



Në Uashington përfundoi këto ditë takimi i 35 vjetor i shoqatës së neuroshkencës me pjesmarrjen e mijëra hulumtuesve të neurologjisë nga mbarë bota. Shume prej tyre sollën në këtë takim arritjet gjatë një viti të punës kërkimore në këtë fushë të shkencës. Në takim kishte edhe studiues e shkencëtarë shqiptarë që me punimet e tyre në fushën e neurologjisë përfaqësonin universitete të ndryshme amerikane.

Besohet se 25 deri 50 përqind e kodit gjenetik të njeriut gjen shprehje në tru e në sistemin nervor. Kjo sikur tregon edhe rëndësinë e neuro shkencës, e cila përpiqet të shjegojë se si funksionon truri, duke marrë në shqyrtim fushat tradicionale të mjekesise si anatominë, biokiminë e psikologjinë, për t'i integruar ato me fushat më të reja siç jane biologjia molekulare dhe shkencat kompjuterike.

Ky është një insekt robot, ku rolin e trurit e luajnë 8 neurone elektronike të programuara për çdo lëvizje. Xhill Rogers, një nga projektueset, thotë se ky robot përdoret në shkolla për femijë 6 deri 9 vjeç, për t’u shpjeguar atyre në forma të thjeshta e të kuptueshme se edhe neuronet e trurit luajnë të njëjtin rol, duke kontrolluar lëvizjet e duarve, këmbëve, gojën, sytë dhe te gjitha keto të së bashku ose veças krijojnë atë që quhet sjellje e njeriut.

Kjo është pamja e trurit e parë në mikroskop dhe e zmadhuar disa herë në këtë ekran kompjuteri. Programi kushton rreth 5 mijë dollarë, shumë realtivisht e përballueshme për laboratorët që merren me studimin ose diagnostikimin e sëmundjeve, thotë shkencëtari.

Këtu eshte ekspozuar nje komplet instrumentesh, arritje të fundit të shkencës dhe teknikës, që perdoren gjatë eksperimenteve me kafshët në laborator.

Ndërsa me këtë paisje të re laboratorike, mund të analizohen deri në 16 mostra njëherësh, thotë ky shkencëtar, që ka ardhur nga Danimarka për të paraqitur shpikjen e tij.

Pra takimi i neurologeve nga mbarë bota shërben jo vetëm për shkëmbime të ideve, por edhe për të treguar mjetet për zbatimin e tyre në praktike.

Shkencëtari i ri shqiptar Ekrem Maloku, nga Vushtria e Kosovës, ka më se një vit që merret me punë kerkimore në universitetin shtetëror të Ilinoit në Çikago. Doktor Maloku në bashkëpunim me një grup hulumtuesish nga ky universitet ka veçuar enzimën që mendohet se është përgjegjëse për simptomat e skicofrenisë.

Pjesmarrësit në këtë takim duket se janë kryesisht nga vende të njohura për përparime në fushën e neuroshkences. Doktor Ekrem Maloku thotë se kërkimet në fushen e neurologjise janë të kushtueshme dhe gjithashtu kërkojnë një infrastrukturë tepër të zhvilluar të sistemit mjekësor. Kjo ndoshta është edhe arsyeja qe specialistë neurologë nga Shqipëria e Kosova kane ngurruar të marrin pjesë në këtë takim në Uashington.

Planet e ketij shkencëtari te ri nuk mbeten vetëm në rafshin kërkimor. Doktor Maloku thote se nga Kosova është larguar vetëm për të fituar përvojë profesionale, dhe ka në plan të kthehet sepse vendi i tij ka shumë nevojë për vlerat perendimore edhe ne fushën e shkences se mjekësise

Konferenca e shoqates së neuroshkencës zhvilloi punimet nga data 12 deri më 16 nëntor. Ajo u përshkua edhe nga nje mosmarreveshje. Shkaku ishte kur udhëheqësi shpirtëror i Tibetit, Dalai Lama i ftuar për të mbajtur fjalën e hapjes, tha se neuro shkenca ka gjera mjaft të afërta me meditimin, praktikë fetare e ushtruar nga budizmi. Këto komente u pritën me reagime nga rrethe neurologesh, të cilët e shohin fenë si diçka shpirtërore dhe abstrakte dhe gjithmone përpiqen të mbajnë larg çdo interpretim mistiko-fetar të shkencës së tyre, që bazohet vetëm në fakte e rezultate konkrete.