Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e mërkurë, nëntor 02, 2005

SKENDER LUARASI dhe GJOVALIN LUKA - perballja dhe debati mbi Migjenin
Vazhdim i nje debati mbi Migjenin, me zanafille ne vitin 1954 me botimin e librit Migjeni VEPRA
pergatitur nga Gjovalin Luka.
Shkruar nga AGRON LUKA
i biri i studiuesit te persekutuar GJOVALIN LUKA vdekur ne moshen 59 vjecare me 15 janar 1980
Zbulohen: diskutim-kritika origjinale e Skënder Luarasit më 1954 dhe përgjigjia e Gjovalin Lukës
“Syndyqet misterioze” të vitit 1954 dhe alibitë e mëvonëshme të S. Luarasit & testamentarëve letrar të tij.
Ky shkrim është vazhdimi i një debati e polemike të vjetër të vitit 1954, i rënduar edhe më tej me akrobacira e akuza shpifëse më 1956-1957-1961 etj, nga Skënder Luarasi ndaj Gjovalin Lukës.
Në Mars të vitit 1954, doli në qarkullim libri Migjeni “VEPRA”, Mbledhë dhe shpjegue nga Gjovalin Luka. Me atë rast në “Lidhjen e Shkrimtarëve” ishte caktuar që të bëhej prezantimi, si dhe kritika e cila i ishte ngarkuar Skënder Luarasit. Një kopje e “Kritikës” së S. Luarasit, sipas rregullit, iu dërgua Gjovalin Lukës, për të bërë mbrojtjen. (Tani së fundi ne i kemi gjetur këto dy dokumente, sëbashku me materiale të daktilografuara të poezive e prozave të Migjenit etj.)
Siç na thuhet nga djali i S. Luarasit, babai i tij ia kishte lënë të shkruar kritikën që kishte mbajtur më 1954, madje edhe me një lloj “amaneti”. Në debatet e replikat që pata në shtyp, në vitin 2003, me artikujt e Dashnor Kaloçit, të Petro S. Luarasit dhe me librin e Angjelina Ceka (Luarasi), unë nuk kisha ndonjë material origjinal për atë kritikë të vitit 1954, dhe për përgjigjen e Gjovalin Lukës. Kisha një farë dijenie se dikur me gjallje të babait kisha lexuar diçka për atë çeshtje. Kështu kërkova në një dosje të veçantë ku ishin ruajtur në dorëshkrime e daktilografime puna origjinale për Migjenin. Por aty, e as në disa kërkime të tjera nuk i gjeta. Sidoqoftë, diçka jam orjentuar me atë ide në përgjigjen time. Për të qenë korrekt e ftova palën akuzuese se mund t’ia vinja në dispozicion verifikimi materialet tona, për t’u bindur me punën e pavarur, korrekte e origjinale të Gj. Lukës. Gjithashtu me të drejtë i kërkova dy Luarasëve, në se fjalët e cituara të Skënder Luarasit për kritikën e 1954 (dhe ato për kokë uljen e babait tim dhe kërkesë faljen për plagjiaturë etj…) ishin nxjerrë nga dokumentet e rregullta të Lidhjes së Shkrimtarëve, apo në se ato citoheshin sipas kujtimeve e shënimeve të lira dorëshkrimore apo të daktilografuara më vonë nga Skënder Luarasi. Mirëpo në këtë pikë ata mbajtën heshtje të plotë!
(shih “Gazeta Shqiptare”, dt.15,16,17,18,19, 20 prill 2003, Dashnor Kaloçi, serial me 6 copë dy faqëshe të mbrendëshme, kaluar edhe në internet, ku sulmonte mbarë e mbrapsht sidomos “grupin komplotist” Dh.S.Shuteriqi, Gjovalin Luka, Vehbi Bala etj Kjo gazetë sipas marëveshjes Kaloçi-P.S. Luarasi nuk e pranoi replikën time, megjithse e kishte për detyrim!; Përgjigjia jonë, në RD, 27 prill 2003 dhe 29 prill 2003; reagim P. Luarasi cit.; Mosbotim nga RD i përgjigjes sonë me urdhërin e A. Patozit; Përgjigje nga ne P. Luarasit, në gazeta “Shkodra”, 8 maj 2003, f 6-7, “O Petro intelektuali: mos i kthe bragashet si mustaqet e Çelo Picarit”; Përgjigje zbutur e P. Luarasit në gaz. Shkodra dhe një telefonatë pendese, dërgim i disa materialeve familiare me lavdërata të Skënder Luarasit në adresën e Gj. Lukës dhe e një vjershe të Petros me dedikim, “O Agron miku a ra Dulla nga fiku”!; Në këtë debat u përfshi edhe gaz. DRITA, që shkroi edhe për “atentate letrare” e për “shtrirje dore”; Petro Luarasi e ka vazhduar solo polemikën me disa “X”-“Y”, me një lloj peshqeshi të një ish nxënësi “monarkist-republikan” te “55” dhe me një nga ata “mbrojtësit ortodoksë” të tipit të “Trajtave të Mbinjeriut”…)
Në lidhje me diskutimin e vitit 1954, Petro S. Luarasi shkroi:
“Diskutimi i S. Luarasit” (2/4/1954)
Vepra e Migjenit është e redaktuar nga Gj. Luka, i cili përligj thëniet që “Migjeni si ri, nuk qe edhe aq i arrirë në gjuhën e tij të pasur. Si duket Gjovalin Luka e ka pranuar këtë pikpamje dhe është përpjekur t’a zbatojë në veprën e Migjenit. Dhe kështu ngjet që novelat që dalin sot në dritë për të parën herë, vetëm nëpër 32 faqe (f. 128-160) hasim jo më pak se 500 ndryshime prej origjinalit, të cilat do të kërkonin 15 faqe të tjera për të vënë në “ndreqje gabimesh”. Materiali është 6 faqe me shembuj gabimesh. Si e gjeti të drejtën Gj. Luka për të ndryshuar origjinalin e Migjenit!…”
(Cit. sipas Petro S. Luarasi, “A e “korigjoi” Gjovalin Luka veprën e Migjenit “të dhuruar” nga S.Luarasi”, “RD”, 30 Prill 2003, f 13.)
Në këtë gjoja kundëreplikën e sipërcituar z. Petro shkroi me një stil tepër arrogant e cinik që e meritonte pak si ndryshe…! Nga halli e akuzoi edhe ortakun Dashnor Kaloçi, të cilit realisht ai vetë ia kishte dhuruar thuajse të gatshme “Veprën Madhore”, se “i kishte bërë pasaktësi, shkurtime dhe cungime”. Aq qe trimëruar, sa që e pozicionoi S. Luarasin kundra të gjithëve, duke shtuar… edhe Koliqët, Gurakuqët, Elsjetë, Pipat, si “guzhinjerë profesionistë që ia kishin helmuar jetën Migjenit”! Dhe do ta shohim se ku na çojnë këta, sidomos ky Pipa…
Tash Petrua nxori në lojë përfundimisht edhe “asin” e tij dhe kujtoi se më kapi “mat”, duke shkruar: “Shiko dokumentin e Drejtorisë së Arsimit, 11/VII/1953”.
(Po aty, RD, 30 Prill 2003, në fotokopje; Ne e kemi risjellë këtu për lexuesin atë me nder “dokument”)
O zoti Petro, ky nuk është dokument i “Drejtorisë së Arsimit”, se po të ishte duhej të ishte një përgjigje e protokolluar, me vulë zyrtare. Më kupton? Kjo është thjesht një copë letër e njëanshme e juaja e bërë me maqinë daktilografike. Edhe babai im ka shkruar me dosje letra, deri te E. Hoxha, por të gjitha ruhen si në kopje-dërgesën me kartelë vulë poste e si me përgjigjet e protokolluara e të firmosura e vulosura nga Petrit Shijaku etj. Po të dëshirosh t’i tregoj dhe besoj se do të ngelësh pa mend. Edhe këto madje mund të quhen dokumente, pas edhe ndonjë verifikimi të origjinalitetit dhe autenticitetit nga specialistët kompetentë. Se po të ishte aq lehtë, do t’i prodhonim këto dokumente si zogjtë në inkubator. Dhe nga e more ti këtë me nder “dokument” në “Ministrinë e Arsimit”, mos ta nxori Ceka?!
Në Gusht të vitit 1953, siç edhe do ta mësosh, Dh.S. Shuteriqi, botoi dy nga ato 7 (shtatë) novelat, që babai jot dhe ti vetë e keni shkruar se më 1947, ishin 7 (shtatë). Dhe pse Skënder Luarasi nuk u ankua me atë rast me emër direkt në adresë të Shuteriqit, së paku në shtyp, ose me ndonjë dokument të rregullt?! Kush ia dha lejen “nga familia e Migjenit” Dh. S. Shuteriqit, motra Ollga apo motra tjetër? Këtë po ta sqaroj unë ty me “Kritikën” e Skënder Luarasit më 1954. “Kritikën” unë akoma nuk e po e quaj si dokument 100%, sepse mbetet për t’ia bërë analizat e autenticitetit, origjinalitetit, kaligrafisë, ballafaqimit me materiale të tjera etj. Po të dëshirosh në prezencën tënde dhe të motrës shkojmë bashkërisht te Moikom Zeqo, dhe le t’ia lëmë analizat grupit të specialistëve të MHK apo nqs dëshiron edhe në specilistët e kriminalistikës. Unë për vete jam i bindur 100% që ky është një dokument autentik, siç edhe përgjigjia e babait tim. Unë kam të drejtën t’i botoj, ashtu siç t’i kanë botuar ty gjith ato shkarravina pa kuptim. Për mua ai “dokumenti” yt është një alibi e pandershme.
Petro S. Luarasi, principialisti, fillimisht më mirë do të kishte bërë të replikonte e akuzonte për korigjimet-ndryshimet që i ka bërë e motra Angjelina, babait të përbashkët si psh në lidhje me Koliqin, Asim Jakovën etj. (Krhs. bot. e 1957 me të 2003 dhe skandalizohesh!)
Në këtë muaj, rastësisht në një dosje me disa korespondenca të vjetra, e gjeta diskutimin-kritikën origjinale të Skënder Luarasit, kthimin e përgjigjes nga Gjovalin Luka, dhe një kopie të daktilografuar të prozave të Migjenit. Kritika e Skënder Luarasit përbëhet nga 8 faqe të daktilografuara dhe vende-vende ka ndonjë plotësim me shkrimin e dorës së tij. Fletët janë të zverdhura nga koha dhe të lidhura me një gjilpërë të ndryshkur. Përgjigjia e babait tim, është në dy fletë ku janë shfrytëzuar të dy anët, pra në 4 faqe. Prozat e daktilograuara janë rreth 36 faqe, të zverdhura, të lidhura me 8 copë kapse, edhe ato të ndryshkura. Jam krejtësisht i hapur, t’ia vë në dispozicion organeve kompetente, për t’i bërë analizat e autenticitetit dhe origjinalitetit. Jam gati t’ua vë në dispozicion të fotokopjuar families Luarasi, Petros junior dhe motrës së tij Angjelinës.
(Sqaroj me këtë rast se M. Zeqo, aktualisht drejtor i MHK ka bërë edhe ai një botim “Migjeni”, VEPRA, pregatitur për botim nga M. Zeqo dhe redaktuar nga Rozeta Uçi, Tiranë 1988, ku me atë rast kishte bërë edhe një “Kronikë”, ku nuk e përmend fare botimin e Gj. Lukës. Po kështu edhe J. Kastrati, “Migjeni”, VEPRA, 1961, që në “Bibliografi” nuk e përmend fare botimin e Gj. Lukës dhe për të përfunduar me “botimin më të plotë” të Angjelina Ceka Luarasi, tetor 2002 , “Ky botim u realizua nën kujdesin e Zonjës Arta Dade, Ministre e Kulturës, Rinisë e Sporteve”. Angjelina, duke cituar këto dy botime, nuk e merr mundimin ta vendosë në Bibliografi botimin e Gj. Lukës, ndërsa ka vendosur përkthimin në frengjisht të Migjenit, të vëllait të tij Kol Luka…)
Gjovalin Luka u dënua politikisht, personalisht nga Enver Hoxha më 1955. (shih E. Hoxha, “DITAR” 1955-1957, Vëll. 1, f 77 etj)
Skënder Luarasi përfitoi nga rasti për t’i sajuar Gjovalin Lukës, një shpifje-akuzë direkt me emër, me një formulim mjaft të maskuar, të cilin as më parë e as më1954 nuk e kishte bërë pasi ishte i pavërtetë. Ai kishte nevojë për këtë alibi fillestare, të pasuar nga të tjera… Në librin që shkroi më 1956-1957 S. Luarasi shprehej: “Më 1954, NSHB botoi librin Migjeni - VEPRA mbledhë dhe shpjegue nga Gjovalin Luka; me një fotografi të poetit, një shënim të shkurtër gjysmë faqe në fillim mbi përmbajtjen, dhe ndonjë koment në fund të faqes për çdo copë letrare. Në fakt, ky vëllim pushton pjesën më të madhe të lëndës që Skënder Luarasi ja pati dorëzuar për botim Komitetit drejtonjës të Lidhjes së shkrimtarëve në gusht 1948 për ta botuar me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes së Migjenit:…”.
(shih, “Migjeni”, VEPRA, Mbledhur dhe redaktuar nga Skënder Luarasi, 1957, f 51, 54; Ky libër njohu edhe një ribotim më 1961; Po atë vit doli Jup Kastrati, “Migjeni” VEPRA, Tiranë 1961; Më pas kanë shkruar edhe autorë si V. Bala, Ll. Siliqi, R. Idrizi etj.)
Se për cilën “lëndë” e kishte fjalën S. Luarasi, me këtë akrobaci, për atë të Migjenit, apo për atë të vetën, ai nuk e shprehu qartë kurrë as më 1957 e as më vonë. Nga “lënda” në botimin e 1954, në mënyrë absolute përjashtohen komentet e Gj. Lukës, pra mbeten punë autentike e tij. “Lëndën e Migjenit” e patën “pushtuar” plot autorë edhe më parë edhe më pas S. Luarasit, por ai heshti për ta…Në të vërtetën S. Luarasi pretendonte monopolin absolut “si i families së Migjenit” etj, por aso kohe nuk ishte ky lloj “monopoli” tregëtar…Këtë lëndë ka pushtuar edhe Angjelina dhe e ka tjetërsuar babanë e vet qysh në parathënie, si një kameleon që ndërron bindjet politike dhe interpretimet letrare sipas politikës, madje edhe nga ekstremi në ekstrem… Dhe Angjelina na bën telefonata me të qara…
Duke u trimëruar me pasazhin “e pushtimit” në botimin e 1957 dhe me pjesën që i takonte Gjovalinit në dorëshkrimin “Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar”, Kaloç-Luarasi deklaronte hapur te G.Sh për “vjedhje-plagjiaturë, fallsifikim, masakrim etj nga ana e Gjovalin Lukës, duke shkuar edhe më tej sikur ky e kishte pranuar fajin dhe kokëulur i “kërkuar falje” Skënderit etj etj. Dhe akoma më tej, na u ngrefos Petrua te RD-ja: “…nuk dimë që ndonjë trim, përfshi edhe Gjovalinin, ta ketë përgënjeshtruar këtë historik të 1957. Por ja që “zemërgjerësia” e mbesës së Migjenit u hapi oreksin “gojëve të liga” që bënë të paditurin, duke shkaktuar incident publik në rrethet intelektuale të Fierit e më gjerë…”!
(RD, cit. 30 prill 2003, f 13)
Dhe si mund ta përgënjeshtronte Gjovalini kur qysh nga 18 qershori 1955 e deri më 15/01/1980, kur vdiq në moshën 59 vjeçare, ai vuajti tërë përndjekjen barbare të rekomanduar nga Enver Hoxha personalisht, ja lë gjykimit të lexuesve!*
Tashti mendoj t’ia lëmë vendin dy personaliteteve të ndjerë, në origjinalin e 1954.
Kritika origjinale e Skënder Luarasit më 1954:
“VEPRAT” E MIGJENIT të redaktuara nga Gjovalin Luka

Në mars të këtij viti, dual nga shtypi “Veprat” e Migjenit, -poezi e prozë,- të botuara nën redaktimin e Gjovalin Lukës. Në këtë mënyrë u mbush një boshllëk i ndjeshëm në botimet e klasikëve tanë, për të cilët, veçanërisht këto dy vjet, ka nisur të bëhet një punë m’e madhe, me daljen në dritë të “Historisë së Skënderbeut” të Naimit dhe të veprave poetike të Mjedës, “Guxo” e “Vjersha dhe poema”. Botimi i “Veprave” të Migjenit mund të thomi se është përpjekja e parë për qitjen në dritë të veprës së plotë të njerit prej klasikëve të letërsisë sonë, - edhe pse aty redaktonjësi, me të drejtë, e pa me vend të mos i botojë dy vjersha, dy proza nga ato të njohurat e dy proza nga ato të panjohurat e Migjenit.
Botimi i “Veprave” të Migjenit pritej me padurim nga lexonjësit për disa arësye. Një herë, “Vargjet e lira”, ashtu si ç’i botoi vetë poeti në 1936, nuk u lanë të qarkullojnë nga çensura e Zogut dhe, kur u ribotuan në 1944, edhe sepse atyre iu shtuan 8 këngë të reja, iu hoqën dy prej këngëve më luftarake të gjith veprës, -“Parathanja e parathanjeve”- që niste me vargun kuptimplotë revolucionar “përditë përndojnë zotat”, varg që lajmëronte perëndimin zotërinjve të ditës në Shqipëri, - dhe “Blasfemi”, ku ai sulmon fenë e i quan klerikët “sorra” që “mbi kështjellat mijvjeçare” të feudalizmit qëndrojnë. Pastaj, botimi i vitit 1944, doli me gabime, po ta krahasojmë me atë të 1936-s, e me ndonjë korigjim që e dëmtonte tekstin. Së fundi, ish e nevojshme që të mblidheshin e të botoheshin bashkë prozat e Migjenit. Këtë punë e provoi ta bëjë më 1948 Dh.S.Shuteriqi, te revista “Literatura jonë”, me rastin e dhjetë vjetorit të vdekjes së auktorit, po ai nuk mundi të grumbullojë më shum se 16 proza, ndër 22 të botuara në shtyp. Këtyre kërkesave është munduar t’u përgjigjet Gj. Luka me redaktimin e “Veprave” të Migjenit. Ai ka bërë edhe më shum, duke botuar jo vetëm dy vjershat e hequra në 1944 dhe 6 proza të tjera që s’i përmbidhte botimi 1948, po duke shtuar edhe 5 proza të panjohura, nga të 7-të (familia thotë se janë 8), që ruhen. (Në daktilografim shkruhet “ruante familia”, po kësaj i është rënë vizë dhe është shkruar me dorë “ruhen”. Saqrim yni. Ndërhyrjet e tjera, mund t’i konstatoni me fotokopjen e plotë. A.L.)
Kështu, ky botim i ri ka një rëndësi të madhe për njohjen e veprës së Migjenit, se grumbullon thuaj se gjithëçka ai ka shkruar dhe se ka lëndë të re.
Migjeni shkroi në një kohë, kur mendimet e tij përparimtare e revolucionare ai nuk mund t’i shprehte lehtë. Edhe pse shkrimet e tij, një nga një, arritën të botohen në shtyp, kur poeti i përmblodhi vargjet e tij në një vëllim, çensura, më në fund ra n’erë të rrezikut që ato paraqitnin për regjimin satrap, për klasat në fuqi. Që të mund të çfaqë mendimet e tij e të mund të botojë, Migjenit i u desh të përdorë zakonisht simbolet, aluzionet, nënkuptimet. Vepra e tij paraqit kështu disa vështirësi për t’u kuptuar, sidomos për ata që s’e kanë jetuar të rritur kohën e Zogut. Redaktonjësit i u shtrua natyrisht si detyrë që t’i përcjellë tekstet e auktorit me shënime sqaronjëse. Tani, Veprën e Migjenit mund ta lexojnë të gjith me lehtësi e me përfitim më të plotë. Redaktonjësi ka shpjeguar edhe një sasi fjalësh e shprehjesh pak të njohura.
Botimet e klasikëve bëhen me kritere të ndryshme, Njeri prej këtyre, fjala vjen, është që të botohen jo në ortografinë aktuale, po me atë të kohës s’auktorit, me ortografinë e auktorit vetë. Kështu, ribotimi nuk vlen vetëm për masën e lexonjësve, po dhe për studionjësit e gjuhës s’auktorit. Një botim të tillë i bëri “Historisë së Skënderbeut” të Naimit Prof. K. Cipo. Këtë kriter ka ndjekur edhe Gj. Luka në botimin e “Veprave” të Migjenit: ai është përpjekur të na japë tekstin origjinal, duke korigjuar vetëm ndonjë gabim shtypi t’origjinalit. Me shum të drejtë, ai u bazua në botimin 1936 të vjershave e jo n’atë të 1944. Te ky ribotim ai u mbështet me rezervë, vetëmpër vjershat që i u shtuan botimit të parë, duke përdorë, për saktësimin e tekstit, edhe një dorëshkrim, - për fat të keq, redaktonjësi nuk na thotë se ç’qe ky dorëshkrim, - që atij i ka rënë në dorë. Përsa u takon prozave, redaktonjësi nuk kishte tjetër udhë, veçse të bazohej në botimet e tyre nëpër shtyp ose te dorëshkrimet që ruan familia nga prozat e pabotuara gjer dje. Veçse redaktonjësi mundi të ketë vetëm një kopie të daktilografuar të këtyre dorëshkrimeve e nuk mundi të bëjë korrektimin e kësaj kopje në bazë t’origjinalit. Po kështu, ai nuk pati parasysh edhe dorëshkrimin e 6 “kangëve të fundit”, që u botuan më 1944 si shtojcë e “Vargjeve të lira” e që i bleu këto kohët e fundit, nga familia e poetit, Arkivi Historik i Institutit të Shkencavet.
Për të bërë këtë kritikë të botimit të “Veprave” të Migjenit, ne krahasuam tekstet e vjershave me botimet 1936, 1944, si dhe me botimet e disa prej tyre në revistat “Bota e re” dhe “Illyria”. Përdorëm edhe dorëshkrimin e 6 “kangëve të fundit” që ka AH. Nuk patëm mundësi që të njohim dorëshkrimet e prozave gjer dje të pabotuara të Migjenit.
Si edhe botimit 1944, ashtu edhe këtij të sotmit, i kanë shpëtuar gabime të shumta ortografike, që, ndonjëherë, e këmbejnë fytyrën e ortografisë së Migjenit. Një herë, redaktonjësi nuk i ka vënë theksat mbi zanoret e gjata e mbi ato hundore, edhe për këtë nuk bën asnjë fjalë te “Shënimi” me të cilin fillon libri. Po kështu nuk shënon as vetën e tretë t’aoristit të foljeve në –ue, ai nuk e le si te auktori në –j (tingëlloj), po e shkruan si ne sot, në –i (tingëlloi).
Ka gabime që ndryshojnë ose përdhunojnë kuptimin. Fq 29, vg 4, duhet “përdihet” (kapërdihet, përmbyset “si vigan i vramë” dhe jo “përdridhet”. Fq 52, vg 16, duhet “varrë” (plagë “pa shpresë”) dhe jo “varë” (“pa shpresë”). Fq. 49, vg 12 nuk mbaron me pikëpyetje, por me pikë, është një fjali pohonjëse, dhe kështu kuptimi del më drejt e m’i fortë. Këmbimi i shenjave të pikësimit prish punë edhe në ndonjë vend tjetër. Le të shënojmë se pikësimi i Migjenit le shum për të dëshiruar e këtu redaktonjësi duhej të vinte dorë. Fq 55, në vg 57-58 fjala “veri” të shkruhej “véri”, sepse kështu e shqiptonte edhe e ka shkruar auktori. Fq 64, vg 7, duhet “jetëdhurimi”, neologjizëm i Migjenit, dhe jo “jetë dhurimi”. Fq 66, vg 8, duhet “n’u shprehen” (na u shprehën) dhe jo m’u. Kështu edhe fq 69, vg 3, duhet n’i dhe jo “na i”. Etj.
Përsa u takon shënimeve që ka vënë redaktonjësi, ato janë të mira e të nevojshme, po ndonjëherë të zgjatura ose jo dhe sa duhet të qarta. Ka edhe ndonjë shënim të gabuar. Fq 96, sh 18, nuk thuhet se zakonin barabar të linçit në Shtetet e Bashkuara e kanë racistët amerikanë kundër zezakëve. Fq 110, sh 6, “toro” nuk do të thotë ka, po dem, dhe jo vetëm dem i Spanjës. Fq 120, “të smundë pathollogjikisht” nuk shpjegohet me vuejtjen “përbrenda nesh”, po me vuajtjen fizike, duke shtuar se këtu Migjeni bën edhe një sarkazëm. Etj.
Disa fjalë s’ka qenë e nevojshme që të shpjegohen, se i njohim të gjith: rrshqasin, lén, kuqlim, mni, hajde, mund, pa hiri, shtëpi e Zotit, të vokët, si s’ke marre, etj.
Në shënimet ka ndonjë informacion të gabuar. Vjersha “Shpirtent shtegtarë” s’ka qenë botuar te “Illyria” e 27 majit 1934 e nuk dimë të jetë botuar në ndonjë organ tjetër. “Ekstaza pranverore” gjindet edhe në botimin 1936, fq 75, e jo vetëm n’atë 1944, si ç’thotë redaktonjësi. Tërë “Shënimi” i përgjithshëm me të cilin nis botimi i “Veprave” duhej t’ish m’i plotë e m’i qartë.
Nuk na duket i drejtë vendimi që ka marrë redaktonjësi për ta bashkuar me grupin “Kangët e Përndimit” vjershën “Kangë në vete”, të cilën auktori deshi e e botoi në një ndarje të veçantë me të njejtin titull që ka vjersha, edhe pse n’atë ndarje ai futi vetëm këtë vjershë. Dëshira e auktorit duhet respektuar. Po kështu nuk na duket i përshtatshëm titulli “Skica dhe tregime”, nën të cilin i botoi gjith prozat e Migjenit Gj. Luka. Kuptimi i këtij titulli ësht ekzakt, po auktori nuk e përdor as fjalën “skicë” as atë “tregim”. Në vend të këtyre fjalëve, te Migjeni gjejmë “novelzë”, që ai përdor përmbi titullin e prozës në “Në kishë”. Kjo fjalë duhej përdorur si titulli i prozave të shkurtëra që auktori botoi me gjallje të vet, bashkë me “Zenelin”, që doli fill pas vdekjes së tij. Për sa u takon prozave të pabotuara, me sa marrim vesh, ato Migjeni i titullon së bashku “Refreni i qytetit të veriut” dhe ky titull duhej t’ishte ruajtë, duke mos përzjerë këto proza me ato të mëpërpashmet, sepse vetë auktori i pat ndarë.
Le të ndalemi pak te 6 “kangët e fundit”, sepse këto patëm mundësinë t’i shohim në dorëshkrimin origjinal të poetit. Fajin s’e ka redaktonjësi. Fajin e kanë botonjësit e vitit 1944, të cilët s’e kanë respektuar origjinalin. Redaktonjësi nuk pat mundësinë të përdorë origjinalin që bleu tani vonë AH.
E meta e parë në botimin e këtyre këngëve, është se ato nuk mbajnë poshtë datat në të cilat i shkruajti Migjeni, data që origjinali i ka. Këto data janë shum të vlefshme për të njohur procesin e krijimit të veprës së Migjenit. Kritikët që janë marrë këto dhjetë vjet të fundit me auktorin, kanë menduar se këto janë vjersha që Migjeni i shkroi në çastet e fundit të jetës së tij. Kështu edhe Gj. Luka, shënon fq 83, se “Vetmija” u shkrua në sanatoriumin e Torre Peliçes, pranë Torinos; dhe fq 85, se “Nën flamujt e melankolisë” qe vjersha e fundit që Migjeni dërgoi prej Torinoje. Dorëshkrimi i poetit na mëson se, vërtetë janë dy vjershat e fundit të Migjenit, po se ato u shkruan në Pukë, e para më 13 dhe e dyta më 15 qershor 1937.d.m.th. katërmbëdhjetë muaj para vdekjes së poetit. Datat e të tjerave janë këto: “Kanga që s’kuptohet”, maj 1936, “Një natë pa gjum”, prill 1937, “Vuejtja” 9 maj 1937 (u botua te “Kombi”, korrik-gusht 1938), “Frymzim i pa fat” 13 maj 1937. Të gjitha u shkruan në Pukë. Këto data na dëshmojnë së pari se, keqësimi i shëndetit, Migjenit i shkaktoi një krizë të rëndë shpirtërore në muajt prill-qershor 1937. Poeti lëshon tani klithmën tragjike “pak dritë! pak dritë!”, klithëm që hasim te vjersha e parë e kësaj krize, më prill 1937, “Një natë pa gjum”. Ai zëmërohet edhe kundër artit të tij, sepse nuk po sheh me sy çfarë të mirë solli kënga e tij mbi dhe, -as që ka shpresë të shohë dot gjë:
Frymzim i jem që më djeg,
Çporru këtej! Nuk të due!
Poeti, edhe pse sheh ndonjë “shęj jetese” nuk sheh rrugëdalje në të tashmen e afërt të vendit:
Në prakun e çdo banese
ku ka ndoj shej jetese
valon një flamur
melankolie të trishtueme.
Me rëndësi është fakti që Migjeni nuk e futi në vëllimin e vjershave të tij “Kangën që s’kuptohet”, edhe pse këtë e ka shkruar përpara ose në kohën kur shkroi edhe ndonjë vjershë tjetër që gjindet te “Vargjet e lira” 1936, si “kanga skandaloze”, që u botua te “Bota e re” në 30 tetor t’atij viti. “Kanga që s’kuptohet” mbaroi me një tingull jo fort optimist, kur poeti flet për jetën:
…që dergjet e dergjet
dhe t’u u dergjë ndoshta do hesht’ e molisun…
Ka shumë të ngjarë që poeti të mos ketë dashur ta futë këtë tingull pesimist në tërësinë e melodisë së tij optimiste, edhe pse aty i ka shpërthyer ndonjë tjetër tingull pesimist, si dhe te vjrsha “Lagja e varfun”. Fakti nuk është pa rëndësi. Migjeni, thellë-thellë, nuk ishte e nuk mund t’ishte me këta tinguj pesimistë. Ai duhet të ketë qenë i pari i vetëdijshëm se këta tinguj e kishin arsyen te dhimbja e tij e tmershme se po e le jetën në vlugun e rinisë, në kohën kur talenti i tij kish marrë atë zhvillim të shkëlqyer që ne njohim, në kohën kur lufta e komunistëve për çlirimin e popullit tonë sapo kishte filluar, në kohën kur një pendë si ajo e Migjenit ish aq e nevojshme për popullin tonë.
Prandaj, botimi postum i 6 “kangëve të fundit” nuk i shton asgjë veprës së Migjenit, veç tingullit pesimist që shkaktoi vuajtja fizike, afrimi i çastit të fundit tragjik. Botimi i tyre më 1944, kur nga botimi i vitit 1936 u hoqën dy nga vjershat më të forta të Migjenit, ishte një konçesion ndaj çensurës së Regjencës Kuislinge, që, për demagogji mbylli një sy e shurdhoi një vesh. Regjencës s’kish si të mos i pëlqente që, ahere, të njihej edhe Migjeni “pesimist”. Kështu “Vargjet e lira” e paguan ribotimin e tyre ndaj Regjencës demagoge e tradhëtare.
Në dorëshkrimin e këtyre 6 këngëve, Gj. Luka bëri një ndreqje teksti me rëndësi, duke u bazuar te dorëshkrimi që kish parasysh: si vargun e parë të strofës së fundit të “Frymëzimit të pafat” e zevendësoi me vargun origjinal “frymzim i jem që më djeg”, varg që e gjejmë edhe te dorëshkrimi i auktorit vetë. Porse botimi 1944 kish një mori gabimesh ortografike dhe gabime të tjera që ndryshojnë kuptimin. Te kënga “Një natë pa gjum”, vg 5 i strofës 4, ka qenë botuar kështu: “Por pishë nuk kam e vetëm janë burrat, shokët…”. Duhej të qe kështu: ”por pishë s’kam e largë janë burrat, shokët”. Si ç’e shpjegon dhe redaktonjësi, “burrat, shokët” janë “revolucionarët e kohës”. Fjala “vetëm” e botimit 1944 të le të kuptosh se këta janë revolucionarët e Shqipërisë, të cilët janë lidhur pak e aspak me lëvizjen revolucionare të përbotshme. Fjala “largë” e origjinalit e këmben kuptimin: “burrat, shokët” janë revolucionarët e jashtëm, ata të vendeve të tjera, të cilët, duke qenë “largë” nuk e ndriçojnë dot Migjenin (“pishë s’kam”). Poeti e ndjen se nuk është sa duhet i qartë ideologjikisht, ai ndjen nevojën që ta njohë më mirë ideologjinë revolucionare, marksizmin, rrugën drejt revolucionit; ai e ndjen se nuk e ka sa duhet të qartë rrugën e shpëtimit, ai e ndjen nevojën e ndihmës s’atyre që janë “largë”, për t’ia drejtuar udhën. Këta “burra e shokë” s’mund të jenë të tjerë veçse bolshevikët e B.S., të cilët janë “largë” akoma, sepse influenca e tyre, që ushtrohet mbi tërë botën, nuk është akoma sa duhet e madhe në Shqipëri, ku lëvizja komuniste është fort e re, me fare pak eksperiencë, fare pak e organizuar. Migjeni me të drejtë dëshiron që “shokët” t’i ketë më pranë, po pa të drejtë dëshpërohet kur thotë se atë nuk po e dëgjon njeri, se po “çirret kot më kot”, se është më mirë të mbyllë gojën, - hesh, more hesht!" – dhe kërkon të harrohet në “gjum dhe andrrim”. Këtë gabim ai e kuptoi dhe prandaj nuk e botoi edhe vjershën.
Edhe në vg 2 të strofës 5 t’asaj vjershe duhet zevendësuar “fjala” me “parola”, që do të thotë “parulla” e që e jep në mënyrë të saktë idenë e poetit. Strofës së dytë të “Frymzimit të pafat” i duhet hequr vg 4. Si vg 3, duhet vënë ky i dorëshkrimit: “mjaftë me plagë që s’kanë sherim”. Theksi pesimist i vjershës në këtë mënyrë shtohet, po mendimi i poetit del m’i qartë e m’i plotë.
Në vg 1 të “Vetmisë”, fjala “plakë” duhet zevendësuar me “plakosë”. Poeti e ka bërë me kalem korigjimin në dorëshkrim dhe korigjimi ishte me vend: “më plakos mërzitja” dhe jo “më plakë mërzitja”. Gjejmë edhe një herë më shum këtu influencën e toskërishtes mbi gjuhën e poetit. Vjersha ka edhe dy korigjime të tjera me kalem dhe botonjësit e vitit 1944 këto korigjime të fundit i kanë pranuar, kurse të parin jo, - edhe pse kështu prishej kuptimi. Migjeni ka bërë korigjime të tilla edhe te vjersha “Nën flamujt e melankolisë”, ku shkruante “flamuret” dhe e bëri me të drejtë “flamujt”.
Botimi 1944 nuk e ruan rendin kronologjik sipas të cilit i ka shkruar në radhuan e tij 6 këngët Migjeni. Gj. Luka e ndryshoi edhe një herë të dytë këtë rend. Duhej respektuar rendi i origjinalit.
Me të drejtë, Gj. Luka i ka botuar bashkë me këto 6 këngë edhe postumet “Hidhet e përdridhet” dhe “Malli rinuer”, që më 1944 u botuan te grupi “Kangët e Përndimit”, duke përdhunuar kështu “Vargjet e lira” që botoi me gjallje poeti.
Të 8 këngët, qoftë në botimin 1944, qoftë te “Veprat” nuk duhej të botoheshin me titullin “kangët e fundit”, sepse në mes tyre ka dy vjersha të padatuara, si ato të dyja që përmendëm më lart, dhe një të datuar “maj 1936”. Si titull m’i përshtatshëm mund t’ishte “postume”, me qenë se poeti nuk u dha vetë një titull të përbashkët.
Gjëj m’e re e më me rëndësi që sjell ky redaktim i veprave të Migjenit, është botimi i 5 nga të 8 (familja thotë se janë 8) prozat e panjohura t’auktorit. Dy prej këtyre i botoi në gusht 1953, revista “Letërsija jonë”, - “Të çelen arkapijat” dhe “Studenti në shtëpi”. Në këto tregime ne gjemë një akuzë shum të fortë e një sarkazëm therëse kundër regjimit të Zogut e kundër klasave në fuqi. Kjo akuzë ësht edhe më m’e hapët e më direkte se në gjith prozat e botuara të Migjenit. Kuptohet përse auktori, që i kishte shkruar më 1936, - me sa mësojmë, - nuk i botoi dot për së gjalli. Qoftë për gjatësinë e disa prej tyre, qoftë për sigurinë e madhe të pendës, Migjeni na paraqitet këtu në ngritje t’aftësive të tij të mëdha prej prozatori. Me këto tregime, pa asnjë dyshim, ai ze vendin e parë mbi gjith tregimtarët e letërsisë sonë të kaluar. Këto tregime i shtojnë tema të reja prozës së Migjenit, e pasurojnë në mënyrë të veçantë këtë prozë.
Po, me sa duket, edhe këto tregime u botuan me gabime të shumta. Ne nuk mund të flasim për këto gabime, sepse nuk e njohëm origjinalin. Po këto gabime mund t’ ishin evituar, sikur familja të vinte në dispozicion të redaktonjësit origjinalin. Edhe të dy prozat që botoi revista “Letërsija jonë”, me gjith se u botuan me lejen e familjes dual me gabime të njejta që gjejmë te “Veprat”.
Botimi i “Veprave” të Migjenit, që pritej kaq shum nga lexonjësit, mbushi një zbrazëtirë të vërtetë. Po kujdesi i redaktonjësit nuk qe i mjaftuar. Redaktonjësi, edhe pse i u përgjigj kërkesave kryesore, me botimin e teksteve të çensuruara ose të pa njohura, ai nuk i u përgjigj si duhet kërkesës tjetër po aq kryesore, që të na japë një tekst vërtet besnik. Mendimi ynë është që në këtë botim, ortografija e auktorit duhej respektuar për aq sa nuk prekej fonetika e origjinalit. Vepra duhej vënë pra n’ortografinë e sotme. Duheshin botuar gjith tekstet në renditjen që ka vënë Migjeni me gjallje të tij, qoftë ato të botuara, qoftë të pabotuarat. Gjith tekstet duhej të ballafaqoheshin në botimet e ndryshme të tyre, duke u marrë për bazë botimi i fundit që bëri auktori me gjallje. Duheshin vënë shënime për gjith ndryshimet që gjejnë nga botimi në botim. Për tekstet e pabotuara, si dhe për ato që iu shtuan botimit 1944 të “Vargjeve të lira”, duheshin përdorë dorëshkrimet origjinale që ekzistojnë, dorëshkrime që familija e ka për detyrë morale t’i vejë në dispozicion të studionjësve, që vepra e auktorit të dalë ashtu si ç’e ka dashur ai. Do të kishte qenë shumë më mirë që botimi të kish një parathënie të redaktonjësit, ku të flitej mbi jetën e veprat e auktorit, dhe të pasurohej me disa klishe nga fotografitë e ndryshme të Migjenit që ekzistojnë dhe me disa faksimile të dorëshkrimeve. Të shënojmë se formati i librit është tepër i gjerë për një vepër jo kaq voluminoze sa ajo e Migjenit.
Me gjith të metat, botimi i “Veprave” të Migjenit është një kontribut i ri i vlefshëm për njohjen e klasikëve tanë.
Përgjigjia e Gjovalin Lukës:
Përveç vërejtjeve që do të shenoi shprehimisht, pjesët e tjera të kritikës m’u dukën krejet me vend. Për gabimet që më vihen në dukje ndër to, s’më mbetet tjetër veçse t’i pranoj dhe t’ “ul kurrizin”.
Pjesët e kritikës, ose ma mirë, çeshtjet që nuk më duken krejt të drejta apo ekzakte, janë këto që po rradhis ma poshtë:
1.Gjykimi mbi interpretimet e mija prej ma se 30 faqesh për prodhimet e ndryshme të Migjenit, nuk më duket i drejtë që të bahet në kritikë krejt kalimithi dhe në kët mënyrë: “Përsa u takon shënimeve që ka vënë redaktonjësi, ato janë të mira e të nevojshme, po ndonjëherë të zgjatura ose jo dhe sa duhet të qarta”… Sa janë të nevojshme e të mira, sa janë të zgjatuna dhe jo të qarta, nuk nxirret gjatë gjith kritikës prej 8 faqesh. Kjo, qoftë në lidhje me anët negative ose pozitive. Unë mendoj se, sigurisht, jo aq sa asht shkrue mbi besnikinë e riprodhimit të tekstit të Migjenit (gabime ortografike, gabime shtypi, krahasime me materiale të panjohtuna deri më sot, etj) por mjaft vend i duhej kushtue edhe gjykimit mbi interpretimet e bame nga unë (jo vetëm fjalorit). Ndoshta nuk meritojnë të mirren parasyshë ato interpretimet? Atëherë, le të thuhet. Mue më duket se ndër shënimet e mija ka disa pozicione interpretimi që janë krejt të reja ose edhe të tjera që kanë hedhë dritë mbi disa çeshtje të mbetuna deri më sot me pikëpyetje. Do të mjaftonte vetëm ndonjë krahasim me gjykimin mbi vargjet ose mbi proza të ndryshme të shkrueme ma përpara për të gjetë mjaft ndryshime gjykimi mbi këtë ose mbi atë çeshtje. Të krahasohen p.sh. gjykimet e mija me ato të shokut Dh. Shuteriqi në “Letërsija e re shqipe”, ose edhe me analizën e shokut Vehbi Bala. Unë nuk e kam quejtë t’arsyeshme që të bajshëm në veprat riferime mbi gjykime të dhanuna ndryshe dhe jo të drejta, sepse kësaj çeshtje do t'ishte interesante t'i kushtohej një studim i veçantë. Dhe tani, për këtë punë vlerësimi e interpretimi, vall a asht e drejt që kritika të shkruej vetëm kalimthi?
2. Nuk më duket e drejtë që të vihet në qendër të kritikës për “Veprat” çështja e 6 poezive, dorëshkrime të zbulueme ma vonë, sado që thuhet se unë nuk kam qenë në dijeni të tyne kur kam redaktue “Veprat”. Kjo do t’ishte diçka si aneks, si një kontribut i matejshëm për studimin e veprës së Migjenit, por jo si metër për të caktue vlerën e “Veprave”, siç ban kritika në konkluzionet e faqes 8.
3. Vërejtjet ortografike që më bahen në faqen 3 më duket se duhen ndamë në dy çështje që s’mund të përzihen: a) gabime shtypi dhe daktolografimi b) korigjime t’ortografisë së Migjenit me qëllim e në bazë të një kriteri nga vetë redaktuesi. Këto janë punë të ndame dhe prandaj nuk mund të jepet për to së bashku një gjykim, siç ban kritika: “Si edhe botimi 1944, ashtu edhe këtij botimi i kanë shpëtuar gabime të shumta ortografike…”. Gabimet e shtypit dhe të daktilografimit që përmenden nga kritika janë kritikue me vend, por me gjithë këtë unë mendoj se fjala “të shumëta” e shton shumë numrin e vërtetë të këtyre gabimeve. Përsa i përket çështjes së dytë unë mendoj se kam unë të drejt si kriter. Pse? Unë kam heqë hundaket e theksat e tjerë sepse vetë Migjeni në prodhimet e fundit të tij kishte fillue t’i eliminonte. Unë duhet të kritikohem, po pse s’kam bamë shënim kund mbi këte kriter për të kënaqë kështu studiozin, por jo pse kam hjekë hundaket e theksat e tjera.
4. Nuk asht e drejt vërejtja: “Ekstaza pranverore gjindet edhe në botimin e 1936, fq 75 e jo vetën n’atë të 1944 siç thotë redaktonjësi” (Kritika në fund të faqes 3). Qysh në fillim të “Veprave”, në shënimin e parë, mbasi kam tregue se me ç’baza fillon e me ç’poezi mbaron vëllimi i vjetit 1936, kam shkrue: “Çdo vjershës i asht shënue data e botimit të mavonshëm, mbasi vëllimi i vjetit 1936 nuk doli në qarkullim”. Pra, si të gjitha vjershat e tjera të vëllimit, edhe “Ekstaza pranverore” asht botue me datën e mavonshme.
5. Nuk më duket i drejt interpretimi i kritikës për kuptimin e fjalëve “të smundë patollogjikisht” (Kr. faqe 3, rreshti 32 – i vetmi rast kur kritikohem për një çështje interpretimi). Kësaj çështje, pikësëpari i duhet bamë një korigjim, te Migjeni nuk gjindet fjala “pathollogjikisht” (siç shkruhet në kritikë) por “pathollogjisht”. Ska dyshim se Migjeni e ka përdorë si sarkazëm tue pasë para syshë patologjinë. Pra fjala “sëmundë pathologjisht”, fjalë për fjalë “sëmundë në mënyrë të përmbrendëshme”. Si e shpjegon kritika atë me vuajtjen fizike s’merret vesh fare. Një interpretim i tillë nuk justifikohet as nga gjithë ideja e skicës së Migjenit. Ideja qëndrore e gjith skicës asht kjo: “Të jesh i gëzuem edhe pse n’anë tjetër zemra të pëlset” (fjalët e vetë Migjenit disa rreshta ma nalt në të njajtën skicë). Pikërisht kët ide përsërit me sarkazëm “të smundë pathollogjisht” edhe një herë Migjeni në mbylljen e skicës. Me ç’arësye këtë mbyllje me përmbajtje ma të thellë, kritika don ta reduktojë në një “vuajtje fizike” të poetit e të shokut të tij.
6. Kritika (faqe 4, rrjeshtat 29-32) ka plot të drejtë për vjershën “Vetmija” por jo edhe për vjershën “Nën flamujt e melankolisë”. Në shënimin e kësaj të fundit në “Veprat” unë kam shkrue: “Vjersha e fundit që Migjeni dërgoi nga Torino. Nuk dihet në se kjo vjershë asht shkrue atje apor ma parë”. Ky shënim s’ka ndonjë gabim. Ka disa dëshmitarë që vërtetojnë se vjersha u dërgue nga Torino. Tashti që qenka zbulue data e shkruemjes së saj, del që Migjeni e ka mbajtë kohë pa e dërgue për botim, por jo që ajo nuk asht dërgue nga Torino, siç len me kuptue kritika.
7. Nuk jam dakort me mendimin se “botimi postum i 6 kangëve të fundit nuk i shton asgjë veprës së Migjenit”. (faqe 5, rreshti 36). Unë mendoj se edhe këto kanë anë pozitive që “shtojnë meritat e Migjenit”.
8. Nuk më duket e drejtë që të çfaqet mendimi për të zavendësue te “Frymzim i pa fat” një varg ma optimist me një varg nihilist (faqe 4, rr. 35). Unë mendoj se ai varg mund të citohet në shënime, por për bazë duhet marrë vargu që ekziston, mbasi ky varg asht ma i drejt – derisa vetë auktori ka çfaqë dy mendime.
9. Në faqen 7 të kritikës, rreshti 9 thuhet në lidhje me postumet:”Duhej respektuar rendi i origjinalit”. I cilit origjinal? Dorëshkrimet që janë zbulue ma vonë apor rendi i 1944 që asht një rrëmujë? Renditjen unë e kam bamë tue dhanë një shënim mbi te në fund të faqes 73. Pse u dashka me doemos në këtë rast të respektoja origjinalin, d.m.th. një radhitje që (simbas të dhanave që kam unë) e ka bamë Arshi Pipa?
10. Në lidhje me tregimet e pa botueme, në kritikë thuhet se “u botuan me gabime të shumëta” dhe nuk jepet ndonjë fakt që të provojë se këto gabime janë të shumëta; përkundrazi menjëherë më pas thuhet se “nuk mund të flasim për to sepse nuk e njohim origjinalin”. Si mund të qëndrojnë bashkë dy mendime që rrëzojnë njani tjetrin?
11. Nuk asht e vërtetë thanja: “Edhe të dy prozat që botoi revista “Letërsija jonë”…duall me gabime të njejta që gjejmë te “Veprat”. Një krahasim sado i nxituem e prej kujdo do të tregonte se në “Letërsija jonë” ka mjaft gabime që nuk gjinden te “Veprat”.
12. Konkluzionet e faqes 8 më duken me gabime. Aty thuhet: “Mendimi i ynë është se duheshin botuar gjithë tekstet në renditjen që u ka venë Migjeni me gjallje të tij, qoftë ato të botuara qoftë të pa botuarat. Gjithë tekstet duhej të ballafaqoheshin në botimet e ndryshme, duke u marrë për bazë botimi i fundit që u bëri auktori me gjallje. Duheshin vënë shënime për gjithë ndryshimet që gjejmë nga botimi në botim. Për tekstet e pabotuara si dhe për ato që i u shtuan botimit 1944 të “Vargjeve të lira” duheshin përdorë dorëshkrimet origjinale që ekzistojnë, dorëshkrime që familja e ka për detyrë morale t’i vejë në dispozicion të studionjësve…” . Këtu më vehen në dukje disa porosira të padrejta. E para, renditjen e tekstit unë e kam bamë pikërisht si e ka bamë “Migjeni me gjallje të tij”, natyrisht mbi ato të dhana që kishem unë. Si mund të më kërkohet mue renditje tjera plotësuese të Migjenit që zbulohen mbas daljes së “Veprave”? Deri përpara zbulimit të dokumentave dihej si renditje e vetë Migjenit vetëm vëllimi i 1936. Këtë renditje unë e kam respektue me rigorozitetin ma të madh. Që të ketë pasë renditje nga Migjeni për pjesët e pabotueme unë edhe sot nuk e dij se ka dhe se si asht. Ndoshta këtë renditje e ruen në syndyqet e tij misterioze Skënder Luarasi e s’ja tregon kujt. Po unë nuk kam faj. E dyta. Gjithë tekstet që diheshin unë i kam ballafaque e pikërisht “duke u marrë për bazë botimi i fundit që bëri auktori me gjallje të tij” d.m.th. Vëllimi i 1936-ës dhe prozat ndër revistat. Materiale të tjera s’kisha mundësi që të konsultoja – prandaj pse të më ngrihet në konkluzion si një punë që s’e kam bamë kjo puna e ballafaqimit? Kritika duhet të përmendte, në qoftë se ka dobësi ballafaqimi, por jo ta mohonte fare punën ballafaquese që vërehet ndër shumë shënime që nga fillimi deri në fund të vëllimit. Si mund të më kërkohet mue që "duheshin përdorë dorëshkrimet origjinale që ekzistojnë, dorëshkrime që familja e ka për detyrë morale t’i vejë në dispozicion…” Mua më duket se as sot e kësaj dite ne nuk dijmë sa dorëshkrime ka i mistershmi Skënder Luarasi. As unë dhe as një shok s’ka mundë t’i sigurojë këto dorëshkrime deri më sot plotësisht – e si mund të “përdoreshin këto dorëshkrime”?
Këto janë vërejtjet e mija.
Po e përsëris: “nuk due n’asnjë mënyrë të mbuloj me anën e këtyre vërejtjeve, kritikat tjera të drejta të shumta. Po t’ishte fjala për t’i pregatitë për botim publik këto shënime, do të më duhej të shkruejshem edhe nja tri faqe të tjera autokritikë. Pjesa më e madhe vërejtjeve të mija, në qoftë se gjykohen t’arësyeshme ndreqen me ndonjë retushë dhe shtojca të vogla.
Z. Angjelina Ceka (Luarasi) dhe Z. Petro Luarasi e keni fjalën ju!
Do ta kisha pasur, më të favorshme dhe më të lehtë të kisha vazhduar tashti me të gjitha rrjedhimet dhe konkluzionet, që rrjedhin fare normalisht, sepse me ne është e vërteta dhe ndershmëria. Një kërkesë kam, mos u kapni te gabimet ortografike e te shenjat e pikësimit, për të bërë tym. (As unë sot nuk i di mirë, më duket se edhe Petrua aty-aty është. Gabime ortografike ka edhe Skënderi sa të duash.) E kam sqaruar në përgjigjet e mija, se në 1954 niveli i shtypshkrimit, niveli i korrektorëve letrar, niveli personal gjuhësor e niveli i një gjuhe drejtshkrimore ishte krejt ndryshe. Në një sasi të madhe librash, deri edhe në veprat e klasikëve të marksizëm-leninizmit ku angazhoheshin gjuhëtarë shumë më të mirë se S. Luarasi, kam konstatuar me dyzina gabimesh. Babai im sigurisht se nuk mund t’i bënte ato redaktime që rekomandonte e rekomandoi sh. Luarasi, me mendjen që ta dëgjonin atje lart…
A e shikoni tashti se Gj. Luka nuk kishte “pushtuar/rrokur” asnjë lloj materiali të zotit Skënder, sepse ai as më 1954 nuk i ka pasur ato 5-6 prozat e pa botuara dhe as që i kishte konsultuar. Dhe si mund t’i kishte më 1947-1948?! Sepse, edhe sikur ta zëmë si të mirëqënë që Gjovalini i kishte marrë nga “arkivi” ato 5 copë novelat e pa botuara, kopjuesi “me shumë gabime” në atë daktilografim do të ishte vetë shoku Skënder! Po pse Skënderi t’a bënte këtë lloj mashtrimi me qëllim, të akuzonte tjetrin, për gabimet e veta?!
Mirëpo puna është se shoku Skënder e dinte pjesërisht edhe atë “lejen nga familia” e vitit 1953 akorduar sh. Dh.S. Shuteriqi për të botuar 2 copë novela. Ai nuk i ka pasur ato 7-8 novelat më 1953-1954, as në dorëshkrim e as në daktilografim. Ai madje as nuk e dinte mirë se sa ishin 7 apo 8, apo…Duke u nisur vetëm nga ndryshimet Shuteriqi-Luka, ai luajti paksa me një bllof, sikur u kishte hedhur ndonjë sy të shpejtë edhe dorëshkrimeve të pa botuara “të families”, te motra tjetër e Migjenit. Ashtu siç ju a kam shkruar “familia” nuk ishte vetëm zonja Ollga e zoti Skënder, dhe më vonë do t’ua tregoj më hollësisht…Z. Angjelina vetë as sot nuk e fut vëllanë “si ndonjë nip i families së Migjenit” dhe as z. Petro juniori nuk ia jep motrës “dorëshkrimet origjinale” të “Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar”…!
Në tërë këtë mesele dava (tr.) ka një të vërtetë, që po e ripërsëris: Gj. Luka, nuk e konsideronte atë botim të 1954 si fundi apo fjala e fundit dhe me vetëdije e kishte lënë rrugën të hapur. Siç e kam shkruar Gjovalini e kishte ndihmuar sh. Skënder, kur kishte pasur mundësi dhe ajo “autokritika” aty rrahte…
Por, Gj. Luka nuk ishte njëherë andej një herë këndej…, pastaj me “shokët e largët komunistë bolshevikë sovjetikë”, duke ndërruar fjalën “vetëm” me “larg”…pastaj te “shokët e afërt Koliqi e A. Jakova… të 1956”. Nuk e keni librin origjinal të 1957?! Apo këta janë zotërinjtë e afërt të rradhës të çiftit Ceka dhe të Zonjës Dade?!
Këtu kam edhe dy pyetje:
1. Ekzistojnë ato shënimet origjinale me laps, në dorëshkrimet origjinale, apo janë fshirë nga koha?!
2. I keni dorëzuar origjinalet e “dorëshkrimeve” në Arkivin e MHSH apo i ruani akoma në syndyk?!
E gjykova të arsyeshme t’ua lë vendin dhe rradhën juve së bashku apo tek e tek, të reflektoni dhe të shkruani qëndrimet tuaja. Do t’ju pres ca kohë dhe pastaj do jap gjykimet e mija, megjithse edhe me kaq mjafton. Jam i hapur edhe për telefonata “pa qarje e pa atentate letrare”! Mbledhjet, korigjimet e redaktimet e “Migjeni”, VEPRAT , në vazhdim, sipas porosive të vitit 1954 të z. Skënder Luarasi, siç kam shkruar edhe më parë, ia ngarkoj si detyrë Petro S. Luarasit. (Me këtë rast urime edhe për atë shkollën 9 vjeçare me emrin “Skënder Luarasi”, inauguruar nga shoku Edi Rama) Me atë fletëzën me minimumin, “Ndreqje gabimesh” po e mbyll: “Oh, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit” – Tiranë, e shtunë 18 qershor 1955…
[Shënim: Me sa mbaj mend në largësi kohore, aty nga pas vitet 1960 në internim, tre persona nga Tirana, të shoqëruar me nja dy civilë dhe me policinë e Roskovecit, na bastisën shtëpinë. Ndër të tjera, në një komodinë (ku mbahej edhe DTT) ata morën edhe një “Dosje”, ku kishte edhe materiale me një shkrim dore me bojë jeshile. Mendoj se ata duhet të kenë marrë edhe materiale nga të Migjenit, sepse kanë shpëtuar disa pjesë të tjera….A.L.]
Marre nga Shqiperia Etnike