Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e enjte, nëntor 24, 2005

Shqetësimet mbi gripin avian cënojnë ekonominë rumune

Nga Flori Bruqi

Meraku nga gripi i shpendëve ka dëmtuar pularinë rumune dhe industrinë e restauranteve, ashtu edhe turizmin e deltës së Danubit.


Punonjësit rumunë të shëndetësisë eliminojnë shpendët e vendit në fshatin lindor Ceamurlia de Jos. [AFP]

"Kokat e tyre bëhen ngjyrë violet, frymëmarrja u vështirësohet dhe brenda pak orëve ngordhin," tha një grua në fshatin Ceamurlia de Jos duke folur për shpendët vendas me grip avian. Të tjerë fermerë në fshat, vendi i parë ku u zbulua sëmundja në Rumani këtë muaj, thanë se ata thjeshtë i therën pulat e prekura, patat e rosat dhe pastaj i hëngrën. "Unë nuk e dija se ishte një gjendje kaq serioze. Por mishi ishte i mirë, nuk kishte as shije as erë të keqe," tha njëri.

Lokaliteti u vu menjëherë nën karantinë. Rreth 45,000 shpendë u eliminuan dhe askush nuk u lejua të largohej nga Ceamurlia de Jos apo të priste vizitorë nga jashtë. Masat nuk qenë të lehta të zbatoheshin, disa njerëz donin t'i ndalonin autoritetet t'u merrnin pulat, ndërsa të tjerë nuk bindeshin të rrinin në fshat.

Që nga rastet e para, specialistët britanikë kanë përcaktuar se lloji i gripit ishte i tipit vdekjeprurës H5N1, të cilit shumë i trëmben se ka potencial të përhapet me të shpejtë midis njerëzve dhe të shkaktojë epidemi. Zyrtarët rumunë janë përgjegjur me masa të intensifikuara, duke deklaruar dy qarqe në rajonin e Dobrogeas: Tulcea dhe Konstanta, si zona të rrezikshme. Në dy ura dhe tre pika kalimi anijesh mbi Danub, janë instaluar filtra të posaçëm që dizinfektojnë çdo makinë që lë zonën.

"Ndërkohë, ne vumë në karantinë, veç Ceamurlia de Jos, dy fshatra të tjerë të deltës së Danubit, Maliuc dhe Vulturu, ku gjetëm disa mjellma dhe shpendë vendi të ngordhura," u tha gazetarëve Ministri i Bujqësisë Xhorxhe Flutur.

Ndonëse fshatarët mund të kenë ngrënë pulat e prekuara nga gripi pa ndonjë efekt të keq, alarmi rreth epidemisë ka cënuar industrinë e pularisë. "Shitjet u pakësuan me rreth 50 përqind në pak ditë dhe të gjitha eksportet u ndaluan," thotë Ilie Van, president i Shoqatës së Mbarështrimit të Shpendëve. Kioskat e qebapit dhe restaurantet e ushqimit të shpejtë që bazohen shumë mbi mishin e pulës, kanë parë pak klientë, ndonëse shumica nuk duan ta pohojnë këtë.

Në realitet, thonë ekspertët, gatimi i mishit apo vezëve në temperatura mbi 70 gradë e shkatërron virusin. "Unë ha pula apo vezë çdo ditë, por të përgatitura sipas masave të duhura," tha Presidenti Traian Bashesku duke u përpjekur të qetësojë panikun e konsumit.

Përveç mbarështruesve të pularive, fabrikave, dyqaneve dhe restauranteve, gripi avian ka prekur gjithashtu turizmin në deltën e Danubit. Vjeshta zakonisht bie këtu mijra turistë, shumica e tyre të huaj, për të gjuajtur apo peshkuar. Shumë nga ta i kanë anulluar tashmë udhëtimet e tyre. "Dy të tretat e rezervimeve që kisha për fundjavën e shkuar nuk kanë ardhur, por do të ishte më keq në qoftë se cënohet sezoni 2005 për hotelet e Detit të Zi. Kjo është koha kur nënshkruhen kontratat me operatorët e huaj të udhëtimeve," tha Kornel Gaina, pronari i hotelit Kormoran në deltën e Danubit.

Jo të gjitha bizneset janë dëmtuar. Megjithëse asnjë rast i transmetimit të virusit H5 nuk është regjistruar te njerëzit në Rumani, farmacitë kanë shitur më tepër se 1.5 milion doza të vaksinës anti-grip, po aq sa në një dimër tipik. Dhe ata parashikojnë më shumë porosi në ditët që vijnë.