Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, nëntor 14, 2005

Pse grinden peshkopët serbë ?

Shkruan: Xhafer SHATRI

Kosova prej shekujsh vazhdon të jetë epiqendër tektonike në jetën politike e shpirtërore të serbëve. Ajo ngre saora në qiell personalitete politike, intelektuale, fetare, ushtarake etj., por ndonjërin prej e tyre e çon edhe atje ku nuk duhet. Në Hagë, për shembull.

Javën e fundit Kosova është bërë shkak për sherre të mëdha edhe atje, ku më së paku pritej; në kryesinë e Kishës Ortodokse Serbe (KOS). Personazhe kryesore të këtij sherri janë peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, pra i Kosovës, Artemije Radosavljeviç dhe mitropoliti i KOS-it për Malin e Zi dhe Bregdetin, Amfilohije Radoviç. Në dukje të parë shkak për sherr u bë Memorandumi për mirëkuptim të ndërsjelltë dhe për rindërtimin e monumenteve kishtare serbe (që shqiptarët i shkatërruan vitin e kaluar), të cilin, më 24 mars 2005, e kanë nënshkruar patriku serb Pavle dhe ministri i Kulturës i Kosovës, Astrit Haraçia.

Memorandumi parasheh formimin e një Komisioni të përbashkët prej 5 vetash: përfaqësuesi Kishës ortodokse serbe, ai i Entit të Serbisë për mbrojtjen e monumenteve, përfaqësuesi i Entit të Kosovës për mbrojtjen e monumenteve dhe ai i Ministrisë së Kulturës të Kosovës. Komisionin do ta udhëheqë një ekspert që e emëron Këshilli i Evropës.

Memorandumi në 13 pika precizon fushëveprimtarinë e Komisionit, të cilit nga buxheti i Kosovës do t’i jepen 4.2 milionë euro për të filluar rindërtimin e kishave serbe, të cilat i dogji e i shkatërroi marrëzia perandorake e shqiptarëve.

Dy ditë pas nënshkrimit, patriku serb Pavle tërhoqi nënshkrimin e tij me arsyetimin se nuk ka qenë krejtësisht i informuar për pasojat që mund të ketë Memorandum për interesat kombëtare serbe. Diçka e ngjashme kishte ndodhur edhe më 1995, kur Millosheviçi kërkoi nënshkrimin e patrikut Pavle, për të pasur de jure edhe aprovimin e tij, për vendimet që do të merreshin më vonë në Dayton. Edhe atëherë, patriku i plakur pati gjysmëtërhequr nënshkrimin e tij.

Kundër Memorandumit të fundit për Mirëkuptim u ngrit peshkopi i Kosovës, Artemije. Kundërshtimi i tij u bazua në dy arsye:

- Memorandumi nuk duhej të nënshkruhej pa miratim e tij ;
- Realizimi i tij në këtë formë është kundër interesave të serbëve dhe të kishës së tyre, sepse nuk mund t’i rindërtojnë kishat ata që i kanë sdhkatërruar, pra shqiptarët dhe institucionet e tyre.

Megjithatë, më 27 mars 2005, në mbledhjen e sinodit, që është qeveria pesëanëtarëshe e Kishës serbe, e të cilën e udhëhoqi patriku Pavle, u vendos që Memorandumi megjithatë të miratohet.

Mirëpo peshkopi Artemije e kundërshtoi menjëherë dhe publikisht vendimin e Sinodit duke e quajtur atë të pavlefshëm, sepse ishte marrë pa pjesëmarrjen dhe pa ftesën e tij për atë mbledhje. "Ky është një puç i atyre që po duan të marrin në dorë frerët e Kishës serbe", akuzoi Artemije, por pa veçuar ndonjë emër.

Një konflikt i ngjashëm ka shpërthyer edhe kur Artemije, para disa muajsh, ngriti pranë Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg aktpadi penale kundër 4 Fuqive të Mëdha evropiane, duke i fajësuar ato për shkatërrimin e kishave serbe në Kosovë, apo të paktën për mosmbrojtjen e tyre…

Sinodi i Kishës serbe kërkoi disa herë nga Artemije që ta tërheqë aktpadinë, sepse nuk dëshironte që të acaroheshin marrëdhëniet me Fuqitë evropiane (Anglinë, Ghjermaninë, Italinë dhe Francën). Por kot, sepse Artemije as që ua mori në dorë.

Duhet nënvizuar se qëndrimin e Artemijes e mbështeti edhe ministri serb i Kulturës Kojadinoviç, i cili përmes një kumtese, të lëshuar në emrin e Entit të Serbisë për mbrojtjen e monumenteve, krahas të tjerash vuri në pah se, përmes këtij nënshkrimi, sinodi i Kishës serbe "po i njeh institucionet e Kosovës"!

Edhe pse peshkopi Artemije nuk permendi askënd me emër, shihej se përmes reagimeve të tij ai shënjonte shefin e vërtetë të Kishës serbe, mitropolitin Amfilohije Radoviç. Sepse ky i fundit, prej vitesh haptas ose fshehtas, duke shfrytëzuar moshën e shtyrë të patrikut Pavle, (vitin e kaluar mbushi 90 vjet), po vepron në emrin e tij, dhe po përgatit terrenin për t’u bërë patriku i ardhshëm i Kishës serbe.

Mu në kohën kur shpërtheu konflikti më i ri në kreun e KOS-it, një delegacion i lartë i Kishës serbe shkoi për vizitë zyrtare në SHBA, ku, veç të tjerëve, pritet të takojë edhe presidentin Bush. Këtë delegacion e udhëheq peshkopi i Hercegovinës Grigorije, që njihet "si i moderuar". Ky delegacion po qëndron në SHBA me qëllim "që t’i mbrojë para administratës amerikane qëndrimet e Kishës serbe lidhur me Kosovën".

Injorimi që mund t’i jetë bërë Artemijës pse nuk e ka udhëhequr delegacionin apo pse nuk ka qenë pjesëtar i tij mund të jetë ndoshta edhe shkaku kryesor i reagimeve të tij kaq të ashpra.

Sidoqoftë, kjo ndarje hap shumë dilema, aq më tepër kur dihet se deri vonë Artemije njihej si "i moderuar", ndërsa Amfilohije si koka dhe shpirti i nacionalizmit serb; si njeriu që ka mbështetur të gjitha luftërat bashkë me krimet përcjellëse që kanë bërë ushtritë serbe sidomos 15 vitet e fundit. Amfilohije është edhe njeriu që për dhjetë vjet rresht po strehon me shumë sukses Radovan Karaxhiçin, të shumëkërkuarin për krime të luftës në Bosnje e Hercegovinë dhe për më tepër po i bën ballë Lëvizjes malazeze për pavarësi më vendosmërisht se edhe vetë gjeneralët e Koshtunicës.

Zbutja, në pamje, e qëndrimit ultranacionalist të mitropolitit Amfilohie, por edhe e Kishës serbe, që u shpërfaq përmes Memorandumit për mirëkuptim dhe një qëndrim, kohëve të fundit më i butë, i kabinetit të Koshtunicës, kur përmendet pavarësia e Kosovës, nuk duhet të mashtrojnë askë. Sepse nuk është fjala për ndryshim qëndrimesh politike, por për një taktikë të re, të kushtëzuar nga një presion i fortë ekonomik e politik që shtetet vendimmarrëse po ushtrojnë mbi Serbinë dhe për herë të parë edhe mbi KOS-in.

Mu prandaj, kisha dhe politika serbe po i kthehen taktikës së para luftërave ballkanike në territoret shqiptare: të bashkëpunojnë me sunduesit e mirëfilltë në Kosovë, me UNMIK-un dhe NATO-n, si dikur me Turqinë, në pritje të ditëve më të mira. Një tërheqje e kujdesshme para sulmit ultim për krijimin e Serbisë së Madhe.