Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, nëntor 20, 2005

Projekti i Qeverisë për kthimin e arit, do t'i kushtojë shtetit 3.5 miliardë dollarë

20 Nentor, 01:50
Armando Meta

Tirane (20 Nentor) - Projektligji i qeverisë, lidhur me të drejtën se për të fituar pronësinë e kanë edhe ata persona të cilët u prekën nga “Ligja për tatimin e jashtëzakonshëm të fitimeve të luftës”, përllogaritet të ketë një kosto prej afro 3.5 miliard dollarësh amerikanë. Kjo, po ti referohesh vlerës që ka aktualisht ari në bursë. Përllogaritja nuk mund të vlerësohet se është shumë e saktë, pasi po të llogarisësh dhe vlerën numizmatike që kanë monedhat, shuma edhe mund të dyfishohet. Është e paqartë se ku do të gjendet kjo sasi e stërrmadhe parash, vetëm nëse befas zbulohet ndonjë “ishull thesari”. Mbi bazën e disa dokumentave dhe shkrimeve të ndryshme organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të regjimit komunist, kanë deklaruar si shumë shifrën e 43.816.682 monedhave të sekestruara, me një peshë prej 320.000 kg ar, ose 320 ton. Mbi bazë dokumentash komunistët kur erdhën në pushtet gjetën në Bankën Kombëtare Shqiptare sasinë e 90 kg ar. Ndonëse në Thesarin e Shtetit ndodheshin vetëm 90 kg ar, në duar të popullatës shqiptare duket se ndodheshin rreth 320 ton ar.
Konfiskimi
Ligji për “konfiskimin e pasurive private”, doli për të mbushur vakumin që mund të lindnin nga zbatimi i ligjit për “tatimin e jashtëzakonshëm”. Në bazë të këtij “ligji”, komitetet ekzekutive fitonin të drejtën që me anë të një vendimi të bënin sekuestrimin e çfarëdolloj pasurie. Në këtë mënyrë shumë pasuri të tundshme apo të patundshme si objekte, toka bujqësore, troje, gjë e gjallë, mall bujqësor apo industrial etj, u sekuestruan. Deri në fund të vitit 1948 u zbuluan rreth 43.816.682 monedha ari, pa përmendur shufrat e stolitë e florinjta.
Kuvendi
Për të verifikuar Thesarin e Shtetit nga vitit 1938 - 1990 si dhe procesin e sekuestrimeve në vitet e para të regjimit komunist, në fund të vitit 1991, me nismën e PD u ngrit një komision i përkohshëm parlamentar i drejtuar nga deputeti, Blerim Çela. Ky lexoi më 22 janar raportin në emër të komisionit. Sipas tij, në Shqipëri ka pasur disa dhjetëra tonelata ar në qarkullim dhe të thesarizuara nga popullata para datës 28 nëntor 1944. “Në dokumentat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, pohohet me shkrim se janë sekuestruar 43.816.682 monedha të arta pa futur shufrat dhe bizhutë e arta. Vetëm ato bëjnë 283 ton flori”, ka deklaruar Çela. Siç shihet tonelatat e arit të sekuestruara, të deklaruara edhe nga përfaqësues të shumicës aktuale, do të rëndëojnë shumë në buxhetin e varfër të shtetit. (Gazeta Shqiptare)