Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e enjte, nëntor 24, 2005

Nga Naim Frasheri

Bageti e Buqesi (pjeserisht)

O malet' e Shqipërisë e ju o lisat' e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q'u kam ndër mënt dit' e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt' e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.

Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.

Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s'e ka harruar.

Kur dëgjon zëthin e s'ëmës qysh e le qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
E ta trëmbin, ajy s'kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua,
Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.
Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m'erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
Atje lint diell' i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat' i bardh' e mirësija në atë vënt janë mbluar;
Nat'atje'shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
Në pyjet' e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.

Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.

Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
Bashkë me shpest edhe unë t'ia thërres këngës e t'ia them;
Të shoh kedhërit' e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
Qiellin' e sbukuruar, dhenë me lul'e me dritë.

Vashë bukurosh'e bariut! që vjen me llërë përveshur,
Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
Në sythit tënt e shoh gazë, që s'e kam gjetur ndë jetë.
Dashi sysk e me këmborë, q'e ke manar, po të vjen pas,
Dhe qeni me bes' i larmë të ndjek me dëshir' e me gas.
Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
- Pash' atje pas më të gdhirë,... ja atje përtej tek vinë!

O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija!
Vinë posi mblet' e plotë! I bekoftë Perëndija!
Nëpër shesh' e nër bregore janë përhapurë shqerrat,
E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat;
Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok,
Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë tok,
Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke bredhur,
Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur.
Nxitojn' e s'lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija,
Secili futet në tufë, suletë ne mëm' e tija,
Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gji,
Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin e ëmbël pi;
Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele,
Bir' e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.

Sa të mirazë ke dhënë, Zot i math e i vërtetë!
E ç'nom të bekuar vure për çdo gjë q'është në jetë!

Sa më pëlqen blegërima, zër'i ëmbël' i bagëtisë,
Qëngji edhe kec'i bukur, që rri më gjunj' e pi sisë!
Përhapurë bagëtija nëpër sheshe, nëpër brinja,
Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja;
Bijen zilet' e këmborët e fyelli e xhuraja,
Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në zemër një dëshirë,
Një gas t'ëmbël' e të shumë, o! sa bukur e sa mirë!
Pelën e ndjek mëz'i bukur, lopës i vete viçi pas,
Dellëndyshja punëtore bën folenë me të math gas,
Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë,
Me zemër të çelur shumë vete si trimi me pallë,
Zoqtë zënë këng' e valle dhe po kërcejn' e këndojnë,
E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë,
Larashi ngrihet përpjetë, thua q'i shpie Perëndisë
Një lëvdatë të bekuar për gëzimt të gjithësisë,

Qielli sa ësht' i kthiellt e sa është sbukuruar!
E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!
Gjithë këto lule ç'janë, që u ngjallë menjëherë?
Ngaha qielli ke xbritur? Ver', o e bukura verë!
Çdo lulezë ka me vehte një emër e një fytyrë,
Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj'erë e një ngjyrë,
Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe çdo bar e çdo fletë;
Sa është e bukur faq' e dheut! S'të zë syri gjë të metë.

Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar,
A me të matht të ti' Zoti pej parajs'e ka dërguar?

Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer' e të brengosur,
Të këputur, të mjeruar, të grisur e të rreckosur;
Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi,
S'i ka mbetur gas në zemrë, se s'i la vënt idhërimi.
Eshtë njeri, si dhe neve, po epini, o të pasur,
E mos e lini të urët dhe të mjer' e buzëplasur,
Se përtimn' e zi, q'e pruri të gjorën më këtë ditë,
Nuk' e dimë vet' e zgjodhi, apo ia dhanë Perënditë.
Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë,
Zëmëra s'thuhetë zëmrë me mos pasurë mëshirë.

Ah! edh' atje tej mbi udhë i duket i shkreti varri,
Rrethuar me lul'e me bar, një të gjori udhëtari,
Që ka vdekur i ri shumë e ka rarë lark shtëpisë,
Mërguar nga mëm' e motrë dhe pej gjithë njerëzisë;
Një zok i helmuar mi varrt i rri si mëmëzë dh'e qan,
Ndarë nga të gjithë shokët edhe zi për të mjerë mban.

Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë, që rrij Zoti,
Pas fesë vjetrë që kishinë shqipëtarëtë qëmoti,
Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt' e tu ke parë
Luftëra të mëdha shumë e punë që kanë ngjarë.
O malet' e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë!
Të patundurë përjetë jini, pa, kur oshëtini,
Udhëtarit në zemër frikë të madhe i vini;
Keni shkëmbënj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndë gji,
Përsiprë lulez' e gjethe dhe brënda ergjënt e flori,
E ju fusha bukuroshe edhe të majm'e pëllore,
Ju sheshet e lulëzuar, ju bregore gjelbërore,
Q'u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule,
Zemërn' e varfërë time aty ndër ju e kam mbluar,
Tek buron nga gjithi juaj uj'i ftoht' e i kulluar;
Jam lark jush i dëshëruar edhe s'e duronj dot mallë,
Po s'e di si dua unë do t'u shoh një herë vallë?

Të paskësha vrapn' e veriut, të kisha krahë pëllumbi,
Nxitimn' e lumit me valë, q'ikën me vërtik si plumbi,
E të vija në gjit tuaj, nj' ujë të ftohtë të pinja,
Edhe nëpër ato hije një copë herë të rrinja,
Syt' e ballit t'i xbavitnja, zëmërënë ta dëfrenja,
Gazë, që paçë njëherë, prap' aty ndër ju ta gjenja.
Opopo! Kshu pse më vini përpara syve pa pushim,
O ditët' e djalërisë, o moj kohëz' e të rit tim?

O flutura krahëshkruar, që fluturon nëpër erë,
As merr dhe zëmrënë time me vehtezë dhe ma shpjerë
Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt' e mija,
Ku shkon me zile të madhe ogiçi përmes lajthisë,
Pa zjen e oshëtin mali ngaha zër'i bagëtisë;
Marrënë vrapn' e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë,
Dhëntë ndër shesh'e ndër brigje, dhitë në shkëmb e në rripë.

Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë;
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
Kush sjell gjeth e karthj' e shkarpa, sicilido ndih më nj'anë;
Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqen këlyshnë, jatëri përgëzon qëntë.
Stopani, bër'i zi sterrë, shikon bulmetn' e bekuar,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon pa përtuar;
Udhëtar' e gjahëtorë, q'u bije udha ndër male,
U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale...
Kec'i mbeturë pa mëmë dhe i varfër' e i shkretë
Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë.
Dëgjohet nga mez'i pyllit krism' e sëpatës s'druvarit,
E sharrësë që bën lëndë, edhe fyell'i shterparit.

Shterpari s'i qaset stanit, po nër pyje bij'e ngrihet,
Nëpër maja, nër bregore, rri, këndon a gdhënt, a shtrihet;
S'i trembetë syri kurrë, vetëm ajy dit' e natë,
Nga ujku e nga kusari s'ka frik', as nga lis'i gjatë,
As nga shkëmbënjt' e nga pylli, as gogolëtë s'e hanë,
Armëtë ka shok e vëlla, mëm' e motërë xhuranë;
Miqt' e ti shqeratë janë, kecërit, dhitë, dhëntë,
Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë e më tepër qëntë,
Që s'flenë, po rrin' e ruajn bagëtinë dhe barinë,
Kur e shohin, tundin bishtin dhe me gas të math i vinë;
S'e hanë njerin' e mirë edhe mikun' e udhëtarë,
Se i njohën; po të liknë, egërsirënë, kusarë.
Vjen nata, e lë në t'errët, del hëna, i përhap dritën,
Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint' dielli, i bije ditën.
Yjtë, hëna, dielli, shënja, lindin e prapë perëndojnë,
Gjithë ç'lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shkojnë.
Mblidhen ret' e hapësira bënetë e zezë sterrë,
Vetëtimat e gjëmimet nisin e shiu zë të bjerë;
Bariu vë gunën në kokë, z'eshkën me herët të parë,
Ndes shkarpat sakaqëherë, e lisnë fyl, dhe bën zjarrë;
Fishëllen e thërret qentë sicilin me emër veçan,
Pa, kur derdhetë Baliku, ujkun' e zë edh'e përlan,
Se bisha, që bije dëmnë, errësir' e mjergull kërkon,
Papo bariu shum' ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon,
Dhe sokëllin me zë të madh, tunden malet e shkëmbenjtë,
Gumzhitin pyjet' e veshur e oshëtijnë përrenjtë!

Esht' e lehtë dhi e stanit, që kullot gjethen e malit,
Dhe bij'e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e zallit;
Dhi e shtëpis' ësht' e plokshtë, fle në vath' e nënë strehë
E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në plehë;
Esht' e butëz' edh'e qetë dhe e urtë si manare,
Nuk' është si malësorja, andaj i thonë bravare.

Në pshat, posa sbardhëllehet, sheh një plakëzë të gjorë,
Ngrihet, hap derën ngadale, e del me kusi në dorë,
Rri në derëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur
I nget bagëtin' e delen, i mjel plakëz' e drobitur.
Plaku lë shkopnë mënjanë e bën gardhin a zë shteknë,
Bariu vë tufën përpara, vasha përkëdhel sheleknë,
Nusja pshi e ndreq shtëpinë edhe bën bukën e gjellën,
I shoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë, kalën, pelën,
Mushkën, që ësht' e harbuar edhe bashkë me gomarë
Rrahënë të hedhin murë, të hanë bimën a barë.
Një grua vete në krua, e jatëra zë të tuntnjë,
Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjatëra bën çtë muntnjë.

Na hyjnë shumë në punë kafshëtë dhe bagëtija,
Na i dha në këtë jetë shok' e ndihmës Perëndija.
Të mos ishte gjë e gjallë, njeriu s'rronte dot në jetë,
Do të vdiste nga uria, do t'ish lakuriq e shkretë;
Gjë e gjallë na vesh, na mbath dhe na ushqen e na xbavit,
Kur shtohet e vete mbarë; jetënë tën' e përsërit.
Edhe dheu, që na ep drithë, sido ta kemi punuar,
Nukë pjell mirë si duam, po s'e patmë plehëruar.
O shokëtë e njeriut, Zoti u shtoftë e u bekoftë!
Dhe shpirti im mik përjetë, sindëkur ka qën' u qoftë.
Kafshët, edhe bagëtinë, që u ka kaqë nevojë,
Njeriu duhetë t'i shohë, t'i ketë kujdes, t'i dojë.
Të mos t'i mundojmë kurrë, po si fëmijë t'i kemi,
Eshtë mëkat edhe fjalë të ligë për to të themi.

Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,
Dhe të k'ënda vahn' e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie
Me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie?
Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time,
Q'është thier, bërë posi një pasqirë,
Duke këputur nga cmagu, që s'e kanë vartur mirë,
Apo vjen nga fush'e Korçës, nga vënd'i mir' e i gjerë,
Pej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot' e ndjerë?
A më vjen pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje,
Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor' e pej Myzeqeje?

Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti,
Me gas të math do t'i vinjam Shqipërisë brënda në gji!
Për me marrë drejt Shkumbinë edh' Elbasan' e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat' e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit' e Tetovën;
Krojënë e Skënderbegut, q'i ka pas dhan ner Shqypnisë,
Tue bam me trimni luftë, e m'e munt mren e Tyrqisë.

Durres, o qytet i bukur, që je kërthiz' e mëmëdheut!
Edhe ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!
Burrat tuaj aqë trima do ta lenë vall' Ylqinë
Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë?
Nukë më ngjan e s'e besonj, kam te zoti shumë shpresë,
Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.

Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,
Vëllezërit shqipëtarë, që venë në pun' e vinë,
Burrat trima me besë dhe shpirtmir' e punëtorë,
Dhe fushatë gjithë lule e malet me dëborë.

O fushazëtë pëllore, që m'ushqeni Shqipërinë,
Do të këndoj bukurinë tuaj edhe bujqësinë.

Ti perndi e ligjërisë, që rri në malt të Tomorit,
Unju posht' e më ndih pakë, o motra im'e të gjorit!
Më ke leshrat të florinjta e të ergjëndtë krahrorë,
Ball' e gush' e faq'e llërë dhe këmb' e duar dëborë;
Sikundër do malësorët dhe pyjet e bagëtinë,
Duaj edhe fusharakët dhe arat' e bujqësinë,

Edhe ti, o mëmëz' e dheut, q'i fale dheut aq' uratë,
Sa pjell mijëra të mira e kurrë s'mbetetë thatë,
I dhe lul'e bar e gjethe, bim' e drith' e pem' e drurë,
Mlodhe gjithë bukuritë edhe kanisk ia ke prurë.

Të keqen, o symëshqerë, shikomë një herë në syt!
Si lulet' e si bilbili edhe unë jam djali yt.

Gjithë këto farë lulesh e këtë të bukur erë,
Këtë mblerim, këto gjyrë vallë nga ç'vent'i kesh nxjerrë!
O sa e madhe bukuri! As më thua ku e more!
O bukuroshe, t'u bëfsha, ngaha gjiri yt e nxore?
Apo me dorët të bukur e more nga gjir'i Zotit,
Nga qielli, nga parajsa, nga prehër' e plotë i motit?
Kudo shkel këmbëza jote, gëzohet vendi e mbleron,
Tekdo heth sythit e qeshur, bukuri' atje lulëzon!

Pergatiti:Flori Bruqi