Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e enjte, nëntor 24, 2005

Mirçea Luçesku, trajneri i Shahtjorit, do të përballet sot me djalin e tij Razvan, trajneri i Rapidit të Bukureshtit

Sfidë Brenda shtëpisë në Kupën UEFA

Enkas per Flori-Press-in nga Endi TUFA


Trajneri i Rapidit të Bukureshtit, Razvan Luçesku, kërkon të mbajë lart emrin e familjes, por edhe të babait të tij Mirçea Luçesku. Skuadra e tij do të përballet sot me atë të babait, Shahtjor Donjeck. Një fitore do t'i sigurojë Shahtjorit pikët maksimale dhe kualifikimin për në turin tjetër. "Unë do ta mund Razvanin, pasi ai duhet të mësohet me humbje nëse ka dëshirë të bëhet një trajner i mirë," ka thënë 61 vjeçari Mirçea Luçesku. Ish trajneri i përfaqësueses rumune ka deklaruar gjithashtu se përballja me skuadrën e të birit ka sjellë "probleme" në familje. "Në të vërtetë, kjo ndeshje nuk i bën mirë familjes sime. Unë personalisht nuk ndihem mirë. Nëse unë e humb këtë ndeshje ose barazoj, do të më akuzojnë se kam favorizuar djalin tim." Nga ana tjetër, 36 vjeçari Razvan Luçesku, i cili ka zhvilluar 230 ndeshje si portier me skuadra të ndryshme rumune, ndihet disi më i qetësuar. "Nuk kam se çfarë të humbas nga kjo ndeshje, pasi nuk jam ende një emër i madh i futbollit. Gjithsesi, babai im dhe jo unë ndihet nën presion. Nëse do të humbasë, prestigji i tij do të lëkundet." Ndërkohë po për Kupën UEFA, sot do të përballet CSKA ja e Moskës me Levski Sofian. Skuadra ruse kërkon një fitore pas dy barazimeve që ka marrë në dy ndeshjet që ka zhvilluar në grupin F. Ditët e fundit, ata kanë qenë të shqetësuar edhe nga çështja e Daniel Karvajos. Organizatori brazilian në të vërtetë ka përgënjeshtruar zërat, sipas të cilave është ndaluar nga policia ruse për një përdhunim të dy vajzave të reja. "Unë mund të them se jam krejtësisht i pafajshëm, ka thënë Karvajo pas fitores 4 3 të CSKA së ndaj Vladikavkazit në kampionatin rus. Unë e respektoj këtë vend dhe jam në gjendje të vërtetoj pafajësinë time." Trajneri i CSKA së, Valeri Gazajev, ka vendosur të lërë pushim disa lojtarë, përfshirë këtu edhe Karvajon, pas fitores së titullit kampion në Rusi për të tretin vit radhazi. Një tjetër ndeshje interesante për Kupën UEFA është edhe ajo mes Olimpikut të Marsejës dhe holandezëve të Hernvenit. Francezët vijnë pas një fitoreje 2 1 në transfertë ndaj CSKA së. Edhe këtë herë, shpresat e tyre me sa duket do të varen te Frenk Riberi. Mesfushori, i cili është marrë në qershor nga Gallatasaraji, ka bërë një paraqitje shumë të mirë deri në këtë periudhë të sezonit. Për më shumë, ai është grumbulluar edhe nga trajneri i përfaqësueses franceze, Rajmond Domenek.
Në grupin A është një tjetër skuadër, e cila mund të sigurojë kualifikimin për në raundin tjetër vetëm me një fitore. Kështu, Hamburgut do t'i mjaftonte vetëm një barazim me Monakon. Ndërkohë, Midëllsbrou do të përballet me holandezët e AZ Alkmarit për grupin D.

Manike: Atletiko pikësynimi im
Mesfushori portugez, Manike, kërkon të kalojë tek Atletiko e Madridit në merkaton e janarit, megjithatë nuk është i bindur nëse këtë gjë do t'ia lejojë klubi i tij apo jo. "Më pëlqen shumë ideja që të shkoj dhe të luaj për Atletikon, por për momentin nuk është arritur asnjë marrëveshje midis kësaj skuadre dhe Dinamos, ka thënë Manike për shtypin spanjoll. Unë nuk kam shumë kohë që kam kaluar në kampionatin rus dhe ky fakt tregon fare mirë se ata nuk do të më lejojnë të largohem. Gjithsesi, nëse të dyja skuadrat do të arrijnë një marrëveshje për mua, nuk do të ketë asnjë problem. Do të më pëlqente shumë të luaja në Spanjë, por për momentin na duhet të presim dhe të shohim se çfarë mund të ndodhë. Pra dua të them se aktualisht vazhdoj të jem lojtari i Dinamos," ka përfunduar Manike.