Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e mërkurë, nëntor 02, 2005

Lajme nga Dosier

E vërteta e incidentit tim me Kadarenë në Berat
Hotmail has replaced this image to help protect your privacy.  Click 'Show images once  or  Add sender to safe list' above to display images if you trust the sender of this message. Në burg jetonim në një kapanon me shtretër dërrase, poshtë meje flinte Musine Kokalari
Hotmail has replaced this image to help protect your privacy.  Click 'Show images once  or  Add sender to safe list' above to display images if you trust the sender of this message.

Autori i Lajmit: Prof. Asc. Dr. Gjergj. P. Titani Juli Sinani

Znj. Dhora, a mundeni të na përshkruani omentet e para në qeli dhe diçka rreth dosjes suaj që u çoi në këtë ferr?
Errësirë e plotë, një erë e rëndë sa nuk më trullosi. E gjithë kjo ishte një ëndërr vallë?! Jo, realitet. Ëndërr qe fasada: “Dhora Leka ka shkuar për të mbledhur folklorin popullor në bregdetin e Himarës, drejtori i kishte dhënë edhe kitarën... dhe 15 ditë dieta, pa dyshim edhe urdhër shërbimin”.
... Nuk e di sa zgjati që u përpëlita në këtë gropë të errët, të qelbët..., ku prishte heshtjen zhurmat që bënin shpërthimet nëpër tubacionet e banjove që vinin nga larg.
Po më pas...?
Më pas ndieva sikur një lak më shtrëngoi në fyt. Kur llozi kërciti, dera u hap e një rreze drite depërtoi rrëshqitshëm, veç ndieva që dikush më tundi. si duket rrezja e dritës dhe ajri i lehtë që kishte depërtuar dhe tundja e duarve në çast më solli në vetëdije. Nuk e njihja personin që mundohej të më përmendte, e ç’rëndësi kishte kush ishte ai. Një pështjellim në stomak më bëri të më shpërthejë një e vjellë, të spërkas veten time dhe personin që mundohej të më ngrinte. A i erdhi vallë atij ndot... dhimbje... neveri... Më mori për krahu dhe më çoi në dhomën për karshi. Mbaj mend ishte një shtrat portativ, një tryezë pa asgjë përsipër dhe një karrige përballë. Personi u ul e rrinte si mbi gjemba. Më bëri me shenja të ulem. Vë dorën në mbështetësen e karriges ta lëvizja pak.
I them: Çudi! Nuk lëviza prej vendit...
- Do ta marrësh vesh, - më tha prerë. Hapi sirtarin, nxorri prej andej një revolver, e vuri në xhep dhe doli....
Dhe unë mundohesha të zbardhja enigmën... Pastaj orë të rënda vazhdonin njëra pas tjetrës të kalonin. Ishte ditë apo natë, - ç’rëndësi ka tashti. Ishin të rënda... shumë të rënda... shumë të vështira. Dhe secili prej nesh që ka kaluar këtë kalvar i ka përjetuar sipas rrethanave që i kishin sjellë në “laborator” presionesh fizike e psikike të paimagjinueshme. Rëndësi për ata “hetonjësit e palodhur” kishin që fletët të shtoheshin njëra pas tjetrës edhe kur heshtje.
Më 3 qeshor 1957 shoqëruesi i këtyre ditëve më ngjiti në katin e dytë. Një derë u hap. Ulur para një tavoline ishin dy persona. Nuk i njihja. Me shpoti më tha njëri prej tyre: Hë, si e ndieni veten?! – Ai që do të ishte hetuesi im më urdhëroi të heq nga veshi vathët e mi. I mbaja ato në vesh që më 1936. Më bëri me shenjë t’i jap orën, unazën; i mori dhe ua lëshoi mbi tavolinë të tjerëve, ndërsa më pas u ul. Ai që kryesonte vrazhdë më tha: Që sot 3 qeshor 1957 jeni e arrestuar. Bëri me dorë nga “shoqëronjësi”, i cili më kishte shoqëruar gjithë këto ditë, ishte vetë ai i cili që nga Gjirokastra më kishte shoqëruar gjithë këto ditë “bashkëudhëtari im”, që në fakt ishte hetuesi im, Irfan Shaqiri; kurse ai që kryesonte Filat Muça, kryehetuesi.
Në atë kohë unë nuk e kisha lexuar romanin “Kryqi i shtatë”, s’më kujtohet këtë çast autori por “Kryqi i shtatë” po...
Dhe kur kjo dosje u mbush plot më urdhëruan: Lexoje! – Ngrita supet, - ç’rëndësi ka e lexoj apo se lexoj?!
- Do të dalësh në “Gjyq”. Në bazë kësaj “dosjeje” do të dalësh në “Gjyq”, trupi gjykues do të japë vendimin. Do avokat të të mbrojë?
Nuk e mbajta dot një nënqeshje të lehtë. A ka një avokat të dalë të më mbrojë?! – iu përgjigja. Çudi! S’kam dëgjuar të ketë të tillë! Vështrova dosjen. Isha kureshtare ç’shkruhej atje brenda. Ja më kujtohet: Një ditë hetuesit më bënë një pyetje të vështirë... dh, nuk e di pse në atë çast ndjeva nevojën të pija një cigare.
- Ka mundësi të më jepni një cigare. Njëri nga hetuesit nxorri një cigare nga paketa “Partizani” dhe shkrepsen. Unë, instiktivisht zgjat dorën. – Oh, jo, jo, jo! Të pihet cigare?! Jo, jo, jo. Cigare ti do pish kur të dua unë, dhe i ra tavolinës me grusht.
prej asaj dite unë nuk kërkova më cigare. Dhe, rasti e solli që në sallën e gjyqit (që ishte një barakë e vjetër prapa oborrit) Trupi gjykues i Gjykatës së Lartë do të merrte “Vendimin” e këtij proçesi... pas pretencës... së “Prokurorit”. Ç’rëndësi ka emri, ai shëtit serbes rrugëve të Tiranës. Atëherë ai tha: Kërkoj nga Trupi Gjykues i Gjykatës së Lartë Ushtarake, për armiken e popullit Dhora Leka, dënim me vdekje: Pushkatim!
Nuk u befasova. Dhjetra faqe që ai lexoi në “Aktakuzën” e tij. Oh, sa krime të rënda kisha bërë unë me mendje! U tha e ç’nuk u tha, e unë gjithnjë përsërisja: Çudi! Çudi! – unë i paskam bërë të gjitha këto?! Paskam qenë vërtet trime sipas meje...
Prokurori fshiu djersën “çurkë” të ftohtë, a të ngrohtë, nuk e di dhe u ul, ndërsa trupi gjykues e deklaroi të mbyllur seancën. Më larguan edhe mua nga salla. E vetmja veç trupit gjykues, i pranishëm në këtë “gjykim në emër të popullit”.
Kur më kthyen në qelinë e izolimit, hetuesi (që nuk më ishte ndarë për asnjë moment gjatë seancës sime) më zgjati një cigare (qe po ai që ma kishte mohuar).
- Ndize, - më tha, - pije se..
E pashë në sy. Ai nuk i rezistoi vështrimit tim zhbirues. – Unë e pi cigaren kur dua unë, unë vetë... dhe jo kur do ti, dhe prap e pashë drejt në sy.
Çfarë ndodhi me ju pas dhënies së dënimit?
Më falën jetën si luftëtare që kishte luftuar jo vetëm me armë në dorë për liri, por edhe për këngët partizane që kishin ngritur në këmbë një popull të tërë.
Vendimi ishte i tillë: 25 vjet privim lirie, konfiskim i pasurisë së luajtshme e të paluajtshme, heqjen e gradës ushtarake (sepse unë isha liruar nga ushtria në janarin 1945 me gradën “kapitene”), heqjen e të gjitha urdhërave e doktoratave, heqjen e të drejtës së autorit, heqjen e të drejtës elektorale për pesë vjet pas kryerjes së dënimit. Ç’ka jo keq, 25 vjet privim lirie, një fjalë goje!
Sot “dosjexhinjtë” apo dosjershkruesit shfletojnë “dosjet autentike” të trilluara, të shpërfytyruara nga realiteti, mashtrues, e të tjerë, thonë e çfarë nuk thonë. Sikur ta dinë këta mjeranë se çfarë shfletojnë, se çfarë skenarësh “horrorë” të shëmtuar, janë këto dosje. Për fat të keq “gjuetarët” e dosjeve mundohen me të gjitha mënyrat t’i nxjerrin në “dritë”. Vështirë që t’i gjendet filli i Arianës për t’u orientuar në këtë labirinth e më pas për të dalë prej andej. Unë habitem se si guxojnë këta gazetarë, ose më mirë të them gazetarucë, që pa pasur asnjë titull shkencor e asnjë specializim të veçantë guxojnë të botojnë ato dosje që as vetë ish të dënuarit nuk e dinë me siguri se çfarë është shkruar në to, sepse ato dosje nuk i kanë lexuar kurrë.
Si kanë qenë vitet në burg?
Gratë e dënuara dënimin e kryenin jo në burg, sepse atë izolim të dhunshëm Ministria e Brendshme nuk dëshironte ta quante burg, por Punëtoria Qëndrore e Artizanatit pranë MPB. Vitet kaluan njëri pas tjetrit. Në punëtori punonim me tre turne. Qepnim në seri uniforma ushtarake që i duheshin ministrisë. Rrihnim pambuk dhe mbushnim dysheqe e jastëkë. Fillimisht qëndronim bashkë; të dënuarat politike me ato ordinere. Ato ishin disa qindra, ndërsa ne të dënuarat politike, nuk i kalonim 50 vetë. Jetonim në një kapanon e flinim në shtretër dërrase dykatëshe. Dyshekët ishin të mbushur me lecka që i mblidhnim, kur prisnim e qepnim uniforma. Më takoi të fle në një shtrat dykatësh. Poshtë meje flinte e mrekullueshmja Musine Kokalari. Sa herë vinte ndonjë malësore, Musineja gjente rastin ta pyeste se mos ajo dinte ndonjë përrrallë, legjendë apo fjalët e ndonjë kënge “Majëkrahit”. Ajo ishte një specialiste e folklorit të mrekullueshëm dhe më vjen shumë keq se gjithçka nga studimet e saj është zhdukur. Përballë kisha Marie Dvoranin (Medicina), një infermiere partizane e Brig. së I. Maria sot ka botuar disa libra dhe shpesh e kujtojmë njëra-tjetrën në telefon.
Gjatë viteve të vështira të burgut, unë para punës së detyruar fizike thurrja vargje në mendjen time, të cilat si lutjet kishtare i përsërisja çdo natë që të mos i harroja. Çdo ditë befasisht kontrolloheshin shtretërit tanë dhe po të të gjenin vjersha të shkruara merrnin masa të rrepta dhe ridënoheshe. Dëshiroj të recitoj njërën prej tyre: “Malli më ka marrë”...
Për Diellin malli më ka marrë/ Edhe për Hënën dritëzbehtë,/ Sa koh’ u bë që s’i kam parë,/ Sa koh’ u bë që unë jam vetë!// Edhe për malet mall’ un’ kam,/ Për lumn’ e fushn’ e detn’ e gjerë,/ Për lulet, pemët, gjith sa jan,/ Të lulëzuar në kët’ pranverë!// Për këngën malli më ka marrë,/ T’ia them me zjarr si një herë,/ Herë me gaz, herë me të qarë,/ Ashtu si zemra ma ka ndjerë!// Edhe për ty, sa mall un’ kam/ Të t’shoh, të puth, të ledhatoj,/ Por ti e di q’e ndrydhur jam:/ E s’kam ç’të bëj, veç të ëndërroj./
(Izolim Burgu i Vjetër/ Prill 1958)
Për sa kohë i keni përsëritur vjershat tuaja dhe kur e panë dritën e botimit?
Gjatë gjithë kohës së burgimit mbi 7 vjetë, pothuaj çdo natë para se të flija, me fanatizëm përsërisja këtë ritual edhe pse ato shtoheshin e shtoheshin. Dhe vetëm pas daljes sime nga ky “varr” mund t’u jepja jetë dhe bashkë me vargjet gjatë internimit i kam përmbledhur në vëllimin “Këngë në shtrëngatë”, këto vargje të këtij libri them me modesti se janë një motërzë e librit: “Këngët e luftës për liri”, që u thurrën gjatë luftës partizane.
Zonja Dhora a i kaluat në burg të gjitha vitet e dënimit?
Sigurisht, jo. Fati e deshi që të mos i vuaja të gjtha vitet e dënimit që vendosi “dosja” që kurrë nuk e di se çfarë përmban dhe e kam peng që nuk e kam njohur, sepse ende nuk ka ligj për hapjen e dosjeve. Ç’ka më habit siç u shpreha më lart se nga i peshkojnë “dosjexhinjtë” këto materiale. Në ato vite që unë kryeja dënimin pata fatin të përfitoj një zbritje të madhe të dënimit nga amnistitë e bëra në nëntoret e viteve 1957-1959-1952, kisha fituar veç amnistive edhe një zbritje të dënimit prej 3 vjet e gjashtë muaj nga puna e kryer dhe tejkalimi i normës ditore, pra në total mbeteshin për të kryer edhe 2 – 3 vjet. Mbas një gjykimi për falje dënimi që nuk e di nga më erdhi peshqesh, sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës lirohem me kusht në nëntorin e vitit 1963. Kushti ishte: “Do të më jepej maksimal në rast përsëritje të fajit”, dhe kjo s’ish gjë tjetër veçse sërish unë isha në shënjestër.

Si e përjetuat momentin e daljes nga burgu?
Ndonëse e amnistuar nga krytari i Gjykatës së Tiranës, komunikimin e vendimit tim me kusht, kur më thanë: Je liruar! Sigurisht, që më erdhi e papritur. Ishte një çast i shumëpritur dhe emocional dhe papritur pyeta: Po, ku të shkoj? – Ku të duash, - tha ai me indiferentizëm. Vrapova nërpër shkallë. Zemra më rrihte fort. Më dukej e habitshme se si nuk më shoqëronte nga pas polici dhe duart nuk i kisha të lidhura. Mora frymë lirisht. Frymën e mbajta në Punëtorinë Qëndrore të Artizanatit. Rojes i kërkova të takoj komandantin e Punëtorisë, Vangjel Rëmbeci, që ishte njëkohësisht edhe përgjegjës për Punëtorinë. Me një frymë i them vendimin e gjykatës. Ai si duket ishte njoftuar për vendimin, më pajisi me një fletë lirimi dhe më drejtoi në degën e Brendshme të Tiranës. Më nxorën ato pak sende personale, një këndez plaçka siç i thonë dhe e mbajta frymën në drejtorinë e Brendshme që vazhdonte të ishte tek “Selvia”. Më pajisën edhe atje zyrtarisht me fletën e lirimit. Me fletëm e lirimit në dorë shkova tek hotel “Donika”. Aty më kërkuan dokumentin e indentitetit dhe i paraqita dokumentin e lirimit nga burgu, por ata më thanë: S’ka vend moj shoqe!
Shkoj përsëri me vrap tek “Selvia”, iu them: - Në hotel “Donika” ku u paraqita nuk më pranuan. Ngriti telefonin, s’di me kë foli dhe prerë më tha: - Shkoni, shkoni tek “Donika” u gjend një vend. Pasi u sistemova në një dhomë të hotelit dëshira që më pushtoi ishte që sa më parë të takoja nënën time. Ajo banonte në pallatet e Lanës, në një hyrje me vëllanë tim të madh Petron. Çaste mallëngjuese. Trokas në portë por s’më përgjigjet njeri, e shtyj, hyj në korridor dhe bërtas: Nënë, nënë moj! Më duket sikur edhe tashti po e përjetoj atë çast: nënë, nënë e dashur, dhe duart u zgjatën e u përqafuan. Si mbaja dot lotët as unë as ajo. Pasi u gëlltit ajo tha: Shyqyr moj bijë që ia arritëm kësaj dite! Dhe përsëri u gëlltit dhe së fundi e tronditur më tha: Këtu ti s’mund të jetosh, nuk mund të flesh. Djali më ka thënë se ai është anëtar Partie dhe duhet ta kuptojmë këtë gjendje. Ti nuk mund të jetosh në këtë shtëpi, prandaj do ta bëjmë zemrën gur. Mos u mërzit nënë, i thashë dhe u drejtova për në hotel. Mbas disa ditësh “organet kompetente” më komunikuan se isha caktuar të shkoja për të jetuar në Berat. Qëndrimi im në Berat lejohej me lëvizje të kufizuar brenda Beratit, pra, jo internim, por me lëvizje të kufizuar brenda Beratit! Një variant specifik i internimit. Para se të nisesha në Berat nëna erdhi e më takoi ne Hotel, i thashë se më kishin caktuar të shkoja në Berat. Gëzimi ynë ishte i dyfishtë, sepse në Berat jetonte prej Korrikut 1955 motra ime Mita Jakova me katër fëmijët e vegjël të mbetur jetimë. Kur mbërrita në Berat tek stacioni i autobuzit shoh një vajzë të vogël e cila vrapoi drejt meje dhe m’i hodhi duart në qafë: - Jam Bujana, teta Dhora!
Sa ishte rritur, sa ishte zbukuruar! gjatë rrugës për në shtëpi përsëriste: Sa do të gëzohet mami, Gimi, Niku, Vjosa, sa do të gëzohem! Do të rrish me ne! Oh, sa qejf! dhe unë se përmbaja dot mallëngjimin, gëzimin.
Zonja Dhora familja e ish-kryministrit ende ndodhej në Berat?
Familja e motrës sime, po. Familja e motrës sime vazhdonte të jetonte në po atë shtëpi përdhese, ku i kisha shoqëruar më 23 qeshor 1955. Sigurisht kësaj radhe shumë e pastër, paçka se me orendi shumë modeste. Motra kishte bërë gati edhe tavolinën për drekë. U përqafuam përmallshëm, duke e mbajtur me zor ngashërimin. Sa shumë kishim për t’i folur njëra-tjetrës. Për netë me radhë secila përshkroi kalvarin e odisesë së vet të dhimbshme.
Pas disa ditësh erdhi nëna jonë, kish vendosur të jetonto së bashku. Jetesa ishte shumë e vështirë, u bëmë shtatë vetë. Mua më duhej patjetër të filloja një punë dhe puna u gjet: Në Ndërmarrjen e Grumbullimit të arnoja thasë që ngarkoheshin me grurë.
Duke qenë shumë ngushtë kërkova të më jepej një banesë dhe pas shumë peripecish më në fund, në një shtëpi të vjetër u gjend një dhomë ku jetova atje bashkë me nënën.
Por, ëndrra ime ishte, që në ditët e izolimit në qeli dëshiroja, të shkruaja një opera. Më duhej një pianoforte. Duke i shfaqur nënës sime këtë dëshirë ajo më tha: - Mirë, moj bijë e blejmë një pianoforte, e di unë s’të rri shpirti. I ka mbledhur nëna si plaga qelbin ca lekë, që i kam ruajtur për shpenzimet e vdekjes. Nuk doja t’i bija barrë askujt. S’do vdes nesër dhe i ka paratë nëna. Merri dhe bli pianon. Kështu fillova unë të punoj mbrëmjeve pas punës së rëndë, për të realizuar këtë ëndërr. S’maftonte vetëm pianoja për këtë duhej shkruar më parë libreti. Për këtë më duhej të merrja kontakt me ndonjë poet të më ndihmonte. Po dyert ishin të mbyllura për mua, duke filluar që nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Unë vazhdoja të shkruaja vargje por libretë opere s’kisha provuar ndonjëherë.
Dhe, ishte e pajustifikueshme kjo, të takoheshe me mua ishte sikur të takoje ndonjë lebroz. Hija e sigurimit ishte e pranishme gjithkund. Hije që njerëzit e ndjenin veten të pasigurtë. Sa shpesh përsërisnim në ato vite diktature shprehjen: “Mos i beso as lëkurës tënde!” Kjo i bënte njerëzit të ndrydhur. Dhe unë nuk i mbaj askujt mëri, që s’më erdhi në ndihmë kur kisha aq shumë nevojë. Çdo njeri vetë e ndien dhe e di se ku i pikon shtëpia.
Ç’farë bëtë për të arritur ëndrrën tuaj?
Më rastisi të takoj në Tiranë Ismail Hoxhën, kishim qenë bashkëstudentë në Moskë. Ai ishte drejtor i Kulturës në Ministrinë e Arsimit dhe kur i shpreha dëshirën dhe pengesat për të realizuar operën “Vjeshtë me stuhi”, sidomos për çështjen e libretit më tha: - Por ti moj Dhora pse mundohesh deri në Tiranë? Në Berat ke Ismail Kadarenë, bisedo me të, thuaji edhe nga ana ime që të të ndihmojë.
Dhe ditët ndiqnin njëra tjetrën. Kam shkruar disa vargje që kanë histori të dhimbshme titullohet “I pamposhturi” (Përmendore), ja dëgjoje:
“I pamposhturi” (Përmendore)
Me thonj mundohem / një Përmendore/ “ I pamposhturi” të skalis...// E sheh Tirani,/ kërbaçin ngre/ Bërtet:/ Jo. Kjo s’mund të ndodhë kurrë,/ kurrë,/më mirë vdis!/ Por unë:/Tendos kurrizë,/ dhëmbët shtrëngoj,/nën kërbaç/ më e vendosur/ Përmendore/ “I pamposhturi”/mundohem/të skalis.../Shanget Tirani i tmerruar/nga “eho-ja” që i përplaset/ sfidë në fytyrë:/ Jo. Kjo s’mund të ndodhë kurrë,/Kurrë më mirë vdis!/
Unë ndërkaq vazhdoja të punoja për të shkruar libretin dhe muzikën. Doja me çdo kusht ta shkruaja. Dhe vendosa t’i kërkoja drejtorit të ndërmarrjes të më jepte tre ditë leje të shkëputesha nga puna, pa pagesë, me gjithë vështirësitë e mëdha ekonomike. Jetonim me nënën në minimumin e shpenzimeve të jetës vetëm për bukë, ujë e kripë.
* * *
Ngjarjet që vazhduan janë të dhimbshme dhe ndodhën krejt papritur, aq sa edhe sot nuk jam në gjendje t’i shpjegoj. U gjenda në një sallë të madhe plot me aktivistë të Frontit Demokratik. Në Presidiumin e mbledhjes, në një tavolinë të mbuluar me një copë të kuqe, që hijerëndë qëndronte Sekretari i I për Beratin, Piro Gusho, që edhe ai më vonë u akuzua me grupin e sabotimit të naftës dhe u vetëvra. (Por ai s’e përballoi dot situatën dhe vrau veten.) Përbri tij dhe shkrimtari Ismail Kadare që vetëm heshtte.
Mua më kishte lajmëruar të merrja pjesë patjetër në këtë mbledhje, kryetari i Këshillit të lagjes. Më habiti këmëngulja e tij. Madje edhe përpara mbledhjes më kujtoi të isha patjetër. Tha e ç’nuk tha kryetari në atë parashtrim të turpshëm dhe e ndieja se sa ngushtë ndihej Ismaili. Mos e kishin marrë për fasadë?! Mos e kishin detyruar si unë që të ishte në sallë prezent?!
Vite më vonë ia kam shkruar edhe ish-kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, duke i thënë se: - “Asnjë qytetar i Republikës Popullore të Shqipërisë, nuk i ishte nënshtruar një diskriminimi të tillë masiv”. Ju sjell në kujtesë, ishte koha e Revolucionit Kulturor në Kinë dhe dacibaot kishin filluar të mbushnin edhe fasadat e ndërtesave tona në Shqipëri. Më vunë para turmës që thërriste në mënyrë histerike: “Në burg, në burg, armike e pandreqshme, tradhëtare, e shitur”. Kjo turmë në ekstazë histerike më shoqëroi deri në degën e Brendshme. (Këtë e ka përjetuar me dhimbje edhe populli i qytetit të Beratit, dhe sot e kujton, ka dëshmitarë okularë që ta përshkruajnë.)
Kryetari i degës që quhej Siri, mbiemri nuk më kujtohet, dha urdhër dhe më mbyllën në një qeli të errët. Për të protestuar shpalla grevën e urisë. Të nesërmen kërkova shpjegime, për të gjithë këtë skenë të turpshme.
- Të lirojmë, - tha i deleguari, por nuk e di nga kush. Përsëriti: - Të lirojmë, por me kusht që ti të pranosh ato ç’ka u thanë në Konferencë.
- Kurrën e kurrës, - ishte përgjigjia ime e vendosur. Mbas disa orëve më nxjerrin nga biruca, më hipin në gazin e degës dhe më çuan në shtëpi. Nëna ime tërë natën e tmerruar më kishte pritur.
- Merr rroba për fjetje, - më urdhëroi punonjësi i degës. Kur hyra në dhomë për të marrë ndonjë plaçkë për fjetje, vetëtimthi ngre kapakun e pianos, rrëmbej nga cepi i tastierës vjershat që i mbaja gjithmonë të mbledhura dhe ia fut nënës në gji duke e përqafuar. Hipa në gaz. Nuk e dija drejtimin që do merrte, për mua ishte enigmë. Ku do më çonin vallë?!....
Vijon në numrin e ardhshëm

Ky lajm është publikuar: 31/10/2005