Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e martë, nëntor 29, 2005

Lajme nga bota :Flash

BRUKSEL
Pavarësisht cili do të jetë statusi i Kosovës, "perspektiva evropiane për Kosovën duhet të jetë e qartë" i ka ripërsëritur qëndrimin e Komisionit Evropian komisioneri për Zgjërimin Oli Rehn shefit të UNMIK-ut Soren Jessen-Petersen.
Ren ka shtuar se procesi që çon kah statusi është i pandashëm nga zbatimi i standardeve.
Në takimin në Bruksel, Rehn ka theksuar se zbatimi i standardeve do të inkuadrohet në procesin e stabilizim-asocimit të Kosovës në Bashkimin
Sipas zëdhënëses Kristina Nadj, Rehn ka shtuar se qëllimi është të gjindet statusi për një "Kosovë shumëetnike", dhe se në këtë proces, pala shqiptare dhe serbe duhet të vendosin dialogun e ndërsjellë.

BRATISLLAVË
Ministreja e Jashtme e Zvicrës Micheline Calmy-Rey, sot e ka ripërsëritur qëndrimin për pavarësinë e Kosovës.
"Arsyeja përse Zvicra mbështet pavarësinë e Kosovës është sepse marrëdhëniet mes Kosovës dhe Zvicrës janë shumë të fuqishme. 10% e shqiptarëve nga Kosova aktualisht jetojnë në Zvicër. Nëse diçka ndodh në Kosovë, kjo do të ketë ndikim edhe në Zvicër", ka deklaruar Calmy-Ray pas takimit me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë Eduard Kukan.
Ajo tha se situata aktuale në Kosovë, e cila prej vitit 1999 është nën administrimin ndërkombëtar, lë shumë për të dëshiruar, dhe kjo i vështirëson përpjekjet e Zvicrës për të ndihmuar Kosovën.
Calmey-Rey dhe Kukan janë shprehur në favor të fillimit të negociatave mbi statusin e Kosovës, duke nënvizuar se duhet të respektohen të gjitha të drejtat e pakicave.
Kukan tha se Sllovakia do të bëjë publike një deklaratë për statusin e ardhshëm të Kosovës. "Më e rëndësishmja është që zgjidhja për një Kosovë të pavarur nuk do ta dëmtonte stabilitetin e rajonit. Gjithashtu është me rëndësi të gjendet një zgjidhje evropiane, me ndikimin maksimal evropian, jo vetëm për hir të Kosovës, por edhe për hir të vendeve tjera në rajon", ka deklaruar Kukan.

UASHINGTON
Departamenti amerikan i Shtetit ka reaguar pas publikimit në disa media të një dokumenti, që sipas tyre, Uashingtoni ia ka dorëzuar Brukselit e që kishte të bënte me qëndrimin amerikan ndaj të ardhmes së Kosovës. Për programin shqip të radios Evropa e Lirë, Terry Davidson, zëdhënës për çështjet evropiane në në Departamentin e Shtetit lidhur me dokumentin në fjalë tha: "Ne rregullisht shkëmbejmë dhe ndajmë ide me partnerët tanë të Grupit të Kontaktit dhe kjo është pjesë e procesit të shkëmbimeve diplomatike. Ne nuk komentojmë publikisht mbi detajet e shkëmbimeve të tilla."
Më tej duke folur për qëndrimin amerikan mbi statusin e Kosovës Davidson shtoi: "Shtetet e Bashkuara nuk janë mbrojtëse të ndonjë rezultati specifik të statusit të ardhshëm të Kosovës. Ne mbështesim punën e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara dhe do të punojmë ngushtë me të dhe palët e përfshira në këtë proces."
Ndërkaq i pyetur rreth emërimit të një të dërguari të Shteteve të Bashkuara në bisedimet për statusin e Kosovës zoti Davidson u përgjigj shkurt se "nuk e kemi një të tillë".

PRISHTINË
Bashkimi Evropian tha se me një milion euro do t'i finansojë përgatitjet për regjistrimin e popullsisë në Kosovë, dhe atë përmes Agjencisë Evropiane për Rindërtim dhe konzorciumit që do të udhëhiqet nga Enti i Statistikave i Italisë.
Shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë Giorgio Mamberto tha se regjistrimi i popullsisë në Kosovë duhet të realizohet me efikasitet dhe në bazë të rregullave të njëjta për të gjithë.
Regjistrimi është planifikuar të bëhet në prill 2006.

BRUKSEL
Bashkimi Evropian pret në korrik ta rrumbullaksojë marrëveshjen e asocim-stabilizimit me Shqipërinë, si hap të parë të vendit drejt anëtarësimit në BE, tha kryetari i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso.
Por Tirana ka një rrugë të gjatë përpara se të konsiderohet kërkesa e saj për anëtarësim, tha Barroso pas një takimi në Bruksel me kryeministrin Sali Berisha.

BRUKSEL
Politika e vizave që Bashkimi Evropian zbaton ndaj Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë e Malit të Zi, përfshirë këtu dhe Kosovës, kontribuon për getoizimin e rajonit dhe i minon përpjekjet e Ballkanit për reforma dhe stabilitet, thuhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.
Të metat sklerotike të kësaj politike i rrezikojnë objektivat e integrimeve të mëtejme evropiane dhe i dëmtojnë shpresat e këtyre vendeve për anëtarësimin eventual në BE. Kjo nuk ka të bëjë me emigracionin, me qëndrimin e përhershëm apo kërcënimet për vendet e punës në unionin, por më shumë me liberalizimin e vizave të afatizuara për kategoritë e caktuara, si studentët, njerëzit e biznesit dhe turistët.
Në vitin 2003, Bashkimi Evropian i siguroi njerëzit e rajonit se Brukseli nuk do ta shohë si të plotë hartën e unionit pa bashkangjitjen e këtyre vendeve, por deri tash nuk ka bërë gjë në zbatimin e zotimeve për regjimin e vizave, thuhet mes tjerash në raportin e ICG të bërë publik sot në Bruksel.

TIRANË
Zyrtarë të lartë të mbrojtjes nga 34 vende, trupat e të cilave shërbejnë në Irak, janë tubuar sot në Tiranë për të diskutuar planifikimin e ardhshëm të operacioneve.
Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë njoftoi se konferenca dy ditëshe e organizuar nga Komanda Qendrore amerikane, është pjesë e takimeve të rregullta të përfaqësuesve të ushtrive që mbahen për të analizuar gjendjen e operacionit dhe shkëmbimin e informacioneve.
"Sfidat nuk janë të vogla, por gatishmëria dhe vullneti i popullit të Irakut, i mbështetur nga koalicioni, do të na mundësojë të ecim përpara", tha komandanti i forcave amerikane në Irak, gjenerali George Casey pas takimit me presidentin shqiptar Alfred Moisiu.
Në tubimin merr pjesë edhe shefi i shtatmadhorisë së ushtrisë amerikane, gjenerali John Abizaid.

UASHINGTON
Shtëpia e Bardhë tha se pret që trupat irakiane të stërviten sa duhet vitin e ardhshëm, në mënyrë që të mundësojnë reduktimin e trupave amerikane në Irak.
Zëdhënësi Scot McClellan tha se për këtë nesër do të flasë vetë presidenti.
George Bush sot deklaroi në Texas se çdo vendim për reduktimin e trupave do të varet nga vlerësimi i komandantëve nëse forcat irakiane do të mund t'i luftojnë kryengritësit.
"Ka shumë zëra në Uashington. Kemi dëgjuar njerëz që thonë 'tërhiqni trupat menjëherë'. Ky është gabim i madh që dërgon mesazhe të gabuara te trupat tona, te armiku ynë dhe te irakianët", tha presidenti Bush.
Po sot, këshilltari për Siguri i Irakut Mowaffaq al-Rubaie tha se deri 30 mijë trupa amerikane mund të tërhiqen nga Iraku në fillim të vitit të ardhshëm, nëqoftëse përmirësohet aftësia e forcave lokale irakiane.

BAGDAD
Ushtria e Shteteve të Bashkuara njoftoi se dy ushtarë amerikanë e kanë humbur jetën nga një bombë e vendosur pranë rrugës në veri të Bagdadit.
Ndërkohë, vala e rrëmbimeve vazhdon. Ushtria amerikane dhe policia irakiane thanë se 6 pelegrinë iranianë dhe dy irakienë, janë rrëmbyer nga një person i armatosur afër qytetit Balad, 75 km në veri të Bagdadit.
Ndërkaq për fatin e gjermanes Susanne Osthoff, prej të premtes nuk dihet gjë. Kancelarja Angela Merkel tha se Osthoff mund të jetë rrëmbyer, kurse mediat gjermane thanë se rrëmbyesit janë kërcënuar ta vrasin atë nëqoftëse Berlini nuk e ndërpret bashkëpunimin me qeverinë irakiane.
Ndërkohë, Ekipet e Paqëruajtësve Kristianë konfirmuan se për 4 punonjës humanitarë të këtij grupi, nuk dihet gjë prej 26 nëntorit.

DUBAI
Televizioni satelitor Al-Jazeera transmetoi një videoincizim, në të cilin u pa një grup irakian dhe disa perëndimorë të rrëmbyer, për të cilët rrëmbyesit thanë se janë "spiunë të forcave pushtuese".
AlJazeera tha se i rrëmbyeri është britaniku Norman Kember, njëri nga 4 punonjësit humanitarë që u rrëmbyen të shtunën në Bagdad.

UASHINGTON
Drejtori i CIA-s Porter Goss ka mohuar se agjencia e ka përdorur torturën gjatë hetimit të të dyshuarve për terrorizëm.
Vërejetjet e kreut të CIA-s u bënë pas raportit në Uashington Post se agjencia i ka mbajtur të dyshuarit për terrorizëm në burgjet sekrete në Evrpë.

HAGË
Mbrojtja dhe prokuroria në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit kanë kundërshtuar që pjesa për Kosovën në procesin ndaj ish presidentit jugosllav të zhvillohet ndaras nga ajo për krimet në Bosnjë dhe Kroaci.
Prokurori Jeffrey Nice tha se bëhet fjalë për një "ndërmarrje të përbashkët kriminale".
Nice gjithashtu u shpreh kundër shtyrjes së procesit, të cilën i akuzuari e kërkoi për arsye shëndetësore.
Millosheviqi ngarkohet për 66 pika të aktakuzës, për krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës në luftërat në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë.

MOSKË
Ekologët rusë kanë shprehur shqetësime për mundësinë e pasojave afatgjata nga rrjedhja e helmeve nga Kina në Rusi.
Në 13 nëntor, nga shpërthimi në një fabrikë të kimikateve në Kinë, u shkaktua rrjedhja e mijëra tonelata helmeve në lumin Songhua, i cili derdhet në lumin Amur në Rusi.


Pergatiti:F.B