Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, nëntor 27, 2005






Kuptimi i 28 Nandorit - Për djelmnin shqiptare

Mustafa Kruja


...Lirija i gjan nji bime delikate qi lyp ma të madhin kujdes e tokë t’aftë për me qëndrue e me u zhvillue në mënyrë qi t’i napë kombit pemët e veta për ditë ma të mira e ma të plota. Toka e ksaj bime asht edukata shoqnore e patrijotike e popullit...







(Shkrue në vjetin 1932.Shenim i Flori-Press-it)

KUPTIMI I XXVIII NANDORIT

Për djelmnin shqiptare

Po më duhet edhe mue me shkarravitun diça për numrin e veçantë të “Shqipris së Re” qi do dalë ditën 28 Nëntor. S’e pata kët mendim. Por “Shqipëria e Re” e di t’a fusi njerin në valle edhe kur s’e ka zanat kërcimin a s’asht në fel me kërcye.
Pra po shkruej. Por ça me shkrue? Ju them të drejtën se m’asht dashun t’a lodh mjaft menden për me gjetun nji themë qi t’i përshtatej rasës dhe kohës bashkë e qi mund të këndohej pa mërzi të madhe prej kënduesve të ksaj fletorje.
Ah të kishem qenë dhe un poet, sa m’a kishte anda me i a çue dikuj zemrën peshë e ndonji pikë lot mallëngjimi ndër sy, ashtu si m’a pat bamë mue disa vjet përpara D. Lazër Shantoja me “Kuvendin e Dëshmorvet” po në rasën e 28 Nëntorit! Por mue kët cilsi m’a ka mohue natyra. Nuk dij me shkrue vjersha. E jam fort pak i aftë me gixilue zemra. Më vjen ma tepër për dore me i thirrë mendes, gjykimit të ftohtë se sa me i nxitun kazanit të gjakut.
Prandej edhe dava me i a sjellë fjalën teme kryesisht djelmnis, e cila e ka gjakun në vlim të natyrshëm dhe ka nevojë ma shumë për argumenta qi mund t’a shtien në nji kujtim të thellë mbi kuptimin e ma së madhes ditë të historis së kombit t’onë, se sa për ligjerata qi t’a mallëngjejnë e t’i ndezin gjakun.
Plot 20 vjet para, më 28-XI-1912, nji kuvend burrash të mbledhun në Vlonë ndënë prisin e Ismail Kemalit, i shpalli botës mbarë se Shqipnija, aty e mbrapa, do t’ishte vetëm e shqiptarvet, se këta do t’ishin vetë zotën në plangun e përbashkët të tyne, mu nj’ashtu sikur e ndien dhe e njeh veten secili në shtëpi e gja të vet, se i hueji nuk do të guxonte ma me urdhnue e sundue mbi stërnipat e Illyrve.
Han’e yll po perëndojshin për jetë, po zhdukeshin nga horizonti i atdheut t’onë; ishte tue lemë dielli i liris.
Nji flamur i madh zhdridhej rreth nji shtize të gjatë në dritoren e nji shtëpije të moçme ku ishte mbledhun kuvendi: flamur i kuq, si gjaku i dëshmorvet të tij, me shqipen e zezë dykrenëshe në mes, flamur i Skanderbegut, qi po valonte për të parën herë n’ajrin tonë mbas katër shekujsh e gjymsë.
Atypraty nji za i rreptë buçitte prej qinda krahnorësh e naltohej në qiell si nji lutje e fjeshtë e e kulluet dalë prej zemrash të lame nga çëdo mëkat: “rroftë Shqipnija!” Brohori të padame e lot mallëngjimi.
20 vjet para! Ju djelm të rij të Shqipnis së lirë s’kishit lemë ose ishi edhe të njomë. Sod, 20 vjet mbrapa, ndokush nga ju mund të pyesë mallëngjyeshëm:” ku janë ata burra qi ngritën për të parët flamurin kombtar?” E un ju përgjigjem: ma mirë mos pyetni për ta. Historija, ata qi meritojnë të kujtohen, do t’u a tregojë brezave të ardhshëm. Ka pasun ndër ta apostuj lirije a së paku asish qi e kanë pritë e dëshirue këtë me gjithë zemër. Këta kanë vdekun a rrojnë të ngimë e të kënaqun tue pamë mundimet e sakrificat e tyne të shpërblyeme nga realizimi i ides e i deshirit qi kan ushqye.Ka pasun dhe njerz të rrëmbyem prej nji rryme të pakuptueme, si landa qi merr me vete nji lumë për me e lanë të zhytun në ledh të ndonji bregu a me i a falun detit. E ma në fund ka pasun edhe shpekulatorë, farizij të kohvet tona, të cilët ndjekin çëdo rrymë qi t’u përshtatet interesave të tyne, qi ndërrojnë lëkurë e qime simbas stinës. Në qoftë se ju do të kërkoni me njohun e nderue kend nga dëshmitarët e ditës 28 Nëntor 1932 po ju siguroj se ma të parët qi kanë me ju dalë përpara si fatosa të pavarsisë shqiptare kanë me qenë këta të fundit. E ju, para fytyravet të tyne, keni për të humbun të tanë shijen e idealit të thjeshtë qi ushqeni!
Kujtoni pra e nderoni vetëm dëshmorët e paemën qi kanë kanë bamë veten fli për t’ja mbërrimë asaj ditee ma vonë për të ruejtun frytin e saj, ata qi s’u dihen a së mund t’u përmenden emnat. Mu nj’ashtu sikur nderohet sod gati në të gjithë botën kujtimi i ushtarit të panjohun ramë dëshmuer n’altarin e atdheut..
“ Por, do të më thoni, ç’farë Dëshmorësh kur të gjithë e dijmë se Shqipnin s’e banë Shqiptarët por Evropa?”
Po, kështu thonë përnjimend ata qi s’kanë çue asnji gisht dore për Shqipnin e lirë; jo vetëm, por as qi kanë besue kurrë në nji “mrekulli” t’atillë e ndoshta as sod s’u besojnë syve të vet. Janë pesimistat e paqortueshëm, ata qi s’e njohin historin e kombit të vet, qi s’e kuptojnë forcën e gjakut qi u vlon ndër dej.
E ça me thanë mbandej për nji tjetër kategori Shqiptarësh, për ata qi jo vetëm s’kanë besue se mund të bahej e mund të qëndronte Shqipnija Shtet i lirë, por kanë luftue me të tana armët qi kanë mundun të përdorin, prej fjalës e deri ke martina e mavzeri, për mos me lanë qi të ngrihej nji Shtet shqiptar, e mbrapa, si u ngreh, për me e shembun? E mbasi panë se Shqipnija u ba, po rron dhe do të përparojë, edhe kundër vullnetit të tyne, atbotë i a nisën me mbërtitun me sa u punoi zani: “ rroftë Shqipnija”, e u vunë me e shfrytue, me e kullotun.
Shqipnin e bani Evropa ashtu si bani Jugoslavìn, Ceko-Slovakìn,Polonìn, Rumanìn e madhe e Shtetet e Baltikut, për me folë vetëm për sa i përket kontinentit tonë. Nuk besoj të ketë ndër këto Shtete gjind qi t’u a dijnë për nderë vetëm të huejve lirin e tyne.
Shqipnin e bani kombi shqiptar vetë. E bani forca e ksaj race krenare e kreshnike qi qe e zonja me u bamë ballë me shekuj, si shkamb graniti, valve ma të rrepta qi e rrahën pa mëshirë në të djathtë e në të mangjët, përpara e përmbrapa, në të katër anët. Qe ma se dymijë vjet nuk qenë të zotnit me i a ndërrue karakterin e vet as Helenët e vjetër me qytetnimin e madhnueshëm të tyne, as Grekët e rij me armën e fes të përdorun pa fe shkrupulli kundër nesh, as vala slave qi mbuloi Balkanet me tërbim qyshë prej të shtatit shekull, as sundimi romak e as shpata e Osmanllijvet. Shqiptarët ndërruan fe, por jo kurrë kombsi. As fuqija magjike e besimit nuk i bani me e mohue gjakun e me e harrue gjuhën e tyne. Aty ku s’e përpini shumica e madhe për me psue proçesin e natyrshëm t’asimilimit Shqiptari mbeti gjithmonë Shqiptar, me doket e zakonet e veta, me gjuhën e vet.
Dhe mbet Shqiptar me armë në dorë. E ruejti kombsin me forcë, tue derdhun gjak e tue u strukun, vëlla me shqipen, ndër malet e veta të papushtueshme. Mbet i egër, ndoshta, jashta qytetnimit, por mbet Shqiptar. Luftoi për doket e zakonet e tija, për gjuhën e tij, për kombsin e tij; luftoi për liri.
E ça do të thonte Evropa përpara këtij fakti të gjallë e të pashlyeshëm në shekullin t’onë kur parimi i kombsis asht imponue si bazë e politikës ndërkombëtare? Duhej të ndodheshim në nji botë të sundueme fund e majë prej Gjorgjeviqash për me pamë të mohueme kombsin shqiptare.
E si do t’a mohonte Evropa të qenët e nji kombi i cili qytetnimit të saj e fes së krishtenë i ka dhanë nji Fatos si Skanderbegun e shumëgjak të derdhun për at qytetnim, për at fe e për liri të vet?
Evropa bani Shqipnin? E pse mos me thanë ma mirë, ma drejt se Evropa e cungulloi, e përgjymsoi Shqipnin? Shkëputi pjesët ma të mirat të saja e i futi ndën zgjedhë të huej, shumë ma zi se ishin, ku po ndrydhen e shkretohen pa pikë mëshire, jashta çëdo ligje njerzore. Evropa po hesht para ksaj mizorije në ma të madhen apathi.
Jo, djelmnija shqiptare s’ka si u beson përrallave të Shqiptarve pa sedër kombtar e pa besim në veten e tyne e në kombin e vet. Ajo do t’i përbuzë gjithmonë ata qi mohojnë forcën e vërtytet e racës, gjakun shqiptar të derdhun për liri; do t’i urrejë anmiqt e djeshëm e të kurdohershëm t’ides kombtare.
Dita XXVIII Nandor asht pa dyshim ma e madhja ditë gzimi për kombin t’onë. Por në kët ditë gzimi të pashoqe s’asht e mundun për ne mos me e çue menden edhe ke vllaznit t’anë qi vuejnë në nji robni politike ndër ma të zezat qi njeh historija e gjithë shekujvet. Ata e dinë se Shteti shqiptar asht tepër i vogël për me i shpëtue sod nga zgjedha. Me gjithë këte kanë plot të drejtë me pritun prej nesh qi në mos tjetër të marrim pjesë me zemër në zin e gjamën e tyne, ashtu sikur çëdo gzim i ynë gzon e mbush me shpresë edhe zemrat e atyne fatzezve.Shpresa e tyne e dashunija e jonë për ta janë nji peng sigurimi për kohën e ardhshme, mbasi botën e ka bamë natyra rrumbullake e mbas natës s’errët do të lejë patjetër drita e diellit. Në qoftë se jemi të dobët materjalisht le të jemi të fortë moralisht, tue njohun e çëmue të drejtat t’ona e tue shpresue gjithmonë. Kjo shpresë duhet të mbushë e të nxejë sidoms zemrat e djelmnis s’onë qi do të përgatisë e të trashigojë kohën e ardhshme.
Lirija e nji kombi fitohet e ruhet me sakrifica të mëdhaja, me sakrifica gjaje e gjaku, me vetmohimin e secilit qytetas qi e gzon e e trashigon. Nuk asht burim pasunimi të veçantë, a ma mirë me thanë burim po, por jo mjet, siç e quejnë shpekulatorët pa shkrupull e pa ndërgjegje, qi s’e kanë lodhun kurrë menden për atdhe veçse për t’a shfrytue. Ajo asht nji ideal qi ushqen shpirtin e atyne qi e kanë dhe siguron lumninë e kolektivitetit, të mbarën e të mirën e popullit. Të popullit qi e fiton dhe e ruen me gjakun e tij.
Lirija i gjan nji bime delikate qi lyp ma të madhin kujdes e tokë t’aftë për me qëndrue e me u zhvillue në mënyrë qi t’i napë kombit pemët e veta për ditë ma të mira e ma të plota. Toka e ksaj bime asht edukata shoqnore e patrijotike e popullit. “Shqipnija u ba, tash duhet të bajmë Shqiptarët” po thomi edhe na tue marrë hua nji frazë të formulueme për nji tjetër komb ma se nji gjymsë shekulli përpara.
Kjo asht barra ma e randë e ma e shenjtë qi i bie djelmnis shqiptare, ajo qi do të sigurojë t’ardhmen e Shtetit t’onë e bashkimin e të tanë kombit nën flamurin kuq-e-zi. Përpara, pra, djelmni!

MUSTAFA KRUJA









TË SHPALLËT E PAMVARSISË

Nga Mustafa Merlika Kruja




Tetuer 1912. Të katër Pushtetet balkanike: Mal i Zi, Serbí, Bullgarí e Greqí i kishin shpallë luftë mbretnisë othomane e gjatë gjithë kufinit po sulmojshin, ku mâ shumë e ku mâ pak, me fitime. Ushtrija sërbe i ka thyem tyrqit në Kumanovë dhe ka nisun me përparuem pa mundime të mëdhaja. Vetë Kumanova âsht shqiptare e as Sërbt as Malazezt kurrkund s'kanë ku me vûmë kâmbë jashta vêndit të vet veçse në tokë shqiptare. Patrijotët e Shqipnisë, ndërmjet nji angështije dërmuese e shpresash t'âmbla por fort të zbeta për fatin e atdheut të tyne, kishin nisun qyshë ditën qi plasi lufta me lëvizun. Në krye ishin beglerët, dirigjentat e popullit shqiptar n'atë kohë. Mâ aktivët ndër ta ishin beglerët e Vlonës e Toptanët e Tiranës. Aty-këtu grupe të vogla e të dame intelektualësh pa influencë mbi turmat. Përjashtë kolonitë shqiptare në Boston, Kajro e Bukuresht, si dhe Arbreshët e Italisë.
Por ç'duhej bâmë e ç'mund të bâjshin Shqiptarët n'ato çase vendimtare? Cila ishte interesa reale e kombit? Ky gjindej, pa metaforë, përpara dilemës hamletjane: me qênë a mos me qênë! Balkanasit kishin hymë në luftë hajsmi për me shpëtuem nga salvimet e Tyrqet, vëllaznit slavë e grekë ende nën zotnimin othoman. Por me të vërtetë, po t'u ecte puna mbarë, ata kishin ndër mênd zgjânimin e pronave të tyne deri ku të mundshin. E Shqipnija, gjeografikisht, vinte mû në ballë të vêndevet qi ato lakmojshin. Prandej, për Shqiptarët me mênd në krye rruga për t'u ndjekun ishte nji e vetme: me përsritun gjestet e Lidhjes së Prizrenit 34 vjet mâ parë, d.m.th. me u shtrënguem n'armë e me luftuem kundra mvatorëvet, mundsisht mbë vete e si aljatë të Tyrqet, por në fund të fundit edhe si pjesë e ushtrisë othomane.
Veçse ksi hovi rrethanat ushtarake, politike e psykologjike kishin ndërruem faqe e natyrë sa nata me ditë me ato të 1878-s. Aso here anmiku i madh, Rusija, ishte larg tokës shqiptare e nuk e shkeli asnji herë këtê; Shqiptarët patën ngé me u mbledhun e çëmbledhun, me u matun e shmatun, me u menduem e këshilluem shoq me shoq qyshë prej skânjeve të Veriut e deri te skânjet e Jugës pa i pyetun kush se ç'po bâjshin e ku po vejshin; mundën me u organizuem e armatisun ndër sytë dashamirë të pushtetevet othomane, nemose në fillim; s'patën përballë për t'i qëndruem me armë veçse nji Mal të Zi. Kurse tashti lufta kishte zânë në gjumë jo vetëm Shqiptarët, por gati edhe vetë qeverinë tyrke e me të tânë furin'e vet gjatë gjithë kufije të Shqipnisë prej Taraboshit në Kumanovë e n'Epir.
Shqiptarët porsa kishin dalë prej nji revolucjoni katërvjeçuer kundra Portës së Naltë e ksaj s'i kishte mbetun besim në ta, jo vetëm për me thërritun unjí nën armë, por as me përdorë në ballë të luftës ato pak bataljone qi ndodheshin n'ushtrin' e saj për shërbimin e zakonshëm ushtarak si nënpushtetas të Sulltanit.
S'kishin pra Shqiptarët fé mundësije as me organizuem nji mburesë autonome kundër sulmit të furishëm e të fuqishëm t'anmikut shumë herë mâ të fortë për numër e për mjete, as me bashkuem forcat e tyne me ato të mbretnisë: në krahasim me anmiqt ishin nji popull i vogël e pa kurrfarë ndihme të përjashtme, u mungonte koha për me u përmbledhun e organizuem, u mungonte nji armatim i përshtatshëm e u mungonte besim'i qeverisë e i ushtrisë turke.
Mund t'i vijë ndër mênd ndokujt me thânë se ndoshta do të kishte pasun ndonji farë gjase qi Shqiptarët t'u merrshin vesht me anmiqt vetë, me fqinjët e Balkanit, si aljatë... nënurdhnorë. Asnji mundsí! Do të kishte qênë vetëm nji tentativë e turpshme si ajo e nji grigje me ukun qi i âsht vërsulë me e premë. E cilido Shqiptar qi t'a kishte tentuem nji diplomatí fantastike të tillë, edhe me mâ të mirin vullnet nuk do të kishte fituem tjetër veçse vulën e tradhtisë në ballë ndër syt'e bashkatdhetare të vet qyshë në fillim, josemâ si t'ishin pamë përfundimet negative. Vetëm nji pjesë e vogël e popullsivet shqiptare u gënjye e e bâni këtë provë t'idhët, e aqë mâ fort âsht për t'u mjeruem për tê, pse ajo popullatë qi u gënjye e muer këtë rrugë të keqe qe shi nj'ajo qi motmot parandej pat kuqun Cemin e shkrepat e Malsisë së Madhe me gjakun e vet për lirí të Shqipnisë: Malsorët e Mbishkodrës. Këta të bekuem, pa pyetun saku me u kshillue me të parët e vet të cilsuem në Shkodër, votën e i besuen Kral Nikollës në Cetinë se po ishte tue luftuem për lirin'e Shqiptaret!
Jo, Shqiptaret s'u kishte mbetun asnji rrugë tjetër n'ato rrethana tragjikisht të vështira posë nj'asaj qi zgjodhën parija e tyne kudo qi qênë, e si të kishin pasë bâmë kuvênd bashkë: rrugën e apelit pranë Pushteteve të mëdhâ a disave prej tyne qi aso kohe kishin mâ tepër interesë me përkrahun të drejtat e kombit shqiptar. Mâ të parët qi e ndoqën kët'udhë qenë nji grup i vogël intelektualësh kosovarë, qi e kishin rrezikun shi përpara s_vet, bashkë me Midhat Frashërin qi ndodhej atëherë në Shkup si mbiqyrës i qeverisë othomane për zgjedhjet parlamentare qi do t'u bâjshin. Ata u dhanë konsullatave të Pushteteve ta mëdhâ nji shkresë me të cilën i bâjshin me dijtun këto pushtete nëpër konsullatat e veta se Shqiptarët nuk do të njihshin asnji cënim të të drejtave të tyne si komb.
Në qytetin e vogël të Durrësit në breg t'Adriatikut, n'atë Epidamnos piktoresk të Helene të motshëm, n'atë Dyrrachium të shkëlqyeshëm t'antikitetit qi i ka pasë shërbyem aristokratisë romake për vênd verimi e pushimi e qi tash s'ishte veçse nji burgatë e keqe orjentale, baritshin posht'e përpjetë nëpër rrugat e përbaltueme tuba fshatarësh të Shqipnisë së mesme me hapa të rânda qi paraqitshin nji kundresht të çuditshëm me uniformën kaki të porsaveshun: ishin elemente të të nji bataljoni territorjalësh të vûmë prej pushtetevet othomane nën komandën e Hamid beg Toptanit për sigurimin e vêndit. Nji ditë vijnë n'atë qytet dy Toptanë tjerë, Avdi e Refik begu. Ishin të shoqnuem prej Midhat Frashërit, Salih Gjukës, Bedri Pejanit e Rexhep Mitrovicës, i njajti grup i Kosovës për të cilin folëm pak mâ parë e qi porsa kishte mbërrimë në Tiranë. Kërkojnë e gjêjnë Mustafa Krujën me katër shokë tjerë, Dr. Neki Libëhovën, Stefan Kaçulinin, Mahmud Beshirin dhe Salih Nivitzën, e të gjithë ven'e mblidhen në kryepeshkopinë katholike të vêndit. Atje i priste nji patrijot i madh, Nikollë Kaçorri, ndihmës i kryepeshkopit.
Çilet bisedimi me nji analysë të gjêndjes politike e ushtarake në bazë të lajmevet qi kishin secili. Avdi beg Toptani këndon nji letër qi kishte marrë prej Syreja beg Vlorës, me të cilën ai sugjeronte mbledhjen e nji kuvêndi kombtar sa mâ shpejt dhe lajmonte se kishte nisun për Vjenë të birin, Ekrem begun, qi të përpiqej me fituem ndihmën e asaj qeverije për pamvarsinë e tânsinë toksore të Shqipnisë. Përmbajtja e ksaj u bâ objekti kryesuer i bisedimeve të mbledhjes. Ideja e nji kuvêndi kombtar u pa krejt e arsyeshme e, mb'anë tjetër, ishte edhe në mênden e të gjithe. Por sendërtimi i saj dukej praktikisht i pamundshëm. Sepse ndër qytetet e Shqipnisë sundojshin ende pushtetet othomane, e mb'anë tjetër s'do t'ishte Kuvênd'i Shqiptaret qi do t'a ndalte vrapin e trupavet sërbe kah brigjet e Adrijatikut. Për këto arsye, mbledhjes nuk i a muer mêndja me i a hymë ksaj pune. Por, tue mos mundun me marrë masa qi t'i përgjigjeshin mâ mirë situatës, dau me kshilluem gjithë bashkitë e Shqipnisë ende të pashkeluna prej anmikut qi të dilshin me e pritun këtë përjashta qytetevet n'emën të popullit të vêndit paqsishte me flamurin shqiptar në dorë si mysafir në tokën e nji Shteti asnjanës qi s'kishte mâ të bânte me Tyrqinë.
U bisedue mbasandaj për nji thirrje Pushteteve të mëdhá. Kjo s'kishte si me u bâmë veçse tinzisht me anën e konsullatave të tyne. Mirpo aso kohe vetëm Astro-Hungarija e Italija kishin konsullata në Durrës, prandej vetëm këtyne të dyjave mund t'u bâhej thirrja. Por mbasi s'mund t'u bâhej të gjithave, u hoq edhe Italija, e cila n'ato kohna s'kishte dijtun me u frymzuem Shqiptaret besim për nji dashamirsi të çinteresueme. Kështu u vendos me i dërguem nji shkresë vetëm qeverisë austriake tue i a adresuem fill perëndorit Franz-Joseph I.
Asht tepër interesant këtu, nga shumë pikëpamje, me përmëndun nji hollsi të bisedimit mbi përmbajtjen e letrës qi po shkruhej për mbretin e Austrisë. Qe deshir'i mbledhjes qi të tregohej edhe se si e mendojshin dërguesit e asaj letre formën e përtardhmen e Shtetit të tyne. Të gjithë u bashkuen në nji mendim qi Shqipnija duhej t'ishte nji Shtet federativ si Helvetija e Shtetet e Bashkueme t'Amerikës së Veriut. Por nji prej shokësh të mbledhjes shtron përpara nji mendim të ri, t'arsyetuem me nji realizëm e nji logjikë turbulluese: "Nji Shqipni qi ka rruem katër shekuj e gjymsë nën nji sundim barbar e qi për këtë shkak gjindet sod n'ato kushte shoqnore e ekonomike qi dijmë të tânë, për mâ tepër rrethuem gjithandej me fqíj të panginjëshëm", thotë Salih Gjuka, "nuk mundet me u bâmë përnjiherë Shtet mbë vete edhe me jetuem e përparuem pa ndihmën e projën e nji Pushteti të madh dashamirë!" E proponon qi duhej kërkuem prej monarqisë austro-hungare qi shteti shqiptar të vêhej nën projën e saj deri qi të bâhej i zoti me qëndruem mbë kâmbët e veta. Nji Shqiptar mysliman po deshironte, jo vetëm me e shkëputun vêndin e vet prej zotnimit të sulltanit kalif, por edhe me e shtimë nën hijen e perëndorit "fort katholik" t'Austro-Hungarisë. E kush âsht i pari qi e kundërshton? Prifti katholik Nikoll Kaçorri, i cilli do t'ishte gati me pranuem për nji Shqipni "autonome" mâ parë projën e perëndorisë othomane, "qi - kështu arsyeton Kaçorri - pa dyshim s'do të kishte mâ nji jetë të gjatë e me dekën e saj Shqipnija do t'a kishte të sigurtë pamvarësinë e plotë". Mbledhja tek e mbramja, e la mënjanë kët'aspekt të problemës shqiptare. Rândsij'e bisedimit të saj qe vetëm fakti qi vûni n'evidencë në nji rasë aqë konkrete se te patrijoti intelektual shqiptar ndienja e ideja e kombsisë qëndronte përmbi ato të fesë.
Por nji tjetri i a kishte pasë ruejtun fati lumninë e lavdinë me e lidhun të pandashëm emnin e vet me pamvarsin'e kombit shqiptar: ai ishte Ismail bej Vlora, i quejtun përgjithsisht me emnin Ismail-Kemal, siç njihej në mbretninë othomane. Pa prit'e pa kujtuem, bashkij'e Vlonës merr me 27 tetuer nga Vjena prej tij këtë telegramë: "Me vaporin e parë jam aty. E ardhëshmja e Shqipnisë âsht siguruem. Ju porosis qi, tue pasun besim në fatin e atdheut, të punoni si vllazën, të merreni me rregullimin e pune të përgjithëshme e të rueni qetsinë. Epnu rrethevet lajmin e gëzueshëm. Ju falem të gjithe atnisht. Ismail-Kemal.
Ky sihariq i atij burri të madh qi kishte lemë për t'u ngritun n'altarin e tempullit t'atdheut shqiptar, përhapun në të katër anët prej Vlonjatet, freskoi zêmrat e pikllueme të gjithë patrijotet qi e ndigjuen. Por Ismail-Kemali nuk mbërrini aqë shpejt sa pritej dhe nuk duel në Vlonë, por në Durrës. Kishte me vete mikun e bashkpuntorin e pandashëm të tij, Luigj Gurakuqin, dhe disa patrijotë nga kolonija shqiptare e Rumanisë si Dhimitër Beratin etj.
I pritën në molë Hamid beg Toptani me nji tubë patrijotësh intelektualë të Durrsit. Ndër syt'e këtyne dukeshin si Mesija qi kishte ardhun me shpëtuem vêndin, i shoqnuem nga apostujt e tij. Pushtetet othomane të vêndit pa dyshim ishin të lajmuem për misjonin madhështuer sa dhe të vështirë e të rrezikshëm qi ai kishte ardhun me kryem, por s'u vinte kurrgjâ për dore me bâmë kundra tij, qi me gjithë shokë gjindej nën projën e sigurtë të bataljonit territorjal shqiptar. Ismail-Kemali u tfilloi imtisht patrijote të mbledhun rreth tij qëllimin e vet e masat qi duheshin marrë për t'i dalë në krye: do t'i lëshohej menjiherë gjithë bashkive të Shqipnisë ende të pashkelun prej ushtrive të beslidhune balkanikë zâni me zgjedhun e dërguem përfaqsuesat e tyne për t'u mbledhun në kuvênd kombtar në nji skelë t'Adrijatikut qi do të shënohej. Kuvêndi Kombtar do të shpallte pamvarsin'e kombit e do të zgjidhte nji qeverí të përkohshme. Ai s'kishte dyshim se pamvarsija shqiptare do të njihej prej Pushteteve të mëdhá e Vjena dhe Roma e kishin siguruem se nuk do t'i lêjshin beligjerantat me e shkelun nji zonë të kufizueme ku do të vendosej Kuvêndi Kombtar e qeverij'e përkohshme e Shqipnisë së lirë. Duhej veç me e shpejtuem mbledhjen, në mënyrë qi të mûjshin me marrë pjesë në tê sa mâ shumë vise të Shqipnisë. Por ku do mblidhej Kuvêndi Kombtar? Vjena e Roma kishin porositun për nji qytet në breg t'Adrijatikut për shumë arsye praktike në lidhje me luftën që po zhvillohej. Pra Durrësin ase Vlonën. Prej këtyne dy skelave u pa mâ me vênd Vlona. Viset rrethepërqark Durrësit ishin të banueme prej myslimanësh fanatikë, të cilët, të lidhun shpirtnisht me kalifatin e Stambollit e tue mos i dhânë dum ende gjêndjes kritike në të cilën ndodhej mbretnija othomane, nuk do t'a pritshin mirë nji kryengritje të hapët kundër saj. Komandar'i bataljonit territorial të Durrësit, Hamid Toptani, nuk merrte asnji përgjegjësí për njerëzit qi komandonte, të gjithë banorë t'asaj zone, kur do t'a merrnin vesht se Shqipnija po i bie mohit sulltanit kalif. Ndryshe ishte popull'i krahinës së Vlonës.Ndonse mysliman edhe ai, liberal e kishte nji zgjuetí politike mâ të gjânë. Prinjësi i lëvizjes vetë ishte nji beg i atij vêndi, pra i njohun e i ndëgjuem mâ fort atje se në Durrës. Mâ në funt, kabla telegrafike me Evropën atje e kishte kryet e për tê do të kishte nevojë të domosdoshme qeverij'e re.
Për të tana këto arsye, Ismail-Kemali vendosi me e thërritun Kuvêndin Kombtar në Vlonë. Por ftesat i u derdhën gjithë Shqipnisë telegrafisht nga Durrësi me porosi qi delegatët t'u nisshin menjiherë për Vlonë.
Puna në Durrës tashmâ ishte kryem. Ismail-Kemali me ata shokë qi kishin ardhun me tê e me përfaqsuesat e bashkivet mâ t'afravet, si Durrësi vetë, Shjaku, Kruja, Tirana e kush tjetër mundi me mbërrîmë në Durrës a me dalë para mbi udhën Durrës-Vlonë, u nis. Rruga kryesore kalonte nëpër qytetin e Lushnjes. Por patrijotët e këtij qyteti, tue marrë vesht se pushtetet othomane të vêndit kishin pasun urdhna eprorë e po përgatiteshin me rreshtuem Ismail-Kemalin me të gjith shoqnin'e tij, lajmuen me kohë e kështu u muer nji tjetër udhë pa kaluem nëpër Lushnje.
Pritja qi i bâni Vlona bashkqytetarit të madh qe madhështore, enthusjaste, e përmallueshme. Jo mâ si në Durrës nji grusht patrijotë nën projën virtuale të nji bataljoni qi në të vërtetë për tjetër qëllim ishte atje, por krejt popullsij'e qytetit e deri parí e përfaqsí katundesh kishin mbushun rrugat e qytetit për me pritun e brohoritun të parin kryetar t'ardhëshëm të Shtetit shqiptar të rilindun mbas 444 vjet robnije. S'ka atje asnji zyrtar tyrk. Shef'i administratës, nënprefekti, nji Shqiptar nga Berati, âsht bashkuem përvûshëm me popullin, forca e sigurimit me gjithë komandarin e vet mbë krye, shqiptare edhe ajo, përshëndet plakun e thinjun me të njâjtat nderime qi do t'i bânte mbas pak ditsh si kryetar i kombit. Në çdo anë buçiste nga krahanorët e turmës klithma "Rroftë Shqipnija, rroftë Ismail-Kemali!" Popull'i Vlonës po e shpallte shlirimin e atëdheut pa pritun vendimin e Kuvëndit Kombtar, me zâ t'unjishëm e të drejtpërdrejtë si Athinasit e Romakët e hershëm.
Me 27 nânduer gjithë delegatët e Shqipnisë së pashkelun prej ushtrive të hueja kishin mbërrîmë në Vlonë. Nesret me 38 u mblodh Kuvêndi Kombtar në nji çardak të madh të shtëpisë së Xhemil beg Vlorës, ku kishte ramë Ismail-Kemali. 24 distrikte ishin përfaqsuem n'atë kuvênd prej 47 delegatësh. Edhe 20 delegatë të tjerë mbërrînë me vonesë prej visesh të ndryshme. Ishte ora 4 mbasdite. Kuvêndi brohoriti njizâni Ismail-Kemalin për lryetar. Këtu po nxier nga procesi verbal i kuvêndit fjalët mâ kuptimtaret të fjalimit inaugural të tij: "Shqiptarët nuk e kanë harruem kurrë as gjuhën e as kombsin'e tyne, dhe prova mâ e mira janë përpjekjet dhe kryengritjet qi kanë bâmë herë mbas here e sidomos ndër këto katër vjett e fundit për të ruejtun të drejtat e zakonet e veta. Qeverija othomane nuk e kuptoi kurrë interesën e saj e nuk deshi kurrë t'u shpëblejë me të mirë Shqiptaret shërbimet e mëdhá qi i kishin bâmë. Tashti vonë pati rrëfyem nji farë deshiri qi të merrej vesht me popullin t'onë. Por prap nuk vûni të gjithë vullnetin e mirë e nuk muer të gjitha masat e nevojshme për të kënaqun e paqsuem Shqiptarët. Qe ndër këto rrethana qi plasi lufta me katër Pushtetet balkanike, të cilat kërkojshin prej saj reforma e të drejta për vllaznit e tyne të nji kombi e të nji bese. Por këto, si panë se lufta po u vente mbarë, e harruen qëllimin e parë e u muerën vesht për coptimin e pjestimin e mbretnisë e pra edhe të Shqipnisë. Shqiptarët, të cilët kishin marrë pjesë në këtë luftë mâ fort si të zott e vêndit e për të shpëtuem veten e tyne se si ushtarë, kur e panë se ushtrija e Tyrqisë u mund e s'po mûjte me qëndruem mâ, nxituen me marrë masat qi u impononte gjêndja për të shpëtuem vêndin e vet. Kështu u bâ qi un u nisa nga Stambolli e, mbasi u mora vesht edhe me Shqiptarët e Bukureshtit, vota në Vjenë, ku fillova kontaktet me ato Pushtete të mëdhá qi kanë interesa mâ të gjalla në Balkan. E mbasi nuk mbetej mâ asnji shpresë me e shpëtuem Shqipninë me armë, e vetmja udhë shpëtimi ishte të shkëputunit e saj prej Tyrqija. Ky mendim u pa me vênd edhe nga an'e Pushteteve të mëdhá e sidomos në Vjenë e në Romë. Vetëm Rusija mund të mbahet pakëz e ftohët nga shkaku i fqije t'anë slavë, por as ajo nuk e mohon kombsinë shqiptare..."
Për me u dhânë këndueset nji idé të kthiellët mbi këtë dokument, pikë mâ së pari duhet të shënojmë se procesi verbal i Kuvêndit të Vlonës s'ka qênë mbajtun stenografikisht e fjalë për fjalë, por shkurtazi e ad sensum, e kurrkush s'ka folë atje me shkrim të përgatitun parandej, qi të mundej me u dhânë sekretarisë tekstin e fjalimit; pra kështu edhe Ismail-Kemali. Pjesa e citueme këtu âsht mbas versjonit të dhânë në fletoren Flamuri, korrik, - Shëndre 1952, N. 31-36, f. 3, Romë, me pak ndryshime forcuem edhe prej simotrës së saj Besa, nânduer 1954, N.15, Istanbul. Ndër këto fjalë të kryetarit sidhe në gjithë ligjëratën e tij âsht për t'u vûmë ró absenca absolute e çdo shprehsije revolucionare a zemrimi kundra Tyrqet siç e lypte vêndi e rasa; asnji nâmë, asnji mallkim kundra së huejsh qi zotnuen mbi vêndin t'onë për katër shekuj e gjymsë. Jo gjuhën e liderit të nji kombi qi ka vendosun me këputun hekurat e robnisë për me kthyem në lirinë e rrëmbyeme me forcë, por Ismail-Kemali ka përdorë gjuhën e diplomatit të nji populli të pafuqishëm kundrejt nji tjetri mâ të fortë qi i ka bâmë ndonji dhunë doret të dytë; ase, të thomi, gjuhën e nji vllau mâ të vogël qi ankohet për disa padrejtsina të bâme nga mâ i madhi tue i thânë këtij se ka vendosun për me u damë mbë vete për me mbetun gjithmonë vëlla me te. Ky qëndrim mund të ketë rrjedhun prej nji kompleksi a sugjestjoni të dinjitarit të vjetër të mbretnisë othomane, të cilës i kishte shërbyem brez mbas brezi ai vetë me nji varg të gjatë së parësh të vet; por ndoshta edhe prej nji oportunitetit politik, tue e dijtun se nji shumic'e madhe e popullit shqiptar, si myslimane qi ishte s'ushqente mëní as ndonji anmiqsí të vërtetë kundra popullit e sidomos mbretit tyrk. Dhe po të shtojmë se jo veç prej gojës së kryetarit, por nga asnji mis i kuvêndit, plak a i ri, mysliman a i krishtênë, s'kanë dalë n'atë kuvênd fjalë të zjarta a sado pak t'ashpra e të fyeshme për sunduesin e derathershëm, i ve mendja njeriut se atje përnjimênd s'ishin mbledhun gjind revolucjonarë, por gjithaqë doktorë t'urtë për konsultim rreth nji të sëmuni delikat qi ishte në rrezik jete. E kjo ndoshta ishte vetë rasa. Frika për ekzistencën e kombit nuk ndihej n'anmikun e vjetër qi po shkonte, por në të riun qi po vinte.
Mbas ligjëratës së kryetarit, përsjellë me të rrahuna duersh të gjata e klithma enthusjaste "Rroftë Shqipnija e lirë!" sekretar'i parë i kuvêndit Luigj Gurakuqi u ngrit e parashtroi resolutën qi vijon, të cilën, tue qenë dokumenti historik i themelimit të Shtetit shqiptar, po e riprodhojmë këtu fjalë për fjalë siç e ka shkruem dor'e auktorit: "Në Vlonë më 15/28 të vjeshtës së tretë 1328/1912. Pas fjalëve që tha Z. Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria me sot të bâhet në vete, e lirë e e mosvarme".
T'u mbaruemen këndim'i ksaj resolute të paharrueshme, të gjithë delegatët e ndëgjuesat brofën mbë kâmbë si nji trup i vetëm me nji krisëm të pasosun shuplakash e klithmash për Shqipnin' e lirë, për Shqipninë e pamvarme. Në proceset verbale të kuvêndit figurojnë me rend përfund ksaj resolute këto nënshkrime delegatësh: Ismail Keamal, Kaçorri (Dom Nikoll Kaçorri), Abdul-Aziz Vehbi (Vehbi Dibra, ish-muftiu i Dibrës e aty e mbrapa myftiu i përgjithshëm për myslimanët e Shqipnisë së pamvarme), J. Karbunara, Vehbi Harçi, Qazim Kokoshi, J. Minga, Rexhep (Mitrovitza), A. Rruçi, Abdi (Toptani), Abas Dilaver (Çelkupa), Midhat Frashëri, Shefqet Dajiu, Zihni Abas Kanina, Xhelal (Koprencka), Hajredin Cakrani, Qemal Elbasani (Karaosmani), Iljas Vrioni, Salih Gjuka, D(himitër) Beratti, D(himitër) Emanuel (Mborja?), Dimitri Zografi, Murad Toptani, Pandeli Cale, Luz Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiro Ilo, Thanas Floqi, Lef Nosi, Dr. H. Murteza, Nuri (Sojliu), Mustafa Asim Kruja, M. Ferid Vokopola, Ymer (Deliallisi), Xhemaledin (Xhemal Deliallisi), Nebi Sefa Lushnja, Zuhdi Ohria dhe dy të tjerë qi s'këndohen.
Në nji shtëpí modeste të Vlonës, kishte kohë qi zonja Marigó Poze, nji zonjë orthodokse shqiptare, e shqiptare me mish e me gjak e me shpirt, po qëndiste me duert delikate e t'afta të saja e me nji dashuní pa skanj nji shqipe të madhe dykrenshe, të zezë mbi pëlhurë të kuqe. Ishte flamur'i Shqipnisë së lirë. Këtë flamur, ditën 28 Nânduer 1912 orën 17.30, porsa patën prâjtun brohorit'e resolutës së Kuvêndit për pamvarsinë Kombtare, vetë thinjosh'i përnderuem Ismail-Kemali e ngriti madhnisht tue iu dridhun duert nga mallëngjimi, në nji dritore qendrorre të ndërtesës historike.
N'oborr e gjatë rrugës pranë ksaj ishte derdhun popull'i Vlonës, si ditën qi kishte dalë me pritun birin e madh të saj kur po vinte së largu si Mesija e kombit shqiptar. E të gjithë delegatët e ndëgjuesat kishin zbritun e ishin përziem me turmën, të tânë me zêmër të gufueme e me sy të ngulun mbi atë dritore. Klithma gzimi të papërshkrueshme e aty-këtu lot e dënesma përmallimi e shoqnuen shpalimin e atij symboli magjik qi ndër disa çaste na ngre e na kredh ndër sfera elysjane.
Flamur'i Shqipnisë âsht flamuri qi përdorte Skënderbegu. Para kohës së tij nuk dijmë se ç'formë flamuri kanë pasun princat e ndryshëm të vêndit t'onë. Sa për Skënderbegun, janë tre auktorë të vjetër qi s'na lânë as mâ të voglin dyshim. I pari Shqiptar qi i ka shqyrtuem këta e na i bân të njohuna përshkrimet e tyne në Albania, XII, 1909, Bruxelles, âsht Faik Konitza. Ky citon tekstualisht: 1) "L'insegna di Scanderbegh era un'aquila negra, distincta in due teste sopra campo rosso." (Anonymi i Tivarit te Biemmi, faqe 23). Qi don me thânë: flamuri i Skënderbegut ishte nji shqipe e zezë e dallueme me dy krenë mbi fushë të kuqe (kështu e kam gjetun përkthimin në nji numër të vjetër të Dielli-t të Bostonit). 2) "Rubea vexilla nigris et distincta aquilis gerebat Scanderbegus" (Barletius, faqe XV), qi don me thânë: Skënderbegu bânte flamur të kuq "të shkruar me shqiponja të zeza dhe dy-krenësh". 3) "Dans ses estendars, qui estoient tous rouges, il portait une aigle noire â deux testes” (Lavardin, faqe 42), qi don me thânë: në flamujt e tij, qi ishin gjithë të kuq ai kishte nji shqipe të zezë dy krenësh").
Faik Konitza shkruen në Dielli-n e Bostonit me 26 nânduer 1921 disa mendime interesante të tija mbi përdorimin e këtij flamuri prej Skënderbegut. Ai, mbasi përmênd shêmbuj popujsh të lashtë e të vonë qi kanë përdorë fytyra shtâzësh të ndryshme, e veçanë shqipen, për flamur, shton: "Nuk është çudi që Skënderbeu, ca nga kujtimi i Byzantit, ca nga armët që kish parë n'Itali ndofta edhe se shqiponja me dy krerë ka qênë shênja e shtëpisë tij, e përdori në flamurët. Sa për ngjyrën e kuqe të këtyrëve, s'duket të ketë pasur nonjë kuptim të veçantë, ndofta u zgjoth si ngjyra më popullore e Shqipërisë".

Pergatiti:Flori Bruqi