Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, nëntor 14, 2005

Irredenta, e rrahur por jo e mundur

Shkruan: Ilir Vrojto

Zhvillimet e gjithëmbarshme regjionale, mangësitë ideologjike, e dobësia organizative, e kanë skajuar irredentën militante nga kryerrjedha e politikës shqiptare. Por ajo vazhdon të gjëllijë në skajet e shoqërisë, duke pritur momentin, pjekjen e rrethanave ndërkombëtare a një autogol të politikës zyrtare. Në etninë më të dëmtuar kombëtarisht në kontinentin e Evropës, projekti i unjësimit kombëtar vazhdon të mbetet alternativë e fuqishme, me bazë stabile për rekrutim.

Lufta çlirimtare e UÇK-së në Kosovë, që pruri ndërhyrjen e Natos dhe flakjen e serbëve prej folesë së përgjakur të Shqipërisë është, pa dyshim, momenti kulmor i irredentës. Një sukses ky jo i vogël për një ideologji të vonuar, të përndjekur pa mëshirë, të demonizuar, e me pak artefakte që, kryesisht, kanë mbetur të panjohura edhe sot e kësaj dite: apo sa prej nesh e kanë lexuar "Shqipëria ç'ishte..."?

Si çdo projekt tjetër, edhe ky i irredentës shqiptare kërkonte një dritare të fatit. E kjo dritare u hap hapekrah në dhjetor 1991, me shembjen spektakulare të ish BRSS-së; mun ahere, pra, kur Serbia, e trimëruar nga sovjetët, e kish kaluar pikën e pakthim në fushatën e vet agresive. Dhjetë vjet më vonë, më 11 shtator 2001, dritarja do të mbyllej nga atentatet poaq spektakulare islamiste në SHBA, që do ta kthenin Moskën brenda natës në aleat të Uashingtonit.

E drejta, kjo s'ish e para vrimë gjilpëre nëpër të cilën u desh të kalonte projekti irredentist shqiptar. Ai mezi kish shpëtuar edhe më herët, prej katastrofës së 1912-ës, prej zbimeve masive për në Turqi para LDB-së, e prej katrahurës që pasoi. Ka pak popuj në këtë kontinent, mbase me përjashtim të baltëve, që ishin aq në zgrip, sa të çlirohen (!) prej Hitlerit. E njëherit, ka pak popuj që kanë qenë aq afër të kolonizohen nga forcat e boshtit, si Shqipëria. -Në enciklopedinë shqiptare, te termi "Nëpër vrimë të gjilpërës", duhet shtuar shkurt: Shih kapitullin mbi mbijetimin e kombit shqiptar.

S'është për t'u habitur, pra, pse kryengritja e UÇK-së shihet si "më e suksesshmja në botë"! E pse shqiptarët quhen, ku me simpati, e ku me qesëndi, si "komb fatlum"!

Mirëpo, fati është një bar i sertë, që në doza të forta s'i bën mirë njeriut! Fati i shqiptarëve, sa ka qenë bekim, aq edhe mund të bëhet mallkim. Në radhë të parë nëse na mbushet mendja, ruana Zot, që e kemi merituar. Ose nëse na rren mendja se e kemi Zotin argat, e se do t'i gëzojmë përherë hiret e tij, shpëtimet e tij spektakulare në momentin e fundit. Apo akoma edhe më keq, se s'kemi më nevojë as për Zotin, meqë proceset politike punokan "për ne"; madje pavarur nga ajo se a punojmë ne vdektarët a jo!

Mjerisht, vrojtuesit e politikës zyrtare këtyre viteve të fundit kanë vënë re, se ajo e ka kthyer naivitetin në institucion. Në vend të thirrjes irredentiste për angazhim e përkushtim në shërbim të idealit të unjësimit kombëtar, janë çuar pesh miopët (mes tyre edhe ndonjë analfabet me fakultet). Ata pohojnë me plotë gojën se "teshat na i ka prerë Uashingtoni", sikur amerikanët të ishin rrobaqepës të shqiptarëve; se "proceset evropiane do t'i arrijne edhe shqiptarët", madje edhe se "Zoti e do Shqipërinë": pa e kujtuar fare definicionin e Shqipërisë; pa u kujtuar ta mendojnë atë të lavdërueshmin psallm, "puno pak ti, se punoj shumë Unë"; pa u kujtuar fare se sa e bëri Mëshirëploti Shqipërinë, e sa e tkurri atë robi!

Doemos që këtë realpolitikë meskine e kanë ndihur rrethanat. Çlirimi fatlum, a plot flijime (varet se kush vlerëson!) i folesë së Shqipërisë, Kosovës, ia ka hequr duarsh irredentës militante një argument të fortë tradicional.

Por kjo s'është e tëra.

Kundër irredentës punon fuqishëm edhe koncenzusi ndërkombëtar për Siujdhesën Ilirike, që e çmon vetëm irredentizmin e serbëve si të denjë e të realizueshëm. Kjo meqë serbët kanë kapacitet për të bezdisur, meqë kanë aleatë ndërkombëtarë, e meqë janë më homogjenë se tjerët. Natyrisht, ky koncenzus vepron ngadalë e nën rrogoz, për të mos ngjallur smirën e fqinjve (sidomos shqiptarëve); por ai është vendosur qysh në Dejton më 1995. Flija që i kërkohet irredentës serbe për ta realizuar Serbinë Etnike është dorëheqja prej Kosovës, pra dorëheqje prej një cepi të Serbisë së Madhe - fli kjo që Serbia zyrtare ende s'ka pranuar ta bëjë! Si kundërshpërblim, irredentës serbe i ofrohen botërisht garanca se do të sabotohet irredenta shqiptare; më saktë, se do të promovohet krijimi i kombit kosovar!

Rrjedhimisht, irredenta shqiptare është vënë në shënjestër të luftës speciale prej bashkësisë ndërkombëtare. Kundër saj aplikohen që të pesë strategjitë e dominimit: shpërfillja, përqeshja, izolimi, kërcënimi, dhe dhuna. Projekti irredentist thjesht "nuk ekziston" në agjendën e Fuqive të Mëdha dhe të eksponentëve të tyre shqiptarë: shqiptarët lavdërohen djallëzisht, se na qenkan më të "zgjuar" a më të "emancipuar" se serbët, meqë s'këmbëngulin te unjësimi i vet. Të "paemancipuarit" përqeshen si "relikë e të kaluarës", "nacionalromantikë", apo pjesëmarrës në "projekte të shek. XVIII". Izolohen ato segmente të shoqërisë që vlerësohen si gjeneratorë të projektit, si p.sh. veteranët e luftës, aktivistët, ish të burgosurit, intelektualët e shkrimtarët me bindje të deklaruar irredentiste, etj. E kur s'mjafton tërë kjo bateri parandaluese, futen në punë kërcënimi e dhuna. Prijësit e shpallur e të vetshpallur të irredentës vrojtohen, hetohen, ndalohen, gjykohen në procese politike, e dënohen të vuajnë me vite të tëra, nëpër burgje të damkosura ndërkombëtarisht për regjim çnjerëzor.

Druaj që fajin për këtë qëndrim të Fuqive të Mëdha duhet lypur te ne. Vlerësimi i posaçëm që u bëhet serbëve s'do të ekzistonte, sikur edhe shqiptarët të ishin treguar njësoj homogjenë. Serbët kudo që janë, nga Bosnja, në Vojvodinë, e gjër në Kosovë, kanë të gjithë ankorim të fortë në projektin e Serbisë Etnike; atë ata e kanë të programuar në tru. Kurse po ta pyetësh një shqiptar në Gjirokastër, do të gjesh përgjegje krejt tjera nga ato në Prishtinë, në Ulqin, a në Shkup! -Fakt ky i njohur fort mirë nga Fuqitë e Mëdha, e që, kuptohet, e ka çmimin e vet.

Hapërdarja e shqiptarëve është, pra, katundi që shihet, rreth të cilit pozicionohet politika ndërkombëtare në Siujdhesën Ilirike. S'do mend se ky konfuzion ka shumë elemente socioekonomike, pasoja të pushtimit ushtarak e ndarjes administrative të Shqipërisë.

Por në masë të madhe ai është edhe fenomene kulturor. Hidhjani një sy p.sh. ideologjisë së vet irredentës: ajo vuan prej tre Pa-ve: e panjohur, e paartikulluar, e pareformuar. Rrëza ideologjike e irredentës shqiptare, "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është, e ç'do bënetë", shkruar nga enciklopedisti shqiptaro-turk Sami Frashëri, njësoj sikur edhe statusi e programi i Lidhjes Shqiptare më 1878 me seli në Prizren, kanë mbetur edhe sot e kësaj dite objekte për studime të specializuara, jashtë kurrikulës së shkollës fillore e të mesme. Pra jo pronësi e popullit, por e një numri të ekspertëve! -Krahasoni këtë me kurrikulat serbe të arsimit fillor, ku "vetëm bashkimi shpëton Serbinë" edhe sot e kësaj dite!

E ngulfatur si ka mbetur, normalisht që ideologjia e unjësimit s'ka mundur as të zhvillohet. Kështu p.sh. irredentizmi tradicional "a-la Sami Frashër" vuan ende nga skizofrenia kundrejt Greqisë, herë jemi vëllezër, herë do të luftojmë për Çamërinë... ndërkohë që ka ndodhur çshqiptarizimi i Çamërisë, aderimi i Greqisë në BE e në NATO, lufta e Kosovës, mërgimi i shqiptarëve në Greqi, dhe revitalizimi i arvanitëve! Të gjitha këto ngjarje, pra, që kanë mbyllur një sërë rrugësh, ndërsa kanë hapur një mori rrugësh tjera, të paimagjinueshme në kohën e Sami Frashërit!

E njëjta vlen edhe për një sërë idesh shndërruese nga shek. XX, që irredentizmi shqiptar, për dallim prej atyre të fqinjve, s'ka arritur as t'i afrojë, lëre më t'i asimilojë. Konflikti mes bamirësisë contra drejtësisë sociale; parimet liberale për qytetarinë; çështjet absolutisht parësore të barazisë gjinore; këto e plot nene tjera s'janë rrahur fare nga irredentistët; madje nganjëherë, për shkak të karakterit të margjinalizuar të irredentës, janë vështruar a priori si kryerrjedhëse, dtth si heretike, "komuniste" apo "kozmopolite", gjersa kombet tjera perëndimore, shumëfish më të përparuara e më të fuqishme se shqiptarët, i kanë integruar ato qysh moti në rrëzët e veta! Për një shqiptar modern, aq më tepër për një shqiptare feministe me patos kombëtar, irredentizmi i sotëm shqiptar është më tepër një artefakt antik, si ato hutat e vjetra që u nxerret shuli e varen ndër muzera; se sa një armë e mbushur për çlirim, emancipim e zhvillim!

E pra, këto mungesa vetvrasëse s'motivohen dot as argumente ekonomike, as sociale - ky është kollaps i kulturës shqiptare!

Doemos që një kollaps si ky do të shpie në lëmsh organizativ në terren. Në mungesë të busullës së një ideologjie moderne, irredenta është katandisur në turmë kaçakësh, që përplasen andej-këndej varësisht prej simpative a antipative të radhës. Kjo u pa në mënyrën më të dhembshur në shkurt-marsin 2005, kur i vetmi organizim fillor i irredentës, FKBSH-ja, u përça përfundimisht në "rrymat" (që rryma u thënçin!) të Idajet Beqirit dhe të Gafurr Adilit. Për irredentistin e vërtetë, të zgjedhës mes këtyre është si të zgjedhës mes dy sëmundjeve vdekjeprurëse. Gjersa e para, nën trysninë e fortë të sigurimit të shtetit shqiptar, ka hequr dorë krejt prej luftës së armatosur si mjet për realizimin e unjësimit kombëtar. E dyta s'ka as resurse, as kapacitet, për ta luajtur rolin që aspiron.

Ky është kumt ogurzez për kombin shqiptar, i cilit, për shkak të situatës së vet, ka nevojë jetike për irrendentën militante.

Kujto Irlandën Veriore, ku, edhe sot e kësaj dite (!), duhet një IRA për t'u promovuar irlandezët vendas kundrejt kolonëve anglezë, e për ta mbajtur Britaninë e Madhe të mbërthyer në tryezën e bisedimeve. Kujto Baskinë, ku ende kërkohet një ETA për ta vënë çështjen baske në tavolinë. Kujto Turqinë, ku duhet një guerilë kurde për ta fituar të drejtën fillore të gjuhës amtare! E kujto pastaj se sa larg është ky nënqielli ynë prej atyre vendeve më të përparuara; kujto edhe koncenzusin ndërkombëtar për favorizim të serbëve; pa do kuptosh se ç'tragjedi i gatuan popullit shqiptar shuarja e irredentës militante!

Një tragjedi e tillë është aq më e dhembshur sot, kur irredenta militante është një pozitë t'i fitojë kombit shqiptar më shumë se kurrë më parë, më lirë se kurrë më parë. Gjer sot, irredenta, sa herë është ndjerë e gjallë, ka luajtur me zjarrin. Kurse në ambientin e ri, të krijuar pas ardhjes së ndërkombëtarëve në Kosovë, kërcënimi i ahmarrjes mbi popullatën civile është hequr. Rrjedhimisht, një irredentë kryeneçe, me orientim të qartë gjeopolitik, ndërtuar mbi shtylla të azhuruara nacionale e socioekonomike, e me vizion të kthjelltë për shtetin (mbrojtje të minoriteteve, barazi gjinore, e drejtësi sociale), ka hapësirë ofenzive sa të duash. Madje ajo, me një të rame, do të bënte dy të vrame. Në nënqiellin tonë mbizotërojnë dy komponente, armiqësia kundër SHBA-ve e vlerat tradicionale. Andaj, një irredentë e orientuar drejt s'do ta kishte zor t'ua kthente mendjen amerikanëve. Ndërsa, me profilin e vet progresiv, ajo do ta kthente për vete edhe opinionin evropian, që gjer tani ka qëndruar larg shqiptarëve "myslimanë" e "tradicionalistë".

Historia është plot shembuj të revolucionarëve, që kanë dalur fitues në situata fort më të rënda: athua a do ta huqnin një rast të artë si ky Xhorxh Uashingtoni me shokë? Apo Garibaldi me shokë? Vetëm pse bota do t'i quante "rebelë"?

Përgjegja është: Kurrë jo! Madje është injorante edhe ta shtrosh këtë pyetje.

E pra, ata kishin kundërshtarë perandoritë e kohës; gjersa shqiptarët sot janë në fazë me superfuqinë e vetme në planet!

S'do mend që të jesh rebel është zeje mosmirënjohëse. Por këtu s'bëhet fjalë për ndonjë rebelim të përhershëm; koncenzusi ndërkombëtar për favorizim të irredentës serbe në kurriz të asaj shqiptare është i brishtë, e do të shthurret me t'u sfiduar prej shqiptarëve. Meqë ai e ka në rrëzë pikërisht pacifikimin e shqiptarëve! Meqë është ndërtuar me argumente të kalbura etike, morale e gjeopolitike, që do rrëzohen përtokë sapo t'ua japësh shqelmin e parë! Meqë atë e promovojnë fuqitë e dorës së dytë, gjersa ai, në fakt, vete kundër interesave të superfuqisë së vetme globale: Amerika qëndron pas tij, vetëm pse vlerëson se shqiptarët janë ngopur me thërrime!

Të tjerëve mund t'u duket që irredenta shqiptare është rrahur, e pret e përgjunjur goditjen e mbramë. Por unë kam një besim të fortë te ajo. Irredentistët kanë dëshmuar në histori që janë slugerë, që zvarriten në ring, pranojnë grusht pas grushti, por qëndrojnë të mbramët në këmbë në mbarim të meçit.

Arsyeja është e thjeshtë. Kombi i tyre s'ka alternativë tjetër.