Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e enjte, nëntor 03, 2005

IBRAHIM BERISHA: GRUPI NEGOCIATOR DHE FAKTORI POLITIK PO DËSHMOJNË JOSERIOZITET



Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Duke mos qenë në koherencë me intensitetin e shtuar, me të cilin bashkësia ndërkombëtare u është qasur përgatitjeve për fillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës, grupi negociator dhe faktori politik i Kosovës po dëshmon një joseriozitet, tha për Evropën e Lirë, analisti politik Ibrahim Berisha. Ai i ka bërë këto komente duke vlerësuar mospajtimet e fundit ndërmjet anëtarëve të Grupit Negociator të Kosovës, ndërkohë që Grupi i Kontaktit sot në Uashington diskuton pikërisht lidhur me këtë proces.
Zoti Ibrahim Berisha tha se ditëve të fundit janë vërejtur dy procese shumë interesante dhe të kundërta lidhur me përgatitjet që po bëhen për statusin nga faktori ndërkombëtar dhe ai vendor:
"Në njërën anë bashkësia ndërkombëtare ka bërë hapa domethënës në drejtim të hapjes së procesit dhe të zgjidhjes së statusit të Kosovës me rezultate shumë konkrete. Po ashtu kemi edhe disa vlera të reja në kontekst të Kosovës, si të fqinjëve, po ashtu edhe të institucioneve kryesore ndërkombëtare".
Ndërkohë, thotë zoti Berisha, brenda Kosovës po vërehet një sëmundje e kahershme, që thuajse në rastet më kritike është përsëritur, jo vetëm në Kosovë por te të gjithë shqiptarët:
"Personalitetet kryesore që janë përgjegjëse për t’i dalë zot këtij momenti, janë përfshirë nga interesa të ngushta personale apo të paqarta dhe natyrisht që konfliktet që tash dalin hapur dhe mund të kenë një gjenezë të mëhershme, dëshmojnë për vënien e interesave të ngushta dhe një lloj papërgjegjësie karshi momentit dhe interesit të përgjithshëm të Kosovës dhe të qytetarëve të saj".
Mospajtimet ndërmjet anëtarëve të Grupit Negociator të Kosovës kanë dalë në shesh pas mbledhjes së fundit që u mbajt të premten e shkuar, kur kundërshtitë rreth përbërjes së grupeve punuese u bënë publike. Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, pati vlerësuar se anëtarët e grupit duhet të bashkohen rreth ideve dhe propozimeve, pasi Kosova kishte një çmim të madh dhe procesi nuk guxonte të rrezikohej.
Ibrahim Berisha tha se kjo situatë është absurde dhe indikative njëkohësisht, pasi në njërën anë nuk ka konflikte ndërmjet partive kryesore, sepse interesi i të gjithë tyre dihet se është pavarësia, por në anën tjetër ka interesa të ngushta personale që bien ndesh me interesat e përgjithshme dhe kjo vërehet brenda pothuajse të gjitha forcave politike, sipas zotit Berisha:
"Individët nuk përçojnë platformat e partive politike madje kjo lë të dyshohet se partitë politike më shumë kanë deklarata individuale, sesa platforma të qarta për proceset në të cilat po hyn Kosova dhe kjo pastaj reflektohet edhe në platformën e përgjithshme që duhet të ndërtohet nga grupi negociator. Dua të them se po shihet që disa mendojnë se mund të përfitojnë nga një situatë kaq dramatike në Kosovë për të forcuar pozitën, jo të Kosovës, por atë personale".
Ibrahim Berisha tha se është e pakuptimtë që brenda dy takimesh të Grupit Negociator të Kosovës ndodhin kaq shumë zhvillime në kuadër të mekanizmave ndërkombëtare të përfshirë në çështjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës, duke theksuar faktin se në periudhën brenda dy takimesh të grupit negociator kosovar, bëhet emërimi i të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin dhe i zëvendësit të tij evropian, si dhe takohet Grupi i Kontaktit në nivelet me të larta.


ACK KROES: MEDIAT NË KOSOVË KANË HUMBUR AUTORITETIN E TYRE



Albana Isufi, Prishtinë

Mediat në Kosovë nuk janë të fuqishme pasi kanë humbur autoritetin, thotë Jack Kroes, përfaqësues i organizatës joqeveritare Press Now, që përkrah mediat e pavarura në tërë botën.
Gjatë një qëndrimi në Prishtinë, Kroes i tha Radios Evropa e Lirë, se për gjendjen aktuale të mediave kosovare fajin kryesor e bartin zyrtarët e UNMIK-ut.
“Si rezultat i veprimeve të UNMIK-ut dhe KFOR-it në të kaluarën, ka pasur një vërshim të lindjes së mediave. Kjo nënkupton se të gjithë gazetarët që punojnë për mediat në Kosovë janë nën një presion shumë të madh, presion komercial, e me qëllim që gazeta dhe radio e tyre të mbijetojë, duhet të bëjnë gjëra qesharake, që të tërheqin vëmendjen e njerëzve”, thotë Kroes, duke shtuar se rezultat i kësaj është një gazetari e nivelit të ulët, që nuk është në gjendje të krijojë opinion publik.
Kroes, që në 5 vitet e fundit e ka vizituar vazhdimisht Kosovën, thotë se nuk sheh lëvizje pozitive në zhvillimin e gazetarisë së fuqishme në Kosovë. Përkundrazi:
“Mediat kanë humbur shumë autoritetin. Edhe nëse shfaqin fakte për veprime të politikanëve, për ryshfetin, korrupsionin, asnjeri nuk beson se çfarë po thonë mediat. Kjo është e dëmshme, sepse humbja e autoritetit i bën mediat në Kosovë më pak të fuqishme, sepse ato mund të publikojnë çfarëdo që të duan, dhe askush nuk çan kokën për to”, thotë Kroes, i cili shfaq shqetësimin se nuk mund të ketë zhvillim të një shoqërie pa media të fuqishme.
Kroes thotë se edhe situata delikate në Kosovë bën që mediat të mos arrijnë standardet ndërkombëtare.
“Niveli i gazetarisë është ende i ulët dhe kjo ka të bëjë natyrisht me faktin se nuk ka egzistuar për 9 vjet gazetari shqiptare nën pushtimin serb. Duhet bërë shumë në fushën e arsimit që të ndërtohet tradita e gazetarisë dhe duke marrë parasysh sfondin multietnik egzistues, është shumë e vështirë që të kemi media, që në njërën anë janë në presion komercial dhe në anën tjetër punojnë me gazetarë të nivelit të ulët. Kjo është e rrezikshme siç e pamë në trazirat e marsit të vitit të kaluar”, thotë Kroes.
Jack Kroes thotë se është nevojë urgjente që të rishqyrtohen licencat e mediave elektronike që veprojnë në Kosovë, me qëllim që disave që nuk kanë arritur standardet e përcaktuara, t’u merret ajo licencë dhe të mbijetojnë vetëm mediat e mirëfillta.

E martë, 1. Nëntor, 2005
BLERIM REKA: EKIPI NEGOCIATOR TË MOS IMPROVIZOJË



Blerim Reka, profesor i të drejtës ndërkombëtare

EVROPA E LIRË
Tashmë është hapur procesi për fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar. Cilat janë sfidat kryesore për institucionet vendore dhe ndërkombëtare në këtë proces?

BLERIM REKA
Fakti që u hap mundësia që të fillojnë negociatat për statusin e Kosovës nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së mund të merret si lajm progresiv që e shtyn procesin përpara. Kuptohet se me këtë nuk duhen bërë as paragjykime e aq më pak ekzagjerime të këtij hapi, sepse vetëm vendimi për hapjen e negociatave nuk do të thotë se u zgjidh statusi. Për institucionet e Kosovës kjo është një faqe e re, është një përgjegjësi shumë më e madhe, është një kompetencë më e madhe për t’iu qasur problemit dhe unë konsideroj se institucionet vendore e kanë kuptuar drejt fillimin e hapjes së negociatave dhe se do të përgatiten si është më së miri të përfundohet ky proces me objektivin, që e dëshirojmë.
Personalisht unë edhe më parë kam pasur dyshime në procesin negociator, duke pasur parasysh përvojat e deritashme të negociatave që i kemi pasur me Serbinë, si para luftës me ndërmjetësimin e Shën Egjidios, si gjatë luftës me procesin e dështuar në Rambuje, prandaj mendoj se na pret një punë shumë shumë e rëndë dhe një proces i ndërlikuar politik.

EVROPA E LIRË
Është thënë se i dërguar i posaçëm i OKB-së për statusin, do të fillojë një raund të "shuttle diplomacy" për të arritur deri te zgjidhja politike. A besoni se një strategji e tillë vërtet do të mund të arrijë deri te kjo zgjidhje?

BLERIM REKA
Fillimisht unë jam kundër negociatave bilaterale, që do të thotë se nuk shoh ndonjë përparim nëse shkojmë me negociata klasike Prishtinë-Beograd. "Shuttle diplomacia" e Ahtisaarit është treguar edhe në raste të tjera, këtu kam parasysh përvojën e tij të suksesshme në Namibi. Mirëpo personalisht mendoj se as negociatat bilaterale e as "shuttle diplomacia" nuk do të mund të prodhonin efekte pozitive. Në vend të kësaj unë mendoj se shumë më e efektshme do të ishte mbajtja e një konference ndërkombëtare multilaterale me akterët kryesorë vendimmarrës në botë, si bazë për përgatitjen e një rezolute të Këshillit të Sigurimit, që do të formalizonte pavarësinë, gjegjësisht do ta shpallte si produkt të kësaj konference pavarësinë e Kosovës. Me "shuttle diplomaci", me "shuttle negociata", apo edhe më keq me negociata bilaterale, unë mendoj se procesi do të zgjatej, do të tejzgjatej dhe faktikisht nga një status quo 6 vjeçar i mospërcaktimit të statusit brenda rezolutës 12 44, ne do të kishim një status quo të ri disavjeçar me vazhdimin e negocitave.

EVROPA E LIRË
Do të thotë ju mendoni se është i domosdoshëm bekimi i Këshilli i Sigurimit për statusin, dhe jo siç thuhet në disa qendra perëndimore që Grupi i Kontaktit të marrë ndonjë vendim pa bekimin e Këshillit të Sigurimit?

BLERIM REKA
Do të isha shumë i lumtur po të ndodhte kjo e dyta, por Grupi i Kontaktit është vetëm një grup joformal politik. Ndërkaq edhe me Kartën e OKB-së, i vetmi institucion ndërkombëtar, supranacional, që ka kompetencë të vendosë dhe të marrë vendime politike meritore është Këshilli i Sigurimit, sepse Grupi i Kontakti është një grup ad hoc që formohet për të trajtuar kriza të caktuara. Unë mendoj se madje do të nevojiten disa rezoluta deri në përcaktimin e statusit të Kosovës, por nuk dua të paragjykoj epilogun, nuk dua të paragjykoj se si do të rrjedhin negociatat. Unë vetëm dua të them se na pret një punë mjaft mjaft e vështirë.

EVROPA E LIRË
Si e komentoni opsionet që po qarkullojnë në opinion e veçanërisht ato që flasin për pavarësinë e kushtëzuar ?

BLERIM REKA
Po mirë ka pasur dhe do të ketë opsione, qofshin ato akademike, qofshin të qarqeve qeveritare apo të OJQ-ve. Duhet kuptuar se OJQ-të, universitetet, akademitë, institutet nuk mund të vendosin për statusin e një shteti. Meritore është që qytetarët e Kosovës të shprehin vullnetin dhe ata të jenë faktori vendosës për statusin e Kosovës.
Opsionet mund të merren si disa variante të mundshme, megjithatë më së paku për Kosovën mund të vendosë ai që nuk është apo ata që nuk janë të Kosovës. Dua të them se në vend të eksperimenteve që bëhen, formave hibride që shpiken çdo ditë , për Kosovën duhet aplikuar parimi universal që përfshihet edhe në Kartën e OKB-së, që është një prej instrumenteve të Këshillit të Sigurimit e të Asamblesë së Përgjithshme, e kjo është njohja e së drejtës për vetëvendosje edhe popullit të Kosovës, siç i është njohur edhe të gjithë popujve të tjerë.

EVROPA E LIRË
Në këtë rrafsh çfarë do të duhej të bënte ekipi negociator për statusin përfundimtar të Kosovës?

BLERIM REKA
Po ekipi neogociator sa shoh, aktualisht është konstituuar vetëm në nivelin politik, nuk shoh se është krijuar edhe ekipi i ekspertëve që do ta përcillte nivelin politik vendimmarrës me analiza dhe ekspertiza profesionale të të gjitha fushave. D.m.th. ne jemi ende në fazën e parë preliminare të konstituimit të ndonjë trupi apo forumi ta quaj, që do të kyçej operativisht në negociatat për statusin. Këshilla ime do të ishte që ky grup negociator ta kuptonte shumë më seriozisht përgjegjësinë, detyrën, barrën e madhe që e ka para vetes dhe në vend të improvizimeve, siç ishin ato të kaluara nga Rambujeja , t’i qasen shumë më seriozisht këtij procesi.
Fundja nuk ka nevojë, që unë ta them këtë, sepse e dinë të gjithë Kosova po hyn në procesin përfundimtar të shtetformimit dhe këtu me të vërtetë duhet dhënë energji e plotë, duhet ngritur përgjegjësi e plotë, duhet investuar me kompetencë dhe profesionalizëm në qasjen ndaj statusit.

EVROPA E LIRË
Si e shini rolin e komunitetit ndërkombëtar pasi, që të jetë përcaktuar statusi i Kosovës?

BLERIM REKA
Unë nuk mendoj se edhe nëse fitohet pavarësia e Kosovës, komuniteti ndërkombëtar menjëherë do të tërhiqet nga Kosova. Konsideroj se ai do të mbetet edhe për një kohë, derisa të fuqizohen institucionet vendore d.m.th. të parat e një shteti të pavarur për t’u asistuar atyre, për t’i këshilluar jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë ekonomik-financiar, e pse jo edhe në atë të sigurisë, sepse këtu kam parasysh mbetjen e KFOR-it edhe për një periudhë si dhe të BE-së, që do të mund të përgatiste këtë shtet të ri dhe të pavarur çfarë është Kosova në procesin e Stabilizim –Asociimit dhe deri në procesin e integrimit. Prandaj nëse e keni fjalën se a do të jetë e domosdoshme edhe pas pavarësisë një prani ndërkombëtare, unë do të thoja se po.

Intervistoi Albana Isufi