Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e martë, nëntor 29, 2005

Grupi Ndërkombëtar i Krizave kritikon regjimin e vizave të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, Bosnjen, Serbinë e Malin e Zi dhe Kosovën




Grupi Ndërkombëtar i Krizave, një organizatë që përpiqet për parandalimin e konflikteve në botë, publikoi sot një raport ku kritikon regjimin e vizave të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor - Shqipërinë, Bosnjen, Serbinë e Malin e Zi dhe Kosovën.

Kjo politikë vizash, thuhet në raport, nxit pakënaqësi, pengon përparimin e tregtisë, të biznesit dhe të arsimit e si rrjedhojë ndikon negativisht në qendrueshmërinë rajonale. Liberalizimi i plotë i vizave ndoshta do të arrihet kur vendet e Ballkanit të jenë shumë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por, thekson raporti, liberalizimi selektiv, për kategori të caktuara si dhe lehtësimi i vizave për të gjithë aplikantët, duke përfshirë thjeshtimin dhe shpejtimin e procesit, do të ndikonte shumë për t'u treguar qeverive dhe qytetarëve të këtyre vendeve se reformat japin rezultate.

Pengesat e tanishme me vizat, thuhet në raport, janë burim i thellë pakënaqësie për udhëtarët e ndershëm dhe, në vend që ta pengojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, e ndihmojnë atë.

Raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave rekomandon që Bashkimi Evropian të negociojë për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, Bosnjen dhe Serbinë e Malin e Zi si dhe të rishikojë udhëzimet konsullore për thjeshtimin e procesit të dhënies së vizave, duke përfshirë heqjen e pagesave dhe të intervistave si dhe shkurtimin e kohës së nxjerrjes së vizave(VOA)