Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e enjte, nëntor 24, 2005

Gripi i shpezëve mund ta godas edhe Kosovën



Ndonëse ende nuk është shënuar asnjë rast i gripit të shpezëve (Avian Influenza, “Bird Flu”) në vendet e Ballkanit, ekspertë të shëndetësisë kosovare thonë se kjo nuk duhet t’u krijojë komoditet përgjegjësve të institucioneve të vendit se diçka e tillë nuk mund të ndodhë edhe në Kosovë.

Për më tepër, thonë ata, edhe Kosova është e rrezikuar nga gripi avian. “Po. Mungesa e masave adekuate për kontroll të importit të produkteve ushqimore në kufi, ndërgjegjja e ulët e importuesve që kanë për qëllim vetëm përfitimin e tyre material pa u brengosur shumë për kualitetin, udhëtimet e shpeshta të qytetarëve të Kosovës në vendet aziatike për tregti dhe turizëm si dhe prania e madhe e ndërkombëtarëve te ne, e bëjnë Kosovën zonë me rrezik për importin e virusit të gripit avian nga vendet e afektuara aziatike”, thotë prof.dr. Naser Ramadani, drejtor i Departamentit të Epidemiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) të Kosovës.

Pa dashur të krijojë panik, por ta thotë atë që mendojnë ekspertët, epidemiologu Ramadani, thotë se gripi i shpezëve apo gripi avian, siç njihet në shkencë, “do të jetë një temë e nxehtë e këtij shekulli”.