Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e enjte, nëntor 03, 2005

Flori Bruqi:Nga kultura shqiptare 24 orë online

Ministrat e Shqiperise, Maqedonise dhe Malit te Zi diskutojne mundesine e heqjes se takses doganore per qarkullimin e librit shqip

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, Bujar Leskaj, ministri i Arsimit të Maqedonisë, Azis Pollozhani, ministri i Pakicave dhe Nacionaliteteve të Malit të Zi, Gëzim Hajdinaga, diskutuan sot (e Martë) në Tiranë, qarkullimin e lirë të librit shqip në rajon, që nënkupton mundësinë e heqjes së taksës doganore për transportimin e librit nga një vend në tjetrin.
Takimi u zhvillua në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, ku është çelur Panairi i tetë i Librit në Tiranë, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës në vend.
Ministri Leskaj tha se "një nga qëllimet kryesore, që i jep zgjidhje kësaj çështjeje në Shqipëri është mbyllja e hartimit të ligjit "Për librin".
Ministri i Maqedonisë, Pollozhani, u shpreh se "do të punojmë për lëvizjen pa pengesa në aspektin juridik të librit".
Ndërsa ministri i Malit i Zi, Hajdinaga u shpreh se "qeveria e Malit të Zi favorizon qarkullimin lehtësisht të librit, kjo në varësi të kërkesës ndaj tij".
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Nazmi Rahmani, informoi se "qeveria e Kosovës do të heqë një pjesë të taksave përsa i përket importimit të librit".
Aktualisht TVSH-ja mbi librin në Shqipëri është 20 për qind, në Kosovë 15 për qind, në Maqedoni 5 për qind dhe në Mal të Zi, 17 për qind


Komisioni i Kultures ne parlamentin e Maqedonise miraton festimin e tri datave historike per shqiptaret

Komisioni i Kulturës në Parlamentin e Maqedonisë miratoi të Hënën vonë në mbrëmje programin vjetor të kujtimit të datave historike dhe personaliteteve të vendit. Programi parashikon vetëm tre manifestime që lidhen me historinë e shqiptarëve: 80 vjetorin e Nexhat Pustinës, 150 vjetorin e lindjes së Naim Frashërit dhe 50 vjetorin e Xhamisë së Manastirit.
Antarët e Komisionit parlamentar të kulturës fajësuan institucionet arsimore, Shoqatën e shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoni, atë të Historianëve Shqiptarë, Shoqatën e Dramës Shqipe, dy Universitetet shqiptare (Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Universitetin e Europës Juglindore), të cilët, sipas Hysnixhevat Hyseinit, nuk propozuan data dhe personalitete që duhej të diskutoheshin në kuadër të programit vjetor.
“Iu jemi drejtuar institucioneve të larta arsimore shqiptare dhe asnjë prej tyre nuk na është përgjigjur”, deklaroi anëtari shqiptar i komisionit, Huseini.
Anëtari tjetër shqiptar i këtij komisioni, Fazli Veliu, shprehu rezerva për organizmin e kujtimit të këtyre datave dhe propozoi edhe tri data që të hyjnë në programin e vitit të ardhshëm: 5 Majin, si dita e luftëtarëve të UÇK-së, 28 Nëntorin, dita e Flamurit Shqiptar dhe lindjen e Isa Boletinit. Por, anëtarët e tjerë të Komisionit parlamentar, nuk pranuan festimin e tyre dhe thanë se "ato nuk i ka propozuar dhe nuk i ka arsyetuar askush".


Tirane: 20 mije tituj librash ne Panairin e Librit

Panairi i 8-të i librit "Tirana 2005" u çel dje (e Martë) paradite, në ambientet e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, në Tiranë.
Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, i cili çeli Panairin tha se "ky është një nga aktivitetet kulturore më të rëndësishme në vend, jo vetëm për prezantimin e librave nga shtëpi të ndryshme botuese, por dhe për afrimin e lexuesit me këtë thesar të çmuar, që është libri".
Në çelje të Panairit, ishin të pranishëm Ministri i Arsimit i Maqedonisë, Azis Pollozhani, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Astrit Haraçina, Ministri i Pakicave dhe Nacionaliteteve të Malit të Zi, Gëzim Hajdanagaj dhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, i cili u shpreh se "kjo është një ditë e veçantë, që meriton të quhet Festë e Librit Shqip".
Botimet e 130 shtëpive botuese nga Shqipëria dhe jashtë kufijve, me rreth 20 000 tituj librash, prej të cilave 1 500 të rinj, janë ekspozuar në pavionet e Panairit të 8-të i Librit "Tirana 2005".
Ndër aktivitetet më të rëndësishme, që do të organizohen gjatë ditëve të panairit deri në 6 Nëntor, janë promovimi i stendës me veprat e plota të Ibrahim Rugovës, përurimi i kolanës "Europa-Atdheu ynë i përbashkët", si dhe debati për problemet kryesore që shqetësojnë sot librin në Shqipëri, që organizohet nga MTKRS-ja me botuesit dhe gazetarët e kulturës.
Panairi i 8-të i Librit "Tirana 2005" organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

***

Botimet e 130 shtëpive botuese nga Shqipëria dhe jashtë kufijve janë ekspozuar në pavionet e Panairit të 8-të i Librit "Tirana 2005", që do të çelet nesër (e Martë) paradite në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, në Tiranë.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Fatmir Toçi tha sot (e Hënë), gjatë një konference për shtyp, se "rreth 20 000 tituj librash, prej të cilave 1 500 tituj të rinj, do të prezantohen në këtë edicion të panairit".
Sipas tij, "përveç ekspozimit të botimeve gjatë një viti, qëllimi ynë është të tërheqim vëmendjen e lexuesit, medias dhe mendimit kritik ndaj librit".
Gjatë ditëve të panairit deri në 6 Nëntor janë planifikuar të organizohen aktivitete si, konferenca shtypi, promovime librash, debate mbi çështje të librit.
Panairi i 8-të i Librit "Tirana 2005" organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.


Ekspozita e arteve vizuale "Good Morning Balkan" u cel ne Tirane


"Good Morning Balkan", një ekspozitë e arteve vizuale, që ka për qëllim të prezantojë çfarë është tipike dhe e përbashkët në këto vende, u çel sot (e Hënë) në mbrëmje në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, pas udhëtimit në Athinë (Greqi) dhe Bukuresht (Rumani). Ekspozita, një nismë e Forumit "Weltoffen International" me qendër në Vjenë (Austri), u prezantua për publikun shqiptar, në një ceremoni ku ishin të pranishëm anëtarë të kabinetit qeveritar dhe personalitete të artit e kulturës. 19 artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosnja-Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi, Bullgaria, Rumania, Sllovenia, Austria, Kroacia, Turqia, Gjermania dhe Greqia, ekspozuan punimet e tyre nën konceptin e kuratorit Fatmir Velaj, njëkohësisht kryetar i Forumit "Weltoffen International". Ministre e Edukimit, Shkencës dhe Kulturës së Austrisë, Elisabeth Gehrer, çeli ceremoninë me këtë rast. Ajo vlerësoi bashkëpunimin në kulturë mes dy vendeve dhe evidentoi kontributin e z.Velaj, që ndërmori çeljen e kësaj ekspozite në Tiranë. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, u shpreh se "ekspozita prezanton një festë ngjyrash dhe formash ku arti është forma më e thjeshtë e bashkimit të popujve të Ballkanit". Ndërsa, sipas Velajt, "paraqitja në një sallë të vetme e artistëve nga vende, besime fetare dhe këndvështrime të ndryshme ofron vizione të reja për bashkëjetësë". Aktiviteti u mundësua me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë.


Kisha e shen janit ne Vlore rrezikohet nga shkaterrimi

Kisha e Shën Janit në fshatin Nartë, 7 km larg qytetit të Vlorës, e ndërtuar 3 deri në 4 shekuj më parë, rrezikohet nga shkatërrimi, për shkak të mungesës së restaurimeve.
Godina e kësaj kishe, një ndër me të vjetrat në rrethin e Vlorës, është restauruar disa herë në periudha të ndryshme. Sipas historianëve vlonjate, kambanorja e saj u restaurua për herë të fundit në vitet 1930 të shekullit të kaluar, kur në të u vendosen 3 kambana të reja dhe sahati, të prodhuara në Itali.
Prej disa vitesh, kambanorja e Kishës së Shën Janit ka krijuar një pjerrësi të dukshme me një kënd më të vogël se 90 gradë në drejtim të perëndimit, e cila për specialistët është një tregues i qartë i rrezikut që i kanoset këtij objekti kulti. Kujdesi për mirëmbajten e kishës mungon, madje edhe nga vetë besimtarët ortodoksë nartiotë, pasi ata shfrytëzojnë Kishën e Shën Dielës.
Këmbanat dhe sahati i kishës së Shën Janit janë në një gjendje të mirë. Ndërkohë që, drejtori i Degës së Monumenteve, Novruz Bajrami, thotë se kishës së Shën Janit i nevojitet ristaurimi, por për këtë mungojnë fondet.


Zerat e rinj te festibvalit nderkombetar "Marie Kraja" konkurojne kete vit per cmimin me emrin e Inva Mules

Festivali Ndërkombëtar i Zërave Operistikë "Marie Kraja", që organizohet në Tiranë në datat 27-29 Tetor, këtë vit do të shpallë për herë të parë fituesin e çmimit "Singer of the future-Inva Mula", me vlerë 5 000 USD, akorduar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Ideatorja dhe producentja e festivalit, Zana Çela tha sot (e Mërkurë) gjatë një konference për shtyp në Akademinë e Arteve të Bukura se " për çmimin, që mban emrin e sopranos së njohur në botë, Inva Mula konkurojnë këngëtarët e moshës 22-27 vjeç. Ndërsa këngëtarët nga mosha 27-35 vjeç do të synojnë çmimin e përvitshëm "Marie Kraja", që ka po vlerën 5 000 USD".
Sopranoja Mula, e cila prej vitit 1990 jeton në Paris (Francë), ka kryesuar në tre edicione jurinë ndërkombëtare të Festivalit "Maria Kraja".
Këtë vit Festivali Ndërkombëtar i Zërave Operistikë "Marie Kraja" shënon edicionin e shtatë, ku konkurojnë 18 artistë të rinj nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës. Një juri ndërkombëtare do të përzgjedhë artistët, në festivalin që drejtohet nga dirigjenti anglez Martin Andre, me mjeshtër muzike Robert Radoja, koreografi të Agron Aliajt, kostumografi të Ardi Asllanit dhe regji të Pali Kukes.


Dosja e Beratit do t'i dorezohet UNESCO-s me 15 nentor

Dosja e Beratit, që po përgatitet nga një grup specialistësh të kryesuar nga Prof.Dr.Emin Riza, do t'i dorëzohet UNESCO-s (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën) më 15 Nëntor.
Gjatë takimit me titull "Berati 2 450 vjeçar", që u organizua sot (e Shtunë) në Tiranë, studiues dhe historianë bënë një panoramë të historisë dhe kulturës së qytetit muze, para se Dosja të dorëzohet në UNESCO.
Drejtor i Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Vaso Tole, tha se " jemi në momentet e fundit të plotësimit të Dosjes së Beratit, për regjistrimin në pasuritë botërore që mbrohen nga UNESCO".
Ndërsa, Prof.Dr.Emin Riza, duke e cilësuar Beratin " një qytet me vlera shumëplanëshe" theksoi se "sfida më e madhe për qytetarinë beratase fillon pasi qyteti të regjistrohet në Listën e UNESCO-s, që do të bëjë të mundur menaxhimin e qytetit brenda standarteve që kërkon UNESCO".
Në rrethin e Beratit numërohen rreth 86 monumente kulture të kategorisë së parë, të shpallura që nga viti 1948, që i përkasin shek.XVII-të -XIX-të.
Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku ishin ekspozuar fotografi të vjetra të Beratit, si dhe piktura e grafi nga piktorja Julika Sino, u shfaqën filmat dokumentarë "Berati në vite" dhe "Berati në kancelaritë europiane".



Festivali nderkombetar i zerave operistike "Marie Kraja" organizohet per te shtaten here

Festivali Ndërkombëtar i Zërave Operistikë "Marie Kraja", në Tiranë, shënoi këtë vit edicionin e shtatë, me 18 artistë të rinj nga vende të ndryshme të botës.
Ideatorja dhe producentja e Festivalit, Zana Çela tha sot ( e Shtunë) për ATSH-në se "pjesë e rëndësishme e aktivitetit me regji të Pali Kukes janë elementët e spektaklit, ku pritet të vijnë artistët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit".
Shqipëria do të prezantohet me katër këngëtarë, baritoni Sokol Hidersha, sopranot Alisa Katroshi e Emiliana Palushaj dhe tenori Armando Klogjeri. Ndër artistët që vijnë nga vende të botës janë Eva Gigliotti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Emilio Ruggerio nga Meksika, Erika Ross nga Suedia, Lars Muller nga Danimarka, Camila Corsi nga Italia, etj. Artistët do të prezantohen me dy arie të kompozitorëve botërorë, në festivalin që drejtohet nga dirigjenti anglez Martin Andre, me mjeshtër muzike Robert Radoja, koreografi të Agron Aliajt dhe kostumografi të Ardi Asllanit.
Edicioni i parë i këtij konkursi operistik u fitua sopranoja shqiptare Mariana Leka . Gjithashtu fituese e edicionit të vitit të kaluar ishte sopranoja e re Eriona Gjyzeli



Pergatiti Flori Bruqi