Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, nëntor 13, 2005

e diel, nëntor 13, 2005

Floart

Krishterimi në vendin tonë

Edhe të parët tanë patën fatin ta njohin Krishtërimin qysh në kohën e Apostujve. Është e sigurt se dy apostuj kanë predikuar të parëve tanë – ilirëve. Shën Andrea predikoi në Greqi, siç thonë dokumentat – dhe në Epir, pra edhe në vendin tonë. Për shën Palin dihet se ka predikuar edhe në vendin tone e sigurisht rrugët e atëhershme që lidhnin nëpër Shqipëri Perëndimin me Lindjen do t'i ketë rrahur ky këmbësor i përmendur i njerëzimit. Dihet me siguri se një vit dimëroi në Shqipëri e pikërisht në Prevezën e Moçme, në NIKOPOL, në vitin 65, dy vjet para martirizimit të tij në qytetin e Romës.

At Mark Harapi S.J. këndoi:
"Oh sa me nderë asht për Shqipni
M'e pas pasun mik po n'shpì".

Kështu dhe ne mund të mburremi me të drejtë se e kemi marrë Krishtërimin, së paku qysh në kohën e Apostullit Pal.


Krishtërimin shqiptarët nuk e morën prej pushtuesit

Mendoj se është e udhës të theksohet një e vërtetë që shpeshherë kalohet përmbi, duke mos i dhënë rëndësi: shqiptarët kanë qenë të gjithë të krishterë dhe krishterimin nuk e kanë pranuar prej pushtuesit. Se të gjithë shqiptarët kanë qenë të krishtërë, sot faleminderit Zotit, me zhvillimin e shkollimit, pothuajse s'ka shqiptar intelektual që nuk e di e nuk e pranon, ndërsa një pakicë pohon – shpeshherë kam dëgjuar duke thënë se krishterimin e morën shqiptarët prej Romës ndërsa muslimanizmin prej Turkut. Se Islami është marrë nga okupatori, kjo s'ka farë dyshimi dhe se është marrë – shumë prej krahinash shqiptarë me dhunë - janë më të sigurt të gjithë ata që merren me të kaluarën e popullit tonë. Sa për krishterimin është prapë e sigurt se të parët tanë e pranuan vullnetarisht, para se Krishterimit t'i jepej liria fetare, qysh në kohën ë salvimeve, të salvimeve pikërisht nga pushteti romak.

Dihet se shqiptarët jemi të vetmit trashëgimtarë – pasardhës të ilirëve, këndej të mirat e të këqijat e tyre janë patjetër trashëgim i yni dhe s'ka të drejtë askush të na përqeshë se thirremi në krishterim qysh në kohën ë ilirëve.

Thamë se shën Pali – predikatari i Ungjillit dhe misionari i madh i paganëve – ka predikuar edhe në Ilirik. Ashtu mendohet edhe për shën Andreun apostull. Po çfarë merrej vesh në atë kohë me Illyricum?

Në kohën e Oktavian Augustit (27 para Kr.) Iliriku u takon provincave senatoriale. Në v. 11 para Kr., Senati ia jep Ilirikun perandorit. Në kohën e riorganizimit administrativ që e ndërmori Diokleciani, Dalmacia ndahej në dy provinca: në Dalmacinë me kryeqendër Salonën dhe Prevalitanën me kryeqendër Shkodrën. Këto në të vërtetë na interesojnë më shumë, por kemi Ilirikun Lindor që i takonte dioqezës së Dakisë e në të përfshihej Iliriku Lindor. Konstantini i Madh ndjek ndarjen administrative të Dioklecianit e provincat romake të Ballkanit i ndan në katër dioqeza perandorake: Traki, Maqedoni, Daki dhe Ilirik. Vendbanimet e shqiptarëve edhe aso kohe ishin të ndara: në Prevalitinë (Shkodër), Maqedoni (Shkup) – Thesaloniku (Epiri i Vjetër), Nikopoli – ku dimëroi shën Pali në v. 65 (Epiri i Ri), Durrës, Tesali (Larisa).

Se kemi fenë e krishterimit mirë të përhapur në Ilirik këtë na dëshmon edhe fakti se kemi martirë në kohën e Aurelit. Nga Nikopoli kemi një papë në selinë e shën Pjetrit Eleuterin (182-193).

Gjatë përndjekjeve të tmerrshme të Dioklecianit, Kisha ilire jo vetëm se dëfton heroizmin besimtar, por edhe organizimin hierarkik. Galeri bëri çmos kundër të krishterëve ilirë, e megjithatë në fillim të shekullit IV e kemi kishë mirë të organizuar.

Në Koncilin e Nicesë (325), morën pjesë edhe Ipeshkvij nga Iliriku: Dominius nga Sirmium, Protageni i Sardikës (Sofia), Dakur i Shkupit dhe Pistusi i Marcianopolisit: të gjithë e dënuan arianizmin.

Në Ilirik, mëgjithëse nuk është e studiuar mjaft koha e krishterimit të hershëm, ka mundësi se kultet dhe herëzitë lidhur me personin e Jezusit i kanë pasur ndikimet e tyre edhe ndër të parët tanë. Mendohet se një pjesë e episkopatit e merret vesh edhe e besimtarëvee, pati përqafuar arianizmin, sigurisht jo për një kohë të gjatë.

Koncili i Sardikës (343) në të cilën morën pjesë: nëntëdhjetë ipeshkvinj nga Perëndimi e tëtëdhjetë nga Lindja, si pjesëmarrës ishin edhe këta ipeshkvinj nga vendi ynë: nga Dardania Gaudencin, nga Naissus (Nish), nga Shkupi Paregorius dhe nga Ulpiana Machedonius.

Këtu lindi edhe një skizëm me anë të Fotinit, i cili dënohet në sinodin e Milanos në vitin 345. Në të vërtetë i gjithë Iliriu është me Papën. Dobësohet gjendja kur Iliriku Lindor i falet perandorisë lindore e pastaj Ilirikuu Perëndimor i bashkohet Bizantit mes viteve 424 – 437. Qysh në këtë kohë do të lindin grindjet mes Romës dhe Bizantit, jo pa dëmin tonë edhe si popull, por edhe si fe. Ky kalim nga një perandori në tjetrën i ka sjellë popullit tonë dëme të mëdha shpirtërore dhe kulturore, të pëndjekur herë prej njërës palë e herë prej tjetrës, ndërsa të mbrojtur prej askujt: vëlla i pavëlla!


Salvimet kundër Krishterimit

Qysh në fillim të krishterimit e deri në shek. IV kemi dhjetë salvime të mëdha e pothuajse të përgjithshme në Perandorinë romake. Këto salvime u bënë kryesisht nga pushteti perandorak i Romës. Sa të cekët në njohjen e historisë janë ata që pohojnë se shqiptarët – të parët tanë ilirët – e pranuan krishterimin prej okupatorit! Okupatori i ka salvuar rreptësisht pse e kanë pranuar krishterimin! Romakët në zhvillimin e krishterimit shihnin shkatërrimin e perandorisë, prandaj edhe e përndjekën pa mëshirë.

Salvimin e filloi Neroni. Ai vrau shumë të krishterë e ndër ta edhe shën Pjetrin e shën Palin. Shën Pjetrin e kryqëzoi, ndërsa shën Palit ia shkurtoi kryet. Në vendin e ekzekutimit të këtyre dy shenjtërve më vonë qenë ndërtuar dy kishat e madhërishme: kisha e shën Pjetrit dhe ajo e shën Palit – e dyta gjindej në hapsirën prej Romës për në Ostia, ndërsa kisha e shën Pjetrit në Vatikan.

Pas Neronit vijuan edhe perandorët e tjerë ta salvojnë Kishën. Kjo gjendje e vështirë e Kishës vazhdoi deri me ardhjen në sundim të Romës të bashkëkombëtarit tonë, Konstantinit të Madh. Ky i lindur në Nassius (Nish), pasi që e mori sundimin e pjesës perëndimore të perandorisë romake i dha liri Kishës me ediktin e Milanos në vitin 313.

Meqenëse në vendin tonë e kemi Krishtërimin qysh në shekullin e parë e feja shkonte gjithnjë duke u përhapur, sidomos pas dhënies së lirisë, kështu në shekullin IV kemi selitë ipeshkvore në vendin tone. Pra një kishë hierarkisht të organizuar si Shkodra, Diokleja, Shkupi, Durrësi etj. Padyshim kemi edhe martirët tanë. Në Martirologjinë romake me datën 7 korrik kemi shën Astin, ipeshkvin e Durrësit, të martirizuar në kohën e Trajanit; shën Venancin, ipeshkvin e Salonës (Dalmaci), të martirizuar me 155; shën Ireneun, ipeshkvin e Smirniumit, në vitin 304; shën Danaktin, diakon e lexues i kishës së Vlorës, martir; shën Eleuterin papë nga Nikopoli (Preveza e Moçme), i cili si papë i Romës dha jetën si martir në vitin 193 (ishte si papë nga viti 182-193). Në kohën e perandorit Hadrian kemi dy gurëgdhendësit (artistë) Florinin dhe Laurin, nga Ulpiana, afër Prishtinës së sotme.


Pagëzimi i popujve të Europës Juglindore

Kisha duke u munduar të përkujdeset për çdo popull e për çdo njeri, bëri çmos të shpërndante dritën e Ungjillit. Ndërsa në Lindje Islamizmi po bënte hapa të shpejtë të përhapjes – zakonisht me okupim të shteteve e të popujve të ndryshëm e me kthim të dhunshëm në Islam – ngjarje kjo që e njeh mirë historia botërore, Kisha iu soll popujve të Europës për t'i kthyer në krishterim.

a) Popujt Sllavë

Populli kroat, posa nguli në Iliri – që ishte pak a shumë krejtësisht e përshkuar (qytet e fshat) nga krishterimi, menjëherë nisën të kthehen në krishterim. Patën si misionar nga Roma abatin Martin. Në vitin 780 erdhi nga Ravena si misionar Gjoni (nga Ravena). Ky ishte ipeshkëv i Spletit dhe më vonë metropolit.

Poashtu edhe serbët, kur erdhën në Iliri, hasën në krishterimin e organizuar, pasi që në këto vende Kisha ishte shekuj me radhë mirë e organizuar. Kthimi i tyre u bë kryesisht me ardhjen e misionarëve grekë: shën Çirili dhe Metodi më nxënësit e tyre rreth gjysmës së shekullit IX.

Po në këtë kohë fillon edhe pagëzimi i bullgarëve. Princi Boris me disa princa të tjerë, është pagëzuar në vitin 865 nga misionarë grekë. Ky tërhoqi me shembullin e tij edhe një numër shumë të madh të popullit të tij. Mbreti i bullgarëve i pranoi me shumë kënaqësi nxënësit e shën Metodit, të cilët futën ne Liturgji gjuhën bullgare dhe alfabetin cirilik, aq sa bullgarët u ngritën në aspektin kulturor dhe ka qenë për një periudhë kohore para të gjithë popujve të tjerë sllavë.

Si Kisha e bullgarëve edhe ajo e serbëve, me shkëputjen e Kishës së Konstantinopojës nga Roma, kaluan me Bizantin.

b) Sllovenët

Sllovenët pranuan fenë e Krishtit në shekullin e IX nga misionarët e Austrisë dhe mbetën nën sundimin kishtar të Salzburgut deri në vitin 1440 kur e fituan ipeshkvin e tyre në Lubljanë.


Albert Jakaj



www.ForumKatolik.com