Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e premte, nëntor 25, 2005

A EKZISTON FLAMURI QË U NGRIT MË 28 NËNTOR 1912 NË VLORË?!

Shkruan: Sheradin Berisha

Kush e solli flamurin kombëtar,më 28.XI.1912 në Vlorë

Për shumë vjet ka dominuar versioni zyrtar,se flamuri që Ismail Qemali ngriti më 28 Nëntor 1912 në Vlorë,u qëndis nga korçarja Marigo Pozio,e cila atëkohë jetonte në Vlorë dhe thuhet se ajo e qëndisi flamurin brenda natës.Por,ky version i shndërruar në mit,si duket nuk i kënaq të gjitha interpretimet që bëhen kohëve të fundit.Po t´i referohemi kujtimeve të Eqrem bej Vlorës,del se Marigo Pozio Flamurin e ka qëndisur disa ditë pas mbajtjes së kuvendit të Vlorës,duke u bazuar në flamurin e tij personal,të cilin e kishte ngritur Ismail Qemali më 28 nëntor 1912.
Një version tjetër që spikatet në kujtimet e pjesëmarrësve të Kuvendit të Vlorës,thuhet se,flamuri që u ngrit në Vlorë,është po ai flamur që zbukuronte podiumin e Hotelit-„Kontinental“në Bukuresht,në mbrëmjen e 5 nëntorit 1912,gjatë takimit të Ismail Qemalit me komunitetin shqiptar në Rumani.Në këtë takim realisht u vendos që Shqipëria të shpallë Pavarësinë e plotë nga Perandoria Osmane,e cila veç po i numronte ditët e fundit në Ballkan.Dhe kjo do të ndodhë 23 ditë më vonë(më 28.XI.1912) në Vlorë.
Sipas këtij versioni të gjitha burimet rezultojnë në një pikë,se Spiridon Ilo(përfaqësues i delegatëve të Bukureshtit)e kishte marrë Flamurin nga kryeqyteti rumun dhe gjatë udhëtimit me delegacionin e Ismail Qemalit për në Shqipëri,do ta mbajë tërë kohën me vete,në gji.Ndonëse S.Ilo ishte djal i tezes së Marigo Pozios,më 27 nëntor 1912,(kur karvani i Ismail Qemalit arrinë në Vlorë),ai natën do ta kaloi në shtëpinë e saj në Vlorë.Dhe thuhet se,Marigo Pozio brenda natës i ka qëndisur vetëm theket e flamurit(jo krejt flamurin),që kishte sjellur z.Ilo nga Bukureshti.
Ndërkaq,Vangjo Ilo(djali i Spiridon Ilos)në kujtimet e tij thotë,se:flamuri që ka sjellur i ati i tij nga Bukureshti në Vlorë,ishte i stampuar,jo i qëndisur dhe përmasa ka qenë 1 metër me 80 cm.Ky flamur nuk ishte i qëndisur me fije ari siç është pohuar deri më tani,por ka pasur thekë të verdha,të cilat siç u tha më lartë, i ka qëndisur Marigo Pozio.
Ekziston edhe një version tjetër rreth prurjes së flamurit në Vlorë,e që lidhet me emrin e Marigo Pozios.
Në një shkrim të gazetës“Dielli“që botohet në SHBA,thuhet se flamurin që u ngrit në Vlorë,e kishin sjellur mërgimtarët shqiptarë nga Amerika në Korfuz,për këtë qëllim.Meqenëse Marigo Pozio(grua e një tregëtari vlonjat),ato ditë ndodhej në Korfuz,në pamundësi që ta fuste një mashkull flamurin në Shqipëri(për shkak të pengesave të mëdha doganore),këtë e bëri Marigo Pozio,e cila e mbështolli brenda veshjeve të sipërme dhe e solli në Vlorë.

Flamuri që u ngrit më 28 nëntor 1912 në Vlorë, u dogjë nga
grekët në vitin 1914 në Delvinë !!!
Përveç këtyre versioneve,Eqrem bej Vlora(kusheri i Ismail Qemalit),në kujtimet e tij,thotë se-flamuri që u ngrit më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali në Vlorë,ishte një flamur personal(pronë private e tij)që e mbante në shtëpi,(si kujtim)të dhuruar solemnisht më 1909 në Paris, nga një pinjoll i familjes Kastrioti,don Aladro Kastrioti.Dhe këtë pohim të Eqrem bej Vlorës e vërtetojnë tashmë disa dokumente(letërkëmbime) që janë gjetur,në maj të vitit 2004,në arkivin e ministrisë së jashtme të Shqipërisë.
1.Në dokumentin e parë thuhet se,në vitin 1930 qeveria shqiptare ka marrë një vendim të rëndësishëm,që flamurin e ngritur në Vlorë(më 28.XI.1912) ta kthente në një material muzeal dhe për këtë qëllim,prefekturës së Vlorës i drejtohet me një letër zyrtare,ku i kërkohej ta gjejë atë flamur dhe ta sjellin në Tiranë për ta vendosur në muzeun kombëtar.Në vitin 1930 pothuaj se të gjithë protagonistët ishin gjallë,përfshirë këtu edhe Marigo Pozion.
2.Ndërkohë,Prefektura e Vlorës i dërgon një letër zyrtare ministrisë së brendshme të Shqipërisë(ministër i brendshëm ishte Musa Juka) në të cilën sqaron se flamuri,që Ismail Qamali e ka ngritur në Vlorë ishte pronë private e Eqrem bej Vlorës,ashtu siç thotë edhe vet Eqrem bej Vlora në kujtimet e tij.Së këndejmi kjo perfekturë kërkonë nga ministria,që t´i drejtohet zyrtarisht Eqrem bej Vlorës,i cili asokohe ishte zyrtarë i qeverisë shqiptare(mbretërisë zogiste) në Athinë.
3.Zoti Rauf Fico,ministër i jashtëm i Shqipërisë,i dërgon një letër z.Eqrem bej Vlora në Athinë, dhe kërkon dorëzimin e flamurit, për ta vendosur në muzeun kombëtar në Tiranë.
4.Ndërkohë z.Eqrem bej Vlora në letër-përgjigjen e tij prej 3 faqesh,pasi e falënderon ministrinë e jashtme,që më në fund është kujtuar për ta kthyer flamurin e ngritur në Vlorë,në material muzeal,me keqardhje thotë,se ai flamur nuk ekziston më!
Në vijim,z.Vlora shpjegon se ky flamur,pas përfundimit të Kuvendit të Vlorës,u rikthye në shtëpinë e tij dhe ka vazhduar ta mbajë atë si të shenjtë.Mirëpo,në vitin 1914 kur në Vlorë hynë forcat rebele të Shqipërisë së Mesme,nga frika se do ta gjenin flamurin(sepse shtëpitë e bejlerëve shqiptar që kishin orientime perëndimore u dogjën tërësisht),zonja Delvina,një grua patriote që kishte qëndruar në shtëpinë e tij, gjatë largimit nga Vlora për në Delvinë e merrë me vete edhe flamurin.Znj.Delvina këtë flamur e ruan me kujdes(si sytë e ballit)së bashku me gjësendet e saja pesonale.
Në vitin 1914,kur në jug të Shqipërisë,forcat greke„vorio-epirote“,që pretendonin bashkimin e kësaj pjese shqiptare me Greqinë sulmojnë Delvinën,familja e znj.Delvina meqë ishte në fokus për t´u persekutuar,detyrohet të largohet për në Korfuz,duke lënë gjithçka kishin në shtëpinë e tyre.Me këtë rast ushtria greke,pasi kishte djegur e shkretuar Delvinën,ia vuri zjarrin edhe shtëpisë së delvinajve dhe së bashku me gjësendet e mbetura aty u dogjë edhe flamuri.
Pra,bazuar në këto dokumente,duket se janë demantuar të gjitha versionet që kanë të bëjnë me fatin e flamurit historik,që ishte ngritur më 28 Nëntor 1912 në Vlorë.