Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e diel, nëntor 06, 2005

Despotet shqiptare dhe agjentet pro rus...

Pjesë nga fjala-dënuese e Enver Hoxhës ndaj Mehmet Shehut pas vetëvrasjes, 18 dhjetor 1981. Të nesërmen e vetëvrasjes ai e shpall ish-kryeministrin armik të partisë

Enver Hoxha: "Mehmeti, armik deri në çastin e vdekjes"


Tani edhe unë do të lexoj, ashtu si e kisha përgatitur, kritikën që pata menduar t’i bëja punës së Mehmet Shehut, pavarësisht se kjo po zhvillohet në mungesë të tij, se ai u tregua armik i Partisë deri në çastin e fundit, derisa vrau veten. Por, Partia si kurdoherë, është e fortë dhe në gjendje t’i kapërcejë të gjitha vështirësitë; ashtu sikurse ka kapërcyer edhe të tjera të tilla edhe më të mëdha, prandaj puna jonë vazhdon.


Shokë,
Byroja Politike po diskuton për një çështje me shumë rëndësi, për gabimin e madh politik që bëri shoku Mehmet, duke aprovuar fejesën e djalit të tij me një vajzë që, në rrethin e babait dhe të nënës së saj, ka 6-7 armiq të egër të pushtetit tonë popullor, të arratisur, kriminelë lufte, të burgosur e të internuar.
Para Kongresit të Partisë, Mehmeti më dërgoi një variant të parë të autokritikës së tij, prej 26 faqesh, dhe kërkonte ta ndihmoj. Ia ktheva këtë variant me vërejtjen që neve nuk na interesonte të flitej gjerë e gjatë mbi historikun se si ngjau gabimi, e këshilloja të thellohej në shkaqet e këtij gabimi, të cilat, i theksova, janë të lidhura me disa koncepte e qëndrime jo të drejta, me disa elemente negative në karakterin e tij dhe se duhej të kuptonte rrezikshmërinë e fajit dhe të gabimeve që bëri.
Pas Kongresit, shoku Mehmet dorëzoi për Byronë Politike autokritikën prej 39 faqesh, që ju e lexuat. Autokritika e tij nuk më bind që ta ketë kuptuar thellë gabimin që ka bërë. Në autokritikë ai zgjatet në disa rrethana, në faktorë e justifikime, më shumë për të shfajësuar veten dhe për të minimizuar gabimin.
Shoku Mehmet e vë theksin sidomos në momentet psikologjike, momente të një emotiviteti e sentimentalizmi të madh lidhur me disa anë patologjike të djalit, që e shtynë të gabonte. Por nuk janë këto arsyet kryesore dhe vendimtare, që e çuan në këtë gabim, por janë të tjera, janë disa anë të karakterit te Mehmetit, që ai i kalon përciptazi, që i quan sporadike dhe të rastit dhe që, duke “filozofuar”, del në konkluzionin që, po të mos korrigjohen, bëhen të rrezikshme. Pikërisht këto shfaqje në karakterin e Mehmetit janë bërë të dëmshme dhe të rrezikshme për vijën dhe për punën e Partisë. Në këto çështje ai duhej të ishte thelluar dhe në këtë drejtim duhet ta ndihmojmë edhe ne që t’i kuptojë dhe t’i zhdukë këto shfaqje negative.
Në planin politik, Byrosë Politike nuk i interesojnë rrethanat psikologjike të fejesës së djalit të Mehmetit. Ajo është e preokupuar për gabimin politik që bëri një nga anëtarët e saj më të vjetër e kryesorë, për të gjetur ç’e shtyri në këtë gabim dhe i ç’natyre është ai? Me këtë fejesë Mehmeti ka bërë një gabim të rëndë politiko-ideologjik. Ai, duke e konkretizuar këtë lidhje familjaro-shoqërore, bëri aleancë politiko-ideologjike me armiq të klasës. Ai e vuri veten mbi Partinë, s’pyeti fare udhëheqjen e Partisë, shkeli vijën e saj në lidhje me luftën e klasave.
Mehmeti e bëri gabimin me plot ndërgjegje, duke qenë plotësisht në dijeni me kë e lidh këtë aleancë. Formalisht, ai e pyeti ministrin e Punëve të Brendshme, Feçor Shehun, i cili e vuri në dijeni për veprimtarinë e të atit të vajzës, që ka qenë në përpunim në organet e Sigurimit të Shtetit, e vuri, gjithashtu, në dijeni edhe për dy vëllezërit e tij të arratisur. Feçori më shumë nuk dinte aty për aty, por nga Mehmeti u këshillua që të mos e fuste sigurimin në këtë çështje. Pse? Sepse, në fakt, i kishte të gjitha të dhënat. Fiqreti e pyeti edhe për familjen e Pipajve. Kjo do të thotë që Mehmeti dhe Fiqreti ishin në dijeni edhe për rrethin familjar të nënës së vajzës, që kishte pjesëtarë të burgosur e të arratisur, ndër të cilët, kriminelin e luftës, Myzafer Pipën, dhe reaksionarin e egër dhe shumë aktiv, Arshi Pipën, që edhe sot e kësaj dite vazhdon të vjellë vrer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër pushtetit tonë popullor. Megjithëse Feçori, si anëtar Plenumi dhe ministër i Punëve të Brendshme, nuk mbajti qëndrim të prerë kur e pyeti Mehmeti: “Çdo të bëje ti, po të të ngjiste një rast i tillë në familjen tënde?”, ai iu përgjigj: “Do të vija t’ju pyesja ju”, domethënë do të pyesja Partinë.
Atëherë, Mehmeti përse nuk reflektoi pak mbi këtë përgjigje? Pse nuk erdhi të bisedonte me mua për këtë çështje, që dilte nga kuadri i zakonshëm familjar? Në një vend të autokritikës së tij, Mehmeti thotë: “Në fillim mendova të veja te shoku Enver”. Pse mendoi të vinte? Kur krushqitë midis familjeve bëhen në vijën e partisë nuk ka arsye që të kërkojmë aprovim. Por ai mendoi të vinte tek unë, se e kuptonte që kjo lidhje familjare nuk ishte në përshtatje me vijën e Partisë. Pastaj përpiqet ta shpjegojë mosardhjen që: “të mos e shqetësoja shokun Enver për çështje të tilla”. Kjo nuk qëndron. Ai nuk erdhi tek unë, jo që të mos më shqetësonte, por se e dinte që nuk do t’ia aprovoja vendimin që kishte marrë. Përse nuk bisedoi ai as me ndonjë shok tjetër të Byrosë Politike, si fjala vjen, me shokun Kadri, që ka qenë edhe ministër i Punëve të Brendshme?
Mehmeti veproi kështu për dy arsye: E para, se e merrte me mend që asnjë nga shokët nuk do të aprovonte këtë krushqi, dhe, e dyta, që është akoma edhe më e rëndë dhe burimi kryesor i gabimit të tij, se e konsideron veten mbi shokët. Ai e përjashton ose e vë veten mbi disiplinën e Partisë, gjë që e bëri të shkelë vijën e saj, që është një dhe e detyrueshme për të gjithë komunistët, pa dallim, aq më tepër për një komunist, që Partia e ka zgjedhur në udhëheqje pikërisht për ta ruajtur të pastër këtë vijë e për ta mbrojtur nga shkeljet e shtrembërimet.
Mehmeti, jo vetëm nuk u këshillua me asnjërin nga ne për këtë krushqi, por, mendoi ta bënte “fait accompli” me një nxitim të pashpjegueshëm. Këtë çështje unë e mora vesh indirekt, nga djali im, Iliri, që e kishin ftuar në fejesën e Skënderit. Po të gjykosh, edhe kjo ftesë nuk është pa hile. Pse duhej të asistonte djali im në vizitën e parë të njohjes që bënte e fejuara e Skënderit me prindërit e këtij? Që unë ta merrja vesh indirekt? Që të tatonte pulsin tim ose të më komprometonte edhe mua e familjen time në këtë çështje?
Ne, në familjen tonë , për Qazim Turdiun nuk dinim gjë tjetër përveç asaj që ai ishte profesor matematike, kurse rrethin familjar, qoftë të tij, ashtu edhe të së shoqes, s’e njihnim fare. Shkuam tok me Nexhmijen te Mehmeti, më shumë ta uronim për shtëpinë e re. Aty gjetëm fëmijët dhe të fejuarën e Skënderit (që Mehmeti vetë e kishte njohur një ditë më parë), i uruam, bëmë edhe fotografi. Mehmeti me Fiqretin ishin shumë të gëzuar dhe kjo ishte e drejta e tyre. Po si nuk u shqetësuan pak në ndërgjegjen e tyre, që
po përzienin e po futnin në këtë valle të ndyrë edhe shokun Enver? Ata menduan se me këtë prezantim u vulos kjo punë, u mor aprovimi i shokut Enver. Fotografitë që u bënë me mua, shkuan te Qazim Turdiu, ato shkuan deri edhe në Athinë, me skuadrën e vajzës dhe, që andej, përse të mos i shkonin edhe Arshi Pipës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili do të shikonte kështu se me kë iu fejua mbesa dhe, për këtë fakt, i dërgohej edhe vërtetimi me fotografi?
(...)
Sidoqoftë, për interesat e Partisë dhe të vetë Mehmetit, e këshillova këtë të reflektonte thellë për të zbuluar shkaqet e gabimit që bëri. Sa munda, e ndihmova, për të ndihmuar, në radhë të parë, Partinë nga një rrezik që i turrej (nga përçarja), jo se këtë Partia nuk do ta kapërcente dot edhe në rastin më të keq. Dhe ja, kjo që ndodhi është rasti më i keq, ky armik vrau veten për të shpëtuar veten dhe për të dëmtuar Partinë. Sidoqoftë, Partia dhe populli një traumë do ta kalonin. Dhe kur? Pikërisht para Kongresit të 8-të të Partisë. Armiqësia e tij nuk e shmangi këtë traumë. Armiqtë tanë, të brendshëm e të jashtëm, mund të përfitonin nga kjo ngjarje. Kjo u evitua, por ishte një alarm vigjilence për Partinë. ...
Dëshiroj t’ju them se unë jam plotësisht dakord me të gjitha diskutimet tuaja, si dhe me cilësimet që u bëtë karakterit dhe punës së Mehmetit, prandaj mendimet që kam për këtë armik, të cilat po jua lexoj, janë njësoj si tuajat. Por edhe ato që ka thënë, ai i ka veshur me shumë teorizime e justifikime, me rrethana e faktorë, me elemente që shfaqen “në raste të veçanta”, se “gabimi që bëra nuk është karakteristikë e përgjithshme tek unë... është vetëm një rast” etj. Këto janë të tëra thëniet e Mehmetit. Në autokritikë, Mehmeti teorizon, vërtitet rreth disa dukurive negative të karakterit të tij, premton se do të bëjë kthesë rrënjësore, por pse-të e vërteta nga rrodhi ky gabim, ose nuk përmenden fare, ose u shkohet atyre përciptazi, ose shtrohen shtrembër.
(...)
Në autokritikë, Mehmeti shpreh një mendim të pakontrolluar, sipas të cilit “më vonë do të isha vetë në gjendje të shihja se kisha gabuar dhe, gjithashtu, vetë do ta ndreqja gabimin, edhe pa më sinjalizuar ndokush”. Ky mendim tregon, gjithashtu, se ai mbivlerëson veten, bile edhe kur bën gabime. Ai harron se një gabim politik ka shumë rrjedhime. Dhe kush i paguan poçet e thyera? Pa dyshim, Partia. Ndihma e Partisë, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, është shumë e nevojshme dhe e domosdoshme. Edhe ndihma e shokëve nuk duhet nënvleftësuar, sepse, si ndihma e Partisë, edhe ajo e shokëve të japin forcë dhe qartësi të mos gabosh dhe, kur gabon, të ndreqesh.
Mehmetit unë i kam bërë shumë vërejtje për disa anë jo të mira të karakterit të vet, siç janë rrëmbimi, ashpërsia në marrëdhëniet me shokët dhe disa dobësi të tjera, që ai i përmend në autokritikë dhe ju ia vutë në dukje në diskutimet tuaja. Edhe për gabimin e fundit i kam folur gjerë e gjatë e pa dorashka, por ky gabim e ka bërë krejt të domosdoshëm të vihen mirë pikat mbi “i”.
(...)
Megjithatë, për këtë që bëri, përsëri ne po veprojmë ndaj tij me takt, duke e shtruar këtë çështje vetëm në Byronë Politike e jo në Plenumin e Komitetit Qendror dhe në Parti, se nuk duam të lëkundim besimin e udhëheqjes të Partisë te Mehmeti. Ai vrau veten, se do t’i kishte dëgjuar këto fjalë të miat, nuk pati trimërinë t’i dëgjonte, megjithëse hiqej trim. Akti që bëri nuk flet për trimëri tek ai. Por ne shkonim edhe me shpresë që ky medoemos duhet të bënte kthesë rrënjësore në mjaft anë të karakterit të tij, në disa anë të metodës së punës dhe sidomos në marrëdhëniet me shokët, qofshin këta kuadro të udhëheqjes ose të niveleve të tjera, në Parti dhe në shtet.
Një nga burimet më kryesore të këtij gabimi dhe të gabimeve të tjera të tij, që e kanë penguar të korrigjojë karakterin e vet, është mendjemadhësia, që Mehmeti e ka vënë në fund të listës dhe e ka paraqitur me kontorno teorike e me justifikime, duke na cituar Leninin për atë që ai ka quajtur “mendjemadhësia komuniste”. Dhe kjo lloj “mendjemadhësie, thotë Mehmeti, shfaqet në raste të caktuara, sikurse u shfaq në fejesën e djalit”. Prapë “rastësisht”, prapë “vetëm” për fejesën e djalit. Në qoftë se do të ishte kështu, atëherë, ai fare mirë mund të thoshte: “Pse po e bëni kaq të madhe këtë gjë?”
(....)
Në jetën e Partisë, shoku Mehmet ka bërë mjaft herë gabime, bile edhe të rënda. Ju të rinjtë nuk i dini këto, por do t’i mësoni. Cilat janë këto? Shkurtimisht na bie detyrë, me këtë rast, t’ia ripërmendim disa:
Mehmeti nuk mungon të vërë në dukje vlerën e luftës së tij, të cilën askush s’ia mohon dhe askush s’duhet t’ia mohojë. Por qëndrimet e veprimet e tij gjatë luftës kanë edhe anë të dobta, edhe gabime.
Mehmeti, në disa letra të tij dhe në qëndrimet që dimë, nuk e kishte aq të qartë vijën e Partisë për Frontin Nacionalçlirimtar. Ai shprehej me përbuzje dhe i ka shkruar një letër Dushan Mugoshës, me të cilën kritikon Shtabin e Përgjithshëm, duke quajtur “zabitë” oficerë, komunistë ose jo, ata që Partia i kishte afruar dhe u kishte dhënë reparte për t’i drejtuar. Kjo nuk do të thotë që komunisti nuk ka të drejtë të bëjë vërejtje, por në atë letër duken megalomaniadhe karrierizmi i Mehmetit. Rëndësi kanë orientimi politik i Partisë dhe interesi i Luftës Nacionalçlirimtare në shfrytëzimin e kapaciteteve dhe të influencës së këtyre njerëzve, që në atë kohë dhe për atë kohë nuk ishin as nulitet, as kundër vijës së Partisë.
(...)
Për çlirimin e Tiranës, në çdo përvjetor, vihet në dukje vetëm roli i shokut Mehmet. Ai ishte komandant i forcave dhe i shtabit operativ që u caktuan për çlirimin e Tiranës, por dihet që plani për çlirimin e Kryeqytetit u përpunua nga Shtabi i Përgjthshëm (këto dokumente harrohen), u përpunua edhe nga Korpusi i Parë, ku ishte komisar Hysniu. As roli i Hysniut, që merrej me drejtimin e bashkërendimin e veprimeve ushtarake për çlirimin e Tiranës, as kontributi i Gogos, si drejtues i organizatës së Partisë për Tiranën dhe i deleguari i Komitetit Qendror, nuk zihen fare në gojë. Përse ky monopolizim? Për këtë kanë faj kryesisht shokët e propagandës, të shtypit dhe ata që shkruajnë artikuj e japin intervista. Pse duhet të ndërhyj unë për këto gjëra? Edhe vetë Mehmeti mund t’i vinte dhe duhet t’i vërë gjërat në vendin e tyre, si komunist dhe udhëheqës që është.
(...)
Mehmeti dhe shokë të tjerë kanë qenë vullnetarë në Luftën e Spanjës. Kjo është një meritë për të gjithë këta, por nuk është e drejtë që të ngrihen lart vetëm meritat e Mehmetit, kurse për të tjerët, që kanë luftuar edhe ata si ai, që kanë pasur edhe përgjegjësira më të larta, (se Mehmeti ka qenë vetëm vullnetar i thjeshtë dhe arriti të bëhej deri në përgjegjës toge dhe jo komandant batalioni, siç thoshte ai) gati nuk flitet fare. Të kuptohemi, nuk është Mehmeti që ka penguar njeri të flasë për ta, po këtë punë e kanë merak vetë lajkatarët dhe oportunistët. Kur je në pushtet, të tillë tipa të lavdërojnë, ndërsa, kur të shket këmba, të hedhin gurin. Lufta e Spanjës ka anët e mira, por ajo ka edhe të metat e “koracës” së saj, si anarkizmin, terrorizmin, voluntarizmin etj. Prandaj po e përmend këtë çështje, se ka mundësi që këto influenca të rrezikshme të kenë lënë padashur mbresa te Mehmeti dhe të konsiderohen si merita që i mbulon hija e Luftës së Spanjës.
(...)
Kulti i personit është i dënueshëm, jo vetëm kur teprohet me brohoritje, slogane, këngë etj., por ai shfaqet, bile bëhet shumë i rrezikshëm edhe kur një udhëheqës, pavarësisht se nuk brohoritet për të, kërkon të imponohet me urdhra, me arrogancë, me prepotencë, kur ka krijuar bindjen se të tilla qëndrime, të tilla veprime janë të drejta janë normale dhe se, ndryshe nga shokët e tjerë, atij mundet e duhet t’i lejohen këto, sido që të jenë, edhe kur s’janë të drejta. Këtu qëndron përsëri kulti i personit. Me qindra herë kam theksuar se në Parti s’ka privilegje, se në Parti duhet të luftohet kulti i personit, se në Parti nuk duhet lejuar konformizmi, por të mbizotërojë bindja e vetëdijshme komuniste marksiste-leniniste nëpërmjet diskutimeve të hapta, të çiltra, pa asnjë fije drojtjeje nga kurrkush.
(...)
Në mbledhjen e kaluar të Byrosë Politike shtrova nevojën e një analize të thellë për korrigjimin e metodës së punës në Qeveri dhe në kryesinë e saj, duke marrë deri edhe disa masa organizative për kryesinë e Këshillit të Ministrave dhe për përcaktimin më të drejtë të ndarjes së punës e të funksioneve të anëtarëve të kryesisë, duke mos lejuar që kjo të vihet mbi Qeverinë. Ditët e fundit pata një bisedim të gjatë me shokun Adil dhe me Mehmetin për këtë problem. Tri orë të tëra biseduam e diskutuam bashkë vëllazërisht, shoqërisht, në një frymë shumë të hapët e të ngrohtë, bile edhe shakara u bëra të dy shokëve. Adili ishte i bindur për atë që kështu është e drejtë dhe kështu duhet bërë, binda kështu edhe Mehmetin.
(Por vetëvrasja tregoi se ai nuk ishte i bindur për asgjë.)
Ne duhet të përcaktojmë më qartë kompetencat e ministrave, si individë, që duhet të jenë shumë më të gjera. Përgjegjësia e tyre duhet të jetë shumë më e madhe për dikasteret a sektorët që drejtojnë dhe si anëtarë të Qeverisë, si një organ i lartë shtetëror kolegjial.
Të gjithë duhet të jemi plotësisht të mobilizuar e më shumë se kurdoherë në punë, që t’i përgjigjemi gjithë këtij hovi revolucionar që ka shpërthyer në klasën punëtore, në fshatarësinë kooperativiste, në gjithë punonjësit e sektorëve shkencorë, arsimorë e kulturorë të vendit tonë për të zbatuar, me komunistët në ballë, vendimet historike të Kongresit të 8-të të Partisë dhe për të realizuar planet e reja të pesëvjeçarit të shtatë.
Dua të shpreh bindjen që, ashtu si të gjithë ne, edhe Mehmeti, do të jetë në krye të punëve që i ka ngarkuar Partia.
(Mehmeti nuk pati durim, vrau veten edhe nuk e dëgjoi dhe diskutimin tim, që bashkohet dhe është në akord me vërejtjet e shokëve, Mehmeti e kishte humbur besimin te Partia.)

AUTOKRITIKA E MEHMET SHEHUT

Nga letra e Mehmet Shehut lënë për Enver Hoxhën para se të vriste veten

Shoku Enver,

Në librin “Kur lindi Partia”, në pjesën e shkrojtur me dorën tënde, ndër të tjera, me shkruaje

“Ti, i dashur Mehmet ke qenë dhe je një nga udhëheqësit e lavdishëm të Partisë, kurdoherë në ballë të çdo lufte, në çdo moment i gatshëm, i papërkulur e parimor për të mbrojtur popullin, Atdheun socialist, Partinë që na rilindi e na kaliti si udhëheqës revolucionarë, luftëtarë të papërkulur për komunizmin, shërbëtorë të devotshëm për popullin, për luftën e madhe që ti ke bërë e po bën si bir dhe ushtar besnik i tyre, Partia dhe populli do të jenë mirënjohës.
Unë shoku yt më i afërt, i halleve dhe i fitoreve të përqafoj.

11 qershor 1981 Enver”

Por unë shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve gabova politikisht dhe ideologjikisht këto kohët e fundit, duke pranuar fejesën e djalit tim, Skënderit, me vajzën e Qazim Turdiut, fejesë, të cilën, me ndërhyrjen tënde të drejtë, unë e prisha. Arsyet pse e bëra unë këtë gabim politik i shpjegova në autokritikën që bëra. Asaj autokritike, të datës 12 nëntor, prej 39 faqesh, nuk i heq “asnjë presje”, sepse është autokritikë e sinqertë, absolutisht e sinqertë. Kjo autokritikë, në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 17 nëntor (1981) u hodh poshtë nga gjithë anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike dhe, më në fund, ju e quajtët atë “alibi”, duke kërkuar që unë sonte të reflektoja dhe të pranoja të gjitha kritikat që m’u bënë në Byronë Politike dhe për të rrëzuar krejtësisht autokritikën time, që ju e quajtët “alibi”, d.m.th. gënjeshtër, mashtrim.
Në një shënim që më dërgove më 28 tetor 1981 në lidhje me projekt-autokritikën time që ta kisha dërguar, më thoshe që t’u bëja analizë elementeve negative në karakterin tim, se aty do të gjeja arsyen e vërtetë të gabimeve. Dhe i quajte “… disa elemente negative në karakterin (tim) që shfaqen shpesh herë në punën shumë të frytshme që (bëj) për interesin e Partisë, që ti (unë) e do (dua) dhe lë jetën për të“. Po, shoku Enver, unë gjithmonë kam qenë i gatshëm për të lënë jetën për Partinë. Dhe pikërisht këtë po bëj tash: po lë jetën për Partinë, për të të dhënë rastin e vetëm që më mbeti, ty, shokut, mësuesit dhe vëllait tim të dashur, unë, shoku yt i afërt i halleve dhe i fitoreve, siç më ke quajtur me të drejtë, që të mësosh të vërtetën.
Unë po e lë jetën për Partinë pa hezitim dhe me gjakftohtësi, se s’më latë rrugë tjetër për të mbrojtur Partinë.
(…)
Unë nuk heq “asnjë presje” nga gjithçka kam shkruar e thënë për ty si shok, si mësuesi im marksist-leninist e si vëlla. Por tash që po ndahemi fizikisht të them atë që nuk mund të ta thosha gjer sot, sepse kurrë s’më krijove kushtet të të thosha të vërtetën (…) Unë bëra gabim e faj politik dhe kjo u fry (…) gjersa në mbledhjen e djeshme të Byrosë Politike (…) unë u quajta “Uni që e ve veten mbi Partinë”, “mendjemadhi që s’pyet për të tjerët”, “monopolisti i gjithë punës shtetërore”, dhe një mijë e një akuza djallëzore. Jo, shoku Enver, unë gabova për arsyet që thashë në autokritikë, unë kam edhe të meta në punë, por që të kem punuar për “dualizëm” (me ju!), për të vënë veten mbi Partinë e të tjera akuza të kësaj natyre që m’u bënë, këtë kurrë nuk e kam bërë, kjo ishte një akuzë e përbindshme që unë kurrë nuk e pranoj. Dhe autokritika ime nuk ishte alibi, por e sinqertë. Unë kam punuar gjithë jetën për Partinë, për popullin, kurrë nuk kam luftuar e punuar për “karrige”, për “nam”, për t’u quajtur”strateg”, për të dalë përpara Enver Hoxhës (dualizëm), për privilegje personale. Akuza më e rëndë që m’u bë (…) ishte se unë gabimin e kam bërë (për të vënë veten mbi Partinë”, se unë kultivoj “unin” për t’u dukur, d.m.th. kundër Partisë. Kaq shpejt u harruan luftërat që bashkë kemi bërë kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm? Ju, personalisht, nuk më quajtët armik, por (…) të tjerë, duke më akuzuar se e vë veten mbi Partinë, praktikisht, më kanë akuzuar për armik. (...) Unë e bëra detyrën time me të vetmen mënyrë që m’u dha mundësia - vetëvrasja. Edhe njëherë: amanet Partinë!
Rroftë Partia jonë e lavdishme, me vijën e saj kurdoherë të drejtë, marksiste-leniniste! Rrofshi ju, të paktën, sa të siguroni Partinë e socializmin (…)
Poshtë imperializmi, me imperializmin amerikan në krye! Poshtë revizionizmi, me social-imperializmin (dhe atë kinez) në krye!
Rroftë komunizmi! Poshtë reaksioni!
Amanet familjen time - Fiqretin, djemtë (përfshi edhe Skënderin e Bashkimin), fëmijët e nuset e djemve! Po të shihni se është interesi i Partisë, thoni se “Mehmeti vdiq aksidentalisht duke manipuluar armët”! ose si të doni. Edhe armik po më quajtët, kam besimin se asgjë s’mbetet pa u zbuluar nga koha, e vërteta s’vdes kurrë.
Po vdes i pafajshëm (…)
Tiranë, 18.12.1981 Mehmet Shehu


-----------------------------------

Si janë regjistruar në diktofon bisedat e takimeve sekrete të Enver Hoxhës me Mehmet Shehun për çështjen e fejesës së Skënder Shehut. Të zbardhura nga vetë Enver Hoxha më pas, ato ruhen nga familjarët e Enverit në tri fletore. Ja përmbajtja e tyre

Ditari i Enverit për Mehmetin në vitin 1981


Enver Hoxha, qysh të nesërmen e vizitës në shtëpinë e Mehmet Shehut dhe pasi e ka uruar atë për fejesën e djalit të tij, Skënderit, me Silva Turdiun, bëri një kthesë 180 gradë dhe e trajtoi ashpër aktin e Mehmet Shehut lidhur me fejesën e djalit të tij. Enveri, gjithë atë ditë dhe pas darke, siç ka treguar Nexhmije Hoxha, fliste për këtë ngjarje, duke reflektuar. Madje kishte thënë: “Mehmeti sot është në Konferencën e Korçës, por kjo çështje duhet sqaruar sa më parë… sa më parë duhet mbyllur!… Si duket, që atë natë Enveri dha porosi që Mehmeti të kthehej në Tiranë. Të nesërmen ishte e diel... Dhe në shtëpinë e Enver Hoxhës mbërrijnë për vizitë Mehmeti me Fiqretin. Kështu, gjatë kësaj kohe, Enveri bëri me Mehmetin tri takime në shtëpi dhe një në zyrë. Pra, gjithsej katër takime për çështjen e fejesës që u shndërrua në një tragjedi. Përmbajtjen e plotë të këtyre takimeve do ta lexoni në ditët në vijim në faqet e gazetës “Shekulli”, duke filluar nga sot. Shënimet lidhur me këto takime janë marrë nga shënimet e Enverit të regjistruara në diktafon, të cilat janë të zbardhura, të daktilografuara në 3 fletore me nga 200 e ca faqe.

Takimi i parë i Mehmet Shehut me Enver Hoxhën për çështjen e fejesës së djalit të Mehmetit, Skënderit, me vajzën e Qazim Turdiut, sipas shënimeve të Enver Hoxhës, të regjistruara në diktafon dhe mandej të zbardhura e të daktilografuara

Enver Hoxha e quan Mehmet Shehun fsheharak se përse nuk e ka pyetur për fejesën e djalit dhe i kërkon ta ndalojë këtë fejesë menjëherë. Mehmet Shehu merr të gjithë fajin vetë përsipër dhe thotë se do të mendohet si ta rregullojë këtë punë. Dy orët e debatit të Enverit për të bindur Mehmetin që të prishte fejesën e Skënderit me Silva Turdiun

Debati i Enver Hoxhës me Mehmet Shehun për prishjen e fejesës

Enver Hoxha: Si u lidh fejesa e djalit tënd, Skënderit, me vajzën e Qazim Turdiut?

Mehmet Shehu: Ky djalë ka pasur disa probleme që më kanë preokupuar, sepse po vonohej në krijimin e familjes së tij. Prandaj, kur erdhi një ditë e më tha se ka gjetur një vajzë me të cilën do që të fejohet, unë u gëzova shumë. E pyeta kush ishte dhe e kujt ishte. Më tha se ishte e Qazim Turdiut, që është profesor matematike në Universitetin e Tiranës. Djali më tha se ka ndonjë nga njerëzit e familjes me të kaluar a qëndrim jo të mirë, por ai i ka prerë marrëdhëniet me ta.

Enver Hoxha: Po ti, Mehmet, nuk pyete njeri për familjen me të cilën do të lidhej djali?

Mehmet Shehu: Po, pyeta Feçor Shehun. Ai më solli “curriculum vitae”. Më tha se vajza është e mirë, e ndershme, e zgjuar. Babai i saj, Qazim Turdiu, është njeri i nderuar, pedagog në Universitetin e Tiranës. Ka një vëlla të arratisur, por i ka prerë marrëdhëniet me të. Një vëlla tjetër, gjatë kohës së Luftës ka qenë për studime në Itali, pastaj, pas çlirimit, meqenëse nuk e kishte mbaruar shkollën, pushteti ynë e dërgoi në Jugosllavi për ta përfunduar dhe, kur ne u prishëm me Jugosllavinë, ai mbeti andej. Kështu, bashkë me Fiqretin gjykuam ta pranonim këtë fejesë, meqë “i ati vajzës nuk kishte ndonjë gjë negative, lidhje me të arratisurit nuk kishte, vetë vajza, gjithashtu, ishte e mirë, prandaj vendosëm dhe i thamë djalit që “ne jemi dakord të fejohesh me vajzën që ke zgjedhur”.

Enver Hoxha: Po përbërja e rrethit familjar të njerëzve të vajzës si është? Nuk të tha gjë Feçori? – e pyeti Enveri.

Mehmet Shehu: Jo, nuk më tha gjë, - u përgjigj Mehmeti.

Enver Hoxha: Atëherë po t’i tregoj unë,- i tha Enveri. Nëna e vajzës, me sa më kanë thënë, ka një vëlla të pushkatuar, që quhet... – dhe Enveri e lexoi në një copë letër që e mori nga tryeza e xhamtë – quhet Muzafer Pipa. Nëna e vajzës ka, gjithashtu, një vëlla tjetër të arratisur bashkë me të motrën. Një motër tjetër e nënës së vajzës ka qenë “metresa” e një tregtari të madh nga Durrësi. Por, mbi të gjitha, Arshi Pipa, një nga krerët e reaksionit, armik i betuar, që ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk e ditke ti kush është Arshi Pipa?

Mehmet Shehu: Cilin Arshi Pipa? – pyeti Mehmeti si i befasuar.

Enver Hoxha: Pse më pyet? – i tha Enveri, - ti ke qenë ministër i Punëve të Brendshme dhe duhet ta dish mirë. Veç kësaj, neve na kanë ardhur vazhdimisht informata për të, se Arshi Pipa është një nga armiqtë më të egër e nga më agresivët.

Mehmet Shehu: Këto unë nuk i dija… - tha Mehmeti me gjysmë zëri, i zënë ngushtë – po, është e qartë tani, gabim të madh kam bërë, nuk u thellova më tej me Feçor Shehun. Për sa më tha, kur më solli informacionin, unë i bëra pyetjen: “Feçor, ti je shoku ynë, pa vure veten në këmbën time! Sikur të të ndodhte një ngjarje e tillë me djalin tënd, çfarë do të bëje?”. Dhe Feçori i kishte thënë: “Po të ishte për çupën, do ta merrja, për të tjerët do të vija të të pyesja ty”.

Enver Hoxha: Feçori do të të pyeste ty, - i tha Enveri, - po ti a nuk duhej të pyesje ndonjë shok tjetër? Natyrisht, në këtë situatë kë do të pyesje? Duhej, pra të vije të më pyesje mua, në radhë të parë. Pse nuk e bëre ti këtë? Familja me të cilën ti u lidhe kishte diçka të madhe politike në biografinë e saj. Le të supozojmë se rrethin familjar të nënës së vajzës ti nuk e njihje, por, të paktën, për përbërjen familjare të Qazim Turdiut, për aq sa të informoi Feçor Shehu, duhej të informoheshe mirë. Pse nuk e bëre këtë? Këtë ti nuk e bëre, se të pëlqeu mendja jote…Megjithëse re në dilemë, - vazhdoi Enveri, - ti nuk më pyete as mua, as ndonjë nga shokët. Dhe ka një shkak që nuk pyete. Nuk na pyete, sepse e vendose që fejesa të bëhej, edhe duke qenë i vetëdijshëm se ky akt ishte në kundërshtim me vijën e Partisë, pate frikë se nuk do të të pranohej kjo fejesë nga shokët dhe mendove më mirë ta bësh “fait accompli”, kështu, duan s’duan, do ta pranojnë… Por kjo vjen edhe nga diçka tjetër. E kupton, ti, Mehmet, ç’do të thotë fjala frëngjisht “cachottier”? Do të thotë fsheharak, pra, ai që fsheh veprimet përpara të tjerëve. Edhe ti, edhe Fiqreti, çështjet familjare e personale të kësaj natyre i fshihni, nuk jeni të hapët ashtu siç duhet të jeni me shokët më të ngushtë. Njeriu në asnjë mënyrë nuk ka arsye të njoftojë shokun për çdo gjë që bëhet në shtëpinë e tij. Por kur ka çështje të kësaj natyre, si kjo që të ndodhi ty, është e domosdoshme të bisedojë e të konsultohet me dikë, edhe me shokët, kurse ju, në fakt, nuk e bëtë këtë. As ti, as Fiqreti, të paktën, nuk na morët as në telefon të na njoftonit për këtë fejesë të djalit, që të gëzoheshim. Pse duhej të na e bënit të njohur fejesën nëpërmjet Ilirit dhe gruas së tij, duke i ftuar ata – dhe vetëm ata – në takimin tuaj të parë familjar me nusen e djalit? Ju edhe ata i vutë para një fakti të kryer.

Enver Hoxha: Mund të na sqarosh kush ia bëri djalit këtë fejesë? Mos e kanë futur të tjerët, për ta komprometuar? Dhe të vjen ty nusja e tij në shtëpi e ti bie në pozita të atilla, sa e gjykon me shumë lehtësi këtë fejesë, në një kohë që ti je aq i ashpër me të tjerët. Çfarë do të thonë kuadrot e Shkollës së Partisë për Fiqretin, që bëri skandal dhe organizoi mbledhje pas mbledhjeje për një nga pedagogët, sepse djali i tij u fejua a u martua me një vajzë që kishte “diçka“ në biografi dhe kjo “diçka”, sigurisht, ishte shumë larg nga biografia e të fejuarës së djalit të saj. Si mund të japë ajo mësim tani për luftën e klasave në Parti? Po ti, Mehmet, si do të guxosh të flasësh me shokët, me kuadrot, me komunistët, me masat për luftën e klasave?
Kjo që bëre ti, - vazhdon Enveri,- na dëmton edhe neve. Po të flasim tani ne për luftën e klasave, të tjerët do të thonë: “E po ç’na përrallisin edhe këta për luftën e klasave, nuk shikojnë ç’ka bërë Mehmet Shehu?”.
Kjo ngjarje ka marrë dhenë, fejesa e djalit tënd është biseda e ditës në gjithë Tiranën, në popull po i bëjnë biografinë vajzës dhe bëjnë pyetjen: “A i di këto të dhëna shoku Mehmet? Si ta ketë bërë një hap të tillë?!”.
Mehmeti, që dëgjonte në heshtje, i menduar dhe si i ngrirë, tha:

Mehmet Shehu: E bëra, e bëra këtë gjë! Unë e kam fajin, se djali më pyeti.

Enver Hoxha: Kështu si bën ti, - tha Enveri, - që e merr tërë fajin për vete, bën mirë, se je kryesori, po faj ka, gjithashtu, edhe Fiqreti, pastaj, edhe djali juaj nuk është pa përgjegjësi, që është marrë shumë nëpër gojë për lidhjet e tij me vajza imorale dhe ti, për ta shpëtuar nga këto lidhje, re nga shiu në breshër. Mirëpo çfarë do të bësh tani për ta ndrequr këtë gjendje të rëndë të krijuar? - e pyeti pastaj Enveri.

Mehmet Shehu: Do të mendohem, - tha Mehmeti, - dhe do ta rregulloj. Nuk ma ka fajin djali në këtë çështje, fajin e kam unë… unë! – përsëriti ai për të disatën herë.

Enver Hoxha: Kjo fejesë, Mehmet, duhet të prishet menjëherë. Për interesin e Partisë ne nuk mund të vemi t’i themi popullit se këtë gabim e ka bërë Mehmet Shehu, prandaj ne do të të mbrojmë ty, se kështu mbrojmë Partinë. Ne do të përpiqemi që ta kapërcejmë këtë vështirësi, që iu krijua Partisë nga kjo ngjarje jo e menduar thellë. Megjithatë, - vazhdoi Enveri, - ndërgjegjja ty do të të rëndojë, jo vetëm para Partisë, por edhe përpara djalit tënd, se i ke thënë vetë që mund të fejohet me atë vajzë. Partia do të të ndihmojë që ta kapërcesh këtë situatë, po më parë duhet të bësh përpjekje vetë për ta kapërcyer atë. Gabimi tani u bë dhe ti nuk duhet të dëshpërohesh. Unë e njoh karakterin tënd, ti je njeri i ekstremeve, ki kujdes se mos hidhesh në ekstremin tjetër! Pas afro dy orë debati, nga ana e Mehmetit për të bindur Enverin për rrethanat lehtësuese që e bënë ta pranonte këtë fejesë, kurse nga ana e Enverit që ta bindte Mehmetin se kjo fejesë duhej prishur, Enveri e mbylli bisedën, duke i thënë Mehmetit: “Mendohu, por s’ka rrugë tjetër”. Ata u ndanë në hollin para studios. Fiqreti mbajti këmbët dhe filloi t’i fliste Enverit, duke u munduar të justifikonte Skënderin për zgjedhjen që kishte bërë dhe, kur i tha “Skënderi është parimor, shoku Enver…”, Enveri, i acaruar, ia ktheu më zë të lartë: “Ç’parimor, moj shoqe!… Ai frekuenton lokale nate, shoqërohet me njerëz jo të mirë. Nuk i di ti këto?!”. Mehmeti dukej shumë i rënë, i mërzitur, i menduar dhe, duke zbritur shkallët ngadalë, ai tha: “Ja, edhe Ladi po më lë…”. Në një kohë kur sapo kishte mbaruar së ndërtuari vila e re e Mehmetit, ku të tre djemtë kishin apartamentet e tyre, Vladimiri, djali i madh i Mehmetit, po meremetonte një apartament të vjetër, ku do të kalonte me gruan e vet, vajzën dhe me fëmijën e dytë që priste. Të nesërmen, Mehmeti me Fiqretin kërkuan sërish të takohen me Enverin që i priti në shtëpi, pasdreke.
Vijon nesër me takimin e dytë të Enverit dhe Mehmetit në shtëpinë e Enverit

Mehmet Shehu insiston që fejesa me Turdiun të mos prishet, por Enver Hoxha i thotë se vendimin për prishjen e martesës nuk e luan as topi

Takimi II, Enveri ultimatum Mehmetit

Citim: “Ato që kemi biseduar nuk i luan topi. Turdiu është një familje plot me armiq”



Ja çfarë bisedoi Enveri me Mehmetin në takimin e dytë për fejesën e djalit. Mehmet Shehu i paraqet tre variantet e veta për rrjedhjen e ngjarjeve pas asaj që ndodhi. Sipas Mehmetit, Skënderi mund të mos e pranonte ndarjen dhe të martohej me vajzën duke u larguar nga shtëpia, por edhe mund të vriste veten nga dëshpërimi:

Kur erdhën Mehmeti me Fiqretin në takimin e dytë dukeshin shumë të tronditur për gabimin e madh politik që bënë, por edhe të alarmuar për çfarë mund t’i ngjiste Skënderit, kur t’i thoshin se duhej të priteshin marrëdhëniet me të fejuarën. Ata kishin imagjinuar disa variante se ç’mund të ngjiste, të cilat Mehmeti filloi t’i parashtrojë:
Varianti i parë:
Skënderi të kuptonte gabimin e tij dhe të tyre (të prindërve) dhe të pranonte likuidimin e kësaj situate të rrezikshme.
Varianti i dytë:
Skënderi mund të mos e pranonte ndarjen dhe të martohej me vajzën, duke zënë një apartament jashtë shtëpisë së Mehmetit.
Varianti i tretë: Djali mund të vriste veten nga dëshpërimi.
Ky qëndrim i Mehmetit e acaroi Enverin, sepse shikonte që ai ende s’po e kuptonte ose s’po e pranonte dot se kishte bërë një gabim të madh politik. Prandaj në përgjigjet e tij për këto variante, Enveri përdori një gjuhë të drejtpërdrejtë:

ENVER HOXHA:
Varianti i parë do të ngjasë, - tha Enveri, - ai duhet të ngjasë. Kurse dy variantet e tjera, të siguroj unë se nuk do të ngjasin. Po të ngjasë varianti i dytë, djali braktis rrugën e Partisë dhe hyn në rrugë armiqësore. Por nuk do ta lëmë të ngjasë një gjë e tillë dhe s’ka pse e mendon këtë variant, Mehmet. Ti e njeh mirë djalin tënd, por mua, - theksoi Enveri, - më çudit fakti pse ti mendon kështu. Sa për variantin e tretë, mos ki merak fare! Skënderi yt ka kaluar disa herë në këto rrugë dhe as që është turbulluar fare, pa le më “të vrasë veten”.

MEHMET SHEHU: Ishallah kështu u bëftë, por këto variante më shkuan ndër mend. Pastaj nxori nga xhepi një tok me letra, të formatit të vogël, dhe filloi t’i tregojë Enverit mbi përbërjen e plotë të familjes së Turdiut dhe të gruas së tij.

ENVER HOXHA: S’është nevoja, ato që duhet të di, t’i thashë dhe ato qëndrojnë.

MEHMET SHEHU: Po, ato janë, por dua t’ju bëj vetëm disa përcaktime: Arshi Pipa, udhëheqësi i reaksionit shqiptar në Amerikë, nuk është i vëllai i nënës së vajzës, por djali i xhaxhait...

ENVER HOXHA: Njëlloj është.

MEHMET SHEHU: Të ta lexoj një çikë, ja tri faqe janë: Kriminelët e luftës, të burgosurit, të arratisurit janë, por nga familja e Turdiut ka nja katër a pesë në punë dhe filloi të tregonte: ky punon këtu, një tjetër atje etj. Si duket Enverit nuk i erdhi mirë që Mehmeti po mundohej të lehtësonte veten, të shfajësohej disi, ndaj i tha:

ENVER HOXHA: Ato që kemi biseduar nuk i luan topi, kjo është një familje plot me armiq.

MEHMET SHEHU: Ashtu është, - tha Mehmeti para se të largohej.

Vijon nesër me takimin e tretë të Enver Hoxhës dhe Mehemet Shehut për çështjen e fejesës


KUJTESË

Ja historia e fejesës

Ngjarjet zhvillohen në shtatorin e vitit 1981. Mehmet Shehu kishte hyrë në shtëpinë e re dhe e kishte fejuar djalin e tij, Skënderin, me vajzën e Qazim Turdiut, i cili gjatë luftës kishte qenë me Ballin. Familjet e ish-diktatorit dhe ish-kryeministrit i kishin bërë pushimet veç e veç atë verë. Enver Hoxha sapo ishte kthyer nga Pogradeci dhe qysh të nesërmen e kthimit i bëjnë vizitë Mehmetit dhe Fiqretin. Kjo ishte edhe një vizitë urimi me rastin e fejesës së djalit të Mehmetit, Skënderit. Një mbrëmje, kur familja e diktatorit po darkonte, Iliri, djali i Enverit, u jep lajmin familjarëve të tjerë se Neli (Skënder Shehu) ishte fejuar. Atë e kishin njoftuar për këtë dhe e kishin ftuar bashkë me Teutën vetëm një orë më parë. Kjo ishte edhe vizita e parë që bënte e fejuara e Skënder Shehut, Silva Turdiu, në shtëpinë e Mehmetit”. Iliri u thotë se vajza quhej Silva dhe ishte e bija e Qazim Turdiut, pedagog matematike në Universitetin e Tiranës. Të nesërmen vendosën të shkonin për vizitë në shtëpinë e Mehmetit për t’i uruar fejesën e djalit. Kjo vizitë që është përshkruar me hollësi, botuar e ribotuar, shkoi normalisht dhe u thanë fjalë të mira për Qazim Turdiun, Enveri dhe Nexhmija uruan çiftin e ri si dhe Mehmetin e Fiqretin dhe madje u bënë edhe fotografi. Gjithçka rrodhi normalisht. Por të nesërmen Enver Hoxha do t’i kërkontye Mehmet Shehut ta prishte fejesën e djalit, sepse familja e të fejuarës së Skënderit kishte 6-7 të dënuar politikë dhe nëna e vajzës ishte nga familja e Pipajve, e Muzafer e Arshi Pipës. Mehmeti atë ditë ndodhej në Konferencën e Korçës, por Enveri e thërret të kthehet për ta sqaruar këtë çështje sa më parë. E dha porosinë që atë natë dhe të nesërmen Mehmeti kthehet në Tiranë. Të nesërmen ishte e diel dhe në shtëpinë e ish-diktatorit mbërrijnë për të sqaruar çështjen e fejesës Mehmeti bashkë me Fiqretin. Bëhet fjalë për takimin e parë të tyre për prishjen e fejesës, takim që do të pasohet edhe nga tre të tjerë, përmbajtjen e të cilëve do ta mësoni në gazetën “Shekulli”. Shënimet lidhur me këto takime janë marrë nga shënimet e Enverit të regjistruara në diktofon, të cilat janë të zbardhura, të daktilografuara në 3 fletore me nga 200 e ca faqe.

Të nesërmen e këtij takimi, Mehmeti i kishte kërkuar përsëri të takohej me Enverin dhe ky e kishte pritur në zyrë. Enveri ka shënuar në fletoret e tij për këtë çështje:
Ishte shumë i emocionuar, filloi të qajë e të thotë: “Kam bërë gabim të rëndë politik. Si e bëra unë këtë?!,- etj. Reflektova mbi këtë çështje kaq të rëndë dhe vendosëm, tok me Fiqretin, ta thërresim djalin nga Athina dhe t’ia shtrojmë çështjen e ta likuidojmë.


ENVER HOXHA: Kjo është zgjidhja më e mirë. Djali është anëtar partie, do t’i jetë një mësim që të mos bëjë më gabime të tilla.


Mehmeti, mjaft i tronditur, duke fërkuar xhamin e tryezës me duar të djersitura dhe me sy të errësuar nga sentimentalizmi i sëmurë ndaj fëmijëve, thoshte:


MEHMET SHEHU: “Jo, shoku Enver, unë kam faj, vetëm unë kam faj, unë e bëra këtë, djali erdhi më pyeti”, – e kështu vazhdoi duke qarë e duke marrë mbi vete fajin. E lashë të mbaronte e të pushonte të qarët dhe i thashë:


ENVER HOXHA: Shiko, Mehmet, ti dhe Fiqreti, s’ka asnjë dyshim që keni bërë faj të rëndë, por ka faj edhe djali.


MEHMET SHEHU: Jo, shoku Enver, s’ka faj as Fiqreti, as djali. Gabimin e kam bërë unë, fajin e kam unë, – vazhdoi Mehmeti të përsërisë me insistim.


ENVER HOXHA: Nuk jam dakord, - vazhdon Enveri,- nuk mund të pranoj që Fiqreti s’ka faj. Ajo është mëma e djalit, shoqja jote, anëtare e KQ, drejtore e Shkollës së Partisë, ku mësohen dhe rrënjosen normat e moralit komunist. Kjo një. E dyta, djali ka faj, se, duke e ditur nga ç’familje ishte vajza, guxoi të vinte tek ti, të ta propozonte dhe ti ia aprovove. Jo, i thashë Mehmetit, nuk mendon drejt, është mendim i sëmurë ndaj fëmijëve të tu, të cilët, në vend që t’i shërosh, po i dëmton më shumë. Gabimet që bën djali yt i janë vënë në dukje nga Partia, por veprimet e tij po shfajësohen dhe po zbuten nga ju në familje. Duhet të bëni shumë kujdes me fëmijët, se flasin jo mirë, si për këtë, ashtu edhe për Bashkimin dhe gruan e tij. Armiku i ka në shenjë fëmijët e udhëheqësve. Është mirë që t’i njohësh gabimet e tua ndaj shokëve dhe Partisë, t’i analizosh “përse i bëre?”. Ti më thua se të vret ndërgjegjia ndaj djalit. Në qoftë se ti ia ke imponuar djalit këtë fejesë, atëherë të të vrasë ndërgjegjia, por kështu si më the ti, ju u vutë në dijeni për përbërjen politike të familjes së nuses, por as i vlerësuat fare këto të dhëna. Në fund i thashë: “Ky gabim u bë, por duhet të zgjidhet me gjakftohtësi dhe pa dhembje për Partinë”.

Më 16 shtator Mehmeti shkoi sërish në shtëpinë e Enverit. Shkoi vetëm, pa Fiqretin dhe në këtë takim mungoi edhe Nexhmije Hoxha. Enveri ka shkruar se në këtë takim Mehmeti e përqafoi me lot në sy dhe i kishte thënë:


MEHMET SHEHU: Të rrojë Partia, të rroni ju. Çdo gjë u zgjidh ashtu siç e parashikuat ju. Skënderi erdhi, ia shtrova problemin atij dhe fëmijëve të tjerë, ai njohu gabimin e tmerrshëm (shprehje e vetë M. Shehut) që bëmë dhe ishte dakord që të prishet fejesa e do vejë t’ia komunikojë këtë gjë dhe babait të vajzës së tij. Kjo mbaroi”.


ENVER HOXHA: S’kish si të mbaronte ndryshe, kështu do të mbaronte. Në fletoren e shënimeve për këtë ngjarje, në datën 16 shtator, Enveri ka hedhur vazhdimin e bisedës me Mehmetin. Ai i thotë:


ENVER HOXHA: Tani që je qetësuar, do ta thelloj një çikë rrezikshmërinë e madhe të gabimit tënd, pse e bëre këtë gabim. Pasi i flet për rëndësinë e unitetit në mendimet politike të udhëheqjes, ai thekson se po u ça udhëheqja, u ça uniteti në gjithë Partinë. Armiqtë e jashtëm e të brendshëm, përpiqen me të gjitha mjetet e rrugët që t’ia arrijnë kësaj. Prandaj vigjilenca nuk duhet ulur asnjëherë. Po ti, Mehmet, në këtë rast, e humbe vigjilencën revolucionare. Me veprimin për këtë fejesë… duhet të kuptosh thellë, se armiku punoi në drejtimin tënd dhe ti re brenda. Duke studiuar natyrën tënde të paekuilibruar në gjykime dhe në vendime, ai futi pykën në udhëheqjen e Partisë, duke hyrë në familjen tënde, me nusen dhe njerëzit e tij (të armikut). Ti, jo vetëm e quajte normal dhe të drejtë vendimin që more, por as u qederose fare nga informacionet që t’u dhanë për gjendjen politike të kësaj familjeje. Ti s’more mundimin të bisedoje me ne, shokët, por me shpejtësi e fshehtësi të çuditshme e plekse këtë krushqi të dënueshme, me plot ndërgjegje dhe i bindur për “drejtësinë” e vendimit që more, duke u vënë kështu mbi Partinë. Po i imponoje Partisë një vendim antiparti.
Pse ngjau kjo? Përveç të tjerave, ngjau se ti ke pikëpamjen se çdo gjë që mendon ti, s’ka nevojë të diskutohet, se e ke drejt! Ti e vë veten mbi Partinë, mbi normat e saj. Kështu duhet gjykuar ky veprimi yt. Armiku të maste pulsin me fejesën e djalit. Në fazën e parë ai ia arriti qëllimit, mbetej faza e dytë: a do ta pranonte Partia këtë veprim tëndin? Po ta pranonim, atëherë armiku do të arrinte suksesin e plotë. Pra, Partia futej në rrugën e përçarjes.
….Gjykoje pak, Mehmet, sikur të mbyllnim sytë, ç’do të ngjiste në Parti? Partia do të çahej më dysh, elementi oportunist, në shembullin tënd, do t’i hapte dyert reaksionit… Pjesa tjetër e shëndoshë do të rezistonte dhe do të dënonte jo vetëm ty, por edhe mua e të gjithë udhëheqjen, po të pranonim të shkelte vijën Mehmet Shehu. Natyrisht, kjo nuk ngjau, se nuk e lejoi Partia. Ti e pranove gabimin, e quajte tragjik, qave se e bëre, por duhet ta analizosh “pse e bëre?”.
…Enveri vazhdon bisedën, duke i thënë:
-Unë të flas haptazi, Mehmet, siç të kam folur përherë dhe të kam vënë në dukje të metat në punë, por edhe dobësitë në karakterin tënd. Disa mund të mendojnë se “unë kam qenë ca i butë”, por ndaj armiqve unë s’kam qenë aspak i tillë. I kam gjykuar njerëzit dialektikisht, me të mirat dhe gabimet e tyre. Kurdoherë kur shokët kanë bërë gabime, unë ua kam vënë në dukje, kam dashur, dhe kjo ishte detyrë partie, t’u jepja dorën, të ndreqeshin dhe, kur s’ndreqeshin, Partia u tregonte vendin. Mbi interesat e Partisë s’kam vënë dhe s’mund të vë asgjë.
Mehmeti më dëgjoi dhe, me shumë “ditirambe” dhe “mburrje” në adresë time (që nuk më pëlqejnë), më dha të drejtë. Në vijim, i thashë Mehmetit se do të të flas hapët, si shok, si komunist, si Sekretar i Partisë, cilat janë shkaqet që ti gabove. Këto janë mendimet e mia, që do t’i them zhveshur:
Ti e do Partinë dhe ke luftuar për të, kjo nuk diskutohet. Unë të kam dashur, të kam respektuar, ti po ashtu ke bërë ndaj meje. Unë të kam vënë kurdoherë në dukje në Parti dhe në publik meritat e tua, por edhe të kam kritikuar haptazi në Parti, kuptohet kur ke bërë gabime. Ti kritikat i ke pranuar, herë aty për aty, herë pasi ke reflektuar. Kjo është normale. Por me gjithë njohjen e tyre, ti ke bërë përsëri gabime, në intervale të ndryshme, e ke harruar gabimin e mëparshëm. Pse vjen kjo? Mund të gabohem, por po t’i them… Për shkaqet e gabimeve të Mehmetit, ai flet gjerësisht në diskutimin e tij në Byronë Politike, më 18 dhjetor, prandaj po shënojmë vetëm përmbledhtazi që ai i vuri në dukje Mehmetit se, ky mbivlerëson veten dhe nënvleftëson të tjerët, i pret shokët me ftohtësi dhe me këmbët e para, është gjaknxehtë dhe arrogant, mban qëndrime, ku sektare, ku oportuniste, është i ashpër me të tjerë dhe liberal në familje etj., i mungon ekuilibri i duhur në qëndrime e vendime, kalon nga një ekstrem në ekstremin e kundërt.

-----------------------------

Pas Abaz Kupit e Dali Ndreut, vijon “dossieri” për eleminimet në Shtabin e Përgjithshëm me likuidimet e dy figurave të tjera të kësaj lufte, Gjin Markut e Koçi Xoxes. Si vdiq në burg atasheu ushtarak që kritikoi Enver Hoxhën që në Kongresin e Parë dhe pushkatimi i ministrit të brendshëm dhe zv.kryeministrit Koçi Xoxe

Si u likuiduan Koçi Xoxe dhe Gjin Marku

Prof. Dr. Kol Elmas Leci


Gjin Marku dhe Koçi Xoxe janë dy nga personalitetet ushtarake që u eleminuan nga Enver Hoxha që në krye të herës. Gjin Marku ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe i pari Atashe Ushtarak Shqiptar në Moskë, por në Kongresin e I-rë ai kritikon ashpër udhëheqjen e lartë të partisë dhe Enver Hoxhën dhe aty merr edhe goditjen e dytë në linjë partie. Goditjen e parë e kishte marrë në plenumin e Helmësit, në vitin 1943 për qëndrim “oportunist” ndaj armikut dhe Ballit Kombëtar në qytetin e çliruar të Beratit. Ai dënohet nga një plenum i posaçëm i KQ së bashku me gjeneral Nexhip Vinçanin me akuzën se ishin kundër udhëheqjes së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Me akuza të rreme e lirojnë nga ushtria dhe e çojnë të punojë në fermë. Pas dy vjetësh e internojnë dhe më pas e dënojnë më 10 vjet burg me akuzën “Agjitacion e propagandë për minimin, dobësimin dhe përmbysjen e pushtetit popullor!”. Pas dhjetë vjetësh e riarrestojnë brenda në burgun e Burrelit dhe e ridënojnë me të njëjtën akuzë edhe 10 vjet të tjera.
Ndërsa Koçi Xoxe, gjithashtu anëtar i Shtabit, ishte ndër ushtarakët që zotëronte më shumë medalje të larta. Ai ishte madje edhe kryetar i Grupit Komunist të Korçës, anëtar i Komitetit Qendror dhe në Kongresin e Përmetit iu akordua grada gjeneral-lejtënant,, ishte edhe anëtar i Byrosë Politike, mandej ministër i Brendshëm, zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave, deputet i Kuvendit Popullor, etj. Të gjitha këto nuk e penguan Enver Hoxhën ta eleminonte.

Gjin Marku, atasheu ushtarak që vdiq në burg
Gjin Marku, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, vdiq në burgun e Burrelit. U lind më 2 qershor 1918 në fshatin Baz të Mirditës, në një familje me ndjenja atdhetare dhe tradita luftarake e kulturdashëse. I mbetur jetim qysh në fëmijëri, Gjini u edukua nga e ëma burrëreshë mirditore, e cila i mëkoi të birit traditat e familjes e të Mirditës.
Mësimet fillore i mori në vendlindje e në strehën vorfnore, për të vazhduar më tej Teknikumin Bujqësor të Kavajës. Më pas punoi si teknik bujqësie në Çarshovë, Leskovik e Korçë. Këtu, qysh në vitin 1937, bie në kontakt me rrethet përparimtare e revolucionare dhe merr pjesë aktive në grevat dhe manifestimet e ndryshme antifashiste e kundër padrejtësive. Nga marsi i vitit 1942 e deri në marsin e vitit 1944 ka drejtuar Luftën ANÇL në Qarkun e Beratit. Me formimin e Brigadës VII Sulmuese emërohet komandant i saj dhe më vonë edhe Komandant i Divizionit VI Sulmues dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Gjin Marku ishte komandant me vizione të gjera ushtarake e tepër popullor. Ai ishte aktiv, guximtar, tolerant, por kurrë oportunist e liberal. Për Gjinin ishte i huaj ekstremizmi dhe egërsia. Me origjinë fshatare, por i qytetëruar, ai fliste rrjedhshëm disa gjuhë të huaja e për më tepër kishte një zë melodioz e këndonte po ashtu në disa gjuhë këngë me fjalë të kuptueshme e të bukura. Gjin Marku deklamonte poezi e prozë të Gorkit, Bajronit, Mjedës, Çajupit, Naimit, Migjenit, Pushkinit e Uitmanit. Ai kishte një kulturë të gjerë politike, ushtarake e artistike. Optimist si ai, Gjini kishte një dashuri të veçantë për kulturën e popujve fqinj grekë, sllavë, italianë. Fliste me pasion për prakticitetin e popullit amerikan, shpirtin e madh rus dhe ndihmesën e veçantë të këtij populli të madh për fitoren mbi nazifashizmin e për oqeanët e gjakut që derdhi në Luftën e II-të Botërore. Gjin Marku u inkuadrua në të gjitha frekuencat e përpjekjeve të popullit shqiptar për liri, demokraci e dinjitet kombëtar. Ai nuk dinte të urrente, të kërcënonte dhe nuk ishte hakmarrës asnjë grimë.
Komandant Gjini e ndoqi dhe e drejtoi Luftën ANÇL në zonën që i ishte caktuar, në vijën e parë të zjarrit. Berati, Fieri, Lushnja, Kuçova, Tepelena, Patosi, Mallakastra, Myzeqeja, Skrapari, Korça, Kolonja e mandej Bregdeti, Shpiragu, Opari, Ostrovica e Tomori, ishin zonat që ai i njihte e operoi me sukses. Çlirimi i Çorovodës është vepër e reparteve që komandonte Gjin Marku dhe shokët e tij të Skraparit e të Beratit. Gjin Marku ishte novator e krijues në përdorimin e taktikave dhe të veprimeve operative të luftës partizane. Ai grumbulloi një përvojë të madhe duke kombinuar mirë goditjet e befasishme ndaj armikut, qoftë edhe më të shumtë numerikisht. Organizonte prita të suksesshme dhe nuk hynte kurrë në luftë pa e studiuar mirë terrenin e forcat kundërshtare dhe pa qenë i bindur në suksesin e aksionit dhe në minimumin e humbjeve. Gjin Marku është komandanti partizan, që, sipas dokumenteve, çmohet si më i suksesshmi dhe që nuk ka pësuar asnjë disfatë. Repartet dhe njësitë që ka drejtuar Gjini kanë pësuar më pak humbje njerëzore në luftë.
Pas Çlirimit të vendit, Gjin Marku caktohet i pari Atashe Ushtarak Shqiptar në Moskë e në të njëtën kohë ndjek edhe studimet e larta. Ai kthehet në atdhe në fundin e qershorit të vitit 1948. Në Kongresin e I-rë ai kritikon ashpër udhëheqjen e lartë të partisë dhe Enver Hoxhën, por aty merr edhe goditjen e dyte në linjë partie. Goditjen e parë e kishte marrë në plenumin e Helmësit, në vitin 1943 për qëndrim “oportunist” ndaj armikut dhe Ballit Kombëtar në qytetin e çliruar të Beratit. Gjithsesi, Gjin Marku, i brumosur dhe i përgatitur më së miri, vazhdon punën në ushtri duke kryer një varg detyrash të rëndësishme, por sipas paracaktimeve enveriste të kohës, ishin detyra të dorës së dytë për përmasat e mëdha dhe kapacitetet e Gjin Markut.
Në vitin 1950 nga një plenum i posaçëm i KQ dënohet së bashku me gjeneral Nexhip Vinçanin me akuzën se ishin kundër udhëheqjes së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Në vitin 1964, me akuza të rreme e largojnë heshturazi nga ushtria, e lirojnë dhe e caktojnë drejtor ferme në Llakatund të Vlorës, këtë personalitet guximtar e të devotshëm dhe gjeneral të talentuar, por kalvari i vërtetë sa kishte filluar për Gjin Markun. Pas dy vjetësh e internojnë në ishullin e Zvërnecit të Vlorës dhe pas një farse juridike tipike e dënojnë më 10 vjet burg me akuzën “Agjitacion e propagandë për minimin, dobësimin dhe përmbysjen e pushtetit popullor!”. Pas dhjetë vjetësh e riarrestojnë brenda në burgun e Burrelit dhe e ridënojnë me të njëjtën akuzë edhe 10 vjet të tjera. Rreth 25 vjet internim, burgim e keqtrajtim, ai dhe familja. Udhëheqja e lartë e shtetit të atëhershëm ka shumë gjynahe ndaj këtij personaliteti të fuqishëm ushtarak shqiptar.

Koçi Xoxe, pushkatimi i zv/kryeministrit
Koçi Xoxe, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, ishte fillimisht kryetari i Grupit Komunist të Korçës, por me ardhjen e Koço Tashkos nga Moska u bë nënkryetar. Me formimin e PKSH, u zgjodh anëtar i KQ Provizor të PKSH, ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional Çlirimtar të Shqipërisë, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, më 24 maj 1944 në Kongresin e Përmetit iu akordua grada gjeneral-lejtënant, ishte anëtar i KQ të PKSH, Anëtar i Byrosë Politike, ministër i Brendshëm, zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave, sekretar i KQ të PKSH për çështjet organizative dhe deputet i Kuvendit Popullor që në Legjislaturën e Parë. Koçi është nga të parët udhëheqës të Shqipërisë, që është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me urdhrat dhe medaljet më të larta, si dhe është dekoruar nga shtetet e huaja si: BRSS, Bullgaria, Jugosllavia etj.
Ai fliste shkëlqyeshëm gjuhën greke të re dhe njihte greqishten e vjetër, kishte mësuar latinisht, italisht, fliste dhe shkruante bullgariashten, serbokroatishten dhe rumanishten. Në gjimnaz ai kishte mësuar dhe frëngjisht. Kishte njohuri të thella për historinë, një kulturë, shpirt e ndjenja artistike. “Unë kam punuar dhe luftuar 20 vjet për Shqipërinë, për një jetë te re dhe për të fituar lirinë, kurse tashti po më thonë se për këto dy vjet kam gabuar, por s’po më lënë kohë që t’i ndreq këto gabime. Por ja ku po ju them të gjithëve se unë nuk kam bërë asgjë me kokën time nga këto akuza që ngrenë këta. Unë kam vepruar sipas vendimeve të Byrosë Politike dhe të Komandantit, Enver Hoxhës”.


Anëtarët e likuiduar të Shtabit të Luftës:

Dali Ndreu , ish zëvëndëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm, i pushkatuar

Mustafa Gjinishi, ish anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, vrarë në pabesi

Gjin Marku, ish anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, vdiq në burg

Bedri Spahiu, ish anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, burgosur

Ramadan Çitaku, ish anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, denigruar dhe persekutuar

Nako Spiru, ish anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, e detyruan të vriste veten

Abaz Kupi, ish anëtar i Shtabit te Përgjithshëm, vdiq në emigracion

Koçi Xoxe, ish anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, pushkatuar

SHËNIM:
Pra nga 13 vetë që kishte Shtabi i Përgjithshëm, 8 prej tyre përfunduan të pushkatuar e të dënuar. Edhe Ymer Dishnica, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, u përjashtua nga Shtabi që gjatë Luftës Çlirimtare Antifashiste (si dënim për Konferencën e Mukjes), ndërsa Mustafa Xhanin (Baba Fajën) e vranë për “çështje fetare”. Mbetën pa u ndëshkuar vetëm Enver Hoxha e Haxhi Lleshi, se për pak e pësuan edhe Spiro Moisiu apo Myslym Peza, të cilëve u erdhën rrotull disa herë.

Si u pushkatua ushtaraku, Islam Radovicka që kishte luftuar për çlirimin e Shqipërisë. Vuajtjet në burgje dhe torturat ndaj kolonelit Sulejman Vuçiterna. Dënimi i përjetshëm i Mestan Ujanikut dhe burgosja e Halit Gjolenës, të akuzuar si agjentë

Skenat e prapaskenat për likuidimin e kuadrove të ushtrisë

Prof. Dr. Kol Elmas Leci

Janë ndër të eleminuarit e parë të regjimit dhe një pjesë e tyre janë lënë në harresë. Qysh në plenumin e Beratit u goditën një sërë kuadrosh të tilla të ushtrisë. Ky plenum u quajt nga historiografia zyrtare komuniste-njollë e zezë ose prapaskena e Beratit. Ajo nuk qe prapaskenë, por një skenë ku u luajt një prapaskenë. E pësoi Sejfulla Malëshova e me qindra të tjerë. Sejfullai ishte udhëheqës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, personalitet që regjimi i Enver Hoxhës e shkatërroi. Ishin me dhjetëra oficerët e Ushtrisë Kombëtare, që quhej kështu në periudhën e Zogut, të cilët u hodhën në rreshtat partizane, apo me njohuritë e tyre ushtarake e potencialin intelektual e ushtarak, erudicionin e famën popullore, u vunë në krye apo ngritën çetat e para antifashiste e çlirimtare. Ata ishin shumë. Abaz Kupi, Safet Butka, Hysni Lepenica, Skender Muço, Isa Manastirlliu, Zyber Lita, Murat Gorja, Llesh Marashi etj, etj. Po ku janë ata sot?! Ku janë ish- liderët e ish-oficerët me eksperiencë, të cilët u vunë në krye të çetave e të batalioneve nacionaliste e partizane? Më se 20% e kuadrove të ushtrisë partizane dhe më se 40% e kuadrove të çetave nacionaliste, ishin ish-oficerë. Ish oficerët e ushtrisë së mëparshme, që shfaqën qëndrim e veprim demokratik dhe u hodhën në luftë kundër pushtuesve, gjithnjë u panë me sy të keq, gjithnjë u vëzhguan, gjithnjë u survejuan, derisa gradualisht e pjesë-pjesë u degraduan, u çmobilizuan, u dënuan e deri i pushkatuan. Ka shumë. Në mes tyre, ish-koloneli Sulejman Vuçiterna. E arrestuan më 14 nëntor 1944 në Tiranë.

Si u eleminua koloneli Sulejman Vuçiterna
Sulejman Vuçiterna u lind më 11 shtator të vitit 1898 në qytetin e Vuçiternës në Kosovë. Sulejmani, pasi u shkollua në vendlindjen e tij Vuçiternë, i ndërpreu mësimet dhe në moshën 16 vjeçare mori armët e u bashkua me komitët në atë që njihet si “Lëvizja kaçake kosovare”. Për aftësitë e tij të jashtëzakonshme si organizator e drejtues, në vitin 1916 kur nuk ishte më shumë se 18 vjeç, u caktua komandant i Çetës së Verbovcës dhe kishte nën komandën e tij rreth 400 burra të armatosur. Sulejmani u bë tepër i njohur në krye të Çetës së Verbovcës, ngaqë ishte shumë i ri në moshë dhe aty, rreth vitit 1922, me dy deputetët e parlamentit shqiptar, Bajram Currin e Hasan Prishtinën, nënshkruan peticionin për rishikimin e kufijve qe ishin vendosur më 1913-ën dhe ribashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, gjë e cila solli dhe dënimin e tij me vdekje nga qeveria serbe e Pashiqit. Pas dënimit me vdekje, Sulejmani vjen në Shqipëri, vazhdoi shkollën që e kishte ndërprerë që kur ishte 16 vjeç. Duke përfituar nga një bursë shtetërore prej kontigjentit të nxënësve kosovarë, që paguheshin nga Hasan Prishtina, ai u regjistrua në Normalen e Elbasanit, të cilën e mbaroi aty nga viti 1929. Sulejmani përfitoi një bursë shtetërore dhe shkoi në Itali, në Akademinë Ushtarake të Torinos, të cilën e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1933, duke u diplomuar në armën e këmbësorisë. Kthehet në Shqipëri dhe emërohet në Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë Kombetare. Një vit më pas fitoi të drejtën e një specializimi njëvjeçar për në Gratz te Austrisë për degën e prapavijës, të cilin e mbaroi në qershorin e vitit 1935. Mbas kthimit nga specializimi, emërohet në prapavijat e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe më pas pedagog në Shkollën Mbretërore të Oficerëve në Tiranë dhe komandant i saj deri në prillin e vitit 1939. Në vitin 1941, duke parë situatën dhe pas kërkesës së vazhdueshme të parisë nacionaliste të Kosovës, mobilizohet përsëri në radhët e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Po atë vit Sulejmani u emërua si komandant i Komandës së Mbrotjes së kufijve verilindorë të Shqipërisë. Pak ditë pas ardhjes së tij në Tiranë, akoma pa u çmallur mirë me familjen, aty nga mesnata e 14 nëntorit të 1944-ës, kur gjermanët ende nuk ishin larguar nga kryeqyteti, në shtëpinë e tij u paraqit një skuadër speciale partizane, e cila e arrestoi duke i thënë familjes: “Sa për një sqarim në komandë”.
Sulejman Viçiterna nuk i shpëtoi dot gjyqit ushtarak, torturave në hetuesi, burgut, internimit e pastaj vdekjes. Mbaroi në ferrin komunist një figurë tjetër e ndritur, e një ushtarak tjetër i shquar.

Islam Radovicka, anëtari i Shtabit i ekzekutuar si armik i popullit
Një tjetër ish-oficer i ushtrisë se qeverisjes së Zogut, që u hodh me Luftën Antifashiste e luftoi për çlirimin e atdheut, ishte kolonel Islam Radovicka. Në vitin 1925 ai mbaron Shkollën Ushtarake në Tiranë Nga viti 1935 e deri në vitin 1937 shërben në detyra të ndryshme nëpër degët ushtarake dhe ato të organizimit të paraushtarakëve. Ai ishte nëndrejtor i përgjithshëm i Shkollës së Rekrutimit në Shkodër. Më 1939 caktohet komandant i Autorepartit në Tiranë. Më 26 shkurt 1943 lidhet me Lëvizjen Antifashiste ku gradohet nënkolonel. Ai caktohet në detyrën e anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm për aksionet e zonës së Përmetit, në detyrën e komandantit të batalionit “Naim Frashëri” dhe në detyrën e komandantit të Zonës së Parë Operative Vlorë - Gjirokastër dhe njëkohësisht anëtar i Shtabit të Përgjithshëm në periudha të ndryshme. Përveç detyrave të tjera që pati, ai ishte i zgjedhur nga populli deputet i Kuvendit Popullor. Në fund të dosjes së oficerit Islam Radovica gjen edhe vendimet për heqjen e gradave dhe të dekoratave. Dhe pas tyre Vendimi i Gjykatës Ushtarake që e ekzekuton si armik të popullit.

Ujaniku dhe Gjolena, ushtarakët e dënuar si agjentë
Dy ushtarakë të tjerë dënohen mizorisht, nënkolonel Mestan Ujaniku dhe kapiteni i I, Halit Gjolena. “Janë iniciatorët e një organizate klandestine kundër popullit dhe Qeverisë Demokratike Shqiptare”, ishte aktakuza e montuar. “Janë munduar, me anë propogande, të sabotojnë reformat dhe të përmbysin komunizmin në Shqipëri. Kanë krijuar lidhje me misionet amerikane dhe greke për të përmbysur me dhunë pushtetin popullor. Kanë organizuar lidhje me elementët antikomunistë për një kryengritje. Janë lidhur me misionet anglo - amerikane për t’u dhënë informacione ushtarake dhe politike. Kanë kryer akte sabotimi nëpër vendet e punës ku janë instaluar. Kanë organizuar grupe ushtarake terroriste për të bërë atentate kundër udhëheqësve të shtetit Shqiptar”. Për këtë, ne Këshilli i Naltë i Gjykatës Ushtarake, mbasi shqyrtuan proçes - verbalet e mbajtura kundër të pandehurve nga organet e Sigurimit të Shtetit konstatuam: “Me Çlirimin e Shqipërisë të pandehurit Islam Radovicka, Shefqet Beja e Riza Dani, duke parë reformat që ndërmori pushteti popullor për të sjellë një jetë të re në Shqipëri, (!!!) filluan të organizohen kundër këtij pushteti”.
“Oficerët, kolonel Islam Radovicka, kapiteni i I Halit Gjolena, të cilët njiheshin qysh në kohën e luftës me njëri - tjetrin, akuzoheshin se kishin krijuar komitete në ushtri për t’u lidhur me anglo - amerikanët, që pastaj të përmbysnin Pushtetin Popullor. Konkretisht: Nënkolonel Mestan Ujaniku, kapiten i Parë Halit Gjolena dhe kolonel Islam Radovicka jane anëtarë të Komitetit Qëndror të Reaksionit dhe mbajnë lidhje me Jup Kazazin, Syrja Selfon e anglo - amerikanët, për të organizuar dhe realizuar më pas, sulme ushtarake mbi Shkodrën, që është një qytet me shumë reaksionarë dhe armiq për pushtetin tonë, që ndodhet afër bregdetit, ku forcat tona ushtarake janë të pakta”.
Në vijim në aktakuzë lexohet: “Nënkolonel Mestan Ujaniku, Kapiten i Parë Halit Gjolena, si anëtarë kryesorë të grupit të deputetëve, e sidomos Islam Radovicka, së bashku me Riza Danin e Kamber Backën, kanë organizuar në Ushtri grupe ushtarake terroriste”. Trupi i Gjykatës Ushtarake i dënoi Islam Radovickën me pushkatim, Mestan Ujanikun me burgim të përjetshëm, Halit Gjolenën me 15 vjet burg e më pas me punë të detyruar.

------------------------

Botohet, për herë të parë, një dokument sekret i arkivave ruse në lidhje me kontradiktat e para të Enver Hoxhës me Titon. Biseda sekrete e ambasadorit sovjetik, Çuvakin, me Enver Hoxhën në vitin 1947, një vit para prishjes me jugosllavët, për kontradiktat e Shqipërisë me Jugosllavinë

Enveri denoncon Titon te sovjetikët

Ymer Minxhozi

DOKUMENTI NR 157
Nga ditari i D. S. Çuvakin. Biseda me Enver Hoxhën mbi kontradiktat shqiptaro-jugosllave në fushën ekonomike e financiare (1)
3 maj 1947
SEKRET

“Sot në orën 11.00 u takova me Enver Hoxhën, me kërkesën e tij. Ai deklaroi se do të dëshironte të ndante me mua përshtypjet e veta nga ecuria e bisedimeve shqiptaro-jugosllave për disa çështje ekonomike e financiare. Kryeministri më tregoi sa vijon:
Siç dihet, rreth tri javë më parë në Beograd shkoi një delegacion shqiptar i kryesuar nga ministri i Industrisë dhe kryetari i Komisionit të Planit, Nako Spiru. Në delegacion bënin pjesë specialistë për çështjet e planit, ekonomisë, tregëtisë dhe financave. Para delegacionit shqiptar qëndronte detyra të arrinte marrëveshje me jugosllavët për një varg çështjesh konkrete, ndër të tjera për çështjet e planit ekonomik, përfundimtare të Shqipërisë për vitin 1947; mbi punën e shoqërive shqiptaro-jugosllave, për krijimin e të cilave të dyja palët kanë nënshkruar dokumentet përkatëse, por të cilat faktikisht deri tani nuk ekzistojnë; mbi kushtet e ndihmës financiare për Shqipërinë; për marrëveshjen tregtare, mbi çmimet e mallrave dhe për një varg çështjesh të tjera.
Ndonëse delegacioni shqiptar ka mëse dy javë që ndodhet në Beograd, ai, për fat të keq, nuk ka mundur të merret vesh me jugosllavët praktikisht për asnjë nga çështjet e përmendura më lart. Zëvendëskryetari i Komisionit të Planit, Kiço Ngjela, që mbërriti për nja dy ditë në Tiranë dhe që drejton delegacionin shqiptar pas vajtjes së Nako Spirut në Moskë, na njoftoi se gjatë diskutimit të të gjitha këtyre çështjeve, të dyja palët kanë ndeshur në një sërë vështirësish, kapërcimi i të cilave varet kryesisht nga fakti se çfarë qëndrimi do të mbajnë jugosllavët gjatë bisedimeve të mëtejshme.
Jugosllavët qenë kryesisht të papërgatitur për diskutimin e çështjeve të shtruara, megjithëse delegacioni shqiptar shkoi në Beograd me kërkesën e tyre këmbëngulëse. Jugosllavët në asnjë mënyrë nuk mund të heqin dorë nga vija e tyre e vjetër, të cilën ata e kanë ndjekur gjatë bisedimeve të kaluara dhe gjatë takimeve me përfaqësuesit shqiptarë. Ata vazhdojnë të kenë një mendim jashtë mase të lartë për veten e tyre e në të njëjtën kohë u japin një vlerësim tepër të ulët cilësive të punonjësve shqiptarë në punë. Jugosllavët mendojnë se gjithçka që ata thonë duhet të pranohet nga shqiptarët pa diskutim e pa kundërshtime, sepse çdo gjë që propozojnë përfaqësuesit jugosllavë niset nga premisa që “vendet tona zhvillohen në drejtimin socialist”, mirëpo pikërisht shqiptarët, sipas mendimit të jugosllavëve, nuk kanë kurrfarë përvoje.
Sipas fjalëve të Enver Hoxhës, jugosllavët edhe në çështje vogëlsirash me karakter thjesht komercial, shohin “socializmin” dhe kur shqiptarët i kundërshtojnë, ata fillojnë të operojnë me citate nga veprat përkatëse të Marksit dhe Engelsit, duke u përpjekur të tregojnë se sa të kënduar janë ata dhe sa “pa baza” janë kundërshtimet shqiptare. Sipas mendimit të jugosllavëve, shqiptarët gjatë bisedimeve me jugosllavët duhet të kenë kurdoherë parasysh perspektivën e “zhvillimit të vendeve tona drejt socializmit”, dhe, duke u nisur nga kjo, kanë për detyrë të pranojnë në mënyrë kategorike çdo gjë që u propozojnë ose u thonë jugosllavët. Mirëpo, me gjithë këtë “socializëm” dhe megjithë citatet nga veprat e Marksit e të Engelsit, theksoi Enver Hoxha, jugosllavët nuk i harrojnë interesat e tyre shtetërore dhe nuk i marrin fare parasysh interesat e popullit shqiptar.
Vijon

I dërguari i BRSS-së në Shqipëri
Dm. Çuvakin

AVP RF. 067. Op. 15 P.10 D.8 49-54 Origjinal.
(1) U është dërguar V. Molotovit, A. Vishinskit, OBS-së, në dosje. Dokumenti shoqërohet nga nënvizime që mendohet të jenë të Molotovit.


Sipas Ymer Minxhozit, për historianët shqiptarë do të ishte me interes studimi i dokumenteve ruse të pasura me informacione për politikën e udhëheqjes shqiptare në vitet ‘44-‘53

Dokumentet, ja çfarë synonte Jugosllavia në Shqipëri

Gjatë viteve të fundit në Moskë janë botuar një numër i konsiderueshëm dokumentesh të arkivave ruse lidhur me marrëdhëniet midis ish-Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të Evropës Lindore si edhe për marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe midis këtyre të fundit. Në këto botime, të cilat dalin në dritë pasi kanë plotësuar afatin 50-vjeçar të sekretimit, përfshihen edhe një numër dokumentesh që kanë të bëjnë direkt me politikën e udhëheqjes shqiptare në periudhën 1944-1953.
Shumë prej këtyre dokumenteve kanë qenë të panjohura edhe prej udhëheqjes së lartë shqiptare, sepse ato janë raportime të ambasadorëve sovjetikë për qeverinë e tyre. Askush te ne nuk e dinte, për shembull, se çfarë i raportonin qeverisë së tyre ambasadorët sovjetikë në Tiranë apo në Beograd mbi gjendjen në Shqipëri apo mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave.
Për historianët shqiptarë do të ishte me interes studimi i këtyre raporteve, në mënyrë që të bëhen vlerësime objektive për një periudhë tepër të rëndësishme, siç ishte dhjetëvjeçari i parë pas çlirimit nga pushtimi fashist. Disa nga këto dokumente flasin hapur dhe pa mëdyshje për përpjekjet dhe intrigat e udhëheqjes jugosllave për aneksimin e Shqipërisë dhe ndërhyrjet brutale të Titos në punët e brendshme të vendit tonë që në vitet e para. Madje raportet e ambasadorëve sovjetikë në Tiranë e Beograd si edhe ato të ambasadorit jugosllav në Moskë, hedhin dritë mbi shovinizmin titist jo vetëm ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj vendeve të tjera fqinje me Jugosllavinë.
Për vetë rolin përcaktues që kishte faktori sovjetik në politikën shqiptare të asaj kohe, në këto dokumente gjenden përgjigje të qarta apo “taksative” (siç thuhet në gjuhën burokratike) për shumë çështje konkrete që diskutohen sot në njëqind variante. Kur lexon raportet e Çuvakinit apo të ambasadorit sovjetik në Beograd e kupton menjëherë kotësinë e shumë hamendjeve apo citateve të nxjerra sipas oreksit nga kujtimet e njërit apo tjetrit, kur është fjala për marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave të asaj periudhe.
Unë nuk jam historian dhe as që marr përsipër të bëj rolin e historianit, por më duket jo normale që studiuesit shqiptarë nuk kanë publikuar deri më sot ndonjë material serioz, bazuar mbi këto dokumente, të cilat tashmë mund të sigurohen pa vështirësi. Kjo do t’i shërbente të vërtetës historike dhe do t’u priste rrugën disa sharlatanëve që, megjithëse mbajnë nga dy tituj shkencorë, hedhin në treg opinione sipas oreksit dhe nevojave të politikës së ditës.
Dokumenti që botohet në gazetën “Shekulli”, paraqet interes të veçantë në disa aspekte. Aty tregohet qartë se çfarë synonte të realizonte udhëheqja jugosllave në drejtim të Shqipërisë si në planin ekonomik ashtu edhe në planin politik. Ky fqinj që sillej si kapo i Ballkanit, përpiqej të shfrytëzonte me çdo kusht vështirësitë e popullit tonë që sapo kishte dalë nga lufta. Dokumenti mban datën 3 maj 1947, pra ngjarjet zhvillohen dhjetë muaj pas nënshkrimit të traktatit të miqësisë shqiptaro-jugosllave dhe një vit përpara se të shpërthente hapur grindja sovjeto-jugosllave, ku edhe Shqipëria mbajti qëndrimin e njohur. Dokumenti është botuar nga Akademia e Shkencave të Rusisë bashkë me shumë dokumente të tjera nën titullin e përbashkët: “Faktori sovjetik në Evropën Lindore, 1944-1953, dokumente”.

Vijon pjesa e dytë e bisedës sekrete të ambasadorit sovjetik, Çuvakin, me Enver Hoxhën në vitin 1947, një vit para prishjes me jugosllavët. Si Jugosllavia kërkonte hapjen e kufijve me Shqipërinë, kalimin e valutës shqiptare në Bankën e Jugosllavisë dhe blerjen e mallrave që i nevojiteshin Shqipërisë. Ky dokument sekret i arkivave ruse botohet për herë të parë

Enver Hoxha denoncon Titon te sovjetikët

Ymer Minxhozi

Vijon pjesa e dytë e dokumentit të gjetur në arkivat ruse për zanafillën e prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë. Siç raporton ambasadoi sovjetik në Tiranë, Çuvakin, duke u mbështetur në deklaratën e Enver Hoxhës, jugosllavët kishin shtruar çështjen që e gjithë valuta e lirë shqiptare të kalonte në Bankën Shtetërore të Jugosllavisë, në mënyrë që qeveria jugosllave të mund të siguronte me këtë valutë në vende të tjera pajisje dhe mallra që i nevojiteshin Shqipërisë. Pra raporti-ditar i ambasadorit sovjetik tregon qartë se çfarë synonte të realizonte udhëheqja jugosllave në drejtim të Shqipërisë si në planin ekonomik ashtu edhe në planin politik. Fqinji jugosllav duket se përpiqej të shfrytëzonte me çdo kusht vështirësitë e popullit shqiptar që sapo kishte dalë nga lufta. Dokumenti mban datën 3 maj 1947, pra ngjarjet zhvillohen dhjetë muaj pas nënshkrimit të traktatit të miqësisë shqiptaro-jugosllave dhe një vit përpara se të shpërthente hapur grindja sovjeto-jugosllave, ku edhe Shqipëria mbajti qëndrimin e njohur. Dokumenti është botuar nga Akademia e Shkencave të Rusisë bashkë me shumë dokumente të tjera nën titullin e përbashkët: “Faktori sovjetik në Evropën Lindore, 1944-1953, dokumente”.

DOKUMENTI NR 157
Nga ditari i D. S. Çuvakin. Biseda me Enver Hoxhën mbi kontradiktat shqiptaro-jugosllave në fushën ekonomike dhe financiare (1)
3 maj 1947
SEKRET

Vijon nga numri i djeshëm

Gjatë bisedimeve të tanishme në Beograd del se:
1. Dy miliardë dinarë që Jugosllavia ia ka premtuar qeverisë shqiptare dhe të cilat, sipas deklaratës së jugosllavëve, duhet të përfshihen në buxhetin shtetëror të Shqipërisë për vitin 1947, jepen nga Jugosllavia, jo thjesht në formë ndihme, siç kanë deklaruar më se njëherë dhe tek të cilat, duke u bazuar në këto deklarata, shqiptarët kishin shpresuar seriozisht, por në formë kredie me të cilën Shqipëria duhet të blejë mallra jugosllave. Çfarë kumtesh, për çfarë afati jepet kjo kredi, si duhet të shlyhet ajo etj., për këto asnjëra palë, as tjetra, hë për hë, nuk thonë asgjë.
Ç’është e vërteta, jugosllavët kanë deklaruar që kjo kredi duhet formësuar me anën e një marrëveshjeje të posatshme, mirëpo, me të gjitha premtimet e herëpashershme për të paraqitur projektin e kësaj marrëveshjeje, deri tani jugosllavët nuk e kanë paraqitur këtë projekt. Jugosllavët mendojnë se me nënshkrimin e marrëveshjes për kredinë mund edhe të mos nxitohemi. Siç deklaroi Enver Hoxha, jugosllavët u zemëruan tmerrësisht kur delegacioni shqiptar, pasi mori vesh që dy miliardat e premtuara Shqipërisë nuk janë dhuratë, por kredi, deklaroi se në këtë rast ai nuk do të donte të diskutonte me jugosllavët mënyrën e përdorimit të kredisë në fjalë, meqë kjo është punë e vetë qeverisë shqiptare.
2.Jugosllavët u ngatërruan përfundimisht me çështjen se si dhe në çfarë forme ata duhet të derdhin pjesën e tyre të kapitalit themelor në shoqëritë shqiptaro-jugosllave që po krijohen. Nëse më parë fjala ishte që ata vetë të derdhnin pjesën e tyre të kapitalit themelor (në formë lëvrimi mallrash Shqipërisë, të cilat duhet të shiteshin nga qeveria shqiptare, kurse paratë e mbledhura nga shitja e këtyre mallrave duhet të përdoreshin për shlyerjen e kuotës jugosllave në llogari të kapitalit themelor), tani jugosllavët i propozojnë qeverisë shqiptare të derdhë pjesën e atyre (jugosllavëve), të kapitalit themelor nga shuma prej dy miliardësh e cila jepet, siç është bërë e qartë tani, në formë kredie.
Lidhur me këtë, përsëri lindi një konflikt. Po qe se jugosllavët do t’u llogarisnin shqiptarëve pjesën e vet të kapitalit themelor në llogari të shumës së kredisë që po japin, shqiptarët ngulin këmbë në dosmosdoshmërinë për ta pakësuar shumën e kësaj kredie. Me fjalë të tjera, shqiptarët nuk duan të derdhin në këto shoqëri atë pjesë të kapitalit themelor të cilin duhet të derdhë qeveria jugosllave.
3. Përderisa dy miliardët për të cilët flitet më sipër i jepen Shqipërisë për blerje mallrash jugosllave, sipas mendimit të jugosllavëve, taksa mbi xhiron (deri 400 milionë dinarë) gjithashtu duhet të përfshihet në shumën dy miliardë. Kjo çështje ngjalli mosmarrëveshje serioze dhe i habiti jo pak shqiptarët, të cilët mendojnë se taksa mbi xhiron nuk mund dhe nuk duhet të përfshihet në shumën e përgjithshme të kredisë që jepet.
4.Delegacioni jugosllav propozoi që “komisionerët” e shoqërisë shqiptaro-jugosllave të eksport-importit t’i paguajë vetëm qeveria shqiptare, pavarësisht nëse ajo i kryen operacionet e veta sipas porosive të qeverisë shqiptare apo jugosllave. Këtë propozim të vet pala jugosllave e argumenton me faktin që shoqëria e import-eksportit është krijuar vetëm për nevojat e Shqipërisë” dhe se ata, jugosllavët, nuk do të kundërshtojnë po qe se në të ardhmen kjo shoqëri do të quhej jo shqiptaro-jugosllave, por thjesht shqiptare. Hë për hë, edhe kjo çështje ka mbetur e hapur.

Hapja e kufirit shqiptaro-jugosllav
5. Mbi lidhjen doganore dhe çeljen e kufirit shqiptaro-jugosllav për qytetarët e të dyja vendeve. Delegacioni jugosllav deklaroi se, sipas mendimit të qeverisë jugosllave, kufiri shqiptaro-jugosllav duhet hapur pa shtyrje të mëtejshme. Jo vetëm kaq, jugosllavët kanë deklaruar në mënyrë kategorike që, nëse shqiptarët nuk duan ta hapin kufirin e tyre, ata mund të mos e bëjnë këtë, por në çdo rast, për qytetarët shqiptarë rruga për në Jugosllavi do të jetë e hapur dhe se qeveria jugosllave nuk do të nxjerrë kurrfarë pengesash për ata qytetarë apo firma shqiptare që do të dëshirojnë të hyjnë në bisedime komerciale me qytetarë dhe firma jugosllave. Me fjalë të tjera, jugosllavët po e hapin kufirin e tyre, pavarësisht nëse u intereson ky vendim i tyre shqiptarëve apo jo.
Çështjes së heqjes së taksave doganore dhe të hapjes së kufirit shqiptarët i japin rëndësi të madhe. Ata druhen se mos gjatë kalimit të lirë të kufirit dhe në rastin e heqjes së taksave doganore jugosllavët do të vërshojnë në Shqipëri dhe do të blejnë ato mallra që në Jugosllavi janë deficitare. Përveç kësaj, shqiptarët jo pa arsye, kanë frikë nga zhvillimi i spekulimit dhe i tregut të zi, mbasi çmimet e shumë mallrave janë të ndryshme. Hë për hë, shqiptarët ende nuk kanë vendosur se çfarë do të bëjnë në rast se jugosllavët do ta vënë në jetë “kërcënimin” e tyre.
6.Jugosllavët, në kundërshtim me mendimin e tyre të mëparshëm, e vënë në dyshim mundësinë e unifikimit të çmimeve të mallrave në të dy vendet. Sipas mendimit të tyre, në kushtet e mungesës së shumë mallrave si në Jugosllavi ashtu edhe në Shqipëri, unifikimi tani zor se mund të kryhet.
7.Shqiptarët u bindën përfundimisht në Beograd për paaftësinë e jugosllavëve për të filluar ndonjë ndërtim elektrifikimi sivjet në Shqipëri. Atyre u qëlloi të jenë të pranishëm gjatë bisedave të delegacionit jugosllav me përfaqësuesit e industrisë jugosllave të ndërtimeve elektrike. Doli që të gjithë përfaqësuesit jugosllavë që drejtojnë ndërtimet në fushën e elektrifikimit, deklaruan kategorikisht pamundësinë e fillimit të ndonjë ndërtimi, për shkak të mungesës së përvojës njerëzore, pajisjeve etj. Lidhur me këtë në Beograd u shtrua çështja e mundësisë së “likujdimit” të shoqërisë inekzistuese shqiptaro-jugosllave të ndërtimit të centraleve elektrike dhe të elektrifikimit.
8.Sipas deklaratës së Enver Hoxhës, jugosllavët kanë shtruar çështjen që e gjithë valuta e lirë shqiptare të kalojë në Bankën Shtetërore të Jugosllavisë, në mënyrë që qeveria jugosllave, e cila ka më tepër mundësi, të mund të sigurojë me këtë valutë në vende të tjera pajisje dhe mallra që i nevojiten Shqipërisë.
Duke i numëruar të gjitha këto fakte, Enver Hoxha theksoi se një qëndrim i tillë i jugosllavëve ndaj Shqipërisë zor se mund t’i shërbejë çështjes së forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave. Kuptohet, - vazhdon ai, - se Shqipëria ka nevojë për ndihmë të huaj, ndër të tjera edhe nga ana e Jugosllavisë, por ne do të dëshironim që ne të na trajtonin si vend i pavarur, që mendimi ynë të merret parasysh, që përfaqësuesit tanë të respektohen. Lidhur me këtë Enver Hoxha përmendi që sipas njoftimeve të të dërguarit shqiptar në Beograd, Tuk Jakova, të gjeneralit-major Mehmet Shehut e personave të tjerë, jugosllavët kudo përpiqen të theksojnë epërsinë e vet, se ata, në çdo rast të përshtatshëm dhe pa rast, tallen haptas me shqiptarët, i shikojnë ata, shqiptarët, si “deshë të egër” (shprehje e vetë Enver Hoxhës- D-C.) etj., etj.
Në përfundim, Enver Hoxha njoftoi se të gjithë kompleksin e çështjeve që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ekonomike e financiare me Jugosllavinë ai ka ndërmend ta diskutojë në Byronë Politike të PKSH-së më 4 maj, në mënyrë që t’i japë udhëzime të qarta delegacionit shqiptar në Beograd se çfarë qëndrimi duhet të mbajë në bisedimet e mëtejshme. Përveç kësaj, ai ka ndërmend t’i shkruajë një letër personale Titos, ku t’i parashtrojë të gjitha çështjet më të rëndësishme dhe pikëpamjet e qeverisë shqiptare lidhur me këto probleme.

I dërguari i BRSS-së në Shqipëri
D. Çuvakin
Burimi: AVP RF. 067 Op.15 P.8. 49-54 Origjinal
U është dërguar V. Molotovit, A. Vishinskit, OBS, në dosje


--------------------------------------

Ramiz Alia: Enveri, protagonist i historisë

MEMOARE

RAMIZ ALIA


Pas një heshtjee relativisht të gjatë Ramiz Alia rikthehet publikisht në mbrojtje të figurës së Enver Hoxhës dhe Luftës Nacional-Çlirimtare. I thur lavdërime me rastin e 20-vjetorit të vdekjes dhe shpreh indinjatën e tij për refuzimin e dhënies së dëshmisë së veteranit të luftës ish-komandantit të përgjithshëm. Mohon gjithashtu që ish-udhëheqësi komunist të ketë humbur kthjelltësinë mendore në fund të jetës së tij

“E kam takuar dhe kam biseduar
me Enverin edhe një ditë para vdekjes”

“Është shkruar se Enveri vitet, sidomos muajt e fundit të jetës së tij, nuk ishte i kthjellët nga pikëpamja mendore. Kjo nuk është e vërtetë. E.Hoxha vuante nga diabeti qysh nga viti 1948, ndërsa nga shqetësimet kardiake që nga viti 1972, kur pësoi një infarkt. Që nga ajo kohë gjendja e tij ka ardhur duke u rënduar, por asnjëherë nuk iu shmang punës. Në fakt, nuk ka asnjë mbledhje të KQ të Partisë në të cilën të mos ketë marrë pjesë. Bile edhe mbledhjet e Byrosë Politike ose të Sekretariatit të KQ që janë bërë në mungesë të tij numërohen me gishta. Unë e kam takuar dhe kam biseduar me të edhe një ditë përpara se të vdiste.”

“Nuk mund të bëhet leckë lufta
se dikujt nuk i pëlqen Enver Hoxha”

“Veçse duhet thënë fort se një epokë e tërë historike dhe protagonisti i saj kryesor, Enver Hoxha, nuk mund të shuhen e të hidhen poshtë me gjykime të njëanshme dhe të nxitura nga motive personale. Një periudhë e tillë e historisë sonë, lufta që solli çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj dhe përpjekjet e tërë popullit shqiptar për të ndërtuar e mbrojtur lirinë e pavarësinë e vendit nuk mund të bëhen leckë, sepse dikujt nuk i pëlqen Enver Hoxha. Një qëndrim i tillë nuk bën gjë tjetër veçse hedh baltë mbi historinë e gjithë kombit tonë.”

“Refuzimi i dëshmisë së veteranit,
absurditet i mentaliteteve antihistorike”

“Mentalitetet antihistorike e subjektive të çojnë deri në absurditete. I tillë ishte qëndrimi, kohët e fundit, i Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me dhënien E.Hoxhës të dokumentit të Veteranit të Luftës NÇL. Eshtë e pakonceptueshme, por, mbi të gjitha, përbën një ofendim të madh ndaj të gjithë atyre që gjatë uftës u radhitën në repartet e ndryshme partizane dhe luftuan për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj, që komandantit të tyre të përgjithshëm t’i refuzohet dëshmia e Veteranit të Luftës NÇL.”

Njëzet vjet më parë vdiq Enver Hoxha, nën udhëheqjen e të cilit Shqipëria u çlirua nga pushtuesit e huaj, fashistët italo-gjermanë, dhe më pas, për afro katër dekada drejtoi përpjekjet vigane të popullit tonë për të ndërtuar një shoqëri të përparuar dhe të begatë, të karakterizuar nga barazia dhe drejtësia shoqërore, mbështetur në idealet e socializmit.
Ndaj figurës së E.Hoxhës dhe veprës së tij sot ka qëndrime të ndryshme. Ka disa që as duan të dëgjojnë për E.Hoxhën, që veprimtarinë e tij si udhëheqës i luftës dhe i ndërtimit socialist e “pikturojnë” me ngjyrat më të zeza që mund të imagjinohen. Nuk kam ndërmend të polemizoj, as me ata që vijnë nga radhët e Ballit apo të Legalitetit që, si bashkëpuntorë të pushtuesit, u mundën gjatë kohës së luftës, apo me antikomunistë që në ditët e sotme janë të “modës”, as me ata që gjatë regjimit të kaluar janë persekutuar dhe burgosur, me të drejtë ose pa të drejtë. Secili ka motivet e veta personale, të cilat po i shprehin sa nëpër gazeta, aq edhe në emisione të ndryshme televizive.
Veçse duhet thënë fort se një epokë e tërë historike dhe protagonisti i saj kryesor Enver Hoxha, nuk mund të shuhen e të hidhen poshtë me gjykime të njëanshme dhe të nxitura nga motive personale. Një periudhë e tillë e historisë sonë, lufta që solli çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj dhe përpjekjet e tërë popullit shqiptar për të ndërtuar e mbrojtur lirinë e pavarësinë e vendit nuk mund të bëhen leckë, sepse dikujt nuk i pëlqen Enver Hoxha. Një qëndrim i tillë nuk bën gjë tjetër veçse hedh baltë mbi historinë e gjithë kombit tonë.
Mentalitetet antihistorike e subjektive të çojnë deri në absurditete. I tillë ishte qëndrimi, kohët e fundit, i Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me dhënien E.Hoxhës të dokumentit të Veteranit të Luftës NÇL. Eshtë e pakonceptueshme, por, mbi të gjitha, përbën një ofendim të madh ndaj të gjithë atyre që gjatë Luftës NÇL u radhitën në repartet e ndryshme partizane dhe luftuan për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj, që komandantit të tyre të përgjithshëm t’i refuzohet dëshmia e Veteranit të Luftës.
Për Enver Hoxhën kam shkruar në librat që kam botuar, si edhe në shtypin e përditshëm. Besoj se Redaksia e gazetës “Shekulli” do ta plotësojë këtë shkrim, duke riprodhuar pjesë nga libri im “Duke biseduar për Shqipërinë ”, që është botuar si intervistë në vitin 2001.

Pyetje: Padyshim, personi që dominoi gjatë historisë së re të Shqipërisë ishte Enver Hoxha, udhëheqës i padiskutueshëm, i adhuruar deri në kult. Ju e keni njohur nga afër, bashkëpunuat me të dhe duket se gëzonit besimin e tij. Cili është sot mendimi juaj për Enver Hoxhën?

Përgjigje: Për pesë dekada E.Hoxha ka qenë udhëheqësi kryesor i Shqipërisë, i dashur dhe i respektuar nga masat e gjera të popullit. Ndokush thotë se ky qëndrim ishte i imponuar, se njerëzit "bënin" sikur e donin, kurse në realitet e kishin frikë, trembeshin prej tij. Kjo nuk është e vërtetë. Njerëzit e njohën Enver Hoxhën në kohët më të vështira, gjatë luftës për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj. Ata e njohën jo nëpërmjet shkrimeve, por e panë me sy në malet e Shqipërisë në krye të partizanëve, i hapën dyert e shtëpisë dhe i dhanë të hajë nga buka e tyre.
E.Hoxha ishte organizatori dhe udhëheqësi i Luftës NÇL, që u kurorëzua me çlirimin e vendit nga nazi-fashizmi. Ai hodhi themelet e shtetit të ri shqiptar dhe e udhëhoqi popullin në betejat e mëdha për ta nxjerrë vendin nga prapambetja shekullore e për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. …
… E.Hoxha ishte i pajisur me një kulturë të gjerë. Ai i përkiste brezit që lidhte periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare me kohët moderne. E.Hoxha lexonte shumë dhe tepër shpejt. Natyrisht, vendin kryesor e zinin librat historikë e politikë, kujtimet e njerëzve të shquar në botë, libra për sociologjinë e të tjerë. Ai kishte një kujtesë të jashtëzakonshme; mbante mend çdo gjë që ndeshte me interes në një libër, ashtu siç kujtonte njerëz dhe emra të atyre që kishte lexuar ose kishte takuar. Shpesh në bisedat që bënte, qoftë edhe për jetën partizane, mbante mend emrat e fshatarëve ku kishte ngrënë, të kuadrove që kishte takuar. Vetëm me datat e shifrat nuk e kishte mirë, i ngatërronte, duket se për ato nuk e lodhte mendjen. …
… Aktualisht kundërshtarët e tij, kur flasin për E.Hoxhën, e cilësojnë diktator, hakmarrës, që nuk ndalej përpara asgjëje, nëse rrezikohej pushteti i tij. Ata për t'u dhënë "vërtetësi" këtyre akuzave përmendin veçanërisht mungesat në fushën e demokracisë apo ekstremizmat që kanë ndodhur në zbatimin e luftës së klasave, qëndrimet e ashpra që janë mbajtur si ndaj kundërshtarëve të regjimit, ashtu edhe ndaj atyre udhëheqësve që në një mënyrë ose tjetër nuk kanë miratuar vijën e E.Hoxhës.
Eshtë e qartë se gjatë periudhës pesëdhjetëvjeçare të Shqipërisë së re janë bërë edhe gabime të ndryshme, si në fushën politike, ashtu edhe në atë ekonomike. E.Hoxha si udhëheqës kryesor i partisë dhe i shtetit, natyrisht për këto gabime mban edhe përgjegjësinë kryesore. Po kështu edhe përsa i përket dënimit ekstrem që u është dhënë disa kuadrove të larta të partisë, ose edhe për “mbylljen” e qëndrimet e ngurta në marrëdhëniet me botën e jashtme, ka ndikuar edhe vetë E.Hoxha, me "dyshimet" e tij dhe bindjen se Shqipërisë rreziqet i vijnë nga të huajt dhe komplotet e organizuara prej tyre.
… Është shkruar se Enveri vitet, sidomos muajt e fundit të jetës së tij, nuk ishte i kthjellët nga pikëpamja mendore. Kjo nuk është e vërtetë. E.Hoxha vuante nga diabeti qysh nga viti 1948, ndërsa nga shqetësimet kardiake që nga viti 1972, kur pësoi një infarkt. Që nga ajo kohë gjendja e tij ka ardhur duke u rënduar, por asnjëherë nuk iu shmang punës. Në fakt, nuk ka asnjë mbledhje të KQ të Partisë në të cilën të mos ketë marrë pjesë. Bile edhe mbledhjet e Byrosë Politike ose të Sekretariatit të KQ-së që janë bërë në mungesë të tij numërohen me gishta. Unë e kam takuar dhe kam biseduar me të edhe një ditë përpara se të vdiste.
E.Hoxha u shqua si burrë shteti e diplomat me urtësi të rrallë. Ai në bazën e politikës së jashtme të Shqipërisë së re vuri parimin e ruajtjes së sovranitetit të plotë kombëtar. Ai ngulte këmbë që Shqipëria të kishte zërin e vet në botë, që ajo t'u dilte drejtëpërdrejt zot interesave të saj, pa "kujdestarë", pa të tretë. Ai qysh në fillim ka udhëhequr luftën diplomatike për t'i siguruar shtetit të ri shqiptar një status të barabartë me shtetet e kombet që morën pjesë në koalicionin antifashist botëror.
E.Hoxha ishte kurdoherë i mirinformuar për çdo gjë që lidhej me politikën e jashtme. Ai lexonte mjaft libra që kishin të bënin me historinë e marrëdhënieve dhe me të drejtën ndërkombëtare, si dhe me zhvillimin e ngjarjeve në rajonet dhe "vatrat e nxehta" në botë. .. Padyshim, vëmendjen kryesore të tij e tërhiqnin zhvillimet që lidheshin më shumë me vendin tonë, si ngjarjet në Ballkan, në pellgun e Mesdheut dhe në Lindjen e Mesme. Për këto ai reflektonte, diskutonte vazhdimisht, nxirrte konkluzione dhe shkruante.

Pyetje: Interesimi i tij për ngjarjet ndërkombëtare duket nga pozicioni që ai merrte shpesh lidhur me temat e politikës së jashtme.

Përgjigje: E.Hoxha kishte një intuitë të veçantë. Ai ishte një takticien i përsosur. Karakteristikë e tij dalluese ishte aftësia për të reaguar me vendosmëri dhe në kohën e duhur ndaj ngjarjeve të veçanta. Ditën kur ushtria sovjetike ndërhyri me forcën e armëve në Çekosllovaki, në gusht të vitit 1968, Enveri, pa as më të voglin hezitim, e cilësoi këtë akt si një agresion të tipit fashist, si një veprim të rrezikshëm që mund të kërcënonte edhe lirinë e pavarësinë e Shqipërisë...
-Tani, -tha ai, -është koha që vendi ynë edhe de jure të largohet nga ky traktat ushtarak, që tashmë është shndërruar në traktat agresiv, njësoj si NATO-ja. Eshtë e vërtetë që de facto nuk bëjmë pjesë prej kohësh aty, sepse revizionistët na kanë përjashtuar, por aktualisht ne, nga ana jonë, duhet ta denoncojmë botërisht Traktatin e Varshavës dhe të shpallim largimin prej tij për të gjitha efektet.
Fusha tjetër për të cilën E.Hoxha tregonte interes të veçantë ishte ajo e kulturës. Ai diskutonte vazhdimisht dhe ka shkruar shumë për problemet që lidhen me këtë temë. Çdo njeri i paanshëm e ka të lehtë të konstatojë se te mendimi i E.Hoxhës për kulturën shkrihen pasioni i atdhetarit dhe kultura perëndimore me të cilën ishte formuar, me logjikën e rreptë të studiuesit marksist. E.Hoxha nga pikëpamja kulturore kishte orientim perëndimor, të fituar jo vetëm sepse studimet i kishte kryer në Francë, por sepse ndiqte përditë zhvillimet në fushën e kulturës, të letersisë e të artit në Perëndim. …
…E.Hoxha ishte partizan i pasionuar i trashëgimisë kulturore të së kaluarës sonë dhe të asaj botërore. Ai ishte armik i kozmopolitizmit, por edhe i ksenofobisë. Ruaj në shënimet e mia një bisedë, në të cilën ai thekson:
-Letërsia botërore është një thesar që është krijuar gjatë rrjedhës së epokave historike. Prandaj një pjesë e saj nuk u përshtatet kërkesave të sotme. Por, në kohën e vet, çdo vepër ka ndikuar në zhvillimin e shoqërisë. ... Prandaj e kaluara nuk duhet marrë "kallëp" e të hidhet poshtë me lehtësi, duke thënë se "e tërë kjo nuk vlen". Jo, çdo vepër duhet analizuar me kujdes duke pasur parasysh kohën kur është krijuar.
Kur sjell ndërmend që megjithë këtë në praktikën tonë artistike e letrare ka pasur "ngurtësi", ose "kufizime" apo "autocensurë", nuk mund të mos konkludoj se ato qëndrime në një pjesë të madhe kanë lidhje me paaftësinë e disa drejtuesve të partisë dhe të pushtetit, si dhe me oportunizmin e disa krijuesve, të cilët për të qenë "brenda", tregoheshin gjoja parimorë dhe impononin qëndrime sektare. Por nuk mund të mos vë në dukje se edhe E.Hoxha për këto shfaqje ka përgjegjësinë e vet. Nën presionin e situatave të krijuara ka ndodhur që E.Hoxha, në disa raste, ka qenë kontradiktor duke iu shmangur bindjeve të tij të brendshme.
Mendimi im është se E.Hoxha qëndron në radhën e personaliteteve më të shquara që ka nxjerrë nga gjiri i vet populli ynë. Pavarësisht se sot sundojnë pasionet dhe logjika e hakmarrjes antikomuniste, historia do t'i japë E.Hoxhës vendin që i përket. Ashtu siç nuk mund të mohohet Lufta NÇL e popullit tonë kundër fashizmit, nuk mund të errësohet e të shuhet emri dhe roli historik i E.Hoxhës në krijimin e përparimin e Shqipërisë së re.


--------------------------------

Ish-presidenti i fundit komunist rrëfen si u largua nga skena politike në vitin 1992. Përse ndodhi rënia e komunizmit në Shqipëri, sipas Ramiz Alisë, që pohon se ndërrimi i sistemeve mund të kishte qenë më gradual, ndërsa tranzicioni i pangarkuar me duf antikomunist, kur ende sot, sipas tij, ndërmjet dy partive politike kryesore shqiptare ka urrejtje “klasore”. Pjesa e fundit e rrëfimit të ish-presidentit komunist për revistën “ABC”, ribotuar e plotë edhe në gazetën “Shekulli”

Ramiz Alia: Pse ika nga skena politike më 1992

Mentor Nazarko

Në pjesën e fundit të intervistës së Ramiz Alisë dhënë revistës “ABC”, ribotuar e plotë në gazetën “Shekulli”, ish-presidenti komunist rrëfen rënien e komunizmit në Shqipëri, që sipas tij, ndodhi kryesisht për arsye të jashtme, por edhe si pasojë e vështirësive ekonomike në të cilat ishte mbërthyer Shqipëria. Alia mendon se ndërrimi i sistemeve mund të kishte qenë më i lehtë dhe gradual, se mund të ishin evituar shkatërrimet si dhe dufi antikomunist që sipas tij shoqëron tranzicionin. Madje ish-presidenti komunist shprehet se edhe midis dy partive kryesore shqiptare ndihet ende sot urrejtja “klasore”. Më tej në këtë pjesë të fundit të intervistës së tij të gjatë Alia rrëfen, për herë të parë, çështjen e kredisë prej një milion dollarësh që është folur se Gjermania i ka ofruar Shqipërisë, ndërsa PPSH-ja nuk e ka pranuar. Alia komenton edhe marrëdhëniet e vështira të shtetit komunist me SHBA-në dhe Anglinë deri te marrëdhëniet aktuale me shtetin fqinj, Greqinë. Në fund ai rrëfen se pse u largua nga skena politika shqiptare në vitin 1992.

Vijon nga java e kaluar

Na thoni diçka për rënien e komunizmit në Shqipëri. A kishte mundësi të evitohej dhe, nëse po, si? Ç’rol kishte në këtë rënie konceptimi rixhid i sistemit ekonomik të tij?

Ramiz Alia: Rënia e komunizmit nuk ishte një fenomen vetëm shqiptar. Ky fenomen ishte rezultat i “Luftës së Ftohtë”, i përpjekjeve që bota perëndimore antikomuniste bëri gjatë dhjetëra vjetëve kundër Bashkimit Sovjetik fillimisht dhe vendeve të Lindjes evropiane më vonë, me qëllim përmbysjen e sistemit që u vendos në këtë pjesë të botës. Pas Luftës së Dytë Botërore, në kuadrin e “Luftës së Ftohtë” Perëndimi e tërhoqi Bashkimin Sovjetik në garën e ethshme të armatimit. Kjo bëri që në këtë drejtim të përqendrohen burime të mëdha financiare, duke lënë prapa, si rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta, ashtu edhe nivelin e jetesës së qytetarëve sovjetikë.
Në librin e vet “E ardhmja është te liria” E. Shevarnadze, që ka qenë një nga njerëzit më të afërt të Gorbaçovit, ministër i Jashtëm i tij, ka shkruar: “Arritëm të bëhemi një superfuqi, falë, mbi të gjitha, potencialit luftarak. Por pikërisht ky zhvillim i tepruar i këtij potenciali, si dhe ekspansioni i tij i pakontrolluar e kanë katandisur vendin si të ishte një fuqi e rangut të tretë dhe kanë gjeneruar procese që e kanë shtyrë atë në buzë të katastrofës.... Siguruam vendin e parë në tregun botëror të armatimeve ... por u gjendëm në vendin e 60-të në botë përsa i përket nivelit të jetesës së popullsisë, në të 32-tin për jetëgjatësinë dhe në të 50-tin për mortalitetin infantil”. Natyrisht diversioni perëndimor përfitoi edhe nga këto dobësi të zhvillimit të brendshëm të Bashkimit Sovjetik.
Përsa i përket Shqipërisë, rënia e komunizmit erdhi si pasojë e përmbysjes që ndodhi kudo në Lindje pas rënies së Murit të Berlinit. Pra primar ishte faktori i jashtëm, ndikimi i ngjarjeve në Lindje, si dhe presioni direkt (politik dhe ekonomik) që bëhej ndaj “dominosë së fundit” në shumë rrugë e mënyra. Por padyshim, përmbysja erdhi edhe si pasojë e gjendjes së vështirë që kalonte vendi, e vështirësive ekonomike në të cilat ishte mbërthyer Shqipëria. Ju pyesni a kishte mundësi të evitohej përmbysja që ndodhi? Kur rendi socialist ra në të gjithë Evropën Lindore, ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që të mbahej më këmbë ky rend shoqëror në një vend të vogël si Shqipëria. Por mendimi im ka qenë dhe është se mund të kalohej më lehtë nga njëri sistem te tjetri, se, duke ndjekur kalimin gradual, mund të evitoheshin ato shkatërrime që shoqëruan të famshmet “terapi shock” apo fillimi nga “niveli zero”, se mund të evitohej ai duf antikomunist që shoqëroi dhe shoqëron tranzicionin, ajo urrejtje “klasore” që shfaqet edhe sot midis dy partive kryesore të skenës politike shqiptare.

Ju keni qenë artefic i lëvizjeve për hapjen drejt SHBA-së dhe vendeve të tjera. Ndërsa me Gjermaninë dështuat, ekziston një hipotezë. A ka diçka të pathënë në këto përpjekje? A u bëtë ju i papranueshëm për Perëndimin për vazhdimin e tranzicionit shqiptar?

Ramiz Alia: Jo vetëm për mua, por edhe për shokë të tjerë të udhëheqjes ishte e qartë se u duhej hapur rruga marrëdhënieve me botën e jashtme, duke përfshirë edhe vende të tilla si SHBA-ja, Anglia, RFGJ-ja e BS-ja, me të cilët vendi ynë nuk kishte marrëdhënie diplomatike. E vërteta është se për marrëdhëniet me Republikën Federale Gjermane si dhe me SHBA-në e Britaninë e Madhe bisedimet kishin filluar duke pasur edhe mendimin pozitiv të Enver Hoxhës. Dihet se kancelari i Bavarisë, Shtraus, ka ardhur në Shqipëri në verën e vitit 1984, pra kur Enver Hoxha ishte ende gjallë. Ai autorizoi që Shtrausi të pritet nga zyrtarët e Ministrisë së Jashtme, si dhe dha udhëzimet lidhur me kërkesat tona për reparacionet, si parakusht për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Edhe për bisedimet me Anglinë e SHBA-në ka qenë dakord Enver Hoxha. Në vitin 1984 si anglezët, ashtu edhe amerikanët, me anën e Ambasadës Franceze në Tiranë kërkuan që të zgjidhej çështja e floririt shqiptar, të mbajtur në bankat britanike qysh nga mbarimi i Luftës Dytë Botërore. Enveri edhe për këtë gjë ishte dakord dhe dha porositë e nevojshme. Në shtypin tonë ka pasur mjaft spekulime lidhur me marrëdhëniet me RFGJ-në. Janë hedhur dyshime, duke e paraqitur çështjen sikur RFGJ-ja i propozuan Shqipërisë një miliard dollarë kredi, kurse PPSH-ja nuk i paska pranuar për t’i qëndruar besnike parimit që nuk marrim kredi nga vendet kapitaliste!
Më vjen keq se, ndonjëherë, turbullirë për këtë çështje ka shkaktuar edhe ndonjë diplomat që gjoja në ato kohë paska marrë vesh nga x person gjerman ose i një kombësie tjetër se Shqipëria e paska refuzuar kredinë gjermane. Jo, kategorikisht, jo! Gjermanët asnjëherë nuk kanë propozuar ndonjë kredi të atyre dimensioneve. Pala jonë iu ka kërkuar gjermanëve reparacionet e Luftës (po, miliona, bile një miliard dollarë). Por gjermanët na janë përgjigjur zyrtarisht se të tilla nuk jepnin dot, sepse ua kishte ndaluar Konferenca e Londrës e vitit 1953 midis SHBA-së, Anglisë dhe Francës, që ishin tutorë të Gjermanisë Perëndimore në atë kohë.
Më në fund, për t’i mbyllur bisedimet dhe për të treguar se më vonë mund të rriteshin marrëdhëniet tona, gjermanët vendosën t’i jepnin Shqipërisë 20 milionë dojçmarka kredi me 1 deri 10 % interes dhe me një afat shlyrjeje 40-vjeçar, njëkohësisht 20 milionë dojçmarka falas për teknikë e teknologji gjermane. Dhe qeveria shqiptare, pavarësisht se Kushtetuta e ndalonte, e pranoi këtë kredi. Në atë kohë ne nuk ishim aq “fanatikë” të nenit të Kushtetutës që ndalonte marrjen e kredive! Po të ishte kredia prej 1 miliard markash, do ta kishim pranuar edhe më me entuziazëm. “Gjynahu” njësoj bëhet, si duke pranuar 20 milionë, apo duke pranuar 1 miliard! Ja, kjo është e vërteta.
Për ta mbyllur përgjigjen e kësaj pyetjeje, ju kujtoj se marrëdhëniet diplomatike u vendosën me RFGJ qysh në vitin 1987. Një ditë pas shpalljes së vendosjes së këtyre marrëdhënieve, unë prita dhe zhvillova bisedime miqësore me zotin Gensher. Ndërsa marrëdhëniet me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe u vendosën në vitin 1990, megjithëse bisedimet për zgjidhjen e çështjes së floririt shqiptar, që ishte parakusht i lidhjeve diplomatike, kishin filluar qysh në vitin 1985. Përsa i përket çështjes, nëse unë u bëra i papranueshme për Perëndimin lidhur me tranzicionin shqiptar, nuk më rezulton një gjë e tillë. Unë dhashë dorëheqjen nga posti i presidentit të Republikës në prill 1992, jo pse kisha ndonjë presion nga jashtë, por sepse e quajta të arsyeshme të mos qëndroja në atë post, pasi zgjedhjet e marsit 1992 u fituan thellë nga PD-ja dhe, për pasojë, ajo do të kishte si shumicën absolute në Parlament, ashtu edhe qeverinë. Në klimën e asaj kohe kishte rrezik që presidentit t’i rezervohej roli i “kukullës”. Prandaj dhashë dorëheqjen.

A keni ndonjë sugjerim për marrëdhëniet me Greqinë? Ndonjë gjë që vjen nga ajo kohë?…

Ramiz Alia: Kam menduar edhe më parë, po kështu mendoj edhe sot, se marrëdhëniet e vendit tonë me Greqinë, por edhe me fqinjët tjerë, duhet të jenë sa më të mira. Njeriu nuk bën dot pa fqinjët. Ky është ligj i njohur. Përveç faktorëve të mëparshëm, për marrëdhëniet e vendit tonë me Greqinë, është shtuar edhe një faktor shumë i rëndësishëm, sa për Shqipërinë, aq edhe për Greqinë. E kam fjalën për emigrantët, që thuhet se janë rreth 800 mijë veta. Me punën e djersën e tyre këta emigrantë i sjellin vendit tonë të ardhura të mëdha, që ndihmojnë në rritjen e nivelit ekonomik të Shqipërisë. Por në të njëjtën kohë ata ndihmojnë zhvillimin edhe të ekonomisë greke, sepse janë të përfshirë në të gjithë sistemin ekonomik të vendit fqinj.
Nga ana politike emigrantët shërbejnë si ndërlidhës midis dy popujve tanë, ashtu siç shërbejnë për këtë qëllim edhe minoritarët grekë që jetojnë në Shqipëri. Midis Shqipërisë e Greqisë nuk ka probleme të pazgjidhura që do të pengonin zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona. Minoriteti grek në Shqipëri jeton i lirë, me të drejta të plota si çdo qytetar shqiptar. Qëndrimi i organeve shtetërore është korrekt ndaj minoritarëve dhe respekton normat ndërkombëtare për minoritetet. Në shtypin tonë nga koha në kohë flitet për të drejta të çamëve në Greqi. Eshtë fjala për pasuritë që ata kanë matanë kufirit shtetëror.
Më duket se në kuadrin e marrëdhënieve miqësore, me durim e mirëkuptim, çdo gjë mund të zgjidhet. E drejta e pronësisë është e njohur edhe nga normat e organizmave ndërkombëtare. Por zbatimi i këtyre normave kërkon përpjekje nga të dy palët, kërkon durim dhe jo nervozizëm, që fatkeqësisht vihet re ndonjëherë, duke e shndërruar këtë gjë në një problem politik që helmon marrëdhëniet midis dy vendeve. Mendimi im është që organet shtetërore të vendit tonë, si këtu në qendër, por edhe në ambasadën tonë në Athinë, kanë detyrime të shumta ndaj shqiptarëve-emigrantë që gjenden në Greqi. Eshtë e pakuptueshme që rreth 800 mijë shqiptarë nuk kanë shoqata të organizuara, të njohura si nga ambasada jonë, ashtu edhe nga autoritetet greke, lokale dhe qendrore. Emigrantët kanë shumë probleme, ndonjë herë edhe konfliktuale me autoritete e me vendas. Kush i mbron interesat e tyre? Kush ndihmon që ata të ndreqen kur gabojnë, kur shkelin normat e sjelljes apo rregullat e vendit ku punojnë e jetojnë? Çfarë bëhet me fëmijët e emigrantëve? Me shkollimin e tyre, me mësimin e gjuhës amtare? Greqia është mjaft e përhapur, për pasojë edhe emigrantët gjenden në çdo anë të saj, në të gjithë ishujt. Ekzistenca e shoqatave të emigrantëve do të ishte një ndihmë e madhe që ata ta ndjejnë veten sa më afër atdheut e familjeve të tyre.

Ju mbeteni një figurë e keqkuptuar në përpjekjet tuaja politike. Nuk ju duan demokratët, por dhe një pjesë e komunistëve. Cili është mezazhi juaj i jetës që mund t’u jepte përgjigje këtyre keqkuptimeve apo...?

Ramiz Alia: Unë nuk pretendoj që çdo politikan, i cilitdo korrent të jetë dakord me mua, ose të miratojë qëndrimet e veprimet e mia. Në të gjithë veprimtarinë time kam ndjekur atë që më ka thënë ndërgjegja ime. Pikërisht me këtë bindje kam marrë pjesë në Luftën Antifashiste për çlirimin e vendit, kam milituar në radhët e PPSH-së dhe me këtë bindje kam punuar me të gjitha fuqitë e mia për ruajtjen e lirisë e të pavarësisë së vendit, ashtu siç i jam përkushtuar ndërtimit të Shqipërisë së re, të një shoqërie të drejtësisë e të barazisë shoqërore, siç e dëshironim ne, mbështetur në teorinë marksiste. Kur, si pasojë e përmbysjes që ndodhi në tërë Lindjen Evropiane, socializmi do t’ia linte vendin demokracisë pluraliste dhe ekonomisë së tregut, me ndërgjegje u përpoqa që ky ndryshim të bëhej pa trauma të mëdha shoqërore e veçanërisht pa gjakderdhje e luftë vëllavrasëse. Jam i lumtur, që në bashkëpunim me të gjithë shokët dhe protagonistët politikë të kohës, ndryshimi u bë i qetë. Padyshim, si çdo njeri, gjatë jetës sime kam bërë edhe gabime. Por asnjëherë për të përfituar ndonjë gjë personalisht, asnjëherë me qëllim që të dëmtoj me ndërgjegje popullin tim apo ndonjë person të veçantë.
Fund

Botuar me lejen e “ABC”

---------------------------------------

Rrëfimi i Ramiz Alisë për komunistët e parë shqiptarë. Si u bënë komunistë të intriguar vetëm nga imazhi i Bashkimit Sovjetik dhe pa e njohur fare, siç rrëfen ai, filozofinë marksiste e as komunizmin. Dy takimet e tij të para me Enver Hoxhën gjatë luftës dhe bashkëjetesa fillestare me Ballin, kur pikërisht në klasën e tij gjendej organizata më e fortë e rinisë komuniste e njëkohësisht edhe ajo e rinisë balliste

Alia: Ne, komunistët e parë që nuk e njihnim Marksin

Shekulli

TIRANË – Në moshën 81-vjeçare Ramiz Alia duket se ka vendosur të rrëfehet plotësisht. Pas një rrëfimi të gjatë në revistën “ABC” dhe në gazetën “Shekulli”, Ramiz Alia ka rikaluar në emisionin “Opinion” jetën e tij që nga vendlindja e tij, Shkodra, në kohën kur u bë komunist, periudhën e pasluftës, vitet 90 dhe deri sot kur është larg skenës politike.
Në këtë intervistë dhënë gazetarit Blendi Fevziu, ish-lideri i fundit komunist ndalet gjatë në një fazë interesante të jetës së vet që ngjan shumë me atë të shumë të rinjve të tjerë që u bënë komunistë shumë herët. Alia shprehet se, megjithëse ëndrra e tij ka qenë të bëhej inxhinier, jeta e asaj kohe e bënte të merrej me politikë. Ai përmend luftën e Spanjës, për të cilën thotë se pati shumë jehonë në Shqipëri si luftë antifashiste. “Unë u bëra simpatizant i Internacionales dhe i luftës antifashiste. Por ky nuk ishte angazhim në politikë në mënyrë aktive”, - rrëfen Alia.
Pyetjes se si shpjegohet simpatia e të rinjve të asaj kohe për Partinë Komuniste, Ramiz Alia i përgjigjet se kjo ndodhte për shumë arsye si situata e brendshme dhe gjendja e keqe ekonomike, qarkullimi i një literature, duke përmendur se në këtë kohë lexonte librin “Nëna” të Gorkit. Ramiz Alia rrëfen se ai vetë, por edhe të rinjtë e tjerë të përfshirë në lëvizjen komuniste, nuk e njihnin aspak komunizmin e as marksizmin.
“Kur bënin filozofi në shkollë, një profesor na foli për Marksin, por ne nuk dinim asgjë për të. Kishim dëgjuar vetëm shprehjen që “Feja është opium për popujt”. Por marksizmin në kuptimin filozofik nuk e njihnim fare”, - tregon Alia, duke shtuar se ai që njihnin në një farë mënyre ishte vetëm Bashkimi Sovjetik për të cilin kishin përfytyrimin e një vendi ku ishte vendosur drejtësia shoqërore. Mandej Alia shton se në këtë kohë besonin pak a shumë verbtazi te Bashkimi Sovjetik, të cilin kur e vizitoi më vonë, pas lufte e gjeti krejt ndryshe, të rrënuar e të shkatërruar.
Pyetjes në lidhje me mundësinë e Ahmet Zogut për të bërë rezistencë ndaj pushtimit italian më 7 prill 1939, Alia i përgjigjet se rezistencë mund të bëhej, por nuk është e qartë nëse ajo do ta përmbante pushtimin. Sidoqoftë, sipas tij, italianët do ta kishin më të vështirë të zbarkonin në Shqipëri. Alia shton se rezistenca që u bë ishte e dobët, ndërsa në lidhje me rezistencën e Abaz Kupit shton se ai më vonë u tërhoq nga kjo rezistencë.
Ramiz Alia kujton më tej gjatë intervistës duke u ndalur në momentin kur u ndanë grupet komuniste dhe nacionaliste në Shqipërinë e viteve të luftës, se grupi komunist u krijua më herët me themelimin e Partisë Komuniste në vitin 1941. Ai përmend demonstratën e tetorit të vitit 1941 si momentin kur pa për herë të parë, ndonëse së largu, Enver Hoxhën, duke u përleshur në sheshin “Skënderbej” me autoritetet, ndërsa shton se organizata e rinisë së Partisë Komuniste u krijua në janar të vitit 1942. ”Në dhjetor të vitit 1942 doli edhe Balli Kombëtar me të famshmin dekalog”, - tregon ish-presidenti komunist.
“Në klasën time ishte organizata më e fortë e rinisë komuniste, gjithashtu edhe organizata më e fortë e rinisë së Ballit”, - kujton Alia, duke shtuar se drejtuesi i këtij grupi komunist brenda klasës ishte ai vetë, ndërsa i grupit të Ballit ishte Seit Demneri. Duke përshkruar këtë bashkëjetesë të fillimit me ballistët, si në librin e ri të Kadaresë, Alia përmend rastin e Halim Begesë që ishte bashkuar me Ballin, ndërsa vëllai i tij me rininë komuniste.
Gjatë kësaj kohe Alia kujton se është njohur edhe me Mithat Frashërin, Alias Lumo Skëndo, për të cilin shprehet se “Lumo nuk ka patur ndonjë gjë të veçantë” dhe se njihej më tepër për shkak të librarisë dhe si djali i Abdyl Frashërit. Në lidhje me Mehdi Frashërin, Ramiz Alia komenton se ai pëlqehej dhe madje pas një emisioni në Radio Tirana, i cili u dëgjua shumë në atë kohë, u bë edhe më popullor, por shton se ai ishte kontradiktor në qëndrimet e veta të mëvonshme.
Duke ndjekur rrjedhën kronologjike të jetës së vet, Ramiz Alia tregon se ishte Nako Spiru ai që e futi në politikën aktive, duke i propozuar të shkonte në Berat si anëtar i Komitetit Qarkor. “Isha 17 vjeç e gjysmë kur fillova jetën politike në mënyrë aktive”, - pohon ish-presidenti komunist. Kjo ndodhi, sipas tij, një ditë të zakonshme kur e njoftuan në shkollë së bashku me një prej shokëve të tij, të takonin në një vend të fshehtë Nako Spirun.
Mandej Alia vazhdon rrëfimin e tij duke u ndaluar te takimi i tij me Enver Hoxhën, gjë që siç thotë ai, ndodhi në fillimin të vitit 1943, në mënyrë të rastësishme në shtëpinë e një shoku të përbashkët që quhej Zeqi Agolli. “Aty u ndesha për herë të parë me Enver Hoxhën, me të cilin folëm për mësimet”, - rrëfen ai, duke shtuar se takimi i dytë ishte më i gjatë dhe ndodhi në Panarin e Korçës në mars të vitit 1944. Pikërisht aty Alia rrëfen se Enveri e kaloi në rininë e Ushtrisë dhe në Nrigadën e shtatë.
Ish-presidenti komunist thotë se gjatë kohës së luftës ku ka qenë i angazhuar në Berat, ka njohur drejtuesit e kësaj zone si Kahraman Yllin, për të cilin shprehet se ishte një luftëtar i ndershëm dhe njeri i kulturuar, Gjin Markun, delegatin e Komitetit të Partisë me Skraparin dhe më vonë komandant, por edhe Kadri Hoxhën, Adil Çarçanin, Ymer Dishnicën, Bedri Spahiun e Koçi Xoxen. Gjatë luftës kujton se ka luftuar në zonën e Beratit dhe të Skraparit. Përmend angazhimin me brigadën e dytë në divizionin e dytë, angazhimin si sekretar i BRASH-it e pastaj në divizionin e pestë.

Sipas intervistës së Ramiz Alisë në emisionin “Opinion”


Ramiz Alia për takimet me Enver Hoxhën

Alia përmend demonstratën e tetorit të vitit 1941 si momentin kur pa për herë të parë, ndonëse së largu, Enver Hoxhën, duke u përleshur në sheshin “Skënderbej” me autoritetet. Mandej Alia vazhdon rrëfimin e tij duke u ndaluar te takimi i tij me Enver Hoxhën, gjë që siç thotë ai, ndodhi në fillimin të vitit 1943, në mënyrë të rastësishme në shtëpinë e një shoku të përbashkët që quhej Zeqi Agolli. “Aty u ndesha për herë të parë me Enver Hoxhën me të cilin folëm për mësimet”, - rrëfen ai, duke shtuar se takimi i dytë ishte më i gjatë dhe ndodhi në Panarin e Korçës në mars të vitit 1944. Pikërisht aty Alia rrëfen se Enveri e kaloi në rininë e Ushtrisë dhe në Brigadën e shtatë.



Ramiz Alia për Mithat Frashërin
Alia kujton se është njohur edhe me Mithat Frashërin, Alias Lumo Skëndo, për të cilin shprehet se “Lumo nuk ka patur ndonjë gjë të veçantë” dhe se njihej më tepër për shkak të librarisë dhe si djali i Abdyl Frashërit.

Ramiz Alia për Mehdi Frashërin
Në lidhje me Mehdi Frashërin, Ramiz Alia komenton se ai pëlqehej dhe madje pas një emisioni në Radio Tirana, i cili u dëgjua shumë në atë kohë, u bë edhe më popullor, por shton se ai ishte kontradiktor në qëndrimet e veta të mëvonshme.

--------------------------------------

Rrëfimi i Ramiz Alisë për arsyet që e çuan Mehmet Shehun drejt vetëvrasjes. Sipas ish-presidentit komunist, Mehmet Shehu eliminoi veten, sepse ishte njeri me karakter të vështirë dhe nuk duronte dot që të kritikohej

Ramiz Alia: Arsyet pse Mehmeti vrau veten

Shekulli

Ramiz Alia rrëfen se si e mori stafetën e pushtetit nga Enver Hoxha, kur e kuptoi që do të ishte ai zëvendësi i udhëheqësit komunist. Në këtë intervistë të marrë nga emisioni “Opinion”, Alia pyetjes së Fevziut nëse u eliminua Mehmet Shehu për t’i hapur Ramiz Alisë rrugën drejt pushtetit, ish-presdienti i fundit komunist i përgjigjet se “Mehmet Shehu vra veten” se ai eliminoi veten. Duket se fajësinë për vetëvrasjen e tij Alia e sheh te vetë Mehmet Shehu dhe jo te klima e rëndë që ishte krijuar një ditë më parë në mbledhjen e Byrosë Politike. Ramiz Alia shprehet se ishte karakteri i vështirë ai që e çoi Mehmet Shehun drejt vetëvrasjes. Sipas tij, Mehmeti vra veten sepse nuk duronte të kritikohej dhe të jetonte me një barrë në kurriz pas asaj që kishte ndodhur, pra, fejesës “së gabuar”. Më tej Ramiz Alia rimerr edhe njëherë çështjen e agjenturës, për të cilën Mehmet Shehu nuk u akuzua sa ishte gjallë, por vetëm pas vdekjes. Madje pas vetëvrasjes, për agjenturë u dënua e gjithë familja e Mehmet Shehut. Ramiz Alia pohon sërish se letrat që e tregojnë Mehmet Shehun si agjent janë të pabazuara në fakte dhe nuk mund të merren si të vërteta. Aq më tepër që, sipas tij, ato letra që e akuzonin Mehmet Shehun si agjent ishin zbuluar shumë vjet më përpara nga Enver Hoxha dhe nuk ishin konsideruar të vlefshme.

Kur e ndjetë realisht se do të ishit zëvendësi i Enver Hoxhës?
Pasi vdiq Mehmeti, sepse para se të vdiste ai mendohej se do të ishte ai ose shokët e tjerë. Hysniu konsiderohej një nga kryesorët, po kështu edhe Mehmeti dhe Beqiri. Kështu që nuk më shkonte mendja ndonjëherë. Vetëm pasi vrau veten Mehmet Shehu ishte e qartë.

A u eliminua Mehmet Shehu për t’ju hapur ju rrugën drejt pushtetit? A u detyrua të vriste veten?
Mehmet Shehu vrau veten, eliminoi veten. U detyrua të vriste veten, sepse ishte një njeri me katarker të vështirë. Mehmeti nuk e duronte dot që të kritikohej, të jetonte si të thuash me një barrë mbi kurriz. Por u habitëm që vrau veten.

Ju keni qenë, me sa duket, njeriu që lajmëroi Enver Hoxhën për këtë?
E lajmërova Enverin, sepse mua më lajmëroi shoqëruesi i Mehmet Shehut. Më mori në telefon dhe më tha: “Ky ka vrarë veten”. Edhe unë vajta drejt nga shtëpia tek Enveri dhe e gjeta duke ngrënë bukë. Atë ditë kishim mbledhjen e Byrosë dhe ai tha: ‘Do të mbarojmë shpejt sot, do të dëgjojmë fjalën e Mehmetit, do të flas edhe unë, jam dakord me atë që propozuat ju”. Ne kishim propozuar vërejtje me shkrim në kartën e regjistrimit. Kaq. Pasi tha këtë, i thashë: “S’kemi çfarë mbarojmë se ai e mbaroi punën, vrau veten”.

Ishte befasuese për Enver Hoxhën?
Shumë befasuese. Nuk e priste, sepse edhe Mehmeti nuk pati ndonjë rasye. Të tërë shokët bënë kritika, por konkluzioni ishte vetëm vërejtje në kartën e regjistrimit dhe aq.

Si shpjegohet fakti që Mehmet Shehu vrau veten në një moment që ai nuk i duronte dot kritikat e tjera, por pa pasur ndonjë paramendim, si shpjegohet që dënimi ndaj familjes së tij qe ekstrem?
Nuk mendoj se kishte ndonjë gjë të veçantë ndaj familjes së tij. Ai ishte një problem që ka ndodhur edhe herë të tjera. Pas vetëvrasjes së Mehmetit u bë ajo tabloja sinoptike në të cilën gruaja e tij paraqitej si një njeri që ishte agjent i të huajve dhe ai vetvetiu kishte hyrë në këtë rrugë ku implikohej edhe e shoqja. Masat që u morën ndaj së shoqes ishin të lidhura me këtë agjenturë.

Ju vetë besuat se ai kishte qenë agjent?
Dokumentet që unë kam parë me sytë e mi, thonë që është. Më 1987-ën kam marrë personalisht një letër nga Argjentina, që e dërgonte një amerikan ku thoshte se ato dokumente janë të sakta. Pra, dokumentet thonë se ky ishte. Tani, më tej, ndosnjë fakt a ndonjë dokument që të vërtetojë saktësinë e tyre nuk ka. Marrim anën tjetër. Enver Hoxha dhe Hysni Kapo këto dokumente i panë në vitin 1964 dhe i mbyllën, sepse ata nuk konstatuan se Mehmeti kishte bërë ndonjë gjë deri në atë moment.

Në letrën që ka lënë pas vdekjes, Mehmet Shehu është shumë i ashpër. Pse kjo mëri ndaj jush?
Unë nuk kam pasur ndonjë kontradiktë me të. Kemi shkuar mirë në përgjithësi. Tani ndoshta dy karaktere të ndryshme; ai ishte nervoz, i ashpër, i rreptë, thoshte gjithmonë fjalën e fundit të parën, ndërsa unë e kundërta. Nga kjo më vunë mua titullin liberali. Ai ishte ekstremist, unë isha liberal.


------------------------

Një libër i një ish-agjenti të sigurimit holandez zbulon të vërtetën mbi partitë simotra marksiste-leniniste dhe si infiltruan agjentët e një partie të tillë fantazmë edhe në Tiranën komuniste

Agjenti holandez: Loja ime me komunistët shqiptarë

Mashtrimi i madh

Kohët e fundit, në libraritë e Holandës ka dalë në qarkullim libri me titull "Në shërbim të sigurimit sekret ndërkombëtar. Spiunazhi dhe kundërspiunazhi në Holandë", me autor Fritz Hoekstra, ish-agjent i sigurimit holandez. Në njërin nga kapituj e librit, nën okelion "Operacioni mongol", ai përshkruan aktivitetin e së ashtuquajturës Partia Marksiste-Leniniste e Holandës dhe lidhjet e saj me Pekinin dhe Tiranën. Libri në fjalë bëri bujë të menjëhershme. Madje ky libër, që në ditët e para të botimit të tij, nuk i shpëtoi edhe vëmendjes së “Wall Street Journal”. E joshur nga faktet e rëndësishme që ai përmban për publikun shqiptar, Flutura Açka mendoi që sjellja e tyre në shqip do të ishte një shërbim i vlefshëm, për t'iu përgjigjur mbase shumë pyetjeve pezull. Peter Boevé, ish-kryetar i Partisë Marksiste-Leniniste të Holandës, tanimë në pension, tregon lojën e agjenturës holandeze me komunistët shqiptarë.


Shkrimi është marrë nga revista “Spektër”


Peter Boevé, ish-kryetar i Partisë M-L të Holandës dhe në fakt ish-agjent i sigurimit, rrëfen lojën e agjenturës holandeze me komunistët shqiptarë

PETER BOEVÉ: UNË ISHA AGJENT SIGURIMI,
POR SHQIPTARËT MË DININ PËR KOMUNIST


Shqiptarët i kujtojnë mirë kongreset e lavdishme të PPSH-së dhe diktatorit, që për 50 vjet me radhë mbushën me jetën e tyre të varfër. Në sfond të presidiumeve, të mbushur dingas me gjithfarë njerëzish pa adresë e identitet, shpesh ishin edhe përfaqësuesit e partive simotra marksiste-leniniste. Nga e gjithë bota vërshonin të thekurit e marksizmit, për të ridimensionuar, mbrojtur dhe zhvilluar doktrinën e tyre. Ka mes tyre nga ata që vërtet kanë besuar në të, ka nga ata që e lanë rrugës të zhgënjyer, por ka nga ata që nuk e kanë besuar kurrë, por kanë luajtur "të devotshmin", për arsye të tjera. Dhe të gjithë këta janë mbajtur dhe mbështetur financiarisht nga kampi komunist, me paratë dhe mundin e popujve të tyre.
Një nga këto parti është ajo e Holandës. Nga viti 1968 deri në vitin 1978, PPSH-ja ka mbështetur Partinë motër M-L të Holandës, e cila ishte e organizuar dhe e shpikur nga Shërbimi Sekret i Holandës. Për 10 vjet, regjimi i Enver Hoxhës mbajti marrëdhënie me të, pa kuptuar se po përdoreshin nga armiqtë e tyre imperialistë.
Ky fakt është publikuar në një libër të botuar kohët e fundit në Holandë, i shkruar nga një ish-agjent i sigurimit, Fritz Hoekstra, tashmë në pension. Në librin e tij bëhet me dije se veç PPSH-së, ata krijuan lidhje të ngrohta edhe me Partinë Komuniste të Kinës. Libri titullohet "Në shërbim të sigurimit sekret ndërkombëtar. Spiunazhi dhe kundërspiunazhi në Holandë". Partia M-L e Holandës, madje botonte edhe një periodik të titulluar "Komunistët", që s'ishte veçse një fletushkë që fabrikohej nga sigurimi, pikërisht për të fshehur çdo gjurmë. Në libër Hoekstra shprehet se edhe CIA amerikane ishte impresionuar nga ideja e kolegëve holandezë për të arritur në zemër të kampit komunist. Sigurisht, këta agjentë me "këpucë druri", për CIA-n ishin shumë më të zgjuar nga ç'mund të pandehje. Në dokumentet e CIA-s, ky aksion u quajt "Harringu i kuq", (sipas emrit të peshkut të njohur holandez), dhe për këtë arsye, një angjent i saj ishte vendosur në Hagë në ndjekje të këtij misioni.
Megjithëse PPSH-ja ishte paralajmëruar disa herë nga organizata alternative për këto farë partish “M-L”, mbetet ende i çuditshëm fakti se si kjo parti i vazhdonte këto lidhje. A ishte ky një budallallëk apo një indoktrinim i skajshëm? Ka më shumë të ngjarë e para. Këtë duket se do të thotë edhe Peter Boevé në intervistën e dhënë me këtë rast për publikun shqiptar. Qëllimi kryesor i kësaj partie “M-L” fantazmë, ishte të zbulonte ndikimin e "rrezikut maoist" në Holandë. Duke përdorur këtë farë fletushke, (që s'ishte veçse e botuar në ofsetin në bodrumet e ndërtesës së sigurimit holandez) dhe duke u shitur si të përkushtuar, Partia “M-L” e Holandës arriti të bindtte PPSH-në për të bashkëpunuar.
Vetë shqiptarët, nga ana e tyre, nuk morën ndonjëfarë aksioni për të ditur diçka më tepër apo për të verifikuar të vërtetën. Gjithçka u bë në verbëri të plotë. Madje, ndihma shqiptare dhe kineze për këtë parti simotër s'ishte veçse ndihmë ndaj shërbimit sekret holandez. Në libër, mes të tjersh, thuhet: "Shpesh pagesa ishte në cash, me dollarë amerikanë nga Shqipëria, pará këto që mbanin erë shumë të keqe, mbase ishte pjesë e mbetur nga Lufta e Dytë Botërore dhe të mbajtura në kushedi se çfarë bodrumi dhe lagështish".
Njeriu që ishte urdhëruar ta bënte tërë këtë, ish-agjenti Peter Boevé, kryetar i partisë fantazmë, u prezantua në Shqipëri me pseudonimin Chris Petersen, megjithëse në aplikimin për vizë shqiptare rezultonte me emrin e tij të vërtetë, gjë që shqiptarët nuk u munduan fare ta verifikonin. Madje, ai i ka vizituar disa herë "shokët" në Pekin dhe Tiranë, ka udhëtuar mbi 26 herë për këto "kontakte bashkëpunimi", dhe madje ende vuan nga dhimbja e kokës për të riprodhur shprehje nga veprat e Maos dhe Hoxhës që i nevojiteshin në kohën e duhur. Shumë anëtarë të grupeve radikale të asaj kohe përmendin faktin se atëbotë kjo parti u kërkonte informacion. Ky fakt, denoncohet pas kaq vitesh nga vetë Boevé. Për të mbështetur këtë parti ishte krijuar edhe Fondacioni Holandë-Shqipëri, zyra e të cilit në Amsterdam ishte e mbushur me agjentë sigurimi. Të rinjtë që donin të shkonin në Shqipëri për të parë versionin e drejtë të socializmit, ishin të detyruar të njoftonin këtë fondacion. Boevé, mes të tjerash, thotë: "Ishte një shaka e hidhur: të gjitha vizat e të rinjve për atje kalonin përmes nesh. Ne ishim të vetmit që Tirana na besonte."
Madje shumë prej të rinjve që atë kohë u quajtën trockistë, u refuzuan të hynin në Shqipëri, pikërisht se kurioziteti i tyre i tepërt ndaj kësaj partie, mund të dekonspironte punën e kësaj partie, pra vetë veprimtarinë e sigurimit. Bashkëpunimi me Tiranën shkonte paralelisht me bashkëpunimin me Pekinin. Vetë Boevé ka marrë pjesë në shumë ceremoni të organizuara në kryeqytetin kinez, ka qenë në dreka me Cu En Lain, dhe vetë ky i fundit ka zgjedhur karkalecët më të mirë për pjatën e "mikun" të tij të shtrenjtë nga Holanda, për ta gostitur atë siç duhet, pa e ditur se "miku i shtrenjtë", ishte një agjent sekret i regjur i sigurimit të vendit të tij. Pas vdekjes së Maos, edhe grupet maoiste në Perëndim u zbehën. Erdhi koha që edhe shërbimi sekret holandez të mbaronte invazionin e tij në qetësi. I pyetur për këtë, Peter Boevé, ish-kryetar i Partisë M-L të Holandës dhe tani në pension, shprehet:

Kur erdhët për herë të parë në Shqipëri, kontaktet e para me liderët komunistë shqiptarë. Kur nisi aktiviteti juaj këtu?

Vizita e parë ishte më 1965, me sa mbaj mend ishte 1 maj, por mund të ketë qenë edhe dita e çlirimit në nëntor. Në aeroport u prita nga liderë të partisë, pastaj më shoqëruan në vilë dhe pastaj në ndërtesën e Komitetit Qendror për të takuar Enver Hoxhën, Ramiz Alinë dhe liderë të tjerë të partive të huaja. Po ashtu kam vizituar edhe Sarandën. Statusi për liderët e partisë së respektuar të Holandës, ishte rekomanduar në fakt nga Partia Komuniste e Kinës: ata paguanin gjithçka në Shqipëri, e cila ishte shumë e varfër. Kjo mendoj se ishte arsyeja që PPSH-ja ishte shumë miqësore me mua. Ata gjithashtu besonin shumë se revolucioni në Evropën Perëndimore po përgatitej. Pas 1965-s unë u riktheva disa herë, deri në prishjen me Kinën.

Ndonjë detaj tjetër nga këto vizita, njerëzit që takuat, diçka interesante që ju ende mund të kujtoni?

Mua më duhej të bëja fjalime për kongreset e partisë dhe të shëtisja nëpër vend. Kam parë varfërinë në të cilën njerëzve të zakonshëm u duhej të rronin, në kontradiktë me luksin e liderëve të partisë.

Faktet tuaja tashmë janë publikuar në një libër të një prej ish-kolegëve tuaj, a mendoni se duke ua dhënë publikut shqiptar këtë informacion do të jetë një skandal?

Unë kam qenë një bashkëpunëtor i jashtëm i Shërbimit Sekret të Holandës, që kisha të bëja me Shqipërinë dhe Kinën dhe pas botimit të librit të Frits Hoekstra (që ka qenë agjent i përhershëm), ndihem më i lehtësuar për mbajtjen e sekretit. Nuk kam ndonjë ide se çfarë ndikimi do të kenë këto fakte në Shqipëri, por unë shpresoj që do t'i përqaset shqiptarëve që në atë kohë nuk ishin dakord me politikën në vend.

Diçka rreth fondit dhe financimeve për ju nga kampi komunist, si ishte rregulluar marrja dhe harxhimi i tyre?

Unë vetë personalisht nuk kam qenë i angazhuar në këtë çështje, këtë e kam marrë vesh më vonë: Rinia e Kuqe, një tjetër organizatë, ishte trajnuar në Shqipëri për të përdorur armët. [Kjo organizatë ka shumë ngjashmëri me organizatën terroriste Baader-Meinhoff në Gjermani, të asaj kohe, FA] Ne si marksistë-leninistë përfituam me qindra mijëra dollarë nga Kina përmes Shqipërisë. Ne jemi paguar edhe nga ambasada shqiptare në Paris në atë kohë.

Duke u kthyer tani pas në kohë, mendoni ju se e gjithçka në marrëdhëniet tuaja me komunistët shqiptarë (PPSH), ndodhi prej indoktrinimit apo thjesht prej budallallëkut dhe injorancës së tyre?

Komunistët shqiptarë vërtet besonin se revolucioni ishte çështje kohe, ata ishin shumë të influencuar nga kinezët. Pas polemikave mbi rolin e Stalinit, dhe pas shkëputjes me Kinën, ata më pyetën rreth ideve të mia për Stalinin. Kur unë pretendova se isha pro (unë isha një spiun), ata nuk e besuan këtë dhe marrëdhëniet u ftohën. Më kujtohet një herë, isha ulur në një darkë pranë Ballukut në pallatin e Zogut. E pëlqeja këtë burrë. Vitin tjetër ai nuk ishte më atje, sepse ishte eliminuar. Në fund të fundit, e gjitha ka qenë befasuese për mua, lehtësia me të cilën ata më pranuan. Ata ishin të verbër nga “besimi i vërtetë” i imi. Ata e dinin se emri im i vërtetë nuk ishte Petersen, përderisa aplikoja për të marrë viza me emrin e vërtetë. Por ata nuk ishin dyshues, shumë e çuditshme, pra.
Holandë, shkurt 2005

------------------------------

KUJTIMET E HRUSHOVIT PËR SHQIPËRINË

Hrushov, kujtimet për Enver Hoxhën

Nikita Hrushov në kujtimet e tij për Shqipërinë, i mëshon idesë se Konferenca e Tiranës do të kishte sjellë demokratizimin në Shqipëri, sikur të ishin zëvendësuar Hoxha, Shehu dhe Balluku



Të shkruara në kohën e reflektimit dhe të distancimit të tij nga Stalini, në kujtimet e Nikita Hrushovit zë një vend të rëndësishëm edhe kapitulli për Shqipërinë. Kur shkruante këto kujtime, Hrushovi kishte mundur të perceptonte se kush kishte qenë në të vërtetë Stalini me të cilin kishte qenë shumë i afërt, por që siç shkruan vetë, nuk kishte arritur ta njihte para vdekjes përmasën e krimeve të tij të tmerrshme. Shqipëria në këtë kohë ishte divorcuar me sovjetikët dhe ishte hedhur në prehrin e Kinës. Këto janë ankorime kohore që Hrushovi i jep vetë gjatë kujtimeve të veta, ndërsa në “Kujtimet” shqip të përkthyera nga Nikolla Sudar dhe të botuara nga “Ombra Gvg”, nuk ka asnjë informacion për kohën dhe rrethanat kur Nikita Hrushov i mbajti këto kujtime. Përveç këtyre kujtimeve Hrushovi ka shkruar edhe një autobiografi, e cila ende nuk është përkthyer në gjuhën shqipe dhe ku bën një reflektim përfundimtar për botën komuniste. Sidoqoftë, në këto kujtime që vijnë për herë të parë në shqip, është interesant reflektimi i ish-udhëheqësit komunist për botën komuniste shqiptare.
Sigurisht, Hrushovi nuk e sheh Shqipërinë në këto kujtime si ndonjë faktor më vete, por në kuadrin e marrëdhënieve të Bashkimit Sovjetik me Partinë e Punës së Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare. Dhe marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve ishin “tamam siç kërkohej midis vendeve socialiste”, siç shkruan Hrushovi, të paktën gjatë periudhës së Stalinit, kur mes dy vendeve ende nuk kishte patur asnjë kontradiktë të vetme. Por kur flet për periudhën e luftës së popullit shqiptar kundër nazifashistëve, ai i referohet Titos, duke shkruar diçka shumë të diskutueshme nga pikëpamja historike se “në atë kohë populli shqiptar i kishte unifikuar energjitë e veta me jugosllavët dhe krahë për krah ata kishin luftuar kundër armiqve të përbashkët- Gjermanisë hitleriane dhe Italisë fashiste”. Gjithnjë duke iu referuar atyre që i ka treguar Tito, Hrushovi shkruan se “Partia Komuniste e Jugosllavisë i kishte dhënë një ndihmesë të madhe popullit shqiptar në organizimin e luftës kundër fashizmit”.

Kur Enver Hoxha mbahej në fije të perit
Në kujtimet e tij Nikita Hrushov flet jo pak për procesin e demokratizimit, nismëtar i të cilit në fakt ka qenë edhe vetë në Bashkimin Sovjetik, edhe pse brenda idesë komuniste për botën. Për sa i përket Shqipërisë, ai shkruan se në këtë vend kjo çështje mori një kthesë të veçantë. “Bashkëpunëtorë të ambasadës sonë atëherë, më kanë treguar se aktivi i partisë për Tiranën u zhvillua nën një tension shumë të madh. Kjo mbledhje zgjati disa ditë dhe Enver Hoxha mbahej në fije të perit. Atë e kritikuan rëndë, madje u hodh ideja që të zëvendësoheshin Hoxha, Shehu dhe Beqir Balluku, e tërë kjo trojkë. Nuk më kujtohet se kush tjetër nga drejtuesit partiakë iu nënshtrua kritikës në aktivin e partisë për Tiranën. Por unë po i kushtoj vëmendje këtij fakti, sepse, me sa u duk, ai do të kishte rëndësi vendimtare për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe të Partisë së Punës së Shqipërisë. Megjithatë, Hoxha e kaloi lumin. Edhe ai, edhe Shehu, edhe Beqir Balluku mbetën në udhëheqje, ndonëse kjo ngjarje i trembi për vdekje”, - shkruan Nikita Hrushov në kujtime të tij për Shqipërinë. Përveç kësaj, Hrushovi shkruan se ata ishin të tronditur në të gjitha drejtimet, sepse e quanin veten autoritete dhe udhëheqës të pakritikueshëm, që irritoheshin me ata njerëz që kishin guxuar të ngrinin zërin në aktiv dhe të trondisnin autoritetin e tyre dhe që madje jo vetëm e kishin tronditur, por siç shprehet Hrushovi, “gati sa nuk i kishin rrëzuar nga postet e tyre drejtuese”.

Si do të “gllabërohej” Shqipëria
Për sa i përket çështjes së përfshirjes së Shqipërisë në Jugosllavi, Hrushovi kujton se “kur akoma ekzistonin marrëdhënie shumë të mira midis Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë dhe Tito gëzonte besim absolut te Stalini, më kujtohet se në prezencën time Stalini diktoi një telegram për Titon, ku flitej se marrëdhëniet e mëtejshme reciproke me Shqipërinë duhet të synonin që ajo të futej në përbërjen e Federatës Ballkanike. Ky telegram u dërgua. Sigurisht që në Shqipëri për këtë çështje askush nuk dinte gjë. Stalini e kishte bërë të vetën idenë e krijimit të Federatës Ballkanike dhe shpesh e shfaqte këtë mendim në rrethin tonë”. Më tej, në kujtimet për këtë çështje, Hrushovi shkruan se ajo kishte filluar të konkretizohej aq shumë, saqë për selinë e qeverisë së re të Federatës Ballkanike ku do të bënte pjesë edhe Shqipëria e vogël që ende nuk dinte gjë, kishte nisur të ndërtohej një pallat afër Beogradit. “Kur unë isha në Beograd, e pashë atë vend. Atje ishin ndërtuar shumë konstruksione betonarmeje, por më pas gjithçka u braktis. Përfshirja e Shqipërisë në përbërje të Jugosllavisë nuk ishte në kundërshtim me idenë e Stalinit për krijimin e Federatës së Shteteve Ballkanike. Kur u ndërprenë marrëdhëniet miqësore me Jugosllavinë dhe Stalini filloi ta urrejë Titon, ideja e Federatës Ballkanike u varros”, - kujton Hrushovi.
Kur flet për marrëdhëniet e mëtejshme me Jugosllavinë, Hrushovi megjithatë përmend si rastin më ekstrem të politikës antijugosllave pikërisht Shqipërinë. Një gjë e tillë sigurisht që i kishte pëlqyer për një farë kohe Bashkimit Sovjetik, i cili madje e kishte inkurajuar këtë politikë të palës shqiptare. Por Hrushovi mendonte se ky pozicionin i Shqipërisë u bë dëmtues, kur Bashkimi Sovjetik dhe ai vetë vendosi të ndërmerrte hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve sovjeto-jugosllave. Shqipëria ishte i vetmi vend që, siç kujton Hrushovi, u bë pengesë për normalizimin e këtyre marrëdhënieve. “Udhëheqësit e shtetit shqiptar dhe të Partisë së Punës i pritën shumë keq propozimet tona dhe u përpoqën të vërtetojnë se jugosllavët janë njerëz të pandreqshëm, se ata nuk janë komunistë. E tëra kjo shprehej me një duf keqdashës. Veçanërisht u zemërua Enver Hoxha. Ai ka karakter të ashpër dhe kur flet për atë që nuk i pëlqen, fytyrën sikur ia kap ngërçi dhe gati sa nuk kërcet dhëmbët”, - e përshkruan Hrushovi Enverin në këtë fragment nga kujtimet e tij.
Megjithatë, Shqipëria në fund e pranoi propozimin e BRSS-së dhe Hrushovi thotë se kjo ndodhi ngaqë Bashkimi Sovjetik i bindi ata, por se e panë që nuk kishte rrugëdalje tjetër. Kur flet më tej për marrëdhëniet mes BRSS-së dhe Jugosllavisë, në politikë dhe në ekonomi, Hrushovi kujton se një gjë e tillë shkaktoi një neveri edhe më të madhe në Shqipëri. “Në ato kohëra ne mbanim qëndrimin e shokut më të madh në moshë: po ç’të bësh, kur ata nuk e kuptojnë? Por do të rriten dhe do ta kuptojnë se në të vërtetë, këtu nuk ka asgjë shqetësuese. Dhe ne e sqaruam pozicionin tonë, në mënyrë që shqiptarët të na kuptonin sa më mirë”, - shkruan Hrushovi. Sipas tij, marrëdhëniet e BRSS-së me Shqipërinë nuk ishin thjesht vëllazërore, por marrëdhënie të barabarta. Raportet e të madhit me të voglin, sipas tij, lindin kur vjen puna te dhënia e ndihmës. Dhe në këtë rast ishte Bashkimi Sovjetik shoku i madh që “kishte harxhuar mjete të shumta për të ndihmuar Shqipërinë”.

Hrushovi: Të gjitha meritat për ushtrinë e Bashkimit Sovjetik
Ndërsa vendeve të tjera BRSS-ja u jepte ndihmë me kushte favorizuese, ndaj Shqipërisë Hrushovi shkruan se ndihma është realizuar kryesisht nëpërmjet rrugës së dhurimit. Ai shkruan se ishte Bashkimi Sovjetik ai që mori përsipër mbajtjen e ushtrisë shqiptare me uniforma, me ushqime, me armatime, me municione dhe të gjitha këto gratis.
Sigurisht, një arsye për këtë kishte dhe është pikërisht ajo që imagjinohet. Pakti i Atlantikut Verior ishte krijuar dhe Shqipëria kishte një pozicion të favorshëm strategjik në detin Mesdhe, të cilin, siç shkruan Hrushovi, Bashkimi Sovjetik e konsideronte si bazë të vendeve socialiste në këtë det. “Shtrohej pyetja: A ishte e nevojshme që ne të mbanim atje ushtrinë tonë apo të krijonim një ushtri të fortë shqiptare? Realisht Shqipëria mund të mbante një ushtri të vogël në numër, e cila nuk do të ishte në gjendje t’i bënte ndonjë përshtypje kundërshtarit. Vetë ajo praktikisht nuk prodhonte armatim. Prandaj vendosëm ta ndihmojmë materialisht për krjimin, brenda mundësive, të një ushtrie shqiptare të madhe në numër...”, - kujton Hurshovi, duke shtuar se kur filluan të ashpërsoheshin marrëdhëniet e BRSS-së me Perëndimin, pas luftës, një konflikt ushtarak nuk ishte mundësi e përjashtuar.
Falë pozicionit të vet Shqipëria përbënte një kërcënim serioz për veprimtarinë e bllokut ushtarak të NATO-s në detin Mesdhe. “Prandaj në atë kohë ne u morëm vesh me shqiptarët për të ngritur tek ata një bazë nëndetësesh. Kështu u miratua vendosja atje e 12 nëndetëseve. Merreni me mend, ky ishte një përqendrim ushtarak mjaft i fuqishëm- 12 nëndetëse në detin Mesdhe. Me një përqendrim të tillë duhet të përballeshin kundërshtarët tanë. Këto nëndetëse ne donim t’ia jepnim Shqipërisë. Marinarët tanë arritën atje me të gjitha pajisjet zhytëse dhe riparuese për t’i trajnuar ushtarakët vendës dhe, sapo të krijohej njësia shqiptare e ndëndetëseve, t’u dorëzoheshin atyre këto mjete. Një hap i tillë dëshmon besimin e madh, por unë do të thoja, edhe dashurinë e madhe që tregonim ne për miqtë shqiptarë. Delegacionet shqiptare vinin te ne, të kryesuara në disa raste nga Enver Hoxha dhe Mehemet Shehu. Midis nesh u krijuan marrëdhëniet më të mira, pa folur tashmë për popullin e thjeshtë shqiptar”, - kujton Hrushov.

Nikita Hrushov: Shqipëria, ekonomi mizerabël
Nikita Hrushov shkruan në kujtimet e tij se Shqipëria ishte një vend aq i varfër, sa nuk kishte asgjë në kuptimin e rezervave që mund të ngjallte interesin e Bashkimit Sovjetik. Prandaj marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve ishin kryesisht në interes të Shqipërisë. “Madje edhe ajo sasi mizerabël nafte, të cilën Shqipëria filloi ta nxjerrë me ndihmën tonë, po vetë ne ia blinim”, - shkruan Hrushov, duke shtuar se kjo ishte naftë e një cilësie aq të ulët, saqë ishte e pamundur ta nxirrje në tregun perëndimor dhe se BRSS-ja e bleu atë sasi nafte për të shlyer furnizimet e tyre. Madje shton se një gjë të tillë e bënin sepse po të mos e merrte Bashkimi Sovjetik, askush tjetër nuk do ta blinte këtë naftë, gjë që do të thoshte se duhej të hiqej dorë nga nxjerrja e naftës. Më tej Hrushovi shkruan se “Patsaj ne u kemi dhënë shqiptarëve edhe traktorë. Territori i tyre është i vogël dhe ka pak tokë të punueshme. Por ne donim që të ndihmonim për ta ngritur ekonominë shqiptare në nivelin bashkëkohor, për ta bërë Shqipërinë një xhevahir, i cili të joshte botën myslimane, veçanërisht Lindjen e Afërme dhe Afrikën drejt komunizmit. Ja cilat ishin në thelb synimet tona dhe politika që ndiqnim atje”, - shkruan Hrushov, ndoshta jo me ndonjë sinqeritet të madh. Mandej ai nuk lë pa përmendur radiostacionin, të cilin propozuan ta ndërtonin në Shqipëri dhe portin e madh që arriti të ndërtohej.





Fragment nga kujtimet e Nikita Hrushovit për vizitën e tij në Shqipëri

“Nuk vura re asnjë re të zezë nga Hoxha dhe Shehu”

“Disa herë shqiptarët na ishin lutur për të dërguar nga ana jonë një delegacion partiak dhe shtetëror të nivelit më të lartë. U vendos që një delegacion të tillë ta kryesoja unë dhe ne u nisëm për në Shqipëri. Para se të niseshim, i informuam miqtë shqiptarë se nuk dëshironim që publikisht, në praninë tonë, të adresohej ndonjë kritikë ndaj Jugosllavisë dhe udhëheqjes së saj. Në atë periudhë Shqipëria mbante marrëdhënie shumë të acaruara me Jugosllavinë dhe zhvillonte kundër saj një duel të hapur edhe në shtyp. Unë isha i mendimit se kjo gjë po sillte dëm. Prandaj e shqyrtuam mes nesh dhe njoftuam Enver Hoxhën se nuk dëshironim që gjatë kohës së qëndrimit të delegacionit tonë në Shqipëri, të vazhdohej konflikti në shtyp midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Ne i paralajmëruam që edhe nëpër mitingje të mos na përfshinin në diskutime të tilla...
Gjatë kohës së vizitës sonë, nëpër mitingje dhe nëpër mbledhje të tjera, shqiptarët iu shmangën kritikës ndaj Jugosllavisë. Por dukej qartë se e përballonin me vështirësi. Në biseda me dyer të mbyllura shqiptarët përpiqeshin të na bindnin se me jugosllavët nuk mund të kishte pajtim, se ata nuk janë komunistë e plot gjëra të tilla. Ne nuk u mirëkuptuam dot me ta, ndonëse edhe nuk i përkrahnim të gjitha gjërat që ndodhnin në Jugosllavi... Gjatë kohës së qëndrimit tonë në Shqipëri, shqiptarët u sollën si miq dhe midis nesh nuk lindi asnjë fërkim... Atje kaluam disa ditë, pamë kryeqytetin e tyre, vizituam edhe qytete të tjera, fshatra dhe porte. Kudo vumë re një qëndrim jashtëzakonisht entuziast ndaj Bashkimit Sovjetik, ndaj popullit tonë, ndaj partisë sonë, si nga ana e punonjësve shqiptarë, ashtu edhe nga ana e Hoxhës dhe e Shehut. Unë nuk konstatova ndonjë re të zezë që të mund të errësonte diellin e miqësisë, nën të cilin ne dëshironim t’i gëzoheshim jetës dhe të ndërtonim marrëdhënie vëllazërore midis BRSS-së dhe Shqipërisë. Midis nesh nuk lindën mosmarrëveshje... Gjithçka e re, e ndërtuar atje, ishte realizuar me ndihmën tonë, me kredinë tonë, nga specialistët dhe punëtorët tanë... Shipëria është një vendi vogël. Por populli i saj, i kufizuar numerikisht, jeton në një vend interesant gjeografik, ku ndërthuren kontradikta të ndryshme të Evropës, prandaj të shumtë janë edhe kundërshtarët e saj”.


Nikita Hrushov shpjegon hap pas hapi të gjitha lëvizjet politike që shënuan prishjen e marrëdhënieve mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë

“Shqiptarët dolën të humbur nga prishja me BS-në”

“Liderët shqiptarë e përqafuan me dëshirë politikën antisovjetike, të cilën e kishte shpallur Mao Ce Duni. Nuk ishte e nevojshme që të nxiteshin, sepse, nisur nga situata e rrezikshme që u krijua për ta pas Kongresit XX të PKBS-së, ishin përgatitur për të jo më pak se kinezët. Ata e kuptonin se ku përmblidhej esenca e goditjes ndaj kultit të individit: ajo drejtohej kundër pushtetit personal, kundër normave antidemokratike të jetës në parti dhe në mbarë vendin. Kjo gjë nuk trembi vetëm liderët shqiptarë, por edhe më gjerë... Por demokratizimi nuk përputhej sigurisht me veprimtarinë praktike të Hoxhës, Shehut dhe Ballukut. Kur midis nesh u acaruan marrëdhëniet dhe më pas ato kaluan në armiqësi, te ne rendën disa shokë shqiptarë, të cilët, duke hedhur lotë, na tregonin hollësisht se çfarë situate ishte krijuar në vendin e tyre dhe ku ishin katandisur... Mënyra e tyre i ngjante shumë mënyrës që zbatonte Stalini. Kjo situatë i shkaktua në Shqipëri nga frika e demokratizimit të vendit, nga frika e demokratizimit të jetës shoqërore dhe politike, rrugë të cilën unë e quaja të pashmangshme. Pikërisht për këtë shkak midis nesh ndodhi prishja e marrëdhënieve. Nëpër cilat etapa kaloi prishja? Para së gjithash ne u informuam se shqiptarët po zhvillojnë bisedime me kinezët, të drejtuara kundër PKBS-së dhe partive të tjera motra. Fakte të tjera më parë nuk kishim. Në këtë kohë nga Kina nëpërmjet Bashkimit Sovjetik, po kthehej një delegacion shqiptar. Në Komitetin tonë Qendror erdhi një shqiptare, grua shumë e ndershme. Mendoj se tashmë të gjorën e kanë zhdukur. Gestapo nuk kishte arritur ta asgjësonte, ndërsa “vëllezërit” i lanë hesapet me të dhe e eliminuan, sepse si një komuniste e sinqertë erdhi te ne në Komitetin Qendror, dhe na tregoi se për çfarë kishin biseduar kinezët me delegacionin shqiptar dhe se si këta të fundit ishin marrë vesh me ta. Nisur nga naiviteti ynë, sapo e morën vesh këtë gjë, rendëm te Mehmet Shehu, që atëherë kurohej te ne në spital. Atij i treguam gjithçka dhe e pyetëm sesi ishte e mundur që në Kinë të zhvilloheshin bisedime të tilla. Në të vërtetë Shehu largua me ngut nga spitali dhe po në atë çast fluturoi drejt Shqipërisë.
Shkëputja përfundimtare ndodhi në Kongresin e radhës të Partisë Komuniste të Rumanisë... Tani nuk më kujtohet emri i përfaqësuesit të Partisë së Punës së Shqipërisë në Kongresin e Bukureshtit. Ndërkohë unë e pyeta atë: “Si është puna? Ai m’u përgjigj: “Shoku Hrushov, edhe unë vetë nuk po kuptoj gjë, por kam marrë direktivën të mbështes kinezët”... Dhe kur në vitin 1960 u mblodhën në Kremlin për një këshillim të të gjitha partive komuniste dhe të partive të tjera motra, Hoxha mbajti një fjalim me akuza antisovjetike. Ai na tregoi dhëmbët më fort sesa vetë kinezët...
Liderët shqiptarë, me metodat e tyre të ekzekutimeve të fshehta dhe të hapura, krijuan një partie, e cila mbahej e bashkuar vetëm nga frika. Ata nuk mund të pranonin vendime të Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, sepse në luftën kundër PKBS-së, ashtu si edhe kinezët, ngritën lart emrin e Stalinit. Stalini- ja ideali i vërtetë për ta!... Kjo natyrisht ishte tragjedia e vërtetë e popullit shqiptar. Nuk e di që shqiptarët të kenë dalë të fituar nga e tëra kjo, por unë kam mendimin se kanë dalë të humbur: “Ne ua ndërpremë atyre të gjitha ndihmat dhe grisëm të gjitha marrëveshjet....”

Episodi, sipas Hrushovit
Konflikti për nëndetëset që mund të
kishte hapur luftë mes BS-së dhe Shqipërisë

Nikita Hrushov tregon edhe një episod nga konflikti i fundit i Bashkimit Sovjetik me Shqipërinë. “Ne i dhamë asaj 12 nëndetëse, siç kam thënë dhe kur marrëdhëniet tona u acaruan. Ne vendosëm t’i merrnim të tëra nëndetëset, si edhe pajisjet që i shoqëronin ato. Shqipëtarët e kundërshtuan këtë gjë. Më duket se në tri nëndetëse ekuipazhi ishte tërësisht shqiptar, në një apo dy ishte i përzier. Ne mundëm të heqim tetë apo nëntë nëndetëse dhe tri apo katër mbetën në Shqipëri. Madje prisnim edhe veprime agresive nga ana e shqiptarëve, prandaj kur i tërhoqëm nëndetëset, anijet tona luftarake, nuk më kujtohet se sa, ndodheshin afër brigjeve të Shqipërisë për të ndërhyrë po ta lypte nevoja. Në rast se autoritetet shqiptare do të përpiqeshin t’i mbanin nëndetëset tona me forcë, atëherë anijet tona luftarake do t’i kërcënonin ata”. Ai i mbyll kujtimet për Shqipërinë, duke shtuar se ky epidos shënoi edhe prishjen e plotë me Shqipërinë.


Nikita Hrushov për Enver Hoxhën

Karakter i ashpër, zemërak

Duke folur për refuzimin që i bënë udhëheqësit e shtetit shqiptar dhe të Partisë së Punës së Shqipërisë propozimeve të Bashkimit Sovjetik për normalizimin e marrëdhënieve sovjeto-jugosllave, Nikita Hrushov shkruan në kujtimet e tij se pala shqiptare shprehu një duf keqdashës. “Veçanërisht u zemërua Enver Hoxha. Ai ka karakter të ashpër dhe kur flet për atë që nuk i pëlqen, fytyrën sikur ia kap ngërçi dhe gati sa s’kërcet dhëmbët”, - e përshkruan zemërimin e diktatorit shqiptar Hrushovi.


Nikita Hrushov për trojkën Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Beqir Balluku

Treshja që kryente krime të llahtarshme

Në kujtimet e tij për Shqipërinë, Nikita Hrushov flet edhe për atë që ai e quan trojka e udhëheqësve shqiptarë dhe që përbëhej nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu e Beqir Balluku. Hrushovi shkruan se Tito i kishte treguar se drejtuesi kryesor i Partisë Komuniste të Shqipërisë kishte qenë një shok shumë i mirë, të cilin e njihnin dhe e mbështesnin jugosllavët dhe që vinte nga radhët e klasës punëtore dhe ishte ky organizatori i vërtetë i Partisë Komuniste të Shqipërisë. “Por Hoxha, Shehu dhe Balluku organizuan një komplot kundër tij, madje flitej se personalisht Shehu e kishte mbytur këtë njeri. Pa kaluar shumë kohë, ne u informuam edhe për raste të tjera të llahtarshme: dikë e mbytën dhe dikë tjetër e vranë fshehurazi. Atje zbatohej një sistem i tillë: nëse dikush gabonte dhe këtë e konstatonin Hoxha, Shehu dhe Balluku, atëherë të tre bashkë jepnin ndëshkimin. Mjaftonte që të tre të ishin të një mendje se ky njeri ishte i dëmshëm dhe ata e gjenin mënyrën sesi ta zhduknin fshehurazi, prandaj ky njeri zhdukej pa vonesë. E tëra kjo i ngjante shumë mënyrës që zbatonte Stalini. Nëpërmjet Berias dhe personave të tjerë të tillë, ai arriti të asgjësonte shumë njerëz të ndershëm”, - shkruan Hrushovi.


Hrushovi për librin e Boris Pastërnakut

Nuk ia fal vetes që ndalova “Doktor Zhivagon”

“Duke kujtuar fatin e librit “Doktor Zhivago”, nuk ia fal vetes që ai u ndalua te ne. Unë jam fajtor se nuk veprova ashtu si me librin “Fletorja e kaltër”. Dallimi (ndonëse nuk më jutstifikon dot) qëndron në faktin se unë e kisha lexuar “Fletoren e kaltër”, dhe se e kisha pikasur me sytë e mi budallallëkun e censurës. Unë kërkova prej saj që të sqarohej Presidiumi i Komitetit Qendror. Por ata u treguan të lëkundur, madje qesharakë dhe ne pa shumë mundim, e eliminuam manovrimin e tyre policesk. Ndërsa “Doktor Zhivagon” unë nuk e kisha lexuar, madje, askush në udhëheqje nuk i kishte të hedhur të paktën një sy. Ne e ndaluam librin, duke i besuar atij që ishte i ngarkuar me detyrën për të vlerësuar veprat artistike. Pikërisht ky ndalim na solli shumë të keqija, duke e dëmtuar direkt Bashkimin Sovjetik”.


Hrushovi për Stalinin

Nuk dëgjonte askënd veç vetes

Shumë njerëz pyesin sesi ka qenë Stalini si njeri, cilat ishin veset dhe stili i tij i të drejtuarit. Në mendjen e shumë njerëzve qytetarëve zotërojnë paqartësi lidhur me Stalinin, sepse për të flitet edhe mirë, edhe keq. Kështu ka qenë e kështu do të mbetet, ka të ngjarë, për shumë personalitete historike. Konkluzionet e mia mbështeten mbi një afërsi të ngushtë dhe të gjatë me Stalinin si para, gjatë dhe pas luftës. Unë kam mundur të vëzhgoj se si i vlerësonte ai ngjarjet e ndryshme, veprimet e veta dhe rolin personal në luftë... Stalini mbetet marksist në parim, por jo në vepra konkrete dhe po të përjashtojmë mosbesimin e tij të sëmurë, egërsinë dhe pabesinë, ai e analizonte situatën saktë dhe kthjellët... Pikëpamja, sipas së cilës vetëm personaliteti i Stalinit e nxori vendin nga kriza dhe se ushtria fitoi si rezultat i udhëheqjes gjeniale të tij, është plotësisht e pathemeltë. Ushtria do të kishte fituar edhe pa Stalinin, madje edhe me më pak humbje... Në parim, Stalini u mbeti besnik ideve të socializmit, por në natyrën e vet ai ishte diktator, ishte njeri që nuk dëgjonte dhe nuk kishte dëshirë të dëgjonte asnjërin përveç vetes së vet. Kjo ishte veçanti e personalitetit të tij. Nëse një tipar i tillë është në natyrën e njeriut të vogël, vuajnë familja dhe fqinjët. Por kur ajo është cilësi e personit që zë një post të lartë, atëherë vuan populli... Të tërë njerëzit që nuk ishin të një mendimi me të, Stalini i etiketoi “armiq të popullit”, që dëshironin të kthenin rregullat e vjetra. Gjë për të cilën “këta armiq”, paskëshin hyrë në aleancë me reaksionin ndërkombëtar. Për këtë arsye u ekzekutuan disa qindra mijëra njerëz të ndershëm...

-----------------------

Kujtimet e Nikita Hrushov të shkruara në 1971, kur kultivonte karrota dhe tranguj. Rrëfimet e tij për garën e ethshme të armatimeve mes Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së, gjatë Luftës së Ftohtë. Si u krijua bomba e parë me hidrogjen, raketat bërthamore-ndërkontinentale, si nisën provat e tyre, megjithë dëmet që shkaktonin në atmosferë

Hrushov: Si e krijuam bombën me hidrogjen gjatë Luftës së Ftohtë



...Dëshiroj të paraqes kujtimet e mia, sesi Saharovi krijoi bombën me hidrogjen. Njeri i talentuar, akoma i ri për një vepër të tillë të madhe, ai i shfaqi shumë herët aftësitë e veta dhe thellësinë e mendimeve. Ideja për një bombë me hidrogjen, atëherë ishte e re. Një bombë të tillë, nuk e kishin as amerikanët dhe as anglezët. Qeveria e BRSS-s, mori të gjitha masat për të mbështetur punën e Saharovit dhe për të përgatitur industrinë, për vënien në jetë të idesë së tij, të cilën e realizuan inxhinierët, teknikët dhe punëtorët sovjetikë, në fillim të viteve ‘50.
Gara e armatimeve, sipas kujtimeve të Hrushovit
Në këtë kohë kishim planifikuar tashmë, arritjen e marrëveshjes me SHBA-në dhe aleatët e saj, për ndërprerjen e garës së armatimeve, madje propozuam që të ndërpriteshin provat e armëve atomike, për të mos vazhduar infektimin e atmosferës, por nuk morëm përgjigje. Atëherë vendosëm në mënyrë të njëanshme, ndërprerjen e provave të armëve atomike dhe u bëmë thirrje vendeve të tjera, që të ndiqnin shembullin tonë, i cili do të ishte në të mirën e tërë njerëzimit. Atmosfera nuk është pasuri kombëtare dhe as shtetërore, por mbarënjerëzore.
Kështu pra, ne i ndërpremë provat. Mirëpo, amerikanët vazhduan shpërthimet, duke perfeksionuar dhe shtuar arsenalin e këtyre armëve. Ndërkohë, shkencëtarët tanë punonin për perfeksionimin e predhave dhe kishin përparuar shumë, duke rritur fuqinë shpërthyese dhe zvogëlimin e peshës të tyre. Pa bërë shpërthime eksperimentale dhe pa i provuar në praktikë predhat, ne nuk mund të kalonim në një kostruksion të ri të armatimit luftarak. Duke hequr dorë në mënyrë të njëanshme nga provat e armëve të tilla, shpresonim që opinioni publik botëror, do të na mbështeste dhe do të bënte presion mbi ato qeveri që zhvillonin prova të tilla dhe helmonin atmosferën. Por, qeveria e SHBA-së, mbeti e shurdhër ndaj opinionit publik.
Para nesh shtrohej çështja: të vazhdonin provat apo të qëndronim në pozita kundërshtimi? Duke mos marrë përgjigje miratuese, në këtë mënyrë ne privonim mbrojtjen e vetes nga vendet, që po e perfeksiononin armën atomike. Prandaj u detyruam të deklarojmë se, ideja jonë nuk po pranohej nga vendet, të cilat merren me prodhimin dhe grumbullimin e armëve atomike dhe nëse ato do të vazhdonin shpërthimet eksperimentale, atëherë edhe ne do të rifillonim nga provat.

Saharovi, krijuesi i bombës me hidrogjen
Ne caktuam edhe datën. Ndërkohë, ushtarakët dhe shkencëtarët tanë, që punonin në sferën e mbrojtjes, i bënin presion qeverisë, duke thënë se për të ecur përpara, duheshin bërë prova të konstruksioneve të armëve atomike dhe me hidrogjen, të krijuar qysh më parë. Dhe ne e publikuam se do të zhvillojmë prova të tilla. Përafërsisht, një ditë para fillimit të tyre, mua m’u drejtua nëpërmjet telefonit akademiku Saharov. Unë njihesha me të dhe ai më kishte lënë përshtypje shumë të mirë, por jo vetëm mua. Siç thuhej, ai shkëlqente si një xhevahir midis shkencëtarëve të tjerë. Saharovi m’u drejtua mua, si Kryetar i Këshillit të Ministrave të BRSS-së, me kërkesën për të hequr dorë nga provat e bombës me hidrogjen: “Duke e ditur se çfarë dëmi të madh i shkaktojnë njerëzimit prova të tilla, unë nuk mund të pranoj vazhdimin e tyre. Pikërisht, mbi bazën e kërkimeve të mia shkencore u krijua bomba termobërthamore, por si shkencëtar, tashmë jam kundër provave të saj”. Ai u përpoq gjatë, që të më bindte. Unë nuk kam dyshim se ai udhëhiqej thjesht nga ndjenja të pastra dhe shumë të mira njerëzore. Si shkencëtar, besnik ndaj shkencës dhe ideve të mira të paqes, ai ishte kundër çdo lloj asgjësimi të njerëzve dhe në përgjithësi, nuk donte të infektohej atmosfera.
Unë iu përgjegja: “Shoku Saharov, nisur nga pozicioni politik dhe shtetëror, nuk kam të drejtë tashmë t’i refuzoj këto prova. Kjo nuk është dëshira ime, ky është vendim i tërë udhëheqjes së BRSS-së, që duhet zbatuar. Ju e dini, që ne u përpoqëm të hiqej dorë nga provat dhe u bëmë thirrje kundërshtarëve tanë të mundshëm, por nuk na dëgjuan. Gjithashtu, jeni i mirinformuar se ata po i vazhdojnë provat”. Ndërkohë që ai vazhdonte të ngulmonte, duke dashur të tregohesha i ndershëm ndaj Saharovit, i thashë: “Me gjithë respektin tim ndaj pikëpamjeve tuaja dhe kërkesës tënde, unë si person, që përgjigjem për mbrojtjen e vendit, nuk kam të drejtë që të heq dorë nga provat. Ky do të ishte krim para shtetit dhe popullit. Ju tashmë e dini se çfarë vuajtesh i solli Bashkimit Sovjetik, Lufta e Dytë Botërore. Nuk duhet lejuar që përsëri të provojmë rrezikun, duke hequr dorë nga prodhimi i armëve bashkëkohëse, kur kundërshtarët tanë të mundshëm, vazhdojnë garën e papërmbajtur për krijimin e armëve të reja, të asgjësimit të njerëzve. Të më kuptoni drejt, Ju lutem, por që të solidarizohem me ju, do të thotë ta shpiem vendin drejt katastrofës së mundshme. Në këtë mënyrë, ne do të ishim më të dobët se SHBA-ja dhe aleatët e saj”.

Provat e bombës ekuivalente me 100 milionë tonë tritol
Por unë nuk e binda dot me argumentet e mia, ndonëse edhe ai nuk me bindi mua. Ne e analizuam kërkesën e Saharovit me tërë udhëheqjen e vendit dhe arritëm në përfundim se nuk mund ta pranonim atë. Bomba e radhës iu nënshtrua provave. Fuqia e saj u parashikua ekuivalente me 50 milionë ton tritol, por realisht u arrit fuqia prej 57 milionë tonësh. Kjo ishte diçka kolosale. Por shkencëtarët raportuan se, fuqia e saj mund të arrijë gjer në 100 milionë ton, nëse kjo bombë do të prodhohet me “përzierje ndotëse” dhe nëse do të veprojë, jo vetëm me valën goditëse, por edhe me rrezatimin e vet. Po ku mund ta përdorim një bombë të tillë?”, – pyeta unë, dhe m’u përgjegjën: “Kundër Gjermanisë Perëndimore, nëse na imponon luftën. Ne do të ishim të detyruar që në përgjigje, të përdornim armën bërthamore, bombën me fuqi shpërthyese prej 57 milionë tonë. Në atë zonë sundojnë erëra të tilla sa edhe copëzat e bombës me hidrogjen dhe infektimi i atmosferës do të përhapeshin edhe në territorin e RDGJ-s (Republika Demokratike Gjermane). Në këtë mënyrë, do ta pësonin jo vetëm popullsia, por edhe trupat tona, që ishin vendosur atje. Mbase pa ndonjë pasojë kërcënuese për BRSS-në dhe aleatët tanë, do të ishte hedhja e bombës në Angli, Spanjë, Francë dhe, natyrisht, në SHBA”. Ja çfarë dëgjova unë për armën e tmerrshme. Por ajo krijoi mundësinë e ndikimit moral mbi ata, që bënin përgatitje për luftë kundër BRSS-s dhe rreziku kryesor vinte nga SHBA-ja.


Hrushovi rrëfen aksidentin gjatë provës së raketës së parë bërthamore, të prodhuar në BRSS, dhe hedh poshtë akuzat për fshehje të aksidenteve të tjera të ngjashme

Raketa bërthamore, incidenti gjatë provës

Problemet e mbrojtjes dhe të armatimit të ushtrisë sonë me armë raketë, ranë kryesisht mbi supet e Jangelit. Ky njeri i talentuar, krijoi raketa të mrekullueshme, të lëvizshme dhe me destinacion të ndryshëm. Disa, tashmë fluturonin gjer në distancën prej 2 mijë kilometrash. Ne ato i quanim raketa strategjike me qitje të afërt. Më pas dolën raketat me distancë gjer në 4 mijë kilometra, gjithashtu strategjike, por me qitje të mesme. Më në fund u konstruktuan ato ndërkontinentalet, të cilat mund të transportonin mbushje bërthamore në çdo cep të globit tokësor. Gjatë kohës së provave të tyre, ndodhi një ngjarje fatkeqe, si pasojë e së cilës vdiqën disa dhjetëra vetë dhe gati sa nuk vdiq edhe vetë Jangeli. Ne humbëm edhe mareshallin Nedelin. Gjatë provës së raketës së re, sipas radhës, për shkak të përzierjes jo të rregullt të elementëve, u ndez lënda djegëse dhe raketa u vu në veprim, kur akoma kishte njerëz përreth. Pak më larg ishte ulur Nedelini, që priste përfundimin e provës. Raketa u ngrit pakëz përpjetë e më pas u rrëzua; acidi u derdh dhe dogji të tërë ata, që ndodheshin afër. Një mrekulli i shpëtoi jetën Jangelit, që ishte larguar në dhomën e posaçme, ku lejohej pirja e duhanit. Gazetat perëndimore filluan të shkruajnë shpesh për faktin se ne i fshihnim katastrofat, që ndodhnin në provat e raketave. Por gjatë kohës sime, nuk ndodhën më katastrofa të tjera. Sigurisht që disa raketa ranë atje ku nuk duhej, por nuk pati viktima; ne pësuam vetëm dëme materiale dhe humbje kohe.
Tashmë vendi ynë u njoh edhe si shtet me arritje në fluturimet kozmike, por edhe për raketat bërthamore. Një konsideratë të veçantë fitoi BRSS-ja, pas lëshimit në kozmos të Gagarinit, në vitin 1961. Fluturimi i tij dëshmoi se nuk lëshojmë vetëm sputnikë. Sapo lëshuam satelitin e parë artificial rreth Tokës, një gjeneral amerikan deklaroi: “E ç’ka këtu të veçantë? Paskëshin hedhur një copë hekur në kosmos!”. Por, duke synuar që të minimizonte arritjen tonë, ose ngaqë nuk e kishte kuptuar se çfarë rëndësie kishte pushtimi i kozmosit, vetë gjenerali e vuri veten në një pozitë qesharake. Hapja e epokës kozmike në vitin 1961 përgjithmonë, ua hoqi mundësinë kritikëve perëndimorë për të nënvlerësuar arritjet e njerëzve sovjetikë në këtë sferë. (...)

Raketat e Çellomejit
Byroja e shkencëtarit Jangel, atëherë ishte përfshirë në prodhimin e raketave strategjike me rreze të afërt, të mesme dhe të largët veprimi dhe ne filluam ta kalojmë industrinë në sistemin e konvejerëve. Në synimet propagandistike, unë madje deklarova për tërë botën arritjet sovjetike, duke thënë se tashmë, po prodhonim raketa gati si automatikë, si suxhukë. Kjo ishte vetëm afërsisht kështu, sepse ne ishim në gjendje të organizonim montimin e plotë, jo sipas sistemit konvejer, por montim në vazhdimësi. Natyrisht, jo si montimi i traktorëve, ku një transportjer gjithnjë në lëvizje shpërndan detale, kurse montuesit i montojnë ato dhe brenda disa minutave, nga repartet dalin traktorë të rinj. Pastaj në horizontin tonë të armëve raketë u shfaq një shkencëtar i ri. Mua më kërkuan të takoja një konstruktor, Çellomejin, që nuk e njihja. Akoma i ri në moshë, ai më tregoi modelin e një rakete, të cilën e kishte sjellë me vete. Ai më tha se mund të krijonte raketën me krah, me rreze të shkurtër veprimi, që punonte me karburant, e ngjashme me raketën gjermane “FAU-1”. Por ndërtimi i saj ishte ndyshe: krahët i kishte të palosura, karikohej përmes një tubi, pastaj vihej në veprim me anën e një mekanizmi dhe, kur nisej për fluturim, i hapte krahët. Ne kishin nevojë për raketa të tilla në luftën kundër avionëve si edhe për mbrojtjen bregdetare. Ajo ishte projektuar në mënyrë origjinale, gjë që mua më pëlqeu, sepse ishte e lëvizshme, e konstruktuar saktë dhe e pajisur me një lëshues të realizuar mirë. Raketa lëshohej tamam si predhë topi. Shumë veta do të shihnin më vonë, në paradat ushtarake, sesi parakalonin nëpër Sheshin e Kuq përgjatë Kremlinit, tuba gjigantë. Pikërisht këta ishin raketat e Çellomejit. Tashmë ato nuk janë më sekret, në vend të tyre janë prodhuar raketa të tipit të ri. (...)

Hovi i prodhimit të armëve raketë
Sot është 7 korriku i vitit 1971, ditë e hënë. Unë po vazhdoj me kujtimet rreth armëve raketë. Prodhimi i tyre mori një hov të madh. Korolov, Jangel, Çellomej… Të gjithë ata punonin për të krijuar raketën me qitje të largët, me një peshë të madhe dhe përmasa të mëdha. Kështu u prodhuan disa marka raketash të tilla. Konstruktorë të tjerë të talentuar konstruktuan armë reaktive kundër tankeve, raketa antiajrore dhe me qitje të afërt. Pikërisht, Çellomej na përmbyti me propozime të reja: raketa globale, raketa ndërkontinentale, raketa të tipit “det – tokë” dhe “tokë – det”. Ai arriti të prodhojë raketën e lëvizshme ndërkontinentale. Me të, ne zëvëndësuam disa nga raketat e Jangelit, që kishim në armatim.
Në njërën nga mbledhjet, Çellomej, ashtu si ai tregtari i vogël, që nxjerr nga kutia kepucë, basme dhe rruaza, ashtu shpalosi ai para nesh projektet e veta. Më kujtohet sesi shkrofëtinte atëherë Koroljovi se gjoja Çellomeji ishte i tillë, apo i këtillë, se ai po merrte në duart e veta gjithçka. Mirëpo propozimet e tij, me të vërtetë rezultuan universale dhe, përveç kësaj, më të leverdisshëm nga ana ekonomike, si edhe në kuptimin e gadishmërisë mobilizuese luftarake. Më pas ai projektoi raketën e rëndë, e cila dërgonte në kosmos ngarkesa më të mëdha sesa raketa e Koroljovit, prandaj edhe tani ajo është në përdorim. Por edhe ky i fundit propozoi ndërtimin e një rakete të re të rradhës, të superfuqishme. Ndërkohë, Çellomeji filloi të ngulmojë se konstruksionet e tij të raketave, janë më realiste. Kështu, konkurenca krijuese vazhdonte. Sesi ka përfunduar ajo, nuk e di, sepse tashmë jam në pension dhe kultivoj karota, tranguj, ndërsa të rejat i mësoj nga gazetat. Por edhe tashmë më vjen mirë, kur mendoj se kam vepruar drejt, duke përkrahur në kohën time Çellomejin e duke i dhënë mundësi që afirmohej.

Nga kujtimet e Nikita Hrushovit
Përktheu nga origjinali: Nikolla Sudar, historian dhe përkthyes.

------------------------------

Pergatiti per Flori-Press: Flori BRUQI