Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, nëntor 26, 2005

Berisha heq me vendim 29 nentorin nga festimet zyrtare duke shkelur Ligjin mbi Festat

Dita e Çlirimit të Atdheut, 29 nëntori, pritet të shënojë përplasjen e parë të madhe midis Berishës dhe Ramës. Kryeministri Sali Berisha ka vendosur që data e çlirimit të atdheut (29 nëntori) të festohet më datë 28 tetor, duke kthyer edhe një herë në qendër të debatit politik ditën e çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazifashistë. Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, nga ana tjetër po përgatit festime të mëdha në Tiranë nën moton “Nata e Bardhë” më datën 29 nëntor, për nder të çlirimit të atdheut, qeveria vendos që ceremonitë për festat kombëtare të bëhen të gjitha më 28 nëntor. Veç kësaj ai ka urdhëruar që më 29 nëntor administrata të jetë në punë. Për më tepër Berisha nuk do jetë në Shqipëri një ditë më vonë, sepse pritet të vizitojë Brukselin. Kryetari i PS Rama do të organizojë gjatë gjithë datës 29 nëntor pritje në Bashkinë e Tiranës me veteranë dhe familjarë të dëshmorëve të luftës nacionalçlirimtare.

Ndryshimi i festimeve
Ceremonitë zyrtare për “Ditën e Pavarësisë” dhe “Ditën e Çlirimit të Atdheut”, sipas vendimit të Berishës do të zhvillohen më datën 28 nëntor. Kuvendi në vitin 1997 ka marrë vendimin që ceremonitë zyrtare për nder të Çlirimit të Atdheut të zhvillohen më datë 29 nëntor, datë në të cilën për afro 50 vjet me radhë është festuar kjo ditë. Por kryeministri Berisha ka vendosur që ceremonia e datës së çlirimit të atdheut të zhvillohet më datë 28 nëntor. Data e çlirimit është përcaktuar me vendim Parlamenti, por kreu i qeverisë duket se nuk e ka pasur fare të vështirë që nëpërmjet një vendimi për ceremonialet, ta bëjë nul këtë vendim!!. Ai ka bashkëngjitur në një ditë festimet si për Ditën e Pavarësisë, ashtu dhe për atë të çlirimit të atdheut. Sfida në këtë rast ndaj institucionit të Kuvendit është e qartë. Baza kushtetuese e Parlamentit nga pikëpamja ligjore tashmë është vënë seriozisht në pikëpyetje. Ndërsa mendimi i shumicës së historianëve dhe dokumentet zyrtare të ushtrisë gjermane se data e çlirimit është 29 nëntori, janë fshirë si me gomë.


Vendimi


Sipas vendimit të qeverisë, nga “Ceremonia e festës kombëtare” bëhet ndryshimi në “Ceremoniali për festat e Pavarësisë dhe Çlirimit të Atdheut”, duke shtuar përmbajtjen: në përkujtim të festave zyrtare të Pavarësisë dhe të Çlirimit të Atdheut, Protokolli i Shtetit organizon çdo datë 28 nëntor të çdo viti, gjatë gjithë ditës, aktivitete përkujtimore: ceremoni në nderim të Dëshmorëve të Kombit dhe pritje shtetërore. Vendimi i Kuvendit përcakton datën 29 nëntor si ditën e çlirimit. Në ligjin për ceremonitë, përcaktohej se çdo 29 nëntor vendos një kurorë edhe trupi diplomatik i akredituar në Republikën e Shqipërisë. Por vendimi i kryeministrit e ka fshirë këtë datë që është detyrim ligjor, sipas vendimit të Kuvendit, duke e zëvendësuar me datën 28 nëntor.


Festimet e Bashkisë
Gjatë emisionit televiziv “5 pyetje nga Babaramo”, Rama deklaroi se data e Çlirimit është vendosur nga individët që kanë luftuar dhe nuk mund të vendoset sipas dëshirës së njërit apo tjetrit politikan. “Kryeministri nuk ka hedhur asnjë pushkë në luftën për çlirim, por me mijëra germa për të mbrojtur partinë që doli nga lufta dhe për të mbrojtur teorinë e saj të luftës. Pastaj ai ka nxitur edhe pushkë kundër institucioneve më vonë, por nuk ka të bëjë fare me luftën për çlirimin e vendit”,- tha Rama. Veç kësaj bashkia e Tiranës ka bërë edhe njoftime publike në media për organizimin e festimeve për 29 nëtorin përfshi edhe koncerte në shesh.
Administrata
Si për të provuar se data 29 është fshirë nga festat zyrtare, Kryeministri ka urdhëruar që më datë 29 nëntor e gjithë Administrata të jetë në punë. Ky urdhër përbën një shkelje flagrante të ligjit, i cili thotë se: “Ditët e festave zyrtare nuk punohet dhe angazhimi i organeve të shtetit në ceremoni i jep festës një natyrë solemne”. Sipas ligjit, 29 nëntori është festë zyrtare dhe si e tillë është ditë pushimi(24 ore online)