Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, tetor 10, 2005

Xhevat Halili, Përmbledhje përkthimesh, Tetovë, 2005

PARATHËNIE

Rizbulimi i përkthyesit

Janë bërë disa dekada që kur ndër gazeta ditor e javore, ndër revista letrare e profesoionale dhe madje ndër sigla televizive, kur më dendur e kur më rrallë, lexojmë emrin e përkthyesit të përkushtuar Xhevat Halili.

Duke përkthyer vepra gjinish e zhanresh të ndryshme (poezi, prozë, ese, emisione dokumentare, biografi, kritikë, memoare historike etj.,) ai njëkohësisht kishte përkthyer krijues më pak apo më shumë të njohur, si: Victor Hygo, Charles Baudelaire, Jacques Rabemananjara, Jean Cocteau, Paul Eluard, Paul Dakyo, Mukala Kadima, Jose Saramgo, Nicole Cage, Raymond Jean, Marguerite Yoursenar, Nicolas Bouvire, Ibrahim Seid, Roland Barthes, Georges Niva, Alan Bosquet etj., dhe vepra apo fragmente të tyre, po kaq të lakmuara si: Lypësi, I hueji, Anija e bukur, Ty Francë, Vdekja dashuria jote, Kau, Bir shprese, Afrika, Arti poetik, Qumshti i vdekjes, Avganistani, Ta dëgjojmë Janis Ricosin, Letërsia dhe metaligjërimi, Ballkani, lufta dhe mallkimi, Korrespondenca e poetëve të mëdhenj, por pa ndonjë synim që ndokë nga këta t’i përmblidhte në vëllime të veçanta, sikur vepronin disa nga përkthyesit e tjerë, të cilët përpiqeshin të vinin mbrenda kopertinave përkthimet e tyre posa krijonin dosjen e parë. Në këtë prizmë, angazhimi i Xhevat Halilit në fushë të përkthimit më parë se një përpjekje serioze dhe e përkushtuar ngjante në një aventurë sprovash, kërkesash profesionale e synimesh për të ardhmen.

I përshkoqur në përkthime, vlerësime dhe studime, ndër fusha të shumta të dijes, por i përqendruar kryesisht në traditën letrare frankofone të shumë shteteve dhe madje jo vetëm të tyre (Madagaskar, Egjipt, Kamerun, Zaire, Senegal, Martinikë, Kongo, SHBA, Portugali, Zvicër, Çad etj.,) për një kohë lexuesi i zakonshëm vështirë të besonte se ky përkthyes me prurje të veçanta (stilistike e estetike) një ditë do të gjente një koncept, brenda strukturës së të cilit, këto shkrime do t’i përmblidhte në vëllime më vete.

Sprova e parë, me librin Perkoqisje letrare[1], ku qenë përfshirë kryesisht artikujt letrarë e estetikë, qe pritur mirë nga lexuesi dhe kritika, prandaj si duket kjo qe një përvojë e mirë, prej të cilës autori mësoi shumë në përgatitjen e vëllimit të dytë Përmbledhje përkthimesh, ndonëse si vëllim është shumë më heterogjen.

Vepra ka një strukturë, siç u tha, heterogjene dhe përfshinë përkthime eksluzive nga tradita shqiptare (siç është parashtresa e Faik Konicës), artikuj të një tërësie nën siglën “Të huajt për ne” (për historinë shqiptare në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX), si dhe për lëvizjet kulturore, politike dhe madje ushtarake botërore të fundit të shekullit XX, portrete prijësish politikë e ushtarakë të disa prej personaliteteve udhëheqëse që nxorën disa nga popujt e Lindjes gjatë përmbysjes së Perandorisë së madhe sovjetike, si dhe mbyllet me një numër dukshëm të madh reportazhesh e artikujsh të shkencës së popullarizuar për florën dhe faunën.

Sprovë e një historie të mendimit kritik shqiptar

Ky vëllim hapet me një tekst emblematik të Faik Konicës, Parashtresa mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare[2], të cilin Xhevat Halili ia afroi lexuesit shqiptar të përkthyer në gjuhën shqipe në të njëjtën kohë kur shumë studiues guxuan të flasin hapur për të dhe ekzistencën e këtij dorëshkrimi. Fjala është për një ekzemplar të veçantë të historisë së mendimit politik shqiptar.

Parashtresa e tij ndahet në pesë pjesë dhe përfshinë periudhën sikur thuhet nga fillimi deri në vitin 1899, për ta mbyllur me një “Listë alfabetike të të gjithë shqiptarëve që drejtpërdrejt ose tërthorazi përfshihen në Lëvizje, - siç thotë Konica.

Janë një varg problemesh themelore të Lëvizjes Kombëtare, të cilat Konica i ka diskutuar më shumë apo më pak, si: tradita e shkrimit të gjuhës shqipe, fillimi i botimit të abetareve nga Naum Veqilharxhi, fillimi i studimeve albanologjike të Hahnit dhe pengesat e kishës greke për përhapjen e librit shqip, përpjekjet e panjohura deri më tash të Hoxha Tahsinit dhe ato të identifikuara si përpjekje iluministe dhe politike të vëllezërve Frashëri, kontradiktat fetare, ekonomike, klanore dhe personale të diasporës shqiptare sidomos në Rumani e Greqi, ndërhyrjet e politikës greke, ruse, sllave e turke në disa drejtime gjatë lëvizjes etj.

Në tekstin e tij Konica hapësirë të gjerë i kushton ndërhyrjeve të pashembullta të diplomacisë ruse e serbe në diasporën shqiptare. Njohuritë e Konicës për Lëvizjen Kombëtare në këtë diasporë dhe jo vetëm të saj janë jashtëzakonisht të thella dhe përimtuese. Mbrenda kësaj Lëvizjeje përshkruhet edhe përpjekja e tij për të botuar dhe sidomos shpërndarë revistën e tij, më të mirën deri më sot, “Albania”, historia e të cilës del të jetë një dritëhedhëse e gjendjes politike, kulturore, ekonomike, religjioze, dhe përtej tyre, etnopsikologjike dhe kombëtare e popullit shqiptar.

“Thënë shkurt, - shkruan Faik Konica - në kokat shqiptare vlon mendimi që po mugullon, mirëpo ky mendim nuk është as gjithaq i moçëm, as gjithaq i fortë që mund t’i vinte në veprim. (...) Populli shqiptar është mjaft i zgjuar dhe kupton, mirëpo duhet pasur në konsideratë faktin se në këtë drejtim nuk është ndërmarrë asgjë me qëllim që t’i shpjegohet diçka. Në mes shqiptarëve të Veriut që nuk dijnë të lexojnë dhe atyre të Jugut që janë besë-pakë dhe që kudo shohin kurthe, propaganduesi mund të ecë vetëm ndërmjet mijëra pengesash”.

Njërën prej pjesëve më interesant të kësaj skice të historisë së Lëvizjes Kombëtare, e përbën “Lista alfabetike e atdhetarëve kryesorë ose që pandeheshin të tillë”, e cila hapet me Abedin Pashën, ish-ministër i Punëve të Jashtme i Perandorisë Osmane, për të cilin Konica përfundon: “atdhetar i mirë, por i rezervuar”, dhe vazhdon me të dhëna kryesisht të shkurtra për personalitete të tjera, kryesisht të shoqëruarar me të dhëna të përgjithshme dhe me cilësime të cilat dinte t’i bënte vetëm Faik Konica: Alo Bej, Ahmet Babá, Akif Beu ‘patriot hove-hove’, Dervish Beu, Nikollas Duçi, Visarion Dodoni, Demir Bej Peqini, Daut Sheh Bektashiu, Daut Shaqir Aga, Duro Herkuli, Daut Shehu ‘ka ndjenja patriotike’, Ilo Dhimitri, Jonuz aga ‘patriot nga Shkupi. Ka ndikim. Nuk di lexim’, Ismail Pashë Elbasani, Sotir Kolea, Xhafer Luarasi, Pandeli Evangjeli, Jashar Beu Gostivari, Hamdi Beu, Halit be Berzeshta, Mid’hat Frashëri: bir i Avdyl Beut, Mehdi Bej Frashëri, Naim Beu: ‘atdhetar i zjarrtë (...) ‘përherë ka thënë fjalë të mira për Austrinë’; Sami beu: ‘këshilltar shtetëror, vëllau i Naimit, por jo aq patriot sa ky’; Spiro Dine, Ismail Pashë Elbasani, Isuf Ali beiu, Mihail Kirica ‘shqiptaro-vllah, njëri nga shqiptarët e njohur të Bukureshtit, është partizan i tërbuar i Greqisë’, Sotir Kolea, Dude Karbunara ‘hiqet patriot’, Xhafer bej Luarasi, Mahmut pashë Elbasani, Mehmed Ali Pashë Delvina, Naum Kristaqi, Filip Shiroka ‘shkrimtari më i mirë shqiptar që kemi’, Murat bej Toptani, Jani Vreto ‘gjysmë i marrë’, Xhemajl pasha Zogoli (babai i Ahmet Zogut) ‘patriot i mirë por nuk e kupton rëndësinë e shkollës’ etj. Vlerësime të tilla deri më sot për shumë pjesëtarë të Lëvizjes kombëtare nuk kemi lexuar jo vetëm në artikujt e botuar në shtypin e kohës por edhe në botimet e vëllimshme për ta.

Në epistemiologjinë shqiptare nuk kanë munguar mendimet për probleme nga më të ndryshmet në fushë të historisë, kulturës, gjuhës, traditës, lëvizjes politike etj., por kësaj antologjie për një kohë të gjatë i ka munguar një traktat kritik i mendimit politik dhe sociologjik shqiptar. I mbajtur për një kohë të gjatë në dosjet diplomatike austriake ky tekst do të sheh dritën rreth një shekull më vonë. Faik Konica, për të cilin dinim se kishte shkruar kaq shumë tekste për gjuhën, letërsinë, kulturën, politikën, Shqipërinë, kolonitë shqiptare, shkrimtarët dhe patriotët shqiptarë dhe sidomos për Faik Konicën, për të cilin dinim se kishte bërë shumë polemika me disa qindra shkrues, nuk e dinim se po ky Konicë paska shkruar traktatin kritik të Lëvizjes politike, mendore, ekonomike, fetare, kulturore etj., dhe këtë madje e paska bërë për njërin prej shteteve më me ndikim të politikës evropiane.

Historia e popullit shqiptar, historia e letërsisë, historia e përpjekjeve për standardizimin e ortografisë së gjuhës shqipe, historia e publicistikës shqiptare, historia e letërkëmbimit, e shkruar dhe e botuar kryesisht gjatë shekullit XX, na kishte sjellë mjaft të dhëna, kryesisht të cilësuara nga skajshmëria e vlerësimit të periudhave historike dhe sidomos e personaliteteve të caktuara, por këto vepra dhe këto periudha asnjëherë nuk ishin vlerësuar në përqasje edhe me disa paradigma personale dhe etnopsikologjike të bartësve të tyre, aq më pak të periudhave historike që iu kishin takuar. Me gjithë monografitë e shumta për personalitetet, kryesisht heronj të glorifikuar për aktin e sakrificës por të heshtur për jetën e tyre, dhe me gjithë përmbledhjet e shumta të dokumenteve të redaktuara deri në shëmti, dija jonë për një sintezë kritike të historisë kombëtare ka qenë e mangët përgjithësisht. Nuk e dinim ndërkaq se një sintezë e tillë kishte qenë por nuk e kishim vënë re. E dinim ndërkaq se Faik Konica ishte intelektiual i madh i mendimit politik shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, e dinim se ishte personalitet me prirje të veçanta kulturore, me një dhunti të veçantë në mësimin e gjuhëve klasike dhe moderne, e dinim se shkrimet e tij pushtoheshin prej prirjes së tij prej polemisti të hollë e thumbues, por përtej të gjitha këtyre nuk e dinin se ai ishte i prirë për të sfiduar konceptet vetjake e të bashkëkohësve të tij, në jetën kulturore dhe politike. Sigurisht për shkak se dinim shumë dhunti të tij, por të interpretuara me koncepte të skajshme, do të duhet shumë kohë që të kuptojmë mendimet e tij dhe sidomos gjykimet kritike të tij. Kështu, kontradiktat në autobiologjinë e tij personale me bashkëkohësit e tij, e kanë bërë të pakuptueshëm shpesh në kohën e tij dhe ndoshta edhe në kohën tonë.

Të tjerët për ne: historia dhe bashkëkohësia

Për lexuesit e këtij vëllimi me përkthime pa kaq të rëndësishme janë edhe artikujt për ngjarje të caktuara të historisë kombëtare, si: shënimet e udhëtimit në Veri të Shqipërisë, të shtegtarit Leon Ygone, persiatjet e të cilit janë shumë të rëndësishme për etnografinë, gjeografinë, historinë dhe madje etnopsikologjinë shqiptare, për qëndrimin e Evropës ndaj tyre[3] etj. Është mjaft interesant vlerësimi dhe dëshmia e diplomatit frances Zhozef dë Fontënë për Shqipërinë e vitit 1914[4], që në të vërtetë është njëra prej epokave më të errta dhe më kontradiktore në jetën politike shqiptare. Shënimet e tij thonë shumë, ato plotësojnë mendimin politik të historisë kombëtare në rrjedhë të konteksteve të diplomacisë ndërkombëtare dhe sidomos evropiane, për të cilën fatkeqësisht ende na mungon jo vetëm një mendim kritik por edhe një dije bazë për situatat apo kthesat më të rëndësishme të historisë kombëtare.

Ndonëse të historisë më të re të popullit shqiptar artikujt për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni, janë pjesë e koncepteve që shtegtarët (udhëpërshkruesit, gazetarët, diplomatët etj.), kanë vazhduar të krijojnë për shqiptarët, kryesisht në zonat anësore të trojeve tona. Fjala është për artikujt “Në mes të integrimit dhe iredentizmit, pakica kombëtare shqiptare është strumbullar i stabilitetit në Maqedoni”[5] dhe “Maqedonia”[6], por edhe Seli Bekër – engjëlli i Ballkanit”, në të cilët sillet një pasqyrë e pasur e përpjekjes së shqiptarëve për të përplotësuar interersat e tyre arsimore, kulturore dhe politike në rrjedhë të ndërtimit të shtetit të Maqedonisë, dhe përpjekjen e shqiptarëve që edhe në rrethana krejt të tjera të ndërtojnë imazhin e Evropës Perëndimore në ambientet e tyre urbaqne dhe rurale. Artikujt e kësaj natyre janë analiza të thella historike, socilae, kulturiore dhe psikologjike për shqiptarët dhe maqedonët, për dallimet esenciale dhe për mundësitë e bashkëpunimit, për afritë politike dhe për ndarjet historike, për kufijt e qytetërimit dhe synimet e tyre shtetrore, etnike e politike.

Dy nga artikujt e këtij vëllimi janë tekste të fushës së letërsisë. Teksti i parë “Nuk do të shkruaj më poezi”[7] është një bisedë e gazetares Klodinë Helft me shkrimtarin Ismail Kadare, e cila më parë se sa për diskutimet për poezinë, apo poemën sikur insistohet, të bënë përshtypjet për pyetjet tepër të padenja të gazetares, në stilin: “Shqipja, nuk shkruhet me alfabet cirilik?. Është shumë e kuptueshme të pyesësh Kadarenë për ndikimet e letërsisë greke dhe për vlerësimet e tij ndaj kësaj tradite letrare madje në kontekst të traditës letrare etnokulturore shqiptare, sepse ky autor ka dhënë kontribute me interes për pamjen përafruese të këtyre dy popujve fqinjë, por ta pyesësh për grafinë sllave të gjuhës shqipe kjo s’është tjetër veç se një provokim i pamoralshëm në jetën kulturore dhe shkencore. I kësaj natyre është edhe recensioni i gazetares Mari –Fransuazë Allain për romanin e Dritëro Agollit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”[8]. Autorja këtë vepër e konsideron një zbulim, e cila është shkruar jashtë rregullave të një letërsi të censuaruar në formën më të ashpër ndër shtetet e Lindjes, që në vitin 1972. “Si ka mundur kështu autori që tashmë shtatëmbëdhjetë vjetë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, të shkruajë një satirë kaq të ashpër për një regjim, për një sistem, pa u “brengos”? - pyet autorja e këtij teksti, e cila sjell mjaft arritje estetike dhe letrare të kësaj vepre në kontekst të përdallimeve të saj me vlerat ideore dhe estetike të letërsisë shqiptare të kohës. Po këtu do të mund të vendosen edhe përpjekjet dhe peripetitë që i dalin regjisorit Atiq Rahimi për të xhiruar një film në atdheun e tij, në Afganistan[9]. Fjala është për një histori të trishtë ku gërshetohet fati individit dhe i popullit të tij, në një ndërlidhje edhe më të ashpër me punën e tij prej krijuesi, në një fushë komplekse të arit dhe të kulturës. Një kronikë shembullore ku gërshetohet kujtesa dhe e sotmja, imagjinarja dhe realja, fati dhe fatkeqësia njëkohësisht.

Një gjetje interesante më duket edhe biseda me fituesin e Kurorës së Strugës, për poezi spanjollin Grasa Mura, i cili në intervistën e tij, më shumë se krijues na del një zgjedhje politike e interesave largvajtëse maqedone. Është një shembull i mirë se si duhet të përfitojmë edhe ne nga pasuria natyrore etno-gjeografike dhe kulturore për të fituar imazhin e referencave të kulturës botërore në interes të qëllimeve më sublime të kombit shqiptar. Po kështu mund të thuhet edhe për portret që bëhet përmes një dialogu brilant me Bernard Kushnerin[10], në fund të misionit të tij të suksesshëm në Kosovë.

Rilindja postkomuniste e Lëvizjeve kombëtatre

Një cikël të rëndësishëm të artikujve të përkthyer, në këtë vepër përbëjnë ata për ‘heronjtë’ postkomunistë të shpërbërjes së Perandorisë Sovjetike. Fjala është për portrete të bartësve të kryengritjeve antiruse të disa prej udhëheqsve më me ndikim madje jo vetëm në Lindjen e Mesme dhe të Largët. Tekstet hulumtuese, vlerësuese dhe sintetizuese, e të shkruara me përkushtim dhe dhunti: “Dilemat e kahershme të diplomacisë franceze”[11], si: “Basaevi i ditur dhe gjakatar”[12], “Kush është Xhohar Dudaevi”, “Çeçenia pas vrasjes së Aslan Maskhadovit”[13], “Mayrbek Vaçagaev, një çeçen në Paris”[14] etj., janë artikuj emblematikë në epistemiologjinë e këtij vëllimi.

Mbrenda një artikulli autori ia arrinë që të bëjë një sintezë perimtuese për misionin e Dudaevit, duke përfshirë këtu: anën fizike e psikologjike të tij, kontekstin historik dhe nacional të heroit të Çeçenisë, përvojën e tij ushtarake në ushtrinë sovjetike, ballafaqimin me Boris Jelcinin, pra puçin e gushtit, trashëgiminë patriotike dhe lojën diplomatike të tij, ‘qëndrimin vertikal’ gjatë bombardimeve ruse, idealin liridashës të tij dhe përpjekjet politike e ushtarake të Moskës për gjunjëzimin e tij, negociatat me Çernomirdinin, konceptet politike dhe ushtarake të tij, referencat politike dhe historike të idealeve të tij etj. Përpjekjet e tij kanë qenë dhe kujtoj do të bëhen shembull i idealistëve të shumë popujve të vegjël.

Po kështu mund të thuhet edhe për profilin e Basaevit: ‘armiku numër një i Rusisë’, konflikti me Kremlinin, konceptet politike të tij për një luftë antikoloniale, përqasjet fetare islamike, dhe sidomos mjeshtria e tij për të përdorur drejt e saktë shpatën e pendën, shpirtin e tij prej krijuesi dhe krenarinë e tij prej malësori. Ai është udhëheqës me përmasa të gjera të ndikimit politik dhe ushtarak, drejtues që u është nështruar fakteve historike dhe intelektual me vetëdije historike, udhëheqës që ka marrë mbi vete detyra për të përmirësuar historinë e dy shekujve të fundit.

Aventurat e bimëve

Vite më parë kemi mundur të shohim një cikël dokumentarësh televiziv për bimët dhe shtazët. Nuk e kemi besuar se tekstet që përcillnin këtë dokumentar mund të lexoheshin kështu, madje edhe artistikisht, sikur mund të lexohen në këtë vëllim. Historia e jetës së tyre, shtrirja gjeografike, marrëdhëniet dhe ndërvarësia e tyre me botën tjetër etj., përbëjnë pjesën më të madhe të këtij libri. Çështë e vërteta tema e kësaj natyre i ka munguar publicistikës shkencore, mos të flasim pastaj për forma më të avansuara të saj. Me vite kemi mundur të lexojmë dhe të mësojmë botën e shtazëve dhe të bimëve vetëm në formë deskriptive dhe madje skolastike, pa mundur që të dimë edhe gjëra që paraprakisht na duken margjinale, por që na ofrojnë.

Serisë së aventurave të bimëve iu paraprinë tregimi për algat dhe evolucionin e tyre. Duke rrëfyer mënyrën e evolucionit të bimëve, sikur thuhet në fillim të këtij fejtoni, do të udhëtohet në vise të ndryshme të botës: Afrikë, Senegal, Bregu i Fildishtë, Kanarie, Amerikë Jugore, Rio Negro (Argjentinë), Pllaja të larta të Tibetit, Meksikë, Arizonë, Amerikë, Indonezi, pyje të Tajlandës, male të Kalifornisë etj. Kërkimet në botën e bimëve nuk janë si kërkimet në botën e shtazëve dhe sidomos të njerëzve. Fshehtësia e tyre buron jo prej botës anësore, po prej rezonancës së brendshme. Edhe gjurmuesit me mjete më të sofistikuara do t’i duhet shumë kohë për të identifikuar reagimet e tyre, evoluimet, përhapjen gjeografike, strukturën e brendshme të tyre etj.

Një ekip tjetër ka bërë kërkime në mbretërinë e myshqeve dhe të fierit duke udhëtuar lart në pllajat e larta të Kolumbisë. Udhëtimi i tyre, më parë se për një tregim deskriptiv, përshkohet përmes stilit letrar e jo bisedor apo shkencor.

“Në këtë konteiner ajëror në këtë “kapsulë hapësionre” gjenden të mbyllura bebet – myshqe ... të aftë që të mugullojnë nëse ajo i liron!... Tani ja se ç’duhet të bëhet. Falë ndryshimeve të lagështisë së ambientit, fija do të përdridhet, të fryhet dhe më në fund të çelet, kësula do të bjerë dhe do të lirohen bebet-myshqe. Hop! ... u bë dhe ja e dyta ... e treta! ... dhe ja mallëngjyesja: “kutitë’ me bebe- myshqe (myshqe të reja), i çelin dhëmbët të cilët i hap lagështia dhe që përmbajnë ... e dini çka?”.

Fjala është për një përshkrim që më shumë se një pamje e thjeshtë është një art më vete. Një përvojë letrare, të cilin përkthyesi e bart nga përkthimi artistik në përkthimin shkencor. Kështu, leximi i shkencës së popullarizuar tash, falë përkthimit të suksesshëm kalon nga leximi deskriptiv në lexim estetik. Një dialog me vetë bimën dhe fenomenin e rritës e të zhvillimit të saj, me botën që e rrethon dhe reagimet ndaj saj. Po kështu mund të thuhet edhe për ovulat dhe farën, të cilat hyjnë në epokën e zbulimeve të mëdha; për kanarinën dhe lulen e ‘kaktusit’ paraqitja e të cilave është një dramë më vete; për pllenimin e luleve, të përcjella me një fjalor shembullor frazeologjik; për ballon e shpezëve dhe të lakuriqëve në Senegal, Bregun e Fildisht e në Amerikën Jugore; për marrëveshjen e insekteve dhe për pamundësinë e tyre që të jetojnë pa bimët apo anasjelltas në Mansus të Brazilit; për kopshtin botanik, më të lartin në botë, i cili gjendet rrëzë Himalajeve të Kinës; për ‘mbrojtjen e nënës dhe të fëmijës’ në botën e bimëve; për shtatzënësinë e luleve; për orkidenë; për principin e martesës së bimëve me insekte etj.

Veçori e kësaj serie është niveli shumë domethënës i përkthimit, angazhimi për çdo paragraf, për çdo fjali dhe madje për çdo fjalë. Si edhe më parë, por këtu në mënyrë të veçantë në këtë pjesë të librit Xhevat Halili do të dallohet për leksikun e pasur dhe fjalinë e çliruar prej dogmave të deskriptivizmit. Prandaj kalimi nga stili shkencor në stilin letrar dhe madje foljor e dialogues pa frikën e lëndimit të lexuesit si studiues, si kërkues dhe si nxënës i dijes së përgjithshme është lakmues.

E konceptuar kështu, vepra e Xhavit Halilit nuk pretendon ndonjë strukturë të veçantë në jetën tonë kulturore dhe shkencore, ajo dëshmon thjeshtë vetëm një përvojë të gjatë kohore të përkthimit të këtyre teksteve e cila mund të ndihmojë në shumë aspekte: si përkthim, si njohje dhe si popullarizim. Në qoftëse pjesa e parë, e përbërë prej teksteve historike mund të konsiderohet edhe si një ndihmesë për historinë kombëtare, pjesa e dytë për nga motivi e lidhur ngusht me Lëvizjet kombëtare të popujve të vegjël, pra edhe të popullit shqiptar, sjell një pjesë të figurave emblematike të kohës së re, ndërkaq pjesa e tretë do sjellë një temë të pasur të shkencës së popullarizuar duke e bërë këtë jo vetëm si shkencë, por edhe si art të saj.

Prishtinë, qershor 2005 Prof. as. dr. Begzad Baliu



[1] Perkoqisje letrare (Përkthime nga letërsia frankofone), Shtëpia botuese “Çabej”, ISBN: 9989-150-16-8, Tetovë, 2004, f. 283

[2] Sipas Prof. dr. Jup Kastratit, Faik Konica (monografi), New York, 1995, f. 131-136, për ekzistencën e këtij dorëshkrimi së pari dinte Hasan Kaleshi, i cili në studimin Faik Konitza dhe marrëdhëniet e tij me Austro-Hungarinë (1976), e konsideron shumë të rëndësishme botimin e tij. Në vitin 1991 Kristo Frashëri gjithashtu njofton për ekzistimin e këtij dorëshkrimi, ndërsa në të njëjtin vit Sabri Hamiti e botoi të përkthyer nga frëngjishtja, të cilit i referohet edhe Profesor Kastrati (Shih Sabri Hamiti, Parashtresa mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, “Ora”, nr. 17-20, Prishtinë, 1991; Faik Konica: Jam unë, “Rilindja, Prishtinë, 1991; rib. Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë, Onufri, Tiranë, 1994. Jup Kastrati këtë njësi bibliografike nuk e kishte përfshirë në Bibliografinë e Faik Konicës (shih Jup Kastrati, Bibliogrtafi albanistike 1, Era, Prishtinë, 2001, f.123-172).

[3] “L’illustration Journal Universal”, Paris, janar 1881. Në këtë revistë, sipas përkthyesit ka botuar edhe Dora d’Istria.

[4] Marrë nga arkivat e Quai d’Orsay, (Ministria e Punëve të jashtme të Francës), “Liberation, 15 gusht 2001.

[5] Flirence Hartmann, “Le Mond”, 21. 03. 1996.

[6] Serge Michel, Macedonia, “Largueur.com” rubriuka GLOCAL, 22 mars 2001.

[7] “Sot Poema”(Gazetë për informime dhe aktualitete poetike), nr. 33, shtator 2002

[8] Mari –Fransuazë Allain, Shqipëria pa dantella, “Le monde diplomatique”, 30 korrik 1990.

[9] Florence Colombain, “Le Monde”, 6 janar 2005.

[10] Roland Mihail-Antonie Silber, “Expres”, 9.01.2003

[11] Daniel Verne, “Le Mond”, shtator 2003.

[12] Natalie Nougayrede, “Le Mond”, 17. 02, 2005.

[13] Martine Jacot et Guillaume Pélissier-Combescure, “Le Monde”, 10 mars 2005.

[14] Mari – Pierre Subtil, “Le Monde”, 18 mars 2005.