Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, tetor 10, 2005

Recension

Një shqiptim i lirshëm i luftës

Gëzim Ajgeraj: ”Rruga e lirisë”, dramë, botoi, Meshari, Prishtinë, 2001

ILJAZ PROKSHI

S’ka dyshim se Gëzim Ajgeraj është njëri prej krijuesve më talent të letërsisë shqipe në Kosovë. Gjer më tani ka botuar 6 vëllime me poezi për të rritur, një për fëmijë, një libër nga folkloristika (bashkautor), si dhe një monografi për jetën dhe veprën e luftëtarit, dëshmorit të kombit, Xhevat Berisha.

Kësaj here autori boton dramën me titull “Ruga e lirisë”, që është një zhanër mjaft i vështirë i letërsisë. Ndërkaq, për dramën e tij ai është motivuar nga lufta e UÇK-së dhe heroizmin e luftëtarëve gjer në sakrificën e tyre për liri. Në tri aktet e kësaj drame janë dhënë ngjarje reale brenda një familjeje, ku tërë jeta e tyre bëhet sinonim i luftës, të cilën autori me përmbajtje dhe kontroll të vetëdijshme, duke përshkruar takimet e luftëtarëve me Loken dhe veprimet e tyre përbëjnë boshtin kryesor të dramës. Përveç kësaj, autori të gjitha ngjarjet i vështron në mënyrë konvencionale, duke treguar njëherësh karakterin e luftës, qenësinë e luftëtarëve brenda të cilëve mbretëron një atmosferë e denjë njerëzore, ku dhe vetë dramaciteti i ngjarjeve bëhet ekuivalent subjektiv i kohës së luftës. Autori ka qenë plotësisht i vetëdijshëm se në dramë ngjarjet kundrohen paksa më ndryshe, andaj shpeshherë, në disa skena sikur bie në “kurth” të perceptimeve të tjera, kundrejt atyre që kërkon vetë drama si gjini letrare. Prandaj disa skenave që të përkujtojë tatëpjetat apo ngritjet e stërmadhuara u ikën me mjeshtri për të paraqitur më tej frymën heroike, përgatitjen dhe sfidën e familjeve shqiptare të anës së Vërrinit të Prizrenit për sakrificë gjer në fund, me të vetmin qëllim për të fituar lirinë. Pra, çështje themelore në këtë dramë, që shquan autori, është ajo se ka parë që djemtë e lirisë me vetë popullin janë të gatshëm të përballen me armikun pa marrë parasysh humbjet. Lokja si një prej vetave të kësaj drame paraqet fytyrën e nënës shqiptare, që përkrah dhe ndihmon moralisht dhe materialisht luftëtarët. Kontaket e saj me Komandantin, Agimin, Samiun e të tjerë, kanë të bëjnë me virtytet si nënë dhe gatishmërinë e saj për të vepruar. Kjo është një vlerë e lartë morale e traditës shqiptare, që jepet përmes dialogeve të Lokes me luftëtarët, që nuk zhvillohet për të treguar mënyrën formale të dramës, por karakterin dhe frymën e përbashkët për luftën si qëllim, që të arrihet synimi i caktuar. Bota dramatike që është prezente në fushëbetejat e UÇK-së është e ndërlikuar, aq edhe e qartë dhe kuptimplote, duke përshkruar ato situata ashtu siç janë dhe pa improvizuar asgjë, e që shpie nga e vërteta, e cila gjithnjë e më tepër po bëhet universale. Drama “Rruga e lirisë” është një dramë origjinale, sepse ngjarjet që përjetohen në të janë ngjarje pa ndonjë ngarkesë dhe s’kanë të bëjnë me paradokse si në disa drama të tjera. Tërë dramën e përshkon një skenë e hapur, ku autori vë përballë personazhet pa konflikt me njëri-tjetrin, edhe pse janë të kategorive të ndryshme. Lufta në linjën vdekje – pavdekësi merr konotacion sa tronditës, aq edhe krenar. Populli lëëshon vatrat pse armiku i djeg shtëpitë e tyre, por akti i qëndresës së tyre në këtë dramë jepet si një trup unik, të barabartë, të cilët s’mendojnë për ndonjë alternativë tjetër përveç asaj të drejtës madhore, fitoren për lirinë e Kosovës. Megjithatë, autori ka nevojë ta njohë edhe më tepër dramën, kompleksitetin e saj, ndërlikueshmërinë e jetës, për të zbuluar më lehtë të gjitha fshehtësitë psikologjike të njeriut, sepse në këtë mënyrë drama bëhet më artistike dhe origjinale. Drama shquhet për një gjuhë dhe stil të rrjedhshëm, dhe mbi të gjitha imazhin e luftëtarit dhe të njeriut të thjeshtë, që veprojnë bashkërisht për të luftuar dhe ndryshuar jetën, që vetë jeta të marrë karakter tjetër filozofik.