Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e mërkurë, tetor 12, 2005

Recension

Flori Bruqi

Fatos Kongoli "Te porta e shën Pjetrit

Romane

Te porta e shën Pjetrit - Romane nga Fatos Kongoli Dy histori dashurie të ndërprera verbërisht. Kufoma e braktisur e një të riu. Një inspektor i ndjekjes së krimeve në kërkim të vrasësve. I ndërtuar si ndërthurje e këtyre linjave, me personazhe të mjediseve nga më të ndryshmet, kryeqytetase dhe periferike, intelektuale apo mafioze, etj., ky roman i ri i Fatos Kongolit, zhytet në realitetin e sotëm shqiptar, ku gjëmat nuk habisin askënd.

Pas pesë romaneve të ciklit "Burgjet e kujtesës" ( "I humburi", "Kufoma", "Dragoi i fildishtë", "Ëndrra e Damokleut" dhe "Lëkura e qenit") që e futën autorin në klubin e elitës së letrave shqipe, Kongoli befason përsëri më këtë libër të jashtëzakonshëm "Te porta e shën Pjetrit". Është një roman që mungonte. Lexuesit do të gjejnë shumëçka në faqet e këtij libri tronditës, ngjizur me dhimbje dhe keqardhje për degradimin e pabesueshëm të një shoqërie, që përpiqet dëshpërueshëm të çlirohet nga demonët e saj. Por, a do të arrijë të çlirohet?

Fragment nga romani i fundit i Fatos Kongolit "Te porta e shën Pjetrit"

… U ula pranë tij. Ai më pyeti nëse dëshiroja të pija pak uiski me të dhë unë iu përgjigja jo, nuk i përdorja pijet alkoolike. Bosi nuk më detyroi të pija. Në vend të kësaj më kërkoi të ngrihesha në këmbë, të qëndroja përpara tij, dhe unë u ngrita, qëndrova në këmbë përpara tij. Ai më kërkoi të zhvishesha dhe unë zura të zhvishesha duke I hedhur rrobat te këmbët e mia, derisa mbeta lakuriq. Ai e mbushi edhe një herë gotën e uiskit dhe zuri të më vështronte në heshtje. Pinte uiski dhe vetëm më vështronte. Pastaj mbërriti çasti I tmerrshëm kur më kërkoi të ulesha në prehërin e tij, siç më kishte kërkuar dikur im atë. U ula. Ai më mori erë, gjatë, të thuash se nuk gjente të ngopur me aromën e trupit tim. Zhyti fytyrën te gjinjët, më thithi thëmthat, filloi të më puthte, të më kafshonte, të më shtrëngonte fort. Një shkëndijë që më xixëlliu në errësirën e trurit për t’iu shkëputur, u shua. Nuk munda të bëja gjë tjetër veç të mbyllja sytë, të zhytesha thellë në terrin tim e ta lëshoja veten në duart e tij, duke pritur çastin e zhvirgjërimit…

Mbi Autorin:
Fatos Kongoli, lindur në Elbasan më 1944, ka studiuar për matematikë. Pjesërisht në Pekin, pjesërisht në Tiranë, ku është diplomuar në vitin 1967. Ka punuar një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpnë Botuese “Naim Frashëri”. Është autor i një vargu librash. Shquhen sidomos romanet e tij, të vlerësuar nga lexuesi shqiptar dhe i huaj. Librat e Fatos Kongolit janë botuar në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani e Sllovaki me jehonë nga disa nga gazetat dhe dhe revistat më të njohura evropiane si “Le Monde”, “Le Figaro”, “La Stampa”, “Le Temps”, “Le Soir”, “L’Express”, “Magazine Litteraire”, “Der Tagesspiegel”, etj. Është tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë dhënë nga Ministria e Kulturës (1995, 2000, 2002), si dhe çmimit Velia (2000). Është fitues i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri “Penda e Artë” ( 2004).