Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, tetor 10, 2005

Recension

Behare Rexhepi, Në kërkim të dashurisë, Prishtinë, 2005.

Në letërsinë shqipe janë disa tema të cilat përsëriten nga njëra kohë në tjetrën dhe nga njëri autor tek tjetri. Tema e kërkimit të dashurisë, e ëndërrimit dhe e jetësimit të saj, është njëra prej përvojave letrare në letërsinë shqipe, jo për të rrënuar konceptin e paraqitjes, por për të përplotësuar atë me ndjeshmëri të tjera që sjellin rrethanat e reja. Brezi i autores së këtij romani ende kujton nostalgjinë e leximit të romaneve "Lulja e kujtimit", "Gremina e dashurisë", "Sikur t'isha djalë" etj.

Romani Në kërkim të dashurisë, i autores Behare Rexhepi është ndërtuar pikërisht mbi ato koncepte letrare të cilat i kemi njohur që më parë, por sigurisht është plotësuar edhe me përvoja të reja të këtij tipi të shkrimit romanor, me personazhe e struktura të reja ndërtimi e rrëfimi, të cilat e bëjnë esencën formësore dhe përmbajtësore të këtij romani. Derisa në njërën anë mungon pesimizmi i papërmbajtur, një veçori kjo e prozave të mëhershme të këtij lloji, në këtë tekst letrar është mjaft i pranishëm sentimentalizmi, si një formë e zhvillimit të situatave të brendshme estetike-narrative.

Romani Në kërkim të dashurisë, është një përpjekje që përmes një strukture narrative të sjellë artistikisht atë që e bënë përditshmërinë e një gjenerate gjimnazistësh të qytetit të Prizrenit me të gjitha preokupimet: gjinore, të dashurisë, mësimit, drogës e kriminalizimit, të jetuar nga një brez adoleshentësh të sotëm.

Besa, një vajzë e urtë dhe e bukur si zana, nxënëse e gjimnazit, dashurohet pothuajse rastësisht në sytë e Agronit, gjithashtu një gjimnazist i urtë dhe i sjellshëm i këtij qyteti. Është një rrugë e gjatë e kërkimit fiktiv deri në realitet artistik. Si zakonisht në këso situatash, përballë dashurisë, në këtë meskohë, gjithësesi dalin demonët dhe më këtë zhanër të shkrimit narratori na sjell disa shtresime të mendësisë dhe sjelljes së brezit të ri në një shoqëri të posadalë nga lufta.

Besa e ardhur nga një mes shoqëror i qëndrueshëm, bëhet peng i një shikimi të rastit, i një dashurie fiktive, ndërsa Agimi, gjithashtu i ardhur nga një shoqëri rurale, fal gjendjes së mirë materiale bëhet qerthull i së keqes, ndonëse edhe vetë bie viktimë e saj. Në shpirtin e Besës nga rastësia ndërtohet ëndërra e dashurisë së përjetshme, ndërsa në mendjen e Agimit shpërthen shthurja dhe jopërmbajtja e një rinie në tranzicion, e cila jetën e saj e ndërton mbi dy paradigma: interesin dhe pasurinë. Krahas tyre, ndërtohen edhe personazhe të tjera jo më pak të rëndësishme, që sjellin individualitete dhe shumësi refleksionesh, si: Shpresa, Agroni, Zana etj. Gjithashtu janë me mjaft interes edhe kujtimet e luftës, pasazhet e përshkrimet e qytetit të Prizrenit e të personave realë si ai i poetit Din Mehmeti etj.

Megjithatë, dashuria është ndër temat qendrore të romanit, është kërkimi i dashurisë si esencë e ekzistencës së qenies, guximi edhe i femrës sonë, për ta kërkuar këtë esencë të shpirtësisë pa u përkulur para vështirësive. Intenca për të provuar prapë, disa herë këtë kërkim, pa kompleksin e reflektimit të jashtëm.

Duke qenë jo vetëm krijuese letrare, por edhe njohëse e mirë e dramave të brendshme shoqërore e kombëtare, autorja ka arritur që të ndërtojë një varg situatash të jetës sonë, të cilat zhvillohen në mënyrë paralele në një shoqëri gati të pambrojtur dhe të paligje, ku të drejtën e përcakton forca, ndërsa lirinë shkalla e mundësisë së vetëmbrojtjes. Ajo prezanton shoqërinë tonë të pasluftës me trauma psikologjike e shpirtërore dhe me rrënime sociale e ekonomike, një shoqëri që beson shumë, por e cila edhe kur ia arrinë qëllimit ndodh të rrënojë po kaq sa të ndërtojë. Një shoqëri me ambicie të mëdha e të pakontrolluara dhe një shoqëri e pambrojtur dhe e pafajshme. Prandaj, edhe gjuha e përdorimit është gjuhë e përditshmërisë, gjuhë e komunikimit të drejtpërdrejtë, e lehtë dhe e qartë që në leximin e parë.

Shihet se autorja veprën e saj e ka ndërtuar mbi një ligjërim të drejtpërdrejtë dhe për ata lexues që më shumë se kompleksin e leximit dhe përjetimit estetik ka interesin e kuptimit të lehtë dhe vlerësimit të shqetësimve të një shoqërie, brenda së cilës jeton një brez me problemet e tij të përditshme jo vetëm sociale e kulturore, por edhe shpirtërore e psikologjike.

Me të gjitha këto, mendojmë se autorja ia ka arritur të shkruajë një roman të pranueshëm, të përshfaqur në një strukturë të plotë, i cili gjithashtu do të ketë lexues të shumtë, mbase pikërisht të këtij brezi të rinjsh.

Mr. sc. Myrvete Dreshaj - Baliu