Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, tetor 10, 2005

Pelegrinazh i ftohtë në qytetin D nga Arif Molliqi

Poezi

Pelegrinazh i ftohtë në qytetin D - Poezi  nga Arif Molliqi NGA GROTESKA POETIKE NË LIRIZMIN SUBTIL

Nga Selman Ethemi:
1.

Pas vepres poetike „ Premiera e një pranvere“, me të cilën kishte tërhequr vëmendjen e opinionit tonë kulturor, poeti Arif Molliqi, tashmë i prezentuar në hapësirën tonë krijuese me dhjetë vepra letrare, këto ditë u shfaq më përmbledhjen më të re, „Pelegrinazh i ftohtë në qytetin D.“ Që në fillim, duhet ta them se kronosi i gatimit të këtyre poezive është një pelegrinazh paksa groteske që i bën autori kohës dhe vendit. Së këndejmi, i ftohtë. Ndërkaq, rigjetja e kësaj substance poetike më pelegrinazhin e ftohtë, është ndërtuar mbi shqetësimet e brendshme, brenda të cilave protestohet, jo vetëm për të pohuar të vërtetën, por edhe për të treguar ate.
Në përmbledhjen e re poetike, ashtu si edhe në përmbledhjen e poezive para kësaj, autori nuk është lodhur të krijojë asnjëherë një strukturë të përkryer formale të tipit eliptik, dhe as iluzionin e librit të kufizuar sipas disa rregullave. Por, ai ka bër thyerje të skemave letrare, edhe brenda substancës poetike, duke i ikur retorikës dhe aklamacioneve, që aq shumë i gjejmë në vargjet e poetëve të sotme. Ndërkaq rezonanca e librit mbështetet në imazhe harmonike të ndërtuara me mjete figurative të paradoksit, të groteskut dhe të ironisë. Ky funksion paradoksal, herë-herë duket se errëson apo e hermetizon mendimin, por që e detyron lexuesin të jetë i vëmendshëm, ta kuptoj, kur ka paradoks individual të mendimit, e kur universal.
Në një rast Adem Gashi, për poetin Molliqi, pat thënë: „ Arifi është ndër autorët e paktë që ka disiplinuar ndjenjën dhe mendimin.“ Kjo shkathtësi, „disiplinimi i ndjenjës me mendimin“, ndonëse u jap poezive ton të veçantë poetik, megjithatë, është lehtë ta kuptosh së tek këto poezi, vetëm sa transferohet bota që e sheh autori. Ajo bota që e takon autori ngado që shkon, pse jo, edhe në qytetin D. në kuptimin universal. Aspekti tjetër, më i rëndësishëm që gjendet brenda këtyre poezive, është identifikimi sensual i autorit, me gjithë ato që takohet, do të thoja, që i dalin përpara, gjatë pelegrinazhit. Këto janë situata që i hulumton dhe i përshkruan pa retorikë, duke i thënë me një mendim specifik të zhurshëm përmes vargut. Kësisoji ai futet në një formë të re, qartësia e së cilës vërehet nga alegoria brenda groteskës. Këtu ai përpiqet ta ngërthen çdo formë të re në të jetuarit e njerëzve në qytetin D., duke filluar nga nuancat deskriptive e deri tek ato filozofike e satirike.
Pelegrinazh i ftohtë metaforikisht është një ecje e pakryer. Që nuk ia dijmë as emrin:
Më shurdhon një fjalë
Që më rri gjithë kohën mbi kokë
As emrin nuk ia mësova ( faqe 11).
Ose;

Vetëm shtëpia heshti
Kur u çmendën krushqit
Nga zhurmë e lodrave
Të akorduara me bisht qeni
( Duvaku për nusen)

Por nuk është vetëm rrugëtimi i pakrye që shpie tek qyteti D., por janë të gjitha ato që ndodhin brenda dhe jasht tij. Sepse, edhe pasi kemi arritur aty, hasim diçka që kërkohet të mposhtet kolektivisht. Dhe, kështu, në kulmin e mynxyrës, shtëpia, natyrisht, ka edhe fuksionin më të rëndësishme metaforikisht nëna shqiptare. Është e ftohtë Shqipëria -shtëpia e të gjithë shqiptarëve, që hesht edhe kur krushqit- miqët politik të saj, mbartin tragjedinë në trupin tjetër të coptuar. Metaforikisht kjo ma kujton Ali Podrimje: /Xhuxhe je/ Xhuxhe je moj/. Prandaj, këto gjithmonë janë motive të ftofta që nuk e përjashtojnë njëra tjetrën:


2.

Molliqi para se gjithash, më shumë e kërkon rrugën poetike përmes poezive të shkurtëra, duke shpreh sa më shumë ndjenja e mendime, me sa më pak fjalë, një rrugë poetike e Xhon Kitsit. Në poezitë e shkurtëra, e sidomos në sonete, Kitsi e arriti pjekurinë dhe thellësinë e shprehjes poetike. Andaj, këtu na del se autori nëpër ketë rrugë e shpalos përpara lexuesit e gjithë panoramën e atyre gjërave që i gjën gjatë pelegrinazhit në qytetin D. Ai vetëm sa e ngacmon mendimin e lexuesit, i jep drejtimin duke i lënë fushë të hapur fantazisë se tij. Sepse, sa më i pasur të jetë mendimi me elemente figurative, aq më e lartë është mjeshtëria poetike e vargut:
Në mjegullën e vjeshtës
kthehen të vonuarit
me duart në kokë
shikojnë një përmendore të vjetër
e mbajnë të mos u ik

Në errësirë pështyjnë përpjetë
ta përlyejnë qiellin me sharje

presin breshër në vend të shiut
t´i pastojnë njollat e fytyrës

atë ditë e sot
ndryshe flasin e ndryshe mendojnë
( Rrugë e çuditshme)

Shpeshherë lexuesi s´mund ti lexoj poezitë e Arif Molliqit kalimthi, vetëm duke i shfletuar. Atyre u duhet të jenë shumë të vëmendshëm e të prirë për të kapur në çast, ç´ka do të thotë poeti. Sepse, të poezitë e shkurtëra, poeti më pak fjalë të mbeshtetura mjeshtërisht, na jep kuadro të gjalla ku dalin në pah problemet apo brengat e jetës, gjatë pelegrinazhit të ftohtë. Mund të thuhet lirisht se Molliqi, nuk ka eksperimentuar me fjalë të buta as atëherë kur gjendet në këto rrethana, që atij aspak nuk i pëlqejnë. Çdo poezi e tij mund të konsiderohet si një botë pa komlekse, ku gjërat thuhen zëshëm përmes vargut. Ja, sa për ilustrim, disa shëmbëllima:
/ Në shkrimet e biografisë shkrova/ e kapa gjarprin për fyti (f. 30),
/Të vdekurit i dilnin mangut/ harronte ta numërojë vdekjen e vet(f.37),
/ Eu po jetë pise qenka kjo/ kur flas me njerëz/ e asnjë fjalë nuk e kuptoj(f.58),
/ Në rrahin e kohës po freskohen/ me pishë në dorë korbat (f.65),
/Në pusin e kësaj kohe/ zura diçka me grepin e ndryshkur/ lojën e fëmijërisë/ varur në supet e mia të lodhura (f.87)

3.

Krijimi poetik duke qenë një akt tërësisht individual s´ka sesi të mos projektojë edhe trajektorën e vijës jetësore të autorit, megjithatë, nuk mund të thuhet se poezitë, apo vepra e Molliqit është ndonjë ditar poetik. Këtë projeksion e gjejmë tek poezia; Ikonografia, Kohë e përsëritur, apo Kohë e plasaritur etjera, por që pikërisht këto ndodhin për shkak të fuqisë imagjinative që ka poeti për itenerarin e pelegrinazhit të tij.

Tërsisht i ndërgjegjshëm se çka i fal koha në të cilën jeton, Molliqi duke u munduar ta kursej lexuesin, ka afrua forma shumë të thjeshta të vargut, por që e ka ndërlikuar përmbajtjen e të shprehurit poetik. Nga këto pikëvështrime poeti jo rrallë në formë të narracionit idealizues paralajmëron idenë më mënyrë që me mjeshtri të bëjë transformimin dhe kalimin në sferën e lirizmit subtil.

Rikthimi tek evokimet për qytetin e tij, në kuptimin universal-simbolik, për Gjeravicën, me tone herë-herë himnizuese, se është e qëndrueshme, e palëvizshme, dhe, e përjetshëm, si një Zonjë e rëndë, ku edhe Perënditë pushojnë, ndihet nota e thellë e romantizmit të Naim Frashërit:

Portë e qiellit e rënda Zonjë Gjeravicë...
Ose;
Dy Liqenet ata sy të bukur Perëndie zbresin poshtë në fushë...
* * *
Zbres ngadalë nga maja e Gjeravicë duke thurur ëndrrën shqip
* * *
O zot a do të dimë t´i duam Ata sy të butë të Gjeravicës
( Lirikë për liqenet e Gjeravicës )



4.

Duke vënë mendimin në fund të shkrimit, në kemi përmendur vetëm një nga mozaikët e mendimeve që ka kjo përmbledhje poetike, që është shumë e pasur dhe shkruar me një imagjinatë vërtetë poetike. Të shumica e poezive, Molliqi ka eksperimentuar me figura, metafora, perifraza, duke u mundua ta gjej formën e vet përmes së cilës mund të shpreheshin të gjitha ato vargje që ai meton t´iu jap kuptim universal. Derisa shumë poetë merren me figura elegjiake të vatanit, Molliqi ndryshe, vrapon pas një vargu të shkurtër, por shumëkuptimplotë, duke u bërë të akseptueshme për lexuesin në veçanti, ashtu dhe duke e ngritur atdheun në nivelin më të lartë poetik për kohën universale.

Tani, ajo që kërkohet nga kritikët për përmbledhjen e poezive të Arif Molliqit „Pelegrinazh i ftohtë në qytetin D.“, është vështrimi në thellësinë e çdo vargu, për ta gjetur kohën e shkuar me të gjitha plagët, por edhe të sotmën e ftohtë si shumësi kuptimore.

P.S.
Shënime për autorin
Arif Molliqi u lind më 1953 në Llukë të Epërme të deçanit. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Deçan.Studioi në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e prishtinës (grupi i gazetarisë).
Shkruan kryesisht poezi e prozë, por edhe shkrime publicistike e satirike.
Deri tani ka botuar veprat:

1.„Simfoni për darkën e qenve“, (poezi), Prishtinë, 1994
2. „ në udhëkryq pa zhurmë“, (poezi), Toena, Tiranë, 1996
3. „Loja e Sarkofagut“, (dramë), Eurorilindja, Tiranë, 1998
4. „Psherëtima e zareve“, (poezi), Panteon, Tiranë, 1999
5. „Përplasje“ (ese, mbresa dhe skica), Fakti, Shkup, 2000
6. „Premiera e një pranvere“, (poezi), Rilindja, Prishtinë, 2000
7. „Kafka e ujkut“, (roman), Toena, Tiranë, 2001
8. „ Dëshmorët jetojnë pas vdekjes-Rrustem Bruqi“, (monografi), Prizren, 2002
9. „ Shënime nga arkiva e qytetit D.“, (roman), Faik Konica, Prishtinë, 2003
10. „ Pelegrinazh i ftohtë në qytetin D.“ (poezi), Faik Konica, Prishtinë,2004

Në konkursin letrar të shpallur nga Ministria për Kulturë e Kosovës, për vitin 2003/2004, në mesin e shumë dorëshkrimeve në konkurs, drama e Arif Molliqit „ Loja e dytë e Sarkofagut“, u muar për botim.
Arif Molliqi, jeton dhe punon në Hamburg të Gjermanisë.

Diaspora poetike shqiptare

FRYMËZIME HYJNORE NGA MËRGIMI

( Pelegrinazh i ftohtë në qytetin D.,
Editura FAIK KONICA, Prishtinë, 2004)

Kur dashurohen dy fjalë, lind një gjuhë. Poeti duhet të kërkojë madhështinë. Ta përjetosh fjalën, don të thotë ta kërkosh çelsin e fuqisë magjike të saj. Po qe se merresh me nusërimin e fjalës, fjalët tua duhet të na mahnisin. Të këtillë e kemi Azemin, Aliun dhe Saliun, Ademin, Tekiun, Agimin, Ibrahimin, Edi Shukriun, Halilin, Mirko Gashin, Sabriun, Flora Brovinën, Shkëlzenin, dhe një varg ëndërrimtarësh tjerë të frymëzuar, që ia ka falë Kosova, thesarit kombëtar shqiptar.

Edhepse i përket të vonuarve të gjeneratës së nëntëdhjetë, ëndërrimtari i Llukës së Epërme të Deçanit, Arif Molliqi, autor i dhjetë librave dhe qindra artikujve të botuar, poet, prozator, gazetar dhe mërgimtar, i lindur tani e 50 vjet më parë, debuton në moshën 40 vjeçare me Simfoninë për darkën e qenjve (1994), dhe vjen edhe përgjatë këtij shekulli në trojet e letërsisë shqiptare, me Premierën e një pranvere (2000), me Kafkën e Ujkut (2001), me Dëshmorët që jetojnë edhe pas vdekjes (monografi për Rrustem Bruqin), (2002), dhe me vëllimin e tij më të ri (Pelegrinazh i ftohtë në qytetin D), Editura FAIK KONICA, Prishtinë (2004).

Të themi se, edhepse jeton në perëndim, autori përplaset mes kamjes e skamjes, mes shqetsimeve e frymëzimeve, mes frekuentimit të bibliotekave e kantjereve të ndërtimtarisë, mes shoqërimit me dijetarë e muratorë, kjo s'prish punë. Nuk prish punë as fakti se për ta shijuar jetën në të gjitha pikëshikimet e saj, autori bën edhe punën e muratorit, jo për ta parë se sa rëndë është jeta e mërgimtarit të rëndomtë, por për ta ta mbajtur gjallë familjen dhe shpirtin shqiptar në diasporë, duke u servuar përmes librave të tij, një edukatë të shëndoshë, morale, artistike, letrare, kombëtare e ndërkombëtare. Autorin e pelegrinazhit të ftohtë, e shqetson fakti se ata që e çrobëruan atdheun, shqiptarë e ndërkombëtarë, ende nuk i kanë përveshur krahët për gjermanizimin e Kosovës, edhe përnga standardi. Gjithfarë klanesh e gjithfarë bandash e zbehin aktualitetin kosovar, na shkruan në një korrespondencë para ngjarjeve të marsit, dhe shton faktin, se kur kalon para varreve të dëshmorëve, stërkuqesh nga turpi, ngase ende nuk janë realizuar idealet e tyre.

Ëndrra e zhgjëndrra, batica e zbatica, frymëzime, disponime, e hidhërime. Hidhërime ndaj kopilave të kombit që na turpërojnë nëpër botë. Aktualiteti kosovar, megjithatë, krahas shqetsimeve, ka edhe realizimet dhe shpresat e tij. Letërkëmbimi i autorit, mendimet e tij, frymëzimet e gërshetuara me imagjinatë, vërehen edhe në faqet e librit të tij më të ri, me do subjekte që ta përkujtojnë kohën e krisur, kur "U mblodhën xhuxhmaxhuxhët/ me ilaçin në gji/ fëmijët tanë t'i hanë/ ose të hanë bar. Duke i shtrydhur fotografitë rozë/ harruan si hahet buka" (Fotografi rozë). Shqipja e tij është e përsosur, ngase para se t'i reket profesionit të shkrimtarit, ka studjuar gazetarinë në kuadrin e Fakultetit të Drejtësisë në Prishtinë, lexon gjermanisht, shkruan shqip, dhe: edhepse "gjithçka e zezë/ vajti në dreq të mallkuar/ Zoti...nuk na harron" (f. 20).


Ecim nëpër shi me Dhjatën e re në gji

Në kuadrin e 90 faqeve të librit të tij, autori merret me rizbulimin e atdheut, duke u nisur nga Dardania e lashtë, e deri te trupi i lodhur i Kosovës, i kafshuar: herë nga dhëmbët e stërkuqur të ujkut, herë nga korbat e gjarpërinjtë, herë nga kthetrat e varfërisë. "Ruajna Zot o Zot ruaj nisjet tona/ që po mundohemi t'ua nxjerrim sytë/(...)/ Ruajna Zot o Zot ruaj/ gjymtyrët e atdheut/ se feja ka çuar krye/ në mes dite po na i grimcon hartat/ kur Ne mashtrohemi pas hijeve" (Lutje e vazhdueshme). Nuk e dimë në autori e ka fjalën për fenë si fe, apo për ata që e shfrytëzuan fenë si pretekst për shfarosjen e shqiptarëve, që nga Beteja e Kosovës (1389), e deri te kjo e fundit (1999), por e dimë se në trojet shqiptare të Dardanisë, u përplasen interesat panislamike të Turqisë, dhe shijet paranoike, ekspansioniste, pseudortodokse të Serbisë, shqiptarët duke e ngrënë dajakun edhe si pasojë e fesë, edhepse feja e tyre elementare, nuk është as islamizmi, as ortodoksia, e as komunizmi, por atdhetarizmi. Pse? Ngase turqit mënjanë, dhe serbët në anën tjetër, e sulmuan në mënyrë vandaliste krishtërimin perëndimor të Gjergj Kastriotit, Gjergj Fishtës e Nënë Terezës, ndërsa ne: "Ecim nëpër shi/ me Dhjatën e re në gji" (Loja mes litarëve).

Autori, siç duket, i beson Zotit. I beson Zotit dhe na fton të shkojmë në Festivalin e lutjeve, dhe digjet për ta parë Ilirinë, ashtu siç ishte edhe para pesë vitesh: me pushkën e ndezur për dritë, me këmbët në dhe duke numëruar fishekë, tepër pak për ta parë Ilirinë" (Epitaf për trungun). Porsi proza, lirikat e Arif Molliqit është kryengritëse, e ndjeshme dhe e qartë. Vargjet e tij kanë ndjeshmëri dhe përbujshmëri, siç do të shprehet një autor bukureshtar, edhe për lirikën e bukur të Sali Bashotës. Autori inkuadrohet në spektrin e ëndërrimtarëve që jetojnë dhe krijojnë në diasporë (Thoma Kacori, Abdul Latif Arnauti, Antonio Bellushçi, Vitore Stefan Leka, Shaip Beqiri, Ardita Jatru, Mustafë Xhemaili, Ardian Kyçyku, Shefqet Dibrani, Mardena Kelmendi, Ismail Iljasi, dhe shumë të tjerë).

Edhepse shpirtin e tij e karakterizon shqetsimi, shqetsimi si pasojë e pandjeshmërisë së atyre që s'dinë ta përkrahin njëri-tjetrin, autori i referohet të Bukurës së Dheut, vjeshtës lakuriqe me vreshtat që e puthin njëra-tjetrën, natës së Shëngjergjit, lojërave të fëmijërisë, çantës me këngët e vjetra, mjegullave të mbrëmjes kur shikon kohën shtatzënë, brigjeve të Erenikut. "Herën tjetër e dashur/ merr fletë rrushi nga Lug Bunari/ t'ia fshijmë fjalët e lagura Gjakovës/ t'ia ftohim shkrumin Çabratit/ t'i pastrojmë gjurmët e kafshës së zezë/ dhe të rriten fëmijët që kanë për të lerë"(Saga për qytetin e Jakovës).

Libri më i ri i Arif Molliqit strukturohet në katër kaptina (Kohë e fjetur, Pelegrinazh i ftohtë në qytetin D, Erotikë në qytetin D, Fishkëllimë e ftohtë). Po qe se u hedh një sy titujve të vjershave, konstaton se ato përbëjnë një vjershë karakteristike, që të magjeps përmes do vargjeve si: S'di pse më dhemb fjala/ Koha ime desh më turpëroi/ Kur bijnë gjethet/ Hijet e çmendura/ Në shtatin e Ilirisë/ Kollitja e vargjeve/ Kur përsëriten vrapimet/ Te krojet e ftohta/ E kapa gjarpërin për fyti. Ndjenja e përgjegjshmërisë së autorit, vërehet edhe në do tituj të tjerë, si: Rrugë e çuditshme/ Shfaqje publike/ Këngët e ndrojtura/ Ikonografia/ Në Dhe të Atdheut/ Sagë për Jusuf Gërvallën/ Kambanat e dashurisë/ Epitaf për trungun/ Përtej Urës së Elbës.

Risia e vëllimit më të ri të këtij poeti kosovar, vërehet në përsosjen e stilit. Subjekti elementar i frymëzimeve të tij, mbetet edhe më tej atdhedashuria. Poetët e ringjallin kombin, ngase pas Zotit, vjen kombi, familja dhe atdheu. "Para se të nisesh rrugëve të gjata/ pi verë të kuqe Kosove/ Dardaninë s'do ta harrosh" (Via Egnatia). "Në pergamenët e kohës/ gjej shënime bibliografike/ Dukagjini/ Drenica/ Dardania/.../Kur i shikova/ u përmallua koha/ dhe nisi me ra shi" (Shënim). "Hapi dritaret e Grykës/ nga trokëllimë e Koshares/ plaken udhët e vdekjes/.../Kur rrufetë vizatojnë harta/ ujku i trembet kobit të vet/ Unë qaj.../ dhe këndoj nga gëzimi" (Trokëllimë). Nga vargu i tij, siç duket, paralelisht me vlerat tekstuale, shpërthen vitaliteti i kushtëzimit ekzistencial. Kundruar nga ky aspekt, Arif Molliqi inkuadrohet në spektrin e ëndërrimtarëve tanë, që dinë të krijojnë vlera hyjnore.
Baki Ymeri, Bukuresht