Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, tetor 10, 2005

NDANË nga Riat Ajazaj

Romane

NDANË - Romane  nga Riat AjazajRomani „NDANË“, një risi në letrat shqipe


Riat Ajazaj, i lindur në Zhur, më 1969, pas mbylljes së dhunshme të Universitetit të Prishtinës, ku studioi për Letërsi shqipe dhe Drejtësi, ka vijuar studimet në Universitetin e Tübingenit në Gjermani në drejtimet Letërsi e krahasuar, (Letërsi e re gjermane dhe Retorikë e përgjithshme). Më 2001 ka magjistruar me temën Groteska te Garcia Marquezi dhe te Kadareja. Aktualisht është doktorand në Letërsi e krahasuar pranë Universitetit Eberhard Karls të Tübingenit.


Pas botimit të vëllimeve të sukseshëm në prozë “Gjarpërinjët e ëndrrës” e “Arkëmorti bosh”, 2003, Riat Ajazaj këto ditë në botim të shtëpisë botuese “Kaoni”, lexuesit i gëzoi edhe me një roman tejet interesant “Ndanë” që trajton një kompelks motivesh e problemesh të të jetuarit të individit shqiptar në një hapsirë të huaj si ajo gjermanike. Individi si i tillë, këtu i dhënë në planin e parë të romanit, shtrëngohet të definohet rishtas në mesin e individëve të tjerë prejardhjesh dhe kulturash nga më të ndryshmet e botës, në një qytet si Tybingeni, aty ndanë lumit dhe kullës së poetit të madh gjerman Hölderlin, apo në atë katund botëror (“Weltdorf”) si quhet ndryshe ky vend me traditë të vjetër universitare dhe kulturore.

Ashtu si shprehet njëri nga redaktorët e këtij botimi, Dr. Ardian Kyçyku, në fjalën e shkruar: “Ky roman shënon një arritje të padiskutueshme në prozën që shkruhet shqip”, dhe se, “Riat Ajazaj dëshmon mjeshtri të hollë edhe në faqet e këtij romani që trajton nga një këndvështrim vetjak shumë prej çështjeve madhore të mërgatës shqiptare. Duke ecur në hullinë më të mbarë të prozës shqipe e evropiane, pranë një Anton Pashku e një Franc Kafke, pa u cënuar nga arritjet e tyre, me një zë krejt të vetëm, Ajazaj ia del mbarë të konvertpoj hartat aq të koklavitura gjeografike në Hartën e Madhe të Shpirtit Njerëzor, ku hapësirat shqiptare zënë vendin e merituar me aq gjak, mund e dhimbje shpesh të shpërfillura nga gjeografia, por edhe nga historia.”
Në këtë kontekst shkrimtari Mustafë Xhemaili, poashtu në cilësinë e redaktorit, vijon: “Romani i Ajazajt është një homazh krejt origjinal i jetës së dërlikuar shpirtërore dhe fizike, i një vitrine të ndritshme, gjigande, me personazhe që lëvizin si një makth në kohë e hapsirë. Me një ngarkesë të fortë emocionale, personazhet janë krejt të gjallë dhe të prekshëm, të afërt, të thejshtë, krejt njerëzor. Të bëhet sikur ata i njeh dhe i ke parë diku, ke biseduar e ke pirë kafe me ta, diku, në ndonjë kafene, në Tybingen, në Berlin, në Stuttgart, në Vjenë, në Kopenhagë, në Rambuje, apo diku në ishullin e Zhan Zhak Rusosë në Gjenevë.
Romani NDANË i Riat Ajazajt nga lexuesi dhe kritika, do të zbulohet si një befasi, ku me kënaqësi do të konstatohet se autori ka arritur t`u japë atyre një prozë të bukur, të veçantë me vlera sipërore artistike.”
Mbetet që në 125 faqet e tij të dendura lexuesit dhe kritika të kapin dhe shijojnë risitë e këtij romani, që padyshim mund të vërehen jo vetëm në mënyrën e pazakonshme të rrëfimit dhe të strukturës, por edhe në përmbajtjen e larmishme të subjektit dhe në gjuhën e pasur me mjete mjaft interessante stilistike.