Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, tetor 10, 2005

hënime nga arkiva e qytetit D nga Arif Molliqi

Romane

Shënime nga arkiva e qytetit D - Romane  nga Arif MolliqiHalil Haxhosaj: Shkrimtari Arif Molliqi, i cili që disa vite jeton dhe krijon në Hamburg të Gjermanisë, para lexuesit tanë u paraqit edhe me një vepër letrare dhe mu me romanin e tij të dytë “Shënime nga arkiva e qytetit D.” Romani paraqet një tablo tejet interesante dhe të ngjizur të një kohe të caktuar të historisë sonë, e cila ka pasur shtrirje me dimension paksa të gjerë. Që në fillim autori mundohet që elemente reale t’i ngritë në rrafshin artistik, por duke pasur kujdes që kjo të kalohet sa më lehtë dhe pa lënë gjurmë as vërragë që e rëndojnë njërën apo anën tjetër. Madje të gjitha këto elemente i nënshtron bukur dhe me aftësi prej krijuesi, sepse koha e trajtur në roman tash nuk zhvillohet vetëm nëpër një vijë, por ajo bigëzohet dhe trasohet nëpër kohëra dhe hapësira që ishin dominante në historinë e banorëve të një treve të caktuar të territorit shqiptar dhe të gjeografisë së tokave shqiptare. Andaj, që nga titulli i romanit, lexuesit i vijëzohet asocimi se në roman bëhet fjalë për Manastirin e Deçanit, i cili shpesh ka luajtur rol dominant në trazirat historike të popullit të kësaj treve.

SHFRYTËZIMET ARKIVORE REZULTATE ARTISTIKE

Autori Arif Molliqi e nis rrëfimin e romanit “Shënime nga arkiva e qytetit D.” nga një përshkrim trishtues i kryepersonazhit Altin Lluka, i cili që nga momenti i këtillë e bart me vehte këtë pamje dhe nuk mund të çlirohet prej saj assesi. Këtij personazhi që është tejet funksional i bashkohet personazhi i Simonidës, që është shumë i njohur në mitologjinë e kishës ortodokse, gjegjësisht pansllaviste. Këtë element shkrimtari Molliqi, e shfrytëzon për t’i paraqitur artistikisht rrënjët e një të keqje që do të zinte rrënjë në këto treva dhe e cila ruhej me fanatizën dhe konspiracion të madh jo vetëm nga shërbyesit fetarë, por edhe nga pushtetarët e të gjitha kohërave të kësaj treve. Ngjarja në roman shpesh na duket e gjerë, sepse arkivi i Manastrit ku takohen Altini dhe Simonida, bëhet vend për dashurinë e tyre, por edhe tragjedi. Kjo tragjedi tashme merr përmasa shtrirëse, sepse ajo kalon nëpër disa rrath kohorë dhe nuk e ka të njëjtën ngjyrë as peshë. Por, ajo ka qëllim të caktuar sepse vetëm ashtu mund të zbatohet, madje edhe duke i marrë me vehte viktimat e veta. Viktimat janë të bollshme dhe secila prej tyre i kanë nga disa haraqe për t’i paguar sepse koha e tyre nuk është e njëjtë dhe as që kalohet lehtë. Duke i fiksuar disa elemente që faktikisht duken se janë të njohura nga gojëdhënat e kësaj treve për këtë Manastir, shpesh na duken se nëpër to ecin personazhet e romanit sikurse nëpër mitet që dikush qëllimisht i ngatërron nëpër hapësira të ndryshme me qëllim të caktuar. Andaj edhe dashuria e Altinit shqiptar dhe e Simonidës serbe përkon me mitet sepse ajo dashuri duhet të dështojë, gjegjësisht duhet të sakrifikohet për interesa të caktuara. Mu si në mitologji që Simonida vërbohet për një interes të caktuar, edhe në rrëfimin romanesk të Arif Molliqit ajo duhet të sakrifikohet, sepse dashurinë e saj nuk e pranon kodi moral religjioz e as qeveritar e një kohe historike. Mirëpo, vdekja e saj duhet të jetë aksidentale dhe e kamufluar, sepse vetëm kështu do të bëj efekte të mëdha dhe domethënëse. Mu këtij synimi ia arrin shkrimtari Arif Molliqi në romanin e tij “Shënime nga arkiva e qytetit D.”
Shtrirja rrëfimore kalon nëpër disa rrethe që asociojnë kohëra të kaluara larg në histori dhe që frymojnë e mbesin gjallë pa u zhdukur deri në ditët e fundit të sundimit të një perandorie që assesi të zhbihej nga trevat e qytetit D. dhe të territoreve shqiptare. Ndërtimi i konaqeve të Manastirit gjithmonë sjellte diçka të rëndë, të zymtë madje edhe të kobshme për banorët e qytetit D. Hija e Manastirit dhe kanaqeve të tij i shitonte djemtë më të mirë të kësaj treve duke kurdisur për ta gracka nga më të ndryshmet që shumë vështirë apo fare nuk shpëtonin nga to. Mirëpo, këta djem edhe pse pësojnë nga tmerret e errëta, megjithatë mbesin të pavdekshëm jo vetëm në gojëdhënat e banorëve të qytetit D. por edhe bëheshin gurrë frymëzimi për këngëtarët dhe rapsodët e tij. Prandaj, siç duket edhe A. Molliqi e shfrytëzon një dëshmi të tillë dhe e përjetëson artistikisht në roman.


DUKURIA E FAJËSIMIT DHE FSHEHJA E KRIMIT

Personazhi qendror i romanir Altin Lluka e bartë barrën kryesore të fajit në roman. Ai është fajtor pse është arqitekt i zoti, pse është i shkathët, pse nuk pajtohet me atë që ka ndodhur dikur dhe që po ndodh ende në këtë Manastir, ai është fajtor pse dashurohet ne Simonidën e bukur dhe skofiare, andaj duhet që të dënohet. Dënimi duhet zbatuar sa më mirë dhe sa më efektshëm sepse jehona e tij nuk guxon të mos dëgjohet, por edhe duhet të jetë domëthenëse dhe e efektshem. Dhe ashtu ndodh. Simonida vrahet nga shërbyesit e fesë dhe të pushtetit për ta fajësuar Altinin, dashurinë e tij ndaj saj dhe gjithçka që nuk është nën rregullat e shkruara të Manastirit, arkiva e të cilit ishte dëshmia më e mirë për sundimin dhe çkombtarizimin e banorëve shqiptarë të trevës së tij dhe të qytetit D. Andaj hulumtimet e paautorizuara të tij nuk lejohen dhe nuk tolerohen nga dora e fshehtë e shërbyesve të fesë dhe nga sundimi i hekurt i pushtetit të kohës. Dhe dënimi i Altinit është i paevitueshëm, është i kurdisur, është i rëndë dhe tepër i vrazhdët. Vetëm kështu suksesivisht do të përsëritet historia e shërbyesve të Manastirit dhe të pushteteve të të gjitha kohërave të asaj dinastie të ligë. E kur ngjallën dinastitë e etura për gjak dhe për hakmarrje tragjedia është e tmershme, është me aromë vdekje, është me pamje kurdisjeje dhe zhdukje. Krimi ngrit kokë, por nuk paraqitet i lakuriqësuar, sepse sekreti i arkivës së Manastirit të qytetit D. duhet të ketë goditje të rëndë dhe me peshë e jehonë të madhe.
Dhe të gjitha këtyre ia arrijnë me sukses ata që e kurdisin dhe e fshehin krimin. Kështu shtohen dosjet e tilla nëpër kohë në arkivën e qytetit D. Këto dosje duhet t’i mbushin djemtë më të mirë të kësaj treve sa here që ndërrohen emërtimet dhe toponimet e lashta të kësaj treve. Vetëm atëherë era e gjakut të pafajshëm duket kundërmuese dhe e rëndë. E krimi ntrashet e ntrashet derisa mbytet në mëkatin e vet. Këtë do ta përjetojnë edhe pushtetarët që ndërrohen sa herë që e kryejnë detyrën e caktuar nga kryesundimtari i tyre. Prandaj edhe Altin Lluka duhet të dënohet për pafajësinë e vet, për dashurinë që nuk duhej bërë, për atë që hulumtonte nëpër fletët e arkivave aty ku ishte plaga e freskët që kullonte gjithmonë qelb e flliqësirë.
Prandaj, të gjitha mënyrat dhe shfaqjet e paraqitura artistikisht nga pena e Arif Molliqit në faqet e romanit “Shënime nga arkiva e qytetit D” duken të trajtuara mirë letrarisht. Vetëm kështu autori ia ka arritur që ta paraqes një faqe të historisë së rëndë që ruhet në arkivat e Manastirit të qytetit D.
Në këtë roman ka edhe elemente të tjerë që ia shtojnë vlerën dhe lexuesi do ta lexojë me kënaqësi dhe interesim. Mënyra e rrëfimit romanesk duket e lehtë dhe funksionale, e rrjedhshme dhe e latuar edhe gjuhësisht. Kur kësaj i shtohen edhe disa fakte që janë të ngulitura nëpër faqet e historisë sonë, ata që ishin pjesëmarrës apo edhe studiues do të gjejnë gjera shumë interesante.
Faqet e romanit janë të përshkruara edhe me disa rite popullore të cilat janë shumë të vjetra, por që fatkeqësisht kanë filluar të zhduken. Edhe në këtë aspekt autori e kryen një obligim tejet të madh dhe të ndritur. Disa toponime që përdoren në roman duhet të ringjallen jo vetëm në kujtesën tonë, por ato duhet që të funksionalizohen në këtë kohën tonë, në këtë epokën tonë që dikur mos të jetë vonë.
Romani i Arif Molliqit “Shënime nga arkiva e qytetit D.’’ shënon edhe një sukses në prozën e këtij shkrimtari të frytshëm të letërsisë sonë bashkëkohore.
F.B