Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, tetor 08, 2005

Gëzim AJGERAJ

U lind më 6 gusht 1967 Në Malësin e Vërrinit. Ka botuar këto libra: 1. Klithmë malli, poezi, „Rilindja“, Prishtinë,1997 2.Ëndrra për parajsë,poezi,“Rilindja“,Prishtinë, 1998 3.Qiellit po digjem, poezi, „Rilindja“, Prishtinë, 1998 4.Flakë në plagë, poezi, „Rilindja“, Prishtinë, 1998 5.Kënga e babait, poezi për fëmijë, „Apolonia“, Prishtinë, 1998. 6.Urti popullore të Vërrinit 1 (bashkautorësi), „Apolonia“, Prishtinë,1998 7.Mallëngjimi, poezi, „Rilindja“,2000. 8. Balada e Vërrinit, K.L. „F. S. Noli“, Prizren, 2001. 9.Rruga e lirisë, Dramë, „Meshari“Prishtinë, 2001. 10. Rruga e lirisë (intervistë) me Zafir Berishën, botoi Asociacioni i veteranëve të ish UÇK-së – Prizren, 2002. 11. Atdheu në trastë-cikli me poezi, e botoi revista letrare "Jeta e re" nr. 4, korrik-gusht 2002, viti LIV. Prishtinë. 12. Pëllumbat e lirisë, Novelë për fëmijë, Edicioni i revistës; Fidani, Prizren, 2004. 13. Ditët e bardha, Novelë për fëmijë, Edicioni i revistës; Fidani, Prizren, 2004. 14. Atdheu i copëtuar-cikël me poezi, në librin: Pikoi molla gjak (Lirikë me motive arvanitase), botoi MKRSÇJR-Departamenti i Çështjeve Jorezidente, Prishtinë, 2004. 15. Cikël me poezi; “Udhë e zjarmi”, në librin: Muzat i bien lyrës, Edicioni i revistës; Fidani, Prizren, 2005. 16. “Lulëkuqet e Vërrinit”, poezi, botoi Shtëpia botuese “Metafora”, Zvicër, 2005. Ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës, si: “Rilindja”, Zvicër - Prishtinë, “Bujku”, - Prishtinë, “Zëri i Kosovës”, Zvicër - Prishtinë, “Bota sot”,- Zvicër, “Koha ditore”, - Prishtinë, “Epoka e re”, - Prishtinë, “Zëri”,- Prishtinë”, “Fakti”, - Shkup, “Ars” – Tiranë, “Penashqiptare”, - Prishtinë, “Pioneri” – Prishtinë, “Zogu i mëngjesit”, - Prishtinë, etj. Nga janari i vitit 2004, editon revistën: Metafora poetike (Editorial i poetit) që del çdo tre muaj. Është anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, në Prishtinë. Nga 23 marsi 2002 është antarë i lidhjes së shkrimtarëve të Zvicrës (SSV). Jeton dhe krijon në Zvicër.

Pse shkruaj

(Vetë jeta e shkrimtarit është kronikë)

Është gati e pamundshme për t’ia gjetur një përgjigje pyetjes: Pse shkruaj?! Ndoshta këtë pyetje, s'do ta parapëlqeja t’ia shtoja vetes, a dhuntisë e cila jeton thellë në mua. Ndoshta me të njëjtin ton, do të duhej të shtrohej pyetja: Pse ushqehemi? Pse zgjohemi në mëngjes? Pse biem për të fjetur? E pse…? E pseja pa mbarim! Një herë në jetë e kam shijuar magjinë e të mësuarit për të lexuar dhe përpara meje ishte hapur një dritare e madhe prej nga e shihja botën. E kuptoja atë, ia dëgjoja klithmën dhe disi, jeta dukej ndryshe. Nga pamja ime tashmë, qe larguar një perde që më kishte vërbuar deri në atë moshë. Përtej dritares së tillë, shpërndaheshin rrezet e diellit që ndriçonin përpara meje, ndërsa shkëlqimi sa vinte e rritej bashkë me pamjen. Pra, është magjia e shkëlqimit të diellit të fjalës, që në tërësinë time hyri paperceptueshëm, lehtas e lehtas dhe u ngulit thellë mbi qiellin e muzës sime, që gjithmonë e ngacmon. Brenda atij qielli që shkëlqente përpara meje, hapeshin tufa mjegullnajash, që gjithmonë ma ngacmonin kuriozitetin të dija se ç'kishte brendapërbrenda tyre dhe kjo shpesh ma prishte qetësinë djaloshare e më kthente në zhgënjim. Brenda atyre mjegullnajave, kishte jetë, vdekje, kishte ngjarje, të ruajtura e të harruara, të thëna e të pathëna, kishte zbrazëtirë që ma shponte muzën time. Si i ri, kërkoja në tregimet e gjyshes, nëpër oda burrash, në gojën e popullit, prapë ndjeja mungesë dhe ajo mugesë ishte e pashterrshme që si lumi bie në liqen dhe rritet e rritet me kohën, ndërsa në mua shtohej një zhgënjim. Ku t’i mësoja të fshehtat e asaj mjegullnaje?! Nëpër atë kërkim, i kërkoja dhe në libra, prapë më mungonin, nuk ishin të gjitha. Drita e magjisë së shkrimit, tek njerëzimi ishte përhapur shumë vonë, edhe pse ndoshta simbolet e komunikimit ishin të vjetra sa vetë njeriu. Dhe, kohët kishin rrjedhur e po rridhnin brenda hapësirës së globit, me boshllëqe e pa to, siç është edhe vetë atmosfera që e rrethon atë. Kishin ikur shumë ngjarje e kronika. Shumë kohë fshiheshin prapa mjegullnajave. Ndoshta, pikërisht këto mjegullnaja të errëta e ngacmonin muzën time, që nga drita që i paraprin udhëtimit tim, t’i largojë pëgjithmonë ato, jo për të bërë kronika, por për t’i hapur dritën të tjerëve. Në udhëtimin tim, dhuntia e fjalës ishte ndrydhur në cenzurën e sistemit deri te mospublikimi i saj apo të thënë përmes një fjale të thellë metaforike, por ajo ishte ruajtur e freskët brenda muzës sime dhe e kishte pritur çastin që një ditë të fluturonte hapësirave të bardha si një pëllumb i lirë që të transmetojë misionin e lirisë që do të vijë. Ndoshta diçka na kishte ikur nga muret e trasha të cenzurës, por

fuqia e fjalës që kishte mbetur, ishte bërë edhe më shpërthyese dhe nëpër këtë hapërim, ajo kishte çarë mjegullnajat e territ përtej cenzurës. Lufta që ndodhi në dheun e Arbërit, theu deri në themel muret e trasha të cenzurës dhe robit autor. Nëpër atë luftë, qenë vrarë njerëz, fjalë, libra, autorë… qenë mbyllur shumë ngjarje brenda kapitujve të të pa thënës, dhe prapë mjegullnajë në qiellin tone! Por tufat e asaj errësire ishin më të pathekshme. Brenda tyre ishte një mister që i shpartallonte ato. Misioni i pendës, hapëronte çdo hapësire të atyre ngjarjeve që po marrin dritë. Viteve që rridhnin, një mik imi diku kishte lexuar dhe për luftën. Në një letër që më pat shkruar, sikur ishte kthyer atyre përjetimeve dhe sikur i kishin lehtësuar dhembjet e plagëve që i rëndonin mbi trup. Kronika kohe i pata thënë, ndonëse se kisha atë mendim. Fjalë të arta ma preu miku dhe më përgëzoi. Pra më duhet edhe një herë të kthehem atje ku e fillova, pse shkruaj?! Shkruaj, jo për të qenë kronikan i vetvetes, a i bashkudhëtarëve të mi, a i udhëve përvëluese të nostalgjisë që na dogji, a i plagëve të atdheut që u dogj e u shkrumua nga dora barbare larg nesh; shkruaj që dhembjen e shpirtit ta shëroj në eter, ta nxjerr larg përtej muzën, t'i jap krah e ta largoj nga zjarri, sepse kam frikë se mos ndoshta do ta djegë flaka e harrimit. Ndoshta unë nuk shkruaj, shkruan dhuntia e brendshme. Ajo ka shpirt, ka jetë, ka dashuri, gëzime e hidhërime, dhembje e plagë. Ajo dhunti gjurmon brenda meje, me 36 shkronjat alfabetike, misterin e lumit të fjalëve duke i shtrydhur ato për ta krijuar mandej përtej meje lumin e atyre fjalëve në letër. Shkruaj se më duhet të shkruaj, jo për ta ndryshuar botën, por për t’i dhënë jetë fjalës nga jeta ime.

Zvicër, 4prill 2003

POEZI

Atdheu në trastë

I mishëruar në damarë me peshën e gurit

Në vetminë tënde e dëshirën e pakapur

Rëndon e djeg trastës një zjarr

Që s'lë pa ndezur qelizat e vetmisë

Largësisë e derdh shkrumbin si vullkan i pashuar

Djeg ballit me zjarrin e mallit

Dhe derdhet shtypjes në damarë me tërbim

Rrethuar me zjarr mbeta në këtë harrim

Derisa vetmia të mbyllet kërkimit

Shpresës për kthim

Djegin ylberet e tua në këtë udhëtim.

Zvicër, 15 maj 2000

Ata po vonojnë

Ç 'përvëluam kokë udhë motgjata

Grykën e gjerë ia qepëm trastës

Na rjepi për së gjalli plakëmadhja

Kokëbardhë i çelëm kokës lulevjeshta

Më afër harrimit gurin e afruam

Përshpejtuam rrjedhën e lumit të jetës

Tani kumti i ikjes po vonon harrimit

Udhëve të gjata me dhembje e pikëllim

Pas atyre shtatëdhjetë e shtatë bjeshkëve

Pret votërshkreta e bërë blozë e hi

S'e mbaruam ende gujën e mërgimit

Digjet pritja avull ardhjes së vonimit

Bardhësitë e ardhura presin padurimit

Liri e Kosovës dritë m'i bën këndimit

Zvicër, 22 shkurt 2000

Ditar i ditës

Nga dritarja e largësisë

Ikën ëndrrat e mëngjesit

Pa u çlodhur mirë amshimit

Para diellit e nisi udhëtimin malli

E u bë rrufe qiellit të dallëndyshes

As lamtumirë s'më dha as përqafim

Përtej shtatëdhjetë e shtatë bjeshkëve

Aty ku ia thonë një këngë lirshëm

Kosova larg ëndrrave të mia gëzohet

E unë mjerani i largësive të humbura

Këtyre udhëve Evropës ia kruaj shpinën

Ndrydh ditën kronikave bojëgjaku

Pa kujtuar se borëbardha po vjen

Me gropat e lumit të jetës mbi ballë

E me një trastë malli mbi shpinë

24 shkurt 2000

Në shi për ty

Sonte më shumë se kurrë pata mallë

Ylberet e sosura jan mbushur me zjarr

Vetëm shiun për vete e ruaj

Le të shuajnë etjen udhët me plagë

Këtij qielli të mbushur me re e brengë

Unë eci eci dhe s'di nga vete o zot

Unë udhëtari yt i humbur në këtë shi

Me ikjet që më ndjekin pas gjithnjë

Me largësitë që më verbojnë pa pra

Nga bukuria jote o engjëllusha ime

Tej meje i thura ëndrrat dhe këngët

Sot ti je dielli unë shtegtar i humbur

I harruar si Ago Ymeri kthyer pas luftës

Me ty në gji e pa ty këtu larg Kosovës

29 shkurt 1999

Një herë vdiset

Nën prangat e robit

Shtatori e gjeti babanë

Luftoni me ata në male tha

Syri s'iu tremb para barbarit

Fytyrës i rrodhi urrejtja

Dhe plisin mbi kokë e mbajti

Mbyllur në shtëpinë e zotit

E mundi vdekjen

Dhe ikën barbarët

7 shtator 1998

Fate e njerëz

Na polli koha udhë e u ndamë në dysh

Gjeografi e harta i blemë ardhmërisë

Trastës që e qepëm nga lëkura jonë

E grushtin me dhe nga dheu i atdheut

Luletherrën e mbollëm në oborr

Pragun e shtëpisë nën një merimangë

Të na i ruajë ëndrrat nga dyzet hajdutët

Apo nga barbari mbi kokë të atdheut

Mashtrimit udhëve shpresat i thurëm

Fajësia jonë na mbyti lakmia

Dhe udhëve tona për një lamtumirë

E këtij udhëtimi, një fund dhe harrimi

Buchs, 13 shtator 2000

Udhë e mallkim

Një shkëndijë drite m'i duhet mendimit

Apo rrënjës mallit koha kërkon udhë

Ku i gjej mbathcat lëkurës mallkimit

Dhe këtë lamtumirën që s'u pamë kurrë

Ç 'farë t'i bëj mallkimit që ma kërkon borën

Apo floku i bardhë që ka hedhur shtat

Më mirë sot një ikje se nesër pendimi

Dhe këtij mallkimi u pamë në një përrallë

Apo ta mbyll kohën në varg a në shpresë

Për nesër të shohim të thirrim pendimit

Ndoshta udhëve radha u vjen lamtumira

Ikjet edhe mbathcat metaforë e kthimit

Lihtenshtajn, 12 shtator 2000

Udhë e zjarrmi

Ç 'përvëluam kokë ditët në largësi

Malli i qielluar udhëve përmbi rri

Ndrydhet rrënja jonë e shtrydhet mallkimi

gjuhë e lidhur kryq shqipja bredh harrimit

Largësive të përmallta shpresa na merr krahë

Udhë e përdalë ditët na i ha

Ditudhëve tona i shkruajmë pendesë

Letër i çojmë mallit mos na lë në harresë

Dhe me mallin tonë e bëjmë një kronikë

I shkruajmë kohëpaardhurës shpresë në lirikë

Zvicër, 16 qershor 2002

Koha pa ne

Epokë e kuqe rrodhi në largësi

Mote barbar plagë mbi çati

Ia pimë dhembjes helmin e pelinit

I këndojmë epokës këngën e më trimit

Në kolonë dhembjesh fjalën e bëjmë gur

Shpresës bardhësive Kosovës flamur

Mblidhemi rreth saj e e ndajmë pelinin

Udhëve motgjata e shtrydhim pendimin

Atdhe i kryqëzuar mizorisë

Korba karpatesh gjuhë e historisë

Ndrydhet fundshekulli n'kodra e varre

Vuloset krimi i kohëve barbare

Letër na çon malli na thrret në bardhësi

Liria në flamur valon kuqezi

Zvicër, qershor 1999

Recension

Revoltë e shprehur përmes humorit dhe satirës

(Engjell SHEHU: “E mbaj veten si për mbret”, poezi satirike, botoi Shtëpia Botuese: NTP "FLOMED", Prishtinë , 2005)

Gëzim AJGERAJ

Të pa kohët e kohës janë nën thumbin e satirës, humorit e deri nën sarkazmin e vargut të Engjell Shehut. Kjo kohë edhe jo aq e mirë, kur shikohet me syrin real, siç e sheh poeti është e mbushur me shqetësime, hipokrizi, servilizëm, hile, jo moral, karrierizëm, gënjeshtra e çka jo tjetër. Ajo sillet rreth e rrotull nesh, krijon shqetësime, probleme të cilat shpesë na e prishin edhe rehatinë shpirtërore. Poeti Shehu, duke ja arritur ti kalojë ato shqetësime, me mënyrën më perfide ja arrin ti luftojë ato dobësi përmes ironisë, humorit dhe satirës e deri në sarkazëm. Ai në mënyrë të fuqishme, përmes vargut satirik, vë në thumb të demaskimit këto dukuri që për fat të keq sorollaten hapësirave tona. A nuk janë servilët, pjesë e një realiteti? Për të cilët në vargun poetik thotë:

Për hiçgjë shkon e shitet

Si mastiq njerëzve u ngjitet

Servili, fq. 8

A nuk janë servilët ata që për interesa të ngushta personale, bëjnë koncesione edhe me interesat shoqërore e kombëtare. Dhe të gjitha këto karaktere të liga i gjejmë nën thumbin e përbuzjes dhe përqeshjes në vargun plotë satirë. Është guxim i Engjell Shehut, i cili përpos që i lufton e i thumbon, e tejkalon aktin e urrejtjes, duke kaluar në ironi përbuzëse e përqeshëse të këtyre karaktereve. Vënja në lojën e satirës, tregon se krijuesi jeton me kohën, e përcepton atë drejtë, e dallon dhe e lufton me përqeshje ligësinë. Ai shkon më tej duke i çveshur në mënyrë ironike këto karaktere ”nëpërmjet shtazëve”, siç e thotë redaktori Flori Bruqi, fq. 114, duke i goditur servilët, hileqarët, hipokritët, gënjeshtarët, karrieristët, spiunët e tradhtarët, mashtruesit, parlamentarët, nofkat virtuale etj. Të gjitha karaktere e ndërtojnë një kohë që poeti e quanë; ”Rrenë e plotë”.

LAKURIQËSIA E NJË KOHE

Përplot pabesi, na përcjellë koha nëpër të cilën rrapëllojmë dhe kjo kohë bëhet aq neveritëse kur dihet se sa e rëndësishme dhe sa mitike për ne është fjala besë. Atë si fjalë e gjejmë kudo tek ne, sa respektohet dhe sa mbahet ajo sot për sot e dijmë të gjithë.

Jo të gjithë s`vrapojnë kështu

Por ca njerëz që kanë kokën dru

S`e dinë mirë se ç`është besa

Thonë se e vërteta është me kthesa

Besa, fq.29

Vargu i Engjëll Shehut shpalosë edhe dashurinë, dëshirat e personalitetit të mërguar – emigrantin, jetën, familjen etj. Dhe e gjithë kjo shpalosje për rreth vetes, ka edhe shqetësime pa qofshin edhe ato direkte në adresë të poetit. Nofkat janë hijet më të pa fytyra që e shqetësojnë atë. Ato janë të maskuara, të fshehta, vijnë ditën e natën, trillojnë e shpifin, prishin disponim, sjellin hidhërim me vete, terrorizojnë si mos më zi. A nuk janë ato letra anonime, e-majle anonime me gjithfarë lloj nofkash të trilluara, telefonata anonime etj. Dhe të gjitha këto shqetësime në vargun e Shehut, quhen nofkë.

KRAHASIMI QË THUMBONË

Siç thamë më lartë, kopenë e të ligëve, autori e çveshë përmes karaktereve të shtazëve, duke i ç`maskuar ato nga velloja e ligësisë që i shoqëron brenda shpirtit, ai ua shpalosë ligësinë e tyre, forcën, dhe tërheqë vërejtjen për dëmin që ato i sjellin një shoqërie të tërë. Për ti luftuar ligësitë, është i nevojshëm një mobilizim i përgjithshëm në mënyrë që e liga të jetë sa më larg neve. Një varg thotë:

Më në funde ato egërsira

Që na sillnin shumë ligësira

S`linin gjë në fshat pa ngrënë

Dhe pse mbanim shumë qenë

Ndaj dhe ne u mobilizuam

Gjithë fshati u bashkuam

Mblodhëm qentë që të gjithë

Se rrugë tjetër me ta nuk kish

Derrat dhe ujqërit, fq.53.

Pra gjatë shfletimit të satirës së Engjell Shehut, krahasimin e karaktereve të përqundnuesëve të kësaj kohe, e gjejmë nëpërmjet karaktereve të shtazëve, përmes së cilës më së miri shpaloset afërsia e atyre karaktereve me botën shtazore. Dhe këtu krijuesi ia del më së miri, për ta thumbuar të ligën.

KOSOVA IME

Engjëll Shehu edhe pse jeton në Tiranë e Belgjikë, dashuria e tij për Kosovën bëhet varg. Është dashuria e atdheut që e ndjekë atë, atij atdheu të coptuar pa trojet etnike, pa Kosovën, plagën që rrjedhë gjak. Plagët e Kosovës i ndjenë nga afër, bëhen dhembje edhe e tij, është dhembja e vëllezërve të gjakut. Ajo është dhembje e pa ndashme e atdheut, e kombit që i takon.

Një popull bashkë ne jemi

Kemi emrin shqiptar të gjithë

Është ky emër që këtë komb

E mban të gjallë dhe na lidh

Kosova ime, fq.75

Brenda këtij cikli autori shpalosë akte edhe nga jeta e tij në dhe të huajë. E kaluara nën diktaturë, sigurisht se është hije e pa ndashme për çdo krijues që kaloi katrahurave t¨r sajë. Nuk ngelen anash as zhvillimet që ndodhën vitet e fundit edhe në Shqipëri, të cilat prodhuan ngjarje të bollshme, të mira e të liga për një pjesë të popullit tonë, e që sigurisht autorin e ngacmojnë që ato ti vë nën thumbin e satirës dhe humorit të tij në varg. Prapë satira; shtazët, kafshët, personazhet e vargut: Ujku dhe Cjapi, fq. 93, lepuri dhe qengji, fq. 95, ariu dhe njeriu, fq. 110, etj. Satirës së Shehut nuk i mungon përqeshja e pashallarëve.

Erdhi koha e pashallarëve

Maskarenjve dhe pazarëve

Kush më shumë e kush më pak

Po të gjithë kanë një zanat

Pashallarët, fq.98.

I gjithë vargu i shprehur në satirë, është një përjetim nga afër i cili na përcjellë e po na përcjell të gjithëve në këtë kohë. Ka ndodhur dhe po ndodhë një tronditje në mesin tonë dhe për rreth dhe brenda kësaj përzierje dhe kaosi, e liga ka fituar hapësirë të gjerë, ndaj dhe sjellë dhembje edhe mes njerëzve të mirë, shoqërisë së gjerë, e pa tjetër edhe kombit dhe shtetit. Të gjitha këto ligësi brenda hapësirave tona, janë halli i autorit se si ti luftojmë ato, se sa më shumë që i çveshim e i përqeshim, do të jenë më të ngushta hapësirat e përhapjes së tyre. Këto ligësi duhet të i largojmë njëherë e përgjithmonë nga ambienti i ynë, sepse vetëm atëherë do të jemi një shoqëri e shëndoshë. Këtu edhe thumbon vargu i Engjell Shehut, i cili me shumë guxim dhe vendosmëri, për mes vargut satirik, e thumbon kohën dhe ligësitë e sajë. Dhe e gjithë mbretëria e personazheve të Shehut, shembet brenda satirës së tij, që tani më kush më bukur se ai, din ti vargëzoj në varg lakuriqësitë e kohës që mbështjellon hapësirave tona.

Le të shpresojmë se Poeti Engjell Shehu, do të vazhdojë me satirën e tij dhe përherë do të jetë në vigjilencën e kohës.

3 shtator 2005, Zvicër

ESE

LETËRSIA I DETYROHET KOMBIT

Kombi ynë ka kaluar nëpër shumë peripeci, dhe dy çështje janë kryesore që e kanë shtyrë të qëndrojë dhe njëhkohësisht të bëjë sfidë kundër pushtuesve. E para është se shpeshherë e ka bindur veten se duhet rezistuar, por nga ana tjetër të shumtën e rasteve ka hezituar, edhe pse koha ka qenë e papërshtatshme. Pushtuesit e kanë sulmuar nga çdo anë dhe kombi ynë menzi ka arritur të mbijetojë. E dyta është vetë letërsia e rilindësve, mbase edhe ajo më përpara që ka arritur ta sensibilozojë çështjen kombëtare. Asnjë shkrimtar nuk ka mundur të bëjë gjë pa idealin e lartë që ka ndjerë për popullin e vet në rezitencën e paepur, në luftrat e shumta, ku përherë ka dalë në ballë një prijës siç ishte Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, më vonë edhe kryengritës nga koha e Lidhjes së Prizrenit, luftrat e 1910-ës dhe 1912-ës, si dhe lufta mbi të gjitha luftat, lufta e UÇK-së e vitit 1998-1999, që i dha fund pushtimit mbi njëqindvejeçar. Disa autorë, luftën për çlirim e kanë trajtuar në masë më të madhe në veprat e tyre qoftë në poezi , qoftë në prozë. Subjekti lirik, në librat me poezi tek poetët përherë del fytyra e atdhetarit, e kombit, e dashurisë së zjarrtë për vendin- tokat shqiptare. Në raport me jetën, me vetë ngjarjet letërsia ka bërë mjaft. Është krijuar një opus i madh veprash letrare që secila syresh shpalos historinë kombëtare. Pothuajse në të gjitha gjinitë letrare janë prekur temat nga jeta dhe lufta, nga dashuria për çlirim kombëtar. Prandaj, letërsia dhe kombi, apo anasjelltas, gjithmonë sikur shkojnë bashkë. Edhe nëse ka dallime, ato janë të pakta, simbolike, sepse në esencë në plan të parë del përherë qenësia jonë kombëtare, ruajtja nga zhbërja, dhe motivimi i shkrimtarëve për ta shpjerë më tej mesazhin e tyre poetik. Përsëri, vlen të përmendim qëndrimin jetësor të kombit, që diti të rreshtohet kur qe nevoja, dhe në këtë rreshtim të madh apo të vogël mbijetoi njeriu ynë. U shkruajtën vepra të ndryshme letrare, u shpërndanë tek lexuesi dhe kësisoj e tërë ngjarja e madhe e një rrugëtimi shumë të gjatë e plotë sakrifica bëhet ekuivalent i kohës. Shikuar kompozicionalisht këto vepra, pra vetë letërsia rezulton me atë se çfarë kanë bërë njerëzit tanë, dhe çfarë kanë “përshkruar” krijuesit shqiptar, sa i kanë përmbushur objektivat e tyre, dhe sa është e qëndrueshme një vepër letrare në raport me kohën . Duke qenë se gjithnjë kërkohet profesionalizëm dhe letërsia të bëhet konsekuencë për një ekzistencë shpirtërore, megjithatë, ekziton edhe diç që jo gjithherë i ka përmbushur kërkesat e kombit. Edhe në kohën e monizmit janë bërë vepra që s’kanë qenë të “pëlqyeshme” nga sistemi, por tash për prezantimin e tyre kërkohet një qasje tjetër, ndërkaq për vepra të reja kërkohet mish dhe gjak tjetër. Krijuesi duhet ditur rugëtimin e kombit dhe synimet e tij, dhe jashtë kohës dhe hapësirës ai s’mund të dalë. Për një situatë çfarë ndodhemi, gjendja në letërsi është mjaft e volitshme. Kombi është boshti dhe organika e qenësisë, ndërsa pas fjalës së shkruar rri autori me qasjen dhe perceptimin e tij vetjak, i plotëfuqishëm që ndjek një diskurs letrar dhe kombëtar. Në formë biografike, letërsia ka përshkruar pra fatin e individit dhe të kolektivitetit, të vetë kombit. Letërsia dhe kombi përherë janë të pandashme, ndërsa vend qendror zë njeriu ynë, që në përjetimin e tij, duke mbajtur në kujtesë historinë e vet , nuk harron të kaluarën, e ngrit aktualitetin e së tashmes në shkallë më të lartë, me vizion të qartë për të ardhmen, si parakusht për të qëndruar në nivel me shtetet perëndimore, posaçërisht me ato më të avancuarat në botë. Pra, letërsia përherë i detyrohet jetës dhe koekzitimit të kombit. Marrëdhëniet që i japin në koherencë njëra-tjetrës nuk janë vetëm pjesë apo çështje formale, por përmbajtësisht një sens i etikës së lartë të vetë njerëzimit.

10 maj 2003

ESE

SHKRIMTAR OSE POLITIKAN

Janë dy çështje që e përjashtojnë njëra- tjetrën në binarët e përbashkët të angazhimit. E para, se shkrimtari është absolutisht i pavarur në krijimtarinë e tij, ndërsa politikën e diktojnë kushte dhe rrethana të caktuara, të cilat do të krijojnë rënie në dëm të krijimtarisë. Përsosmëria njerëzore nuk ka arritur të krijojë shembuj vlerash që do ta dëshmonin për ndonjë sukses në këtë drejtim. Shkrimtari do të ndihet i lirë, vetëm atëherë kur do të krijojë pavarësinë e vetvetes, veprës së tij. Politika nuk është liri, ajo ka korniza, ka ngritje, rënie. Nuk është e përjetshme. Mund të ketë shumë arsye të kyçjes së shkrimtarit në politikë. Kjo na bën që çështjen ta marrim vetëm në prizmin negativ. Çështja bëhet shumë më e rrezikshme, kur shkrimtari kërkon rëndësinë e tij në shoqëri, përmes një çështjeje tjetër, siç është politika. Në këtë rast, duke shfrytëzuar autoritetin e të parit, kërkon rol të rëndësishëm në shoqëri apo edhe e kundërta. Këtu nuk mund të kemi vlera artistike apo kualitet politik, të paktën historia nuk flet për vlera të këtilla. Do ta ilustronim këtë më së miri, me zhvillimet e pesëdhjetëvjeçarit të fundit tek ne. E kishim një sistem totalitar nga kornizat e të cilit ishte e pamundur të dilje. Duhej t’i shërbejë po qe i angazhuar. Shtrohet pyetja, po ç'kërkon shkrimtari në këtë mes?! Ai e ka rolin e tij, e ka misionin e vet dhe nëse futet brenda atyre kornizave, dikush do të dalë mbase i dëmtuar. Vepra dhe vlerat gjithmonë janë viktima, ndërsa qëllimi i angazhimit të shkrimtarit, do të shkojë drejtimeve tjera. Dhe kjo ka ndodhur si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë. Ngritja që ka mundur të pasojë, ka qenë e përkohshme pa lënë gjurmë në krijimtari. Ndryshe, këta shkrimtarë mund të quhen shkrimtarë të oborreve. Pas viteve të nëntëdhjeta, shkrimtari ka pasur hapësirë më të gjerë që ta ruajë pavarësinë e vetvetes. Hapësirat demokratike që u krijuan, krijuan rrethana dhe zhvillime tjera. Shtrohet pyetja: Ç'kërkojnë tash shkrimtarët në këtë mes? Këtu çështjes mund t’i hapen shumë dilema. Themelimi i partive krijoi klane. Po shkrimtari?! Duhet t’u shërbejë klaneve apo ta ruajë rolin e vet në letërsi? Na del përpara edhe një ngushtim i përkufizimit të rolit të tij. Jo se nuk mbetet shkrimtar i oborreve, që ndoshta mund të kapet nga një hapësirë më e gjerë, por fusha e veprimit shkon e përkufizohet brenda një hapësire klanesh nga e cila rolin si shkrimtarë, në shoqërinë e gjerë e ngushton. Pra, shtrohet çështja, nëse një shkrimtar ka qenë shkrimtar i oborreve në sistemin shumpartiak (demokratik) ai është shkrimtar i klaneve, pra rrethi shkon gjithmonë duke u ngushtuar në dëm të letërsisë.Vetë prezenca e shkrimtarit politikan, brenda një programi të caktuar absorbon në dëm të veprës së tij pa lëre më prezencën brenda një partie, kur dihet niveli i demokracisë që ekziston tash për tash tek ne. Kohët tek ne flasin në favor të qëndrimit të cilin po e mbrojmë ne. Mund të ketë shumë motive që e shtyejnë një shkrimtar të kalojë edhe në politikë. Dikush mund të prezantohet se vëhet në ballë të mbrojtjes së të drejtave të popullit të tij, dikush tjetër mendon se është i denjë për politikë, duke menduar pozitivisht për kontributin që mund ta japë. Ekzistojnë edhe çështje djallëzore që mund ta shtyejnë në këtë rast një shkrimtar të kalojë në politikë, etja gjoja për një afirmim më të madh, etja karrieriste, nostaligjia për pozita etj. Por edhe ngritjet e përkohshme që mund të konsiderohen për afat të caktuar, në planin afatgjatë, ato përfundojnë askund. Nëse një shkrimtar i angazhuar mendon se mund të rrezatojë autoritet moral në ditët e sotme, duhet gjithmonë ta ketë parasysh se i shërben vetëm një klani të caktuar, dhe autoriteti i tij moral përfundon brenda rrethit vicioz të po atij klani. Një angazhim politik i shkrimtarit, do të mund të arsyetohej vetëm jashtë klaneve të caktuara, por kurrsesi përpara letërsisë. Të gjitha këto arsye, qofshin ato pozitive që mund të mendohen, çojnë në dëm të vlerës të quajtur shkrimtar.

Shtrohet çështja, shkrimtar ose politikan?!

Zvicër, 12 dhjetor 2003

Tregime:

KRISMAT E LIRISË

VULLNETARËT

Thirrja e atdheut ishte shpërndarë në të gjitha skajet e botës, ndërsa pushkët e lirisë po thirrnin djalërinë shqiptare anembanë botës për t’ i dalë zot atdheut. Sepse dheu i Kosovës po digjej e përgjakej në çdo cep nga ushtria barbare e okupatorit serb. Shkrumbi e gjaku që derdhej damarëve të tokës sime e shpon dhembjen e çdonjërit shqiptar jashtë atdheut. Dhe djalëria militante tani po i ktheheshin atdheut, pushkëve të lirisë. Në korrik të nëntëdhjetenëntës i gjeti gati drejt Malësisë së Vërrinit. Gjithçka e kishin bërë gati, rrobat, armët dhe gjërat e tjera të nevojshme për udhëtim. Mëngjesi i së shtunës, i gjeti të zgjuar; gjatë tëtë natës ata nuk bënë një sy gjumë. Duam të çmallemi, thoshte Rexha, pastaj lufte është dhe kush e di a shihemi më, dhe nëse shihemi, vetëm në Kosovën e lirë. Kur i tha këto fjalë, sytë iu mbushen me lotë, vetëm në liri, shtoi Sabriu e Qaza që ishin bërë gati për nisje. Fokusi i kamerës, shënonte çastet e fundit të kujtimeve me vëllezërit dhe shokët në mërgim. Me t’u nisur shumicës iu mbushen sytë me lot, por secili mundohej të përmbahej përpara vullnetarëve të lirisë. Betimi në flamur, përpara nisjes, u dha forcë të gjithëve, ngaqë mu zemra e alpeve po niseshin trimat e atdheut me flamurin kuq e zi në gji. Televizioni zviceran shënoi edhe intervistën e parë publike. Po shkojmë për të vdekur, tha Rexha. Për lirinë e atdheut, të djemve të Vërrinit shënuan fundin e nisjes së tyre vullnetare në rrugën e atdheut. Prapa tyre mbetën kujtimet e viteve në mërgim, që ndrynin në vete, duke u ndarë kush e kush me ata që kishin kaluar një kohë të gjatë; kish të atillë që nuk mund të rrinin pa qarë, në ndarje, por edhe gjatpëe rrugës. Atheu, megjithatë ishte pika më e dashur dhe vetëm ai mund t’ua lehtësonte dhembjen...

1998

PRITA

Kolona e të rinjve e kishte kaluar qindëshen, ndërsa karvani i kuajve mbi tetëdhjetë. Ajo zgjatej pa ndërprerë, derisa kolona me karvanin e kuajve kalonte fshatrave të Malsisë. Nata e qetë e verës së luftës, e shpërndante trokun e kuajve, nëpër pyjet që i visheshin bjeshkës përpjet dhe herë-herë ndihej ndonjë fjalë të ushtarëve, që bisedonin mes vete. Nëper këtë qetësi nate, hëna shpërndante dritën e saj bjshkëve, që ua ndriçonte rrugën ushtarëve të lirisë. Nga gumzhima e herëpashershme e zërave të tyre, prijësi i grupit kërkoi më tëpër qetësi, për shkak të përhapjes së zërave matanë shpatit, ku bënin roje kufitarët. -Ju lutem për më tepër qetësi, tha ai. Sepse edhe ashtu troku i kuajve bënë mjaft zhurmë. Një heshtje e plotë i kaploi të gjithë, vetëm troku i kuajve s'pushonte dot. -Jemi grup i madh, foli ai përësëri, ka rrezik të na hetojnë. Dikush pa i njohur rregllat e udhëtimit, e ndezi shkrepsën që të ndizte një cigare. Shkëlqimi i dritës u shpërnda mes grupit. Rafalet e rojave të kufirit, që u drejtuan nga grupi, nuk i dhanë mundësi asnjërit nga ushtarët as edhe komandantit që e drejtonte grupin për furnizim, për tërheqje vërejtje. Të gjithë bini për toke, u dëgjua një zë nga fillimi i kolonës. Vetëm kuajt që në lëvizje të pa- kontrolluara shpërndaheshin kodrave, ngelën në këmbë, ndërsa grupi i ushtarëve iu vesh kodrës. Krismat e armëve shpërthyen si një rrëbesh shiu, dhe përtej gjithçka pushoi. -A jeni të gjithë?, tha komandanti. Të gjithë ushtarët filluan t’ i tregojnë emrat, nëpër atë errësirë. Nuk mungoi askush. Vetëm disa kuaj të shtrirë që ende përpiqeshin lëvizjeve të fundit, nuk u zgjuan me dhe krismat e rojave të kufirit që nuk u dëgjuan më gjatë asaj nate. Grupi i furnizimit, e vazhdoi rrugën me betimin e dhën për sigurimin e armatimit, dhe mjeteve tjera për luftën çlirimtare.

gusht 1998

KUNDËRSULMI

Mëngjesi i gjashtëmbëdhjetë korrikut që kishte aguar plot shkëlqim, sapo kishte filluar t’ i ngrohte ushtarët që gjatë tërë natës kishin qëndruar nëpër pozicinet që e përkufizoin zonën e lirë të shpallur nga shtabi lokal i UÇK-së. Ata po i gëzoheshin ditës që po agonte plot diell e shkëlqim, gëzimi i tyre shihej buzëqeshjeve dhe ndonjë shakaje që e bëni me njëri-tjetrin. Lufta tanimë ishte bërë pjesë e jetës së tyre, ndërsa armët krahut pjesë e trupit të tyre. Pozicionet që e përkufizonin zonën e lirë, ishin stëpitë e tyre pa kulme ku e kalonin pjesën me të madhe të kohës në gjendje gatishmërie, gjatë gjithë kësaj vere. Ishte kjo përditshmëria e jetës së tyre nën emri e luftëtarit të lirisë. Zhurma e blindave të armikut, prishi qetësinë e ditës që sapo kishte filluar, ato po marshonin në drejtim të pozicioneve që e përkufizonin zonën e lirë. Po vijnë taket armike, bërtiti komandanti i kompanisë. Të gjithë nëpër pozicione, në gjendje gatishmërie, urdheroi ai. Dhe e nxori radiolidjen ga rripi që e mbante lidhur për beli, për të lajmëruar komandën e shtabit për rrezikun e mundshëm të ndonjë sulmi. Komanda, komanda, u degjua zëri i tij. Artileria armike po marshon drejt nesh, e përcolli zërin përmes radiolidhjes. Këtu komanda, u dëgjua një zë, nga brendia e radiolidhjes dhe vazhdoi: Nëese hyjnë brenda vijës së kuqe që na ndanë me ta, hapni zjarr, derisa të vijnë përforcimet. Ede pa përfunduar fjalët që vinin nga komanda, një rrëbesh plumbash e ngriste dheun përpjetë përgjatë vijës së pozicineve, ku qëdronin ushtarët e lirisë. Kundërzjarr, tha komandanti i kompanisë. Dhe plumbat vërshuan nga të gjitha anët e maleve që ishin nën mbrojtjen e ushtarëve tjerë. Dy nga ushtarët e armikut, që i përcillnin blindat nga anash ranë për toke. Matanë dukej vetëm zjarri i plumbave që s’i ndaheshin blindës dhe dheu që ngritej nga rrëbeshi. Jepni, trima, i inkurajonte ushtarët komandanti. Zjarrin mos e ndalni. E gjithë bjeshka villte zjarr, në ndihmë ishin vënë njësitët që i prinin kompanisë, që i mbronte nyjet e rrugëve që shpienin në brendinë zonës. Ndërkaq kënga që kishte filluar, u jepte fuqi edhe më tepër utrimave të lirisë. Snajperisti që qëndronte pranë komandantit , nuk fliste dot asnjë fjalë, as këngën nuk e përcillte; ai ishte përqëndruar prapa dioptrisë së dylbisë që e mbante mbi pushkë, dhe i vëzhgonte lëvizjet armike matanë përroit, që e ndante vijën e luftës. Lëvizjet e tij të vogla, hetoheshin në majën e pushkës nga armiku matanë bregut. Komandanti i kompanisë, pasi e zbrazi një karikatore kundër armikut, e ktheu kokën nga e djathta dhe shikoi njëherë nga ai, nuk foli asnjë fjalë, sikur e kutoi se fjalët ndoshta do t’ia prishnin qëtesinë e tij përpara gjuajtjes. Gjithçka e mbylli në heshtje, deri sa armës se tij i ndërroi karikatorin dhe e vendosi armën mbi dheun, që i mbulonte ata përpara pozicioneve, edhe gjuajtjet i ndali, e dinte mirë, se atij i duhej qetësi dhe koncentrim në pikën e shenjestrës që vështronte. Një krismë e hollë që doli nga arma e snajperistit, mbi blindën që villte plumba në drejtim të pozicioneve të ushtarëve tanë, rrëzoi siluetën mbi blindën armike, dhe të gjitha krimat nga pala armike pushuan. Paniku që kaploi armikun, krijoi rrëmujë në palën armike, dhe artilerinë e tyre, që filluan të zbrapseshin, tek po i tërhiqnin zvarrë dhe dy trupat e ushtarëve të tyre të rënë prapa blindës. Të ndalet zjarri, dha urdhër komandanti. Kurseni municionin. Dita e kundërsulmit rrodhi brenda gëzimit të fitores mbi armikun, dhe përgatitjes për beteja të reja.

korrik 1998

ÇLIRIMTARËT

Dritëdielli sa po i shpërndau rrezet, mbi malet e mbuluara me borën e fillimmarsit që shkrihej ngrohtësisë së pranverës që po vinte. Komandanti i kishte rreshtuar ushtarët e tij dhe po u caktonte detyrat e ditës që po fillonte. Ai po e kontrollonte gatishmërinë e secilit nga ushtarët dhe gjendjen e tyre fizike, ndërkaq për peshën e detyrave që do t’ ua ndante nuk ishte edhe aq problem. Ndërkaq, ata që gjatë tërë natës kishin bërë roje, duhej të zëvendësoheshin për të pushuar ca natën. Një zë që erdhi nga fundi i fshatit, e tërhoqi shikimin e të të gjithë që i pritnin detyrat, ndërsa komandanti bëri disa hapa mbrapa dhe shikimin e përqëndroi tek vasha që po vinte drejt tyre. Kurioziteti e ngacmonte, ndërsa ajo gjithnjë e më tëpër i afrohej shtëpisë kazermë, ku ishin të vendosur ushtarët. Çka ndodhur? thirri me zë të lartë komandanti, kurse jehona e zërit u shpërnda teposhtë grykës prej nga lidheshin rrugët e fshatit. Ajo nuk po mund të përgjigjej, lodhja ia kishte marrë fuqinë, dhe me dorën që e shtrëngonte gjoksin, mundohej të ruate frymmëmarrjen, që ia kishte shpejtuar vrapi. Po vijnë ushtria armike, me tanke e blinda, erdha t’ju lajmëroj, mezi i nxori fjalët ajo. Ju lutem, më jepni dhe mua një pushkë, iu drejtua komandantit. –Të gjithë nëpër pozicione dhe detyra urdhëroi komandanti, ndersa ti, iu drejtua vashës, ke bërë punë të mirë për lajmin e sjellë. Tani tani do të isha lutur të largohesh nga zona, sepse këtu do të këtë luftë. Më vjen shumë keq që duhet t’ ua kthej urdhërat, por unë kam ardhur të luftoj bashkë me ju. Ju lutem me jepni një pushkë. Komandanti duke e parë këmbëngultësinë e vashës, i zgjati automatikun që e mbante në dorë. Ja ia automatikun tim dhe këta karikatorë me fishekë. Ajo rrëmbeu armën dhe u nis vrapë drejt pozicioneve nga shkuan ushtarët tjerë. Krismat e tankeve armike të drejtuara në drejtim të pozicioneve të UÇK-së paralajmëruan fillimin e luftës së asaj dite të përgjakshme. Lufta s'pushoi deri në mesin e natës që erdhi. Deri në plumbin e fudit luftuan tre njësitet kundër tremijë e tetëqind ushtarëve dhe arltilerisë armike në mbrotjen e trojeve stërgjyshore. Borën e pranverës e mbuloi gjaku, ndërsa rënia e tyre me shikimin kah dielli, e solli pranverën e lirisë në Kosovë.

1999

ATA RANË ME KËNGË NË GOJË

Krismat e armëve mbyteshin jehonës që e përcillnin bjeshkët përreth fshatit. Ndërsa lufta që po vazdonte pa ndërprerë, mbillte vdekje kudo. Rruga e lirisë, e zgedhur nga ushtarët trima që luftonin për çlirimin e atdheut, hapej shkëlqimit të tyre nëpër vijat e frontit, kundër pushtuesit. Zjarr thirri komandanti, derisa hodhi bombën, në drejtim të tankut të armikut serb, që po u afrohej pozicioneve. Gjithçka u mbulua në flakë; tanku dridhi tokën rreth pozicioneve; jehona e krismës ndërkaq mbushëlloi malet. Kënga që buronte nga zëri i hollë i komandantit, vazhdoi pas jehonës së krismave. Ndërsa vargu: “Bini djema gjithë sa jemi, luftën mos me e ndalë”, u shpërnda pareshur tek ushtarët e lirisë, të cilët e përcillnin nga goja e tyre, bashkë me krismat. Dhe vargu i këngës vazhdonte: “T'gjithë së bashku për atdhe, jetën kem me dhanë”. Mesit të krismave të pushkëve, kur jehona e tyre tretej në zemrën e maleve, ritmi i këngës përhapej me jehonën e valeve që mbushëllonin malësisë, dhe me vete bartnin moralin e lartë të forcës dhe të luftës për lirinë e atdheut. Dhe kënga s'ndalej, buqimës së krismave të pushkëve, që e përcillnin ritmin e saj. E tërë ajo ditë pranvere me malet e veshura me borë, e treti këngën dhe gjakun, të atyre, që i falen shkëlqimin atdheut.

Malësi e Vërrinit, 1999

TROLLIN NUK E LËSHOJ

Ditën kur e arratis pyllit përpjetë mendoj me vete se bota u rrotullua e ra mbi të, ndjehej shurdhër nga zhurma e artilerisë së akupatorit që granatonte pandërprerë shtëpitë e fshatit. Ktheu, edhe njëherë shikimin mbrapa e me vete tha: “Tërë jetën punova e për pak minuta m’i mori të gjitha zjarri”. Më tej jehona e krismave shpërndahej shpatit përpjetë si një rrufe, që mbytej brenda tymnajave të zhurmës së zjarrit, e atij i dukej sikur i vlonte truri nga ato krisma. Jeta s`qenka asgjë, më mirë do ta pija helmin sesa të largohem, tha me mllef. Unë do të kthehem, iu drejtua plakës, nuk me bëjnë këmbët, pastaj ç`më duhet jeta mua, më mirë të vdes në oborrin tim, sepse aty edhe vdekja ka kuptim, ndërsa shikimi i tij tretej andej nga tymi i kullës matanë shpatit. Këmbëngultësia e tij ishte më e fortë se sa kërkesa e plakës, që e shoqëronte gjatë kthimit. Kanë një besë këto troje, tha me vete, po ku më zuri në këtë moshë kjo e mallkuar luftë, e ngushlloi veten. Mosha që ia kishte përpirë fuqinë i shihej kudo rrudhave të ballit të tij, dhe duarve, ku shtrëngonte shkopin, që shpeshherë e quante këmba ime e tretë. Ndërkaq, lutja e tij ishte që plaka të vazhdonte rrugën me gratë dhe fëmijët e tjerë drejt malit. Mirëpo ai e mori vetëm një përgjigje : “Unë nuk të lë vetëm, do të vdesë me ty”. Kthimin drejt lagjes që po i dilte flaka nga të gjitha anët, nuk e dinte as vetë sesi e kishte bërë, vetëm fati e kishte shpëtuar nga granatat që binin pandëprerë. Pastaj hyri në bodrumin e shtëpisë, që po i dilte flaka në katet e sipërme dhe nga dyert e dollapit në murët e shtepisë e nxori armën e tij, që e kishte ruajtur me dekada. Prapë të erdhi dita moj e uruar, përshpëriti tek po e rretullonte në dorë, ty dhe mua s`na hiqet qafesh ky armik, e dinë ti mirë çfarë do ai. Për një çast iu kujtuan vitet e rinisë, kur ishte luftëtarë i ballit, kujtoi ato vite dhe mallkoi kohën, që kishte rrjedhur pas asaj lufte, mallkoi tradhtitë që ishin bërë, komunizmin dhe mirë që erdhi kjo ditë, fliste me vete. Doli në oborr dhe me mllef, tha se këtu do ta presë hasmin. Nuk kam ku të shkoj nga këtu, tjetër shtëpi s`kam as tjetër atdhe. Plaka ndërkaq mundohej ta shuante zjarrin me ca kova ujë . Lëri të gjitha, moj plakë, ato do të digjen se do të digjen. Dhe ditët e qeta që kishin rrjedhur më pas, përpara trupit të kërrusur të plakut mbi armën e tij, i kishin gjetur edhe dy policë të armikut të shtrirë për toke, në oborrin e shtëpisë.

1999

Lirika

Si të çlirohem

DHOMË DASHURIE

Pak romancë mërgimi

Heshtas e them në vetvete

Nën etjen tënde skofiare

Dua të prehet hija ime

Se ashtu do të kem më afër

Ëndrrat e mia jo të qeta

Do t'i pushtojnë me drithm

Venat e tua

Dhe do ta dish kush erdhi

Kush po prehet i qetë në ty

Shpesh bie në mendime

Poezia një natë më mbeti pa titull

Si ta fashit brengën

E ta kem së paku një gjysmë diel

KUJTIMET M'I HUMBIN
VARGJET


Dielli fshehet nga unë

E muret përplasen errësirës

Sytë shkëlqejnë para hijeve

Kujtimet rrjedhin lumë

Më kthejnë kohës së ikur

Gjithqka humbet brenda çastit

E kujtimet e ikura

Më mbajnë rob

S'di si të çlirohem

FUND VERE

Vera tani po ikën

Bashkë me të edhe këngët

Dil edhe në vjeshtë

Mbase ma ngroh shpirtin

me dashurinë e verës

Të gjesh strehim tek unë

Vera na qenka vetë dashuria

Mijëra herë këtë e kam thënë

Para fundit të verës

Çdo ditë mbi qiellin tënd

Si gjilpërë plagët më therin

Heshtja vazhdon të djegë

As shirat e vjeshtës

S'mund ta lajnë mëkatin e verës

Mbase kot kacafytesh me djallin

Vapa s'bën të hiqet

A ndjen kush heshtjen tënde

Fshehtas zgjjohesh e ikën

Pa ndalur dot buzëqeshjen

Fjalët më treten para vargut.

Roman

DOSJA P

KAPITULLI I PARË

Terri sa po kishte filluar të zbriste në tokë në qytetin buzë Lumëbardhit. Bora e Sharrit që po shkrihej dhe shirat e pranverës i kishin mbushur skajet e shtratit të lumit që gurgullonte rrjedhës teposhtë mespërmes qytetit. Uji që përplasej gurëve të shtatit të lumit, gjarpëronte valë të vogla që iknin furishëm teposhtë rrjedhës, ndërsa shkëlqimi i dritave të qytetit, rrezatonte shkëlqim mbi ujin e bardhë. Askujt s’i kishte bërë përshtypje kjo çiltërsi uji, pos Kolonelit i cili deri sa kishte zbritur nga autoblinda. Aty pranë lumit, i kishte hedhur një shikim pjesës së Nënkalasë së qytetit, deri buzë shtatit të lumit ku përfundonte ajo. Gjatë e kishte ëndrruar ardhjen në këtë qytet, por tash që po e shijonte bukurinë e tij gjatë kësaj mbrëmjeje, simpatia për të po i ndizej edhe më shumë. Ishin ditë pranvere. Gjethi sapo u ishte veshur pemëve dhe lisave që gjendeshin pranë shtëpive dhe malin përmbi qytet. Ato ia shtonin bukurinë e kësaj mbrëmjeje dhe e bënin atë edhe më tërheqës. Koloneli e njihte mirë këtë qytet. Ai paskësh qenë shumë herë në Kosovë, dhe sa herë kishte zbritur këtej, nuk kishte ikur pa e vizituar Prizrenin. E lidhnin shumë histori nga e kaluara me këtë qytet. Kishte lexuar edhe shumë libra për të, mandej sa herë kishte ardhur me detyra ushtarake në kufi, asnjëherë nuk kishte pranuar të flinte në kazermë. E kishte për qejf pjesën e vjetër të qytetit dhe vendosej gjithmonë në hotelin përballë saj. Ndoshta kishin ndikuar tregimet e gjyshit, të babait, apo librat, megjithatë Koloneli e kishte ndier gjithmonë lakminë e tij për këtë qytet. Tashmë që kishte hyrë në brendinë e tij, ndjente melankolinë e lakmisë, se një ditë ky qytet do të jetë i tij. Kjo melankoli edhe më tepër ia trazonte dosjet sekrete që i mbante të mbyllura në çantën e tij. Çasteve para hyrjes në këtë qytet, nga xhami i vogël i autoblindës gjatë i kishte shikuar fushat që shtriheshin djathtas deri në rrjedhën e Drinit, ndërsa herë-herë në të majtë kishte shikuar shpatijet që ngriheshin deri në majat e Sharrit. Ato bjeshkë sikur e kërcënonin atë dhe çdo çast e kishte ngacmuar një frkë se papritmas mund të vijë ndonjë predhë nga andej. Shikimin gjithmonë e anonte në anën e djathtë. Në çastin kur i kishte parë shtëpitë e para të qytetit, sikur ishte larguar nga ai ankth. Kazerma e ushtrisë së tij që ishte mësuar ta shihte gjithmonë në anën e majtë të hyrjes së qytetit, ishte rrafshuar me tokë nga aeroplanët e NATOS. Kjo e kishte tërbuar Kolonelin.

- Të poshtër! – e kishte derdhur mllefin mbi aleancën e NATO-s, që ato ditë

vazhdimisht ia godiste caqet e ushtrisë së tij. Përtej shtriheshin copa muresh, rrënoja, makineri ushtarake e objekte tjera të djegura deri në themel. Kjo ia kishte shtuar trishtimin dhe frikën, se luftën do ta humbnin. Megjithatë, ai nuk jepej përpara përcjellësve të tij. Pamjet e vrazhda të këtyre goditjeve, sikur ia kërcënonin realizimin e misionit. I pari i tij e priste krenar atje lart në Beograd. Hë pra! Ai do ta kryejë misionin. Do të bëjë gjthçka. Do t’i shfaroste shqiptarët dhe do ta shkulte qytetin. Lavdia e tij do të ngritej atje në Kalamegdan. Një mision i lartë në lavdinë e tij. Gjatë atyre çasteve, iu kujtuan fjalët e të parit të tij që ia kishte thënë përpara nisjes tek po ia jepte dosjet në dorë: "Ti do të jesh lavdia dhe krenaria e Serbisë"! Ishte rrëqethur nga mishi, derisa i kishte marrë në dorë ato dosje. Tash që udhëtimi kishte mbaruar dhe ai kishte hyrë në hotelin buzë Lumëbardhit, e ndjente veten të çliruar, ndërsa ndjenja për shlodhje ia ngacmonte dëshirën për pushim. Nuk kishte kohë. Për pak çaste duhej të vinte delegacioni i komandës në një takim. Ai e bëri një dush, ndërroi rrobat ushtarake me ato civile dhe u ul pranë dritares në ballkonin e hotelit. Lëshoi një ofshamë çlodhëse dhe përpak çaste i mbylli sytë. Nuk e dinte nëse ishte lodhja nga udhëtimi apo ankthi që e kishte shoqëruar gjatë rrugës. Për çdo çast mund të sulmohej konvoji ushtarak, qoftë nga ushtarët e UÇK-së apo nga avionët e Nato-s dhe ta linte kokën në Kosovë. Kjo frikë e kishte shoqëruar gjatë tërë rrugës, prandaj e kishte zgjedhur buzëmbrëmjen ngase më pak mund të gjendej i sulmuar. Ky ankth e kishte dërmuar. Aq më tepër fjala e gruas së tij, Svetllanës, e cila përpara nisjes i kishte thënë: Kosova ua ka ngrënë kokat e sundimtarëve gjithmonë, të lutem mos shko! Ky zë i gruas së tij i kishte mbetur në vesh. U zgjua trembshëm nga ulësja ku po dremiste një sy gjumë nga trokitja në derë e kamerierit që i solli shishen e shlivovicës.

- Më falni zoti Kolonel! - u solla rakinë e porositur – tha kamerieri.

- Hë, po, falemnderit! Lëre aty mbi tavolinë - foli me përtesë Koloneli, tek po zgjohej i trishtuar, dhe sërish i mbylli sytë.

Përballë hotelit u dëgjuan krisma armësh. Koloneli sërish përçartej. Nuk e dinte sa kohë i kishte mbyllur sytë, por trupi i dridhej nga plogështia që ia kishte krijuar ajo kllapi gjumi. Shikoi andej nga erdhën krismat. Përballë dritares së hotelit, shpatit përpjetë shtrihej lagjja e Nënkalasë siç e quanin vendësit që populohej kryesisht nga bashkëkombësit e tij.

- Duhet të jetë ndonjë gëzim familjar, - mendoi me vete Koloneli, tek po e tërhiqte vëmendjen andej nga vinin zëra të ndryshëm të muzikës. Kjo po i bënte përshtypje Kolonelit. Ia kujtonte Valevën, Kragujevcin, Nishin, Beogradin…

- Gëzojnë bashkëkombasit e mi edhe këtu tha ai, - derisa po i përcillte tingujt e një kënge nga muzika popullore serbe. Kush e di ç'festë do të bëhet, ditën kur do ta futim Prizrenin në duart tona. Kjo edhe më tepër ia shtoi lakminë Kolonelit. Çudi, tha me vete, shqiptarët s'dëgjohen për të gjallë. Po ç'bëjnë tash ata?!. Ndoshta flejnë! Nuk është e mundur. Iu kujtua fjala e gjyshit kur i paskësh thënë: Ata edhe kur flejnë, janë të zgjuar. Kjo ia dridhi mishin Kolonelit. Shqiptarët, përshpëriti ai! Ah, sikur të mund ta fshija këtë emër, nga faqja e dheut! - shfryu plot mllef Koloneli.

- Ky është fundi i tyre, - përshpëriti plot shpresë, dhe shikimin e hodhi drejtë çantës së tij që e kishte vendosur mbi një tavolinë aty përballë tij.

Kjo e kthjelloi nga ajo kllapi lodhëse që po e mundonte që prej kohës kur kishte ulur mbi këtë ulëse. Filloi ta ngacmojë krenaria, se një ditë ky qytet do të jetë i tëri nën këmbët e tij dhe se fjala e tij, do të jetë fryma e këtij qyteti.

Me të do të lidhet gjithçka, ndërsa lavdia serbe, emrin e tij do ta radhisë ndër

të parët në histori. Ndihej i fuqishëm. Më i fuqishmi i këtij qyteti. Tashmë

nën këmbët e tij ky qytet po i numëronte ditët dhe gjithçka do të ndryshojë për pak ditë. E atëherë lavdia e Kolonelit do t’i prekë majat e qiellit! Edhe atje në Beograd, do t’ia lëshojnë vendin trimërisë dhe lavdisë së tij. Do të jem

njeriu më i privilegjuar i perandorisë sonë! Këtyre ëndrrave po bredhte Koloneli kur në derën e tij trokiti recepcionisti i hotelit.

- Ka ardhur majori S. Ju kërkon juve z. Kolonel!

- I thuaj se do të zbresë poshtë brenda pak çasteve, - tha Koloneli.

- Si urdhëroni, z. Kolonel! - tha recepcionisti dhe iku përtej derës.

Koloneli, u zgjua nga ulësja dhe zbriti teposhtë shkallëve në katin e parë

të restorantit të hotelit.

REPORTAZH

OXHAQET E KULLAVE TË SHKRETA

Ditë gushti që erdhi plotë vapë, na ktheu në një mot të përdalë të kohëve barbare. Fillimi i vjeshtës së hershme në vitin 1998, është kohë e historishme e këtyre kullave të lara me gjak. Mote barbare që rënduan mbi kurrizin shqiptar, ishin të zeza. Të zeza sa vetë korba e skafandrave barbare të veriut të zi. Ishin mote të zeza të një kohe të përdalë, kur harbuan korbat poshtë në ballkan. Ardhja e tyre me zjarr, dogji e poqi, shkretoi trojeve të Arbërit. Kështu shkruan historia qindravjeçare për bishat karpatike me pamje njeriu. Asnjëherë s'pushuan zjarrin e tyre, dogjën e poqën nëpër kohë, deri në shpërthimin e zemërimit arbëror. Është viti i luftës, fillimi i kujtimeve tona plot dhembje.

PLAGËT E REJA

Mbushëlloi mali e fusha me gjelbërimin e pranverës dhe cicërimën e zogjve ndër male. Malit iu shtua dhe një këngë, kënga e lirisë. Kosova kreshnike po zgjohej nga gjumi. Djalëria militante i veshi rrobat e lirisë dhe nisi këngën e atdheut për t’i qëndisur shpresat e ditëve të bardha. Janë këngët maleve që mbushëlluan zërit të rinisë heroike të Vërrinit. Djalëria militante që kishte vendosur ta bënte lirinë e ëndrrave shekullore, në rreze dielli që agoi më vonë. Por rruga e nisur kërkonte sakrificë, vendosmëri e guxim. Kjo rrugë ka plagë, ka zjarr, ka luftë. Dhe, vera që rrodhi, krahas përgatitjeve dhe organizimit ushtarak, ajo pati rënie dhe ngritje. Plagët hapeshin me rëniet e reja të djalërisë së Kosovës nëpër vijat e frontit. Gushti që kishte ikur, për Vërrinin kishte hapur plagë të mëdha. Rënia e Komandatit ishte plaga që më së rëndi rënkonte shtatit të tij. Shtatori po fillonte. Shkëlqimi i diellit mbi Vërri po agonte me krismat e artilerisë armike mbi pozicionet e ushtarëve të lirisë dhe fshatrave brenda zonës. Mbi kokën e majave të vërrinit, pikat e qëndresës ishin vënë në mbrojtje të poziciove. Betejë e ashpër po zhvillohej atij mëngjesi për mbrojtjen e zonës. Ata ishin pak përballë ushtrisë okupatore që synonte ta thyente pikën, por ishin shumë me zemër. Qëndresa kishte vazhduar tërë ditën. Deri në plumbin e fundit, luftuan djemtë e lirisë për t’u bërë të pavdekshëm në altarin e atdheut. Ishte Selajdin Berisha, i cili deri në flijim luftoi kundër hordhive çetnike nga Serbia, Xhevat Berisha, pishtar i pa shuar i lirisë, Shefqeti, Bekimi e Alajdini, Nehati, Hasimi, Shahadini e Naipi. Dhe, me rënien e këtyre lutëtarëve të lirisë, bie edhe katundi i vogël me zemër të madhe majë shtatit të Vërrinit. Vriten edhe dy pleqtë, Asllani e Izeiri dhe katundin e mbuloi flakë e luftës. Prapë plagë të reja në Vërri!!!

VËRRINI NË GJAK, NË TYM E NË FLAKË

Gjaku rrodhi lumë, kudo në Vërri. Rënia e pikës së ushtarëve të UÇK-së në Lez, ishte rënie për gjithë Vërrinin. Nga atje, forcat armike e kishin më lehtë të depërtonin teposhtë shtatit të Vërrini. Granatimet e pandërprera, në Malësi të Vërrinit i kishin marrë jetën vogëlushit 5 vjeçar, Arlind Kryeziut. Ndërsa depërtimi i forcave armike, gjatë ditës së dytë të shtatorit, ua mori jetën edhe shumë pleqve si: Bajram Thaçi, Mursel Halilaj, Skender Memedaj, Agush Kryeziu, Qazim Poniku, ndërsa Nesim Krasniqi ra në rezistencë me forcat e okupatorit. Ishin zënë rreth pesëmbëdhjetë pleq tjerë robë, të cilët për katër ditë kishin kaluar ditët e ferrit. Katrahura e djegies kishte filluar. Pas rënies së ushtarëve në Lez, katundin me rreth dyzet shtëpi e mbuloi tymi e flaka. Nuk shpëtoi asgjë nga zjarri pos tyrbes dhe një shtëpie njëdhomëshe që përdorej si xhami, por jo edhe plumbave dhe copave të granatave që vrimonin kudo nëpër muret e tyre. Lezi qe rrafshuar me tokë, kështu pohoi edhe një banor i tij gjat atyre ditëve për një agjenci informative. Edhe Malësia ishte djegur e tëra, katund ky që numëronte mbi 250 shtëpi qe bërë shkrumb e hi gjatë atyre tri-katër ditëve të fillim shtatorit. Ditën e katërt, nga forcat okupatore, në këtë katund u vra i riu Arsim Maliqaj. Ploja e luftës kishte vazhduar edhe në katundin Gjeq (ish-Jeshkovë). Në luftime u vranë: Agim Shala dhe babai i tij Avdiu, Besim Shala, Fatmir Berisha e nuk u kursyen as popullata civile; plaka Kadishe Berisha, plaku Merxhan Shala, e reja Myrvete Shala dhe Fatime Shala. Katundi gjithashtu qe kallur i tëri nga forcat barbare serbe. Edhe në Hoqë të Qytetit, granatat e armikut vranë plakën Hatë Shala dhe Xhemil Krasniqi, Kësaj ploje nuk i shpëtoi as katundi Arbëri dhe Kushtendil. Ndërsa në këtë të fundit u vranë edhe tre ushtarë të UÇK-së: Tamil Shala, Milaim Thaçi dhe Refki Shala. Kështu, për këto katër-pesë ditë, Vërrinin e mbuluan flakët e luftës të cilat rrodhën gjakut dhe shkrumbit mbi shtatin e tij.

KATUNDI I SHKRETË

Lufta kishte vazhdoi. Qenë zhvilluar edhe shumë beteja nëpër Vërri. Numri i plagëve shtohej edhe më. Është e pamundur të përfshihen me pak fjalë gjithë ato luftëra. Lezi, mbeti i shkretë. Askush nuk frymonte atje. Kullat u bënë shkrumb dhe vazhdimi i jetës normale, sikur mori tatëpjetën. Banorët që mbijetuan, u shpërndanë nëpër qytet për të gjetur ndonjë strehë dhe për ta kaluar dimrin që po vinte. Edhe paslufta nuk i ktheu banorët e tij. Ku?! Ku të shkonin ata?! Qe djegur gjithçka dhe i tërë katundi dukej rrafsh me tokën. Liria që kishte hapëruar mbi dheun e Arbërit, nuk i ktheu as banorët e Lezit. Dy a tre ishin ata që kishin vendosur të ktheheshin atje. Një bari, që kishte krijuar një kope delesh dhe një pronar i tyrbes (që gjendet prej shekujsh në këtë fshatë). Jeta dukej e vështirë. Kullat e rrënuara deri në themel, ndërsa oxhaqet qëndronin statujë duke mos iu përkulur kohës dhe flakëve të luftës. Pozita vërtikale e tyre qe bërë simbol i mbijetesës sonë në këto troje.

VIZITA NË LEZ

Shkrumbi i flakëve të luftës, kudo na përcillte nëpër Vërri. Kudo njësoj, djegie

deri në themel. Plagë të hapura kudo. Po fillove t’i shpalosësh ato nga gjiri i kësaj toke, klithma e tyre dhimbjet t’i trazon. A është e mundur të jesh poet dhe ato dhembje mos t’i ndjesh?! Syri poetik i sheh që nga thërrimet e shkrumbit. Dhembja është e madhe. Është Vërrini, plagë që kullon në shpirtin e poetit. Janë plagët e atdheut "dhuratë" e satanës që iku veriut të zi. Ato

rrjedhin kudo. Shtatit të Vërrinit udhëtimi zgjatet i dhembshëm. Malësia kudo, përpëlitet mbulimit të plagëve që i la lufta. Zhurmat e makinerisë, tak-tuket e çekanëve të mjeshtërve mbi kulla, janë muzikaliteti i përditshmërisë së ditëve të verës. Zërat e njerëzve nuk janë ata të paraluftës. Ata qenë mbytur dhembjeve brenda heshtjes. Hapat tonë vazhdojnë përpjetë grykës së Vërrinit. Malësia ngelet prapa, e mbushëlluar zhurmës së çekanëve. Vetëm pas gjysmës së rrugës, Lezi fillon të duket si hije e shkretuar atje lart në maje të Vërrinit. Edhe një çerek ore rrugë dhe dhembja nis e merr vrull. Hapat e shpejtuar, ndoshta më shpejt se koha e planifikuar na sjellin në hyrjen e katundit. Një shtëpi e rrënuar deri në themel, është imazhi i parë i kësaj dite plot vapë. Nuk ka kulm, nuk ka mure ndarëse në mes, gurët e shkarkuar në brendinë e saj kanë mbuluar gjithçka. Vetëm një oxhak atje skaj një muri, ngjitet vertikales përpjetë dhe i qëndron roje kullës së rrënuar. Një pejzazh i fiksuar për kujtimet tona, u mbyll brenda objektivit. Rrugët qenë ngushtuar, i ka mbytur bari e hithrat. Përtej, shtëpitë tjera, na dalin si imazhe të brishta të një kohe barbare që ra mbi këto troje. Prapë kulla të rrënuara, prapë oxhaqe mbi rrënojat e tyre. Hyjmë në brendinë e katundit. Tyrbja si një dritë shprese dhe xhamia nën të, bëjnë të kuptuar se jeta mund të vazhdojë. Plumbat e ushtrisë barbare dhe copat e granatave të artilerisë, janë vizatuar kudo mureve të tyre. Përtej tyre, mes pemëve kah fshiheshin shtëpitë e dikurshme të Lezit, shtrihen rrënojat e gurëve dhe baltës që ka filluar t’i përpijë toka. Vetëm oxhaqet shikojnë përpjetë, si simbolikë se aty ishte një shtëpi, më tej një tjetër, dhe kështu me radhë. Shikimi ynë dredhet brenda rrotullimit për treqind e gjashtëdhjetë shkallë, duke e shikuar të tërin. Vetëm rrënoja dhe oxhaqe, u bëjnë roje kullave. Një zë në emër dhe mbiemër që më drejtohej nga brendia e fshatit më trazoi. Paska jetë, e ngushëllova veten. Ishte zëri i Naim Berishës (vëllau i dëshmorit, Bekim Berisha). Mirë se erdhët në Lezin e rrënuar! - më uroi ai. Nuk kisha fjalë. Zonja ime më zgjoi nga kllapia e atyre çasteve duke më pyetur për të bijën e xhaxhait të saj e cila qe plagosur në luftë, (e shoqja e mikëpritësit). Do ta pimë nga një kafe brenda rrënojave të kullave tona. Na kanë ngelur vetëm oxhaqet mbi kulla si roje fshati në këtë copë liri që erdhi. Djemtë u vranë të gjithë. Luftë e madhe u bë në Vërri, u derdh shumë gjak, vazhdonte miku, derisa na printe përpara për në shtëpinë e tij të renovuar. Nuk dua kafe, - i thashë mikut, vetëm ujë Lezi pakëz, kam zjarrmi dhe dua ta shuaj ca atë. Nuk më mjaftoi gota e parë, tri herë u zbraz gota deri në pikën e fundit. Kujtimet e së kaluarës për Lezin, ishin trazuar si një nostalgji e shpresës, se prapë do të kthehet ajo gjallëri. Është kujtimi i shokëve, gjeneratës me të cilët u rritëm dhe u shkolluam bashkë. Një dridhmë më përshkoi. Ata nuk do të kthehen më. Ikën përjetësisë, në lapidarët e atdheut. Tregimet e mikut të ulur këmbëkryq përpara meje, prapë më nxorën nga ai udhëtim nëpër të kaluarën. I dija të gjitha zhvillimet e luftës së Vërrinit. Arkivat e mia kishin katër vjet që plotësoheshin çdo ditë. Më interesonte ndonjë ngjarje që nuk isha në dijeni, dhe mikun e ndërprisja me pyetje të shkurtëra për ndonjë detaj të caktuar. Dhembja nuk më linte të qetë, ajo më shponte vazhdimisht. I mora leje mikut që të dilnim nëpër katund, sepse më iteresonte t’i fiksoja pamjet e luftës. Ashtu dhe bëmë. Kudo kulla të rrënuara deri në themel, në çdo shtëpi nga një oxhak vertikales përpjetë. Po ku janë njerëzit?! Ata që u vranë, janë atje tha miku dhe djejtoi gishtin tregues kah lapidari në majë të kodrës, ndërkaq pjesa tjetër në Landovicë. Unë nuk i dhashë eshtrat e vëllaut të m'i çojnë atje, i varrosëm atje mbi kodra. Ata u lindën këtu, u flijuan për këtë tokë dhe këtu i varrosëm. Varret e tyre dua t’i kem pranë këtyre kullave, roje në ditët e bardha të lirisë. U ndamë nga Lezi me kujtimet e një epoke brenda të cilës u shkruan me gjak legjendat për lirinë. Ndërsa Lez-i, mbeti prapa neve, në pritje të njerëzve të tij.

Flori Bruqi dhe Engjelll Shehu