Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, tetor 08, 2005

From : Flori Bruqi
Sent : Thursday, October 6, 2005 5:06 PM
To : art-cafe@alb-net.com, floribruqi@hotmail.com
Subject : F.Bruqi:G.Ajgeraj:Shkrim i dr.Krist Malokit...

Prof. Dr.Phil Krist Maloki

Kushtrimi KRIZË! an-e-m'anë Shqipnisë...

Kushtrimi Krizë! po vlon nëpër Shqipní... Krizë! thërrasin katundet, Krizë! bërtasin qytetet... Krizë! thërret Shqipnia mbarë, dhe nëpër kushtrimin e saj të përvluem përzihen brithmat e fëmijve për bukë, përzihen vajtimet e përlotueme të grave, përzihen krismat e pushkëve vetvrasëse të sa e sa burrave shqiptarë...

S'ka dyshim: trupin e popullit dhe të shtetit shqiptar po e tundin dridhmet e etheve të forta. Porse, ah! se këto ethe nuk janë ato të rinisë, ethe biologjike, të cilat pervëlojnë nji herë çdo trup e organizëm të ri brënda zhvillimit apor rritjes së tij, jo, ethet e krizës sonë janë ethe shkatërrimi, ethe çprishjeje, ethe kah - skëterra!...

Shkaku?.....

Me nji naivitet të foshnjeve po pyetshin nji ditë gazetat e Tiranës kah shkaku i krizës sonë. E dijtun: deri vonë ato kanë qenë zanë aq fort me tertevertime personale e polemike kundra shoqja-shoqes sa s'kan pasë ngê me i falë nji vështrim sado të vogël nevojave të popullit... Dhe mos të kishte qenë "Ora" me disa artikuj të saj në kohën e fundit, ky kushtrim i pikëllueshëm i gjithë popullit shqiptar do të kishte mbetë edhe sot i pandigjuem ndër qarqet e nalta qeveritare... Sidokjoft: kemi punë ma të randsishme!... Porse m'anë tjetër vet zgjidhjet e problemit, a ma mirë: shkaket e krizës që na i parashtron gazeta "Ora" na rrëfejnë kjart se sa larg nga faktet gjenden edhe ata që interesohen sadopak edhe me të vertetë rreth problemeve ekonomike shqiptare... Dhe si nji sarkazëm diabolike na duket që disa artikuj të fletores "Shqipëri e Ré" (Gjikam, Bubani), të shkruem qysh para nji vjeti me mjaft zell, kompetencë e me statistika në dorë që me ia hapë sytë çdo qorri e me ia tundë kafazin e mendjës çdo qeveritari e gazetari, nuk ia kanë tërhjekë vërejtjen askujt andej kah Tirana... Sot fjala Krizë! âsht bâ modë në Tiranë... sidomos mbasi dha urdhën fori ma i nalt i shtetit tonë që të formohet nji komision i veçantë e ta studjojë me vëmendje problemin e krizës... Dhe namëta: sot po vlojnë kafehanet e Tiranës me kompetenta t'ekonomisë... dhe namëta: kushtrimi Krizë! ka leje të vlojë haptas nëpër gjithë Shqipninë mbarë...

Apor, jo?...

Jo, ashtu fare jo! Sepse në Tiranën zyrtare kriza kuptohet vetem si nji çâshtje e bilancit tregtar, si nji problem financiar, e hiç gja tjeter... Ashkollsun!... Dhe nuk i shkon kujt nëpër mend, apor nuk do t'a dije kush, se mbrapa njasaj mospërputhje mes importimit e eksportimit fshehet nji hyder krizore, nji shpirt sketerre, nji lugat shpirtnuer që po ia zatetë frymën gjithë popullit shqiptar... Nuk i shkon kujt ndër mend, apor nuk guxon kush ta dijë, se kriza shqiptare âsht nji kompleks krizash (ekonomike, financiare, psikologjike, sociale, politike etj.) dhe se bilanci tregtar ka pak a shumë nji randsi inferiore... Kështu pra, s'ka shpresë që gazetat e Tiranës apo kompetentët ekonomista të qeverisë shqiptare të merren sot o aty shpejt me shkaket e verteta të krizës dhe me zgjidhjen e problemit të saj... ashtu si e lypte nevoja e orës së dymbëdhjetë të shtetit të lirë shqiptar...

Por: aman mos të keqkuptohemi! S'kemi kurfarë qëllimi, direkt a indirekt, të drejtojmë akuza kundra qeverisë apor regjimit të sotshem në Shqipní. Bindja jonë âsht kryekput që kriza e sotme s'âsht tjetër veçse fryti i nji zhvillimi historik. Na të gjithë lëngojmë nëpër nji sistem të damshem e antikombtar, të cilin na e kanë lanë mirazë pikërisht kohnat ma të hershme, qysh nga byzantinët e të tjerë pas tyne. Mjaftojnë këtu të përmendim vetem vepren e Lumo Skëndos (Plagët t'ona), botue më 1924, dhe fjalën që mbajti Fan Noli në parlamentin e Tiranës me 24 Shtator 1923 (rreth pesë anarkive qé mundojnë popullin!)* dhe të konstatojmë që kriza e sotshme shqiptare nuk i detyrohet vetem qeverisë apor regjimit të sotshëm. Faji i të gjithë qeverive shqiptare qysh më 1912 ka qenë e âsht: që nuk janë mundue e s'kanë dijtë me e ndryshue e me e zhdukë njat sistem të damshëm nga zemrat e popullit shqiptar. Perkundrazi, - e këtu qëndron akuza e jonë ma e flakët kundra tyne, - qeverinat e derisotshme shqiptare jo veç s'kan marr masa kundra njatij sistemi, a ma mirë: botëshikimi antikombtar, porse, nëpër moskujdesjen e tyne, kanë lanë me u fikë e me u zhduk edhe njato pak ndjenja kolektive dhe kombëtare që kanë vlue deri më 1912 ndër zemrat shqiptare. Dhe, (pa dashtë të lozim rolin e një Kassandre!) mund të thom me gjithë pikllimin e zemrës sonë, se me krizën ekonomike po i kërcnohet popullit edhe kriza shpirtnore kombëtare, se me falimentin ekonomik të shtetit tonë, mund t'i bahet vorri edhe gjithë kombit shqiptar!... Videant consules!!... et caveant!!... Karakteristika ma kryesore e krizës sonë, shqiptare, âsht nji fakt psikologjik: Na mungon besimi! Fati i pashpirt i sa e sa shekujve robnije dhe pasigurije na ka bâ pesimista deri në palcë; nuk i besojmë as shokut, as tregtarit, as zyrtarit, as qeveritarve, as shtetit... madje as vllaut tonë dhe bilé-bilé as Zotit e as vehtës... Tutemi, rrudhemi e shtrydhemi nder punë tona si kaçamidhi në levozhgën e vet... Jemi bâ nomadë, për mos me thanë: monomana, e ravgojmë nëpër këtë botë në nji vetmí shpirtnore të zhbraztë, secili në llogari të vet, secili n'interes të vet - e vetem sa me muejt me shkye, sa me rrëmbye nji copë varfanjake nga kjo jetë e shkretë materiale!...

Ky qendrim negativ i shpirtit tonë âsht shtue e pezmatue edhe ma fort qysh se kemi dalun shtet më vehte e qysh se i kemi humb edhe ato pak shpresa e ideale që na paten mbetun nga kohët e tiranisë së huej: pse përvojat me bashkatdhetarët tonë na duelen ma t'idhëta se ato me anmikun barbar!?... Nuk i besojmë shokut, pse na ka gënjye sa e sa herë: na ka dhanë fjalën e se ka mbajtë, na ka dhanë besën e na ka trathtue!... Nuk i besojmë tregtarit, pse na ka mashtrue sa e sa herë: na ka shit nji mall për nji tjeter, na ka puthë doren nder ditë të bardha e na ka nxjerë shpirtin nder ditë të zeza. Nuk i besojmë zyrtarit, pse na ka marrë nëpër kambë sa e sa herë: na ka sjellë me ditë e me javë vetëm për nji punë të vogël, kurse nji tjetri ia ka ndreq punën e madhe aty për aty - pse ka luejt bakshishi apor akraballëku!... Nuk i besojmë qeveritarëve pse na kanë ushqye deri më sot vetëm me profka e me premtime: dalin dekrete e ligje e nuk zbatohen, apor zbatohen vetëm për njênin a tjetrin e jo për të gjithë; m'anë tjetër bân populli lutje e ankohet dhe qeveritarët popullora nuk tunden nga kulltuku!... Nuk i besojmë shtetit, pse punët e tija dita më ditë po keqsohen: kurrnjiherë s'kemi kenë rrjepë e thithë gjaku aq fort nga disa vampira sa sot në Shqipninë e lirë, kurrnjiherë s'kemi pasë aq pak të drejta efektive (e jo vetem në letër!) sa sot në këtë shtet, të cilin e kemi ngrehë na vet me gjakun tonë!... Nuk i besojmë vllaut tonë, pse disa interesa të prunjta na e kan ndâ prej zemre!... Nuk i besojmë mâ Zotit, pse shpresat e lutjet tona duelen të gjitha të kota!... Nuk i besojmë, jo, as vehtës, pse së fundit e kuptuem se jemi nji hiç, nji zero dhe se jemi ma tepër të fjalës se të veprës, apor si thotë Pader Gjergj Fishta: ma tepër të dukës së të kênës!...

Na mungojnë ndjenjat kolektive thotë në nji vend, me mjaft disprim gazeta Ora. E vërtetë, porse ndjenjat kolektive, të cilat janë lidhun gjithmonë me njëfarë ideali, na janë shue vetem në këtë Shqipninë e lirë. A nuk qenë ndjenja kolektive ato që i shtynë shqiptarët me bâ sa e sa kryengritje madhështore nder të cilat disa na zhungllojnë nder veshë e shndrisin nder kujtime tona edhe sot, sidomos ajo e Malësisë më 1911, e Kosovës më 1912 dhe ajo e Vlonës 1920 ? A nuk qenë ndjenja kolektive ato që i shtynë shqiptarët e Stambollit, të Rumanisë, t'Amerikës etj., për me derdhë pasuninë dhe shëndetjen e tyne rreth propagandës nacionale? Dhe së fundit - sa me hy nder sfera ekonomike! - a nuk qenë ndjenja kolektive ato që i shtyn shqiptarët me e ngrehë fabrikën e çimentos në Shkodër e me e krijue shoqninë e elektrikut të Maliq-it në Korçë e sa e sa shoqniena tjera shqiptare?... Por aman! cili qê fati i të gjithë këtyne ndërmarrjeve të kolektivitetit shqiptar brënda kësaj Shqipnije të lirë?!...

Sot, jo, sot s'kemi çka kërkojmë nga ato ndjenja të përparshme kolektive nder zemrat e shqiptarëve. E genjejmë vehten në qoft se pandehim që nga gjiu i popullit tonë mund të shperthejë nji ditë përsëri nji kryengritje liridashëse nacionale. E genjejmë veten në qoftë se mbahemi mbas shprese që shqiptarët e mërgimit kanë me i dhanë Shqipnisë ndonjë ndihmë efektive materiale** nder ditë zori, si bj.fj. Uhaja e Amerikës etj... E sa për shqiptarët e këndejshëm... lasciate ogni speranza!... nuk ka shka pritet gjâ e ndershme kolektive, as në pikëpamje materiale, as ideale... sepse të gjithë e kanë humbë shpresen..., sepse të gjithë e kanë humbë besimin... sepse të gjithë janë gënjye nga shteti dhe nga njaj sistem i tij byzantin e oriental, si na e kanë lanë miraz qysh kohnat ma të hershme...

Na mungon besimi! - dhe këtu po futemi mû në thelbin e problemit të krizës! Gazeta Ora - ma seriozja e Tiranës tuej pyetë nji ditë për shkaket e krizës shqiptare më çuditi masi dukjet e asajë krize nuk mund të spjegoheshin me theoritë e krizës klasike! Po i drejtohemi pra Orës: Ekonomia klasike - moj motër! - bashkë me krizën klasike kah hera janë tuej dhanë shpirt; i ka vra sociologjia moderne dhe sidomos kriza e sotshme botnore me përvojat e saja. Kriza klasike parasheh sidomos tre faktorë; supërprodhimin, moskonsumimin dhe papunësinë. Këta tre faktorë nuk çfaqen me të vërtetë, nder lëvizjet ekonomike të Shqipnisë. Porse ata nuk çfaqen as edhe nder vende tjera - po ashtu si e lypte theorija klasike - dhe me gjithë atë bota vuen krizë! Kriza klasike - moj motër tiranase! - bashkë me ekonominë klasike kanë harrue me e vuê në llogari nji faktor, por faktorin mâ të randsishëm: faktorin e shpirtit a ma mirë: faktorin e besimit. Kjo neglizhencë kaq fatale kuptohet vetem nëpër faktin që: Ekonomia dhe kriza klasike - qysh nga A. Smith-i, Ricardo-ja e sidomos Marx-i - janë bazue mbi shtylla materialiste dhe nuk i kanë vûe në llogari aspak komponentët shpirtnore. Dhe sot vjen nji politikan - ekonomist si Viscount-i d'Abernon dhe nji nga ekspertat mâ të parë të botës nder çashtje financiare - ekonomike, profesori Gustav Cassel, të cilët ia sprovojnë botës me statistika në dorë që theoritë klasike janë jangllëshe dhe se kriza e sotshme i detyrohet në piken e parë mosbesimit apor, sa me folë në dialektin e financierëve mungesës së kreditit (credo (lat)=besoj!)...

Po, besa, pikësëpari mungesa e besimit apor e kreditit e ka sjellë krizën edhe në Shqipni! Pasaniku ynë i kujton të hollat e veta ma të sigurueme në nji bankë apor shoqni anonime të ndonji shteti të huej se sa nder ndërmarrje (anterpriza) po t'ashtullojshme në Shqipní. Tregtari i vogel shqiptar fiton sa fiton dhe të gjithë fitimet i vendos në nji tenèqe vajgurit, i mbyll mirë e mirë dhe i fshehë nën dhê; nuk i shkon mendja me i dhanë uhâ ato të shkreta të holla, apor me i derdh në ndonjí kasë kooperative ... jo, sepse ka frikë, i mungon besimi! Zyrtari i ynë i nâlt - sidomos në Tiranë - që ka mbledhë disa të holla të bukura - (nga si s'i besonë as shqiptarëve dhe as të huejve!) - ngrehë pallate me sa e sa paisje të kushtueshme nga Evropa dhe e siguron kësodore kapitalin e vet në nji lloj kapitali të ngritë (ein gefrorenes Kapital!). Nëpunësi ynë i vogël, që s'ka tjeter mbas shpirtit pos njasaj rroge të shkretë (nga se s'i beson as shqiptarve, as të huejve dhe as fatit të vet!) - i zhduk edhe ato pak kursime që mund të bante, rreth nji luksi të dyshimt dhe t'importuem nga Evropa dekadente... Kështu zhduket kapitali shqiptar dhe paraja bahet nji gjâ e rrallë nder ne, nji gjâ tragjike... Lëngata historike e shpirtit tonë, nji kjo mungesë besimi, sot rritet e fryhet mâ fort se kurrnjiherë dhe si nji vampir-lugát i mnershem ia thithë gjakun trupit ekonomik shqiptar dhe e ban me u fikë edhe njât pak frymë kombëtare në tê... Rreziku ynë shtohet edhe mâ fort mbasi me mosbesimin tonë kundra shoqi-shoqit ka marrë hov edhe mosbesimi i të huejve kundra nesh. Vendi ynë aq i pjellshëm dhe i pasun me gjithfarë visaresh materiale (përmbi dhé e nën dhé) sot s'mundet me u shfrytzue, pse na mungon kapitali i huej, pse na mungon krediti (besueshmëria). M'anë tjetër s'na i blen i hueji prodhimet e vendit tonë pse s'ka besim nder ne, pse i ka frikën çdo produkti shqiptar. Disa gazeta të Tiranës kanë kërkue me e spjegue krizën tonë si nji pasojë të krizës botnore, por pa dobi! Na po i përmendim motrave te Tiranës se kapitali internacional mezi që pret të futet në ndonjí ndërmarrje produktive - por të sigurtë; amerikanët sot po japin uha me 2 përqind vetëm -- aty ku kanë besim! M'anë tjeter produktet kryesore t'eksportit shqiptar (leshi, lëkurat, voetë, djathi dhe gjaja e gjallë!) edhe sot do t'i gjejshin të haptë tregjet e hueja -- po mos të mungonte besimi! - Kriza e perbotshme ka pasë ndoshta këtë pasojë: që eksporti ynë nga 14.500.000 fr.ar në vjetin 1929 (qysh kur ka fillue kriza botnore) ka zbrit me (afro) 8.000.000 fr.ar në vjetin 1931. Por, kur i kujtojmë zotnive të Tiranës se po m'atë kohë tregtia shqiptare i ka bâ ballë njasaj zbritje të eksportit (prej 6.500.000 fr. ar) me nji zbritje të importit prej 9.000.000 fr.ar, atëherë do ta kuptojnë edhe ata vet, se kriza botnore na ka lanë më njen'anë, po njashtu si na ka harrue edhe Zoti e fati... Jo, jo, e gjithë puna qendron vetëm te mosbesimi!... Dhe mosbesimi i të huejve kundra nesh ka nji shkak tjetër... nji shkak i cili asht aq i ndyet, aq i vnershem, sa s'duhet ta zam në gojë aspak!... Fakt âsht që kapitali i ndershem nuk ka mûjtë me zanë vend.

Dhe këtu po futemi nder labirinthe t'errta financiare ekonomike - të krizës sonë! - S'ka tjetër: në Shqipni kemi deflacion - nji deflacion me të gjitha karakteristikat e tija: paraja - sidomos monedha metalike - mungon; nga ky shkas i shtohet asaj vlefta; dorë më dorë me këtë sipërvleftim ulen çmimet e gjanave të tregut të brëndshëm. Fshatari, që ka nevojë për të holla, e shet lopen për 20 fr.ar, megjithë që lopa - si mbas indeksit të gjendjes ekonomike - duhet të kishte nji vleftë 60 fr. ar. Porse s'ka ndryshe: forca blerëse e popullit (nominelle Kaufkraft des Publikums) soset me njato 20 fr.ar vetëm. Dhe kështu ad infinitum! Humbjet që pasojnë këtë çvleftësim, në mallin e kamjen e popullit janë kolosale: populli vorfnohet dita më ditë ma teper e ma teper, dhe ma së fundit s'asht i zoti me e sigurue as kafshaten e gojës - sa për pagesen e taksave qeveritare, logjikisht, nuk ka si të shtërngohet!...

Karakteristika ma e fortë e ma fatale e deflacionit tonë âsht mospërputhja mes çmimeve të mallit të jashtëm e atij të brëndshmit. Mjafton këtu të sjellim nji shembull: njëqind kile ullinj bajnë aq sa nji kilo káfe! Kjo vjen, nga se çmimet e mallit të jashtem nuk tunden nga shkalla e vetë, kurse çmimet e mallit tonë bijnë poshtë dita me ditë, apo ma mirë: nga se paraja e jonë ka nji sipervleftje vetëm brënda tregut tonë, kurse atje nder tregje të hueja noton po ashtu si përpara.

Nji shkak tjetër - por kurrsesi kryesori, si kujton Tirana zyrtare! - i krizës shqiptare asht deficiti katastrofal i bilancit tregtar. Ndryshimi i importit me eksportin shqiptar qysh më 1921 e deri në fund të vjetit 1931 âsht (rrumbullak) ky (-simbas statistikave zyrtare!-):

Importi: 274,500.000 fr.ar

Eksporti: 117,500.000 fr.ar

---------------------------------

Deficiti: 157, 000.000 fr.ar

Kjo do të thotë se brenda njëmëdhjetë vjetve të kalueme kanë dalë nga xhepi i popullit dhe kanë humb nga pasunia e tij afro njëqind e gjashtdhjetë (160) milionë fr.ar të kuqe! Po ia shtueme kësaj shume edhe nja dyzet (40) miljon fr.ar (një shumë mjaft moderate) për shpenzimet e importimit të fshehtë (kontrabandë!) brenda aty njëmëdhjetë vjetëve, na del nji deficit rrumbullak prej dyqind milionë fr.ar... 200,000.000!!- Para nji shume të këtillë fillon të na luejë me të vertetë kafazi i kresë!... A âsht e mundshme që populli shqiptar të ketë pasë nder arka të veta të mbylluna ma teper se dyqind miljonë franga ar?... Jo, kjo s'âsht e mundshme, sepse edhe të gjithë ata qe kanë njoftë dhe studiue Shqpnin para dhjet vjetësh e kanë çue pasunin monetare të popullit shqiptar maksimumi deri më njëqind milionë fr.ar. Kështu ka folë Nopcsa, kështu Nowack-u, kështu Fr.v.Godin, kështu edhe profesori Calmès, i cili qe dergue postafat nga Lidhja Ndërkombëtare (1922) për me e studiue gjëndjen ekonomike të Shqipnis. - Mirë, po nga duelen ata njëqind milionë të tjerë?... Ngadalë! këtu kemi nji nasiat të vogël financiar - ekonomik për Tiranën zyrtare! - Bilanci tregtar, moj nanë, shumë herë nuk rrëfen asgja mbi gjendjen e vërtetë ekonomike të nji vendi përkundrazi, ma të shumtën gënjen. Ka shtete me bilance tregtare pasive (bj.fj. Italia), të cilët gjenden gjithmonë mirë me financat e tyne, m'anë tjeter ka shtete me bilance tregtare aktive (bj.fj. Gjermania) të cilët s'dinë se kah t'ia mbajnë nga dija ekonomike. Mysteri i gjithë këtyne ngjarjeve, moj nanë tiranase, qëndron në bilancin e pagesave (Zahlungsbilanz). Po kuptohemi menjëherë: shka humb Italia nëpër bilancin tregtar pasiv e fiton m'anë tjetër nëpër pagesat e turistëve, të kamatave (nga borxhlinjt e saj) dhe nga të hollat që dërgojnë italianët e mërgimit nder shtëpia të veta. Në Gjermani, përkundrazi, ka arrit puna deri aty sa që popullit i duhet me e shitë këmishën e shtatit për me mujt me i pague borxhet e luftës. Kështu pra, bilanci i pagesave - një gjâ që s'njifet nga dishepujt e Merkantilizimit të vjeter! - shumë herë mund të jetë bamirës por edhe shumë herë shkatërrimtar, sidomos mbasi vepron tepër fshehtas dhe nuk mund të kontrollohet ashtu fare mirë... Dhe hollësija dhe veletija politike-financiare e nji qeverije kuptohet vetëm aty, se si ka ditë ajo me e ballancue bilancin tregtar me bilancin e pagesave...

Pasoja e natyrshme e kësaj gjendjeje anormale âsht atëherë kjo: populli nuk sjell ma aq mall nga jashtë si përpara, d.m.th., e pakëson importimin. Dhe kjo gjâ ndodh sot edhe në Shqipní... (dhe në një mënyrë tepër katastrofale, mbasi me importimin âsht tuej shkue dora dorës, në mos ma zi, edhe eksportimi)... si na e pasqyron bilanci tregtar i tre vjetëve të fundit:Vjeti Import Eksport1929 38.643.900 14.682.6081930 32.634.555 12.352.0631931 29.500.000 7.400.000

(Këtu shifet kjart se si po vorfnohet populli ynë vjet për vjet ma tepër e ma tepër dhe se si jemi tuej iu afrue me hapa vigane katastrofës sonë shtetnore - kombtare). Mungesa e importimit shumë herë - nder shtete tjera - ndihet e merret si nji lumsi e bamirësi, porse për ne - (e sidomos nëpër paksimin e eksportimit!), formon njí rrezik fatal: pse i paksohen shtetit t'ardhunat financiare, nder ma të rânsishmet, d.m.th. taksat doganore...

S'po mungojmë këtu mandej, dhe për karakterizimin e plotë të deflacionit, po paraqesim edhe dy figura - figure porche - të tjera të mirënjohuna në çdo vend nder kësi rastesh; janë hienat dhe vampirat që thithin edhe piken e fundit të gjakut të popullit të shkretë: hambarxhijtë dhe asnafët (kamatarët). Hambarxhijt - kanë kokë dhe të holla, dhe mund të presin, - prandej presin ditën e zisë, kur populli ka nevojë të madhe për sende ma të nevojshme të jetesës. Nder ne ngjau kjo punë me misrin (kollomoqin). Përpara se me vdek ûnit, shkoj populli dhe ia bleu hambarxhijve misrin - shumë herë nji misër të kalbun! - për 30 fr.ar qesen. Në çdo vend tjetër të Europës kvintali misër kushtonte asokohe 10 deri 12 fr.ar, në Shqipnin tonë - agrare - agrarreformatore - dhe të shkatërueme nëpër nji politikë hajvane - doganore, bante qaseja një napoljon e gjysë! Nji qáse misër ma shtrenjtë se një lopë!!... Por ma perfide se vepra superkriminele e hambarxhijve qendron ajo vepër, e cila edhé s'ka marr fund, e cila vazhdon edhé: vepra e esnafëve, e vampir-bankierve tonë shetitës, të cilët ia shtérrin gjakun popullit deri në pikën e fundit -- nëpër nji kamatë infernale. Kuptohet lehtë se me dukjen e deflacionit, alias: me pakësimin e monedhës dhe me sipervleftsimin e saj, hyp edhe vlefta e parasë që jepet uhá dhe se dora dorës ngrihet edhe kamata (përqindja) e saj. Kështu ka ndodhë edhe n'Europë shumë herë dhe kamata ka arritë 30 e ma tepër të përqindat. Nder ne, në Shqipní, dihet se nuk kondendohemi me kaq dhe - ndersa Europa i burgos dhe i varë sot për kâmbësh ata që marrin ma teper se 18 deri më 24 përqind nder në, - ofshë moj nanë! - nder ne nderohen dhe estimohen ata që marrin nji lek në ditë për çdo napoljon - nji lek vetëm! - porse nji lek që figuron për 365 (treqindegjashtdhetepesë!) përqind!!.... Kendej njí qése misër njí napoljon e gjysë.... m'anë tjetër 365 perqind kamatë!... Hajde mandej e thuej. Neve në Shqipní, - që s'jemi mësue edhé me politiken e realitetit, porse ravgojnë ashtu n'è motshme simbas sistemit që na kanë lanë miráz kohnat e hershme byzantine e orientale! - shyqyr Zotit e në sájé të Tij deri me sot na ka shpëtue nji farë bilanci pagesash nga katastrofa ekonomike... Na këtu po i parashtrojmë publikut dy pasqyra të bilancit shqiptar të pagesave brenda vjetëve 1921-1931, të cilat i kemi përmbledhë simbas hamendjes sonë ma kritike, bazue mbi statistikat e ndryshme zyrtare të Tiranës dhe t'Italisë, m'anë tjetër bazue mbi kriteret e dituní ekonomike-financiare. Po e marrim nji herë anën aktive të bilancit në fjalë! Kemi këtu ma së parit:100 milionë fr.ar të cilat i kujtojmë si kamje monetare të popullit tonë në vjet 1920 (simbas prof Calmès etj.)10 milionë fr.ar i marrim si pasuní të mshefun nder teneqe vajguri për të cilat s'kanë pasë njohje dijetarët e huej.30 milionë fr.ar figurojnë si kamje e popullit nder gjana të kushtueshme stolije; dupa, precjoza (zhevaire) etj.20 milionë fr.ar janë kapitale shqiptarësh (tregtarë etj) që janë derdhë nga vendet e hueja në Shqypni.10 milion fr.ar i kujtojmë si të dërgueme nga shqyptarët e mërgimit (sidomos nga Amerika!).20 milion fr.ar mund të bajnë kapitalet e fundueme në Shqipni nga të huejt (koncesione, blemje tokash etj, investime).64 milionë fr.ar nga ûhaja e Italisë (50 miljonë ûha plus 14 milionë të spekullueme me rritjen e liretës).30 milion fr.ar maksimum nga kapitalet e derdhuna në Shqipni të "Svea"-s dhe qarqeve tjera italiane.

===========284 milion fr.ar = totaliteti aktiv i bilancit të pagesave (1921-1931)

Ana pasive e bilancit në fjalë na çfaqet më kët pasqyrë:20 milion fr.ar janë derdhë (apor kanë fluturue) nga kâmja e popullit shqiptar nder banka dhe industri të hueja.15 milion fr.ar figurojnë si harxhe shqiptarësh (shërbimi diplomatik, bursa, turista) nder vende të hueja.10 milionë fr.ar kanë dalë nga rrogat, shpërblimet etj. që ka pague Shqipnija nder organizatorë, nëpunësa, punëtorë, gazetarë etj. të huej, të cilët i kanë dërgue ato të holla nder vende të veta.

===============45 milion fr.ar = totaliteti pasiv i bilancit të pagesave (1921-1931) Këto janë prâ pasqyrat e bilancit të përgjithshëm të pagesave, apor të marrdhanjeve thjesht pekunjere të Shqipënisë qysh më 1921 e deri më 1931. Po theksojmë këtu veçanërisht, se si në pasqyrën aktive, ashtu edhe në pasqyrën pasive, kemi parashikue një koeficient sa ma të madh në favor të bilancit aktiv, d.m.th. kemi shtue sa kemi muejtë n'anën aktive dhe kemi ulë sa kemi muejtë n'anën pasive. Ky qendrim i ynë kuptohet nga se nuk dona që të quhen këto llogari tona pesimiste apor ndoshta edhe alarmante! E verteta âsht se gjendja financiare e Shqipnis qendron sot ma keq e ma zi se paraqitet këtu nder pasqyrat tona... Por edhe mbas hesapit tonë nuk ka si shpeton Shqipnia nga katastrofa ekonomike-financiare... po s'u gjetë për tê aty shpejt një burrim i mjaftem dhe i plotë të hollash (ûha apor shitja tokash e pyjesh etj.) Me të vertetë që bilanci i pagesave i përgjithshëm:Aktiv: 284,000.000 fr.ar - Pasiv: 45,000.000 fr.ar = 239,000.000 fr.arna paraqitet me nji shumë aktive prej afro 240 miljon fr.ar, porse mbrapa këtij posti aktiv kemi postin pasiv të deficitit prej afro 200 milion fr.ar të bilancit tregtar të përgjithshëm (1921-1931). Kështu mbesin sot - po qemë na këtu mjaft zemërgjanë! - edhe njâ dyzet miljon fr.ar nder duer të shqiptarve dhe mbrenda shtetit tonë. Porse sa páre bâjnë këto páre të shkreta dhe deri kur ka me muejt me qindrue populli dhe shteti vetem me to. Sot shteti shqiptar punon vetëm me pasiva, si nder marrdhanje tregtare si edhe nder marrje - dhanje të pagesave. Qysh më 1921 e deri më sot i kemi bâ rrush e kumbulla njâ 250 milionë fr.ar nga pasunia dhe djersa e popullit, d.m.th., në çdo vjet ashtu tahminá nja 23 milion. Porse sot nuk mjaftonë, ma këto vetëm, jo pse i âsht shtûe oreksi llokmatarëve, por pse keni marrë edhe sa e sa detyrime mbi vete, si 7 milion fr.ar kamatë për borxhin e Italisë etj. Kështu prâ, shpirtit ekonomik-financjar të shtetit shqiptar i jepet nji afat për edhe shumë-shumë nji vjet... altarnativa e masandejshme ka me qenë: ose të holla nga nji shtet i huej! - ose falimento!... Nji perspektivë mjaft e trishtueshme!!... Por: mos të kuptohemi keq! Nuk jemi kundra regjimit të sotshëm në Shqipní; - sa e sa kujtime historike, juridike e politike na e kan forcue konvincjonin tonë që jeta e Shqipnis âsht lidhë teper ngusht me jeten e njatij regjimit! Porse na jemi kundershtarë të nji sistemi të damshem e antipopullor i cili - edhe në mos u perkrahet - së paku durohet nga regjimi i sotshëm!

*Në nji fjalim të mbajtun në Parlamentin shqiptar në vitin 1923, Fan S. Noli u shpreh: "Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive: 1. Katër fê të ndryshme që s'kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan. 2. Këtu s'ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqish, as klasë borgjezie. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në partinë popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhakët më të vjetër, kurse anëtarët e saj lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve. 3. Këtu qeni s'njeh të zonë; këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita me ditë si në kalcidoskop. Këtu ambicjet janë pa frê e pa kufi; këtu i padituri i dí të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha. 4. Këtu brenda një dite, si me magjí, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohëm para syve tanë të kapë kapërdisen si patriotë të mëdhenj ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës kanë djegur Shqipërinë e mesme ose ata që janë puthur me andartë e i kanë ndihmuar të shenjtërojnë an'e mbanë toskërinë; këtu, si thoshte një mik, më mirë që njeriu të jetë tradhëtor e të shikojë interesin e tij sepse kështu do të jetë shigur që të nesërmen do të prokllamohet patriot i madh. 5. Këtu idealet e shtrembra , të errëta e mumifikuara të Fanarit e të Buharesë përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla, më elegante e më të ndriçme të Përëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zenë vendin e këtyre kemi kolltugofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që treten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë që mund t'i coptosh, por jo t'i ç'qitesh, që kafshojnë e thëthijnë. Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s'e lëshonte, gjersa ja prenë, ahere e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë e s'e lëshoi gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri, do të shikonim që kolltugofagët janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që të ç'qitësh këta tanët nga kulltuku duhet t'u preç jo vetëm duart e kokën, por edhe këmbët e trupin.." Red. Phoenix.

** (Shënim i autorit) - Shqiptarët e mërgimit deri diku - shyqyr Zotit! - paraqesin edhe sot nji farë force morale. Sepse dallgat e ndyta të detit pseudo-politik të Shqipnisë së lirë s'kanë muejt me mrrijtë deri nder tá e me ja u shlye nga zemra idealet e vjetra kombëtare. Dhe nuk thomi shumë, kur theksojmë këtu me gjithë forcën e besimit tonë që: Zgjimi dhe shpëtimi i dytë i kombit (-jo shtetit!-) shqiptar ka për t'ardhë - ose s'ka për t'ardhë ma kurr! - vetëm nga shqiptarët e mërgimit! Nder duert e tyne qëndronë edhe sot aveniri i kombit tonë...

Graz 1934.(Botohet sipas dorëshkrimit origjinal të autorit për herë të parë nga redaksia Phoenix)