Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e mërkurë, tetor 19, 2005

Flori - press



Fletëza për krijuesit tanë letrarë në mërgatë



Poeti nga Malësia e Vërrinit që përmes “Metaforës poetike” afirmoi edhe krijuesit tjerë në mërgatë



Krijuesi i zellshëm, Gezim Ajgeraj ( i lindur më 1967 në Malësinë e Vërrinit) që aktualisht jeton dhe krijon në Zvicër , nga viti 2002 në saje të punës së tij krijuese arrin të emërohet anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Zvicrës (SSV), ndërsa që nga viti 2004, editon edhe revistën: Metafora poetike ( Editorial i poetit) që del çdo tre muaj dhe ku me punimet e tyre prezantohen edhe shumë krijues tanë nga mërgata dhe trojet shqiptare



Poeti Gezim Ajgeraj , pa mëdyshje hyn ndër poetët më të frytshëm shqiptar në Zvicër . Nuk është vetëm puna e tij krijuese në gjini të ndryshme letrare, që e bënë këtë poet shumë të pranishëm në letrat tona në këtë vend, por edhe angazhimi i tij i madh që të prezantojë edhe krijuesit tanë në diasporë në faqen e tij elektronike “ Metafora poetike”. GëzimAjgeraj tash e tri vjet prezanton punimet e krijuesve nga vise të ndryshme shqiptare. Duke iu drejtuar krijuesve të fjalës së shkruar shqipe: shkrimtar, poet e publicistë, për t`i dërguar shkrimet letrare në faqen letrare:metafora poetike ka arrit që sot të grumbullojë disa nga krijuesit tanë më të frytshëm në mërgatë.

Me këtë rast edhe pak fjalë për jetën dhe veprimtarinë e këtij krijuesi të vyeshëm shqiptar, që jeton e krijon në Zvicër:

Gezim Ajgeraj u lind më 6 gusht 1967 në Malësinë e Vërrinit. Ai deri më tash ka botuar këto libra: 1. Klithmë malli , poezi, „Rilindja“, Prishtinë,1997 2. Ëndrra për parajsë , poezi,“Rilindja“,Prishtinë, 1998 3. Qiellit po digjem , poezi, „Rilindja“, Prishtinë, 1998 4.Flakë në plagë , poezi, „Rilindja“, Prishtinë, 1998 5.Kënga e babait , poezi për fëmijë, „Apolonia“, Prishtinë, 1998. 6. Urti popullore të Vërrinit 1 (bashkautorësi), „Apolonia“, Prishtinë,1998 7.Mallëngjimi , poezi, „Rilindja“,2000. 8. Balada e Vërrinit , K.L. „F. S. Noli“, Prizren, 2001. 9. Rruga e lirisë , Dramë , „Meshari“Prishtinë, 2001. 10. Rruga e lirisë (intervistë) me Zafir Berishën, botoi Asociacioni i veteranëve të ish U Ç K-së – Prizren, 2002. 11. Atdheu në trastë -cikli me poezi, e botoi revista letrare "Jeta e re" nr. 4, korrik-gusht 2002, viti LIV. Prishtinë. 12. Pëllumbat e lirisë, Novelë për fëmijë, Edicioni i revistës; Fidani, Prizren, 2004 . 13. Ditët e bardha , Novelë për fëmijë, Edicioni i revistës; Fidani, Prizren, 2004. 14. Atdheu i copëtuar - cikël me poezi, në librin: Pikoi molla gjak (Lirikë me motive arvanitase), botoi MKRSÇJR-Departamenti i Çështjeve Jorezidente, Prishtinë, 2004. 15. Cikël me poezi; “Udhë e zjarmi ”, në librin: Muzat i bien lyrës, Edicioni i revistës; Fidani, Prizren, 2005. 16. “Lulëkuqet e Vërrinit”, poezi, botoi Shtëpia botuese “Metafora”, Zvicër, 2005. Ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës, si: “Rilindja”, Zvicër - Prishtinë, “Bujku”, - Prishtinë, “Zëri i Kosovës”, Zvicër - Prishtinë, “Bota sot”,- Zvicër, “Koha ditore”, - Prishtinë, “Epoka e re”, - Prishtinë, “Zëri”,- Prishtinë”, “Fakti”, - Shkup, “Ars” – Tiranë, “Penashqiptare”, - Prishtinë, “Pioneri” – Prishtinë, “Zogu i mëngjesit”, - Prishtinë, etj. Nga janari i vitit 2004, editon revistën: Metafora poetike ( Editorial i poetit) që del çdo tre muaj. Është anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, në Prishtinë. Nga 23 marsi 2002 është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Zvicrës (SSV). Jeton dhe krijon në Zvicër.

Në një pyetje drejtuar këtij poeti se ku e gjenë tërë këtë energji për të krijuar në kushte shumë specifike në mërgatë , Gëzimi me kënaqësi përgjigjet se : “Vetë jeta e shkrimtarit është kronikë” dhe se është e pamundshme për t'ia gjetur një përgjigje pyetjes: “Pse shkruaj?! Ndoshta këtë pyetje, s'do ta parapëlqeja t'ia shtoja vetes, a dhuntisë e cila jeton thellë në mua. Ndoshta me të njëjtin ton, do të duhej të shtrohej pyetja: Pse ushqehemi? Pse zgjohemi në mëngjes? Pse biem për të fjetur? E pse…? E pseja pa mbarim! Një herë në jetë e kam shijuar magjinë e të mësuarit për të lexuar dhe përpara meje ishte hapur një dritare e madhe prej nga e shihja botën. E kuptoja atë, ia dëgjoja klithmën dhe disi, jeta dukej ndryshe. Nga pamja ime tashmë, qe larguar një perde që më kishte verbuar deri në atë moshë. Përtej dritares së tillë, shpërndaheshin rrezet e diellit që ndriçonin përpara meje, ndërsa shkëlqimi sa vinte e rritej bashkë me pamjen.

Më tej duke e shpjeguar këtë fenomen rreth motivit që e cyt të shkruajë , Gëzimi nënvizon se : “ Pra, është magjia e shkëlqimit të diellit të fjalës, që në tërësinë time hyri paperceptueshëm, lehtas e lehtas dhe u ngulit thellë mbi qiellin e muzës sime, që gjithmonë e ngacmon. Brenda atij qielli që shkëlqente përpara meje, hapeshin tufa mjegullnajash, që gjithmonë ma ngacmonin kuriozitetin të dija se ç'kishte brendapërbrenda tyre dhe kjo shpesh ma prishte qetësinë djaloshare e më kthente në zhgënjim. Brenda atyre mjegullnajave, kishte jetë, vdekje, kishte ngjarje, të ruajtura e të harruara, të thëna e të pathëna, kishte zbrazëtirë që ma shponte muzën time...”

Gëzim Ajgeraj është mjaft i frytshëm edhe në kritikën letrare , kështu duke i bërë një recension përmbledhjes me poezi "Muzat i bien lyrës", që botoi revista "Fidani", Prizren, qershor, 2005, nënvizon ndër të tjera se : “Projekti letrarë i revistës "Fidani", për mbledhjen e krijuesve dhe poetëve prizrenas brenda këtij libri e poezi, është akt i guximit, vendosmërisë dhe dashurisë për fjalën e bukur poetike. Si e tillë kjo përmbledhje me krijuesit dhe poetët Prizrenas, krijon një laryshi poetike që sjellë botëra të ndryshme të ngacmimit poetik të shkrira në simfoninë e vargut. Libri me poezi "Muzat i bien lyrës", në ete i mbledhë nga krijuesit e rinj dhe deri tek poetë tani më të afirmuar në letrat shqipe dhe kjo laramani krijuesish na bënë të kuptojmë se ky libër përmbledh një kolorit të larmishëm poetik i cili në vete përmban kualitete dhe vlera. Njëkohësisht kjo vjen si një mirënjohje për krijuesit e rinj, të cilëve u jepet mundësi në hyrjen e rrugëve të reja të botës së artit metaforik, e cila mundësi duhet çmuar lartë. Së fundi është një mirënjohje edhe për qytetin e Prizrenit, sepse pas "Sinopsis kohe" të botuar nga KL. “Fan S. Noli”, Prizren, 1995. , kjo përmbledhje vjen si një tufë trëndafilash që zbukuron pranë bukurive të tij. Natyrisht është edhe puna e krijuesve që e nderon atë. “

Në një vështrim të tij kritik Gëzim Ajgeraj potencon se: Vlerësimi i një vepre letrare tek ne nga kritikët dhe "Kritikët" letrarë, sot për sot është brenda një kaosi jo edhe aq të përshtatshëm me kohën. Dyshimi ynë në këtë çështje përkon me shumë faktorë që po zhvillohen tek ne. Është shumë e vërtetë se letrat tona, në këtë kohë janë zhvilluar me bollëk, siç është zhvilluar edhe ngritja arsimore tek ne. Në këtë rast, kritika tek ne nuk ka mundur edhe t'i përballojë kësaj rrjedhe të prurjeve në letërsi, ndaj edhe nuk ka mundur ta mbulojë gjithë hapësirën e shkrimit dhe prurjeve në letrat tona. Janë hapur mundësi dhe rrugë të tjera, që të kemi vlerësime edhe vlerësues. Kësisoj, në këtë grupim, ka hyrë edhe një pjesë e vetë krijuesve, duke i vlerësuar apo mbivlerësuar në vlera dhe në jo vlera veprat e të tjerëve. Në këtë kaos vlerësimesh apo nënvlerësimesh, gati çdo herë ka munguar dialektika e vetëvlerësimit, fillimisht të veprës së vet, pa pasur të drejtë ta vlerësojë apo zhvlerësojë veprën e dikujt tjetër. Kështu, përzihemi në punën e kritikës, apo thënë më qartë, këtu na lindin kritikët dhe "kritikët".

R. Rifati