Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e enjte, tetor 13, 2005

Flori-Press dhe FloArt

Pergatiti :Flori Bruqi

Antologjia e këngës dhe e muzikës Arvanite
një thesar kombëtar

‘’Nga katër ishujt e tjerë (Salamina, Poros, Hidra, Speca) nuk njoh
të ekzistojnë as melodi, por as edhe tekste.
Këto ishuj janë shqipfolës dhe duhet të merremi me këtë temë të
rëndësishme të laografisë sonë më seriozisht; bashkëjetesën në Greqi
dhe konkretisht me këto vende shqipfolëse aty ku këndohet kënga
greke dhe arvanitase. Këto ishullorë këndojnë në dy gjuhë, dhe kur
këndojnë shqipfolësit këngët greke duket qartë se ata nuk i këndojnë
pa asnjë ndryshim nga grekfolësit’’.(Melpo Merlje; Laografia Muzikore
në Greqi, Arkiva Laografike Muzikore Athinë, 1935, fq.44)

Në fund te vitit 2002, doli ne qarkullim Antologjia e Këngëve Arvanite
të Greqisë, pregatitur me kujdes nga këngëtari dhe muzikologu i shquar
arvanitas Thanasis Moraitis.
Mbas 17 vjet studimesh, kërkimesh dhe udhëtimesh nëpër trevat e
Epirit, të Follorinës, të Konicës, të Thraqis, të Korinthit, të Atikisë
dhe Viotisë ku banojnë arvatitët dhe këndohet kënga e tyre në Greqi,
shkrimtari muzikant dhe këngëtar Thanasi Moraiti na sjellë një
Antologji me vlera të mëdha shkencore dhe historike, gjuhësore
dhe muzikore, që përmban mbi 140 materiale muzikore të shkruara
me tekste traskrituara në greqisht dhe përkthyer në shqip.
Të gjitha këngët shoqërohen me nota në pentagrame muzikore,
parathënien Teorike dhe Analizën Muzikore e ka bërë Dimitri Leka,
ndërsa parathënien e librit e ka bërë Marko F. Dragumi, Drejtor
i Muzeut Laografik(popullor) të Athinës, i cili shkruan; ‘’Kjo Antologji
e cila është frut i një pune shumëvjeçare të mundimëshme dhe të
lodhëshme e cila përmban në vetvete jo vetëm një njohje të thellë
të Antologjisë së gjuhës, por edhe të njohjes së thellë muzikore.
Bëhet fjalë për një vepër e cila vjen të mbushë një boshllëk të madh,
më në fund kënga dhe poezia muzikore popullore arvanitase është
e rregjistruar dhe kjo më e pakta e asaj që ekziston, por mbi të gjitha
është hedhur baza e saj. Dhe kjo është një nga punët me anë të së cilës
duhet të mbërrijmë dhe të zgjerojmë horizontet tona etnomuzikologjike’’.
Autori i Antologjisë së Këngës Arvanite, Thanasi Moraiti ka shfrytëzua
për shoqërimin historik të këngëve arvanitase librat e shkruajtura nga
autorët Kosta Biri, Sp. Asdraha, Jani Gjika, Teodor Haxhipandasi.
Gjithashtu ka studiuar librat gjuhësor të autorëve Erik Pratt Hamp,
Mirosllav Nt. Zabuoçki, Jorgo Babinioti dhe Luka Çiçipi.
Librin e tij Thanasi Moraiti ia ka përkushtuar memorialit të Melpo
Merlie dhe mësuesit të tij Spiro Peristeri. Qëllimi i këtij libri është
realizimi i dëshirës së themelueses së Qëndrës të Studimeve të Azisë
së vogël dhe Muzeut Laografik Muzikor Melpos Merlie, dhe rringjallja
e pjesëve të humbura të kulturës popullore greke.
Kërkimet për të mbledhur në një Antologji këngën arvanite Thanasi
Moraiti i filloi në vitin 1985, atëherë kur ai dha para publikut koncertin
e tij të parë në teatrin ‘’Orfeas’’ me këngët arvanitase në bashkëpunim
me studiuesin dhe historianin arvanitas Aristidh Kolia, kompozitorin
arvanitas Dhimitri Leka.
Thanasi Moraiti ka dhënë disa koncerte në Greqi, Hollandë dhe Belgjikë
me këngët arvanitase, ndërsa në Shqipëri ka marë pjesë në Festivalin
Folklorik në Berat.
Me nxjerrjen e botimit të librit të parë të Antologjisë të Këngës Arvavanite
të Greqis që i mungonte historis Arvanite duhet thënë se këngëtari, muzikanti
dhe shkrimtari arvanitas Thanasi Moraiti na ka sjellë një dëshmi shkencore të
rrëndësishme të elementit kulturor-muzikor të vjetër të shqiptarëve të lashtë
në shekujt e mëparshëm në Ballkan. Kjo vepër Antologjie është një ogur i bardhë të pasurimit mbarë kombëtar të gjakut të shprish të Arbërit kudo në botë që ata ndodhen. Në këtë Antologji lexuesi do të mësojë nëpërmjet këngëve që ka mbledhur Moraiti ngjarjet e rrëndësishme historike të luftrave, dashurisë, vajeve të kombit Arbër që nuk mundi ti shkruante me penë dhe bojë në ato vite të vështira në luftën për ekzistencë kombëtare, por i trashëguam me anën zërit të fuqishëm popullor.

Deklaratë e deputetit të PASOK-ut arvanitasit Teodor Pangallos në prezantimin e Antologjisë Arvanitase.

Në prezantimin e librit të Thanasi Morait kishte shumë të pranishëm midis tyre ishte dhe deputeti i PASOK-ut arvanitas Teodor Pangallos i cili përshëndeti në prezantimine Antologjisë Arvanitase dhe tha;
‘’Për ne që u lindëm në shtëpi ku gjyshja jonë fliste arvanitika, këtë gjuhë që nuk është siç dëgjojmë të thonë sot ca ‘’karafila’’, greqisht me ca fjalë të tjera, por është shqip, shqipja e pastër e shekullit 14-të dhe këtë na e vërtetojnë edhe emigrantët e sotëm shqiptarë që ndodhen në Mesologjia dhe na thonë; ‘’Ju flisni shqipen e vjetër’’. Dhe kjo është shumë e llogjikshme nga pikpamja gjuhësore, pasi gjuha e shqiptarëve që u vendosën këtu në shekullin 14-të, panë gjuhën e tyre të evoluojë në greqishten dhe ajo që erdhi deri në ditët tona ishte idioma e vjetër e shqipes.
Për ne humbja e gjuhës arvanitase është si të kemi humbur atdheun, sepse përmban një kulturë të cilën jo në kushte e një shtypjeje, sepse arvanitasit nuk mundë t’i shtypte kush në Greqi, ata udhëhiqnin Greqinë, ishin gjeneralë, kryeministra, presidentë dhe pronarë të kryeqytetit, jo në kushtet e një shtypjeje pra, por vetë ata e ‘’gëlltitën’’ të shkuarën e tyre, sepse në mënyrë fanatike qenë të bindur se ishin grekë, dhe me ndihmën edhe të mësuesve arritën ta zhdukin gjuhën arvanitase, të cilën askush nuk e flet sot, të paktën nga mosha ime poshtë. Tani lavdi Zotit, na kanë mbetur ende ca gjyshër e gjyshe që e flasin.
Mirëpo është gjynah që kjo gjuhë të humbasë dhe besoj se puna që ka bërë Thanasis Moraiti ndihmon që të mos jetë arvanitia (arberishtja) një atdhe i humbur. Duhet të dalin në dritë, gjuha, kultura, zakonet, doket, sepse përndryshe, po mbeti në errësirë do të jetë vërtetë një atdhe i humbur’’.

Eric Pratt Hamp, pedagog i gjuhësisë në Universitetin e Çikagos ka thënë. ‘’Gjuha arvanitase ka një kontribut unikal me pasuri të veçantë në shumë drejtime të rëndësishme, dhe Greqia është po aq me fat që ka këtë burim të pasur në tokën e vet dhe ndërmjet qytetarve të saj’’.

Historia e këngës arvanitase dhe biografia e shkurtër e shkrimtarit dhe këngëtarit arvanitas Thanasis Moraitis.

Thanasis MoraitisKënga arvanitase përbën një pjesë ndër më të vyerat e krimtarive muziko-poetike të popullit grek sot, por kjo vërtetësi e padyshimtë për grekun në shekullin 21, nuk është përmbledhur për arsye të ndryshme.....
Në përmbledhjet e njohura të këngëve popullore të shekullit 19, pra nuk ka këngë arvanitase në Greqi.
Folkloristët e saj kohe, me pararojë N. Politin, jepnin betejën e tyre për përmbysjen e teorive të Falmerajerit dhe dëshmuar, përmes materjaleve folklortike.
Në qëllimet dashakeqe të mirënjohura të kohës u flijua kënga arvanitase, u zhduk, u shpall e pa qenë. Por, faktet më të rrëndësisshme folklorike të popullit tonë shqiptar, që tregojnë vazhdimsinë e pandërprerë të racës, u takojnë arvanitasve të Greqisë. Veshja zyrtare kombëtare greke është fustanella shqipëtare që vishej nga arbërit e Kroacisë, Kosovës e deri në More(Popleponezi), që përbën një zhvillim të veshjes mbarë pellazgjike, vallja çame është arvanitase ose shqiptare, që kërcehet nga të gjithë grupet folklorike greke sot.
Arvanitasit këta ‘’Krijues të Greqisë së Re’’ është populli që mbajti barrën kryesore të luftës çlirimtare të 1821. Të fuqishëm, të paposhtur, dhe liridashës, lanë me gjakun e tyre tokën greke dhe paguan me flijimet e tyre lirinë e Greqisë së Re. Një popull i tillë, me shpirtin luftarak, është e natyrëshme të shprehej përmes këngës epikolirike dhe vajeve. Por këngë folklorike arvanitase në antologjinë greke të shekullit 19, nuk ka.
Intelektualë bashkëkohës arvanitas si G.Gjika, M.Dede, E.Lapi, G.M. Paidushi, N.Saltaris, që hartuan antologjinë e këngës arvanitase, në 40 vjetët, e fundit, nuk përfshinë në to këngët epikolirike, por vetëm ‘’dyvargjeshe’’ popullore të jetës së përditëshme paqësore, që i datohen shekullit 20, ose në rastet më të mira, të shekullit 19.
Nga dokumentat historike që kemi vërtetojnë parimin dhe tregojnë faktin se kënga e vjetër arvanitase ishte së pari dhe kryesisht epike dhe lirike. Gjuha arvanitase nuk shkruhej. Nuk përbënte gjuhë të shkollimit, por kryesisht të njerëzme të pa shkolluar të asaj kohe të popullit arvanitas ose shqiptar.
Ngjarjet e përditëshme dhe ngjarjet historike shpëtoheshin dhe rruheshin përmes këngës, tjetër mënyrë nuk kishte.
Nga P.Hioti që shkroi ‘’Historinë e Shtat Ishujve’’ më 1866, na dëshmon që suliotët arvanitas, që ishin vendosur në ishullin e Korfuzit. Kur pastronin armët, këndonin në arbërisht bëmat e tyre trimërore.
Por këngë arvanite të suliotëve nuk ka në asnjë Antologji.
Dy këngë suliote gjenden tek ‘’Bleta shqiptare’’ e Thimo Mitku, që u botua më 1878 në Aleksandri, Egjypt.
Më 1891, historiani dhe gjuhëtari Artur Miklofer botoi veprën ‘’Atika und seine Heutigeu’’ ku, midis të tjera thotë- ’’Mesa di unë, këngët popullore bashkëkohore greke i janë përshtatur këngëve të vjetra të dashurisë, lirisë dhe kaçake të arvanitase’’.
Kështu u bë greqëzimi gjuhësor ku u flijua në këtë mënyrë kënga e vjetër epikolirike arvanitase, e cila kaloi tek brezat e rinj në variantin grek dhe kështu u njoh.
Instrumentistë dhe këngëtarë të shquar popullor si, sulioti Vurko, Stefanopulo, Ngrici, Papasidheri, Mitaqi, ishin arvanitas dhe shumë këngë arvanite i rishkruan në gjuhën greke, duke ruajtur, formën muzikore ose duke rregulluar me të dhëna të reja, kryesisht nga viti 1835, kur bavarezët futën në Greqi klarinetën.
Kështu kishte një çarje të madhe të krijimtarisë muzikore-poetike të arvanitasve në Greqi. Këngët e vjetra epikolirike arvanite u harruan me kalimin e kohës, pasi askush nuk u interesua të bëjë zgjedhjen e duhur; pra, të mbledhi krijimtarinë arvanite dhe burimin e tyre.
Kërkimi i këngëve të vjetra epikolirike është çështje tepër e vështirë, por ja vlen mundimi të merret njeriu me to, për pasurimin e më tejshëm të kulturës tonë kombëtare.
Këto 15 vjetët e fundit falë vullnetit dhe kërkimeve të studiuesit arvanitas Aristidh Kolia, muzikantit arvanitas Dhimitër Lekas dhe këngëtarit të njohur arvanitas Thanasis Moraitis, u bë e mundur që të prodhohen dy CD me këngët e vjetra arvanitase me titull ‘’Këngët Arvanitase’’ dhe ‘’Trëndafilat e Shkëmbit’’ që kanë përmbledhjen e disa këngëve të arvanitëve të Greqis dhe të arbëreshëve të Italisë së Jugut.
Thanasis Moraitis u lind dhe u rrit në fshatin arvanitas, Vaja. Gjyshja e tij nuk dinte greqishten, fliste vetëm gjuhën e vatrës arbërishten. Kurse prindërit e Thanasi Moraiti, mëma Gjeorgjia dhe tata Kostandinos, flisnin arbërishten dhe greqishten. Në shkollën fillore Thanasi ngatarronte fjalët greke me fjalët arvanitase, kështu që kishte vështirësi me gjuhën e re greke që po mësonte.
Në panairet që organizoheshin për nder të Shën Athanasin dhe Shën Harrallambit, nëpër fshatrat arvanitase fqinjë me fshatin e tij, Thanasis Moraitis shkonte dhe dëgjonte muzikantë dhe këngëtarë endacakë në shfaqet që jepnin me këngë arvanite dhe greke.
Shumë herë ai rrinte me turirin ngjitur me xhamin e brymtë të kafenesë së fshatit, që ishte shëndruar në qëndër muzikore dhe dëgjonte këngët tradicionale arvanitase, që më parë i kishte dëgjuar nga mëma Gjeorgjia dhe kushurinjtë e tij nëpër gëzime familjare.
Në moshën 13 vjeçare u gjend në Athinë, në kryeqytetin e Greqis, duke ndjekur fatin e prindërve, kur Greqia ishte në kulmin e emigracionit të brendëshme rreth viteve 1970. I mbyllur në qetësinë e tij, në një lagje të kryeqytetit, ai filloi të harronte dhe gjuhën e mëmës arbërishten dhe njerezit e tij që kishte lënë në fshatin e lindjes.
Student i Universitetit Pandios, po të këndoje këngët e ‘’katundeve të prapambetura’’ ishte nënçmuese. Me kalimin e kohës u muar seriozisht me muzikë. Midis shkrimtarve dhe muzikologëve, u njoh me shkrimtarin dhe historiani arvanitas Aristidh Kolia, i cili, tok me gjurmues të tjerë, merrej me mbledhjen dhe studimet e këngëve arvanitase, të Greqisë dhe Italisë së Jugut. Bshkëpunimi me Aristidh Kolën dhe vërtetimet që kishin mbledhur ia shtuan edhe më shumë dashurinë për muzikën dhe këngën arvanitase. Tok me Aristidh Kolën, nisën me këmbëngulje të kërkojnë dhe studjojnë secili në fushën e vet gjithë atë tendë të bollshme.
Me Dhimitër Lekën, Thanasi Moraiti ishte njohur që në Universitetin Pandios. Muzikant shumë i mirë, njohës i përmasave të muzikës së lashtësisë, në vatër të të cilave mendonte, Aristidh Kolia dhe Thanasi Moraiti, duhej të këndoheshin këngët arvanitase.
Puna dhe studimin e filluan nën udhëzimet e mësuesit Spiros Peristeris, që të mos u bënin keq në vend t’u shërbenin mirë këngëve arvanite. Kështu pas një pune dy vjeçare, dha koncertin e parë në teatrin ‘’Orfeos’’ me këngë arvanitase.
Thanasi Moraiti është diplomuar për shkencat politike. Me muzikë filloi të merret më 1983, dhe është muzikant i vetmësuar, muzikën bizantine, ia mësoi protopsalti i mitropolisë së Athinës, Spiros Peristeris. Bashkëpunoi me kompozitorin e madh Miqi Teodoraqin për disqet dhe koncertet e dhëna gjatë periudhës 1984-1987, me këngë greke. Bashkëpunoi me aktoren këngëtare gjermane Gisela May, për një disq që qarkulloi më 1988.
Në prill të 1993, paraqiti në sallën e cermonive të Universitetin e Athinës, kompozimet e veta me vargjet të poetit Kostandin Kavafit.
Më 1998, Thanasi Moraiti nxorri diskun CD e dytë me këngë arvanitase të mbledhura në Greqi dhe Italinë e Jugut me titull ‘’Trëndafilat e Shkëmbit’’ që ishte një bashkëpunim i suksesshëm me studiuesin Aristidh Kolën dhe muzikantin Dhimitri Leka.
Në mars 1998 dha një koncert në teatrin ‘’Palasos’’ me 25 këngët e mbledhura vetë Thanasi në Greqi dhe Italinë e Jugut nga bartës që i këndojnë arbërisht.
Thanasis Moraitis ka marë pjesë tre herë në Festivalet Folklorike të zhvilluara në qytetin e Beratit në Shqipëri.
Në janar të vitit 2001, ka dhënë tetë koncerte në qytetet e ndyrshme të Belgjikës, dhe tetë koncerte në qytetet e Hollandës me këngë arvanitase ku ka patur suksese të mëdha.
Është për të ardhur keq që Thanasis Moraitis me zërin e tij të ëmbël nuk i është krijuar mundësia nga shteti shqiptar apo tregëtarët e fuqishëm shqiptar që na lavdërohen, të japi koncerte me këngët e bukura arvanitase në qytetet e lashta të Arbërisë. Ato këngë që i këndon me dashuri Thanasis Moraitis, u kanë rrezistuar shekujve të tëra të ruajtur me fanatizëm nga populli arvanitas, dhe sot ato këngë po humbasin. Disku CD, i parë me titull ‘’Këngët Arvanitase’’ nuk mundë të gjendet më. Dy CD, që ka nxjerrë vite më parë Thanasis Moraitis me këngë arbëreshe nuk kanë qarkulluar në hapsirën shqiptare dhe nuk njihen nga popullsia e gjerë shqiptare, ato njihen vetëm nga arvanitasit dhe arbëreshët e Italisë.
Vërej; Me fjalën Arvanitas kuptojmë shqiptar para krijimit të shtetit të ri grek 1834, atëhere kur nuk kishte shtete Ballkanike. Në për vendet ku jetojnë shiptarët para se të formoheshin shetet Ballkanike rreth viteve1834, quheshin arvanitas nga shkrimtarët Bizantik, arnaut dhe arnavut nga shkrimtarët turqë dhe të botës arabe, alban nga shkrimtarët latinë dhe anglez. Italianët arbëreshët i kanë quajtur dhe i quajnë zyrtarisht Albanë. Pra është e llogjikëshme që dhe emri arnaut dhe arvanitas është emërtimi i të njëjtit popull, pra të popullit shqiptar. Për më saktë në Fjalorët greqisht- shqip dhe shqip-greqisht, fjala arvanitas përkthehet me origjin albanian.

Studimi është bërë me syrin e gazetarit dhe të njeriut në terren pranë fakteve të gjalla. Është shfrytëzuar biblioteka e ‘’Lidhjes së Aravinasve të Greqisë’’.

Arben Llalla