Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, tetor 08, 2005

Flori Bruqi:Ramadan Sokoli"16 shekuj"

From : Flori Bruqi
Sent : Saturday, October 8, 2005 12:07 AM
To : art-cafe@alb-net.com, floribruqi@hotmail.com
Subject : Flori Bruqi:"16 shekujt" e Ramadan Sokolit

Flori-Press

Ramadan Sokoli

16 SHEKUJ

Portret i Ramadan Sokolit - grafikë nga Naxhi Bakalli. Me emrin e Ramadan Sokolit është e lidhur historia e muzikologjisë shqiptare, vepra e tij shënon fillimin e kësaj disipline shkencore në Shqipëri nga ky studiues kemi studimet e para, që shtruan linjat nga nisi pastaj puna për studimet shqiptare.
Profesor Ramadan Sokoli vjen prej njërës nga nga familjet me të njohura të tradites dhe qytetarisë shkodrane e shqiptare, ate te Sokolëve që gëzon një ëmër të shquar në historinë tonë kombëtare. Kujtojmë figurën e Hodo Pashë Sokolit, mbrojtësit legjendar të Hotit e Grudës, trojeve shqiptare në Mal të Zi.
Ramadani u lind në Shkodër me 1920, pas shkollimit në vendlindje vazhdon studimet e larta në Padova Itali, Universitetin e famshëm ku studion për muzikë, moment me rëndësi pse profilizohet e ardhmja e tij. Por rrjedhat e fatit i sjellin ndryshime të mëdha në rrugën e tij si studiues. Lufta e Dytë Botërore nuk kish si të linte jashtë familjen e Sokolëve. Dy vëllezërit e tij ishin pjesmarrës aktivë në rradhët e forcave nacionaliste, Ibrahim Sokoli dhe Hodo Sokoli, njihen si legalistë e nacionalistë, që i vunë pushkën pushtuesve italianë e gjermanë. Me vendosjen e regjimit komunist të tre vëllezërit, Ibrahimi, Hodoja, Ramadani, arrestohen dhe dënohen me burgim të gjatë, duke njohur tortura e vuajtje të rënda. Ramadani arrestohet dhe dënohet pa asnjë akuzë vetëm si vëllai i Ibrahimit e Hodos. (!?) Miku i ngushtë i Ramadanit, poeti dhe studiuesi me të ardhme të shkëlqyer, Qemal Draçini, vdes në rrethana të dyshimta në burg, versioni zyrtar ishte "vetëvrasje me helmim" (!). Pothuajse të gjithë miqtë e tij janë burgosur kësokohe dhe do të ishte miku i tij i vjetër Llazar Siliqi, që pas dhjetë vjetësh do e nxirrte nga gulagët e Hoxhës, duke shfrytëzuar nevojën e regjimit për njerëz të kualifikuar në fushën e studimeve muzikore. Por edhe kështu zinxhiri i vuajtjeve të Ramadan Sokolit nuk mbaronte, do të studionte, me kushte, do shkruante me kushte, do krijonte por pa emër, si anonim pasi "Partia e dinte kush ishte!"...
Falë punës së tij, Ramadan Sokoli bëhet themeluesi i muzikologjisë shqiptare nëpërmjet veprave "Folklori muzikor shqiptar (Morfologjia)", "Veglat muzikore të popullit shqiptar", "Vallet dhe muzika e të parëve tanë", "Figura te ndritura", "Gjurmime folklorike", "Këngët patriotike", etj. Përveç këtyre vëllimeve ka botuar një numër të madh artikujsh studimorë rreth degëve të ndryshme etnokulturore, gjithashtu ka mbajtur shumë ligjërata radiofonike krahas dokumentarëve televizivë. Ka drejtuar ekspeditat e para etnomuzikologjike në Shqipëri. Ndihmesë të vyer ka dhënë edhe si studiues folklorit letrar, sidomos rreth ninullave, këngëve të shpotisë, këngëve popullore për dashurinë, vajtimeve, gjëmave dhe elegjive mortore, rreth dramaturgjisë popullore.
Lëmia më e rëndësishme e veprimtarisë së Ramadan Sokolit mbetet ajo e etnokulturës shqiptare që nga lashtësia ilire e te ajo arbërore deri në kohët më të afërme. Prof. Sokoli ka bërë një punë të vyer në këtë lëmi duke shkundur pluhurin e harresës nga epoka të tëra, studime si: "Figura e Skënderbeut në muzikë" janë të rralla po ashtu ky studiues ka zhuluar më shume se 40 personalitete shqiptare nga fushat e dijes e artit, duke argumentuar shqiptaresinë e tyre. Hulumtimet e Ramadan Sokolit janë shtigje te çelura për së pari dhe shquhen për thellësinë dhe gjerësimë e njohurive si dhe seriozitetin e gjykimit shkencor. Për shumë kohë ka punuar si arsimtar, duke hartuar programe e tekste mësimore si dhe duke kompozuar repertor të pasur për edukimin e gjeneratës së re të muziktarëve.
Theksojmë me këtë rast se brezi i parë i flautistëve shqiptarë janë nxënes të Ramadan Sokolit. Ne fushën e krijimtarsisë, shquhet si kompozitor, është autor i shumë veprave vokale e instrumentale, muzikës së dhomës, këngëve, etj.

SHQIPERIMI I SHEKUJVE
"Dy fjalë: "Njih vetveten!" Vetëm këto dy fjalë kuptimplota i kish gdhendur dikush në ballin e hyrjes së një tempulli famëmadh të lashtësisë. Njih vetveten! Kjo porosi e mençur mbetet me vlera të përhershme jo vetëm për njerëzit në veçanti, por edhe për popujt ne përgjithësi, sepse, siç thoshte poeti rilindas, Naim Frashëri, "Ç'vleftë t'i verë vehtes një komb, atë i venë dhe të huajtë!"
Këto janë fjalët me të cilat e fillon këtë vepër Profesor Ramadan Sokoli, duke na sjellë një studim të rrallë ne fushën e kulturës sonë kombëtare. Vepra e Profesor Sokolit përfshin një diapazon te gjerë në një periudhë kohe 16 shekujsh pikërisht atë periudhë më të ërrët të historisë sonë kombëtare, kohën nga rënia e Perandorisë Romake deri në kohën e pas Pavarësisë, periudhë kur kombi ynë kalon nëpër pushtime e shkatërrime, duke plotësuar një boshëllëk në kushtet e mungesës së shkrimit e dokumentimit historik. Puna e rilindasve përgjithësisht është e evidentuar por ishin plot figura, "Shqipe larg folesë!", që kërkonin të njiheshin më mirë, të përfshiheshin në kulturën shqiptare për t'u bërë pjesë e saj si trashëgimi. Me zbulimin e shumë vlerave të së kaluarës, vepra e Ramadan Sokolit plotëson në mënyrë të ndjeshme njohuritë mbi qytetërimin e lashtë të kombit tonë. Profesori me zellin e arkeologut shpluhuros historinë, nxjerr copat nga terri, i bashkon e ndërton kapitujt e historisë sonë kombëtare pikërisht në kohën kur mungon më tepër, shekujt e errët që tërë bota i quan "Dark Age".
Gati tetë shekuj e ndajnë Niketë Dardanin, e kreut të parë të librit nga Jan Kukuzeli i kreut të dytë. Në këtë hark të madh kohor, këta dy muziktarë të hershëm ngrihen si kreshtat e maleve, që lartësohen të vetmuara drejt qiellit duke mbushur hapesiren e kultures shqiptare. Niketë Dardani (340-414), njihet si autori i "Te Deum" hymnit bazë dhe simbol të krishtërimit, ky artist nga Dardania është një nga emrat e parë të historisë kulturore të krishtërimit dhe një nga themeluesit e kësaj kulture. Prof. Ramadan Sokoli, në librin e tij argumenton kontributin e kesaj figure të shquar shqiptare të artit kishtar mesjetar. Niketë Dardani, i njohur ndryshe si Niketa i Ramesianës, lindur rreth vitit 340 në Ramesianë të Dardanisë. Personalitet poliedrik, teolog, vjershëtor, muzikant, mik i afërt i Aurel Ambrason, N. Dardani emërohet në moshën 26 vjecare Ipeshkëv i Ramesianës. Vepra e tij më e njohur është himni "Te Deum Laudamos", i përhapur në Europë më 525, dhe mbi të cilin kanë shkruar muzikë kompozitorë të tillë si G.B.Lulu, G.F.Haendel, J.S.Bach, W.A.Mozart, F.Schubert, G.Verdi, G.Mahler, etj. Koha që e ndan këtë artist nga pasuesit e tij është një hendek shekullor që thellohet në terrin e "Dark Age", ku nga trashgimia jonë humbën shumë vlera të ndërtuara në mijëvjeçarë. Kuptohet se humbjet janë katastrofike, përmendore artistike e kulturore u zhdukën në zjarrin e atyre dyndjeve, sa dëshmi shkrimore i përpiu flaka e barbarisë, kur dihet që vendi ynë u bë shesh luftërash.
Niveli i artistëve shqiptarë, klasi i tyre në krijimtari edhe pas tetë shekujsh dëshmon se kjo zeje kulturore gjalloi edhe në ato kushte dhe nuk reshti edhe pse për fat të keq ne nuk kemi dëshmi të shkruara. Megjithatë genet shqiptare të krijimtarisë nuk shterruan, ato u fashitën për një kohë nga flaka e dyndjeve por pa reshtur nxorën vazhdimisht filiza të rinj. Mjafton të përmenden ketu himnografët e atij harku kohor, krijimet poetike-muzikore të Justinianit (527-565), ligjvënësit më të madh të Perandorisë Bizantine që ishte me prejardhje dardane, i cili kompozoi himnin famëmadh "0 Movoyvns Vois Kai Tojos Toi Oeov".
Jan Kukuzeli i shekujve XI-XII shkëlqen në këtë kohë me krijimtarinë e tij dhe është autor i një vepre kolosale në lëminë e krijimtarisë kishtare, vepra e tij është madhështore dhe Profesor Sokoli argumenton me shembuj nga muzika sa e përkorë ishte kjo krijimtari. Muzikanti Jan Kukuzeli, i lindur në qytetin bregdetar të Durrësit rreth viteve 1078-1088, njihet si një ndër figurat më të mëdha të kishës bizantine. Arsimohet dhe afirmohet në Kostandinopojë, për t’u vendosur më pas në kishën Laura e madhe në malin Athos, ku harton edhe veprën madhore të jetës së tij, shkrimin neo-biznatin. Disa nga krijimet e tij kryesore janë Himnet Aniksandri, Kënga e Kerubinëve, Psalmi 107, Polilei 117, të pasqyruara pothuajse në të gjitha antologjitë e muzikës bizantine. Vendi ynë do nxjerrë edhe muziktarë e artistë të tjerë, e sidomos aty nga muzgu i mesjetës, kur po zhvillohej më tej prodhimi i mallrave si rrjedhojë e rritjes së fuqive prodhuese të vendit, çlirimin nga sundimi shekullor të Bizantit dhe me formimin e shtetit të parë të Arbërit. Këtë e provon krijimtaria e sa e sa muziktarëve e artistëve arbër nëpër Dalmaci, në kapitullin "Edhe disa muziktarë arbër", ku përmenden këta krijues, Dragan Prizreni, Kolë Durrsaku, Filip Pjetër Drishti, Vlash Filip Drishti, Helias Filip Drishti, Progron Burizani, Xanet Agustini, Kristofor Ulqini, Aleksandër Tivarasi, Martin Balistari, Stojan Shkodrani, provë se një krijimtari e tillë nuk ishte pa pararendës e pa traditë. Përplasja njëqindvjeçare (1385-1474) ndërmjet shqiptarëve dhe hordhive osmane, që u derdhën dallgë pas dallge, duke sjellë zi e mjerim, katandisën në gërmadha shumë qendra të lulëzuara, ashtu siç ka theksuar Dr. K. Jireçeku, "as midis Galipolit dhe Adrianopolit nuk qenë prishur aq qytete mesjetare sa vetëm në rrethin e Durrësit e të Shkodrës". Pamjet e atyre qyteteve ose kështjellave para se të rroposeshin është e vështire të merren mend por ashtu si e thotë me të drejtë Marin Barleti, "vetë gërmadhat rrëfejnë se ç'ishte e sa ishte".
Rrjedhimisht nga kjo kohë mezi gjenden gjurmë shkrimore rreth veprimtarisë së ndonjë artististi, psh. Progon Burizani, i cili më 1295 përmendet si arkitekt i kishës së Shën-Klementit dhe i asaj të Shën-Mërisë ne Ohër. Në kapitullin "Skulptorë dhe arkitektë arbër në Dalmaci", R.Sokoli përfshin emra si Radovani, Miho Tivarasi, Andrea Aleksi, mjeshtra të ndërtimtarisë, arkitektë që lanë pas një sërë kishash në viset dalmate. Në lidhje me interpretimin e legjendës së Rozafatit, Prof. Sokoli na flet për mjeshtër Donatin, i cili mund te jetë arkitekti i vërtete i kalasë së Shkodrës dhe në këtë pikë bën një zbërthim historik duke e përfillur edhe legjendën e famshme. Kapitull me rëndësi është "Piktorë, skulptorë e dijetarë shqiptarë nëpër Italinë Veriore", ku Profesor Sokoli sjell të dhëna mbi jetën dhe veprën e mjeshtrave si Leonik Tomeu, Marin Beçikemi, Maksim Artioti, Mikel Maruli, Albanezët e Vicencës, Gjon Albanezi, Jeronimi, Françesk Albanezi, Zef Giuseppe Albani, Mark Bazaiti, Viktor Karpaçi. Këta mjeshtra janë të njohur për veprën e tyre që përfshin fushat e dijes, pikturën murale të kishave, arkitekturën sidomos në ndertime kishash që sot janë krenari e trashgimisë italiane e botërore. Artistët shqiptarë në Itali jetuan e krijuan në një kohë e në nje ritëm me Rilindjen Evropiane, duke u bërë pjesa shqiptare e kësaj trashëgimie botërore. Pas rënies së trojeve të Arbërit nën sundimin osman me kalimin e shekujve genet shqiptare edhe nën këtë pushtim do nxirrnin krye duke iu treguar pjesës tjetër të botës trashgiminë dhe kulturën e lashtë shqiptare. Një pjesë e shqiptarëve krijuan në Perëndim siç qenë mjeshtrat në Itali por duke qënë se atdheu mbeti në Lindje, Perandori Osmane, atëherë tjerë bij të shqipes do shkëlqenin në këtë pjesë të botës. Në kapitullin, "Arkitektë shqiptarë në Turqi e tutje", Profesori na sjell të dhëna mbi figura të ndritura si Sinan Atiq Aga, Mehmet Sadefqari, Arkitekt Kasemi, Usta Mehmet Isaja, të cilët njihen për ndërtimet e xhamive e objekteve të tjera të Perandorise Osmane, të cilat njihen sot si kryevepra te arkitektures botërore. Përmendet këtu xhamia Sulejmania e arkitekt Sinanit apo e njohura, Xhamia e Taxh Mahallit ne Indi, të cilën e ndërtoi shqiptari Mehmet Isaja! Kjo xhami është konsideruar një mrekulli e ndërtimtarisë botërore dhe me të drejtë përfshihet si një ndër shtatë mrekullitë e botës moderne. Me interes në këtë vepër janë faktet e sjella mbi jetën dhe veprën e një pinjolli të Kastriotëve, për të cilin flitet në kapitullin: "Vladimir Gjergj Kastrioti-Skënderbeu", ky shqiptar me krijimtarinë e tij në nje tjeter hapesire, Rusi, ploteson hapesirën e dominuar nga krijuesit shqiptarë në botë, në Perëndim, Lindje dhe Rusi, thuajse në mbarë botën... Në fund të veprës Profesor R. Sokoli në kapitullin: "Edhe disa shqiponja larg folesë", sjell të dhëna duke ndriçuar figura si Joan Çetiri, Karl Gega, Harallamb Kristo Koçi, Ismail Efendi Dedei, Luigj Karl Albanesi, Dhimiter Mihal Toskani, Gjergj Danga, Thoma G. Nashi, Krist Maloku, Murat Shehu, Aleksandër Moisiu, Fan. S. Noli.
Shumë nga këta emra janë të njohur e janë trajtuar në vepra të tëra por këtu në këtë libër flitet për krijimtarinë e tyre si muziktarë, një aspekt i cili ishte fare i panjohur. Me faktet e sjella nga studiuesi Ramadan Sokoli plotësohen njohuritë mbi këto figura, cilido që kërkon të njohë më tej mbi rrënjët tona, trashgiminë kombëtare e gjurmët tona në kohë e hapësirë, padyshim se në këtë libër gjen pergjigjet që pret...

DY FJALE PER FUND...
Ramadan Sokoli, si muzikolog, është personalitet i njohur edhe jashtë vendit ku vepra e tij studimore gjeti vlerësimin e merituar, vite të tëra pune që në Shqipëri kurrë nuk u shpërblyen e gjetën jehonën jashtë atdheut, njëfarë mënyre pati fatin e atyre që studoi, njëjtë si ata u vleresua më shumë jashtë! Duheshin pritur vitet '90, që Ramadan Sokoli t'iu përgjigjej ftesave të shumta për të marrë pjesë si lektor në Universitetet e ndryshme të Europës apo në konferencat e simpoziumet ndërkombëtare, ku ai pritej me respektin që i takonte. Prof. Sokoli ka prezantuar punime e leksione në Gjermani, Zvicër, Itali, Greqi, Turqi, Sllovaki, etj. Vetëm pas '90, studentët e shkollave të muzikës e të Institutit të Arteve mundën të mësojne se autori i disa prej pjesëve instrumentale, këngëve popullore, valleve nuk ishte një anonim, por ishte kompozitori Ramadan Sokoli. Në vitin 1995, Akademia e Shkencave të Shqipërise i dha zyrtarisht titullin "Profesor", duke e zgjedhur anëtar të kësaj Akademie. Por ky "rehabilitim" fatkeqësisht nuk zgjati shumë, në vitin 1999, rikthehet në krye të Akademisë së Shkencave brezi i vjetër dhe Akademia në zgjedhjet e fundit nuk e rizgjedh anëtar te saj!? Në vitin 2002, Presidenti i ri shqiptar Alfred Moisiu e nderon me titullin e lartë "Mjeshtër i Madh i Punës", duke nderuar në radhë të parë shoqërinë shqiptare, e cila duhet të ndjehet krenare me bij si Ramadan Sokoli. Emri dhe vepra e Prof. Ramadan Sokolit është përfshirë në disa enciklopedi të huaja edhe në Enciklopedinë e Personaliteteve të Shquara të Shekullit të XX, përgatitur nga Qendra Ndërkombëtare e Jetëshkrimeve në Cambridge, Angli.