Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, tetor 03, 2005

Flori Bruqi:Milazim Krasniqi



MILAZIM KRASNIQI

Shënim për autorin:

I. Shkollimi:

Milazim Krasniqi u lind më 25 tetor 1955 në Breznicë, një lokalitet afër Prishtinës. Studimet për letërsi shqipe i kreu në Universitetin e Prishtinës, ku magjistroi në vitin 1988, me temën “Struktura e vargut të Ndre Mjedjes”. Ndërsa tash është doktorant po pranë këtij universiteti, me tezën e disertacionit “Soneti në poezinë shqipe”.

II. Botimet:

Poezi

Imazhi gri (1982)

Pirg vegimi (1985)

Qeshje sardonike (1987)

Formula e Katonit (1990)

Kurs për pantomimë (1994)

Dalja e atdheut edhe nga ëndrrat (1996)

Prozë (roman)

Fijet e shpirtit (1998)

Fotografitë e kujtimeve (2002)

Dramaturgji

Zbulimi, (1990)

Mos më merrni në qafë,

Punë Sizifi

Kur lindi partia, (1996)

Kush i bie fyellit (1997)

Bryma e vdekjes (2001)

Kosovë në ndërgjegje

Monedha e Gentit (2003)

Publicistikë

Horrat në krye të detyrës (1998),

Kosova pas 22 janarit 1998 (2000)

III. Angazhimi profesional dhe publik

Në vitet 1987-1990 ka qenë redaktor i revistës për kulturë “Fjala”, ndërsa në vitet 1990-1995 ka qenë kryeredaktor saj. Në vitet 1995-1999 ka kryer detyrën e redaktorit përgjegjës për Kosovë të gazetës ditore “Bota Sot”, ndërsa në vitet 1999-2000 ka punuar si kolumnist i gazetës “Kosova Sot” dhe “Gazeta e Re”, e në vitin 2001 kryeredaktor i revistës “Interesi Nacional”.

Milazim Krasniqi ka qenë edhe sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në vitet 1988-1999.

Aktualisht është anëtar i Bordit të Drejtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës dhe komentator te Radio Europa e Lirë.

Në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë është i angazhuar si profesor për lëndën Sociologjia e letërsisë.

Në vitet 1989-2001 ka qenë i angazhuar edhe në politikë, po nga marsi i atij viti është tërhequr tërësisht nga jeta politike.

Jeton në Prishtinë.

Milazim Krasniqi

Poezi

KËNGA E GJELIT

Është afazi që paralajmëron vdekjen

E ëndrrave

Mundësinë e thikës në lafshë

Gjakun e zi në borë

Është fërgëllimë që tund mjegullat

E kujtimeve

Perdet e mistershme të gravitacionit

Hijen e përbaltur të kasnecit gjuhëprerë

Është vetëtimë që ndriçon greminën

Kozmike

Burimin e fshehtë të jetës

Ku luajmë fugimthi me vdekjen

GREVË URIE

Gruas do t’i them se e dua shumë

Dhe s’do të bredh më udhëve

Që mbështillen si gjarpërinj helmues

Mbi pritjet e saj

Edhe Berlinin e ndante muri

Si thika mollën në dy pjesë

Një copë të tij të blerë në ankand

Në aeroport ma konfiskuan

Si të ishte një minë

Po selvitë a thua ç’kanë

Pse më përkunden përvajshëm në qepalla

Shi të ngrohtë Butrinti faqeve më derdhin

E ky burrë që më thotë

Merr frymë thellë

A mos është Oktaviani

Ai që krekosej mbi Baton në gravurë

Oh edhe këto selvi të përvajshme

Po unë gruas do t’i them se e dua shumë

Dhe s’do të bredh më kurrë

Udhëve që përdridhen si gjarpërinj helmues

Mbi pritjet e saj

PEIZAZH I VERDHË

Shpesh kthen ajo vjeshtë flokëshprishur

E më mbulon tinëzisht me peizazh të verdhë

Me duar nanuritëse shpalon albume të grisura

Ku ishte parku i brymtë dhe muzika e largët

Trungjet e pishave si mbishkrime tibetiane

Shikimet Fjalët Psherëtimat ku prehen

Dhe hiri mbi to si fotografi Kënetash Hënore

Pastaj stacioni që përpilitej si astmatik

Xhami i autobusit si paravan në klinikë

Dashuria e bërë petë nën rrotat dhëmbëzore

Të viteve

E ikja e përhershme peizazhi vernik i verdhë

I asaj vjeshte që kthen mizorisht në shpirt

NË BUTRINT

Si t’i kuptoj këta gurë

Këta memecë madhështorë

Që as përpjekje bëjnë të dëftojnë

Kush ishte këtu spektatorë

Tragjeditë kush i deklamonte

Shi a binte si sot

Para dy mijë vjetësh

Cili burrë matej me Hektorin

Po s’hyri në mbretërinë e shkronjave

Të vetmit kenotaf të përjetshëm

Nardi sa s’e humb drejtpeshimin

Ti në të vërtetë je Glauku kur i them

Ai aktor që e dinte përmendësh

Iliriadën

Në përhumbjen time amfiteatri tkurret

Si iriq si kërmill si breshkë

Dhe unë ulem në një gur

Të lagem deri në palcë

Mos nxjerr vuajtja gjë nga enigma

Selvitë ma përkundin hutimin

A për mua vjatojnë

Që s’i kuptoj këta gurë

Që s’shndërrohen në shkronja

Në fjalë

MURI I BERLINIT

Këtu ishte halucinant ai Mur

Që ndante dy botëra

Një popull

Thotë Ahmeti

Dhe tund në ajër

Pasaportën e emigrantit politik

Aty përbri shkruan

Den Opfern der Geëalt

Dhe emra të të vrarëve

Si kufoma të ngrira në një morg

Udo Dullick 5 tetor 1961

Vinfried Frendberg mars 1986

Që kishte provuar ta kalonte Murin

Me balon të ajrit

Tash një cope Mur

E mbështjellë me porcelan

Shitet pesë marka

Ndërsa gurvarret e mermerta

Notojnë turbull nëpër kujtesë

TËRMET NË NDËRGJEGJE

I thinjur si bashkë reje

Shkëputur nga vranësirë e tejkohshme

Pranë meje ulur në gjunjë

Asturiasi më thotë

Therje në shpirt është Peleleja

Po më shumë portat që mbyllen

Dhe fjalët

Që s’mund ta shqiptojnë dhimbjen

E nënës që mëkon fëmijën e vdekur

Fidani i vrarë në rrugët e Kosovës

Është po ai fëmija

I vrarë me paramendim në burgun e

Guatemalës

Ai i ndien klithmat

Si përplasen nëpër dhëmbët e shkëmbinjve

E thërrmohen në shpirt

Dhe i errësojnë azimutet në ninëza

Kot mbyllen portat sytë veshët

Asturiasi më thotë

GJYMTYRË ME FRAKTURË

Zgjimi në orën 2,55 për shembull

Është më i tmerrshëm nga një sulm epileptik

Nëpër binarët e ngatërruar të trurit

Dhjetëra vagonë përfytyrimesh përplasen

Për shembull

Dikush numëron nga dhjeta deri në një kot

Evropa e Karl fon Tririt fundoset në ujë

Dorëza të zeza shtrëngojnë qafën e një fëmije

Një grua në ballkon mbledh rrobat e thara

O zot ç’grua epshndjellëse tek zë e zhvishet

Lakuriq bën me dorë e zgërdhihet

Ujë i turbullt sulmon urën e drunjtë

Një varg dridhet nën rrënojat e frymëzimit

E shformësohet botë e tërë e tij si plastmas

Në portë trokitjet bëhen shurdhuese në tru

Krejt jeta përplaset e thyhet si qelq

Ndërsa akrepat lëvizin me druajtje

Si gjymtyrë me fraktura në klinikë

FLETËZ DITARI

Sot ishte ditë me vapë qyteti

Si astmatik përpilitej asfalti

Çahej si pjepër unë shëtisja

Me duar në xhepa

Me syza si të Rej Çarlsit në sy ime motër

Mërdhinte sot nga ethet në klinikë

Më tha shpirti i paska rrënjët thellë o vëlla

Shikimi i saj mjegulluar si xham

Nga hukama kobsjellëse

S’thoshte asgjë më pak se vdekja

TERAPI ME QUKAPIKË

Ishte një ëndërr me shumë qukapikë

Që çukisnin tak tak tak

Nëpër trungjet e ajrit të rralluar

Njëri bënte ç’bënte me çukiste në ballë

Tak tak tak miqësisht

Është ora ta pish një tabletë Histazol

Tak tak tak në tru si mbi dru

Në dhe të huaj

ZJARRI QË NA PËRTËRIN

Të shoh larg

Zhurmën hapave ua dëgjoj

Nëpër prozhmin e viteve

Vetmia e gjatë

Më shpon nëpër tru

Tek trillon gjithfarë mrekullish

Zemrën ma sheh si përcëllohet

Në zjarrin që e krijuam

Të fshehur nga syri i botës

Po s’kemi pse të druajmë

Përderisa dimë ta rikrijojmë

Magjinë e shëngjergjtë

ETHET E KUJTIMEVE

Shëtitorja u kërrus

E mbahet si për bastun

Për trungjet tullace të brirëve

Gjethet me verdhëz

Ia mbulojnë kurrizin

Që therje reumatike ndjen

Derisa bëj shëtitjen e mbrëmjes

Sa s’ia plas vajit

Për verën e dashurisë së vdekur

Ndalem në mes të shëtitores

Si për t’i mbledhur kujtimet

Nëpër plasat e asfaltit

Më mirë po t’i varim si kartëmortale

Se kështu na i shpiejnë në pleh

Fshisaxhinjtë

PALIMPSEST

Orakulli i Dodonës Taksa Ilirike

Zjarret e Pal Emilit Itinerari i Antoninit

Mbushin sterën e orëve

Me ujëra të turbullt të shekujve

Si më mbiu nga zonë e muzgët në ndërgjegje

I krijuar nga copëza të shuara meteorësh

Poeti anonim

Që krijonte vargje në Pallatin Mbretëror

Dhoma u shndërrua në shkëmb

Ku përplasen valet e bardha të Adriatikut

Dhe ora e murit në ninëz

Ku derdhen si rërë format e hënës

Kur i thashë hirësisë me zë të prerë

Që premiera s’mund të shtyhej për një betejë

Se vargjet më mirë nga shpatat

Dinë ta mbrojnë Ilirinë

Atij i kërceu zemërimi mbretëror

Oh ç’tmerr kur ta nxjerrin me thikë

Dritën e fundit nga bebëzat

Peizazhin e atdheut të larë në gjak

Edhe me tërë atë dhembje

Unë i thashë përmendësh të 40 mijë vargjet

E Iliriadës

Po ato si trumcakë të trembur e të mpirë

U shpërndanë nëpër muzg

U fundosën bashkë me shpirtin

Vetëm atje ju mbetet t’i kërkoni

Se zjarret përmbi i bënë shkrumb e hi

Nuk di sa herë ndërrojnë format e hënës

Derisa ato copëza meteorësh

Më lënë të kthehem në kohën time

Në këtë antiantikë klinike

Ku nata e acartë e janarit është gëzof i ngrohtë

Po edhe këto vargje të shkruara vonë vonë

Unë i nxjerr në letër ai m’i dikton

MBROJTËSIT E ILIRISË

Ç’gjarpërinj

Dalin kështu nga ndërgjegja e shekujve

Si nga plasa shkëmbinjsh

Dhe lëvizin në forma spirale në forma valore

Nëpër ajër nëpër mure perde

Nën tavolinë

Pranë këmbëve të mia akull

Derisa rikrijoi vargjet për Ilirinë

Hutimi ndez reflektorët e vet

Edhe majën e lapsit

Në thimth ma shndërron

Dhe hapësirën e tërë në një rrotullimë

Janë kadmi dhe Harmonia

Me ndonjë enigmë të re

Në pleqërinë e tyre të thellë

Dhe vetë Ai që Illit ia dhuroi fuqinë

Janë dhe bijtë e harruar

Nga nekropolat e Hollmit Dimalit Prishtinës

Nga kiçët e anijeve labeate

Nga shkopi i Eskulapit

Monedha e Hvarit

Vijnë si mbrojtës të vatrës

Kësaj hapësire të prerë

Apo si shpirtëra të të ndjerëve të harruar

Që s’ua kemi shpënë mesazhet në vend

Vijnë si kasnecë të një tjetër ndëshkimi

Për dvarjen tone

Apo si shenja

Se do mbështillemi me fuqi të re

Në vorbull të këtij pësimi

Reflektorët e hutimit ndezur rrinë

Dikund larg në një liman të lënë

Edhe fanarët e një vegimi

Maja e lapsit nxjerr zëra fjalë

Që e bëjnë thërmia afazinë

Dhe gjarpërinjtë zënë të kthehen

Në hapësirat e ngurosura të shekujve

Ku ata hyjnisht e mbrojnë Ilirinë

OKTAVIANA

Ndërron forma si plastmasë

Kur e ndrydh e shtrydh ndërgjegja

Oktaviana

Nga bodrumet e errata i çelen kaverna

Pamjet e grave dalmate

Tek hidhen me fëmijët ngryk në flakë

Nëpër shkallare

Mollokë të përgjakur rrokullisen

Koka të prera me shpatë

Karnel Scipion Nazika, Tiberi

Dhe vetë Oktaviani

Në kulmin që hepohet pozojnë

Si terminatorë të shprogramuar

Thonjtë e gjakosur u prekin në re

Thonjtë që ia kanë ngulur në fyt

Si deles Delminiumit

Amulet i krimit në emër të qytetërimit

Është Oktaviana

Që ndërron forma si plastmasë

Kur e ndrydh dhe shtrydh ndërgjegja

Mermerin e saj

GEMMA AUGUSTEA

Si s’ke një grimë turp

Nga ajo kapardisje August

Që si lakmus ta zbulon mizorinë

Po bëri e u rebelua Bato

Copë e grimë e bën atë skulpturë

E bëhesh gazi i botës

Në sy të spektatorëve

Në Museum Naturhistorischen

Në Vjenë

DARDANIA

Zanë me harmoni universi

Mbi tri dete

Që pinë nga gjinjtë e saj

Njëri mori emrin i Zi

Nga mëkatet që mbijnë si alga

T’ia kujtojnë krimin

Homeri e pa në bebe të syrit

Dhe s’mundi të nxjerrë fjalë tjetër

Për Dardaninë dimërkeqe

Klithmat ia ndjeu vetë Hyji

Dhe u shfaq si re

Mbi fytyrën e saj e tha

Bukuria që ta dhashë të ndëshkon

Po unë jam ai që jam

Dëshmi ke farën që mbolla në ty

Me dorën time të përjetshme

Kur e ndien ajo klithmën tënde

Dhe zërin tim

Tokë e shenjtë

SHPËRTHIME NËNTRUNORE

Mos

Fol

Mos

Fol

Urdhëra që shpërthejnë

Si mina

E krijojnë humnera

Në tru

Mos fol mos fol mos fol

Të shtëna me paramendim

Mbi pëlhurën drithëritëse të shpirtit

Derisa pret shpëtimin

E rrëgjohet

INHIBICION

Lëshoje lapsin nga dora

Që dridhet

Në vorbull të turbullt ku thelloma

Bluan mollokë trishtimi

Të zhubravitur lëre letrën

Në gjenezën e saj

Të drurit të tharë

Të mos e gërvish atë dregëz

Çdo që më afrohet

Më tremb më tmerron*

Mbi qelbin e mbledhur

Të ndrydhjes së ëndrrave

Të mosgjetjes së kuptimeve

Për format e reve e të luleve

Për pasqyrat e gajasjet

Dhëmbët e verdhë

Që kafshojnë faqen e përlotur

Fshiji djersët e qelbura

Mbylli sytë me duar

Dhe lëre veten të zvarritet

Nëpër mëndafshin paqesjellës

Të anonimitetit

Deri në një kokërr në një pikë

Të padukshme të tejdukshme

Lapsin hej

Lëshoje nga dora

Lapsin lëshooooooje

NJË PARALAJMËRIM

Mbi një copëndërr

Nga shpalosej humnera

Në një hotel në Berlin

I kërrusur si pikëpyetje

E krijuar nga gërryerjet në shkëmb

M’u shfaq i pikëlluar

Po më shfytyron braktisja

Ikja jote po më thërrmon

Si dora barbare një statujë

Dhoma dhe reproduksionet në mure

Ishin në komë të thellë

Vetëm perdet tundeshin

Si kur përvidhet nëpër to dikush

Që të jep një paralajmërim

STËRKALA TË ERRËTA

E shoh si fundoset ajo Atlantidë

Nga kobi e mbështjellë si me membrane

Si plym larashësh

Stërkala të errata i ngrihen përmbi

Fërkoj sytë

Që më djegin nga era e qepëve

Dhe vezullimi i ekranit