Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e shtunë, tetor 08, 2005

Flori Bruqi:Kush eshte Gjon Shllaku?

From : Flori Bruqi
Sent : Saturday, October 8, 2005 12:10 AM
To : art-cafe@alb-net.com, floribruqi@hotmail.com
Subject : Flori Bruqi:Kush eshte Gjon Shllaku?

Flori-Pres

Gjon Shllaku

Gjon Shllaku, marrë nga Ars Ishte vetëm 17 vjeç, student në Seminarin papnor të Shkodrës, kur zotëronte shkëlqyeshëm latinishten, greqishten e vjetër, frëngjishten dhe italishten. Pikërisht në këtë moshë përktheu romanin “Ben Hur” të Wallasit. Ishte një përkthim që u konsiderua nga profesorët e tij e më pas edhe nga lexuesit si i përsosur. Ky roman i dha më tej atij zemër e forcë për t’i hyrë udhës së vështirë dhe fisnike të përkthimit. Udhë e gjatë, tashmë 63- vjeçare. Këto ditë i shkova në shtëpi për ta takuar, sepse prej kohësh nuk del nga shtëpia. Tashmë është 80-vjeçar dhe i sëmurë. E gjej duke punuar. Fjalorë, dosje dhe pirgje letrash dhe diku më tej makina e vjetër e shkrimit... Po i hedh dorën e fundit një vepre madhore, fjalorit diakronik latinisht–shqip. Ka 16 vjet që punon për këtë fjalor, origjinal prej 65 000 fjalësh. Më tregon dosjen e trashë. Janë 4800 faqe të daktilografuara në atë dosje. Është i zbehtë në fytyrë, por buzëqeshja plot mirësi që nuk iu nda gjithë jetën, më bind se terapia më e mirë për të është vetëm puna. I shtyn ditët i kënaqur me pensionin prej 1800 lekësh, pension i “posaçëm”. Edhe e shoqja është e sëmurë. E tashmë dy pleqve fisnikë iu shërben vajza, e cila është shpërngulur në apartamentin e babait së bashku me burrin dhe fëmijët.

* * *

Profesor Gjon Shllaku, ky mjeshtër i madh dhe i pashoq që sapo mbushi 80 vjeç, i bëri të flasin shqip Homerin, Eskilin, Sofokliun, Euripidin, Virgjilin, Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, Alfred De Musenë, e deri tek papa Gjon Pali i dytë. Ai bëri të tingëllojë aq bukur ëmbëlsia e vargjeve të La Martinit, trishtimin e Shatobrianit, gazin e çiltër të Bomarshesë, Është pikëriasht ai, pra, profesor Gjon Shllaku, përkthyesi i pashoq i 50 kryeveprave botërore, në të gjitha gjinitë, tragjedi, komedi, poezi, prozë, esse, mendime filozofike, histori... Gjon Shllaku, helenisti i madh, fitues i diskut të argjendtë, nga qeveria greke, si një ndër përkthyesit më të shquar të letërsisë antike greke, është nderuar edhe me “Urdhrin Naim Frashëri i artë”, dhe i është dhënë me të drejtë titulli “Profesor” nga Këshilli i Ministrave dhe komisioni i kualifikimit shkencor. Ai është gjithashtu fitues i “Pena e artë” në vitin 2001 për përkthimin “Gjeorgjikat” e Virgjilit.
* * *

Tek kujton jetën e Gjon Shllakut, ndien dhimbje, por edhe krenari njëherësh. Sa e egër dhe sa mizore është treguar jeta me të. Sa shumë i ka dhënë Shqipërisë ky njeri kolos dhe sa pak mori prej saj.
Kur ishte 22 vjeç, student në vitin e tretë në fakultetin teologjik, e arrestuan, nën akuzën si anëtar i organizatës “Bashkimi Shqiptar” dhe dënohet me 101 vjet burgim. Provon të gjithë kampet famëkeqe të Shqipërisë komuniste. Është djersa dhe puna e tij në betonin e fushës së aviacionit në Rinas, tek Ura Vajgurore, në tharje kënetashe në miniera, në thyerje gurësh. Kur ishte në burgun e Burrelit, natën, nën dritën e zbehtë të llampës së kapanonit, mësonte anglishten, gjermanishten, spanjishten, dhe greqishten e re. Dhe aty në burg përkthente nga të gjitha këto gjuhë. Kur del nga burgu në vitin 1957, në moshën 34-vjeçare, ky poliglot, zotërues tashmë i 18 gjuhëve të huaja me një vandak përkthimesh, në dhomën e tij birucë ku banonte me prindërit do të provojë kalvarin e punës poshtëruese në kooperativën e artizanatit dhe në Zukth kashta. Herë ishte punëtor i thjeshtë e kur lufta e klasave gjoja zbutej e bënin normist. Por ai punonte dhe kurrë nuk ankohej. Itinerari i ditëve të tij ishte shtëpi-vendpunim. Në ndërmarrje gjithmonë djersë dhe fyerje, ndërsa në shtëpi pasditeve dhe natën futej mes studimeve krijimeve e përkthimeve të tij të dashura. Me ndihmën e njerëzve të mirë e sidomos të Llazar dhe Drago Siliqit (drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”) arriti të botojë kryeveprën e të gjithë kohërave “Iliadën” e Homerit, botim ky që bëri bujë të madhe, megjithëse përkthimi ishte në gegërisht. Ky përkthim u ribotua sërish në 1979 në gjuhën letrare dhe dy herë në Kosovë më 1971-2000. Por u gëzua para kohe Gjon Shllaku, pasi pa të botuar “Iliadën” e tij më 1965 e një vit më vonë kur botohet nga Drago Siliqi edhe “Historia e Skënderbeut” e Sansovinos, përkthyer nga origjinali italisht. U gëzua para kohe, sepse nga ai vit e më pas do t’i mbyllej përfundimisht porta e botimeve. Lufta e klasave e dënoi përsëri, këtë radhë me heshtje e përbuzje. As Llazarët e as Dragot nuk mund ta ndihmonin më. Përkundrazi, kur dërgoi tragjedinë e Sofokliut në Akademinë e Shkencave, pasi e lanë katër orë të presë, që të takohet me drejtuesit, i thonë në korridor: “Nuk ka nevojë populli për përkthimet e një armiku të klasës”. Megjithatë ai sërish nuk ra në dëshpërim. Vazhdoi të përkthejë, të krijojë (sepse ai është edhe autor tragjedish. Siç tregon përmes butësisë dhe buzëqeshjes:
“Dum spiri spero” (sa marr frymë shpresoj).
“Shpresoja se do të vinte një ditë që puna ime do të dilte në dritë”. Dhe ajo ditë erdhi për Gjon Shllakun. Vitet e demokracisë ia hapën dyert e botimit gjithë veprave të tij. Vonë për 80-vjeçarin.
– "Por më mirë vonë se kurrë!” – përgjigjet mjeshtri i madh. Tani veprat e tij botohen në Itali, Greqi, Francë, Amerikë. E thërrasin në konferenca dhe kongrese, e bëjnë anëtar të komisioneve e këshillave artistike, e vënë në presidiume e tribuna. Por 80-vjeçari ka vetëm atë buzëqeshjen plot mirësi, si dikur, si në burg, si në punën e rëndë të mbijetesës... si tani. Është eliksiri i jetës së tij, kjo buzëqeshje. Puna, gjithnjë puna.