Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, tetor 03, 2005

Flori Bruqi:Azem Shkreli

AZEM SHKRELI

Azem Shkreli zë vend në krye të poezisë aktuale shqiptare. Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin tematik; e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive.


Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdiq në pranverën e vitit 1997.
Ka botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.
Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezísë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim "Zogj dhe gurë", botuar më 1997.

Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit në fund të viteve pesëdhjetë dhe në fillim të gjashtëdhjetave, shënon kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare. Gjatë viteve pesëdhjetë, si gjimnazist, Azem Shkreli, ka mundur të lexojë nga letërsia e kohës në gjuhën shqipe një poezi tematikisht të kufizuar, me strukturë dhe sajim artistik gjuhësor pa origjinalitetin e duhur. Në prozë gjendja ishte edhe më e varfër. Me përjashtim të ndonjë emri, (Hivzi Sulejmani) ajo pak prozë e autorëve jo fort të talentuar, kryesisht trajtonte tematikën e luftës dhe të fitores përmes rrëfimit klishe bardh e zi dhe të metodës së realizmit socialit.
Kështu Azem Shkreli shënoi kthesën e parë më të rëndësishme në poezi, në radhë të parë, duke e çliruar Unin lirik intim nga ai kolektlv, duke selitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj. Nga ana tjetër thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare, kosovare, Shkreli e bëri me romanin "Karvani i bardhë" si edhe me tregimet e përfshira në vëllimin "Sytë e Evës", që qëndrojnë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër...


Poezi nga libri: Zogj dhe gurë

Piramida

U

rriç

Mendim

I madh i

Miligonave

Flini faraonë flini

VIZION

Në fund të fundit prapë

Vinë Akejët dhe Arbërit

Sekush ku e kishte vendin

Veriu në veri

Jugu më nga jugu

Në mos zogjtë dhe zoologjitë

Një fije floku na ndan

Nga lumturia e bimëve

Vizion zemërak i zotërave

Botën na e vizato ndryshe

Në shpatull të këndezit

SHQIPTARËT

Njeriu tha ndiquni lirinë

Ilirishtes, herruni bimën

I mbërthyen në bri të dhisë

U dhanë ujët e detit, u dhanë

Zogj dhe gurë

Miza ku na bren hekur

Zoti tha ruana zot nga

Mallkimi i madh i tyre

ANAL

Qëmoti ishin kryer

Kremtet, ishin kryer kurorat

Ishin mbyllur librat

E të gjallëve, librat e të vdekurve

Ne po vinim kaluar apokalipsës

LAVDIA

Saherë u nis atdheut

Tek ylli i vet majë qiellit

Një herë hypi në një krismë

Dhe vajti

Biri i sëmës

ARMËT TROFE

Art anakronik, gjëmim

I heshtur hekuri

Eneu a e di ku janë

Tani trofetë e tyre

Gojët e zeza u gokësojnë

Uri kah Jugu

Në Ballkan e në Luvër

U lëngojnë

Luftëra të pakryera

LUFTA

ç'është

Ajo gjëmë, ajo

Pushkë në mish të ashtit

Liria

Pëlcet si krypa

Nga kuptimi e bukuria

Dhe digjet

E BUKURA MARIGO

Tokën gur, qiellin

përgjysmë të çarë

Moj e mira

Të kuqen gjak, të zezën

Terr bartolomeu

Moj e bardha

Etjes qumësht na i dhe

Vetëm nga njëri gji

Moj e bukura

KËNGA ME MIQ

Mos shkruani sonte poezi

As heshtjen si unë mos e shkruani

Ndizeni një varg si qiri

Dhe zjarrin e së pathënës e vuani

Dëgjoni si dhemb e pathëna

E beftë, e bukur. Poezi

S'është lot i qiriut as hëna

Është push i një etje dhe shi

KRONIKË

Portën kah jugu dikush e rrahu me natë

Kështu zë rrëfimi nga i cili flokët na ranë

Gujën e të ndjerëve ja qepëm vetes më të gjatë

Akti tjetër ndodhi pa ne a s'e pamë

Tatpjetë moshës na rrodhi prapë koha mushkë

U shkund një shekull me pupla dhe tuhamë

Grimin na mbrojtën ushtarë të Natos me pushkë

Paqës së gjumtë i pimë amështinë, u thamë

Fiku në fik u plak dhe molla në mollë

Një natë qindvjeçare njëri ndënj e shkroi

Të dytin libër të ferrit, të bukur, të hollë

Një qen u gdhi me ashtin e fjalës në gojë

KREMTIM

Ngjitu

Trupit të vargut

Madërgonë mendimi tjetër

Amen! ra në tokë të vetën

Farë e mirë e

Fjalës, ra

UJËVARA

Ulesh ta vizatosh

Të thahet në buzë fjala

Ia prek stërkalët

Dora të bëhet skulpturë e kaltër

Të gjitha ia thua, të gjitha, pos

Shëmtisë së imazhit pa ujëvarë

Pëlcet prapë në një etje tënden

MALLKIMI

Më plase bir i Balës

Të plastë nusja e lalës

Gjethe e gjethe ranë

Plasën e nuk u panë

Nuk i deshi nama

E zanoftë zana

MALLI PËR NJERUIUN

Ai vjen fill vetëm

Si vinë shpendët dhe shirat

Vjen kalluar harrimt

Vjen zogu i largët

Nga vise të kaltra të kujtesës

I bardhë flokut, i cemtë lotit

Nga farë e pjekur, nga plazma

Vjen e na i jep gjak gjenit

Malli për njeriun

SHTEGTARËT

Fundin e udhës s'e dinë

Ata që vajtën

Ata që u kishte koka udhë

Fundin e udhës e dinë

Ata që nuk u kthyen

METAMORFOZË

Vazhdimisht e zhveshi

Nga një lëkurë gjarpëri

Të mos shihej gjartpër

Vazhdimisht e zhveshi

Secilën lëkure gjarpëri

Mbeti krejtësisht gjarpër

Tani ja kërkojnë kokën

TJETËRSIA

Ajo na kishte dashur fort, ne nuk e dinim

Na kishte kërkuar gjatë, na kishte puthur ëndërr

Verbuar e kishte malli për largësitë mes nesh

Kur e pamë së fundi na lëbyri kryq shikimet

Së pari na mori sytë, pastaj gjuhën, gojën

Në filxhan vizatuam gjeografinë e ndarjes, heshtëm

Ajo qëndronte mes nesh si një përmendore argjili

I lamë nga një lule harrimi të këmbët dhe ikëm

ç'të bëj me të falat për pulbardhat, me ylberin

KËNGË E TURPSHME

Sonte

Qava sonte për ty

Arbëri

Nuk më vjen turp

Pse qava

Më vjen turp pse s'munda

Të bëj tjetër

Nga turpi qava