Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, tetor 03, 2005

Flori Bruqi:Anton Pashku

ANTON PASHKU

Me emrin dhe veprën e Anton Pashkut lidhet ecja në rrugë të sigurtë e letërsisë moderne shqiptare. Gjatë viteve pesëdhjetë, proza, me parashenjën e entuziazmit të dalë nga lufta, ishte në kufi të shkrimit letrar dhe të atij dokumentar Kthesa e prozës së Pashkut në nivel të vetëdijes mbi artin letrar dhe të narracionit ishte aq e fuqishme sa linte përshtypjen e paraqitjes ekstremiste dhe të skajshme. Aso kohe, prandaj vepra e tij kishte shumë pak lexues dhe shumë mohues. Megjithatë shëmbëllyeshëm me krijuesit e mëdhenj, ai do të vazhdojë deri në fund rrugën e vet, i bindur dhe i vetëdijshëm për mundsitë e tij krijuese.

Anton Pashku lindi në Has të Thatë të Prizrenit. U shkollua në Prizren dhe në Prishtinë. Deri në vdekje punoi redaktor në gazetën "Rilindja". Është autor i disa vëllimeve me tregime: Tregime (1961), Një pjesë e lindjes (1965), Kulla (1968), Kjasina (1973), Lutjet e mbrëmjes (1978).Ai ka shkruar dy drama: Sinkopa (1969), Gof, 1976 dhe romanin Oh (1971).
Tregimet e para Anton Pashku i botoi në vitin 1957. Për afro tridhjetë vjet punë krijuese letrare, ai botoi relativisht pak, por, për nga vlera artistike, vepra e tij zuri vend në krye të panteonit letrar kombëtar
Por për çfarë shkruante dhe si shkruante Anton Pashku, kur ende nuk i kishte mbushur të njëzetat? Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, po sjellim dy tregime (poetike), që së bashku mund të përfshihen vetëm brenda një faqeje libri. Fjala është për tregimet "Në stuhi" dhe "Klithma", që të dyja botuar në vitin 1957. Në të dy rastet bartësit e ngjarjes janë maksimalisht të reduktuar

Anton Pashku sjell një frymë krejtësisht moderne në traditën e prozës shqiptare. Çështja bosht në rrëfimin romanor të Anton Pashkut është veçanërisht vetëdija e autorit për pozitën e tij dhe perspektiva e synimit të këtij rrëfimi. Shtresimin ironik gjatë gjithë rrëfimit, rrëfimtari do ta derdhë e ta përhapë tërthorazi, e jo si deklarim të qëllimshëm dhe moralizues. Reflekset ironike dhe aludive përjetohen drejtpërsëdrejti nga lexuesi dhe janë më mbresëlënëse se një fotografi e gjallë e një realiteti absurd. Rrëfimtari e nis udhëtimin nga një kohë e pacaktuar që gjatë ecjes fiton peshën e një vatre të gjallë dhe jehona e reflekseve të së kaluarës shfaqet si përsërítje e pafund e dramës sonë kombëtare.
Ky vizion i fuqishëm dhe largpamës i veprës së Pashkut që përbën tharrmin krijues të tij, realizohet përmes strukturimit të nëntekstit ironik të rrëfimit. Kjo gjë e nxit dhe e motivon parreshtur lexuesin që ta kërkojë atë që nuk thuhet, atë që duke heshtur, e bën lexuesin të jetë zëri kryesor.

Romani "Oh" (analizë)

Romani "Oh" i Anton Pashkut, për shumëçka është karakteristik dhe fare i veçantë në letërslnë shqiptare. Kur u paraqit para tridhjetë vjetësh, u emërua "hermetik", u tha se është jehonë e antiromanit, e kështu me radhë. Në të vërtetë, kjo vepër është një vazhdimësi e natyrshme e tregimeve pararendëse moderne të autorit, në kuptimin e mirëfilltë të nocionit modernizëm: prozë që i shprish konvencionet tradizionale që artikulon realitetin përmes figurshmërisë së veçantë dhe originale që në mbështetje të së kaluarës konstrukton kuptime, mundësi dhe vizione, të shumëfishta universale. Ky roman është fabul klasike, pa lidhje syzeike, pa rrjedhje njëdimensionale kronologjike, pa rrëfyes të artikuluar qartë, pa këndvështrim të fiksuar të autorit; natyrisht që nuk mund të ritregohet përmbledhtazi si thurje e rregullt ndodhish të caktuara. Në fillim të romanit sajohet një mjedis nismëtar i mbyllur: burri dhe gruaja në dhomë, dhe akuariumi simbolik me tre peshqit brenda. Fillimi i tekstit përcakton aktualitetin nga i cili burri (rrëfimtari i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë, pjesërisht personazh), niset në një udhëtim imagjinar nëpër të kaluarën dhe të ardhmen. Rrëfimtari, burri që do t'i sajojë shkallët e mundshme të zbritjes retrospektive përkatësisht shkallët e ngjitjes, vendoset në situata dhe perspektiva të ndryshme, në kontekstin e bëmave nga e kaluara ilirike e këtej, si dhe në atë të kohës, si histori e përsëritur. Ai vepron vetëm përmes imagjinatës, pa ndërmarrë asgjë konkrete. Gruaja, e cila nuk flet e as ndërhyn fare gjatë këtij udhëtimi të burrit, shpaloset si tip iluzionist që ndërton kulla rëre. Në fund të romanit, që është përsëritje e tekstit fillestar, gruaja largohet në mënyrë protestuese; dy peshqit e vegjël kanë ngordhur, ndërsa ai me pika të kuqe lëviz "krenar" nëpër hapësirën e akuariumit. Duke qenë përsëritje e tekstit fillestar, e tekstit ku paraqitet vizualisht një mjedis i rivendosur në fund të romanit, pas gjithë atij udhëtimi imagjinar në të dy krahët e kohës, lexuesit i lindin një sërë përfytyrimesh simbolike lidhur me realitetin dhe jetën përgjithësisht. Në strukturën tërësore të këtij romani të rrëfimit qarkor, ku udhëtimi i nisjes i përngjan atij të kthimit, nga drejtimi i kundërt në pikën e nisjes, duhen sqaruar dy kategori themelore të poetikës së romanit: koha dhe rrëfimtari.

Rrëfimi shtrihet deri në kohën antike ilire dhe jepet përmes ngjyrimit ironiko-alegorik, ekspresion ky që duke heshtur, e shquan dhe e bën më të zëshme idenë qendrore të romanit: historinë shqiptare të dhimbshme e të përsëritur, shpalimin e mungesës së substancës së formuar dhe të artikuluar të qenies. As e ardhmja e projektuar në këtë kuadër, në vizionin e Anton Pashkut nuk është shpresëdhënëse. Vizioni i projektuar para tridhjetë vjetëve, prandaj tingëllon aq aktual sot. Kështu, romani mund të quhet edhe historik, po në radhë të parë si roman i idesë, i mendimit, madje filozofik.
Rrëfimi i ngjarjeve strukturohet mbi disa nivele kohore: e tanishmja që rrjedh si dialog i Burrit - rrëfimtarit me "bashkëbiseduesen" e pranishme. Në fillim, ky "dialog" përgatit atmosferë dhe kushte për kërcim drejt shkallës retrospektive, të përftuar si dialog me Plakun. Kjo mundëson një retrospektivë të dyfishtë, për kapërcimin në kohën dhe botën antike ilire. Rrëfimi lidhet me tri nyje kohore, e tanishmia dhe dy shkallët e kohës së kaluar. Përmes tyre dhe zërit të fuqishëm të fshehur jepet përsëritja e historisë, e dramës kolektive shqiptare. Romani "Oh" ngrihet mbi një strukturë të komplikuar e të përsosur të llojit të vet dhe njëkohëslsht u prin dhe shtron çështje teorike nga më të rëndësishmet lidhur me zhanret tregimtare, e sidomos me kategoritë kryesore të poetikës, siç u tha më sipër.
Lidhja e nyjeve kohore, zhytja e rrëfimtarit drejt retrospektivës së njëfishtë e të dyfishtë në rrëfimin romanesk të Anton Pashkut, sajohet përmes teknikës moderne që këtu rrjedh natyrshëm, pa asnjë imitim të sforcuar. Mjedisi antik nuk realizohet, para së gjithash, përmes faktografisë historike (edhe pse mund të identifikohen lehtë bëma dhe autorë të tyre), por si një gjallërim, konkretizim i vetëdijes mbi të. Kjo teknikë e zhytjes shkallë-shkallë në kohë mund të quhet dhe psikologjike-asociative. Kështu, kur rrëfimtari duhet të bëjë një kërcim parabolik në kohë, ai fillon parapërgatitjen për këtë hap, duke synuar në një cak të cakuar që nënkupton, në të njëjtën kohë, shkëputjen nga realiteti aktual. Përmes kësaj thirrjeje të brendshme, shfaqen të gjalla kohët e synuara, aktorët dhe ngjarjet historike dhe të sajuara.
Kështu, lexuesi sa mrekullisht aq edhe spontanisht gjendet brenda një bote antike, ambjentohet me të duke e harruar rrëfimtarin. Gjendja haluçinante që për një çast e rrëmben lexuesin, zhduket sakaq dhe gjithësinë e merr në dorë një tjetër ligjshmëri. Kështu, sa më thellë depërton në lashtësi para së gjithash, rrëfimtari synon të sugjerojë një vizion të mundshëm për kohën e ardhme, që shtrihet në pjesën e dytë të veprës.
Edhe lexuesi me pak përvojë, e ndien se rrëfimi i drejtpërdrejtë shqipton një kuptim të mbuluar, të cilin e zbulon dhe e shumëfishon lexuesi. Pikërisht për këtë shkak, leximi i romanit në fjalë i Anton Pashkut jo vetëm që kërkon përqëndrim maksimal, por është vepër që domosdoshmërisht kërkon lexim të dytë.
Ngjarjet të duken vetvetiu të natyrshme, të parrëfyera nga pikëpamja e dikujt, pra i lë veprimet të ndodhin e jo të ritregohen. Një sistem i tillë rrëfimi nxit lexime dhe interpretime shumështresore duke përbërë, tiparin dallues të stilit të Anton Pashkut.

Kulla

Te Tregimi "Kulla" mund të merret si model-bazë tematike e pjesës dërmuese në krijimtarinë letrare të Anton Pashkut. Përveç temës së dashurisë, që shtrihet në një pjesë të vogël të veprës së tij tërësore letrare, në këtë tregim janë të mpleksura: motivi i lashtësisë, i dramës shqiptare nëpër shekuj, i qëndresës, i ekzistencës, i aktualitetit dhe i vizionit të së nesërmes. Kjo do të vërehet sidomos tek romani "Oh", ku ky model tematik shtrihet thellë deri në Iliri dhe njëkohësisht, në mbështetje të asaj përvoje dhe të gjasave aktuale, projektohet e ardhmja. Në këtë rrëfim, përmes jetës së dy brezave, të kapërthyer dhe të shtrirë në tërësinë ekzistenciale kolektive të kombit, shprehet aktualiteti i rëndë, ankthi i banorëve të kullës.
Është përvoja e Plakës, pas vdekjes të së cilës Djali projekton të nesermen e vet duke e mbartur tutje përvojën nga e kaluara. Biri, plot ankth, ndien se qëndresa dhe ekzistenca e Kullës është në rrezik dhe sajon mekanizmin mbrojtës pikërisht në sajë të trashëgimisë simbolike të saj. Përmes traditës, rrëfimtari shpalon kulturën shpirtërore kolektive si mburojë simbolike nga kanosja e shprishjes prej dhunës së ushtruar në kohën kur është shkruar tregimi. Dhuna e ushtruar brutalisht përballë mekanizmit të traditës kulturore kombëtare dhe tërësisë shpirtërore kolektive, në art del e përkohshme, kalimtare dhe pa gjasa triumfi. Kështu përmbyllet tregimi antologjik "Kulla", me ngadhnjimin e së nesërmes, me lidhjen jetike të Birit pas trollit e kullës: rrëfimtari është gjithmonë banor i kullës; brenda saj e kujton të shkuarën nga e cila projekton dhe përcakton perspektivën.
Edhe rrethi tematik i vetmisë, ai i tërheqjes në vete nga çensura e shtypja, edhe rrethi tematik i dhunës dhe i krimit, që zënë vend qëndror në prozën tregimtare të Anton Pashkut, janë rrjedhim i shtypjes dhe i dhunës së ushtruar mbi qenien kolektive shqiptare, historikisht dhe aktualisht. Ky version regjional dhe kolektiv në prozën e Anton Pashkut uníversalizohet si vlerë artistike dhe si mesazh, si filozofi dhe si parim moral.