Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, tetor 03, 2005

Flori Bruqi:Ali Podrimja

ALI PODRIMJA

Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë kombëtare. Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie.
Ali Podrimja lindi e u rrit në Gjakovë. Studjoi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jeton aktualisht. Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën "Jeta e Re". Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më drámatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit:
Qaj rrafshi im i dashur, qaj! (fjala është për rrafshin e Dukagjinit,)
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
E vatrat shkimbur deri më një...
Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik ,Hija e tokës", të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist. Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.
Në vitet '80 e '90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999).
Kur për një poet themi se nuk është konvencional, pra është modern, këtë duhet ta kuptojmë kështu: Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai vendos parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Synimi i poetit për t'u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t'i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë. Me rëndësi është të kuptohet, nëse këto parime poetike të Ali Podrimjes, janë parime të një brezi dhe të një kohe dhe duhet të njihen si përvojë. Pa to nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik nëpër kohë, sidomos për krijuesit e rinj, poetët e mëdhenj janë shkollë, nga e cila mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat do të nisin ata të krijojnë parimet e tyre poetike. Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.

Poezi nga libri:Buzqeshje në kafaz

Në një bodrum të shekullit njëzet

Diku në katin e mesëm fqinji im sa më sheh e hap

derën dhe nis ta pastrojë armën e ftohtë E fshin

dhe buzëqesh me një zë të veçantë që më së paku i

ngjan gazit të njeriut Kështu vepron gati çdo ditë

por unë e di kush ja ka dhënë atë armë

vdekjepruese

dhe në cilën çetë vrasësh do të rreshtohet

Vetëm nuk e di a e di i gjori se unë nuk kam të dre-

jtë të jetoj Shkruaj këtë tekst të dëshmoj se unë

rroj në një vend me emrin Kosova ku fëmijët as të

rriturit nuk dinë kur janë Kërshëndellat Viti i ri

apo ndonjë festë kombëtare

Në kokërr të shpinës shkruaj dhe lexoj yjet para

se të fiken në një bodrum të shekullit t¨njëzet kur

po merr fund edhe bashkimi i Evropës së dresuar

Ndoshta më mirë është të veproj kështu se sa të

zbres në mes të gogolëve të cilët na kanë zënë t'ia

djegin bishtin vropës

Oh Evropë

si po dukesh

pa bisht

RELIKE TË FUNDSHEKULLIT

e zbardhen në veti

në hijen e krahëve të korbave

sheshelët e arkanët e gogolët

argëtojnë kopilat e mëhallës

klounët kukulla në thasë najloni

kyçin duartrokitje buzëqeshje në kafaz

dhe i bartin tej vezullimave