Flori - Press

Mire se vini ne faqen tone virtuale "Flori-Press" te moderuar nga stafi redaktues Flori Bruqi, Engjell Shehu,etj.

e hënë, tetor 03, 2005

Dy fjale per Moderatoret e Flori Press-it dhe Floart-it:Iljaz Prokshi dhe Gezim Ajgeraj

Iljaz Prokshi u lind në fshatin Vërbovc.

Studimet i kreu në Fakultetin Filozofik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Herët filloi të merret me letërsi.Jeton në Prishtinë.

Deri më tash ka botuar këta libra:

POEZI:

Pikë e bardhë ëndërr, 1983,

Satana në ferr, 1992, Fytyrë në pergamenë, 1995,

Psalm arbëror, 1998,Sonatë e dhembshur, 2003,

TREGIME:

Libri i kujtimeve, 1987,

Daullet e natës, 1990, Vdekja në ëndërr, 1996,

Magjia e mjegullës, 1997. Vajza e trëndafilave, 2002.

Pallati i Helenës, 2003,

ROMANI:

Fundi i zemërimit, 1997,

Dashuri në labirint, 2001

Poezi nga libri:SATANA NË FERR

RILEXIMI

Kur ikën lakuriqët e natës së heshtur

Kam parë shkronja trungut duke hipur,

Palla s'më hëngri për gjarprin e mbytur

Ja, tek rrëzoi diq dhe flet tani shqip.

Dhe sapo u ndezën fjalë që nuk thuhen

Mes universit tim gjeta eshtra dhe gurë,

Po sall dhimje t'ishin prapë do më duhen

Sepse mbi këtë lumë, bëmë dhe një urë.

Mbi epokat e zeza engjëlli seç më zgjoi,

As lamtumirë kujt s'i kam thënë, o Nënë;

Dhe ç'u ngrit kjo erë, s'di dot a kaloi

Vendenisi a hyri qetë apo jo në Ulpianë.

Kështu mbeti çdo vetëtimë duke e ditur

Se rileximi po fillonte fletë me fletë,

Dhe kurrë s'do të humbë asgjë e ndritur,

ç ' trazojnë krrokatjet, Uni do të rrijë i qetë.

Dhe kur lakuriqët e natës ikën nëpër to

Prapë shkronjat lart trungut kanë hipur,

S'më hëngri palla a vdiq gjarpri apo jo

Ja, tek shpërtheu diç dhe flet tani shqip.

GJARPRI DHE ËNDRRA

ULTIMA VERBA

Kushedi ç'do të bëhet pas nesh,

Ku ikën fjala,

ç'duan tani ëndrrat?

Po trilli i zi ç'i thyen mëkatarët.

Shekujt në udhëtim prush ndezin,

Dikush sikur rri prore në derë të Ferrit

Dhe bën sehir në heshtje,

Satana tek i gjuan engjëjt.

Kafka dhe rrënja ime përshpërisin

Ultima verba *

Sikur duan të heqin llahtarin,

Këtë sa herë e kërkuan martirët.

Koha sërish ikën vetëtimthi,

Dhe vazhdon të qenmen e vet gjer në fund;

ç' dhimbje njëjtë me imagjinatën

Mbi Arbëri klith gjaku, dashuria:

U bëftë drita.

Dy mijë vjet ka që rri vetëm,

Hëna perëndoi në mëngjesin e shkuar,

errësira ish vërtet e hidhur

ç' më shikon pa iluzione

Histori ilire e amshuar...

*Fjala e fundit

MENDIME

Ka çaste kur kujtoj lisat, shtëpitë

Më shumë se çfarëdo tjetër në jetë,

Ka çaste kur matem me detin, lartësitë

Dhe marr të ta shkruaj dramën e vërtetë.

Dhe në qoftë se mendon se kjo dhimbje

Kalon shpejt, mes zërash diç vjen prapë

Tashti s'ka hënë, ç'bren kaq shumë ky krimb

Ullinjtë e detit piqen, gjethet era ua hap.

Ja, sërish marr një copë Dheu të Verdhë

Dhe eci midis Sheshit të Ulpianës së lashtë,

Shkel trotuare, imagjinoj retë, lot derdh

E pastaj më rrëmbejnë fusha e lumenj të gjatë.

Dhe ikën Djalli i zi, nata prapë s'qetësohet

Sa një fyell nga larg ndihet, unë mendoj:

A ka shpëtim vargu im përse tani shqetësohet,

A më ndien kush apo mbase kot po ëndërroj?

Në vete, Toka ime, kam ende shumë fuqi,

Nëpër rërë të irnosur të iki me kalë,

Të të mos shqetësoj më nënën, as Ty,

Por t'ia sjell Doruntinën, në fjalë t'i dal.

ELEGJI ËNDRRE

ç' është futur në dhomë, a humbi,

S'di sa do të rri, a zgjohet sërish?

Nëse Ti nuk je, ç'ëndërron tjetër njeri

Askush të mos ndiejë,

As të vijë kurrë prapë tek Ti.

Loti ç'të akuzon:a je ti Helena e Trojës,

Te lufton me mua e s'më flet dot

Humb nga unë e sërish më pikëllon.

Nda Lumit të Harrimit qyteza ruan fjalët

Pikërisht aty çdo gjë sikur mposhtet,

Ti as njeh veten, as shpëton nga gënjeshtrat.

çasti tjetër vjen pas ëndrrës dhe ikën

Pas çdo gënjimi makabër që dot nuk heshtet.

KUSH THA SE VDIQ SATANA

365 ditë përbuze Dheut tënd,

Dhe dashurinë e përmasave pa tufan

Arrite në fund si të mos kishe qenë kurrë.

Dhe zure të lëpish fjalët tua si në Sodomë,

Mos doje të ngriheshe sërish majë olimpi

Përrallën ta godasësh fshehtas

Loti t'i shqyente plagët në mërzi.

A pak ishe e lumtur me gjarpërinjë?

Tani mallkon Gruan e Zezë në stepë,

I druan shkëlqimit në gur, nuk rrëfen Dhiatën,

Mbase mallkon varrin tënd, Satanë.

E në hyrje të kësaj dhome të përmortshme

Me zemër nise të urresh zot e profet,

Ti kot mbase beson,

Mbase ende pështyn në engjëj e demonë.

Po ç't'u desh fjala e zhdukjes në qytet,

A të vërbojë vallë vdekja?

S'ndien vallë se si të therin, nuk dëgjon.

Trupi t'u bë mish i gjallë,

Kufomë e zezë t'u bë, Satanë.

Ndanë pirgut këqyr ca çuditshëm,

Mbase mallkon ende vitet, shekujt.

Kush s'ndjeu vajin tënd labirinteve të Ferrit.

VETËM KËNGË

Ka mbetur këtu nga koha ilire

Dhe hyn në çdo shtëpi, tek ecën gjithnjë.

Pastaj pse të këndohet ndryshe

Se në vend të këtyre erërave të tërbuara

Fryn prapë diç e re,

e sigurt për nënat, fëmijët.

Sepse ata e duan Arbërinë përjetësisht,

Hyjnë dhe në botën e tyre reale.

Dhe në të ka vend për të gjithë.

Zëri i qëndron fatit, ëndrrës dhe gjarprit;

Mjafton të ndjesh se ke gjak për truallin.

Vetëm zëri mund të hyjë tek njëri-tjetri,

Zë që sikur lind pas mijëra vjetësh,

oshëtin mbi këtë oazë lulëkuqesh

Gjithmonë për diell të ri,

Dhe Dardaninë e përshkon pathyeshëm.

Gëzim Ajgeraj

U lind më 6 gusht 1967 në Malësin e Vërrinit. Shkollimin e mbaroi në Prizren. Jeton dhe krijon në Zvicër. Ka botuar këto libra:

1. Klithmë malli, poezi, "Rilindja", Prishtinë, 1997.

2. Ëndrra për parajsë, poezi, "Rilindja", Prishtinë, 1998.

3. Qiellit po digjem, poezi, "Rilindja", Prishtinë, 1998.

4. Flakë në plagë, poezi, "Rilindja", Prishtinë, 1998.

5. Kënga e babait, poezi për fëmijë, "Apolonia", Prishtinë, 1998.

6. Urti popullore të Vërrinit I, (bashkautorësi), "Apolonia", Prishtinë, 1998.

KRISMAT E LIRISË

Tregime

VULLNETARËT

Thirrja e atdheut ishte shpërndarë në të gjitha skajet e botës, ndërsa pushkët e lirisë po thirrnin djalërinë shqiptare anembanë botës për t’ i dalë zot atdheut. Sepse dheu i Kosovës po digjej e përgjakej në çdo cep nga ushtria barbare e okupatorit serb. Shkrumbi e gjaku që derdhej damarëve të tokës sime e shpon dhembjen e çdonjërit shqiptar jashtë atdheut. Dhe djalëria militante tani po i ktheheshin atdheut, pushkëve të lirisë. Në korrik të nëntëdhjetenëntës i gjeti gati drejt Malësisë së Vërrinit. Gjithçka e kishin bërë gati, rrobat, armët dhe gjërat e tjera të nevojshme për udhëtim. Mëngjesi i së shtunës, i gjeti të zgjuar; gjatë tëtë natës ata nuk bënë një sy gjumë. Duam të çmallemi, thoshte Rexha, pastaj lufte është dhe kush e di a shihemi më, dhe nëse shihemi, vetëm në Kosovën e lirë. Kur i tha këto fjalë, sytë iu mbushen me lotë, vetëm në liri, shtoi Sabriu e Qaza që ishin bërë gati për nisje. Fokusi i kamerës, shënonte çastet e fundit të kujtimeve me vëllezërit dhe shokët në mërgim. Me t’u nisur shumicës iu mbushen sytë me lot, por secili mundohej të përmbahej përpara vullnetarëve të lirisë. Betimi në flamur, përpara nisjes, u dha forcë të gjithëve, ngaqë mu zemra e alpeve po niseshin trimat e atdheut me flamurin kuq e zi në gji. Televizioni zviceran shënoi edhe intervistën e parë publike. Po shkojmë për të vdekur, tha Rexha. Për lirinë e atdheut, të djemve të Vërrinit shënuan fundin e nisjes së tyre vullnetare në rrugën e atdheut. Prapa tyre mbetën kujtimet e viteve në mërgim, që ndrynin në vete, duke u ndarë kush e kush me ata që kishin kaluar një kohë të gjatë; kish të atillë që nuk mund të rrinin pa qarë, në ndarje, por edhe gjatpëe rrugës. Atheu, megjithatë ishte pika më e dashur dhe vetëm ai mund t’ua lehtësonte dhembjen...

1998

PRITA

Kolona e të rinjve e kishte kaluar qindëshen, ndërsa karvani i kuajve mbi tetëdhjetë. Ajo zgjatej pa ndërprerë, derisa kolona me karvanin e kuajve kalonte fshatrave të Malsisë. Nata e qetë e verës së luftës, e shpërndante trokun e kuajve, nëpër pyjet që i visheshin bjeshkës përpjet dhe herë-herë ndihej ndonjë fjalë të ushtarëve, që bisedonin mes vete. Nëper këtë qetësi nate, hëna shpërndante dritën e saj bjshkëve, që ua ndriçonte rrugën ushtarëve të lirisë. Nga gumzhima e herëpashershme e zërave të tyre, prijësi i grupit kërkoi më tëpër qetësi, për shkak të përhapjes së zërave matanë shpatit, ku bënin roje kufitarët. -Ju lutem për më tepër qetësi, tha ai. Sepse edhe ashtu troku i kuajve bënë mjaft zhurmë. Një heshtje e plotë i kaploi të gjithë, vetëm troku i kuajve s'pushonte dot. -Jemi grup i madh, foli ai përësëri, ka rrezik të na hetojnë. Dikush pa i njohur rregllat e udhëtimit, e ndezi shkrepsën që të ndizte një cigare. Shkëlqimi i dritës u shpërnda mes grupit. Rafalet e rojave të kufirit, që u drejtuan nga grupi, nuk i dhanë mundësi asnjërit nga ushtarët as edhe komandantit që e drejtonte grupin për furnizim, për tërheqje vërejtje. Të gjithë bini për toke, u dëgjua një zë nga fillimi i kolonës. Vetëm kuajt që në lëvizje të pa- kontrolluara shpërndaheshin kodrave, ngelën në këmbë, ndërsa grupi i ushtarëve iu vesh kodrës. Krismat e armëve shpërthyen si një rrëbesh shiu, dhe përtej gjithçka pushoi. -A jeni të gjithë?, tha komandanti. Të gjithë ushtarët filluan t’ i tregojnë emrat, nëpër atë errësirë. Nuk mungoi askush. Vetëm disa kuaj të shtrirë që ende përpiqeshin lëvizjeve të fundit, nuk u zgjuan me dhe krismat e rojave të kufirit që nuk u dëgjuan më gjatë asaj nate. Grupi i furnizimit, e vazhdoi rrugën me betimin e dhën për sigurimin e armatimit, dhe mjeteve tjera për luftën çlirimtare.

gusht 1998

KUNDËRSULMI

Mëngjesi i gjashtëmbëdhjetë korrikut që kishte aguar plot shkëlqim, sapo kishte filluar t’ i ngrohte ushtarët që gjatë tërë natës kishin qëndruar nëpër pozicinet që e përkufizoin zonën e lirë të shpallur nga shtabi lokal i UÇK-së. Ata po i gëzoheshin ditës që po agonte plot diell e shkëlqim, gëzimi i tyre shihej buzëqeshjeve dhe ndonjë shakaje që e bëni me njëri-tjetrin. Lufta tanimë ishte bërë pjesë e jetës së tyre, ndërsa armët krahut pjesë e trupit të tyre. Pozicionet që e përkufizonin zonën e lirë, ishin stëpitë e tyre pa kulme ku e kalonin pjesën me të madhe të kohës në gjendje gatishmërie, gjatë gjithë kësaj vere. Ishte kjo përditshmëria e jetës së tyre nën emri e luftëtarit të lirisë. Zhurma e blindave të armikut, prishi qetësinë e ditës që sapo kishte filluar, ato po marshonin në drejtim të pozicioneve që e përkufizonin zonën e lirë. Po vijnë taket armike, bërtiti komandanti i kompanisë. Të gjithë nëpër pozicione, në gjendje gatishmërie, urdheroi ai. Dhe e nxori radiolidjen ga rripi që e mbante lidhur për beli, për të lajmëruar komandën e shtabit për rrezikun e mundshëm të ndonjë sulmi. Komanda, komanda, u degjua zëri i tij. Artileria armike po marshon drejt nesh, e përcolli zërin përmes radiolidhjes. Këtu komanda, u dëgjua një zë, nga brendia e radiolidhjes dhe vazhdoi: Nëese hyjnë brenda vijës së kuqe që na ndanë me ta, hapni zjarr, derisa të vijnë përforcimet. Ede pa përfunduar fjalët që vinin nga komanda, një rrëbesh plumbash e ngriste dheun përpjetë përgjatë vijës së pozicineve, ku qëdronin ushtarët e lirisë. Kundërzjarr, tha komandanti i kompanisë. Dhe plumbat vërshuan nga të gjitha anët e maleve që ishin nën mbrojtjen e ushtarëve tjerë. Dy nga ushtarët e armikut, që i përcillnin blindat nga anash ranë për toke. Matanë dukej vetëm zjarri i plumbave që s’i ndaheshin blindës dhe dheu që ngritej nga rrëbeshi. Jepni, trima, i inkurajonte ushtarët komandanti. Zjarrin mos e ndalni. E gjithë bjeshka villte zjarr, në ndihmë ishin vënë njësitët që i prinin kompanisë, që i mbronte nyjet e rrugëve që shpienin në brendinë zonës. Ndërkaq kënga që kishte filluar, u jepte fuqi edhe më tepër utrimave të lirisë. Snajperisti që qëndronte pranë komandantit , nuk fliste dot asnjë fjalë, as këngën nuk e përcillte; ai ishte përqëndruar prapa dioptrisë së dylbisë që e mbante mbi pushkë, dhe i vëzhgonte lëvizjet armike matanë përroit, që e ndante vijën e luftës. Lëvizjet e tij të vogla, hetoheshin në majën e pushkës nga armiku matanë bregut. Komandanti i kompanisë, pasi e zbrazi një karikatore kundër armikut, e ktheu kokën nga e djathta dhe shikoi njëherë nga ai, nuk foli asnjë fjalë, sikur e kutoi se fjalët ndoshta do t’ia prishnin qëtesinë e tij përpara gjuajtjes. Gjithçka e mbylli në heshtje, deri sa armës se tij i ndërroi karikatorin dhe e vendosi armën mbi dheun, që i mbulonte ata përpara pozicioneve, edhe gjuajtjet i ndali, e dinte mirë, se atij i duhej qetësi dhe koncentrim në pikën e shenjestrës që vështronte. Një krismë e hollë që doli nga arma e snajperistit, mbi blindën që villte plumba në drejtim të pozicioneve të ushtarëve tanë, rrëzoi siluetën mbi blindën armike, dhe të gjitha krimat nga pala armike pushuan. Paniku që kaploi armikun, krijoi rrëmujë në palën armike, dhe artilerinë e tyre, që filluan të zbrapseshin, tek po i tërhiqnin zvarrë dhe dy trupat e ushtarëve të tyre të rënë prapa blindës. Të ndalet zjarri, dha urdhër komandanti. Kurseni municionin. Dita e kundërsulmit rrodhi brenda gëzimit të fitores mbi armikun, dhe përgatitjes për beteja të reja.

korrik 1998

ÇLIRIMTARËT

Dritëdielli sa po i shpërndau rrezet, mbi malet e mbuluara me borën e fillimmarsit që shkrihej ngrohtësisë së pranverës që po vinte. Komandanti i kishte rreshtuar ushtarët e tij dhe po u caktonte detyrat e ditës që po fillonte. Ai po e kontrollonte gatishmërinë e secilit nga ushtarët dhe gjendjen e tyre fizike, ndërkaq për peshën e detyrave që do t’ ua ndante nuk ishte edhe aq problem. Ndërkaq, ata që gjatë tërë natës kishin bërë roje, duhej të zëvendësoheshin për të pushuar ca natën. Një zë që erdhi nga fundi i fshatit, e tërhoqi shikimin e të të gjithë që i pritnin detyrat, ndërsa komandanti bëri disa hapa mbrapa dhe shikimin e përqëndroi tek vasha që po vinte drejt tyre. Kurioziteti e ngacmonte, ndërsa ajo gjithnjë e më tëpër i afrohej shtëpisë kazermë, ku ishin të vendosur ushtarët. Çka ndodhur? thirri me zë të lartë komandanti, kurse jehona e zërit u shpërnda teposhtë grykës prej nga lidheshin rrugët e fshatit. Ajo nuk po mund të përgjigjej, lodhja ia kishte marrë fuqinë, dhe me dorën që e shtrëngonte gjoksin, mundohej të ruate frymmëmarrjen, që ia kishte shpejtuar vrapi. Po vijnë ushtria armike, me tanke e blinda, erdha t’ju lajmëroj, mezi i nxori fjalët ajo. Ju lutem, më jepni dhe mua një pushkë, iu drejtua komandantit. –Të gjithë nëpër pozicione dhe detyra urdhëroi komandanti, ndersa ti, iu drejtua vashës, ke bërë punë të mirë për lajmin e sjellë. Tani tani do të isha lutur të largohesh nga zona, sepse këtu do të këtë luftë. Më vjen shumë keq që duhet t’ ua kthej urdhërat, por unë kam ardhur të luftoj bashkë me ju. Ju lutem me jepni një pushkë. Komandanti duke e parë këmbëngultësinë e vashës, i zgjati automatikun që e mbante në dorë. Ja ia automatikun tim dhe këta karikatorë me fishekë. Ajo rrëmbeu armën dhe u nis vrapë drejt pozicioneve nga shkuan ushtarët tjerë. Krismat e tankeve armike të drejtuara në drejtim të pozicioneve të UÇK-së paralajmëruan fillimin e luftës së asaj dite të përgjakshme. Lufta s'pushoi deri në mesin e natës që erdhi. Deri në plumbin e fudit luftuan tre njësitet kundër tremijë e tetëqind ushtarëve dhe arltilerisë armike në mbrotjen e trojeve stërgjyshore. Borën e pranverës e mbuloi gjaku, ndërsa rënia e tyre me shikimin kah dielli, e solli pranverën e lirisë në Kosovë.

1999

ATA RANË ME KËNGË NË GOJË

Krismat e armëve mbyteshin jehonës që e përcillnin bjeshkët përreth fshatit. Ndërsa lufta që po vazdonte pa ndërprerë, mbillte vdekje kudo. Rruga e lirisë, e zgedhur nga ushtarët trima që luftonin për çlirimin e atdheut, hapej shkëlqimit të tyre nëpër vijat e frontit, kundër pushtuesit. Zjarr thirri komandanti, derisa hodhi bombën, në drejtim të tankut të armikut serb, që po u afrohej pozicioneve. Gjithçka u mbulua në flakë; tanku dridhi tokën rreth pozicioneve; jehona e krismës ndërkaq mbushëlloi malet. Kënga që buronte nga zëri i hollë i komandantit, vazhdoi pas jehonës së krismave. Ndërsa vargu: “Bini djema gjithë sa jemi, luftën mos me e ndalë”, u shpërnda pareshur tek ushtarët e lirisë, të cilët e përcillnin nga goja e tyre, bashkë me krismat. Dhe vargu i këngës vazhdonte: “T'gjithë së bashku për atdhe, jetën kem me dhanë”. Mesit të krismave të pushkëve, kur jehona e tyre tretej në zemrën e maleve, ritmi i këngës përhapej me jehonën e valeve që mbushëllonin malësisë, dhe me vete bartnin moralin e lartë të forcës dhe të luftës për lirinë e atdheut. Dhe kënga s'ndalej, buqimës së krismave të pushkëve, që e përcillnin ritmin e saj. E tërë ajo ditë pranvere me malet e veshura me borë, e treti këngën dhe gjakun, të atyre, që i falen shkëlqimin atdheut.

Malësi e Vërrinit, 1999

TROLLIN NUK E LËSHOJ

Ditën kur e arratis pyllit përpjetë mendoj me vete se bota u rrotullua e ra mbi të, ndjehej shurdhër nga zhurma e artilerisë së akupatorit që granatonte pandërprerë shtëpitë e fshatit. Ktheu, edhe njëherë shikimin mbrapa e me vete tha: “Tërë jetën punova e për pak minuta m’i mori të gjitha zjarri”. Më tej jehona e krismave shpërndahej shpatit përpjetë si një rrufe, që mbytej brenda tymnajave të zhurmës së zjarrit, e atij i dukej sikur i vlonte truri nga ato krisma. Jeta s`qenka asgjë, më mirë do ta pija helmin sesa të largohem, tha me mllef. Unë do të kthehem, iu drejtua plakës, nuk me bëjnë këmbët, pastaj ç`më duhet jeta mua, më mirë të vdes në oborrin tim, sepse aty edhe vdekja ka kuptim, ndërsa shikimi i tij tretej andej nga tymi i kullës matanë shpatit. Këmbëngultësia e tij ishte më e fortë se sa kërkesa e plakës, që e shoqëronte gjatë kthimit. Kanë një besë këto troje, tha me vete, po ku më zuri në këtë moshë kjo e mallkuar luftë, e ngushlloi veten. Mosha që ia kishte përpirë fuqinë i shihej kudo rrudhave të ballit të tij, dhe duarve, ku shtrëngonte shkopin, që shpeshherë e quante këmba ime e tretë. Ndërkaq, lutja e tij ishte që plaka të vazhdonte rrugën me gratë dhe fëmijët e tjerë drejt malit. Mirëpo ai e mori vetëm një përgjigje : “Unë nuk të lë vetëm, do të vdesë me ty”. Kthimin drejt lagjes që po i dilte flaka nga të gjitha anët, nuk e dinte as vetë sesi e kishte bërë, vetëm fati e kishte shpëtuar nga granatat që binin pandëprerë. Pastaj hyri në bodrumin e shtëpisë, që po i dilte flaka në katet e sipërme dhe nga dyert e dollapit në murët e shtepisë e nxori armën e tij, që e kishte ruajtur me dekada. Prapë të erdhi dita moj e uruar, përshpëriti tek po e rretullonte në dorë, ty dhe mua s`na hiqet qafesh ky armik, e dinë ti mirë çfarë do ai. Për një çast iu kujtuan vitet e rinisë, kur ishte luftëtarë i ballit, kujtoi ato vite dhe mallkoi kohën, që kishte rrjedhur pas asaj lufte, mallkoi tradhtitë që ishin bërë, komunizmin dhe mirë që erdhi kjo ditë, fliste me vete. Doli në oborr dhe me mllef, tha se këtu do ta presë hasmin. Nuk kam ku të shkoj nga këtu, tjetër shtëpi s`kam as tjetër atdhe. Plaka ndërkaq mundohej ta shuante zjarrin me ca kova ujë . Lëri të gjitha, moj plakë, ato do të digjen se do të digjen. Dhe ditët e qeta që kishin rrjedhur më pas, përpara trupit të kërrusur të plakut mbi armën e tij, i kishin gjetur edhe dy policë të armikut të shtrirë për toke, në oborrin e shtëpisë.

7. Mallëngjimi, poezi, "Rilindja", Prishtinë, 2000.

8. Balada e Vërrinit, poezi, K.L. "Fan S. Noli", Prizren, 2001.

9. Rruga e lirisë, Dramë, "Meshari", Prishtinë, 2001.

10. Rruga e lirisë (intervistë) me Zafir Berish-ën, e botoi "AV" të ish UçK-së- Prizren, 2002

11. Atdheu në trastë-cikli me poezi, botoi revista letrare "Jeta e re" nr. 4, korrik-gusht 2002, viti LIV. Prishtinë.

Është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës në Prishtinë, nga viti 1999.

Nga 23 marsi 2002, është anëtar i Lidhjes së shkrimtarë të Zvicrës (SSV).

Jeton dhe krijon në Zvicër.